Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    SPAK për banditët e Rilindjes Socialiste: Po ju monitorojmë në këtë fushatë elektorale!

    Strategjia e SPAK kundër korrupsionit zgjedhor dhe përfshirjes së krimit të organizuar

    Strategjia e publikuar nga Prokuroria e Posaçme tregon synimin për të hetuar në kohë reale problemet që lidhen me shit-bleren e votës, përdorimin e burimeve shtetërore si dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Dumani-Kuvend-.jpg

Shikime: 80

Madhësia:  25.7 KB
    Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit në Këshillin e Integrimit Europian. Foto: LSA.

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK publikoi të enjten më 20 shkurt strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore në zgjedhjet e 11 majit, vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama e sulmoi ngritjen e Task-Forcës si një “lajthitje” që cenonte sipas tij të drejtat e partive politike.

    Në strategjinë e publikuar, SPAK sjell në vëmendje se legjitimiteti i zgjedhjeve është faktor themelor në ruajtjen e shtetit të së drejtës dhe integritetit të procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në strategji evidentohet shqetësimi i vazhdueshëm i organizatave vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, Komisioni Evropian dhe Misioni Amerikan pranë OSBE-së, lidhur me veprat penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri.

    Konstatohet se konkluzionet e raporteve ndërkombëtare mbi zgjedhjet e zhvilluara në periudhën 2021-2023 evidentojnë si probleme kryesore blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike dhe presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës shtetërore; cënimin e sekretit të votës dhe paanshmërinë e medias.

    Një tjetër problem që pritet të jetë në vëmendjen e SPAK është edhe përfshirja e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Hetimet e kryera së fundmi ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja ekspozuan lidhjet e thella mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor – duke deformuar sipas ekspertëve votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit.

    Sipas SPAK, strategjia udhëhiqet nga qasja proaktive e hetimit dhe provueshmëria në kohë reale e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, duke synuar efekte konkrete për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pacenueshmërinë e të drejtës së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare 2025.

    “Nga ana tjetër, kjo strategji synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore,” thekson SPAK.

    Si objektiva të Prokurorisë së Posaçme përcaktohen identifikimi sa më i shpejtë i indicieve mbi krimet zgjedhore; parandalimin e ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe subjekteve private në procesin zgjedhor; përmirësimin e kapaciteteve hetimore për të ndjekur krimet zgjedhore; ndërgjegjësimin dhe edukimin e publikut mbi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet hetimore dhe rolin e tyre ndërveprues në parandalimin e krimit zgjedhor; rritjen e bashkëpunimit me institucionet publike, shoqërinë civile, median dhe çdo subjekt privat për të parandaluar veprat penale në kuadër të zgjedhjeve; parandalimin e ndikimit të jashtëm dhe manipulimit.

    Për të mundësuar zbatimin e strategjisë, është parashikuar që të ngrihet një grup hetimor që do të përbëhet nga një strukturë qendrore dhe grupet hetimore që do të veprojnë në terren për të monitoruar në kohë reale situatat e dyshuara; që të identifikojnë individët dhe anëtarët e krimit të organizuar të përfshirë në korrupsion në zgjedhje; për monitorimin e përdorimit të buxhetit, investimeve dhe infrastrukturës publike, të cilat nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme, etj..

    Për të parandaluar krimet zgjedhore, kërkohet bashkëpunimi me publikun, gazetarët e mediat, si dhe shoqërinë civile, me qëllim denoncimin e rasteve të dyshuara. Po ashtu, parashikohet që të mundësohet komunikimi në kohë reale me publikun dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve; si dhe të ngrihet një platformë në faqen zyrtare të SPAK, për denoncimin e rasteve.

    SPAK synon gjithashtu, që të identifikojë zonat ku janë shfaqur më parë raste të veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, që të përqëndrojë aty burime hetimore.

    Në strategjinë e SPAK janë evidentuar edhe vështirësitë që parashikoht se mund të hasen gjatë hetimeve të krimeve zgjedhore. Konsiderohet si sfidë hetimi i veprave penale të lidhura me votimin e diasporës, me argumentin se do të nevojitet bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese të vendeve të tjera, ç’ka do të mund të shtonte kompleksitetin procedural dhe vonesa në hetime. Tjetër penegesë që evidenton prokuroria janë rritja e denoncimeve në kohë fushate, si dhe mundësia që hetimi i krimeve zgjedhore mund të jetë subjekt i presioneve politike dhe ndërhyrjeve të ndryshme të jashtëligjshme, duke synuar devijimin ose vonesën e hetimeve.

    Një tjetër flamur i kuq që ngre SPAK lidhet me mundësinë e keqinformimit të opinionit publik nga ana e medias nëpërmjet lajmeve të pavërteta mbi hetimet e krimeve zgjedhore apo edhe denoncimet e rreme që mund të devijojnë fokusin nga rastet reale.

    Si një sfidë madhore vlereësohet të jetë ndikimi i krimit të organizuar në zgjedhje.

    “Grupet kriminale, për interesat e tyre të paligjshme shpesh ndërhyjnë në procesin zgjedhor përmes kërcënimeve, manipulimeve financiare, korrupsionit të zyrtarëve zgjedhorë, etj”, citohet në strategji dhe nënvizohet se për t’u përballur me këtë fenomen kërkohet koordinim mes SPAK, Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

    BIRN
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK për banditët e Rilindjes Socialiste: Po ju monitorojmë në këtë fushatë elektorale!

    Ilirjan Celibashi pret Altin Dumanin dhe Olsian Çelën në KQZ

    Emri:  celi-2.jpg

Shikime: 72

Madhësia:  28.0 KB

    Sot, në mjediset e KQZ, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi firmosën Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Ky protokoll synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025 dhe parashikon masa të koordinuara për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.

    Koha YouTube Channel
    Protokolli synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve për të siguruar një shkëmbim të shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale zgjedhore. Në këtë kontekst, angazhimi i përbashkët i palëve nënshkruese do të mundësojë koordinimin efektiv të veprimeve hetimore, duke krijuar mekanizma të qëndrueshëm për monitorimin dhe ndjekjen ligjore të çdo rasti që cënon procesin zgjedhor.

    Përmes këtij kuadri bashkëpunimi, institucionet pjesëmarrëse angazhohen të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për forcimin e sistemit të drejtësisë zgjedhore, duke siguruar një proces elektoral të drejtë dhe të pandikuar nga elementë të jashtëm.

    Me nënshkrimin e këtij protokolli, synohet rritja e transparencës, forcimi i besimit publik tek procesi zgjedhor dhe krijimi i një mjedisi ku shkeljet zgjedhore parandalohen dhe ndëshkohen në mënyrë efektive. Ky bashkëpunim do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve, për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të ndershëm, në përputhje me parimet demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian.

    Koha Jone

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK për banditët e Rilindjes Socialiste: Po ju monitorojmë në këtë fushatë elektorale!

    Edhe një herë kundër Prokurorisë/ Frika e Ramës nga përgjimet në zgjedhje

    E quan "lajthitje" hetimin e krimit zgjedhor, si u përgjua me policin që blinte vota në Dibër

    Emri:  rama-edi-1140x570.jpg

Shikime: 74

Madhësia:  24.4 KB

    Në udhëzimin e fundit që Prokuroria e Përgjithshme miratoi për zgjedhjet e 11 Majit qëllimi është i qartë: të godasë krimet zgjedhore, të ndalojë manipulimin e votës dhe të hetojë cilindo që tenton të deformojë vullnetin e qytetarëve. Hetime të këtij lloji ka pasur thuajse në çdo proces votimi, por vitet e fundit ato kanë qenë sporadike, ndërsa “viktimat” kanë qenë gjithnjë në radhët e më të dobëtit, aq sa është krijuar përshtypja se votat në Shqipëri i blen opozita, por zgjedhjet i fiton mazhoranca.

    Ndryshimi është se në këto zgjedhje struktura hetuese do të jetë e veçuar dhe do të ketë bashkëpunim të dedikuar me SPAK, në rast se nga hetimet dalin politikanë apo pjestarë të grupeve kriminale.

    “Prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm sigurojnë koordinim të shpejtë dhe efektiv për hetimin e rasteve me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke shkëmbyer informacion të plotë, në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt për veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe autorët e tyre” thuhet në udhëzim.

    Ky akt i Prokurorisë (Udhëzimi i plotë këtu) i hap rrugën një hetimi të gjerë mbi krimet elektorale, përfshirë ndjekjen penale të manipulimeve të votës, blerjen e saj dhe përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. Për herë të parë, Prokuroria e përfshin si mekanizëm edhe përdorimin e mjeteve speciale të hetimit – përgjime, survejime dhe ndjekje operative – për të goditur rrjetet kriminale që ndikojnë në procesin zgjedhor.

    Për më tepër në një marrëveshje bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë, (marrëveshja e plotë këtu) tashmë qartesohet se metodat e punës kundër manipulimit të votës do të përfshijnë “veprime të posaçme si kontrolle, sekuestrime, vëzhgime, përgjime, dhe ndalime/arrestime në raste të nevojshme”.

    Por sapo ky udhëzim u bë publik, duket se në qeveri u ndez alarmi. Kryeministri Edi Rama reagoi me tone të ashpra, duke e cilësuar këtë masë si një “survejim të partive politike” dhe një rrezik për liritë demokratike. Në një deklaratë të mbushur me paralajmërime, (VIDEO KETU) ai tha:

    “Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor, sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet.”

    Pra, për kryeministrin, ndjekja penale e krimeve zgjedhore dhe hetimi i atyre që mund të abuzojnë me pushtetin gjatë fushatës janë të barasvlershme me një “kohë të errët”. Në të njëjtën deklaratë, ai vijoi duke thënë se çdo institucion duhet të qëndrojë në “llogoren e vet kushtetuese”, duke e quajtur përfshirjen e drejtësisë në hetimin e zgjedhjeve si “ndërhyrje flagrante në të drejtat politike të shqiptarëve”.

    Por kujt po i frikësohet realisht Edi Rama?

    Historia e krimeve zgjedhore në Shqipëri është e gjatë, por një nga rastet më flagrante mbetet ai i zgjedhjeve të pjesshme në Dibër në vitin 2016. Kur gazetat gjermane publikuan përgjimet e dosjes 184, e cila për vite me radhë u mbajt e kyçur në sirtarët e prokurorisë, shqiptarët dëgjuan me zë një realitet të njohur, por kurrë të ndëshkuar: kryeministri Edi Rama duke telefonuar Arben Keshin, një zyrtar i policisë që përgjohej sepse shpërndante para për vota, për t’u siguruar që fitorja e Partisë Socialiste ishte e garantuar. Në atë bisedë, Rama e pyeste Keshin nëse gjithçka ishte nën kontroll:

    Përgjimi 1- Biseda e Edi Ramës me Arben Keshin

    Arben Keshi: Hë shefi

    Edi Rama: Hë mo si duket?

    Arben Keshi: Po mirë tek pritshmëritë jemi.

    Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?

    Arben Keshi: Them se po, bazuar në ato që po na thonë komisionerët.

    Edi Rama: Ashtu është?

    Arben Keshi: Po them që po. (audio KËTU)

    Një kryeministër që kërkon të sigurohet që “gjithçka është në vijë” në zgjedhje, duke biseduar me një drejtor policie, nuk Ishte thjesht një lapsus politik. Është një provë e qartë se shteti ishte në shërbim të fitores elektorale. Dhe sot, kur Prokuroria propozon që këto mekanizma të hetohen dhe të ndëshkohen, Rama e konsideron rikthim në “kohë të errëta”.

    Nëse zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, nëse askush nuk blen vota apo nuk përdor shtetin për të favorizuar një forcë politike, atëherë përse ky shqetësim i kryeministrit? Pse një udhëzim që synon të ndalojë manipulimin e zgjedhjeve konsiderohet “survejim politik”?

    Përgjigja është e thjeshtë: për këdo që ka ndërtuar pushtetin mbi një sistem klientelist dhe kontroll të plotë të procesit zgjedhor, çdo përpjekje për të vendosur rregulla të barabarta është një kërcënim. Ndoshta jo direkt për Edi Ramën, por për të gjithë ata deputetë dhe politikanë socialistë që shpesh duhet të përmbushin kërkesat e disa prej bandave më të rrezikshme në vend për të siguruar fitoren në zgjedhje.

    Ndaj, kur prokuroria përpiqet të hetojë, politika kërkon ta frikësojë.

    Por pyetja që mbetet është: a do të guxojë Prokuroria të shkojë deri në fund? Apo do të ndodhë si me dosjen 184, që u varros në arkivën e vjetër të gjykatës së Dibrës, ndërsa personazhet e përgjuar aty vijojnë të mbajnë poste kyçe në pushtet?

    Këtë herë, shpresa është se përgjigjen nuk do ta marrin nga telefonatat e fushatës, por në bankën e të akuzuarve.

    Lapsi.al

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK për banditët e Rilindjes Socialiste: Po ju monitorojmë në këtë fushatë elektorale!

    Fushata në Berat: Presion për vota dhe akuza për keqpërdorimin e administratës

    Edhe pse socialistët fitojnë prej vitesh në qarkun e Beratit, fushata e këtij viti ka nisur e trazuar nga akuzat për presion mbi administratën, bizneset dhe diasporën ndaj Partisë Socialiste.

    Nga Erjola Azizolli

    Emri:  IMG_6668.jpg

Shikime: 68

Madhësia:  30.7 KB
    Fushata elektorale e Partisë Socialiste në Berat

    Më 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, dyqani me lule në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në hyrje të qytetit të Beratit ishte i mbushur plot me blerës. Pronari i dyqanit, një djalë rreth të 30-ve nxiton të shpërndajë porosi me buqeta me trëndafila, ndërsa i gëzohet klientelës.

    “Sot kemi pak punë, se ditët e tjera mezi nxjerrim detyrimet e shtetit”, thotë i riu, ndërsa shton se pa filluar mirë fushata elektorale, bizneset e vogla si dyqani i tij i luleve, po përballen me presion.

    ”Presione kështu hapur fare nga zyrat e taksave, tek sigurimet, jo për kë do votojë familja, për kë do votosh ti”, thotë i riu, ndërsa kërkon të jetë anonim.

    Tregtari i luleve nuk ka asnjë lidhje me politikën lokale apo me atë qendrore, por megjithatë është i bezdisur nga kontrollet e vazhdueshme.

    “Po t’i gjejnë lidhjet ata dhe bëjnë presion, se të kontrollojnë për dokumentet e biznesit, numrin e punëtorëve. Por le të kontrollojnë po të duan, unë dhe një punëtor që shpërndante lulet e hoqa, se nuk e paguaja dot. Tani i shpërndaj vetë”, shton ai.

    Situata duket e ngjashme edhe në Skrapar, ku banorë dhe punonjës të administratës me të cilët BIRN foli pohojnë se janë në presion për të siguruar vota apo lista me votues nga diaspora.

    “Po këta presionet i kanë të tyret, nuk janë zgjedhjet e para që ne kemi këtë klimë të ashpër, të gjithë kërkojnë votën majtas, hapur në rrugë, në biznese dhe kudo” u shpreh për BIRN Hajredin Bakiasi nga Skrapari.

    Ai thotë se në Skrapar, administrata publike është vënën në presion për të siguruar vota në shërbim të zgjedhjeve. “Ose bëj vota ose largohu, këtë e dëgjojmë nga punonjësit e administratës, të cilët çdo fundjavë udhëtojnë drejt të afërmve emigrantë për të bërë fushatë, por nuk flasin se i heqin nga puna”, shtoi Bakiasi për BIRN.

    Presionet ndaj biznesit dhe administratës në Berat u denoncuan edhe dega e Partisë Demokratike. “Javët e fundit kemi mjaft dëshmi dhe informacione mbi rritjen e presionit tek bizneset, drejtues të të cilave u kërkohen vota për Partinë Socialiste, në të kundërtën u thuhet se do të përballen me morinë e inspektorateve qendrore dhe bashkiake,” tha për BIRN Shyqyri Dura, kryetar i degës së PD-së Berat.

    Sipas opozitës, abuzimet janë të dukshme e kanë filluar që në çastin kur administrata ka rritur ndjeshëm numrin e punonjësve të saj. “Në të kundërt të asaj që u premtua në reformën territoriale, pikërisht për t`i përdoruar ata në fushatë elektorale si patronazhistë, Bashkia Berat ka rritur ndjeshëm numrin e stafit”, tha Dura.

    Sipas tij, fryrja e administratës publike ka nisur që pas vitit 2020, duke vijuar vit pas viti. “Nga 686 të punësuar në fund të vitit 2020, numri ka arritur në 816 në vitin 2024, që do të thotë 130 punonjës shtesë, të paguar nga taksat tona”, shtoi Dura.

    Bashkia e Beratit nuk iu përgjigj pyetjeve nga BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi, por Donald Molishti, anëtar i kryesisë së PS-së, thotë se akuzat nuk qëndrojnë. “Asnjë presion mbi administratën sa i përket votës së diasporës. Dhe nuk ka absolutisht fryrje të numrit të punonjësve në Bashki dhe askund tjetër”, thotë Molishti.

    Ai këmbëngul se formularët e shpërndarë dhe regjistrimi i emigrantëve, bëhet për të ndihmuar këta të fundit të votojnë. Ai thotë se akuzat nuk qëndrojnë dhe se po përdoren si justifikim për humbjen. “Situata në qark është tejet e qetë. Është e njëjta retorikë që vjen nga i njëjti kah. Janë pikërisht ata që parashtrojnë humbjen dhe e presin teksa ndodh,” tha Molishti për BIRN.

    Namir Lapardhaja, njohës i politikës lokale thotë se ajo që ndodh në qarkun e Beratit është një vijim i politikës qendrore. “Nën shembullin e kryeministrit Edi Rama, përdorimi i administratës lokale është shndërruar në një precedent të rrezikshëm në Shqipëri. Presioni me bukën e gojës dhe me vendin e punës, është një gangrenë dhe një fatkeqësi e madhe,” tha Lapardhaja.

    Ai theksoi gjithashtu se administrata është e detyruar të zbatojë porositë që i jep partia, pasi ka një bashkim të shtetit me pushtetin.

    “Precedenti i emërimit të kryetarëve të bashkive si drejtues politikë në nivel qarku, i ka ‘detyruar’ ata që të bëjnë presion ndaj administratës, në mënyrë që të justifikojnë besimin përpara kryetarit të madh të partisë, ndërsa administrata, nga ana e saj, të legjetimojë vendin e punës me votues të sigurt,” shtoi ai.

    Lapardhaja thotë se formularët e shpërndarë për të “mbledhur” votë të diasporës janë të ngjashëm me skemën e patronazhimit që u ekspozua në Tiranë në zgjedhjet e shkuara. Por sipas tij, detyrimi i administratës që të plotësojë këto formularë e ka kthyer këtë të fundit në një “shërbëtor në funksion të partisë”.

    “Është e qartë se administrata është nën presion të madh nga eprorët, nga drejtuesit dhe nga PS-ja, duke qenë se është mandati i katërt dhe në kushte normale, nuk ka njerëz që do të votonin me dëshirën e tyre”, përfundoi ai.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 05-11-2024, 11:56
  2. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 03-05-2021, 14:06
  3. Partia e Bamir Topit i bashkohet Rilindjes Socialiste
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 03-04-2015, 07:24
  4. Shprehjet e politikes dhe politikaneve ne kete fushate zgjedhore.
    Nga DYDRINAS në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-06-2013, 17:00
  5. Fushate elektorale
    Nga "KINGU-1" në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 22-10-2003, 09:26

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •