Një pjesë e peshkut është grumbulluar nga fëmijët dhe është përdorur dhe në lokalet e plazhit
Misteri, tonelata peshk i ngordhur në Velipojë
Mendohet se e ka hedhur ndonjë anije e huaj për të larguar turistët nga plazhi i Velipojës
SHKODËR- Në gjithë gjatësinë e plazhit të Velipojës që nga mëngjesi i djeshëm është shfaqur peshk i ngordhur, ndërkohë që dyshohet se ai është hedhur nga ndonjë anije e huaj për të krijuar imazhin e ndotjes dhe për të larguar pushuesit në këtë prag sezoni. Ngjarja e djeshmë përgjatë gjithë bregdetit të Velipojës ka alarmuar drejtuesit e pushtetit lokal në Shkodrës dhe biologë ekologjistë dhe specialistë të shëndetësisë të cilët kanë ardhur menjëherë për të parë situatën nga afër. Sipas burimeve, peshku i ngordhur që është gjendur përgjatë bregdetit (me tonelata sipas burimeve të para) ishte i llojit levrek e brufuj me një gjatësi 15 cm secili dhe pothuajse në një masë. Po ashtu mësohet se mes peshqve të ngordhur ka pasur edhe gaforre, ndërkohë që uji i detit, sipas analizave të para, nuk ka rezultuar i ndotur nga ndonjë lloj lënde. Të njëjtat burime thanë për gazetën se një pjesë e peshkut ishte groposur në paraditen e djeshme, ndërsa në pasdite, në plazhin e Velipojës, kishte akoma peshk në breg te detit. Sipas kryetarit të komunës Velipojë, Bardhok Ndreca, një pjesë e peshkut të gjetur përgjatë bregdetit është grumbulluar nga fëmijët dhe mësohet se është përdorur dhe nga lokalet e plazhit, por deri në mbrëmjen e djeshme asnjë person nuk ka shfaqur shenja të rrezikshme. Po ashtu mësohet se janë marrë disa peshq për t’u analizuar, por ende nuk dihen përfundimet. Më shumë peshq të ngordhur janë parë në grykën pranë pjesës malazeze, ndërkohë që ka pasur të tillë në gjithë bregun e detit, rreth 5 km deri në grykëderdhjen e Bunës, pranë Vilunit. Ndërsa mendohet se peshku i ngordhur është hedhur për të prishur turizmin në këtë prag sezoni, ekzistojnë edhe dyshime të tjera se ai mund të jetë hedhur nga ndonjë anije e huaj malazeze pasi mund ta ketë patur për ta shitur. Por banorët e plazhit hedhin dyshimin se peshku i ngordhur është hedhur nga të huajt pranë bregut tonë për të krijuar imazhin e ndotjes dhe larguar pushuesit tanë në prag të sezonit. Sipas banorëve, plazhi i Velipojës është shumë i frekuentuar dhe më i bukur dhe më me vlera se ato të Malit të Zi. “Konkurrenca, thonë ata, ka çuar në këtë veprim”. Një banor i plazhit, Vasil Ndue Marku, i cili bashkë me të shoqen Florindën po përgatisnin rrjetat për t’i hedhur në det, thotë se së paku ka 40 vjet që nuk ka parë këtë fenomen. Kryekomunari Ndreca thotë se ka pasë një supozim se peshku i ngordhur mund të ketë dalë në breg nga dallgët pasi para 4-5 ditësh janë dëgjuar shpërthime të fuqishme disa milje larg bregut, nga ata që merren me studime gjeofizike nënujore. Por kjo hidhet poshtë , thotë Ndreca se në një rast të tillë do të dilnin peshq të tjerë të madhësive të ndryshme, ndërsa këta janë në një masë. Ndreca thotë se ka raportuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe me zëdhënësin e Kryeministrit. Banorë të plazhit nuk dinë si ta shpjegojnë këtë fenomen të paparë prej tyre. Në breg peshku është i një mase 12-15 cm sikur të jetë rritur diku artificialisht dhe ai edhe hedhur me dorë gjatë bregut. Një biolog shkodran, që nuk do të identifikohet shprehet për “Shekulli-n’ se ekziston mundësia e ndonjë semundjeje që ka prekur peshqit në të njëjtën fazë rritjeje dhe pasi kanë ngordhur dallgët i kanë nxjerrë në breg. “Shkencërisht kjo mund të ndodhë” shprehet specialisti. Megjithatë asgjë e saktë nuk dihet dhe as sasisa e peshkut të dalë në breg i ngordhur.
Anila Dushi
Krijoni Kontakt