Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Qeveria Rama adopton sistemin kinez: Kërkon të instalojë një sistem survejimi masiv në Shqipëri

    Projekti ‘Smart City’ ngre kambana alarmi për survejim masiv në Shqipëri

    Marrëveshja sekrete mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie nga Emiratet Bashkuara Arabe- e dyshuar për lidhje me autoritetet kineze, për të instaluar një sistem kamerash inteligjente në qytetet shqiptare ngre shqetësime mes organizatave për të drejtat e njeriut dhe ekspertëve të privatësisë.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  surveillance-camera-3137102_1280.jpg

Shikime: 205

Madhësia:  10.9 KB
    Kamera survejuese | Foto ilustruese nga Pixabay

    Në një ceremoni zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI‘ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    “Ky projekt nuk është vetëm një investim në teknologji, por një investim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” deklaroi Balla pas nënshkrimit të memorandumit.

    Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale.

    Megjithatë, marrëveshja e klasifikuar si sekrete nga qeveria shqiptare, ka ngjallur shqetësime midis aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve të privatësisë, të cilët paralajmërojnë për potencialin e abuzimit dhe mungesën e transparencës në projektet e këtij lloji.

    Përfshirja e kompanisë ‘Presight AI’, pjesë e grupit ‘G42′ që po përballet me akuza për lidhje me qeverinë kineze dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, i ka shtuar këto shqetësime dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave personale dhe sovranitetin e informacionit që do të mbildhet nga sistemi.

    Marwa Fatafta, një eksperte e të drejtave digjitale në Rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut për organizatën ‘Access Now‘ i tha BIRN se natyra sekrete e kësaj marrëveshjeje ngre shqetësime serioze për qëllimet e qeverisë shqiptare.

    “Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë teknologjish po përdorin autoritetet në qytetet e tyre dhe përse; çfarë të dhënash do të mblidhen dhe përpunohen dhe për cilat qëllime; dhe më e rëndësishmja, cilat agjenci publike apo private do të kenë qasje në të dhënat e tyre personale,” tha ajo.

    “Në mungesë të kësaj njohurie, do të jetë më e vështirë për njerëzit të sfidojnë sistemet e zbatuara ose të kërkojnë drejtësi kur ndikohen në mënyrë të padrejtë,” shtoi Fatafta.

    Kompania “Presight AI” nuk i përgjigj një kërkese për koment nga BIRN në lidhje me shqetësimet e ngritura për projektin e saj me qeverinë shqiptare.

    Projekti ‘Smart City’

    Emri:  Taulant-Balla-dhe-Peng-Xiao-gjate-ceremonise-se-firmosjes-se-memorandumit-me-Presight-AI-ne-Abu-.jpg

Shikime: 195

Madhësia:  39.1 KB
    Taulant Balla dhe Peng Xiao gjatë ceremonisë së firmosjes së memorandumit me Presight AI në Abu Dhabi

    Në përgjigje të një kërkesë për informim, Ministria e Punëve të Brendshme i tha BIRN se projekti ‘Smart City’ vinte si produkt i një memorandumi bashkëpunimi midis Tiranës dhe Abu Dhabit për luftën kundër krimit të organizuar dhe çështjet e lidhura me fushën e sigurisë.

    Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe Sistemit të Analizimit të të Dhënave, projekti ‘Smart City’ synon rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërinë urbane, përmirësimin e sigurisë publike duke parandaluar dhe dokumentuar veprat penale nëpërmjet investimeve teknologjike dhe edukimit te komunitetit,” tha MPB.

    Sipas Ministrisë, ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua bazuar në ligjin Nr. 145/2020 “Për Ratifikimin e Marrëveshjeve për Bashkëpunimin Ekonomik Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.

    Në një intervistë për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan më 30 maj 2024, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla tha se projekti do të shtrihet në Tiranë dhe 19 qytete të tjera të vendit.

    Sipas ekspertëve, sistemi i mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë së të dhënave në Shqipëri është i dobët, ndërsa survejimi masiv i popullsisë nëpërmjet kamerave konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rënda në privatësi, ndaj si rrjedhojë, rreziqet nga projekti ‘Smart City’ konsiderohen të larta.

    “Për çdo ndërhyrje dhe kufizim të të drejtave themelore, autoritetet duhet të garantojnë ligjshmërinë, proporcionalitetin dhe llogaridhënien – duke zgjedhur masën më pak kufizuese apo dëmtuese, dhe [duke] ofruar arsyetimet përkatëse në mënyrë transparente,” tha Megi Reçi, juriste dhe studiuese për sigurinë digjitale.

    “Në dijeninë tonë, qeveria nuk ka bërë publike asnjë analizë apo vlerësim të saj mbi këtë çështje, por vetëm ka komunikuar masën,” tha ajo.

    “Mbi të gjitha, duhet të ofrohet informacion mbi masat e sigurisë digjitale që janë marrë për këto teknologji, duke përfshirë vlerësimet e rrezikut, auditimet, dhe procedurat që zbatohen për të siguruar mbrojtjen e të drejtës së privatësisë, lirisë së shprehjes dhe masat kundër diskriminimit gjatë përdorimit të tyre,” shtoi ajo,

    Sipas Reçit, për zbatimin e një projekti të tillë nevojitet transparencë për llojet e pajisjeve dhe teknologjive të survejimit që do të përdoren, për të dhënat që do të mbledhin, aftësinë për njohjen e fytyrës ose forma të tjera të identifikimit biometrik, informacion mbi buxhetin e përdorur, vendet nga të cilat janë blerë këto teknologji, procedurat e prokurimit dhe prodhuesit e këtyre teknologjive.

    Ajo theksoi se projekti përfshin edhe përdorimin e inteligjencës artificiale (AI), ndërsa Shqipërisë i mungon baza ligjore e duhur për të ofruar garancitë bazë për të mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e shtetasve, si për shembull ndalimi e survejimit biometrik të fytyrave në hapësira publike. Ajo theksoi se metodologjia për AI e miratuar nga qeveria në 2024 nuk përbën akt ligjor, është shumë e kufizuar dhe nuk adreson shqetësimet e shumta që ngrihen nga përdorimi i AI në survejime masive.

    Sipas Marwa Fatafta, qeveritë dhe kompanitë shpesh përdorin narrativa tekno-optimiste për të promovuar projekte qytetesh “të zgjuara” [smart city], “krijuese”, “të qëndrueshme” ose të “përshtatshme”, por këto të ashtuquajtura “qytete të zgjuara” janë, në thelb, projekte mbikëqyrjeje, të ndërtuara mbi mbledhjen dhe përpunimin masiv të të dhënave personale të njerëzve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

    “Përkundër pretendimeve që promovojnë për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe sigurisë publike, instalimi i sistemeve të mbikëqyrjes të drejtuara nga AI, si teknologjitë e njohjes së fytyrës nëpërmjet të dhënave biometrike, mundëson mbikëqyrje masive dhe diskriminim përmes mbikëqyrjes,” tha ajo.

    “Këto mjete kanë kapacitetin për të identifikuar, ndjekur dhe monitoruar njerëzit kudo që shkojnë, duke cenuar të drejtat dhe liritë e tyre themelore – përfshirë të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave, lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe të asociimit, si dhe të drejtën për barazi dhe mosdiskriminim,” theksoi Fatafta.

    Ajo shtoi se ndikimet e një arkitekture të tillë mbikëqyrjeje janë edhe më të rënda në vende jo demokratike ose me demokraci të kufizuar, ku transparenca, sundimi i ligjit dhe qasja në procese të drejta ligjore janë të dobëta.

    “Nën vëzhgimin e shtetit, krijohet një efekt frenues që ndryshon sjelljet e njerëzve dhe cenon më tej të drejtat e tyre,” shpjegoi Fatafta.

    Lidhjet kineze

    “Presight AI” është një kompani të dhënash dhe inteligjence artificiale e regjistruar në Abu Dhabi. Ajo është pjesë e grupit të kompanive G42. Kryetari i bordit të kompanisë është Tahnoun bin Zayed Al Nahyan, këshilltari i sigurisë kombëtare i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili është dhe aksioneri kryesor i saj. Ndërkohë, drejtuesi ekzekutiv i saj është Peng Xiao.

    Përpara se të drejtonte G42, Xiao ishte drejtues i Pegasus LLC, pjesë e kompanisë së sigurisë kibernetike ‘DarkMatter‘ nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo kompani është hetuar më parë për punësimin e ish-agjentëve sekretë amerikanë për të punuar për autoritetet në Emirate, si pjesë e një programi që shenjestronte aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.

    Një komision i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka ngritur gjithashu dyshime për lidhjet e kompanisë G42 me autoritetet kineze, duke i kërkuar Departamentit të Tregtisë që ta hetojë atë dhe kompanitë e lidhura – përfshirë Presight AI.

    Në një letër drejtuar këtij departamenti në Janar 2024, Komisioni i Posaçëm për Partinë Komuniste Kineze ngre pikëpyetje serioze mbi Xiaon dhe lidhjet e tij me Kinën, si dhe përfshirjen e kompanisë DarkMatter në shkeljen e të drejtave të njeriut.

    “Sipas dokumenteve të lexuara nga Komiteti, drejtuesi i G42, Peng Xiao, operon dhe është i lidhur me një rrjet të gjerë kompanish me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kinën, të cilat zhvillojnë teknologji me përdorim të dyfishtë dhe mbështesin në mënyrë të konsiderueshme konglomeratin ushtarak-civil të Kinës, si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut,” shkruan kreu i komisionit, Mike Gallager.

    “DarkMatter është një filial i koorporatës G42 që zhvillon ‘spyware’ dhe mjete survejimi që mund të përdoren për të spiunuar disidentë, gazetarë, politikanë dhe kompani amerikane,” shtoi ai.

    Sipas Marwa Fatafta nga Access Now, fakti që qeveria shqiptare po e mban sekrete marrëveshjen me kompaninë ‘Presight AI’ ngre shqetësime serioze, veçanërisht duke marrë parasysh rekordin e dyshimtë të G42 – kompanisë së saj mëmë, lidhur me të drejtat e njeriut dhe lidhjet e saj me aktivitete survejimi.

    “Projekte të tilla, që mund të përbëjnë rreziqe serioze për publikun dhe të drejtat e tyre, duhet të realizohen në transparencë të plotë dhe në konsultim me ekspertë të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së të dhënave në vend,” tha ajo.

    “Autoritetet shqiptare duhet të prioritizojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të tyre për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave,” përfundoi Fatafta.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria Rama adopton sistemin kinez: Kërkon të instalojë një sistem survejimi masiv në Shqipëri

    Qeveria dyfishon pa asnjë shpjegim kostot e projektit ‘Smart City’

    Projekti “Smart City” që përfshin instalimin e mijëra kamerave inteligjente në ambientet publike pritet t’i kushtojë qeverisë shqiptare 118.5 milionë USD të marra hua nga 60 milionë të parashikuara më parë – duke ngritur shqetësime të reja për mungesën e garës, të transparencës dhe të garancive për përdorimin e të dhënave personale.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  rama-arabi.jpg

Shikime: 82

Madhësia:  42.9 KB
    Kryeministri Edi Rama duke pritur presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan më 23 shkurt.

    Më 23 shkurt, kryeministri Edi Rama mikpriti në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin firmosi disa marrëveshje bashkëpunimi.

    Mes marrëveshjeve të nënshkruara ishte edhe një letër angazhimi për projektin Albania Smart City, i cili parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë me synimin e rritjes së sigurisë publike.

    Marrëveshja u firmos mes ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Sulltan Al Jaber, kryetar i kompanisë “Presight AI Ltd” – një kompani të dhënash dhe Inteligjence Artificiale e regjistruar në Abu Dhabi.

    Projekti “Smart City” është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe parashikohej të kushtonte 60 milionë dollarë amerikanë.

    Por pas vizitës së presidentit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, kostot e projektit janë thuajse dyfishuar dhe pritet të mbulohen përmes një huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit.

    Detajet e marrëveshjes zbulohen përmes një projektligji të depozituar në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me vlerë 118.5 milionë dollarë, e cila do të shkojë për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”.

    Qeveria nuk argumenton rritjen e kostos nga 60 milionë në 118.5 milionë dollarë në relacionin shpjegues, ndërsa thekson se e gjithë vlera do të përdoret për të financuar projektin që synon rritjen e nivelit të sigurisë publike.

    Por sipas dokumentit, qeveria shqiptare pret të marrë mbrapsht instalimin e 2 239 kamerave ANPR (njohje automatike e targave) dhe 2 602 kamerave PTZ për monitorimin e trafikut si dhe 3 816 kamera trupi për policinë. Projekti përfshin gjithashtu instalimin e 100 radarëve inteligjentë dhe po kaq sensorëve për të monitoruar trafikun në rrugët e Shqipërisë.

    Të pyetur për arsyet e dyfishimit të kostos, Kryeministria dhe Ministria e Brendshme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment deri në publikimin e shkrimit.

    Ndërsa sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo lë hapësirë për dyshime mbi fryrjen artificiale të vlerës së kontratës.

    “Kjo rritje prej gati 100% nuk ka një shpjegim të argumentuar publikisht. Nuk është paraqitur një analizë e detajuar e faktorëve që kanë ndikuar në këtë shtim të kostove, duke krijuar hapësira të mëdha për dyshime mbi fryrjen artificiale të vlerës së kontratës,” thotë Eduard Gjokutaj, themelues i organizatës së edukimit financiar, “Altax”.

    Pa garë dhe transparencë

    Projekti “Smart City” u zyrtarizua për herë të parë gjatë një ceremonie zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ku ministri i atëhershëm i Brendshëm, Taulant Balla nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI‘ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Balla tha më vonë se projekti i kamerave inteligjente do të shtrihej në Tiranë dhe 19 qytete të tjera të vendit.

    Projekti është pritur me shqetësime nga ekspertët e të drejtave digjitale, të cilët theksojnë se ai mbart rrisqe sa i përket ndërhyrjes së madhe në privatësinë e qytetarëve dhe sigurinë e të dhënave që do të mblidhen nga kamerat. Lidhjet kineze të kompanisë ‘Presight AI” kanë ngritur gjithashtu shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

    Për opozitën në Shqipëri, projekti mbart edhe probleme të tjera.

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e krahasoi marrëveshjen e projektit “Smart City” me praktikat e mëparshme të “ligjeve speciale” të qeverisë, që bien sipas saj në kundërshtim me praktikat e legjislacionit europian.

    Tabaku theksoi gjithashtu se ka një errësirë informacioni për arsyet e marrjes së huave dhe për dyfishimin e vlerës së saj.

    “Kjo marrëveshje është e paracaktuar dhe shkel me të dyja këmbët marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në,” tha Tabaku. “Socialistët interesohen vetëm të integrojnë më shumë interesa të ngushta dhe shpesh okulte në xhepin e pakicës dhe kurriz të shumicës,” shtoi ajo, duke akuzuar mazhorancën në pushtet për zbatimin e një praktike të tillë të “ligjeve me porosi” në të paktën 20 raste.

    Tabaku i druhet gjithashtu përdorimit të kësaj teknologjie nga mazhoranca për qëllime politike, në kushtet kur sipas saj Policia e Shtetit është në shërbim të Partisë në pushtet dhe kur rreziku i keqpërdorimit të kapaciteteve të Inteligjencës Artificiale është gjithnjë e më i madh.

    “Pikëpyetjet qëndrojnë në lidhje me mënyrën se si operon qeveria shqiptare,” shtoi Tabaku, ndërsa kujtoi rastet kur Partia Socialiste i kishte përdorur të dhënat personale të qytetarëve për qëllimet e veta politike.

    Edhe Gjokutaj thekson se anashkalimi i një procesi transparent prokurimi me projektin “Smart City” shkel marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit me Bashkimin Europian.

    “Në kushtet kur një projekt i tillë i jepet pa garë një kompanie të zgjedhur në mënyrë preferenciale, dhe mungesa e një tenderi të hapur rrit dyshimet për kapjen e kontratës nga interesa të lidhura me pushtetin,” tha Gjokutaj.

    “Mungesa e garës automatikisht krijon rreziqe të larta për korrupsion dhe klientelizëm,” shtoi ai.

    Kushtet e kthimit të borxhit, sipas ekspertit, rrezikojnë gjithashtu t’a kthejnë atë në një barrë për buxhetin e shtetit në dy dekadat e ardhshme. Sipas Gjokutajt, marrëveshja e huasë me fondin e Abu Dabit ka dhe problematika të tjera, të tilla si norma e interesit, 4%, që sipas tij është e lartë për një hua zhvillimi, apo zgjedhja e valutës në dollarë, çka ekspozon rreziqe nga kursi i këmbimit.

    “Zgjedhja e një burimi më të shtrenjtë financimi është e pashpjegueshme,” tha Gjokutaj, ndërsa renditi institucione të tjera financiare që ofrojnë hua me normë interesi më të ulët.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 18-09-2024, 00:36
  2. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 03-11-2013, 18:14
  3. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-10-2013, 00:40
  4. Përgjigje: 61
    Postimi i Fundit: 14-10-2009, 13:31
  5. A do ta gjejë Rama me Berishën kabllin kinez
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 22-06-2008, 09:16

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •