Close
Faqja 2 prej 11 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 107
  1. #11
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA IX - GJYKATAT

    Neni 135
    1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.
    2. Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.

    Neni 136
    1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
    2. Njëri nga anëtarët emërohet Kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
    3. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.
    4. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
    5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.

    Neni 137
    1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.
    2. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
    3. Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
    4. Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

    Neni 138
    Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen.

    Neni 139
    1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron kur:
    a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
    b) nuk paraqitet në detyrë pa arsye për më shumë se 6 muaj;
    c) mbush moshën 65 vjeç;
    ç) jep dorëheqjen;
    d) deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
    2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë.

    Neni 140
    Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike dhe për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

    Neni 141
    1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
    2. Për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.

    Neni 142
    1. Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara.
    2. Gjykata e Lartë duhet t'i botojë vendimet e saj, si dhe mendimet e pakicës.
    3. Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.

    Neni 143
    Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private.

    Neni 144
    Gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë. Ato e propozojnë buxhetin e tyre sipas ligjit.

    Neni 145
    1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
    2. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.
    3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit.

    Neni 146
    1. Gjykatat i japin vendimet në emër të Republikës.
    2. Vendimet gjyqësore shpallen publikisht në çdo rast.

    Neni 147
    1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.
    2. Presidenti i Republikës është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
    3. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Presidentit të Republikës.
    4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë e tyre disiplinore sipas ligjit.
    5. Transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përveçse kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor.
    6. Gjyqtari mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose për pamjaftueshmëri profesionale. Kundër këtij vendimi gjyqtari ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Lartë, e cila në këtë rast, vendos me kolegje të bashkuara.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:54

  2. #12
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA X - PROKURORIA

    Neni 148
    1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.
    2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.
    3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve.

    Neni 149
    1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
    2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit.
    3. Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.
    4. Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:54

  3. #13
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XI - REFERENDUMI

    Neni 150
    1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t'i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
    2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
    3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

    Neni 151
    1. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
    2. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
    3. Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.

    Neni 152
    1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
    2. Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150 paragrafët 1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
    3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:54

  4. #14
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XII - KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE

    Neni 153
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe me referendumet dhe shpall rezultatet e tyre.

    Neni 154
    1. Komisioni përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët zgjidhen për një mandat 7-vjeçar. Dy anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, 2 nga Presidenti i Republikës dhe 3 anëtarë të tjerë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
    2. Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përtërihet çdo tre vjet sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
    3. Anëtarësia në Komision nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe politike.
    4. Subjektet elektorale caktojnë përfaqësuesit e tyre pranë Komisionit. Ata nuk kanë të drejtë vote.
    5. Anëtari i Komisionit gëzon imunitetin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
    6. Komisioni ka buxhetin e vet.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:55

  5. #15
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XIII - FINANCAT PUBLIKE

    Neni 155
    Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t'i jepet fuqi prapavepruese.

    Neni 156
    Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj.

    Neni 157
    1. Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti i shtetit dhe nga buxhetet vendore.
    2. Buxheti i shtetit krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit.
    3. Organet vendore caktojnë dhe mbledhin taksa dhe detyrime të tjera siç përcaktohet me ligj.
    4. Organet e pushtetit qendror dhe atij vendor janë të detyruara t'i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.

    Neni 158
    1. Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektligjin për buxhetin e shtetit gjatë sesionit të vjeshtës, i cili nuk mund të mbyllet pa e miratuar atë.
    2. Në qoftë se projektligji nuk arrin të miratohet deri në fillim të vitit të ardhshëm financiar, Këshilli i Ministrave zbaton çdo muaj një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraardhës, derisa të miratohet buxheti i ri.
    3. Kuvendi miraton buxhetin e ri brenda 3 muajve nga dita e mbarimit të vitit të kaluar financiar, përveçse në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
    4. Këshilli i Ministrave është i detyruar t'i paraqesë raport Kuvendit lidhur me zbatimin e buxhetit dhe me borxhin shtetëror për vitin e kaluar.
    5. Kuvendi vendos përfundimisht pasi dëgjon edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

    Neni 159
    Parimet dhe procedurat për hartimin e projektbuxhetit, si dhe për zbatimin e buxhetit përcaktohen me ligj.

    Neni 160
    1. Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime në buxhet.
    2. Ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurës së parashikuar për hartimin dhe miratimin e vetë buxhetit.
    3. Shpenzimet e parashikuara me ligje të tjera nuk mund të ulen sa kohë që këto ligje janë në fuqi.

    Neni 161
    1. Banka Qendrore e shtetit është Banka e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes e të administrimit të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë.
    2. Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:55

  6. #16
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XIV - KONTROLLI I LARTË I SHTETIT

    Neni 162
    1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
    2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

    Neni 163
    Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:

    a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
    b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor;
    c) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.

    Neni 164
    1. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit:
    a) raport për zbatimin e buxhetit të shtetit;
    b) mendim për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar para se të miratohet nga Kuvendi;
    c) informacion për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
    2. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij.

    Neni 165
    1. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të ftohet të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, kur shqyrtohen çështje që lidhen me funksionet e tij.
    2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:56

  7. #17
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XV - FORCAT E ARMATOSURA

    Neni 166
    1. Shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, siç parashikohet në ligj.
    2. Shtetasi që, për arsye ndërgjegjeje, nuk pranon shërbimin me armë në forcat e armatosura, është i detyruar të kryejë një shërbim alternativ, siç parashikohet në ligj.

    Neni 167
    1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.
    2. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.

    Neni 168
    1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.
    2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
    3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.

    Neni 169
    1. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.
    2. Presidenti i Republikës, në kohe lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit.
    3. Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
    4. Kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ato të Komandantit të Forcave të Armatosura dhe varësia e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:57

  8. #18
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XVI - MASAT E JASHTËZAKONSHME

    Neni 170
    1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
    2. Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj.
    3. Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme.
    4. Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit.
    5. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme.
    6. Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.

    Neni 171
    1. Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës.
    2. Në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.

    Neni 172
    1. Në rastin e nenit 171 paragrafi 1, Presidenti i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të drejtat që kufizohen.
    2. Kuvendi merr në shqyrtim menjëherë dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve për dekretin e Presidentit.

    Neni 173
    1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
    2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
    3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë.

    Neni 174
    1. Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.
    2. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.

    Neni 175
    1. Gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 15, 18, 19, 20, 21, 24, 25, 29, 30, 31, 32, 34, 39 paragrafi 1, 41 paragrafët 1, 2, 3 dhe 5, 42, 43, 48, 54, 55.
    2. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51.
    3. Aktet për shpalljen e gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose të gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të cilësojnë të drejtat dhe liritë që kufizohen sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni.

    Neni 176
    Kur Kuvendi nuk mund të mblidhet gjatë gjendjes së luftës, Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Ministrave, ka të drejtë të nxjerrë akte që kanë fuqinë e ligjit, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi në mbledhjen e tij më të parë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:57

  9. #19
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XVII - RISHIKIMI I KUSHTETUTËS

    Neni 177
    1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
    2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
    3. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
    4. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
    5. Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
    6. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
    7. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj.
    8. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:57

  10. #20
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585

    KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË - Tetor 1998

    PJESA XVIII - DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

    Neni 178
    1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
    2. Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit projektligjet e nevojshme për vënien në zbatim të kësaj Kushtetute.

    Neni 179
    1. Mandati i organeve kushtetuese që do të ekzistojnë me hyrjen në fuqi të kësaj Kushtetute mbaron me afatet e parashikuara në ligjin nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me ndryshimet dhe plotësimet përkatëse.
    2. Anëtarët e Gjykatës së Kasacionit vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës së Lartë, sipas mandatit të mëparshëm.
    3. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve zëvendësohen me anëtarë të rinj të zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve.
    4. Organet e pushtetit vendor vazhdojnë veprimtarinë deri në mbarim të mandatit të tyre.

    Neni 180
    1. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute konsiderohen të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute.
    2. Këshilli i Ministrave i paraqet Gjykatës Kushtetuese marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat përmbajnë dispozita që vijnë në kundërshtim me këtë Kushtetutë.

    Neni 181
    1. Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41.
    2. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute dhe që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të.

    Neni 182
    Ligji nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.

    Neni 183
    Kjo Kushtetutë hyn në fuqi me shpalljen nga Presidenti i Republikës.

    K R Y E T A R I

    Skënder GJINUSHI

    Nr. 8417

    Datë: 21.10.1998
    Ndryshuar për herë të fundit nga drini_në_TR : 29-05-2003 më 02:57

Faqja 2 prej 11 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  2. Historia politike e Shqipërisë në tre vjet
    Nga no name në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-03-2007, 19:49
  3. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44
  4. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40
  5. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •