- sipas gazetës “The Guardian” -

Pasi përshkruan një vizitë private dhe të fshehtë të Princit trashëgimtar të Britanisë në Malin e Shenjtë, i treti brenda një viti, artikulli vazhdon:

Sipas miqve dhe të njohurve të princit, kreu i ardhshëm i Kishës Anglikane ka rënë në dashuri me besimin orthodhoks. Madje deri në atë pikë, sa e ka mbushur një pjesë të shtëpisë së tij në Highgrove me ikona të çmuara bizantine, të cilat besohet se në shumicën e tyre e kanë origjinën nga Athosi, vendi më i shenjtë i Orthodhoksisë. Princi, si shoku i tij, kompozitori Sër John Tavener, i cili u kthye në besimin orthodhoks në vitin 1977, thuhet se është mjaft i prirur nga spiritualiteti i fortë i Kishës Orthodhokse. Që nga mbretërimi i Stjuartëve nuk ka pasur një trashëgimtar të fronit me një interes intelektual kaq të dukshëm ndaj fesë. Për vite Charlsi, që do ketë edhe titullin e Mbrojtësit të Fesë (anglikane) kur të bëhet mbret, ka treguar një interes të paprecedent edhe për besime të tjera, si Islami dhe Budizmi.

Por, takimet e tij të rregullta me At Efraimin, igumenin e Vatopedhit - manastiri i tij i preferuar në Mal - i ka hedhur benzinë zjarrit të spekullimeve, se princi është duke u prirur nga krishterimi lindor, megjithëse kjo mohohet me ashpërsi nga oborri.

Dëshmitarë thonë se Charlsi mbërriti në Athos pak ditë pas vdekjes së Princeshës Diana dhe ishte Efraimi që e nxiti të afrohej me besimin (orthodhoks)…

“Njerëzit harrojnë se Orthodhoksia është në familjen e tij”, - thotë Arqiepiskopi Grigor i Thiaterës, që drejton në Britaninë e Madhe një komunitet të fuqishëm orthodhoks prej 500 mijë vetësh.

“Një nga hallat e Charlsit, Dukesha e Madhe Evgjenia, është shpallur shenjtore orthodhokse, pasi ajo u vra në Moskë ku ishte vendosur në një manastir. Gjyshja e Charlsit nga babai, Aliki, ishte murgeshë për një pjesë të madhe të jetës. Ajo e fliste shumë mirë greqishten dhe vitet e saj të fundit, kur erdhi në Londër, ajo bëri një kapelë orthodhokse në Buckingham Palace”, shton episkopi.

Si qendra religjioze e Orthodhoksisë lindore, Athosi është një magnet për pelegrinë që i janë dedikuar besimit. Shumë prej tyre - siç e dëshmon numri gjithmonë në rritje i murgjve nga BE, SHBA, Kanadaja apo Australia - nuk kthehen më që aty. Edhe midis evropianëve të pasur apo atyre me gjak blu, ky vend me bimësi të harlisur shihet si një mundësi ikjeje dhe dezintoksikimi nga realiteti i përditshëm.

I ati, Princi Filip, i lindur në Korfuz dhe që ashtu si Charlsi është një anëtar nderi i Vëllezërve të Malit të Shenjtë, kaloi në Anglikanizëm nga Orthodhoksia kur u martua me Mbretëreshën…. …Zyrtarisht St Jamme’s Palace thotë se vizitat e Princit në Malin e Shenjtë janë “çështje personale”. Dhe jo në pozitën e Princit të Uellsit, trashëgimtarit të fronit dhe se ai është i interesuar për arkitekturën dhe spiritualitetin e Athosit...