BE : «Qëllimi është kthimi i emigrantëve ilegalë nga vendet e BE-së në Shqipëri, origjina e të cilëve është Shqipëria, ose që kanë udhëtuar për në vendet e BE-së nëpërmjet Shqipërisë”.
TIRANË- Marrëveshja për ripranimin e personave të paligjshëm në 15 vendet anëtare të Bashkimit Europian rrezikon kthimin e mbi 200 mijë emigrantëve shqiptarë. Dokumenti që pritet të nënshkruhet sot nga ministri i Shtetit për Integrimin, Sokol Nako në Pallatin e Kongreseve, me përfaqësuesit e grupit negociator të BE-së, pritet të ketë efekte jo të vogla social-ekonomike në Shqipëri. Sipas zyrës së shtypit të Komisionit Evropian në Tiranë, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është kthimi i emigrantëve ilegalë nga vendet e Bashkimit Evropian në Shqipëri, origjina e të cilëve është Shqipëria, ose që kanë udhëtuar për në vendet e BE-së nëpërmjet Shqipërisë.
Vetëm në katër shtete anëtare të BE-së, si Itali, Greqi, Gjermani dhe Britanie Madhe ekzistojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë e punojnë në mënyrë të paligjshme, për shkak të mos legalizmit të dokumenteve të lejeqëndrimit pranë shteteve ku ata jetojnë. Në Greqi mund të ketë nga 150 deri 200 mijë shqiptarë të palegalizuar, edhe pse regjistrimi i tyre është në proces. Po kështu edhe në në Itali llogariten mbi 20-30 mijë persona. Në shtetet e tjera si në Angli, Gjermani, Zvicër, Holandë dhe Belgjikë, numri i shqiptarëve të palegalizuar llogaritet në rreth 30 mijë persona. Ndërsa në shtetet e tjera të BE-së, numri i tyre është më i vogël. Kthimi i emigrantëve shqiptarëve nuk do të jetë i menjëhershëm, por gradual në bazë të vendimeve përkatëse që pritet të ndërmarrin qeveritë e shteteve që janë anëtare të BE-së. Emigrantët shqiptarë ndikojnë në vlera të konsiderueshme financiare në ekonominë shqiptare, ku falë tyre në vend, sipas Bankës së Shqipërisë, hyjnë 500 milionë dollarë amerikanë në vit.
Bisedimet
Takimi Task-Forcës me Shqipërinë dhe BE-së, mbi raundin e dytë të negociatave teknike për marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit dhe marrëveshjen e Ripranimit mes Komisioni Evropian dhe Shqipërisë, prej dy ditësh po zhvillohet në qytetin e Durrësit. Në vilën “Fiore” në Durrës, është zhvilluar takimi mes David Daly për Komisionin Europian dhe Sokol Nakos. Ministri i Shtetit për Integrimin, njëkohësisht edhe kryenegociatori shqiptar në këto bisedime Shqipëri-BE, Sokol Nako tha se “dje është biseduar në parim marrëveshja për ripranimin e personave dhe sot do të vijojmë me raundin e dytë të tyre. Po negociojmë nen për nen për këtë dokument ”. Ndërsa po pasditen e djeshme u mblodh grupi i punës mes Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare me subjekt infrastrukturën. Qëllimi i grupit të punës është të bëjë vlerësimin vjetor të progresit në këtë sektor.
Sipas zyrës së shtypit të Komisionit Evropian në Tiranë, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është kthimi i emigrantëve ilegalë nga vendet e Bashkimit Evropian në Shqipëri, origjina e të cilëve është Shqipëria ose që kanë udhëtuar për në vendet e BE-së nëpërmjet Shqipërisë.
Krijoni Kontakt