Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Der Standard: Sulment ndaj drejtësisë, Edi Rama një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri

    Rasti Veliaj në DerStandard. Rama po mundohet të vërë nën zgjedhë SPAK

    Kryeministri shqiptar po tregon gjithnjë e më shumë prirje autoritare. Tani ai po përpiqet të vërë nën kontroll drejtësinë e pavarur.

    Emri:  Screenshot_20250227_095222_InCollage-Collage-Maker-750x375.jpg

Shikime: 392

Madhësia:  24.3 KB

    Gjatë një lidhjeje live në Facebook, kryeministri shqiptar Edi Rama goditi tryezën si një fëmijë në fazën e adolesbencës dhe përdorl fjalë fyese. Që prej arrestimir të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, më 10 shkurt për akuza të rënda korrupsioni, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme përkatëse po sulmohen vazhdimisht nga përfaqësues të Partisë Socialiste në pushtet, veçanërisht nga Edi Rama.

    Veliaj është një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës. Ky i fundit, përgjatë, ka marrë gjithnjë e më shumë kontroll mbi të gjitha institucionet në Shqipëri me metoda autoritare. Tani ai madje ka penguar Këshillin Bashkiak të Tiranës që të nisë një procedurë shkarkimi ndaj Veliajt dhe, në vend të kësaj, de facto është vetëemëruar si kryebashkiak. Rama deklaroi se SPAK po përdor “metoda si ato të Stasit” dhe se jeta e Veliajt po shkatërrohet nga “budallallëku profesional” i prokurorëve.

    Deputetët e Partisë Socialiste në sulm ndaj SPAK-ut

    Deputetët e Partisë Socialiste janë mobilizuar për të sulmuar SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme, duke kërkuar hapur që drejtësia të ndërpresë hetimet kundër Veliajt. Sipas mediave shqiptare, mbështetësit e Partisë Socialiste kanë kërcënuar dhe madje kanë sulmuar fizikisht prokurorët. Në një deklaratë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kritikuan policinë dhe Gardën e Republikës për mosmbrojtjen e punonjësve të drejtësisë nga militantët e partisë në pushtet.

    “Personat në pozita pushteti”

    Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri reagoi ashpër, duke kritikuar faktin se “personat në pozita pushteti” – referuar qartësisht Ramës – po dëmtojnë imazhin dhe dinjitetin e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e drejtësisë përmes presionit apo shtrëngimit përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për pavarësinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës”.

    Edhe Veliaj sulmoi gjitjashtu drejtësinë e pavarur, duke e quajtur në Facebook prokurorin e çështjes një “të çmendur” dhe akuzat ndaj tij si “idiote”. Ai akuzohet për marrje ryshfetesh në këmbim të ndarjes së tenderëve publikë për kompani të lidhura me të, si dhe për pastrim parash. Gruaja e tij, Ajola Xoxa, është arrestuar gjithashtu, pasi ryshfetet dyshohet se janë transferuar në llogari të saj ose të familjarëve të saj.

    Rama dhe Partia Socialiste po përpiqen tani të frikësojnë drejtësinë dhe të krijojnë një presion të tillë që hetimet ndaj figurave kryesore të partisë – si Veliaj – të ndalen. Kjo tregon se Rama dhe partia e tij synojnë të minojnë ndarjen e pushteteve për të marrë kontroll të plotë mbi institucionet shtetërore, duke dobësuar kështu demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

    Reforma në drejtësi – një pretekst?

    Në vitet e fundit, Rama është paraqitur si garantuesi i një reforme në drejtësi që ka çuar në largimin e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. SPAK ka treguar se është një institucion i fuqishëm, duke zbuluar raste korrupsioni që përfshijnë politikanë të rëndësishëm, përfshirë ministra. Rasti Veliaj konfirmon guximin e prokurorëve.

    Megjithatë, aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë forcë politike që mbështet një drejtësi të pavarur dhe luftën kundër korrupsionit – pra, një shtet të drejtë për të gjithë qytetarët. Edhe partitë opozitare sulmojnë SPAK-un. Ish-kryeministri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjithashtu është nën hetim, ka premtuar se do ta shpërbëjë SPAK-un nëse rikthehet në pushtet. Ai e ka quajtur kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, si drejtues të një “organizate kriminale”.


    Titulli origjinal i Der Standard: Kryeministri shqiptar Edi Rama sulmon shtetin e së drejtës dhe Kushtetutën në vendin e tij. Pergatiti Lapsi.al

  2. #2
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,592
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Der Standard: Sulment ndaj drejtësisë, Edi Rama një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri

    TIRANË- Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi ka fituar çështjen në Gjykatën e Strasburgut kundër shtetit shqiptar, pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK më 8 tetor 2021. Në një vendim të marrë këtë të martë, trupa me tre gjyqtarë e gjykatës më të rëndësishme evropiane, i ka dhënë të drejtë Gëllçit dhe e ka konsideruar mbajtjen e tij në paraburgim me kërkesë të SPAK si të jashtëligjshme.

    Gjykata ka vlerësuar se ka pasur shkelje të nenit 5 pika 3 e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për lirinë personale. Sipas Gjykatës Europiane, burgosja e Gëllçit ishte e paligjshme pasi nuk ka pasur prova të mjaftueshme ligjore për të justifikuar paraburgimin për një periudhë prej 7 muaj e 26 ditë.

    "Arsyet që justifikonin mbajtjen në paraburgim nuk ishin të mjaftueshme dhe nuk përmbushin standardet e nevojshme ligjore," tha Gjykata në vendimin e saj.

    Report Tv siguroi edhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut, ndërsa avokati i Gëllçit shkruan se tashmë do të vijojë beteja nëgjykatat shqiptare tona për të vënë në vend drejtësinë evropiane. Avokati Dorian Matlia thekson se arrestimet janë bërë bukë e djathë për SPAK dhe se u intereson më shumë shfaqja e cirkut televiziv sesa respektimi i standardeve evropiane.

    “Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë sot Thoma Gëllcit dhe konfirmoi që arrestimi i tij ishte i paligjshëm. Arrestimet janë bërë bukë e djathë për SPAK (dhe jo vetëm), të cilëve u intereson me shume shfaqja e cirkut televiziv të lajmeve ditore me arrestime e prerje kokash sesa respektimi i standardeve evropiane. Thoma Gëllci, ish-drejtor i RTSH u arrestua në tetor 2021 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me një tender. Ai u vendos në paraburgim me vendim të GJKKO me pretendimin se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme.

    Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin te pambështetura dhe shumë të përgjithshme. SPAK nuk dha prova konkrete as se cilat prova duhej të mblidheshin dhe pse nuk ishin mbledhur më parë, si dhe rreziku i arratisjes nuk ekzistonte. Gjykata e Strasburgut shtoi dhe se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan "kujdes të veçantë" për hetimin.

    Sipas Gjykatës se Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën duke mbajtur Gëllçin në paraburgim për një periudhë të pajustifikuar dhe pa dhënë prova. Duke e konsideruar si një fitore te rëndësishme morale, Strasburgu ofroi një shume simbolike dëmshpërblimi moral, por pa harruar që të ngarkojë mbi shtetin edhe kostot avokatore të Gëllçit. Tani do vijojë beteja ne gjykatat tona për të vënë në vend drejtësinë evropiane qe e shtrembëroi nevoja revolucionare e SPAK, me mbështetjen e hapur të mazhorances qeverisëse”, njoftoi avokati.

    Gjyqtarët e Strasburgut theksuan se gjatë periudhës së paraburgimit, autoritetet nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme që të mbështesin dyshimet se Gëllçi mund të ndikonte në prishjen e provave.

    "Rastet e tilla kërkojnë që të ketë një vlerësim të hollësishëm dhe të arsyeshëm të rrethanave para se të merret një vendim për paraburgim," theksoi Gjykata.

    "Ata nuk iu përgjigjën parashtrimit të kërkuesit se dyshimi kundër tij bazohej ekskluzivisht në dokumente që ishin sekuestruar tashmë nga prokuroria, dhe se, për rrjedhojë, nuk ekzistonte rreziku që ai të ndërhynte me ndonjë dëshmitar ose provë tjetër. Gjykatat vendase iu referuan vetëm, në terma të përgjithshëm, një rreziku që, nëse lirohet, kërkuesi mund të ndërhynte me dëshmitarët.", thuhet në vendim.

    Gjithashtu për gjyqtarët e Strasburgut edhe argumentimi se ai mund të arratisej nuk pranohet.

    “Për sa i përket rrezikut të arratisjes, Gjykata vëren se argumentet e kërkuesit nuk janë peshuar siç duhet, gjithashtu në dritën e faktorëve që lidhen me karakterin, familjen, e tij. Gjykata vëren më tej se arsyetimi i gjykatave vendase nuk u zhvillua për të pasqyruar situatën në zhvillim dhe për të verifikuar nëse ato arsye mbetën të mjaftueshme në fazën e avancuar të procesit”, thuhet në vendim.

    Gjykata gjithashtu vlerësoi se autoritetet shqiptare nuk e morën parasysh mundësinë e masave më të lehta sigurie. Pas shqyrtimit, Gjykata vendosi se ka pasur një shkelje të të drejtës së tij për liri, dhe urdhëroi shtetin shqiptar të paguajë një dëmshpërblim prej 500 eurosh për dëmin jopasuror dhe 5,000 euro për shpenzimet ligjore.

    Thoma Gëllçi u dënua me 2 vite burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, për shkak të një abuzimi me tenderin për RTSH Agro. Si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i Gëllçit iu reduktua në 1 vit dhe 4 muaj heqje lirie, ndërsa u lirua nga qelia më 30 gusht 2022.
    Duaje te afermin tend si veten

  3. #3
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,592
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Der Standard: Sulment ndaj drejtësisë, Edi Rama një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri

    Ja e mora me copy paste dhe e vendosa ketu vendimin e Gjykates se Strasburgut per ish Drejtorin e RTSH, kjo jo per ndonje tifozllek partiak, po per objektivitet. Ketu shikon vetem sharje dhe mallkime dhe deshira per burgosje te politikaneve, pavaresisht nga faji apo mos faji. Niveli edhe ketu eshte per te qare halli, me mentalitetin qe boll te denohen njerez, aliaj koka turku.
    Te nderuar, personi eshte i pafajshem deri ne vendimin e formes se prere te gjykates.
    Une nuk po denoj SPAK dhe as GJKK, une them si dhe K/Ministri, qe te zbatohen standartet evropiane, une them ja ujku, ju kerkoni gjurmet, si mund t`i hiqet njeriut liria vetem mbi bazen e dyshimeve
    Ne fakt nuk ia vlen te merresh me shume, se eshte edhe ceshtje kulturore, sepse as keni idene te ndani tifozllekun partiak nga drejtesia evropiane
    Shqiptaret jane shume inteligjente dhe i kuptojne te gjitha, edhe Evropen dhe standartet,...kete do e tregoje me vote me 11 maj
    se tani po e shoh kete artikullin kur permend se Veliaj eshte "akuzuar" per korrupsion.
    Kjo eshte e paverteta sepse ndaj Veliajt nuk eshte ngritur asnje akuze, eshte vetem i dyshuar, por si ta kuptoje populli kete kur ka intelektuale qe e ngaterrojne me/pa qellim???
    Mjafton kjo fraze dhe nuk ka nevoje per tu "thelluar" ne artikullin me tej
    por nuk keni faj se jeni mesuar me monizmin, ku cdo denim e jepte partia, te tjerat ishin vegla te saj (gjykata, hetuesia, etj.)
    Ndryshuar për herë të fundit nga ilia spiro : 27-02-2025 më 13:34
    Duaje te afermin tend si veten

  4. #4
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,592
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Der Standard: Sulment ndaj drejtësisë, Edi Rama një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri

    Dy eurodeputetë italianë kanë shkuar këtë të enjte (27 shkurt) në paraburgimin e Durrësit, për të takuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe për ti dhënë mbështetjen.

    Lorenzo Grassini dhe Roberto Berardi nuk janë lejuar që të takojnë kryebashkiakun. Për këtë arsye, me anë të një video, ata kanë shprehur keqardhjen.

    "Jemi këtu në Durrës me senatorin Berardi për ti qëndruar pranë kryetarit të bashkisë Erion Veliaj si dhe për të parë kushtet e burgut. Për fat të keq nuk na lanë të hyjmë. Na pritën mirë por na thanë që lejohen takime vetëm me familjarët.

    Fatkeqësisht, ashtu siç ka ndodhur edhe tek ne, në Itali, paraburgimi është kthyer në një problem, sepse shumë njerëz të politikës burgosen në mënyrë paraprake, për të arritur në disa zgjidhje që sot për sot, nuk na rezultojnë.

    “Forza Italia” është gjithmonë në favor të garancisë. Pra, në favor të kujtdo që do të duhet të provojë, deri në gjykimin e madh final, pafajësinë e tij. Do të shohim si do të shkojë. Sigurisht, kjo rrjedhë që po merr sot është shumë e ngjashme me atë tonën, në periudhën e Tangentopoli. Shpresojmë që Shqipëria të mos kalojë një situatë të tillë të errët”, tha Lorenzo Grassini.

    Dy eurodeputetët italianë bëjnë një paralelizëm me hetimet dhe gjykimin për skandalin e Tangentopoli, në fillim të viteve 1990 në Itali, i cili zbuloi një rrjet të gjerë ryshfetesh dhe financimesh të paligjshme midis bizneseve dhe partive politike.

    “Jemi kundër paraburgimit. Këtu duket sikur jemi kthyer në kohët e Tangentopoli-t, kur abuzohej me paraburgimin. Pa folur pastaj, për atë çka mund t’i shkaktojë personit, i cili më pas mund të rezultojë edhe i pafajshëm, e që mund të mos ketë kryer asnjë vepër. Këto janë plagë që ngelin gjatë, përgjatë gjithë jetës. Po, duhet bërë drejtësi, por drejtësi të drejtë. Ne jemi garantues, pra për një drejtësi të drejtë. Deri në një provë të kundërt, të gjithë jemi të pafajshëm”, u shpreh Roberto Berardi” tha Roberto Berardi

    Çfarë është skandali Tangentopoli?

    Gjatë skandalit Tangentopoli, cili zbuloi një rrjet të gjerë ryshfetesh dhe financimesh të paligjshme midis bizneseve dhe partive politike pati edhe kritika se disa arrestime ishin të nxituara dhe disa individë u dëmtuan padrejtësisht nga procesi.

    Gabriele Cagliari ish-president i ENI, (Ente Nazionale Idrocarburi) dhe Sergio Moroni (deputet socialist) u vetëvranë nga presioni i hetimeve. Ky skandal çoi në hetimin e njohur si "Mani Pulite" (Duart e Pastra), i cili u drejtua nga një grup prokurorësh në Milano.

    Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po hetohet nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrim parash nën masën e sigurisë 'arrest në burg' prej 12 shkurtit 2025.
    Duaje te afermin tend si veten

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Der Standard: Sulment ndaj drejtësisë, Edi Rama një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri

    Media e madhe amerikane ‘fundos’ kryeministrin/ Bloomberg: Skandali i Veliajt rrezikon trashëgiminë e Ramës dhe integrimin në BE

    Mediat e mëdha amerikane vazhdojnë të godasin kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Këtë herë është radha e një prej medieve më të njohura, Bloomberg, që raporton se skandali i Erion Veliajt po vë në rrezik trashëgiminë e Edi Ramës. Më poshtë shkrimi i medias së njohur

    Disa javë para zgjedhjeve kombëtare, panorama politike e Shqipërisë u trondit me arrestimin e Erion Veliajt, kryebashkiakut të kryeqytetit Tiranë.

    I konsideruar prej kohësh një aleat i ngushtë dhe pasardhës i mundshëm i kryeministrit të fuqishëm të vendit, Edi Rama, Veliaj u fut në darën e akuzave për kontrata publike të lidhura me bashkëpunëtorët dhe shpenzimet e qindra mijëra eurove për mallra luksi. Hetimi për korrupsion mund t'i japë fund karrierës politike të Veliajt, i cili ka mohuar të gjitha akuzat për keqbërje, përpara votimit parlamentar të Shqipërisë në maj.

    Hetimet po i drejton Zyra e Prokurorisë Speciale, një organ i mbështetur nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për të luftuar korrupsionin endemik në vendin e Adriatikut – dhe pjesë qendrore e aspiratave të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në BE.

    SPAK, siç njihet, ka vazhduar me mandatin e tij për të çmontuar strukturat e korruptuara dhe rrjetet e krimit të organizuar që kanë formësuar prej kohësh sistemin politik dhe ekonomik të Shqipërisë.

    Rama, i cili synon që ta bëjë hyrjen në BE themelin e trashëgimisë së tij, ka mbrojtur prej kohësh punën e SPAK. Por duke qenë se hetimet u kthyen te një bashkëpunëtor i ngushtë, toni i tij ka ndryshuar.

    Edhe pse ai këmbëngul se Partia e tij Socialiste nuk do të ndërhyjë, ai ka ngritur akuza kundër prokurorëve për tejkalim të kufijve të tyre dhe veprime pa përgjegjësi, duke e hedhur poshtë aktakuzën e Veliajt si një "roman 400 faqesh".

    Duke pasur parasysh pritshmëritë për Shqipërinë në Perëndim, Rama nuk po tregon asnjë shenjë se do të moderojë sulmet e tij. Ditët e fundit, ai ka shtuar sulmet ndaj SPAK-ut – në një moment ai mund të shihej në një video tashmë virale duke goditur me grushta – dhe lëshuar ​​një paralajmërim që SPAK të mos i drejtonte hetimin ndaj tij.

    “Kjo është shumë serioze! Shumë serioze! Shumë serioze!” u tha ai ligjvënësve në një mbledhje të partisë. “Më mirë të mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, sepse tashmë kanë mjaftueshëm.”

    Socialistët e Ramës janë rreshtuar plotësisht pas Veliajt, duke e cilësuar rastin si një përpjekje për të dobësuar qeverinë përpara zgjedhjeve të 11 majit. Zyrtarët e partisë i kanë bërë jehonë kritikave të Ramës ndaj SPAK-ut, duke argumentuar se hetimet synojnë në mënyrë disproporcionale figurat e partisë në pushtet, ndërsa injorojnë të tjerët. Partitë e opozitës e kanë kapur skandalin, duke thënë se ai nxjerr në pah korrupsionin në radhët e socialistëve.

    Ndërkohë, BE-ja ka riafirmuar mbështetjen e saj për SPAK-un si një spirancë në rrugën e Shqipërisë drejt bllokut 27-anëtarësh. “Reforma në drejtësi dhe ngritja e SPAK-ut janë një gur themeli i anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha këtë javë delegacioni i BE-së në Shqipëri.

    Shefi i SPAK-ut, Altin Dumani hodhi poshtë pretendimet për motivim politik, duke thënë se, ata që veprojnë në përputhje me Kushtetutën, “nuk kanë asgjë për të frikësuar”. Në vend të kësaj, ai sinjalizoi se hetimi mund të zgjerohet, duke vënë në dukje se SPAK ka juridiksion mbi krimet zgjedhore.

    Kjo mund të nxisë përshkallëzim të mëtejshëm – dhe më shumë telashe për Shqipërinë në përpjekjen e saj për t'u anëtarësuar në BE.

    Syri

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Der Standard: Sulment ndaj drejtësisë, Edi Rama një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri

    ‘Shqetësim serioz’: BE dënon sulmet e qeverisë ndaj SPAK pas arrestimit të Veliajt

    Përmes dy dokumenteve jozyrtare, Komisioni Evropian shpreh shqetësimin për protestat dhe sulmet e orkestruara nga mazhoranca ndaj SPAK pas arrestimit të Veliajt, por edhe për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe negociimin e drejtpërdrejtë të tenderave publikë.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Rama-Von-der-Leyen-.jpg

Shikime: 72

Madhësia:  21.7 KB
    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

    Komisioni Europian i sheh me shqetësim sulmet e orkestruara nga mazhoranca ndaj Prokurorisë së Posaçme pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj në shkurt të këtij viti, ndërsa kërkon që të mbrohet pavarësia e organeve të drejtësisë së re nga puna e komisionit “Xhafaj” në Kuvend.

    Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë ngrihet gjithashtu si problematikë për sundimin e ligjit në Shqipëri.

    Shqetësimet e Brukselit i janë shprehur qeverisë shqiptare përmes dy dokumenteve jozyrtare në mes të majit dhe në fillim të qershorit, si drafte paraprake të vlerësimit për ecurinë e reformave në kapitujt themelorë të negociatave, ku vendin kryesor e zë sundimi i ligjit.

    Në dokumentin paraprak që BIRN disponon, BE vë në dukje se pavarësisht përmirësimit të gjyqësorit në përgjithësi, janë shtuar përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të padrejtë dhe presion mbi sistemin gjyqësor.

    “Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në shkurt 2025, shkaktoi reagime të paprecedenta publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi SPAK dhe institucionet gjyqësore. Kjo përbën një shqetësim serioz,” thuhet në dokument.

    BE i referohet dhe dy ankesave të SPAK ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për dështimin për të forcuar sigurinë dhe për të mbrojtur stafin e SPAK gjatë një proteste përpara godinës së tij kundër arrestimit të Veliajt si dhe rasteve të presionit ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

    “Gjatë periudhës së raportimit, gjashtë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje – dy gjyqtarë dhe katër prokurorë. Prokuroria e Posaçme nisi një hetim penal për përpjekje për ushtrim presioni ndaj një magjistrati në një çështje që përfshinte një deputet,” thuhet në dokument.

    Komisioni Europian ka bërë një skaner të procesit të vetingut, funksionimit të gjykatave dhe problematikave në mungesën e burimeve njerëzore, ndërsa sjell në vëmendje dhe shqetësimet nëse propozimet ligjore për të rregulluar këto problematika nuk janë sipas standardeve europiane.

    Në draft-raportin e rrjedhur në media të martën flitet gjithashtu për ‘mangësi’ që lidhen me punën, metodologjinë, transparencën dhe gjithpërfshirjen e komisionit të posaçëm ‘anti-korrupsion’ i drejtuar nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.

    Kuvendi si institucioni më i lartë gjigjvënës kritikohet për nivel të dobët në mbikëqyrjen e ekzekutivit, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në mungesën e emërimeve të drejtuesve apo anëtarëve të disa institucioneve.

    Gjatë kësaj legjislature, mazhoranca socialiste këmbënguli në moszbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ku kërkohej dërgimi i mandatit të deputetet Olta Xhaçka për interpretim në këtë gjykatë, pasi bashkëshorti i saj u shpall nga qeveria “investitor strategjik”.

    “Kuvendi gjithashtu duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që ende nuk janë respektuar,” thuhet në vlerësimin e BE-së.

    Si pjesë e kapitujve themelorë janë dhe reformat në prokurimet publike, ku BE vijon të vendosë theksin në kontratat me negociim të drejtpërdrejtë të qeverisë, si një procedurë jotransparente.

    “Ligji i ndryshuar për Prokurimin Publik përmban një dispozitë kalimtare që i lejon Këshillit të Ministrave të autorizojë negociimin e drejtpërdrejtë të kontratave të shërbimeve në “fusha me interes strategjik” për një periudhë trevjeçare, çka ngre shqetësime mbi përputhshmërinë e saj me acquis-në e BE-së”- vërehet në dokumentin pararendës të draftraportit të BE-së për ecurinë e zbatimit të ligjit.

    Qeveria dhe mazhoranca nuk e kanë komentuar kritikat dhe sugjerimet e BE-së për ecurinë e negociatave në kapitujt themelorë, ndër një raport final zyrtar pritet të dalë në fillim të korrikut.

    Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla dhe nënkryetarja socialiste e komisionit për Çështjet Evropiane, Etilda Gjonaj, thanë se nuk ishin në dijeni sepse nuk kishte akoma një raport zyrtar.

    “Ky është një dokument paraprak që i vjen ministrisë së Drejtësisë dhe kjo ministri mbledh komentet e gjithë institucioneve dhe ia dërgon BE-së dhe pastaj përpunohet dhe bëhet publik një raport zyrtar për kapitujt themelorë,” tha Gjonaj duke sqaruar procedurën.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Kurti vazhdon kritikat ndaj sistemit të drejtësisë
    Nga Akuamarini në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 18-01-2025, 07:31
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-06-2024, 13:37
  3. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 19-05-2014, 17:13
  4. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 09-05-2013, 14:27
  5. Rasti « Ivanoviç » dhe perçmimi i drejtesise nderkombetare ndaj shqiptareve
    Nga Albanino në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-10-2002, 07:16

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •