Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    “Qeveria shpalli programe e fali gjobat 1 ditë para zgjedhjeve”/ Kreu i vëzhguesve të ODIHR: Zgjedhjet e 11 majit, në kushte të pabarabarta garimi

    Emri:  1747057459_zannier.jpg

Shikime: 22

Madhësia:  16.2 KB

    Kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 11 majit, ambasadori Lamberto Zannier tha se procesi elektoral u zhvillua në kushte të pabarabarta mes mazhorancës dhe opozitës.

    Ai tha qeveria shpalosi programe madhore si dhe fali gjobat pak ditë para ditës së votimeve.

    VIDEO

    “Fushata përgjithësisht ishte e qetë por pati sulme mes drejtuesve kryesorë të fushatës, sidomos online, ç’ka tregon polarizim tejet të madh dhe mosbesim. Një rol i rëndësishëm i vëzhguesve afatgjatë është edhe ndërveprimi me popullatën lokale. Ne kemi dëgjuar vazhdimisht shqetësime për presione nga nëpunës të administratës publike, përdorim të burimeve shtetërore që u pa edhe nga monitoruesit në shumë raste ku u shpallën programe të mëdha edhe një ditë para zgjedhjeve apo falja e gjobave. Këto praktika i dhanë një avantazh të padrejtë partisë në pushtet duke çuar në kushte të pabarabarta garimi”, tha ai.

    Zannier shtoi se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR do të publikohet pas disa muajsh.

    (BalkanWeb)

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Me korrupsion e pa standarde/ Gahler i PE-së: Ky vend nuk do të futet në BE kështu siç është sot

    Emri:  auto_ga1747059221.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  37.2 KB

    Michael Gahler, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian, pjesë e grupit të vëzhguesve të zgjedhjeve të 11 majit bëri të qartë se vendi me këtë nivel korrupsioni dhe pa zbatuar standardet nuk do të futet në BE, prandaj bëri thirrje që të zbatohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR

    "Unë sugjeroj që aktorët e interesuar dhe shpresoj që të ketë konsensus për përmirësimin e procesit zgjedhor.

    Aspektet që kanë të bëjnë me korrupsionin, e të tjera gjëra që shkojnë përtej zgjedhjeve. sigurisht që do të adresohen, të jeni të sigurtë. Ky vend nuk do të futet në BE kështu sic është sot. Ka shumë gjëra që mund të përmirësohen. Zgjedhjet janë të rëndësishëm e rekomandoj me forcë që rekomandimet të merren seriozisht" tha Gahler duke iu përgjigjur gazetares së Syri Tv, Ambrozia Meta.

    Syri
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-05-2025 më 11:46

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Banda Xhabaftëve në Vorë presion votuesve! Zannier: Pamë çfarë ndodhi! Duhet reagim pse policia nuk ndërhyri

    Emri:  auto_laj1747058420.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  26.1 KB

    Ambasadori Lamberto Zannier, Shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it tha se kanë vëzhguar atë që ndodhi dje në Vorë, ku banda e Xhabaftëve kishin “pushtuar” qendrat e votimit në Vorë.

    Në një konferencë për median mesditën e sotme Zannier tha se policia duhet të ketë një qëndrim ndaj mos reagimitZannier: Ne identifikojmë të gjithëpersonat e pranishëm në QV. Jemi në kontakt me personelin e sigurisë në të gjitha QV, dhe unë i kam pyetur kush ishin ata persona, që të sigurohesha se nuk ishin persona të paautorizuar.

    Ne monitorojmë procesin.

    Jemi të vetëdijshmë për cfarë ndodhi në Vorë dje dhe ne vetë njoftuam vëzhguesit tanë që të siguroheshin e ta monitoronin dhe ishin të pranishëm, por ne nuk kemi mandatin e policisë. Këto janë funksione që duhen garantuar nga Shqipëria. Nëse s’ka pasur reagim nga policia në kohën e duhur duhet të ketë reagim por ne e vëzhguam situatën.

    Syri
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-05-2025 më 11:46

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Zgjedhjet/ PE: Rama dha pensionet e fali gjobat për vota! Shqetësuese edhe shitblerja e votave e presioni

    Michael Gahler, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian quajti shqetësuese shpërdorimin e burimeve shtetërore, përfshirë skemat e pensioneve në minutën e fundit dhe faljen e gjobave nga qeveria Rama

    Disa rekomandime të ODIHR mbeten të pazbatuara. Përfshirë rekomandimet për financimin e fushatës. Numërimi i fletëve të votimit jashtë QV duhet të adresohet. Disa bashkëbisedues ngritën shqetësimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore. Përdorimin e skemës së pensioneve në minutë të fundit, faljen e gjobave. Disa nga raportuesit tanë kanë raportuar shqetësime për shitblerjen e votave, apo presionin ndaj zgjedhësve, përfshirë nëpunësit e administratës që përbëjnë një segment të konsiderueshëm të elektoratit.

    Ngrihen shqetësime për disa elementë të reformës elektorale. Ka hapësirë për të rritur transparencën e procesit zgjedhor. Vëmendje duhet ti kushtohet marrjes së masave që cdo votë të jetë me të njëjtën vlerë në të gjithë vendin.
    KQZ arriti ti menaxhojë procedurat në mënyrë eficente. Mirëpresim marrëveshjen e re mes KQZ – SPAK e Prokurorisë që ofroi mundësi më të mira për hetimin e procedimin e krimeve zgjedhore.
    Sa i takon medias, problem madhor që duhet përmendur është mungesa e kushteve të barabarta të garimit, sidomos për partitë më të vogla.

    Financimi jo transparent vazhdon të jetë aspekt shqetësues. Influencimi i pronarëve a politikanëve në linjën editoriale të medias, refuzimi i liderëve politikë për të pasur një debat ballë për ballë, dhe reshtimi i një numri të madh organesh mediatike politikisht kufizon mundësinë e qytetarëve për informacione objektive. Qytetarët nuk kanë mundësi të bëjnë zgjedhje të informuara. Gjatë ditës së zgjedhjeve ekipet tona thanë se disa nga QV ishin shumë të vogla e nuk ofronin akses të pavarur për njerëzit me aftësi të kufizuar. Prania e disa personave në afërsi të QV ishte dicka që u raportua, roli i tyre ishte shumë i vështirë për tu identifikuar. I bëjmë thirrje autoriteteve të marrin masa. Ata që janë të sëmurë nuk kanë mundësi të votojnë. Ne bëjmë thirrje që të zgjidhet në procesin e ardhshëm. Kuotat 30 % e grave u tejkalua dhe ne e mirëpresim.

    Ne presim që qeveria të konstituohet në vjeshtë në përputhje me dispozitat kushtetuese. Ne bëjmë thirrje që kjo qeveri të forcojë shtetin e së drejtës në frymë e gërmë e të vijojmë reformat themelore me konsensus kombëtar. Shpresoj që parlamenti i ri të miratoj legjislacion të ri dhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Shpresojmë që gjuha e përdorur të ketë tona më të buta. PE do vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri. Angazhimi i Shqipërisë për të ardhmen e BE-së është një element i radhë i konsensusit kombëtar, cilado nga 2 partitë kryesore të dalë fitimtare në këto zgjedhje do të duhet ta dëshmojë këtë. Duhet të rrisim besimin në zhvillimin e zgjedhjeve.

    Syri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Edhe OSBE/ODIHR 'fundos' zgjedhjet: PS përdori burimet shtetërore, intimidoi administratën! Rama shkeli ligjin me faljen e gjobave

    VIDEO

    OSBE/ODIHR publikon raportin paraprak me gjetjet në ditën e zgjedhjeve duke evidentuar shkeljet e rënda dhe abuzimet e partisë në pushtet dhe të kryeministrit Rama.

    Në raportin e OSBE/ODIHR thekson se PS përdori administratën dhe bëri presion nëpunësve të administratës. Po kështu u evidentua shkelja e rëndë dhe akti i paprecendtë i Ramës ndaj Kodit Zgjedhor duke falur gjobat 2 ditë para zgjedhjeve.

    Farah Karimi: “Zgjedhjet ishin konkurruese e u zhvilluan në mënyrë profesionale por ndodhën në një klimë tejet të politizuar.

    ...Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës duke krijuar një avantazh të padrejtë për ata në pushtet. Pati raste dhe për presione sidomos nëpunësve të administratës publike.
    Legjilacioni zgjedhor dhe interpretimi i ngushtë nuk parandaloi abuzimin dhe praktikat abuzive. Përqëndrimi i pronësisë së medias minoi pluralizmin e burimeve informative dhe krijoi autocensurë mes gazetarëve. Dy partitë kryesore dominuan. Pati mungesë të autoritetit për të monitoruar fushatën online.

    Mangësitë dhe paqartësitë reduktuan qartësinë dhe krijuan pasiguri në zbatimin e kuadrit ligjor në frymë e germë. Kjo do të thotë se përputhshmëria me ligjin nuk mundi të parandalojë zbatimin e tij në frymë.

    Shembull ishte shpallja shumë pak kohë para ditës së zgjedhjeve të faljeve të shumë gjobave shtetërore dhe zbatimin disa vendimeve sociale shumë afër zgjedhjeve.

    Syri

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Votimet u bënë nën patronazhim politik – theksojnë organizatat

    Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë procesin zgjedhor raportojnë problematika të njëjta me zgjedhjet e shkuara, duke ngritur shqetësimin për patronazhimin politik të votës dhe ndikimin e personave të paautorizuar në ditën e zgjedhjeve.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  monitor-1.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  38.9 KB
    Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile monitoruese në konferencën për shtyp. Foto: Blerina Gjoka.

    Në një deklaratë e përbashkët, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti i Studimeve Politike dhe Qëndresa Qytetare thanë të hënën se klima e zgjedhjeve ishte e polarizuar dhe se vëzhguesit vërejtën presione apo survejim të votuesve nga persona të paautorizuar jashtë qendrave të votimit.

    Një humbje të shansit të Shqipërisë për të treguar një proces zgjedhor me standarde europiane i konsideroi zgjedhjet Afrim Krasniqi, drejtor i ISP-së.

    “Kemi parë përfshirjen e grupeve të ndryshme informale në fushatë,” tha ai duke shtuar një sërë me problematika të ngjashme nga proceset e mëparshme, që nga listat e kandidatëve për deputetë me probleme me drejtësinë, përdorimin e burimeve publike në fushatë, patronazhimin e votës, etj…

    Sipas Krasniqit, “incidentët në ditët e votimit ishin tregues i tensionit të madh politik dhe se partitë në vend të ndihmonin në integritetin e zgjedhjeve krijuan gati-gati struktura paralele”.

    Kryetarja e KSHH-së, Erida Skëndaj, rreshtoi një sërë problemesh të raportuara nga 60 vëzhguesit e kësaj organizate në ditën e votimit, ndërsa shtoi se klima e përgjithshme e zgjedhjeve ishte shumë e polarizuar.

    Një ndër qendrat e vëzhguara ishte dhe ajo e burgut 313 në Tiranë ku raportohet se të burgosurit porosisnin njëri-tjetrin për të votuar.

    “Raportohen raste sporadike të perceptimeve nga Komisionerë në IEVP 313 se të dënuarit janë dëgjuar që porosisin njëri tjetrin për të votuar. Në QV të vendosur pranë IEVP Durrës (në ambientet e xhamisë së institucionit), u vërejt mbipopullim në korridorin që të çonte drejt kësaj QV, çka krijonte premisa që të dënuarit në bashkëbisedim të ndikonin tek njëri -tjetri”- thuhet në raportin paraprak të KSHH-së.

    Personat e paautorizuar dhe sjellja e vëzhguesve partiakë shihet si një ndër shqetësimet kryesore të procesit të votimit.

    KSHH ka vërejtur, sipas raportit, se “në disa nga QV të monitoruara është vërejtur prezencë e personave të paautorizuar brenda perimetrit 150 m të QV, sjellje të papërshtatshme me elementë diktues dhe që krijojnë premisa për intimidimin e zgjedhësve nga vëzhguesit partiakë si dhe persona që qëndrojnë jashtë perimetrit 150 m por vëzhgojnë në mënyrë sistematike zgjedhësit që hyjnë e dalin nga QV”.

    Veprat penale që prekin zgjedhjet e lira, si shit-blerja e votës, vijon të jetë një problem edhe në këto zgjedhje bazuar në denoncimet që janë bërë.

    “Angazhimi solemn i kryetarëve të partive, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor, mbetet formal dhe shitblerja e votave mbetet një fenomen i cili nuk dënohet në mënyrë serioze, publikisht prej tyre”- thekson KSHH-ja.

    KSHH vlerëson se pavarësisht denoncimeve krimet zgjedhore vijojnë të mbeten të paraportuara nga qytetarët për shkak të frikës nga hakmarrja apo viktimizimi dhe se në këto kushtet hetimet proaktive të prokurorsë duhej të ishin më të larta. “Pro-aktiviteti i organit të prokurorisë në nisjen me iniciativë të rasteve duhet të ishte më i lartë, duke patur parasysh edhe komunikimet e mëhershme që monitorohej në terren fushata zgjedhore”- thekson deklarata e tre organizatave.

    BIRN

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Nga përdorimi i aseteve publike te gara e pabarabartë, shefi i ODIHR tregon problemet

    Emri:  900-0-1747065289xzannier-914-750x375.jpg

Shikime: 7

Madhësia:  18.5 KB

    Kreu i misionit të monitorimit të ODIHR në Shqipëri, Ambasadori Lamberto Zannier analizoi në një intervistë ekskluzive për A2 CNN gjetjet e raportit paraprak të monitorimit. Diplomati u shpreh se çdo shkelje që është artikuluar në raport, si intimidimi i votuesve apo presionet mbi administratën publike janë konstatuar nga vëzhguesit në terren.

    I pyetur se çfarë e shqetësoi më shumë kreun e misionit ndërkombëtar të monitorimi, Zannier deklaroi se në disa raste, gara elektorale nuk u zhvillua në kushte të barabarta duke nënvizuar se partia në pushtet ishte më e avantazhuar edhe për shkak se kontrollon pjesën dërrmuese të bashkive në vend.

    – – –

    Siç mund të kuptoni edhe nga fytyra apo sytë e mi, ndjekja e një fushate elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor kërkon shumë energji. Si ka qenë misioni juaj në Shqipëri? Do ta cilësonit si intensiv?

    Sigurisht, edhe unë ndihem siç ndiheni edhe ju sot. ishte shumë intesive dhe shumë i lodhshëm. Sigurisht mësova shumë rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. U ndjeva shumë mirë gjatë misionit të monitorimit. Kam udhëtuar, takuar përfaqësues institucionesh, përfaqësues të partive politike, shoqërinë civile. Kam udhëtuar nga veri unë ju, që nga Himara ku kam parë çështjet që lidhen me minoritetet në zgjedhje, deri në Shkodër, nga Elbasani në Durrës. Kësisoj, krahas punës kam zbuluar edhe bukuritë e vendit si në Gjirokastër dhe Berat.

    Gjithashtu pata mundësinë të takoja njerëz, të kuptoja më mirë shqetësimet e tyre. kësisoj, kjo kërkonte shumë energji, por besoj se ia vlente të investoheshin që të kuptoje më mirë dinamikat, problemet, si njerëzit ndihen dhe si njerëzit përfshihen në këtë proces të rëndësishëm elektoral në Shqipëri.

    Tashmë keni disa javë që ndodheni në Shqipëri dhe keni pasur mundësinë të njiheni më nga afër me kulturën politike të vendit. Siç mund ta keni vënë re, është e zakonshme që partia që humb zgjedhjet të mos i njohë rezultatet – e madje, ndonjëherë, të shkojë edhe më tej duke i kontestuar fort ato. Bazuar në atë që keni parë dhe dëgjuar deri tani, a mendoni se këto deklarata politike pasqyrojnë realitetin në terren?

    Nuk dua të flas për progresin apo për hapat mbrapa. nuk jemi këtu për të kuantifuar mënyrën se si Shqipëria po ecën. ne jemi të fokusuar te problemet në vetë vete. Ne i konstatuam ata, i pamë ata, vëzhguesit afatgjatë ishin ata që kaluan më shumë kohë në pika shumë larg Tiranës, ata morën informacione nga interlekutorët lokal, nga njerëzit dhe krijuan një panoramë më të qartë se çfarë po ndodhte dhe ku problemet ishin.

    Sigurisht ne patëm monitorime, pamë raportimet medatike për ngjarjet në territori dhe më dhanë idenë se cilat mesazhe po i jepet qytetarëve që votojnë. dhe duke kombinuar të gjithë këto element, mund të pikturojmë panoramën e cila nuk është e gjitha e bardhë e zi, por përmbajnë një sasi ngjyrë grije dhe në disa zona ne ndiejmë se duhet të jemi edhe më të shqetësuar, ndërsa në disa zona të tjera, kemi shprehur edhe më shumë mbështetje në lidhje me organizimin e zgjedhjeve, si KQZ që gjetëm një bashkëpunim shumë pozitiv.

    Në panoramën e përgjithshme besoj se është sintetizuar në titullin e konferencës së sotme që zgjedhjet ishin organizuar në mënyrën e duhur, por si pasojë e presioneve dhe problemeve, rezulton se nuk ka qenë një garë e barabartë midis partive politike ku disa parti patën avantazhe në krahasim me të tjerët.

    Në disa raste të tjera pamë qeverinë që pati një avantazh në garën elektorale duke përdorur resurset shtetërore pasi partia në pushtet drejton një numër të lartë bashkishë në vend dhe është më e lehtë ta kontrollosh një vend ku qeverisë një numë të lartë bashkishë ku nga përdorimi aklon në abuzimin e resurseve.

    Ambasador, një pyetje që mund të tingëllojë disi personale: nëse zgjedhjet në vendin tuaj do të zhvilloheshin në të njëjtën mënyrë si këtu në Shqipëri, do të ndiheshit i qetë apo i shqetësuar?

    Unë të bëja të njëjtën pyetje për ju, mendo je janë në sërë çështjesh që do të duhet të adresohen dhe do të përpiqesha ti identifikoja dhe të flisja për to. do të mirëprisja, pasi kjo është diçka që nuk e pash këtu, debatet ndërmjet forcave politike dhe përpara zgjedhjeve, jo vetëm pas zgjedhjeve por edhe para zgjedhjeve, për të identifikuar problematikat që zgjedhësit të jenë të informuar për ta dhe për tu siguruar që kur njerëzit votojnë, ato gjithashtu gjykojnë mbi këto probleme që kanë konstatuar.

    Ju shpjeguar shqetësimet me ngjyra, gri dhe të zeza. cilat janë shqetësimet kryesore të ODIHR sa i takon zgjedhjeve?

    Ato janë të listuar në raport, si presioni apo intimidimi i njerëzve sigurisht është diçka që nuk na pëlqen të shohim dhe që njerëzit të vijnë të na thonë që ndihen të frikësuar apo të intimiduar as i takon situatës në përgjithësi. Ata duhet të jenë të lirë të për të marrë pjesë në evente politike dhe jo të detyrohen. Kjo i dekurajon ata që të marrin pjesë në evente të caktuara. Asgjë kërcënuese, por sigurisht diçka detyruese që diçka duhet bërë e diçka jo.

    A pati mundësi ODIHR që të shoh shkelje të tilla?

    Po! Të jesh në terren arrin të shohësh shumë evente. Kur sheh autobusë arrin të pyesësh njerëz si erdhët këtu dhe disa na thanë që ishim të detyruar të vijim në këtë aktivitet. Sigurisht ne nuk shohim vetëm një çështje por disa element të tjerë. sigurisht që burimet e informacionit janë disa, si partitë politike të cilët shprehin shqetësimit e tyre. dhe sigurisht ato nuk raportohen direkte, por verifikohen, bëjmë një kontroll të fakteve nëse ato janë të bazuara dhe në raste të caktuara bëhen pjesë e çështjeve të cilat duhet të kihet më shumë vëmendje.

    Cilat janë, sipas jush, përmirësimet më urgjente që i duhen bërë procesit zgjedhor në Shqipëri?

    Një nga funksionet kryesore të këtij misioni është që të dalë me rekomandime konkrete përpara se sa të mbarojë. Ky mision nuk ka mbaruar pasi do të qëndrojmë në Shqipëri edhe për një javë për të parë fundin e numërimit të votave dhe për të parë procesin e ankimimeve që mund të ketë. Më pas ne do të publikojmë raportin përfundimtarë, pasi çfarë është diskutuar sot është raporti paraprak, ku do të ketë edhe rekomandime në të cilat do të reflektohet se çfarë ne kemi parë dhe ne do të bazohemi në prioritizimin e tyre në bazë të konkluzioneve se cilat janë zonat që duhen përmirësuar. Gjëra të cilat ju i shihni që tani në raport si nevoja e një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të plotë. Ndaj kjo është që tani pjesë e rekomandimeve, së bashku me çështje të ngjashme ndaj ju mund ta merrni vetë me mend se cilat mund të jenë rekomandimet. Por listën finale të rekomandimeve do ta publikojmë me raportin final.

    Marrë nga A2 Televizion

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Raporti i OSBE: Mediat në Shqipëri nuk janë të pavarura, kontrollohen nga pushteti i Edi Ramës

    Raporti i OSBE-ODIHR/ Mediat në Shqipëri, bashkëpuntoret e pushtetit

    Emri:  eskortat-1140x570.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  31.6 KB

    Në raportin paraprak që ka përgatitur misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR për votimin e 11 Majit, gjendja e medias në Shqipëri vjen përmes një përshkrimi ku është lënë mënjanë gjuha diplomatike dhe organet mediatike rezultojnë të jenë bashkëpuntoret kryesore të pushtetit që e thelloi rezultatin krahasur me 4 vite më parë.

    Si në konferencën e drejtuesve të misionit të vëzhgimit, ashtu edhe në dokumentin që përbën raportin paraprak të 11 Majit gjen frazat standarde që e përcaktojnë ditën e zgjedhjeve si një “ditë të qetë” dhe ku flitet për një “proces të mirëmenaxhuar” votimi, por më tej, vëzhguesit qartësisht çmontojnë një nga shtyllat më të kalbura të demokracisë shqiptare; mediat.

    Shqetësimi për kapjen e mediave në konferencë

    Emri:  Misioni-i-Vezjgimit-te-ODHIR-scaled.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  37.9 KB

    Në fjalën e kreu i misionit të OSBE-së në vendin tonë, Lamberto Zanier e qartësoi se çështja e situatës mediatike është një problem serioz i renditur me ndikim direkt në votën e qytetarëve.

    “Sa i përket medias folem me shumë gazetarë, redaktorë dhe përfaqësues të instituciioneve të tjera. Për të plotësuar edhe konstatimet tona ne bëmë edhe një monitorim të zgjeruar të medias. Dy partive politike iu dha thuajse dy herë më shumë kohë se partive të tjera dhe dy partitë e mëdha ishin ata që dominuan edicionet informative. Pati probleme me integritetin e mbulimit. U pa se kishte materiale dhe filmime të ofruara nga vetë partitë politike dhe jo nga gazetarët. Për fat të keq monitorimi dhe raportimi nga AMA tregojnë se ishte i pamjaftueshëm gjë që përbën shqetësim për pavarësinë e kandidatëve” tha Zanier.

    Ndërkohë sipas koordinatores speciale të OSBE, Farah Karimi, shqetësim në raportimin e fushatës ishin lajmet e gatshme që kishin si burim dy partitë e mëdha politike. “Përqëndrimi i pronësisë së medias minoi pluralizmin e burimeve informative dhe krijoi autocensurë mes gazetarëve dhe dy partitë kryesore ishin ato që dominuan burimin e lajmeve duke ua bërë të pamundur zgjedhësve të bënin një zgjedhje të mirëinformuar” u shpreh Farah Karimi.

    Problematika e raportimit mediatik në vendin tonë u ngrit edhe nga Michal Gahler, përfaqësues i delegacionit të vëzhgimit nga Parlamenti Europian, i cili e quajti çështjen e medias një “problem madhor” që nuk siguronte kushte të barabarta në garën e partive. “Financimi jotransparent vazhdon të jetë një proces shqetësues, influencimi i pronarëve apo i politikanëve në linjën editoriale të medias, mungesa e një raportimi të pavarur, refuzimi i liderëve politikë për të pasur një debat ballë për ballë dhe rreshtimi i një numri të madh organesh mediatike politikisht e kufizon mundësinë e qytetarëve për informacione objektive. Kështu, qytetarët nuk kanë mundësi të bëjnë zgjedhje të informuara” u shpreh Gahler.

    Raporti i OSBE/ODHIR nxin mediat në Shqipëri

    Emri:  raporti-i-osbe.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  104.4 KB

    Raporti paraprak i OSBE/ODHIR pati konstatime të drejtpërdrejta, që nuk i kursen detajet për mënyrën se si informacioni kontrollohet dhe manipulohet sistematikisht në Shqipëri. Sipas vëzhguesve, lajmet shpesh prodhohen nga vetë partitë politike dhe transmetohen nga mediat si “lajme të pavarura”, pa asnjë etiketë dhe pa asnjë filtër editorial.

    “Materialet dhe filmimet e fushatës u ofruan nga partitë politike dhe u transmetuan nga televizionet pa u shënuar si të tilla, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori asnjë masë për të adresuar këtë praktikë” thuhet në raport.

    Ky fenomen i transmetimit pa filtër të materialeve që vijnë nga zyrat e shypit nuk është rastësi. Gazetaria investigative është në grahmat e fundit, ndërsa pjesa më e madhe e mediave jeton nga kontratat publike dhe reklamat qeveritare.

    Raporti shënon qartë se “Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të votuesve janë dëmtuar nga varësia e shumicës së mediave nga financimi jotransparent nga interesa politike dhe biznesi, shpesh të mbështetura nga kontrata qeveritare”.

    “Përqendrimi i pronësisë së medias më tej minon pluralizmin e burimeve të lajmeve, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Sipas disa bashkëbiseduesve të ODIHR EOM, pronësia e disa prej shtëpive më të mëdha të shitjes së reklamave nga interesa politike pengon shpërndarjen e drejtë të të ardhurave nga reklamat, ndërsa mungesa e matjes së besueshme të audiencës pengon shpërndarjen transparente dhe të përgjegjshme të reklamave publike” shkruhet në raport.

    Me pak fjalë në Shqipëri, qytetarët nuk morën dot informacion objektiv, pasi siç vë në dukje OSBE/ODHIR në raportin paraprak: “Shumica dërrmuese e mediave perceptohen të jenë të lidhura me partinë në pushtet.”

    Dhe ky perceptim nuk është pa baza. Të dhënat financiare të cituara në raport flasin vetë. Sipas BIRN, në vitin 2023, Top Channel dhe TV Klan kapën 64% të tregut televiziv. I vetmi kanal pranë opozitës, Syri TV, përbënte vetëm 1.7% të të ardhurave të tregut televiziv dhe pësoi rënie me 22% krahasuar me një vit më parë.

    Pafuqia e opozitës me mediat e kapura

    Emri:  1000-0-IMG_1284.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  39.1 KB

    Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha nuk ruajti dot një distancë higjenike nga mediat e kapura nga qeveria Rama. Kur ishte në arrest shtëpie, Berisha bëri disa përpjekje për ta denoncuar propagandën dhe i përcaktoi televizionet e mëdha si “teleturizmi”, por kjo nuk zgjati shumë, pasi e gjeti shpejt gjuhën e përbashkët dhe i vizitoi plot dëshirë studiot kryesore në mbyllje të fushatës elektorale.

    Partitë e tjera në opozitë, me përjashtim të Lëvizja Bashkë të Arlind Qorit, shpresuan se me ndonjë marrëveshje të heshtur, do të shfaqeshin më shpesh në ekrane duke përfituar nga ky nder që po u bëhej, por edhe vëzhguesit e huaj e kanë kuptuar se televizionet kryesore në vend kanë vetëm një pronar para të cilit ulen në gjunjë dhe ai është pushteti i Edi Ramës.

    “Asnjë nga partitë e tjera përveç PS dhe PD nuk mori më shumë se 5% të mbulimit në ndonjë nga televizionet e monitoruara,” thuhet në raportin paraprak të OSBE. E vetmja mundësi e barabartë që u respektua formalisht ishte transmetimi i minutave falas nga RTSH, por në një televizion që raporti thotë se “nuk gëzon audiencë të gjerë” dhe që sipas raportit “nuk ka pavarësi të vërtetë për shkak të procedurave politike të emërimeve”.

    Ky realitet i zymtë mediatik është pjesë thelbësore e mungesës së demokracisë në Shqipëri dhe vëzhgimet e ndërkombëtarëve nuk pritet të ndryshojnë asgjë, por sigurisht që ato ia vlejnë të lexohen tani që pritet të nisin nga puna zjarrfikësit e debatit nëse pati manipulime në zgjedhje apo jo.

    Fragmenti i plotë mbi median nga raporti paraprak i OSBE-ODIHR

    Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të votuesve është dëmtuar nga varësia e shumicës së mediave ndaj financimeve jotransparente nga interesa politike dhe biznesi, shpesh të mbështetura në kontrata qeveritare. Përqendrimi i pronësisë së mediave e minon më tej pluralizmin e burimeve të lajmeve, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

    Sipas disa bashkëbiseduesve të misionit të ODIHR, pronësia e disa agjencive kryesore të shitjes së reklamave nga interesa politike pengon shpërndarjen e drejtë të të ardhurave nga reklamat, ndërkohë që mungesa e një sistemi të besueshëm për matjen e audiencës ndalon shpërndarjen transparente dhe të përgjegjshme të reklamave publike.

    Shumica dërrmuese e mediave perceptohen si të lidhura me Partinë Socialiste në pushtet. Transmetuesi Publik, Radio-Televizioni Shqiptar (RTSH), nuk konsiderohet se ka audiencë të gjerë, ndërsa procedura bipartizane për emërimin e drejtuesve si të RTSH-së ashtu edhe të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) nuk siguron pavarësinë de facto të këtyre institucioneve.

    Ndërhyrjet e përhapura nga pronarët e mediave në autonominë editoriale, së bashku me autocensurën mes gazetarëve, ndikojnë negativisht në cilësinë e informacionit që u vihet në dispozicion publikut. Për më tepër, gazetarët përballen në mënyrë të përsëritur me sulme verbale dhe, në disa raste, edhe fizike nga zyrtarë publikë. Gjithashtu, gazetarët raportojnë për vështirësi në aksesin ndaj përfaqësuesve të qeverisë, përfshirë Kryeministrin, me një rënie të dukshme të numrit të konferencave për shtyp dhe raste kur u është ndaluar pjesëmarrja në ngjarje publike – në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

    Mbulimi editorial i lajmeve shpesh zëvendësohet nga materiale të përgatitura nga institucionet shtetërore, duke dëmtuar integritetin editorial. Agjencia për Median dhe Informimin (AMI), që ndodhet nën zyrën e Kryeministrit, centralizon dhe filtron informacionin që publikohet për qeverinë dhe institucionet publike.

    Disa media të themeluara nga shoqëria civile dhe të financuara nga donatorë ndërkombëtarë ofrojnë gazetari hetimore dhe me interes publik, por janë ndikuar nga ndërprerja e financimeve ndërkombëtare së fundmi.

    Në përgjithësi, Kushtetuta dhe legjislacioni ofrojnë mbrojtje për lirinë e shprehjes. Megjithatë, pavarësisht rekomandimeve të mëparshme të ODIHR, shpifja mbetet një vepër penale. Një numër i konsiderueshëm i çështjeve civile dhe penale për shpifje janë ngritur kundër gazetarëve vitet e fundit, përfshirë edhe raste të padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP).

    Kodi i Transmetimit i vitit 2023 kërkon që të gjitha lajmet të jenë objektive dhe të paanshme. Kodi Zgjedhor, në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së, nuk garanton mbulim të barabartë të lajmeve për partitë jashtëparlamentare, në një ambient mediatik që tashmë është i pafavorshëm për to.

    Më 6 mars, Këshilli i Ministrave ndaloi përkohësisht aksesin në TikTok – një ndalim i gjerë që është i papajtueshëm me standardet ndërkombëtare. Sipas disa bashkëbiseduesve të misionit të ODIHR, kjo ndalesë pati ndikim shtesë negativ në aftësinë e të gjithë kandidatëve, përfshirë partitë jashtëparlamentare, për të bërë fushatë në kushte të barabarta.

    Sipas shumicës së bashkëbiseduesve të ODIHR, pamjet e fushatës në lajme u siguruan nga vetë partitë politike. Në televizionet e monitoruara nga misioni i ODIHR, asnjë nga këto transmetime nuk ishte e shënuar si material i prodhuar nga partitë, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori asnjë masë për të adresuar këtë shkelje.

    Për më tepër, disa bashkëbisedues raportuan se disa intervista me kandidatë, të transmetuara në emisione aktualiteti, ishin të paguara – në kundërshtim me ligjin. Pamjet e prodhuara nga kandidatët dhe mbulimi i paguar, në thelb përbëjnë reklamë politike, duke i vënë në disavantazh ata kandidatë që kanë më pak mundësi financiare.

    Monitorimi i misionit të ODIHR zbuloi se dy partitë më të mëdha dominuan mbulimin e lajmeve. Në RTSH, A2 CNN, Top Channel dhe TV Klan, PS mori përkatësisht 45%, 46%, 48% dhe 57% të mbulimit; ndërsa PD-ASHM mori 41%, 48%, 45% dhe 43%. Mesatarisht, 83% e këtij mbulimi u prezantua në mënyrë neutrale ose pozitive. Asnjë nga kandidatët e tjerë nuk mori më shumë se 5% të mbulimit në ndonjë nga televizionet e monitoruara.

    Megjithëse u transmetuan rregullisht disa programe debati, ato nuk sollën përballje mes kandidatëve të rëndësishëm apo drejtuesve të partive të ndryshme. RTSH përmbushi detyrimin ligjor për të ofruar kohë falas për kandidatët. Reklama politike e paguar në televizione u ble vetëm nga dy partitë dominante.

    Në përfundim, ambienti i kufizuar mediatik dhe dështimi për të zbatuar në mirëbesim kërkesat ligjore i privuan votuesit nga një informacion i pavarur, i larmishëm dhe i thelluar mbi garën zgjedhore.

    Lapsi

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Televizioni publik gjerman: Zgjedhjet nuk ishin të ndershme! Rama kërkon të mbajë pushtetin me mjete të padrejta, rrezikohet integrimi

    Emri:  auto_edi-rama-1081747160016.jpg

Shikime: 6

Madhësia:  26.1 KB

    Televizioni publik gjerman, ARD, raporton sot se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të lira dhe të ndershme. Sipas ARD, Rama kërkon të mbajë pushtetin me mjete të padrejta. Më poshtë raportimi i medias së njohur

    Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, po i paraprin një mandat i katërt. Partia e tij Socialiste arriti shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Që zgjedhjet nuk ishin të ndershme, këtë nuk e dyshon vetëm opozita.

    Edi Rama siguron shumicën absolute në parlamentin në Tiranë. Më shumë se 80 nga 140 vende pritet të shkojnë për socialistët. Rama nuk është shprehur ende. Më zëshëm reagon kreu i opozitës, Sali Berisha. Partia e tij Demokratike doli forca e dytë më e madhe. Berisha flet për blerje votash nga qeveria. Kjo e fundit, dy ditë para zgjedhjeve, miratoi një lloj amnistie për gjoba në shkallë të gjerë: 170.000 njerëz u liruan nga pagesa e gjobave të prapambetura.

    Për Berishën, kjo ishte një dhuratë elektorale: “Ju e patë vetë që dy net para zgjedhjeve u falën gjoba me vlerë 150 milionë euro. Ju mund t’i vlerësoni vetë këto zgjedhje,” tha ai. Berisha u bëri thirrje mbështetësve të tij për protesta.

    OSBE: Kushte të pabarabarta

    Kritika vjen edhe nga vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Sipas tyre, kushtet nuk ishin të barabarta për të gjitha partitë.

    Farah Karimi nga misioni i vëzhguesve të OSBE-së tha se partia në pushtet përfitoi gjerësisht nga burimet shtetërore gjatë fushatës zgjedhore dhe kështu siguroi një avantazh të padrejtë. Për më tepër, ka indikacione se është ushtruar presion mbi votuesit.

    Pak informim i pavarur

    Në veçanti punonjësit e administratës publike janë detyruar të votojnë për partinë në pushtet. Për të gjithë votuesit ishte gjithashtu e vështirë të informoheshin në mënyrë të pavarur përmes mediave, shton Karimi.

    “Konsolidimi i sektorit mediatik, minimi i burimeve të ndryshme të informacionit dhe vetëcensura e gazetarëve, si dhe dominimi i dy partive më të mëdha në mbulim, kufizuan aftësinë e qytetarëve për të marrë një vendim të informuar,” tha Karimi.

    “Rrezik për rrugën drejt Europës”

    Vëzhguesit e zgjedhjeve kritikuan gjithashtu faktin që Shqipëria ka injoruar prej vitesh një sërë rekomandimesh për reforma demokratike të sistemit zgjedhor.

    Eurodeputeti gjerman Michael Gahler nga CDU e konsideron këtë si një rrezik për rrugën europiane të Shqipërisë: “Ky vend nuk do t’i bashkohet Bashkimit Europian në gjendjen ku ndodhet aktualisht. Por mund të ndryshojnë shumë gjëra për mirë. Prandaj i këshilloj të gjithë aktorët të marrin seriozisht këto rekomandime,” tha Gahler.

    Syri

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,169
    Postimet në Bllog
    22

    Për: OSBE: Zgjedhjet e 11 majit, as të lira për qytetarët e as demokratike për opozitën

    Mungesa e medias së pavarur cënoi zgjedhjet, thonë vëzhguesit

    Një nga kriteret kyçe të Kartës së Kopenhagës, e cila përcakton standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e drejta e qytetarëve për t’u informuar siç duhet për alternativat politike para se të votojnë. Mungesa e medias së pavarur në Shqipëri si dhe politika e mbështetur te sharjet dhe jo te argumentet ishin problemet që vëzhguesit vunë re në zgjedhjet e së dielës. “Mbyllja e TikTok bie ndesh me standardet ndërkombëtare”, thotë raporti.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  DSC_1579.jpg

Shikime: 6

Madhësia:  21.8 KB
    Kryeministri Edi Rama duke folur gjatë një konference pë median në Tiranë | Foto: Nensi Bogdani/BIRN

    Mungesa e një mjedisi të shëndetshëm mediatik për informim të larmishëm mbi ofertat zgjedhore për shqiptarët, mosfunksionimi i mekanizmave ligjorë që duhet të garantojnë ekzistencën e medias së pavarur dhe vendimi kontrovers i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për të mbyllur rrjetin social Tiktok pak para nisjes së fushatës zgjedhore ishin disa nga problemet që cënuan standardet demokratike në zgjedhjet e së dielës dhe sollën raportin më kritik në shumë kohë nga faktori ndërkombëtar.

    Raporti vëren me shqetësim praninë e financimeve me burime të paidentifikuara në disa media, kontrollin e reklamave për arsye politike, sulmet verbale dhe shpesh fizike të udhëheqësve politikë kundër gazetarëve dhe mungesën e aksesit të partive të vogla në media.

    Shqiptarët votuan të dielën e 11 majit në zgjedhjet parlamentare, të cilat partia në pushtet, Partia Socialiste, i fitoi me shumicë të thjeshtë votash ndërsa ndarja e vendit në 12 qarqe elektorale i dha asaj avantazhin e shumicës parlamentare pothuajse të cilësuar, gjë që pritet të shkaktojë telashe shtesë për demokracinë shqiptare për shkak të mundësisë për ndryshim të njëanshëm të rregullave të lojës nga Rama në vitet në vijim.

    Raporti i OSBE/ODIHR, i publikuar të hënën, vuri në dukje abuzimet me pushtetin shtetëror dhe me burimet shtetërore nga partia në pushtet si dhe frikësimin e votuesve prej ushtrisë së patronazhistëve si probleme që i bëjnë zgjedhjet “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”, por një kritikë veçanërisht e fortë në raport ka të bëjë me median, lirinë për të përcjellë dhe për të marrë informacion si dhe cilësinë e informacionit të marrë.

    “Pavarësia, larmishmëria dhe integriteti i lajmeve të disponueshme për votuesit gërryen nga varësia e shumicës së medias nga financimet jotransparente nga interesa politike apo të biznesit, të cilat shpesh mbështeten në kontrata publike,” thuhet në raport.

    “Përqendrimi i pronësisë së medias cënon më tej pluralizmin e burimeve të lajmeve, në kundërshti me standardet ndërkombëtare,” vërejnë ekspertët e OSBE/ODIHR.

    Mjedisi mediatik i një vendi duhet të ketë media të shumta me informacion të larmishëm, përfshirë informacion nga aktorët politikë apo shoqërorë që nuk i përkasin rrymave kryesore, gjë që në fakt në Shqipëri nuk gjendet. Mediat janë jo të pakta, nëse shikohet numri i televizioneve, por informacioni i dhënë në to nuk është i larmishëm, sepse është i njëjti informacion i dhënë në shumë media njëherësh.

    “Raportimi i lajmeve shpesh zëvendësohet nga materiale të përgatitura nga trupat qeveritarë, gjë që minon integritetin editoria. Agjencia e Medias dhe Informimit, një agjenci nën varësinë e kryeministrit, centralizon dhe filtron informacionin e publikuar nga qeveria dhe institucionet publike,” thotë raporti.

    “Për më tepër, gazetarët raportojnë se aksesi i tyre te përfaqësuesit e qeverisë, përfshirë kryeministrin, është në tkurrje, ku numri i konferencave për shtyp është pakësuar dhe gazetarët me raste ndalohen të marrin pjesë në aktivitete publike, në kundërshti kjo me standardet ndërkombëtare.”

    Qeveria shqiptare ndalon gazetarët të kryejnë filmime të pavarura në aktivitete publike, të tilla si mitingjet elektorale të Ramës dhe të Partisë Socialiste, ku truprojat dhe stafi i kryeministrit pengojnë fizikisht përdorimin e celularëve apo mjeteve të tjera të regjistrimit video. Kjo e ka bërë “raportimin” mediatik të fushatës një teatër gjigand në të cilin qytetarët mund të shohin vetëm atë që kryeministri do, por në televizione dhe portale të ndryshme.

    “Sipas shumicës së bashkëbiseduesve të ODIHR, pamjet nga fushata u ofruan nga partitë politike. Në televizionet e monitoruara nga ODIHR, asnjë nga këto raportime lajmesh nuk u shënua si të tilla, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor dhe për këtë nuk pati masa të ndërmarra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”

    Raporti shënon me shqetësim raportimet se disa nga intervistat me kandidatët për zgjedhje të transmetuara në media të ndryshme kanë qenë në fakt të paguara, gjë që bie ndesh me ligjin.

    “Pamjet e prodhuara nga garuesit në zgjedhje në lajme si dhe mbulimi me pagesë de facto është e barabartë me reklamat politike dhe dizavantazhon garuesit me më pak burime financiare,” vëren raporti.

    Një nga problemet kyçe që duket se do të rrëzojnë zgjedhjet e së dielës ka të bëjë me vendimin e qeverisë për të mbyllur aksesin në rrjetin social Tik Tok pak javë para zgjedhjeve. Qeveria thotë se e mori vendimin për të luftuar bullizmin në shkolla, si pasojë e ngjarjes tragjike të vrasjes së një adoleshenti dhjetorin e kaluar, por shumë besojnë se ndalimi lidhet me fushatën elektorale, për shkak se Tik Tok, si media sociale e re, vlerëson përmbajtjen dhe i jep vizibilitet materialeve të prodhuara nga përdoruesit përkundrejt të ardhurave ndërsa mediat sociale të vjetra, si Facebook e Tëitter, nuk i japin vizibilitet përmbajtjes së prodhuar nga, fjala vjen, kandidatët për deputetë, pasi janë biznese të maturuara dhe kërkojnë të sheshin reklama. Me pak fjalë, Tik Tok jep vizibilitet të cilin Facebook e të tjera nuk e japin.

    “Vendimi i Këshillit të Ministrave më 6 mars për të ndaluar përkohësisht aksesin në TikTok është i një ndalim i gjerë dhe i papërputhshëm me standardet ndërkombëtare,” thuhet në raport.

    “Në finale, mjedisi kufizues mediatik dhe dështimi për të zbatuar kërkesat ligjore në mirëbesim i ndaloi votuesit nga marrja e informacionit të plotë, të pavarur dhe të larmishëm mbi garën zgjedhore,” thekson raporti.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 08-05-2021, 10:07
  2. A ishin zgjedhjet te lira e demokratike ne Shqiperi?
    Nga Albo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 76
    Postimi i Fundit: 21-12-2011, 17:40
  3. Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 30-06-2009, 08:06
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-06-2009, 06:40
  5. Kriteret e OSBE-së për zgjedhje të lira
    Nga karaburuni në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-09-2005, 09:17

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •