Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Ngushtohet laku i drejtësisë: SPAK godet Bajrat, krahun e armatosur të Edi Ramës në Shkodër

    SPAK godet “Bajrat”, krahun e armatosur të PS në Shkodër

    Prishen ekuilibrat e bandave kriminale tre muaj para zgjedhjeve

    Emri:  WhatsApp-Image-2025-02-21-at-14.36.56-1.jpg

Shikime: 58

Madhësia:  35.4 KB

    Meqënëse të mërkurën në mbrëmje, iu prezantua shqiptarëve si një i ftuar në studion e Top Story në ekranin e Top Channel, ndërkohë që duhej të ishte në qelitë e paraburgimit, forcat RENEA i dhuruan Safet Bajrit një prezantim tjetër tek të gjitha ekranet e televizioneve njëherësh.

    Vetëm se kësaj radhe, teksa parakalonte nën objektivin e kamerave, imazhi i Safet Bajrit ishte një tjetër: me duart e prangosura nga pas dhe i shoqëruar nga dy efektivë me maska, që e mbanin nga krahët. Ndaj kur pa suprizën e hidhur në hyrjen e Drejtorisë së Policisë, Safet Bajri s’mund të bënte tjetër, veçse ta përcillte me një buzëqeshje. Foto më poshtë:

    Kanë mbetur më pak se tre muaj nga dita e votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në 11 Maj dhe urdhri i SPAK për arrestimin e Safet Bajrit, emër i njohur i botës së krimit në Shkodër, nuk është thjesht një aksion rutinë kundër krimit të organizuar, por një goditje e drejtpërdrejtë në zinxhirin e lidhjeve mes krimit dhe politikës.

    Hakmarrja mes Bajrave dhe fisit Lici

    SPAK pretendon se ka të dhëna që provojnë përfshirjen e Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe mikut të tyre, Astmer Bilalit në ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër në vitin 2018.

    Në njoftimin që nxorri për mediat, SPAK ka konfirmuar se autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje janë pikërisht emrat e mësipërm.

    Fatbardh Lici, i vrarë në 10 gusht 2018 është vëllai i Mustafa Licit, familja e të cilëve është përfshirë në një zinxhir vrasjesh me fisin Bajri.

    Rreth një muaj para vrasjes së Fatbardh Licit, ishte gjetur i vrarë Boran Berçana dhe bashkëjetuesja e tij, Silva Ndoci në një atentat të bujshëm që sipas SPAK, dyshohet se kishte lidhje me të njëjtin konflikt. Zinxhiri i vrasjeve mes dy grupeve numëron disa të vrarë dhe e ka mbajtur Shkodrën nën terror tashmë prej vitesh.

    Një goditje kundër krahut të armatosur të PS-së në Shkodër?

    Izolimi i Bajrit nuk ka vetëm peshë penale, por edhe politike. Ky është edhe një sinjal që SPAK nuk kompleksohet më, për të prishur ekuilibrat mes bandave kriminale në Shkodër, pavarësisht se kujt i shërbejnë ata.

    Angazhimi i grupit “Bajri” në ndihmë të Partisë Socialiste në zgjedhje, nuk është një mister. Prova më e flagrante janë filmimet që publikoi Partia Demokratike për zgjedhjet e 14 majit 2023, kur anëtarë të këtij grupi u filmuan në ditën e zgjedhjeve se si inspektonin situatën nga një qendër votimi në tjetrën, të shoqëruar me një funksionar të PS-së në Shkodër.

    Mbrojtjen politike të Safet Bajrit e ka konfirmuar edhe ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pas një operacioni të arrestimit në vitin 2019, Xhafaj u shpreh: “Ky grup ka pasur influence shtetërore në kohëra të ndryshme ndër vite, madje edhe në polici. Në kohët e fundit ne kemi punuar shumë që t’ia heqim këtë influence”

    Mbështetja e tyre për Benet Becin ishte pjesë e skemës së ndikimit të votës në këtë qark, ku grupet kriminale kanë pasur gjithmonë një rol kyç.

    Pavarësisht se Safet Bajri u përpoq të mohojë çdo lidhje me PS-në, duke pretenduar se kishte pasur kontakte vetëm me Partinë Demokratike si vëzhgues zgjedhor në vitin 2013, faktet tregojnë të kundërtën. “Një herë të vetme në jetën time, në vitin 2013 kam qenë vëzhgues në krah të Bardh Spahisë në zgjedhje. Kam ik jashtë shtetit. Jam kthyer në 2017, jam liruar në 2018”, deklaroi ai së fundmi për Top Channel. Megjithatë, rrethanat flasin ndryshe: grupi Bajri ka pasur gjithnjë raporte të ngushta me segmentet lokale të PS-së, dhe ky bashkëpunim nuk ka ndodhur rastësisht.

    Metamorfoza e Bajrave: Nga rruga, te pushteti

    Emri:  800-0-1734003721xbajri-184-750x375-1.jpg

Shikime: 54

Madhësia:  27.9 KB

    Dosja “Metamorfoza”, në bazë të së cilës janë bisedat në SKY ECC zbuloi se “Bajrat” nuk ishin thjesht një bandë rrugësh, por ata kishin mundur ta shtrirjnë pushtetin e tyre në disa prej institucioneve kryesore ligjzbatuese.

    Përgjimet e SKY ECC provuan se një prej emrave të njohur të grupit Behar Bajri kishte lidhje të forta me shefa policie, prokurorë dhe biznesmenë të fuqishëm në Shkodër, që i siguronin mbrojtje dhe favore në operacionet e tyre.

    Bisedat e publikuara tashmë tregojnë se krerë të policisë vendase paralajmëronin anëtarë të grupit para aksioneve, ndërsa prokurori i arrestuar, Xhevahir Lita vononte dosjet ose i manipulonte provat.

    Akuzat për lidhjet mes Bajrave dhe PS nuk janë të reja. Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar për vite lidhjet mes krimit dhe pushtetit, duke theksuar se “bandat janë aleatët kryesorë të Rilindjes”. Ai ka akuzuar Bajrat si “milicë të PS-së në Shkodër”, duke pretenduar se ata garantonin vota me metoda kriminale.

    Megjithatë, eksperienca e këtyre 12 viteve të fundit na ka mësuar për një rregull të pashkruar, sipas të cilit funksionon marrëdhënia mes pushtetit dhe krimit; se kur një bandë bie, një tjetër është gati për të marrë frenat e pushtetit. Arrestimi i Safet Bajrit mund të jetë lëvizja e parë e këtij mekanizmi, që ripërsëritet njësoj, nga një qytet në tjetrin.

    Lapsi.al

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ngushtohet laku i drejtësisë: SPAK godet Bajrat, krahun e armatosur të Edi Ramës në Shkodër

    Safet Bajri arrestohet nga SPAK me akuzat e vrasjes dhe grupit të strukturuar

    Safet Bajri (Rustemi), i dyshuar si një nga figurat kryesore të krimit të organizuar në Shkodër, u arrestua me vendim të Gjykatës së Posaçme me akuzën e vrasjes së Fatbardh Licit në vitin 2018 dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Safet-Bajri-1-1-2048x1367.jpg

Shikime: 46

Madhësia:  37.4 KB
    Safet Bajri (Rustemi) pas arrestimit nga forcat speciale. Foto: LSA.

    Safet Bajri, i akuzuar si një ndër eksponentët kryesorë të krimit të organizuar në Shkodër u arrestua mesditën e së premtes në qytetin e tij dhe u transferua nga forcat speciale në drejtim të Tiranës, pas një mase arresti të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme më 17 shkurt 2025.

    I rrethuar nga policë të maskuar dhe të armatosur, Bajri pozoi i qeshur përballë kamerave.

    Arrestimi i Bajrit u realizua pas një kontrolli të mëparshëm të dështuar në shtëpinë e tij.Avokati i Bajrit, Sokol Tahiraj i tha gazetarëve se klienti i tij ishte paraqitur vetë në Policinë e Shkodrës, ku i ishte bërë e qartë se duhej të shkonte në Tiranë për të dorëzuar një kampion AND-je.

    “Është paraqitur këtu dhe i është bërë prezent për të marrë kampionin e AND-së me vendim gjykate. Ne atë moment i është prezantuar dhe një masë sigurimi tjetër, e cila është për një çështje që është gjykuar njëherë,” tha Tahiraj.

    Prokuroria e Posaçme konfirmoi përmes një njoftimi për shtyp se ndaj Bajrit ishte miratuar një masë e re arresti me burg nga Gjykata e Posaçme për akuzat e “vrasjes me paramendim” të Fatbardh Licit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 si dhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Masa arresti për këtë ngjarje u lëshuan edhe ndaj Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit, të cilët ndodhen në qeli.

    Safet Bajri dhe bashkëpunëtorë të tij u arrestuan në vitin 2018 për akuza të lidhura me krimin e organizuar, por dosja u shfry më pas në gjykatë dhe ai qëndroi në burg vetëm për një kohë të shkurtër.

    Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, ish-Prokuroria për Krime të Rënda ngriti një mori akuzash, mes të cilave përfshirje në gjobëvënie, lotari të paligjshme e trukim ndeshjesh si dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm mbi administratën shtetërore – krime që u konsideruan se ishin kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

    Por gati dy vjet pas nisjes së hetimeve, drejtësia dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja u dërgua me akuza të rrudhura në gjykatë – ç’ka solli më pas kalimin për kompetencë në Gjykatën e Shkodrës.

    Në majt të vitit 2020, në zbatim të urdhërimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Shkodrës zhvilloi seancën për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi, për “shuarje dhe caktim mase” ndaj të ndaluarve si anëtarë të grupit “Bajri”, duke lënë të lirë shumicën e tyre. Çështja u mbyll me dënime minimale për “Organizim të llotarive të palejuara në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe Safet Bajri u lirua nga burgu në mars të vitit 2023.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ngushtohet laku i drejtësisë: SPAK godet Bajrat, krahun e armatosur të Edi Ramës në Shkodër

    Vrasja e Fatbardh Licit, ja mesazhi që mbërriti tek Licët


    Emri:  IMG_8415-640x375.png

Shikime: 26

Madhësia:  358.9 KB

    Permes një kombinimi përgjimesh, SPAK ka arritur të ngrejë dyshime të forta se autorë të vrasjes së Fatbardh Licit, janë Behar Bajri, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe një vajzë e botës së show-biz, Eria Ago.

    Në dosjen hetimore jepet dhe dëshmia e Mustafa Licit, vëllait të viktimës, Fatbardh Lici, i cili tregon një mesazh domethënës që ka marë nga shtetasi G. J, një ditë pas vrasjes.

    Mësuar se Mustafa Lici ka deklaruar se një ditë pasi i është vrarë vëllai shtetasi G.J e ka telefonuar duke i kërkuar ta takojë e më tej i ka treguar se i kishte shkuar një një fuoristradë e zezë me dy persona me të dhe i kanë lënë porosi ti thotë që gjakun e kanë të line….”.

    Të njëjtën deklaratë Mustafa Lici i ka kërkuar ta thotë sërisht kur të ishte present dhe sokoli dhe më tej kanë biseduar të tre në një kafe ku dhe shtetasi G.j tregoi sërish bisedën.

    Ndërkohë nga përgjimet që janë në dosje, familjarët e Fatbardh Licit, sipas komunikimeve të rezultuara, dyshojnë se autorë të mundshëm të vrasjes janë personat nën hetim.

    Gjithashtu në dosjen hetimore thuhet se Arma pistoletë me të cilën është vrarë Fatbardh Lici, rezulton të jetë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur në Shkodër në vitin 2014, për të cilin është arrestuar dhe më pas lënë i lirë, A. Raja. Kjo e dhënë ka dalë nga ekspertiza e armës

    Nga verifikimet e bëra për A. Raja, dyshohet të këtë pasur lidhje shoqërore e ngushtë e Gjin Ndoj dhe kanë qenë të pranishëm në datën 9 gusht 2018, në një festë në Tiranë së bashku me Safet Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon.

    Kjo e fundit, e cila është e dashura e personit nën hetim Safet Rustemi, ka deklaruar në 2018 se gjatë kohës që ka ndodhur vrasja e Fatbardh Licit, ka qenë në Tiranë dhe se nuk ka qenë në Shkodër dhe se nuk e ka përdorur asnjëherë makinën e Astmer Bilalit.

    Nga të dhënat e përftuara nga përgjimet dhe tabulatet e numrit telefonik celular qe ka disponuar Eria Ago, rezulton e kundërta.

    Nisur nga kjo situatë SPAK e konsideroi të arsyeshme arrestimin e saj.

    LAPSI

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ngushtohet laku i drejtësisë: SPAK godet Bajrat, krahun e armatosur të Edi Ramës në Shkodër

    Vrasja e Fatbardh Licit/ Çfarë e tradhtoi ish-missin dhe Safet Bajrin

    Emri:  800-0-1741944725xbajri-404-750x375.jpg

Shikime: 26

Madhësia:  26.0 KB

    Herët në mëngjes më 10 gusht 2018, Safet Bajri, i njohur si i forti i Dobracit, u nis nga Tirana bashkë me të dashurën e tij, Eria Ago, ish-miss dhe Astmer Bilalin, pasi kishte planifikuar vrasjen e Fatbardh Licit.

    Në Lezhë mbërrijnë në orën 06:11, prej andej në Shkodër.

    Sipas SPAK, dyshohet se Safet Bajri dhe Bilali marrin automjetin e vjedhur dhe afrohen te lokali që Sokol Lici kishte me qira.

    Aty pinte çdo mëngjes vëllai i Sokolit, Fatbardh Lici.

    Këtë të fundit e qëllojnë me breshëri kallashnikovi, duke e lënë të vdekur në vend.

    Pas vrasjes, mjeti ka lëvizur në drejtim të Dobracit, ku ka hyrë në rrugicën që të çon te lokali i Bajrave, ku dyshohet të ketë zbritur Safet Bajri.

    Më pas, Astmer Bilali djeg automjetin që përdorën në vrasje.

    Njëzet minuta më vonë, është Eria Ago, e dashura e Safetit, që drejtonte automjetin me të cilin janë larguar.

    Para hetuesve, vajza ka deklaruar se ka qenë në Tiranë kur ka ndodhur vrasja, por në fakt ka gënjyer, pasi shfaqet në pamjet filmike në Shkodër 20 minuta pas atentatit ndaj Licit.

    Për këtë arsye, SPAK ka firmosur urdhër-arrest ndaj saj dhe ajo ka përfunduar në pranga, nën dyshimet për krijim të kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje të autorëve të krimit.

    Sipas hetuesve, ka dyshime se ajo kishte dijeni për ngjarjen. SPAK thotë se ishte Behar Bajri që përplasi Ibrahim Licin e Astmer Bilalin.

    Fatbardh Licin e vranë në shenjë hakmarrjeje, pasi dyshonin se Ibrahimi kishte vrarë mikun e tyre, Boran Bërcana, dhe partneren e tij, Silvi Ndoci. Boran Bërcana dyshohej si autor i atentatit me tritol ndaj Pellumb Kullës, dhëndrit të Licëve.

    Bërcana ishte shok me Gjin Ndojin, që u vra, sipas SPAK, nga Behar Bajri. Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali janë tashmë zyrtarisht të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit.

    Ata u tradhtuan nga kamerat e sigurisë në qytet dhe, në çdo lëvizje, u fokusuan.

    Analizimi i pamjeve filmike dhe provave të tjera ka bindur hetuesit se Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali janë autorë të vrasjes.

    LAPSI

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ngushtohet laku i drejtësisë: SPAK godet Bajrat, krahun e armatosur të Edi Ramës në Shkodër

    DOSJA E GJAKUT: Vrasja e Fatbardh Licit dhe hijet e krimit që trazojnë Shkodrën

    Një femër e përfshirë në atentat, Eria Ago arrestohet me urdhër të SPAK

    Emri:  eria-ago-1140x570.jpg

Shikime: 26

Madhësia:  25.5 KB

    Një mëngjes i zakonshëm në Shkodër. Ora shënon 07:00, datë 10 gusht 2018. Një lokal i vogël, një kafe e zakonshme në pronësi të Sokol Licit. Ulur aty vëllai i tij, që ndiqte rutinën e përditshme, pa e ditur se po numërohen minutat e fundit të jetës së tij. Është Fatbardh Lici, një emër që për qytetin verior nuk është një individ i thjeshtë, por një hallkë në zinxhirin e përgjakshëm të një hakmarrjeje që nuk ka të mbaruar.

    Pamjet filmike të sigurisë shfaqin një automjet tip ‘Benz’ që afrohet në heshtje. Nga dera e pasagjerit, një burrë zbret me një lëvizje të shpejtë dhe të kalkuluar. Brenda sekondave, breshëritë e plumbave shpojnë trupin e Licit duke e lënë të pajetë.

    Ekzekutimi është klinik: asnjë mëdyshje, asnjë gabim. Vrasësit rikthehen në makinë dhe largohen si fantazma, duke zhdukur gjurmët pas një operacioni të mirëorganizuar.

    SPAK: Fijet e krimit çojnë te Safet Bajri dhe e dashura e tij, Eria Ago

    Emri:  auto_foto-e-pare1-1-640x4661741952341-1.jpg

Shikime: 26

Madhësia:  29.7 KB

    Në dosjen voluminoze të SPAK, del një emër surprizë: Eria Ago, e dashura e Safet Bajrit, një nga figurat kryesore të botës së krimit në Shkodër.

    Emri i saj nuk përmendet në rolin klasik të “shoqërueses”, por si një personazh me një rol kyç në mekanizmin vrasës. Ajo është e dyshuara kryesore si drejtuesja e makinës që transportoi vrasësit e Fatbardh Licit drejt Shkodrës dhe më pas ndihmoi një nga ekzekutorët të largohej drejt Tiranës.

    Eria Ago rezulton pronare e një dyqani në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë dhe u arrestua nga policia disa ditë pas partnerit të saj Safet Bajri. Ajo po qëndron në burgun e grave në Pojskë të Pogradecit, ndërsa ka mohuar akuzat për pjesëmarrje në vrasje.

    Sipas përgjimeve dhe tabulateve telefonike, 20 minuta pas vrasjes, një bisedë telefonike konfirmon praninë e Eria Agos në timonin e ‘Benzit’ me targë AA 989 TE. Në makinë janë Safet Bajriti dashuri i saj dhe Astmer Bilalit, një tjetër personazh i krimit, pjesë e asaj që quhet banda e Bajrave.

    “Fakti që Astmer Bilali dhe Safet Bajri kanë udhëtuar në të njëjtën makinë të drejtuar nga e dashura e këtij të fundit, drejt Shkodrës, në orët e para të mëngjesit të datës 10 gusht, provohet edhe nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë në lokacione të ndryshme ku ata kanë lëvizur.”

    Pas ekzekutimit, Safet Bajri qëndron në Shkodër. Astmer Bilali djeg makinën dhe largohet, telefonat fshihen dhe lëvizjet precize dëshmojnë për një operacion të ekzekutuar me kujdes.

    Në dosjen e SPAK thuhet: “Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja Eria Ago. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit.”

    Një makinë, një rrugë pa kthim

    Emri:  safet-bajri-eria-ago-makina-lici-1024x576-1.jpg

Shikime: 25

Madhësia:  28.6 KB

    Pas vrasjes, sipas hetimeve, Astmer Bilali është transportuar me makinën e Eria Agos drejt Tiranës. Ndalesa e parë? Një komunikim me Denis Brajoviqin, ku i kërkon t’i lërë një makinë tjetër, një ‘Volksëagen’ me targa AA 383 PN. Vetëm pak minuta më vonë, ai largohet në drejtim të Vlorës, duke krijuar një distancë akoma më të madhe vendin e krimit.

    Në dosje ky itinerar përshkruhet me detaje: “Pasi kanë kryer vrasjen, personi nën hetim Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi në hetim Astmer Bilali është larguar menjëherë për në Tiranë së bashku me shtetasen Eria Ago Pasi ka arritur në Tiranë, ai i ka kërkuar rojes së parkimit në zonën e ish-kinemës ‘Partizani’ dhe ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin ia ka lënë dyshohet tek shtetasi Pëllumb Gjoka. Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat. Më pas ai është larguar në drejtim të Vlorës.”

    Kapja e Bajrave: Fundi i një konflikti apo fillimi i një lufte të re?

    Emri:  auto_-640-0-capturepng-17418773301741877598-1.jpg

Shikime: 25

Madhësia:  23.8 KB

    Siç dihet tashmë, vrasja e Fatbardh Licit nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një zinxhiri të përgjakshëm hakmarrjeje mes grupeve të krimit.

    Fatbardh Lici mendohet se u vra në shenjë hakmarrjeje, pasi dyshonin se Ibrahimi kishte vrarë mikun e tyre, Boran Bërcana, dhe partneren e tij, Silvi Ndoci. Boran Bërcana dyshohej si autor i atentatit me tritol ndaj Pellumb Kullës, dhëndrit të Licëve.

    Anëtarët e grupit janë të dyshuar edhe për vrasjen e Hamza Licit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në tetor të vitit të kaluar në Dobraç të Shkodrës.

    Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Disa ditë më parë ai dha një intervistë ku mohoi çdo akuzë që i bëhej në lidhje me vrasjet në radhët e fisit Lici dhe për masakrën në Dobraç.

    “Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia.

    E dyta, për Masakrën e Dobraçit, më vjen shumë keq, ajo gruaja që ka vdek është motra e një shoku që jemi rrit me ta. Më vjen keq edhe për Bushatin, e kam pasur mik para se të hyja në burg. Sinqerisht më vjen edhe për djalin e famijen Lici. Por djemtë e viktimave janë rritur, por Barjat nuk kanë lidhje me to. Uroj që të arrstohet dikush për maskarën e Dobroaçit” u shpreh ai.

    Gjithsesi, arrestimi i Safet Bajrit dhe i të dashurës së tij nuk do të thotë se historia mbyllet këtu. Në një qytet ku korrupsioni i ka shndërruar policët në pjestarë të bandave dhe ku hakmarrja kalon brez pas brezi, ka shumë mundësi që një tjetër valë dhune të jetë në prag.

    SPAK ka dhënë disa goditje, por përtej punës së disa prokurorëve është një realitet i hidhur që i ka dhënë Shkodrës imazhin e një fushëbetejë, ku hijet e krimit vazhdojnë ëvizin në errësirë, duke pritur rastin për të marrë jetë. Ndaj pyetja që mbetet sa herë zbulohet një vrasje është: Kush do të jetë shënjestra e radhës?

    Lapsi.al

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 30-04-2025, 00:48
  2. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 19-11-2024, 18:32
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-07-2024, 11:09
  4. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 04-01-2024, 12:02
  5. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-07-2022, 12:40

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •