Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    SPAK: Ja skema e kontrabandës së cigareve mes "Albania Tabak" dhe doganierëve të Edi Ramës

    Zyrtarët e Doganave shqiptare i hapën traun biznesit të kontrabandës së cigareve

    Një fabrikë e prodhimit të cigareve, e dyshuar prej një dekade për aktivitet të paligjshëm, furnizoi tregun e zi të kontrabandës në Ballkan dhe Europë përmes bashkëpunimit me zyrtarë të mesëm dhe të lartë të Doganave shqiptare. Pas goditjes nga SPAK, fabrika po bëhet gati që t’i rihapë dyert me një pronar të ri.

    Nga Edmond Hoxhaj dhe Vladimir Karaj

    Emri:  Pa-bashkepunimin-e-doganiereve-kontrabanda-e-cigareve-do-te-ishte-e-pamundur.jpg

Shikime: 114

Madhësia:  53.5 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Paraditen e nxehtë të shtunës, një grua në mesin e të 30-ave afrohet në portën e hekurit të fabrikës së cigareve “Albania Tabak” në periferi të Librazhdit dhe kërkon një takim me pronarin e ri. Por në oborrin e ndërtesës 4-katëshe të fshehur brenda mureve të larta, nuk lëviz asgjë përveç rojes.

    Gruaja interesohet për punë, pavarësisht lajmeve që e vendosin fabrikën në qendër të një skeme të sofistikuar të kontrabandës së cigareve që vazhdonte prej vitesh.

    “Kam punu këtu që fëmijë,” thotë ajo në kushtet e anonimatit. “Kshu e bënë ata këtë punë. Nuk u sollën mirë me punëtorët, prandaj edhe shkoi kështu,” shton ajo.

    Sipas saj, puna në fabrikë kishte ndaluar prej dy vitesh dhe grupi prej 25 punëtorësh nuk i kishte marrë ende pagat e prapambetura. Ndërsa flet për procesin e punës, ish-punëtorja e ruan ende një dozë fshehtësie rreth aktivitetit, ndërsa thotë: “marka e cigareve ishte sekret”.

    Në fakt, fabrika e cigareve “Albania Tabak” ka ndërruar disa pronarë dhe marka cigaresh që prej themelimit të saj në vitin 1998 e deri më sot – kur Prokuroria e Posaçme pretendon se ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal që e shfrytëzonte fabrikën për tregun e zi ndërkombëtar të kontrabandës, duke i shkaktuar miliona euro dëme buxhetit të shtetit shqiptar dhe atij europian.

    Dy prej pronarëve – Ilir dhe Darjo Jashari akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të kontrabandës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me drejtues të lartë të Doganave Shqiptare dhe shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Sipas një vendimi për masë sigurie që BIRN e disponon, kompania “Albania Tabak” në pronësinë e Ilir Jasharit dhe djalit të tij, Darjo Jashari dyshohet se ka kontrabanduar mijëra koli me paketa cigaresh të prodhuara në fabrikë përgjatë viteve 2021-2023, duke shmangur pagesat e akcizës dhe detyrime të tjera doganore që llogariten në rendin e 36 milionë eurove.

    Sipas deklaratave doganore, cigaret prodhoheshin për llogari të kompanisë “GM Inter Tobacco Fze” me seli në Dubai dhe eksportoheshin në Qipro përmes kufirit me Greqinë. Në realitet, ngarkesat me cigare nuk kalonin fare në Greqi, por devijonin rrugët për në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut drejt destinacioneve të panjohura – një aktivitet që sipas Prokurorisë do të ishte i pamundur për t’u kryer pa implikimin dhe korrupsionin në dogana.

    Pas drejtimit të fabrikës për më shumë se dy dekada, Ilir dhe Darjo Jashari bënë një marrëveshje të fundit biznesi përpara se të arrestoheshin nga policia – ata ia shitën fabrikën Ergys Agasit – një ish zyrtar dhe biznesmen kontrovers i lakuar për lidhjet me kryeministrin Edi Rama.

    I pyetur nga BIRN, Agasi tha se e kishte blerë fabrikën pas disa vitesh negociata për të prodhuar markat e veta të cigareve, që aktualisht i prodhon në Bullgari. Ai shtoi gjithashtu se ofertat e tij ishin refuzuar deri në fillim të këtij viti, kur pronarët e fabrikës e kishin kontaktuar vetë dhe e kishin pyetur nëse kishte ende interes për ta blerë.

    Agasi shpjegoi gjithashtu se ndryshe nga pronarët e mëparshëm, ai nuk ishte i interesuar për eksport.

    “Unë kam brandet e mi shqiptare dhe më intereson vetëm prodhimi. Kam blerë vetëm licensën dhe makineritë dhe nuk kam blerë mall, e për rrjedhojë nuk kam punë me veprimtarinë e tyre,” tha Agasi, duke shtuar se ishte i hapur ndaj SPAK.

    Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi implikimin e vartësve të tij deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Një dekadë kontrabandë

    Emri:  Cleopatra-on-the-production-line-higher-quality-improved.jpg

Shikime: 82

Madhësia:  38.0 KB
    Fotografia e publikuar nga Dogana tregon paketat e cigareve ne linjen e prodhimit te kompanise Albania Tabak.

    Kërkesa për cigare të paligjshme në Evropë po rritet vit pas viti në një treg që llogaritet të kapë një vlerë prej 35 miliardë eurosh në vit. Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Greqia janë vartësit më të mëdhenj, sipas një raporti të publikuar në shtator nga firma kontabël KPMG dhe të porositur nga gjigandi i duhanit “Philip Morris”.

    Kompania “Albania Tabak Fabrika e Cigareve” u themelua në vitin 1998 nga biznesmeni i ndjerë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Vebi Velija. Pas vdekjes së tij, fabrika iu shit në vitin 2010 për 3 milionë euro Ilir Jasharit – një burrë nga Shijaku, i cili në të njëjtin vit u dënua për veprën penale të trafikut të narkotikëve në Itali. Për shkak të dënimit që e vuajti në mënyrë të reduktuar, Jashari e kaloi fabrikën në pronësinë e bashkëshortes në vitin 2011 dhe në pronësi të djalit në vitin 2015.

    Shqipëria konsumon rreth 2.9 bilionë cigare në vit, por kompania “Albania Tabak” nuk punonte për tregun e brendshëm. Sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, ajo ishte pajisur me autorizim “Regjimi Përpunim Aktiv” nga autoritetet doganore – një autorizim që i mundëson asaj që të punojë me regjim fason, duke u përjashtuar nga taksat dhe detyrimet doganore si në import ashtu edhe në eksport.

    Gjithsesi, aktiviteti i fabrikës së cigareve në Librazhd ngriti flamuj të kuq në vitin 2014, kur autoritetet doganore të Mbretërisë së Bashkuar dyshuan se “Albania Tabak” prodhonte 22 milionë paketa cigare në vit të markës së njohur egjiptiane, “Cleopatra”, një pjesë e të cilave shiteshin kontrabandë në Afrikën e Veriut.

    Dyshimet e autoriteteve britanike nxitën një hetim penal në vitin 2015 në Shqipëri, i cili u pezullua një vit më pas në pritje të informacioneve nga juridiksionet e huaja. Hetimi u riaktivizua në vitin 2017, por pa asnjë rezultat në dukje.

    Pavarësisht ekspozimit, fabrika e cigareve e vazhdoi aktivitetin e saj përmes një kontrate me një kompani të regjistruar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, “GM Inter Tobacco Fze” – ndërsa prodhoi marka të tjera cigaresh, të tilla si “Regina”, “Black Mount”, “Couture Saphire” apo “Veve”-n e vet tradicionale.

    Por sipas hetimit të kryer nga Prokuroria e Posaçme, kontrata me kompaninë nga Dubai dyshohet të ketë qenë fiktive me qëllimin e vetëm për të shmangur akcizën dhe detyrimet doganore, ndërkohë që cigaret dyshohet se përfundonin në tregun e kontrabandës.

    “Çdo sasi cigaresh që është prodhuar në fabrikën e subjektit ekonomik “Albania Tabak…” nga viti 2021 -2023 me destinacion Qipron është kontrabanduar. Në 5 raste duke tranzituar nëpërmjet kufirit me Greqinë dhe duke deklaruar destinacion inekzistent dhe në 30 raste duke ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

    Destinacioni: Selanik, jo Qipro

    Më 20 tetor 2023, Eleni Tzialla, një doganiere greke 58-vjeçare në Kakavijë dëshmoi për ndalimin e një kamioni me targa serbe dhe të mbushur me cigare në Shqipëri. Sipas dokumenteve doganore, kamioni po eksportonte për llogari të një kompania në Dubai, me palë marrëse një adresë në Qipro.

    Tzialla ka dëshmuar se kur ka marrë marrë në dorë dokumentet, i kanë lindur dyshime pasi në faturë dilte një vlerë shumë e vogël krahasuar me mallin e paraqitur, që realisht përbëhej nga 1436 kuti me 718 mijë paketa cigaresh gjithsej.

    Këto rrethana i kanë sjellë në kujtesë doganieres greke një informacion që ishte dërguar nga ambasada britanike, ku nga sa kishte konstatuar, ndryshonte vetëm numri i targave të kamionit. Për këtë arsye ka vendosur të bëjë kërkime të mëtejshme, nga është zbuluar se në adresën e deklaruar në Qipro për marrjen në dorëzim të ngarkesës, nuk ka asnjë kompani përkatëse apo magazinë tatimore.

    Shoferi serb, Mile Bjelic ka paraqitur në doganën greke dokumentet shoqëruese që nevojiteshin për të bërë procedurën e tranzitit, ndërsa sipas dëshmisë, cigaret i kishte ngarkuar në një kompani shqiptare së bashku me kolegun e tij, Zeljko Stajfer. Ai ka pohuar se në doganën e Shqipërisë ka marrë dhe të gjitha dokumentet për t’i sjellë në doganën greke.

    Bjelic ka dëshmuar se pasi të kalonte në Greqi, do të kontaktonte me agjentin që kishte dakordësuar për transportin dhe do ta drejtonte kamionin në Selanik, ku dhe do ti bënin me dije se ku do të linte ngarkesën. Edhe Stajfer ka deklaruar se dikush nga kompania shqiptare do të vinte ne Selanik për të rregulluar se ku do t’i shkarkonin cigaret. Ai ka shpjeguar se ishte hera e parë që e bënte këtë rrugë nga Kakavija, ndërsa shton se kujtohet se një herë më parë ka bërë transport nga Maqedonia e Veriut.

    Pronari i kamionit ka treguar se kompania shqiptare i është rekomanduar nga një agjent që i mbyll punët dhe se në këtë rast, është informuar online se u nevojitej një kamion për transport.

    “Duke kërkuar falje para oficerëve hetues të shërbimit tonë, ata pretenduan se i ngarkuan kutitë në Shqipëri, morën dokumentet nga dogana në Shqipëri dhe erdhën në doganën greke dhe kur të hynin në Greqi do të kontaktonin agjentin që ka porositur transportin dhe do të drejtonin kamionin për në Selanik, ku do t’u thuhej se ku të linin ngarkesën. Organi doganor sekuestroi kamionin dhe kontrabandën dhe arrestoi personat e mësipërm,” citohet dëshmia në vendim.

    Autoritet greke vlerësojnë se nëse kjo tentativë për kontrabandimin e cigareve përmes doganës së Kakavijës do të kishte qenë e suksesshme, Bashkimi Evropian do të kishte humbur 2.8 milionë euro nga detyrimet e pavjelura doganore.

    Nga kontrolli doganor dhe i dokumenteve shoqëruese të transportit, si dërgues kanë rezultuar shoqëria shqiptare “Albania Tabak” në pronësinë e Darjo Jasharit dhe shoqëria “Gm Inter Tobacco Fze” me seli në Dubai.

    Pas kontrollit me rreze X dhe hapjes së kutive, në paketa është gjetur shënimi në gjuhën angleze “vetëm për shitje pa doganë”, por nuk ka pasur shirita tatimorë apo kode të tjera zyrtare që të vërtetonin origjinalitetin dhe origjinën e produkteve, prej nga do të mund të sigurohej që detyrimet e tjera dhe taksat të mos i shpëtonin pagesës.

    Darjo Jashari u bë pronar i shoqërisë “Albanian Tabak” Fabrika e Cigareve në vitin 2015, kur babai i tij, Ilir Jashari i kaloi kuotat. Sipas vlerësimit të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, Ilir Jashari vijoi të ishte pronari “de facto” i kësaj shoqërie.

    Skema e kontrabandës

    Emri:  Fabrika-e-duahnit-ish-punonjesja-duke-biseduar-me-rojen-2-scaled.jpg

Shikime: 67

Madhësia:  43.7 KB
    Fabrika e duhanit, Albania Tabak në periferi të Librazhdit. Foto: Vladimir Karaj.

    Për shkak të autorizimit që e përjashtonte atë nga detyrimet fiskale, produktet e prodhuara nga kompania “Albania Tabak” duhej të transportoheshin nën mbikëqyrjen e rreptë të doganës, nga fabrika deri në dalje nga territori i Republikës së Shipërisë.

    Por në 35 rastet e dokumentuara nga Prokuroria e Posaçme, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak të përfshirjes në veprimtari të paligjshme të dhjetra zyrtarëve të doganës.

    Autorizimi për “Regjim Përpunimi Aktiv”, i rinovuar çdo vit, është një regjim doganor që lejon mallrat joshqiptare dhe shqiptare të përdoren në territorin doganor shqiptar pa iu nënshtruar detyrimeve të importit dhe pagesave të tjera, edhe në rastet kur ka më shumë se një operacion përpunimi apo kur janë të destinuara për eksport. Shoqëria shqiptare duhej ta merrte fitimin për prodhimin e paketave nga firma porositëse, në këtë rast nga “GM Inter Tobacco Fze”. Për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së fabrikës së cigareve ishte autorizuar dega doganore Elbasan.

    Nga hetimi ka rezultuar se praktika e shoqërimit nga Antikontrabanda është bërë në kundërshtim me ligjin, duke përcaktuar degën doganore Durrës për të kryer skanimin e kamionëve të ngarkuar. Sipas prokurorisë, kjo është bërë e qëllimshme për të lejuar ndryshimin e destinacionit të mallit, pasi pas skanimit në Doganën e Durrësit, Antikontrabanda nuk i ka shoqëruar kamionët me paketa cigaresh derisa të dilnin nga territori i vendit.

    Të dhënat e pasqyruara në sistemin “Asycuda World” të doganës shqiptare kanë rezultuar gjithashtu fiktive dhe të papërputhshme me realitetin.

    Pasi merrej njoftimi nga shoqëria që do të eksportonte cigare, kamioni peshohej fillimisht bosh pranë degës doganore në Elbasan. Më vonë ngarkohej në fabrikën e Librazhdit në prani të përfaqësuesve të shoqërisë; punonjësve të Antikontrabandës; si dhe të punonjësve të degës doganore Elbasan. Pasi ngarkohej malli, ngarkesa plumbosej dhe i vendosej një numër i veçantë.

    Në vijim kamioni nisej në drejtim të Durrësit ku i nënshtrohej skanimit në doganën e Durrësit, i shoqëruar gjithmonë nga grupet e Antikontrabandës. Pasi kamioni dilte i pastër, duhej nisej në drejtim të doganës së Kakavijës, ku si rregull duhej të shoqërohej përsëri nga Antikontrabanda deri sa të linte territorin shqiptar me destinacion përfundimtar Qipron.

    Por shoqërimi nuk është kryer dhe hetuesit kanë dokumentuar përmes teknikave të vëzhgimit në terren se kamionët kanë devijuar rrugën drejt Kosovës. Pavarësisht se kamioni me cigare nuk i është afruar fare Kakavijës, në sistemin e brendshëm të doganave rezulton se ai e ka kaluar doganën. Autoritetet greke kanë konfirmuar gjithashtu se në shumicën e rasteve, këta kamionë nuk kanë hyrë fare në territorin grek.

    Ndryshe nga sa rezulton nga procesverbalet dhe sistemin “Asycuda World” të doganave, kamionët e ngarkuar me cigare kanë udhëtuar në veri të Shqipërisë, nëpërmjet rrugës së Kombit, ku kanë shkarkuar mallin, i cili është ngarkuar me mjete të tjera duke dalë në Kosovë, nga ku rezulton se në 8 raste janë kapur cigare kontrabandë, ekskluzivitetin e prodhimit të të cilave e ka pasur shoqëria tregtare “Albania Tabak”.

    Fiktivitetin e këtyre veprimeve, Prokuroria e bazon edhe në faktin se adresa në Qipro që përcaktohej si vendmbërritje përfundimtare dhe kompania pritëse nuk ekzistojnë. Kjo është provuar dhe nga thëniet e dy shoferëve serbë, të cilët thanë se destinacioni i tyre ishte Selaniku dhe jo Qipro.

    Të dhëna se kamionët kanë udhëtuar drejt Kosovës apo Maqedonisë së Veriut janë gjetur dhe nga verifikimi të dhënave të telefonave celularë të të hetuarve, nga fakti se sipas sistemit TIMS kamionët e deklaruar se do të realizonin transportin e cigareve drejt Greqisë, kanë hyrë në Shqipëri por nuk kanë dalë në datat përkatëse.

    Prokuroria dhe gjykata vlerësojnë se ka dyshime të bazuara në prova se, çdo sasi cigaresh që është prodhuar në fabrikën në Librazhd gjatë periudhës 2021-2023, e deklaruar me destinacion Qipron, është kontrabanduar.

    E pamundur pa doganierët

    Emri:  Pike-kalimi-I-perbashket-Kosove-Shqiperi-ne-Morin-te-Kukesit.jpg

Shikime: 63

Madhësia:  42.7 KB
    Pika e përbashkët e kalimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në Morinë. Foto: Bashkim Shala.

    Gjatë dëshmive të tyre në Prokurori, drejtuesit e fabrikës së cigareve në Prokurori janë përpjekur që t’ia faturojnë njëri-tjetrit përgjegjësinë e eksporteve. Aksioneri Darjo Jashari është justifikuar se merret me procesin e punës në fabrikë dhe me eksportet merrej sipas tij, Luan Qorolli, i cili rezultonte si përfaqësues i kompanisë “GM Inter Tobacco Fze” në fabrikë.

    Qorolli nga ana e tij e ka mohuar këtë rol dhe ka dëshmuar se puna e tij ishte kontrolli i kualitetit të prodhimit. Inxhinieri dhe administratori i shoqërisë, Servet Dauti ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni lidhur me eksportin dhe destinacionin e mbërritjes së ngarkesave, pasi me këtë pjesë merrej shoqëria me seli në Dubai.

    Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme i kanë hedhur paraprakisht poshtë këto pretendime, duke vlerësuar se Ilir dhe Darjo Jashari në bashkëpunim me Servet Dautin, Luan Qorollin dhe Nazmi Goçin kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar për të kontrabanduar cigaret.

    Drejtuesit e këtij grupi të dyshuar kriminal janë kujdesur sipas Prokurorisë që të mbajnë të kënaqur punonjësit e doganave përmes pagesave dhe ryshfeteve.

    Kjo veprimatari e paligjshme, sipas SPAK, do të kishte qenë e pamundur pa ndihmën e të paktën 29 funksionarëve dhe punonjësve të Doganave, të cilët janë gjetur përgjegjës deri tani nga hetimi. Ata akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë lejuar kompaninë “Albania Tabak” që të transportonte mallra me akcizë pa pullë fiskale në kundërshtim me ligjin duke mos i shoqëruar ngarkesat deri në kufi si dhe përmes hedhjen së të dhënave të rreme në sistemin e brendshëm të Doganave.

    Bazuar në këto rrethana, 28 nga 29 punonjësit e doganave akuzohen ndër të tjera si pjesë grupit të strukturuar kriminal në kontrabandën e cigareve.

    Në vendimin e gjykatës thuhet se zv. drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Ylber Karanxha ka rinovuar autorizimin për “Albania Tabak” në vitet 2022 dhe 2023 pa kërkuar garanci, duke favorizuar kontrabandën drejt vendeve të tjera.

    SPAK akuzon gjithashtu punonjësit e degës doganore Elbasan, Matilda Duzha, Andri Tole, Mentor Neli, Indrit Cenaj e Gëzim Stërkesh për lehtësimin e kontrabandimit të mallrave të akcizës në këmbim të pagesave të paligjshme prej 5 mijë lekësh për çdo eksport nga viti 2014 deri në vitin 2023.

    Gjithashtu, nga përgjimet telefonike dhe nga deklarimi të hetuarit Nazmi Goçi ka rezultuar se edhe administratori i shoqërisë, Servet Dauti u jepte ryshfet punonjësve të Antikontrabandës. Në çdo rast, punonjësit e Antikontrabandës rezulton se në kundërshtim me detyrën dhe legjislacionin, nuk i kanë shoqëruar kamionët deri në daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë.

    Nga hetimi ka rezultuar po ashtu se në doganën e Kakavijës është kryer çlirim fiktiv i eksportit nga punonjësi Ilir Hicka në 17 raste dhe Kreshnik Gumaj në 13 raste të tjera.

    Hetuesit akuzojnë edhe drejtorin e Departamentit Operativ, Eldi Hoxha si personin që ka vendosur si praktikë pune që skaneri i kamionit të bëhej në doganën e Durrësit dhe jo në pikën doganore dalëse. Gjithashtu, Hoxha kur ka kaluar në pozicionin e zv. drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Departamentit të Akcizës, ka anashkaluar kontrollet në fabrikë ku prodhoheshin mallra të akcizës.

    Ndërsa hetimet vazhdojnë, BIRN mësoi se fabrika e cigareve po i nënshtrohej së brendshmi meremetimit për të rifilluar punën pas ndryshimit të pronësisë. Por pronari i ri, Ergys Agasi tha se ai do të punonte për tregun e brendshëm.

    “Patjetër që do të fillojë puna, por vetëm për tregun vendas me pullë fiskale,” përfundoi ai.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK: Ja skema e kontrabandës së cigareve mes "Albania Tabak" dhe doganierëve të Edi Ramës

    Si u shndërrua Librazhdi në nyje të kontrabandës europiane të cigareve

    Një ndër skemat më të sofistikuara të kontrabandës së mallrave të akcizës në Ballkanin Perëndimor duket se është zhvilluar për vite me radhë në mënyrë të strukturuar nga Shqipëria, duke përfshirë kompani guackë në Dubai dhe Qipro, autoritete doganore, rrjete ndërkombëtare transporti dhe dokumente të manipuluara.

    By Lindita Çela

    Emri:  Screenshot 2025-06-13 at 1.58.44 AM.jpg

Shikime: 52

Madhësia:  49.9 KB
    Credits: shteg.org - Fabrika e cigareve Librazhd

    Në periferi të qytetit të vogël të Librazhdit, mes maleve të qeta dhe rrugëve që ngjajnë më shumë me heshtjen se me aktivitetin industrial, funksionon një fabrikë e vogël cigaresh me emrin e përulur, por ngjallës dyshimi: “Albania Tabak – Fabrika e Re e Cigareve”.

    Nga jashtë, duket si një ndërmarrje prodhuese e zakonshme, por dokumentet tregojnë një histori tjetër: atë të një skeme shumëvjeçare kontrabande të mirëorganizuar që përfshin emra shqiptarë, destinacione fantazëm në Qipro, Dubai dhe kamionë që “zhduken” në kufinjtë e Shqipërisë për të përfunduar në tregjet e zeza të Europës.

    Dokumentet tregojnë se kompania është shënuar me flamur të kuq nga agjencitë ndërkombëtare, por në Shqipëri ka pasur mbrojtje të plotë nga një zinxhir komandues i autoriteteve doganore shqiptare.

    Një hetim dyvjeçar i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zbuloi skemën, e cila ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin e shtetit shqiptar, të dokumentuara në më shumë se 35 milionë euro.

    Hetimi, që përfshin 36 persona të dyshuar, përfshin edhe 29 punonjës të strukturave doganore, të cilët sipas SPAK janë përfshirë në aktivitetin kriminal si bashkëpuntorë në këtë rrjet kontrabande.

    Në këtë aktivitet kriminal është provuar përfshirja e drejtpërdrejtë e zyrtarëve të lartë të Doganës Shqiptare. Eldi Hoxha, që në kohën e ngjarjes mbante detyrën e zv/drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit të Akcizës, sipas prokurorisë ka luajtur rol kyç në lejimin dhe mos-kontrollimin e ngarkesave.

    Hetimet kanë provuar se nuk bëhet fjalë për veprime të izoluara, por për një marrëveshje të qëllimshme mes individëve me role të ndryshme – drejtues biznesi, administratorë, transportues dhe zyrtarë shtetëror – për të shmangur kontrollin doganor, për të falsifikuar destinacionet dhe për të prodhuar cigare pa pullë fiskale.

    Në bazë të provave të grumbulluara, Gjykata e Posaçme caktoi masa arresti ndaj pronarëve Ilir dhe Darjo Jashari, administratorit Servet Dauti, shtetasit kosovar Luan Qorolli dhe shtetasve serbë Mile Bijeliç dhe Zeljko Stafjer, të dyshuar për kontrabandë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Por asnjë prej këtyre shtetasve nuk është arrestuar nga Policia e Shtetit, ndërsa për pjesën tjetër të grupit, kryesisht punonjës të administratës doganore, janë vendosur masa “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

    Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kishte nën hetim drejtuesit e fabrikës dhe punonjësit e administratës doganore, dokumentet tregojnë se në shkurt të vitit 2025 kompania iu shit për 1 lekë, me kusht shlyerjen e detyrimeve, kompanisë “EA TOBACCO”, një firmë në pronësi të Ergys Agasit, një biznesmen kontravers i përmendur nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj si një ndërmjetës mes politikës dhe grupeve kriminale. Agasi i ka konsideruar këto deklarata si thashetheme nuk preferon ti komentoj.

    Trarët e rënë të doganës

    Emri:  Screenshot 2025-06-13 at 1.59.38 AM.jpg

Shikime: 50

Madhësia:  40.2 KB
    Credits: Dogana Shqiptare – Fotografi të publikuara nga dogana që tregojnë linjën e prodhimit të cigareve

    Mëngjesin e 7 shkurtit të 2023 në zyrat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) mbërriti një informacion i cili ngrinte dyshime për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në kontrabandën e cigareve.

    Informacioni jepte detaje për një fabrikë në qytetin e Librazhdit ku prodhoheshin “Marlboro e Kuqe” dhe “Rothmans” dhe se punohej pa ndërprerje, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

    “Cigaret e prodhuara ngarkohen me kamionë transporti dhe përmes rrugëve tokësore dhe detare kalonin nëpërmjet Greqisë, Italisë, Francës dhe Zvicrës me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar” – thuhej në informacion.

    Bëhej fjalë për fabrikën e zotëruar nga shoqëria “Albania Tabak” e regjistruar në emër të shtetasit Darjo Jashari. Por, sipas Prokurorisë pronari faktik është i ati i tij, Ilir Jashari, një emër që nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe ndërkombëtare. Ilir Jashari ka qenë më herët i ndëshkuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike jashtë vendit dhe për kontrabandë cigaresh në Shqipëri.

    Një informacion i ngjashëm duket se ishte shpërndarë në çdo pikë kufitare të territorit të Shqipërisë nga autoritetet ligj-zbatuese ndërkombëtare, por dokumentet tregojnë se prej vitesh ky informacion ishte injoruar nga autoritet shqiptare.

    Vetëm pas 1 viti e 4 muaj nga marrja e të dhënave operative, Prokuroria e Posaçme regjistron procedimin penal, ngritur fillimisht akuza për korrupsion ndaj Nazmi Goçit, një punonjës ky i fabrikës që nga viti 2013.

    Shumë shpejt hetimet e prokurorisë zbuluan se përmes një kombinimi të marrëveshjeve ndërkombëtare fiktive, përdorimit të regjimeve lehtësuese doganore dhe manipulimit të dokumentacionit eksportues, janë shmangur miliona euro taksa dhe dyshohet se janë furnizuar tregjet ilegale të cigareve në Evropë.

    Një vit më vonë, në regjistrat e Prokurorisë së Posaçme, krahas emrit të shoferit të fabrikës në procedimin penal u shënuan edhe 35 emra të tjerë që sipas prokurorisë dyshohet se kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në të cilin përveç zotëruesve të fabrikës janë të përfshirë zyrtarë të lartë të Doganës së Shqipërisë dhe punonjës të Policisë Kufitare.

    Sipas dokumenteve të siguruara nga hetimi, ky grup ka vepruar në bashkëpunim të ngushtë për të kontrabanduar cigare në sasi të mëdha, jashtë çdo kontrolli shtetëror, duke i shkaktuar dëm të rëndë buxhetit të shtetit që i kalon vlerën e 35 milion eurove, të paktën në 3 vite që është hetuar.

    Skema kriminale nuk mund të kishte funksionuar pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të një numri të madh zyrtarësh të doganave shqiptare, të cilët janë akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal.

    Hetimi tregoi se fabrika e cigareve në Librazhd ka përfituar ndër vite nga një mekanizëm ligjor që njihet si Regjimi i Përpunimit Aktiv (RPA), një lehtësi doganore që i lejonte të importojë duhan pa taksa, ta përpunojë në Shqipëri dhe më pas të eksportojë produktin final, cigaret, në një kompani porositëse në Dubai, e quajtur “GM Inter Tobaço Fze” dhe e zotëruar nga Luan Qarolli, një shtetas kosovar me nënshtetësi angleze.

    Sipas prokurorisë, dokumentet janë nënshkruar nga Ylber Karanxha, me detyrë zv/drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, i cili ka dhënë autorizime pa kërkuar garancitë e nevojshme financiare, në kundërshtim me VKM-në në fuqi, duke lehtësuar veprimtarinë kontrabanduese të subjektit privat.

    “Mos vendosja e garancisë nga Karanxha ka sjellë mos-vjeljen e të ardhurave, këtij subjekti ekonomik. Gjithashtu, mjaftonte një verifikim në burimet e hapura për të parë precedentët që ka pasur shtetasi Ilir Jashari në kontrabandimin e cigareve” – thuhet në dokumentet hetimore.

    Autorizimi për Regjistrimin e Përpunimit aktiv nuk ishte dokumenti i vetëm që drejtuesit e fabrikës kishin siguruar si mbrojte nga autoritetet shtetërore.

    Eldi Hoxha, ish zv/drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe drejtor i dy departamenteve kyçe (Hetimor-Operativ dhe Akcize), dyshohet se ka dhënë urdhra të drejtpërdrejtë për të mos shoqëruar kamionët me cigare, duke lejuar kontrabandimin e tyre. Gjithashtu, ai ka shmangur qëllimisht kontrollet në fabrikë dhe nuk ka marrë masa për monitorimin e regjimit të përpunimit aktiv.

    Sipas dosjes hetimore, rol aktiv në këtë skemë kishin dhe oficerët doganorë në Kakavijë, përfshirë Ilir Hickën dhe Kreshnik Gumajn. Dokumentet tregojnë se ata kanë lejuar çlirimin fiktiv të ngarkesave me cigare, duke simuluar daljen e tyre nga territori shqiptar.

    Kjo u mundësonte pronarëve të fabrikës që produktet e cigareve t’i tregtonin brenda territorit shqiptar apo të devijonin drejt Kosovës e vendeve të tjera, pa kaluar në mënyrë të rregullt nëpër pikat kufitare.

    Hetimet kanë zbuluar se edhe punonjës të tjerë doganorë në Elbasan, përfshirë Gezim Sterkeshin, Matilda Duzhën, Mentor Nelin, Indrit Cenajn, Andri Tolën dhe Gentian Tabakun, kanë lejuar eksportin e cigareve pa kontrolle të thelluara, duke shmangur verifikimet mbi destinacionet dhe shoqëritë përfituese, shumë prej të cilave rezultojnë fantazmë.

    Skema e kontrabandimit niste nga fabrika që prodhonte cigare pa pulla fiskale ose me shirita tatimor të parregullt vijonte me deklaratat doganore për eksport ku përdoreshin adresa fiktive dhe destinacione të rreme, ndërsa kamionët me cigare devijoheshin nga rrugët e ligjshme drejt kufirit me Kosovën.

    Zyrtarët doganorë toleronin dhe mbyllnin sytë, në këmbim të pagesave nën dorë që kryheshin nga Nazmi Goçi.

    “Bëhet flalë për vlera të vogla rreth 5000 lekë të reja. Këtë veprim e bënim sa herë kishim eksporte dhe nënshkrim procedurash” i tha Goçi prokurorëve.

    Hetimet kanë zbuluar se pjesë e zinxhirit të kontrabandës ishin edhe shtetas të huaj që kishin për detyrë transportin ndërkombëtar të cigareve. Nga Serbia si shofer kontraktoheshin gjithmonë Zeljko Stajfer dhe Mile Bjelic ndërsa nga Maqedonia e Veriut Emin Sumbani dhe Ilber Kolçshi.

    Këta transportues, ndonëse në dokumente kishin të deklaruar Qipron si destinacion përfundimtar, devijonin rrugën në mënyrë të qëllimshme dhe i dorëzonin ngarkesat në kufirin Shqipëri-Kosovë.

    Cigaret që zhduken në kufi

    Emri:  Screenshot 2025-06-13 at 2.00.25 AM.jpg

Shikime: 52

Madhësia:  43.7 KB
    Credits: Dogana Shqiptare – Cigare të sekuestruara

    Pasditen e 19 tetorit 2023 Stajfer Zeljko dhe bashkëkombësi i tij Bjelic Mile kaluan pa asnjë shqetësim kamionin e ngarkuar me cigare në pikën shqiptare të Kakavijës.

    Kamioni kishte të ngarkuara cigare të markës “Regina” 500 koli, “Couture Saphire” 180 koli, “Couture Amethyst” 256 koli, “Black Mount” 400 koli, “Veve” I00 koli. Në total 1436 koli.

    Sipas dokumentacionit të paraqitur, mallrat kishin si destinacion një kompani në Limassol, Qipro ndërsa kompania pritëse rezultonte me degë në Dubai.

    Autoritet doganore shqiptare treguan kujdesin e duhur për të kopsitur si duhet çdo letër, ndërsa në traun e doganës askush nuk i trazoi.

    Me të kaluar pikën shqiptare, kamioni me targa BP062-TO/AC-305BP, ngjalli dyshimet tek autoritetet doganore greke, dhe ishte i certifikuar nga i gjithë sistemi doganor shqiptar.

    Fillimisht agjentët grekë konstatuan se vlera e faturës doganore ishte shumë më ulët se sa sasia e cigareve të ngarkuara në kamion.

    “Kur mora dokumentet shoqëruese dyshova se si klient, paraqitej një kompani në Dubai dhe si marrëse vetëm një adresë në Qipro. Nga ana tjetër në fature dilte një vlerë shumë e vogël krahasuar me mallin e paraqitur. Menjëherë m’u kujtua fleta e informacionit që ishte dërguar nga shërbimi ardhur nga Ambasada Britanike dhe duke konstatuar se ndryshonte vetëm numri i targave të kamionit dhe drejtuesve, vendosa të bëj kërkime të mëtejshme” – tregon oficerja doganore greke.

    Pas një kontrolli të thelluar autoritetet greke zbuluan se adresa e deklaruar “31 Amathuntos Ave, Flat 314532, Limassol” rezultoi fiktive.

    Nuk kishte një dyqan cigaresh, nuk kishte kompani porositëse, vetëm një apartament në një kompleks turistik ku askush nuk kishte dijeni për ndonjë aktivitet tregtar.

    Kamioni u sekuestrua, drejtuesit u arrestuan dhe ngarkesa prej 1436 kolish me cigare, të gjitha pa pulla fiskale dhe me mbishkrimin “For Duty Free Sale Only”, u konfiskua.

    Zeljko Stajfer pranoi para hetueseve grekë se kontakti për këtë ngarkesë i ishte ofruar nga pala shqiptare, përmes një platforme online. Ai shtoi se nuk kishte dijeni për kompaninë porositëse, duke përforcuar dyshimet se skema nuk kishte asnjë hallkë reale tregtare, por ishte vetëm një maskim për kontrabandë.

    “Ne i ngarkuan kutitë në Shqipëri, morëm dokumentet nga dogana në Shqipëri dhe erdhëm në doganën greke. Kur të hynim në Greqi do të kontaktonim agjentin që ka porositur transportin dhe do të çonim kamionin në Selanik, ku do të na thuhej se ku të linin ngarkesën” – dëshmoi Zeljko Stajfer.

    Hetimet e mëtejshme zbuluan se cigaret ishin prodhuar në Shqipëri, në një fabrikë me emrin “Albania Tabak – Fabrika e Re e Cigareve”, e cila kishte lidhur një marrëveshje prodhimi me kompaninë shumë të diskutueshme “GM Inter Tobaço Fze”, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Sipas përgjimeve telefonike të datës 25 maj 2023, rezulton se vetë administratori i fabrikës shqiptare, Servet Dauti, ka qenë personi që ka zgjedhur destinacionin fiktiv në Qipro. Në një bisedë mes një punonjësi të doganës shqiptare dhe përfaqësueses doganore Rajmonda Sina, përmendet qartë:

    “Nuk kam informacion. Serveti duhet ta dijë destinacionin. Ai e cakton.”

    Kjo manovër, sipas autoriteteve doganore greke, kishte për qëllim shmangien e detyrimeve doganore, tatimeve dhe tarifave të tjera që i takonin Bashkimit Europian. Në fakt, nëse cigaret do të futeshin në Greqi pa u zbuluar, dëmi ekonomik do të kapte shifrën e mbi 2.8 milionë eurove, siç evidentohet në raportin zyrtar të doganës greke të datës 20.10.2023.

    Në hetimet e kryera nga autoritetet shqiptare, rezulton gjithashtu se punonjës të doganës dhe të sektorit të anti-kontrabandës janë përfshirë drejtpërdrejt në lehtësimin e traut të doganës shqiptare, duke kryer kontrolle fiktive dhe duke marrë ryshfet për të lënë të lirë transportet.

    Nga bisedat e përgjuara të datës 18 tetor 2023 mes shtetasve Sefer Venari dhe Servet Dauti, rezulton se oficerët e anti-kontrabandës ishin ftuar “për kafe”, në shenjë marrëveshjeje për të mos ndërhyrë në kontrollet e ngarkesës.

    Albania Tabak, në një memo drejtuar Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri më 22 korrik 2024, ka pretenduar se transporti dhe destinacioni janë përzgjedhur nga kompania porositëse “GM Inter Tobaço Fze” dhe se marrëveshja ka qenë në kushte EXë (Ex-works), që e përjashton nga përgjegjësia pas daljes së mallit nga fabrika.

    Por provat e grumbulluara, përfshirë përgjimet dhe deklaratat, tregojnë të kundërtën: destinacioni fiktiv është zgjedhur nga vetë drejtuesit e fabrikës, dhe për më tepër, kamionët janë shoqëruar shpesh nga përfaqësues të saj.

    Ky nuk ishte rasti i parë që kompania “Albania Tabak” kryente eksporte më këtë destinacion të rremë.

    Praktikat doganore të vitit 2021 deri në 2023 tregojnë se janë rreth 35 raste, me destinacion të deklaruar një adresë në Limassol të Qipros: “31 Amathuntos Ave, Amathousia Beach APTS, Flat 314532”.

    Në fakt, këto dokumente ishin të fabrikuara për të krijuar përshtypjen e një eksporti të ligjshëm, ndërsa mallrat e ngarkuara në kamionë nuk dilnin kurrë nga Shqipëria.

    Kamionët që supozohej të kalonin nga dogana e Kakavijës për në Greqi, në shumë raste nuk kanë figuruar fare në sistemin TIMS.

    Rrugëtimi i tyre i vërtetë nuk ishte drejt jugut, por në drejtim të veriut, ku përmes “Rrugës së Kombit” kalonin në Kosovë. Aty, ngarkesat e cigareve shkarkoheshin dhe rifillonin rrugën drejt vendeve të BE-së, të pashoqëruar dhe jashtë kontrollit të autoriteteve.

    Pas sekuestrimit të cigareve në doganën e Kakavijës, dokumentet tregojnë se kamionët e fabrikës së cigareve në Librazhd nuk tentuan më të kalonin nga territori grek.

    Agjentët doganorë “kujdeseshin” që në sistemit elektronik doganor “Asycuda World”, të deklaronin se sasitë e cigareve ishin eksportuar, por hetimet zbuluan se ato mbeteshin në territorin shqiptarë.

    Dhe pse në dokumente përshkruhej i njëjti destinacion, ai në Qipro, është e provuar se në mbi 30 raste, grupi kriminal ndryshonte destinacionin e mallrave në dokumentacion dhe më pas shkarkonte ngarkesat brenda territorit shqiptar apo sipas hetimeve për t’i kontrabanduar ilegalisht në vendet fqinje.

    Në çdo rast, skema është e njëjtë: cigaret ngarkohen në Librazhd, peshohen dhe plumbosen nga dogana Elbasan, dhe më pas kalonin përmes Doganës së Kakavijës drejt Greqisë. Por nga hetimet rezulton shumica e këtyre kamionëve nuk kanë hyrë kurrë në territorin grek.

    Kamionët, siç zbulohet më vonë, kanë ndjekur një rrugë tjetër, atë të Kombit, ku në një pikë të caktuar dyshohet se rishpërndaheshin për të përfunduar në Kosovë e më tej në tregjet ilegale të Evropës.

    Në 8 raste të veçanta janë dokumentuar ndalime të kamionëve me cigare kontrabandë në Kosovë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me prodhimin e “Albania Tabak”.

    Ky aktivitet kriminal ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ndaj buxhetit të shtetit, me humbje të vlerës 3.6 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro) vetëm për tre vjet, që është dhe koha e hetuar deri më tani.

    Në kulmin e hetimeve, fabrika ndryshon pronar

    Emri:  Screenshot 2025-06-13 at 2.01.52 AM.jpg

Shikime: 49

Madhësia:  31.1 KB
    Credits: BIRN – Fabrika në Librazhd

    Pas dy vitesh hetime, në shkurt të 2025 hetuesit e Prokurorisë së Posaçme thuajse kishin dokumentuar një pjesë të madhe të përfshirjes në aktivitet kriminal, jo vetëm të drejtuesve të kompanisë por dhe të strukturave doganore që implikoheshin në kontrabandën e cigareve të prodhuara nga fabrika në Librazhd.

    Dokumentet e ardhura nga strukturat homologe, vëzhgimi në terren por dhe dokumentimi i ndryshimit të destinacionit të kamionëve të ngarkuara me cigare nuk linin asnjë dyshim për aktivitetin e grupit kriminal. Por ndërsa hetuesit rrekeshin të dokumentonin ngjarjet kriminale pikërisht në këto kohë, fabrika e cigareve ndryshon pronar.

    Dokumentet tregojnë se nëpërmjet një marrëveshje me kusht, ajo i shitet për 1 lek tek biznesmeni Egys Agasi. Kontrata është nënshkruar më 5 shkurt të 2025, por me detyrimin që kompani “Albania Tabak” të shlyente të gjitha detyrimet që shkonin në vlerën e 5 milion eurove, detyrime këto që deklarohen si kredi në bankë apo mospagime të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

    Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) ndryshimet janë regjistruar më 29 maj, pasi kompania kishte deklaruar likuidimin e borxheve, dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar masën e arrestit me burg të pronarëve të fabrikës dhe një degë të zinxhirit komandues së doganave shqiptare.

    Zyra e Qendrës Kombëtare të biznesit pranoi tjetërsimin e pronësisë së fabrikës dhe pse kishte një masë sigurie për moslejimin e tjetërsimit të pronësisë nga autoritet tatimore.

    “shteg.org” e pati të pamundur për të mësuar nëse kompania “Albania Tabak” ka shlyer detyrimet, por tashmë pronari i fabrikës është Egys Agasi, i akuzuar nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj si “koordinatori mes kryeministrit dhe grupeve kriminale”. Agasi i ka konsideruar këto akuza si thashetheme. “Nuk merrem me thashetheme” – tha Agasi për shteg.org.

    SPAK nuk ka konfirmuar nëse Agasi është pjesë e hetimit, por ai i tha “shteg.org” se mungesa e dijenisë e përjashton atë nga çdo përgjegjësi ligjore.
    “Në momentin e nënshkrimit të kontratës, nuk kishim asnjë informacion që kjo shoqëri ishte nën hetim. Për më tepër, nga ana e tyre u ofrua për shitje për shkak të detyrimeve të shumta financiare që kishte. Ne kërkuam që të na dorëzohej vetëm aktiviteti prodhues, konkretisht makineritë dhe pajisjet, pa përfshirë lëndën e parë që mund të dispononin. Po ashtu, u kërkuam të shlyenin çdo detyrim ndaj shtetit, bankave të nivelit të dytë dhe palëve të treta, nëse kishte të tilla,” shpjegoi ai.

    Agasi e justifikoi blerjen me faktin se ish-fabrika e cigareve në Librazhd përfaqësonte interes për kompaninë e tij, që prodhon cigare në Bullgari dhe i shet në tregun shqiptar. Sipas tij, marrëveshja mund të ndihmonte në uljen e kostove të prodhimit dhe optimizimin e aktivitetit të biznesit.
    “Ish-fabrika në Librazhd prodhonte cigare dhe ndodhej në vështirësi të mëdha financiare, prandaj donin ta shisnin. Ndërkohë, për ne paraqiste interes, sa kohë që redukton koston e prodhimit të cigareve që ne prodhojmë në Bullgari dhe i shesim në Shqipëri,” – tha Agasi për “shteg.org”.

    Ndërkohë rezulton se asnjë prej kompanive të zotëruara nga familja Jashari nuk është prekur deri më tani nga masat ndëshkimore të Prokurorisë së Posaçme, edhe pse akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

    Sipas, Open Corparates, Darjo Jashari rezulton pronar i disa kompanive objekti i të cilave është nga shtrimi i autostradave, agjencive doganore e deri tek shitblerjet e pasurive të paluajtshme dhe deri eksporti dhe importi i fruta perimeve, kompani këto që 29 vjeçari rezulton ti ketë hapur gjatë vitit 2023, kur kamionët me cigare të fabrikës së tij “shpërthenin” doganat shqiptare.

    Ekspertët e kontaktuar nga “shteg.org” ngritën dyshime mbi kontratën e shitjes së kompanisë së cigareve pikërisht në kohën kur ajo ishte nën hetim nga një person që sipas Ahmetajt është eminenca gri e kryeministrit Edi Rama,bizneset e të cilit rezultojnë të kenë përfituar fonde publike.

    Kompania e tij, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj dhe çuditërisht në fushën e shërbimeve të IT.

    Dokumentet tregojnë se EA Solutions, e themeluar në mars të vitit 2023, ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro.

    Por për Agasin ky sukses i kompanisë lidhet me punën e mirë të ekspertëve që ai ka rekrutuar në kompaninë, EA Solutions. “Kompania ka në organiken e saj ekspertët më të mirë të fushës. Për më tepër, krahasuar më çdo kompani tjetër që operon në këtë fushë, rritja është minimale. Theksojmë që kjo kompani nuk ka asnjë kontratë me asnjë nga institucionet shtetërore” – tha ai për “shteg.org”.

    Por biznesmeni i suksesshëm këtë radhë duket se ka blerë një kompani që dhe më herët ka pasur probleme me drejtësinë, për të cilat Agasi i tha “shteg.org” se nuk ka pasur asnjë dijeni. “Nga ana e tyre nuk jemi vënë në dijeni për problematikat me drejtësinë por vetëm për problematikat në lidhje me organet tatimore, bankat e nivelit të dytë etj. Për këtë arsye blerja e aktivitetit është kërkuar kreditim nga banka” – shpjegoi Agasi.

    Një investigim i një rrjeti të gjerë gazetarësh, të cilët punuan për BIRN, zbuluan në 2018 se kompania prodhonte rreth 22 milionë paketa cigare në vit nën markën “Cleopatra”, me një pjesë të konsiderueshme të tyre që shiteshin kontrabandë në tregjet e Afrikës së Veriut.

    Rasti u vu në pah nga autoritetet britanike në vitin 2015, të cilat sinjalizuan aktivitetet e dyshimta të fabrikës.

    Megjithatë, hetimi penal në Shqipëri u pezullua në vitin 2016 për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar. Në vitin 2017, çështja u rifillua, por pa arritur rezultate të prekshme deri në vitin 2023, kur SPAK i rihapi hetimet.

    Në vijim të hetimeve, Gjykata e Posaçme caktoi masa të rrepta sigurie, duke vënë në arrest me burg ish-pronarin Ilir Jashari, djalin e tij Darjo Jashari, administratorin e kompanisë Servet Dauti, si dhe shtetas nga Kosova dhe Serbia, të dyshuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kontrabandë të mallrave akcizore.

    Asnjëri prej tyre nuk është arrestuar nga policia.

    “Pas veprimeve policore u arrit të ekzekutoheshin 25 masa sigurie. Lidhur me shtetasit e tjerë, janë kryer procedurat përkatëse ligjore për të mundësuar gjetjen e tyre. Policia e Shtetit nuk është penguar nga asnjë forcë madhore për ekzekutimin e masave të sigurisë” – thuhet në një përgjigje zyrtare që “shteg.org” mori nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

    Shteg.org

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK: Ja skema e kontrabandës së cigareve mes "Albania Tabak" dhe doganierëve të Edi Ramës

    Fabrika që tymoste miliarda, prokuroria zbardh skemën e kontrabandës nga Librazhdi në BE

    Hetimet zbuluan një rrjet të mirëorganizuar kontrabande që përdorte një fabrikë me regjim “fason” për të shmangur taksat, me cigare që përfundonin në tregjet e paligjshme të Ballkanit dhe BE-së, përmes dokumenteve fiktive dhe bashkëpunimit me zyrtarë doganorë – një skemë që ishte zbuluar fillimisht nga gazetarë investigativë që në vitin 2019.

    By Lindita Çela

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur një prej skemave më të mëdha të kontrabandës me cigare në Shqipëri, duke zbuluar një rrjet kriminal që dëmtoi rëndë buxhetin e shtetit dhe financat publike të disa vendeve të Bashkimit Europian.

    Hetimet zbuluan se një fabrikë cigaresh në Shqipëri, me regjim “fason” dhe autorizim për “Përpunim Aktiv”, përdorej për të shmangur detyrimet doganore. Kjo fabrikë prodhonte cigare që nuk regjistroheshin si eksport, por ngarkesat shkarkoheshin brenda Shqipërisë për t’u kontrabanduar më pas në vendet fqinje dhe në BE.

    Vlera e dëmit të shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit shqiptar nga kjo skemë arrin në më shumë se 3.6 miliardë lekë (rreth 29 milionë euro). Ndërkohë, humbjet për vendet e Bashkimit Europian nga mungesa e taksave dhe akcizave kapin shifrën e 12.8 milionë eurove.

    Sipas Prokurorisë, “personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së.”

    “Fabrika e cigareve “A.T” ishte pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), i cili përjashton nga taksat dhe detyrimet doganore materialet e importuara dhe produktet e eksportuara. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se “marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar përcakton destinacionin, i cili rezulton inekzistent.” thuhet në njoftimin për shtyp.

    Në këtë skemë, kanë bashkëpunuar edhe zyrtarë doganorë, të cilët dyshohet se “nuk kanë shoqëruar ngarkesat me strukturat e antikontrabandës deri në dalje nga territori i Shqipërisë si dhe kanë realizuar çlirime fiktive eksporti në sistemin ‘Asycuda World’, sikur kjo sasi cigaresh ka dalë nga vendi ynë.”

    Gjithashtu, “prodhimi i paketave të cigareve pa pullë fiskale nuk ka mundësuar vjeljen e detyrimeve doganore në vendin ku janë destinuar për t’u shitur.” – sqaron prokuroria.

    Në total, hetimet zbuluan më shumë se 30 raste të ngarkesave të destinuara për eksport që në realitet nuk dolën nga Shqipëria, duke përdorur dokumentacione fiktive dhe bashkëpunimin e disa zyrtarëve doganorë, të cilët lejuan shkarkimin dhe shmangien e kontrolleve.

    “Ka rezultuar se marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar, përcakton destinacionin i cili rezulton inekzistent. Grupi i struktuar kriminal, në më shumë se 30 (tridhjetë) raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore – thuhet në njoftim.

    Pas hetimeve intensive, Gjykata e Posaçme vendosi arrest në burg për 6 persona, mes tyre pronarin e fabrikës I.J. dhe disa shtetas të huaj, ndërsa për mbi 20 punonjës doganorë janë vendosur masa detyrimi paraqitjeje dhe ndalim për lëvizje jashtë shtetit.

    Megjithatë, skema e trafikimit të cigareve, burimi i të cilës ishte shqipëria, më herët ka qënë objeket hetimi i një grupi gazetarve investigativ.

    Në vitin 2018, një hetim i thelluar i gazetarëve zbuloi fabrikën e cigareve në Librazhd e licencuar me “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), funksiononte në një mënyrë që shfrytëzonte boshllëqet ligjore dhe administrativë për të realizuar kontrabandën.

    Sipas raportit, fabrika importonte lëndë të parë dhe materiale nën lejen përpunuese të përjashtuar nga taksat dhe doganat, me qëllim prodhimin e cigareve për eksport. Por në praktikë, shumica e produkteve nuk dilnin jashtë Shqipërisë, përkundrazi, ato shkarkoheshin në depo të brendshme pa u regjistruar si mall i eksportuar.

    Ngarkesat për eksport regjistroheshin në dokumentacionin doganor me destinacione fiktive, ndërsa në realitet cigaret shpërndaheshin ilegalisht në tregun e brendshëm shqiptar dhe në vendet fqinje. Kjo bëhej e mundur për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me zyrtarë doganorë që lejonin kalimin pa kontroll të ngarkesave dhe regjistrimin e falsifikuar të eksportit në sistemin “Asycuda World”.

    Gjithashtu, fabrika prodhonte paketa cigare pa pullë fiskale të vlefshme për vendet ku ato do të shiteshin, duke evituar kështu pagesën e detyrimeve akcize në destinacionet reale.

    Hetimi i gazetarëve evidentoi se kjo skemë kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe mbështetje brenda disa institucioneve shtetërore, çka i mundësonte vazhdimësinë e aktivitetit për një periudhë të gjatë kohore.

    “Made in Librazhd”

    Një hetim i thelluar i përbashkët i gazetarëve nga BIRN dhe ARIJ zbuloi se në Shqipëri, në fabrikën Albania Tabak në Librazhd, prodhoheshin me miliona paketa cigare të markës egjiptiane “Kleopatra”. Kjo fabrikë, e cila prej vitit 2014 prodhonte rreth 22 milionë paketa në vit, kishte marrë licencën nga një kompani ndërkombëtare për të prodhuar dhe shpërndarë këto cigare në Europë dhe më gjerë.

    Sipas dokumenteve të siguruara, cigaret prodhoheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin masivisht në Libi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme dyshohet se kontrabandohej ilegalisht në Egjipt, duke shkaktuar humbje të mëdha për kompaninë origjinale egjiptiane Eastern Company, e cila zotëron markën “Kleopatra”.

    Hetimet e Doganave të Mbretërisë së Bashkuar kishin sinjalizuar për këtë aktivitet në 2015, duke çuar në nisjen e hetimeve edhe në Shqipëri. Për këtë arsye, në fund të vitit 2015, prodhimi në fabrikën Albania Tabak u pezullua përkohësisht, ndërsa rasti u rihap në 2017, kur u evidentuan lidhje të kompanive të ndryshme me bazë në Ishujt Virgjin Britanik dhe Qipro, që dyshohet se menaxhonin trafikun ndërkombëtar të cigareve.

    Hetimet zbuluan se përtej kompanive të huaja, në skemë janë të përfshirë edhe figura të njohura politike dhe familjare në Shqipëri, duke krijuar dyshime për përfshirje të krimit të organizuar në këtë aktivitet.

    Menaxheri i fabrikës, Servet Dauti, në përgjigjen e tij ndaj hetimeve, ka mohuar çdo shkelje ligjore dhe ka theksuar se prodhimi kryhet në përputhje me ligjet shqiptare dhe kontratat ndërkombëtare që ata kanë.

    Ai deklaroi se gjithçka çka ndodh jashtë kufijve të Shqipërës nuk është në përgjegjësi të tyre. Megjithatë, gjurmët e prodhimit nga Librazhdi përfundojnë rregullisht në tregjet e paligjshme të Egjiptit dhe Libisë.

    Albania Tabak prodhonte cigaret për kompaninë Eques Holding Group, e cila kishte marrë licencën për përdorimin e markës “Kleopatra” në Europë dhe për tregjet ndërkombëtare.

    Dokumentet gjyqësore në Shqipëri, raportet e rrjedhura të doganave britanike, kontratat dhe intervistat me drejtuesit e fabrikës, aso kohe zbuluan se rreth 22 milionë paketa cigare janë prodhuar çdo vit nga Albania Tabak në Librazhd, përpara se të dërgohej për eksport drejt Libisë.

    Sipas vetë kompanisë egjiptiane, cigaret kontrabandohen përmes kufirit të gjelbër dhe shiten për rreth 1 dollar për pako, duke dëmtuar të ardhurat shtetërore dhe duke nxitur një treg të zi të fuqishëm. Fabrika në Librazhd ka vepruar në partneritet me një kompani të regjistruar në parajsë fiskale, Eques Holding Group, dhe në pronësi të një biznesmeni iraken të quajtur Faris Al-Rifai. Kjo kompani, e lidhur me entitete të tjera offshore, pretendon se ka të drejtën ligjore për përdorimin e markës Cleopatra në Europë dhe Shqipëri.

    Prokuroria shqiptare hapi hetim për shkelje të së drejtës së pronësisë industriale, pastrim parash dhe prodhim ilegal, por rasti u pezullua në pritje të informacioneve nga juridiksione të huaja. Ndërkaq, sipas dokumenteve të siguruara, prodhimi rifilloi në vitin 2017 pas një kontrate të re me Eques, e cila parashikon prodhimin e 175 milionë paketave në vit.

    Historiku i kompanisë tregon se ajo ka kaluar në pronësi të familjes Jashari që nga viti 2010. Ilir Jashari, ish-pronar dhe person me rekorde të dënimeve për trafik droge në Itali, mbeti pjesë e fshehtë e historisë së fabrikës.

    Një pjesë tjetër e këtij rrjeti kompleks shfaqet edhe në Vietnam, ku në vitin 2012 cigaret Cleopatra filluan të prodhoheshin përmes të njëjtës skeme me përdorim markash të regjistruara në BE nga WorldWide Spirits.

    Ndërkaq, ekspertë të pavarur fiskalë që u konsultuan me gazetarët theksuan se dokumenti tregonte “një mungesë të plotë transparence në financat dhe prodhimin e kompanisë”, si dhe “një rrjet të gjerë ndërkombëtar për shmangien e taksave.”

    Shteg.org

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-10-2023, 10:15
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 11-11-2015, 10:43
  3. Qeveria e Rilindjes: "Nuk ka më hashash "Made in Albania"!"
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 15-10-2015, 03:20
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-10-2015, 10:55
  5. Zbulohet rrjeti i kontrabandës së cigareve
    Nga AlbaneZ në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2007, 05:08

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •