Pacienti 24 vjeç vdes pas operimit të hundës në Spitalin e Gjakovës
Një vdekje tragjike dhe e pazakontë që ka tronditur qytetin
ARBANA XHARRA PRISHTINË, 10 MAJ - Një vdekje tragjike dhe e pazakontë e një të riu në Gjakovë ka lënë një familje pa trashëgimtarin e vetëm dhe një mjek të ri specialist në dëshpërim të thellë derisa lënda tani ndodhet në hetime në Gjykatën e Pejës.
Vdekja e Albin Gojanit 24-vjeçar nga Gjakova disa orë pas operacionit për rregullimin estetik të hundës, këto ditë ka nxitur thashetheme të shumta si nëpër rrugët e qytetit ashtu edhe nëpër shtëpitë gjakovare.
Familja e Albinit të ndjerë e akuzon tani specialistin e ORL-së, dr. Ilir Efendinë, duke ia vënë fajin atij për vdekjen e të birit, obduksioni i të cilit nuk është bërë, ndërsa specialistët thonë se vdekja ka ardhur si pësojë, siç i referohen ata, e pneumoturax spontaneus, apo pëlcitje spontane e mushkërive të pacientit, në orët pas operacionit dhe që ka shkaktuar vdekjen e tij të shpejtë brenda pak orësh.
Familjen Gojani e ka pllakosur velli i zisë dhe askush nuk ia del që t’ua mbushë mendjen se nuk është mjeku ai që ka qenë fajtor për vdekjen e të birit të tyre të vetëm.
“Na është mbyllur dera me therrë, kemi mbetur pa fëmijë, njerin na vranë paramilitarët serbë në luftë para pragut të shtëpisë, e tash djalin e vetëm që e kishim na vdiq nga pakujdesi i mjekëve”, thotë me lot në sy babai i Albinit të ndjerë teksa e ëma ndërhyn.
Specialistët në aspektin mjekësor ndërkaq sqarojnë ndryshe këtë fatkeqësi. Sipas tyre Albini i ndjerë nuk ka mundur të vdesë nga ky operacion kaq i thjeshtë.
“Ka qenë një komplikim postoperativ, i cili nuk ka pasur të bëjë me operacionin, aq më tepër kur operacioni ka përfunduar me sukses”, thotë kirurgu dr. Avdullah Qafani.
Ai thotë se mjekët nuk duhet akuzuar, sepse askush nuk vdes nga një operacion i hundës.
“Me ta pre hundën me sakicë nuk vdes, e sidomos të operohesh në duart e specialistëve siç është dr. Ilir Efendia”, thotë Qafani, i cili ka qenë mjek kujdestar në natën kur edhe është operuar Gojani i ndjerë.
Sipas këtij specialisti dhe të tjerëve dr. Ilir Efendia, i cili e ka operuar Albini është njëri ndër mjekët më të ri profesionalë dhe më punëtorë të Spitalit të Gjakovës, i cili për 15 muaj stazh sa ka bërë në këtë spital, ka kryer rreth 140 intervenime, pa asnjë dështim.
“Ka qenë një vetëmohim i pashoq i mjekëve që e kanë bërë operacion Albinin e ndjerë”, thotë dr. Qafani, duke kujtuar çastet e pasoperacionit kur tek pacienti ishin shfaqur komplikimet spontane.
Si vdiq Albin Gojani?
Dr.Ilir Efendia e gjen të vështirë të flasë tani pas kësaj vdekjeje. Albin Gojani 24-vjeçar, kishte vendosur ta rregullonte hundën e tij joestetike.
I shoqëruar nga daja i tij, Gazmend Bunjaku, është hospitalizuar më 25 prill të këtij viti me diagnozën: Defformatio pyramidis nasi (ose në zhargonin popullor deformim i hundës).
Atij i janë bërë të gjitha analizat paraoperuese, të gjakut, rentgeni etj. Dr. Efendia thotë se më 28 prill pacienti është caktuar për operim me anestezion lokal.
Mirëpo, thotë ai, pacienti dhe daja i tij kanë insistuar që operimi të kryhet me anestezion të përgjithshëm, kështu që operimi është caktuar për datën 2 maj”, bën të ditur dr. Efendia.
Më pas, sipas dr. Efendisë, daja bashkë me djalin kishin kërkuar që të kryhet operimi të shtunën për shkak të anseteziologut ndër më të mirë që ka spitali i Gjakovës, dr. Ilir Beqiri, i cili atë ditë kishte qenë kujdestar.
“Daja me të ndjerin me thanë se kanë biseduar me anesteziologun dr. Ilir Beqiri që operimi të kryhet të shtunën dhe unë e pranova me respekt ta kryeja detyrën time”, thotë dr. Efendia, dukshëm i mërzitur nga tërë ajo tragjedi që i ka kushtuar familjes Gojani.
Të njëjtat fjalë i thotë edhe anesteziologu Beqiri, “po unë isha kujdestar dhe kisha kohë mjaft, ata kërkuan që të kryhet këtë ditë operimi dhe ashtu u vendos”.
Të shtunën më 3 maj në orën 16:00 kishte filluar operimi i Albinit, me dr. Ilir Efendinë, anesteziologun dr. Ilir Beqiri, instrumentaren Lindita në sallën e ORL-së dhe nën asistimin e dr.Burim Zhurit.
Anesteziologu, dr. Beqiri bëri të ditur se Albini nuk ka pasur asnjë kundërindikacion që të mos futet në operim bazuar në të gjitha analizat që i janë bërë pacientit para operimit.
“Të gjithë parametrat kanë qenë normalë, operimi ka shkuar në rregull pa asnjë komplikim, dhe ka zgjatur dy orë”, thanë anesteziologu dhe dr. Efendia.
Ky i fundit kishte kërkuar vlerësimin edhe nga gjithë ekipi për përfundimin e operimit. Në orën 18:00 kishte përfunduar operimi me sukses pa asnjë komplikim.
“Ka qenë një operim shumë i suksesshëm ma kanë thënë edhe kolegët”, bëri të ditur dr. Efendia, i cili menjëherë kishte dalë për t’ia uruar nënës së pacientit, Samile Gojanit, për operimin e suksesshëm të hundës së djalit të saj.
“Dr. Ilir Efendia, në shkallët e hyrjes në spital më ka uruar për suksesin e operimit të djalit tim. Jam gëzuar shumë. Kur kam hyrë në dhomën intensive ku ishte në repartin e ORL-së, Albini ishte i shtrirë duke pranuar infuzionin e vendosur në dorë”, tha nëna e të ndjerit.
Ndërkaq, dr. Iliri kishte qëndruar edhe për 50 minuta në repart dhe më pas është kthyer për në shtëpi. Sipas personelit mjekësor që ka qenë aty, rreth orës 19:10 minuta gjendja frymare e Albinit ka filluar të keqësohet.
“E kam lajmëruar emergjencën për djalin tim dhe ka ardhur mjeku kujdestar, nuk më kujtohet emri i tij”, tregon tani nëna e të ndjerit.
Ndërsa pas pak në dhomë kishin ardhur disa mjekë për të asistuar.
“Posa jam futur në shtëpi më kanë thirrur nga emergjenca. K
am shkuar në repart shumë shpejt rreth orës shtatë e diçka dhe në dhomë tek pacienti i kam gjetur dr. Avdullah Qafanin, motrën Lindita, anesteziologun dr. Beqirin dr. Jetish Jetishin, infermieren Elmaze”, thotë dr.Efendia duke shtuar se frymëmarja e pacientit kishte filluar të dobësohej ndërkohë që personeli mjekësor kishte reanimuar dhe intubuar atë.
“Albini ka qenë i ënjtur në qafë dhe në anën e majtë të mushkërive. I kam bërë intervenimet menjëherë duke ia qetësuar gjendjen duke e reanimuar dhe shpuar për t’ia nxjerrë ajrin”, tregon Beqiri duke shtuar se gjendja e Albinit ishte qetësuar për pak derisa ka filluar të ënjtet edhe ana e djathtë e mushkërisë. Dhe këtu tani besohet t’i ketë pëlcitur mushkëria e djathtë.
“Albini tentonte të ngritej nga krevati ndërkohë që ka ardhur deri tek pëlcitja edhe e mushkërisë së djathtë aq shpejt saqë ka qenë e papërshkruar.
Ne kemi vazhduar me reanimim për 30 minuta, por pa efekt. I kemi dhënë adrenalinën, dy ampula në venë, dhe dy në zemër mirëpo ka pushuar së rrahuri zemra e tij dhe në orën 1:14 minuta Albini ka vdekur”, bënë të ditur mjekët, të cilët asistuan atë natë. Anesteziologu me përvojë pune 14-vjeçare në deklaratën e tij thotë se ky është rasti i parë që dy orë pas periudhës postoperative pacienti të fitojë pneumoturaks spontan.
Dr. Efendia kërkon që Albinit të ndjerë t’i bëhet obduksioni
Edhe pse familja e Albinit të ndjerë akuzon mjekët për humbjen e djalit, ata e kanë futur në dhe djalin e tyre të vetëm, pa ia bërë obduksionin.
As Spitali i Gjakovës nuk ka kërkuar që ta bëjë vërtetimin përfundimtar të vdekjes së Albinit.
Kurse dr. Ilir Efendia, i cili akuzohet për neglizhencë kërkon që kjo analizë të kryehet, që të merren vesh përfundimisht shkaqet e vdekjes së Albinit.
Ai do që të mos fajësohet pa fakte.
“As familja e as Spitali i Gjakovës nuk kanë kërkuar që të bëhet obduksioni i Albinit. Unë kërkoj që të bëhet obduksioni edhe ta marrin të gjithë vesh se unë e kam kryer punën siç duhet.
Jam i gatshëm që të dal para çdo organi dhe të dëshmoj se operimi ka qenë në rregull.
Asnjëhere në jetën time nuk kam pasur dështime”, thotë thellësisht tronditur dr. Efendia. Dhe siç qëndron situata tani, pos gjykatës që e ka marrë përsipër këtë rast mbetet vetëm fjala mjekëve ndaj asaj të familjes.
Dr. Qafani kirurg i specializuar thotë se, “Albinit para vdekjes është bërë reanimimi. “Intubimi është ofruar, një vetmohim pashoq i dr. Efendisë dhe Beqirit.
Nuk kam parë ndonjë neglizhencë dhe këtë do ta dëshmonte edhe mjeku ligjor po të bëhet obduksioni Albinit të ndjerë”, thotë ai, por duket se qartësimi si i tillë nuk është duke ndihmuar familjen.
Albini i pa jetë ka dalë nga spitali me diagnozën (Pneumoturax spontaneus).
Zyrtarë të spitalit ndërkaq kanë bërë të ditur se hetimet në këtë drejtim po vazhdojnë dhe se lënda ndodhet në Gjykatën Qarkut në Pejë.
Ajo që mbetet enigmë është fakti se si ka mundur të lejohet të lëshohet kufoma nga spitali pa iu nënshtruar obduksionit dhe kjo nxit shumë dyshime në anën tjetër.
Megjithatë pritet se gjyqi dhe obduksioni që pritet se do të inicohet do të zbardhin këtë enigmë të një vdekje sa tragjike aq edhe të pazakontë.
Koha Ditore
Krijoni Kontakt