'Kokainë ...me tonelata! Eshtë negociator i zoti' Ja çfarë dëshmoi Nuredin Dumani për Vis Pojën
Autoritetet italiane nuk kanë asnjë dyshim se Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, është kreu i një organizate të fuqishme kriminale që trafikon lëndë të forta narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Europës.
Ndërkohë grupet janë të përfshira dhe në furnizimin me heroinë të pastër që vjen nga Turqia, përmes korrierëve, të cilët maskohen si shoferë kamionësh apo punonjës tragetesh që lëvizin mes Durrësit dhe Barit.
Në dosje e gjykatës italiane thuhet se raportet kriminale mes Elvis Doçit ose Visit të Pojës dhe Adi Çobës për llogari të organizatës së Xhevdet Troplinit janë përmendur para prokurorëve të SPAK-ut në Shqipëri edhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Dëshmia kyçe nga Shqipëria
Nuredin Dumani në dëshmitë e tij përballë autoriteteve në Tiranë ka zbardhur rolin e Visit të Pojës dhe lidhjen e tij me Adi Çobën dhe klanet e drogës.
"Pasi e njohu nga një fotografi, Nuredi Dumani dëshmoi se e njihte prej shumë vitesh Elvis Doçin, të cilin e njihte vetëm me emrin 'Visi i Pojës', për shkak të marrëdhënies së ngushtë kriminale që kishte pasur më parë me Fatmir Troplinin i njohur si “Miri”, bir i Xhevdet Troplinit (i quajtur “Poja”(dajal i Elvisit) dhe kushëri i Elvis Doci.
Lidhur me këtë, ai sqaroi ndër të tjera se në ambientin kriminal shqiptar nuk kishte askënd tjetër përveç DOCI Elvis që njihej me nofkën ‘Visi i Pojës’:
“E identifikoj shumë mirë (...) e njoh me emrin VISI. E njoh prej vitesh, që kur isha i vogël (...) Visi është një negociator shumë i aftë (...) për trafikun e heroinës (...) Më pas, në vitin 2013, e la heroinën dhe filloi me kokainën (...) Për heroinë nuk e kam dëgjuar më, por për kokainë po. Me tonelata (...) Të gjithë e quajnë Visi i Pojës (...) Poja është Xhevdet TROPLINI (...) Visi i Pojës është djali i motrës së Xhevdet TROPLINI-t të quajtur Poja (...) nuk ka ndonjë tjetër Visi.” thuhte në dosje.
Grupi kriminal i Pojës është akuzuar publikisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare, të zhvilluara në 11 Maj 2025, duke blerë vota apo duke intimiduar qytetarët e Durrësit, në favor të Partisë Socialiste të Edi Ramës.
Vendimi i gjykatës së Barit është miratuar në 21 Shkurt 2025. Por ai u zbatua vetëm këtë të mërkurë, rreth dy javë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Syri
Krijoni Kontakt