Close
Faqja 6 prej 13 FillimFillim ... 45678 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 60 prej 125
  1. #51
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Erjon VELIAJ

    Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall?
    Se për 1 milion Euro mall duhet një dyqan si ai i brekëve dhe sutjenave të nuses së Sali fundërrinës në Bllok apo jo?
    Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012 (kam hyrë në atë apartament kohë më parë se sa të bëhesha kryetar bashkie, leje e Komunës Farkë e Bardh Plakut, as e dhënë nga unë vetë), atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo?
    Kanë blerjet online do thoni ju.
    Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”.
    Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq.
    Po si është e vërteta?
    E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme.
    Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion.
    A nuk duket se më kanë mbyllur brenda, pikërisht që të mos ballafaqohesha me “faktet” e me gazetarët “kompetentë”, që furnizohen nga prokurorët edhe përpara avokatëve?
    Gjejani vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, se ndryshe nga Ols violina dhe gjithë fyejt e qemanetë e gjirizëve, unë nuk ngre akuza pa prova.
    Në thertoren e Erjon Banit - se vetëm sallë gjyqi nuk qe - kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq.
    Bekime e përqafime të gjithëve, mbani besimin dhe kokën lart për Tiranën tonë që ka nevojë për energjitë pozitive të secilit, pavarësisht rrethanave të momentit! Forca! 👍
    Duaje te afermin tend si veten

  2. #52
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Blerjet luksoze të Ajola Xoxës, ‘Imelda Marcos’ e Tiranës

    Hetimi i SPAK hedh dritë mbi shpenzimet marramendëse për mallra luksi, rroba dhe bizhuteri të gruas së kryebashkiakut Erion Veliaj, i arrestuar nga Gjykata Speciale për korrupsion dhe pastrim parash.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Ajola-Xoxa--2048x1519.jpg

Shikime: 21

Madhësia:  30.0 KB
    Ajola Xoxa pas vendimit për ndryshimin e masës së sigurisë nga Gjykata e Posaçme. Foto: LSA.

    Në Tiranë, një nga kryeqytetet më modeste në Evropë, ku paga mesatare është 600 euro në muaj; Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, dyshohet se shpenzonte mbi 100 mijë euro në vit vetëm për blerje në internet.

    Hetimi i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka zbuluar rreth 130 deklarata doganore në emrin e saj ose të bashkëpunëtorëve të ngushtë midis 2016 dhe 2021, për një shumë totale prej 860 mijë euro.

    Mallrat e luksit të importuara përmes shitësve online si Net-a-Porter, Moda Operandi dhe Mercedes Distribution Moda, përfshin një gamë të gjerë të fustanesh, bizhu, bikini, çorape, aksesorë, ‘make-up’, si dhe produkte të tjera luksi nga marka si ‘Louis Vuitton’ dhe ‘Prada.’

    “Veprimet hetimore të kryera në lidhje me shpenzimet e bëra nga Ajola Xoxa dhe të afërmit e saj në shifrën e 86,721,175 (tetëdhjetë e gjashtë milion e shtatëqind e njëzet e një mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë për rroba, produkte kozmetike, buzëkuq, vathë, etj,” shkruan SPAK në kërkesën për masën e sigurisë ndaj Xoxës dhe Veliaj.

    Kryebashkiaku jetëgjatë i Tiranës u arrestua të hënën me urdhër të Gjykatës Speciale nën akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai dyshohet se ka krijuar një skemë të mirëmenduar korruptive për të përfituar ryshfete nga fondet e Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij.

    Të mërkurën në mbrëmje, Gjykata Speciale konfirmoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, ndërsa la në ‘detyrim paraqitje’ Ajola Xoxën, duke qenë se është nëna e një fëmije të mitur.

    Në një deklaratë në faqen e tij në ‘Facebook’, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se blerjet online të bashkëshortes ishin të ligjshme.

    “Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje,” tha Veliaj.

    “Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal,” shtoi ai.

    Erion Veliaj është prej gati një dekade kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste në pushtet. Përpara se të zgjidhej në krye të bashkisë më të madhe në vend, Veliaj ka shërbyer si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 deri në vitin 2015. Përpara ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, ai njihej si aktivist i shoqërisë civile dhe themelues i Lëvizjes “Mjaft!”.

    Ajola Xoxa është një juriste shqiptare, e specializuar në të drejtën e energjisë. Ajo është bashkëthemeluese e platformës së artit bashkëkohor “Harabel“, e cila fokusohet në promovimin e artit dhe kulturës në Shqipëri. Veliaj dhe Xoxa u martuan në vitin 2014 në një dasmë me qindra të ftuar në kështjellën e Gjirokastrës dhe janë prindër të një djali.

    Me pamjen e saj të kujdesur dhe veshjet e stiluara, Xoxa ka qenë shpesh subjekt i faqjeve rozë dhe publikeme të lidhura me modën dhe stilin e jetës në Tiranë. Sipas SPAK, nga viti 2016 deri në vitin 2021, Xoxa shpenzoi mesatarisht 14.4 milionë lekë (140 mijë euro) për blerje online në dyqane mode dhe mallrash luksi.

    Ndryshe nga sa shprehet kryebashkiaku i Tiranës, këto blerje nuk kanë qenë transparente dhe as nuk janë deklaruar në Inspektoriatin e Kontrollit dhe të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI).

    Sipas SPAK, jo vetëm që është shkelur detyrimi ligjor për të raportuar shpenzimet, por Xoxa gjithashtu ka krijuar një skemë për të kamfluar blerjet online, duke përdorur Erlad Ismailin – një nga punonjësit e kompanisë së saj ‘Partners Law’ për zhdoganimet.

    Gjatë deklarimit në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Erald Ismaili ka rrëfyer se ndryshe nga sa sugjerojnë zhdoganimet, ai bën një jetë modeste, me të ardhura familjare rreth 2,4 milionë lekë në vit si dhe madje as nuk disponon automjet, për shkak se makina është shpenzim i madh për të.

    I pyetur nëse kishte blerë ndonjëherë rroba të markave si “Louis Vuitton apo Prada”, shtetasi Erald Ismaili e ka mohuar një gjë të tillë. Kur është ballafaquar me faktin se për vitet 2016 deri në vitin 2021, në emër të tij janë paguar produkte të cilat janë zhdoganuar me 130 praktika doganore, në vlerë 55,4 milionë lekë, pa përfshirë pagesat doganore dhe taksat, Ismaili është shprehur i habitur dhe ka sqaruar se këto blerje nuk janë bërë nga ana e tij, por nga shtetësja Ajola Xoxa.

    “Deklaruesi kujton se i ka dhënë Ajolës njëherë kartën e identitetit, pasi e kërkonte posta, por nuk ka dijeni se si është përdorur,” shprehet SPAK.

    “Ky deklarim është në unitet me të gjitha provat e tjera të administruara, pasi shtetasi Erald Ismaili nuk ka asnjë mundësi financiare për të bërë blerje online të veshjeve dhe sendeve të tjera personale, si make up etj, në një vlerë të përgjithshme prej rreth 65 milionë lekë në harkun kohor të rreth 4 viteve (bashkë me TVSH),” shton organi i akuzës.

    Gjatë deklarimit në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, edhe shtetësja Adela Kondakçiu – që ka shërbyer si financiare e Qendrës ‘Harabel’, ka mbështetur rrëfimin e Erald Ismailit.

    Ajo ka treguar se si i “kanë paguar cash zhdoganimet e Eraldit me urdhër apo me kërkesë të Ajolës”.

    “Lekët për pagesat e doganave i jepte gjithmonë Ajola,” deklaron Kondakçi. “Nga paketimi kam konstatuar se ishin marka të shtrenjta të rrobave,” ka shtuar ajo.

    Hetimet e SPAK rreth mënyrës së jetesës së Xoxës nuk kanë të bëjë vetëm me zakonet e saj të blerjeve në internet, por shenjestrojnë me burimin e fondeve që financojnë këtë luks.

    Edhe pse bashkëshorti i saj mbante postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, pagat zyrtare ishin të pamjaftueshme për të përballuar këtë nivel marramendës shpenzimesh.

    Hetimet e SPAK hedhin dyshime se këto blerje luksi janë financuar nëpërmjet fondeve të transferuara në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi në kryeqytet.

    Rasti i Ajola Xoxës ngjall krahasime me figura të tjera të bashkëshorteve të politikanëve, të cilat u kthyen në ikona mode, si Imelda Marcos e Filipineve dhe Leila Ben Ali e Tunizisë – gra që përfundimisht u bënë simbole të korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor në vendet e tyre.

    BIRN

  3. #53
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Mbështetësit e Veliajt, ‘antimiting’ në SPAK kundër arrestimit të tij

    Qindra mbështetës të Partisë Socialiste protestuan në kangjellat e Gjykatës së Posaçme kundër hetimit dhe arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Protesta-4-2048x1536.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  72.0 KB
    Mbështetësit e Erion Veliajt duke protestuar kundër arrestimit të tij. Foto: Edmond Hoxhaj.

    Qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën mëngjesin e të mërkurës në kangjellat e Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u arrestua të hënën me vendim të Gjykatës së Posaçme për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

    Me pankarta në duar ku shfaqeshin objekte publike të kryeqytetit, mbështetësit ishin mbledhur që para fillimit të seancës së verifikimit të masave të sigurimit personal të caktuara ndaj Erjon Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenëve, duke thirrur njëzëri “lali, lali, lali”.

    Tetë të hetuarit akuzohen për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe grupit të biznesmenëve pranë tij, të cilët janë pjesë e hetimit, me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.

    Pak çaste para fillimit të seancës, e planifikuar për në orën 8:30, në ambjentet e Strukturës së Posaçme pati shkëputje të energjisë elektrike. Megjithatë, seanca u zhvillua dhe u ndërpre rreth orësn 09:30 me kërkesë të avokatëve mbrojtës të të hetuarve, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me të dhënat e fashikujve, për të rifilluar në orën 13:30.

    Në dukje të organizuar mirë, protestuesit bllokuan një segment të rrugës Jordan Misja.

    “Jam këtu për veprat e Erion Veliajt, flasin vetë. S’kanë nevojë për koment,” tha një protestuese me dy pankarta në duar, në njërën prej të cilave shfaqej projekti i Teatrit të ri.

    “E mbështes për punët e mira që ka bërë deri më sot,” i tha BIRN një tjetër protestues që u prezantua si pensionist.

    Një tjetër i pranishëm në tubim, shprehu pakënaqësinë se të tjerë që duhej të ishin në qeli, ishin duke “ngrënë e duke pirë”.

    “Këtu njerëzit dënohen vetëm me dyshimin e arsyeshëm. Ky vend ka 34 vjet tranzicion dhe ata që janë për t’u kapur, nuk janë kapur. …Unë jam mbështetës me logjikë, nuk jam mbështetës kështu, budalla”, tha ai.

    Për rreth një orë, mbështetësit e Veliajt bllokuan një segment të rrugës automobilistike duke penguar qarkullimin e automjeteve, ndërsa punonjësit e Policisë së Shtetit të pranishëm, dukeshin të pafuqishëm për të vendosur rregull.

    “O djema hajdeni, o djema hajdeni,” u thirri disa herë njëri prej të pranishmëve protestuesve, që qëndronin më në distancë, duke u kërkuar atyre të afroheshin tek kangjellat e SPAK.

    Rreth orës 09:10, Policia e Shtetit u vendos në dispozicion të protestuesve, duke ndaluar qarkullimin për automjetet në segmentin e rrugës ku gjendeshin ata. Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këitj shkrimi nëse protestuesit kishin marrë leje për zhvillimin e tubimit dhe as për arsyen e ndalimit të qarkullimit të automjeteve në segmentin e rrugës së bllokuar nga mbështetësit e Veliajt.

    Kur gjykata vendosi rreth orës 09:30 të ndërpresë seancën për t’u dhënë kohë të hetuarve dhe mbrojtësve të tyre të njiheshin me dosjen, grupi i protestuesve u shpërnda menjëherë.

    Prej dy ditësh Veliaj ka marrë mbështetje e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk i ka kursyer sulmet nga gjyqtarit të çështjes dhe prokurorëve të SPAK. Po ashtu, Rama deklaroi se nuk do ta shkarkojë Veliajn dhe i cilësoi akuzat kundër tij si “roman policesk”.

    Përfaqësues të shoqërisë civile e shohin me shqetësim mbështetjen qeveritare ndaj Veliajt ndërsa ai akuzohet për korrupsion.

    “Ata që duhet të dilnin në protestë për vjedhjet, sot dolën për të akuzuarit për vjedhje! Korrupsioni në Shqipëri nuk është më një fenomen por është kthyer në standart dhe kulturë dhe ç’rrënjosja e tij kërkon kohë dhe ka një faturë të rëndë që duhet paguar,” tha përmes një statusi Qëndresa Qytetare.

    “Sot punonjës të administratës së Bashkisë Tiranë dolën në protestë para SPAK kundër procesit gjyqësor të Erion Veliajt. Mes protestuesëve ishin edhe efektivë të Policisë Bashkiake, të cilët protestonin përballë kolegëve të tyre të rendit”, shtoi më tej organizata.

    Erion Veliaj, 45 vjeç shihej brenda Partisë Socialiste si “delfini” i kryeministrit Edi Rama dhe një pasues i mundshëm i tij, përpara se figura e tij politike të njollosej nga akuzat për aferën e inceneratorit të Tiranës apo një skemë korrupsioni e drejtorëve të Bashkisë së tij, e njohur si dosja 5D.

    BIRN

  4. #54
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Shteti kundër shtetit: Policia akuzohet për shkelje të ligjit në protestën e mbështetësve të Veliajt

    Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme denoncuan Policinë e Shtetit se injoroi kërkesat e Gardës së Republikës për të mbrojtur perimetrin e jashtëm të godinës nga mbështetësit protestues të Erion Veliajt, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Protestuesit-GJKKO-2048x1366.jpg

Shikime: 18

Madhësia:  59.6 KB
    Protestuesit në mbështetje të Veliajt rrethuan Gjykatën e Posaçme për gati 13 orë më 12 shkurt 2025. Foto: LSA.

    Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme deklaruan përmes dy njoftimeve të premten se Policia e Shtetit nuk kishte ndërmarrë asnjë masë dhe kishte injoruar kërkesat e shpeshta të punonjësve të Gardës së Republikës për të siguruar perimetrin e jashtëm të godinës nga mbështetësit e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj më 12 shkurt, duke vënë në rrezik jetën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të administratës gjyqësore.

    “Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm u është cënuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre,” deklaroi Gjykata e Posaçme përmes njoftimit.

    Situata e paprecedentë ndodhi të mërkurën, kur mbështetësit e Veliajt dhe Partisë Socialiste u mblodhën që në orët e para të mëngjesit rreth Gjykatës së Posaçme në shenjë proteste për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pas përfundimit të seancës, protestuesit u filmuan teksa kishin rrethuar makinat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe thërrisnin në kor “Turp”.

    Gjykata e Posaçme dhe SPAK i kërkuan shpjegime Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, lidhur me mos-ushtrimin e detyrës nga ana e policisë për të garantuar sigurinë dhe rendin në perimetrin e jashtëm të këtyre institucioneve të drejtësisë, megjithëse një gjë e tillë u është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë.

    Neglizhenca e Policisë ka sjellë sipas dy institucioneve vështirësi në lëvizjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe pengimin e tyre që të dalin nga ambientet e gjykatës, ndërkohë që protestuesit kanë goditur makinat si dhe kanë sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

    Mosveprimi i Policisë së Shtetit për të garantuar rendin në gjykatë erdhi pasi kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje kryebashkiakut Veliaj dhe nuk i kurseu sulmet ndaj gjyqtarit të çështjes, Erion Bani dhe SPAK.

    Pyetur nga BIRN mbi sjelljen e Policisë së Shtetit, zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk komentoi, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim institucioneve respektive. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani tha se sapo t’u mbërrijë shkresa, do të ngrenë një grup inspektimi për të verifikuar pretendimet.

    “Policia shkeli ligjin”

    Godina e Gjykatës Speciale ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës, por vetëm në perimetrin e saj të brendshëm. Sa i përket sigurisë në ambientet e jashtme të Gjykatës, Garda bashkëpunon dhe bashkëvepron me Policinë e Shtetit për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe objekeve në ruajtje.

    Ish-drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi i tha BIRN se gjatë protestës së 12 shkurtit, Policia e Shtetit ka neglizhuar në kundërshtim me ligjin për më shumë se 13 orë. Ai thekson se në raste të tjera, kur policia ka konstatuar grumbullime të paligjshme që ushtrojnë presion ndaj institucioneve, ka vënë në lëvizje edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

    “Pasi Gjykata dhe Garda kanë kërkuar ndihmë dhe nuk iu është dhënë, kjo tregon se gjithë zinxhiri drejtues dhe komandues i Policisë ka mosvepruar me dashje dhe në kundërshtim me ligjin”, tha Prençi, ndërsa shtoi se kjo “duket e qëllimshme, për të lejuar simpatizantët e subjekteve të veprës penale, që të ushtronin presion ndaj Gjykatës së Posaçme dhe SPAK”.

    “Është dukshëm veprim i qëllimshëm dhe u kuptua nga deklarata e Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili tha se ishte veprim sporadik, por nuk mund të thuhet sporadik për 13 orë”, tha Prençi.

    Ai vlerësoi gjithashtu se prononcimi i ministrit të Brendshëm tregoi ndikimin e thellë politik në zinxhirin komandues e drejtues të Policisë së Shtetit, që është mjaft i dëmshëm, sidomos në këtë periudhë zgjedhore.

    Një ditë pas protestës, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u justifikua para gazetarëve lidhur me mosveprimin e policisë, se tubimi nuk ishte njoftuar më parë dhe shtoi se në rastet e protestave të tjera kishte pasur lajmërim. Sipas Hoxhës, vështirësia erdhi se simpatizantët u mblodhën në mënyrë të menjëhershme.

    Prençi u shpreh se bazuar në rrethanat e ngjarjes, Prokuroria e Tiranës duhet të fillojë hetime ndaj protagonistëve të sulmeve e kërcënimeve, ndërsa Agjencia e Mbikqyrjes Policore duhet të fillojë procedim disiplinor për gjithë zinxhirin komandues që nuk ka vepruar për marrjen dhe zbatimin e masave në terren.

    Po ashtu, Prençi konstatoi se protestuesit ishin punonjës të Bashkisë, Policisë Bashkiake si dhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas tij këta të fundit, sportistë elitarë me grada ushtarake, të cilët janë pjesë e Forcave të Armatosura.

    ‘Grusht shteti”

    Përfaqësuesit e opozitës i dolën në mbrojtje Gjykatës së Posaçme dhe SPAK të premten dhe paralajmëruan kallëzime penale ndaj kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kreut të Policisë së Shtetit për masat e munguara gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë për Veliajn.

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi gjatë një konference për shtyp se kjo situatë tregonte shkallën e politizimin dhe kriminalizimit të drejtuesve të Policisë së Shtetit.

    “Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar,” tha Berisha.

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cilësoi situatën si një grusht shteti.

    “Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit sapo zbuloi një sulm të organizuar nga qeveria kundër drejtësisë: Gjyqtarët dhe prokurorët të bllokuar brenda gjykatës! Protestuesit penguan hyrjen, sulmuan stafin gjyqësor! Policia nuk bëri asgjë—me urdhër të heshtur për të mos vepruar!”, shkroi Tabaku në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar tubimin si një përpjekje të koordinuar të qeverisë për të mbrojtur korrupsionin dhe për të shpëtuar Erion Veliajn dhe të korruptuarit e tjerë nëpërmjet intimidimit dhe sulmit ndaj drejtësisë, tanimë fizikisht.

    Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi ministrin e Brendshëm për keqinformim të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me situatën.

    “Ministri i Brendshëm gënjeu publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm,” shkroi Bardhi.

    BIRN

  5. #55
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

    Kryebashkiaku Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka akuzohen se ndërmorrën një fushatë të koordinuar për të intimiduar dëshmitarët dhe hetuesit – që sipas vendimit e përforcoi nevojën e arrestimit të tij.

    Nga Aleksandra Bogdani

    Emri:  Veliaj-Bushka.jpg

Shikime: 19

Madhësia:  50.5 KB
    Deputetja Klotilda Bushka dhe kryetari i bashkisë Tirane, Erion Veliaj duke hyre ne një mbledhje te Asamblesë se Partisë Socialiste, gjate te ciles u diskutua rezultati i zgjedhjeve vendore te 14 majit.

    Dy ditët e fundit përpara se të paraqitej për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme, Adela Kondakçiu i shpenzoi në takime instruktazhi me shefen e saj, Ajola Xoxa dhe avokatë. Kondakçiu punonte si financiere e Xoxës prej vitit 2018 dhe takimet kishin për qëllim që ta udhëzonin se çfarë duhej të thoshte në SPAK.

    Adela dëshmoi për hetuesit më 12 dhjetor se Xoxa dhe avokatët i kërkuan që të ishte konçize, të thoshte “s’mbaj mend” si dhe të merrte kohë për përgjigjet e saj. Ata u interesuan gjithashtu të dinin se çfarë bisedash kishte pasur të ruajtura në telefonin e saj, i cili ishte sekuestruar më parë nga SPAK.

    Ky është vetëm një episod i asaj që Prokuroria e Posaçme e konsideron një përpjekje të organizuar për të intimiduar dëshmitarët.

    Sipas vendimit për masë sigurie, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe vartës të tij në bashki, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u angazhuan me veprime aktive në një fushatë për frikësimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.

    Vetë Veliaj akuzohet se u ka dërguar mesazhe intimiduese hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke u kërkuar atyre që të ndalojnë thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime, ndërkohë që nëpunës të Bashkisë kanë qenë të pranishëm në takimet që Xoxa zhvillonte me dëshmitarët e çështjes, para dhe pas seancave të marrjes së tyre në pyetje nga SPAK.

    “Prokuroria e Posaçme… disponon prova të pakundërshtueshme se shumica e deklaruesve të thirrur nga ana jonë janë kontaktuar para dhe pas seancave të marrjes në pyetje nga shtetasit nën hetim, specifikisht bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Tiranë,” thotë SPAK.

    “Prania e punonjësve të rëndësishëm të bashkisë Tiranë, vartës të drejtpërdrejtë të shtetasit Erion Veliaj, si gjatë kontakteve që shtetësja Ajola Xoxa ka patur me personat e thirrur për të dhënë deklarime në Prokurorinë e Posaçme, ashtu edhe gjatë momenteve të kontrollit në zyrat e “Partners Laë” shpk, dëshmon synimin për të vënë në rrezik marrjen e provave…,” shtohet në vendim.

    Kryebashkiaku jetëgjatë i Tiranës u arrestua të hënën me urdhër të Gjykatës së Posaçme me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai dyshohet se ka krijuar një skemë të mirëmenduar korruptive për të përfituar ryshfete nga fondet e Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij.

    Të mërkurën në mbrëmje, Gjykata Speciale konfirmoi masën e sigruisë ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, ndërsa la në ‘detyrim paraqitje’ Ajola Xoxën, duke qenë se është nëna e një fëmije të mitur.

    Veliaj i ka mohuar akuzat përmes postimeve në Facebook nga qelia, ndërkohë që është kundërpërgjigjur me akuza ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado.

    “Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion,” shkroi Veliaj, ndërsa sulmoi prokurorin e çështjes si një ‘individ pervers’.

    Edhe kryeministri Edi Rama e mbrojti Erion Veliajn, duke e cilësuar arrestimin e tij si antikushtetues dhe akuzat si ‘roman policesk’.

    “Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike,” tha Rama.

    Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka mohoi që t’i kishte bërë presion njërës prej dëshmitareve dhe u ankua se nuk i ishte dhënë mundësia që të dëgjohej nga SPAK.

    Intimidimi i dëshmitarëve

    Balkans Youth Link Albania – BYL-A – është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2002 dhe njihet si organizata mëmë e lëvizjes MJAFT. BYL-A u drejtua nga Endri Fuga deri në vitin 2009 dhe për një periudhë të shkurtër pas dorëheqjes së tij, nga Klotilda Ferhati (Bushka). Bushka ka qenë gjithashtu anëtare bordi e organizatës.

    Në vitin 2016, kur BYL-A ishte pothuajse një organizatë e fjetur, drejtoreshë ekzekutive u emërua kushërira e Bushkës, Ina Goxhaj. Megjithatë, Goxhaj i ka thënë Prokurorisë se kishte vetëm emrin si drejtuese, por pa asnjë rol. Sipas SPAK, BYL-A u kontrollua fillimisht nga Klotilda Bushka dhe pas vitit 2022 nga Ajola Xoxa.

    Në dëshminë e saj në SPAK më 13 dhjetor, Goxhaj tregoi për një përpjekje të koordinuar për të ndikuar deklarimet e saj si dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit. Ajo tregoi se ishte takuar disa herë me Bushkën, Xoxën dhe disa avokatë, të cilët e kishin udhëzuar atë që të mohonte gjithçka si dhe të fshihte faktet.

    Në njërin prej takimeve në shtëpinë e prindërve të Bushkës, kjo e fundit e kishte urdhëruar “që të mohonte gjithçka” gjatë pyetjes. Shqetësimi i saj lidhej gjithashtu me adresën e BYL-A, që sipas deklarueses, s’duhej të dilte që ishte shtëpia e saj.

    Në një takim të dytë në një zyrë avokatore, Ajola Xoxa i kërkoi Goxhajt që t’i dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte – biseda që e kanë shqetësuar.

    “Deklaruesja shpjegoi se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjësonin,” thuhej në vendim.

    Në një takim të radhës më 14 dhjetor, Goxhaj dëshmon se ishte udhëzuar që “të bënte rezistencë dhe të mos tregonte realitetin e situatës”. Ajo gjithashtu është ndjerë në presion, pasi i kanë se ata do ta merrnin vesh se çfarë do të deklaronte dhe do rridhte informacioni, pasi kishin njerëz “brenda Prokurorisë”.

    Goxhaj ka dëshmuar gjithashtu se Bushka e kishte kontaktuar atë sërish në zyrën e Avokatit të Popullit më 14 janar 2025, dhe pasi Ballanca ishte larguar nga zyra, e kishte pyetur atë nëse kishte pasur ndonjë shqetësim apo nëse SPAK e kishte thërritur përsëri.

    Sipas dëshmisë së deklarueses, Bushka i kishte thënë gjithashtu se “Adela na ka sjellë shumë pasoja dhe është një person negativ me të cilën kemi bashkëpunuar”. Ajo e kishte porositur disa herë që të mos filste me Adelën apo me persona të tjerë për takimet që kishte pasur me të.

    Prokuroria e Posaçme po e heton kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka për kryerjen e veprimeve me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës, por ajo i mohoi këto akuza.

    “Po, unë e kam takuar vajzën në fjalë si një person që kam punuar dikur dhe kam lidhje familjare, lidhje gjaku. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë avokat,” tha Bushka përmes një deklarate nga Kuvendi.

    “Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar që të fshehë ndonjë të vërtetë, sepse unë jam e para më e interesuara që e vërteta të zbardhet sa më parë,” shtoi ajo.

    Kufizimi i lirisë

    Përpjekja sipas SPAK e koordinuar për intimidimin e dëshmitarëve dhe pengimin e hetimit ishte një ndër faktorët kyçë të vendosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Ajola Xoxa u vendos fillimisht në arrest shtëpie për shkak se ishte nëna e një fëmije të mitur – masë e cila u lehtësua më pas në detyrim për paraqitje pas ballafaqimit të saj me gjykatën të mërkurën.

    Në kërkesën drejtuar Gjykatës, Prokuroria e Posaçme vlerësoi se ekziston një rrezik real dhe i vazhdueshëm për manipulimin ose fshehjen e provave, nëse Veliaj ose Xoxa nuk i nënshtrohen kufizimeve të lirisë.

    Ky rrezik buron nga funksioni i Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndikimi i tij i fortë në administratë, si dhe sjellja e tij gjatë hetimeve, duke përfshirë mesazhet kërcënuese drejtuar hetuesve të BKH-së dhe ndërhyrjeve të tjera në proces. Xoxa, nga ana tjetër, ka kontaktuar dhe orientuar dëshmitarë përpara dhe pas marrjes në pyetje, duke ndikuar në deklarimet e tyre.

    Gjykata e ka cilësuar të drejtë këtë kërkesë të SPAK, duke argumentuar se rreziku i marrjes dhe i vërtetësisë së provave është real dhe i vazhdueshëm nëse Veliaj dhe Xoxa nuk do t’u nënshtrohen masave të kufizimeve të lirisë.

    “Kjo kërkesë argumentohet me qëllimin e Prokurorisë së Posaçme për të shmangur sa më shumë që të jetë e mundur pengimin, ngadalësimin apo edhe devijimin në mënyrë të parregullt të procesit të të provuarit dhe vërtetimit të rrethanave të faktit të lidhura me procedimin penal në fjalë,” argumenton gjykata.

    “Ky rrezik është provuar të jetë i prekshëm gjatë gjithë hetimit paraprak deri në këtë moment, sidomos në raport me personat që janë thirrur për të bërë deklarime pranë organit procedues, por edhe me sjelljen që kanë shfaqur shtetasit nën hetim gjatë kësaj periudhe,” thekson vendimi.

    BIRN

  6. #56
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Opozita kërkon dorëheqjen e Bushkës pas akuzave të SPAK

    Deputeti demokrat, Dashnor Sula i kërkoi deputetes Bushka të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Komisionit të Ligjeve, pas akuzave të ngritura nga SPAK për kryerjen e veprimeve me qëllim pengimin e hetimeve ndaj Erion Veliajt.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  20231219_021212_181223_3_012-2_f1lEV8Y.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  37.2 KB
    Deputetja Klotilda Bushka gjatë një seance të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, | Foto: LSA

    Deputetë të opozitës i kërkuan të martën dorëheqjen nga drejtimi i komisionit të Ligjeve, kryetares Klotilda Bushka, pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se ajo ishte nën hetim për tentativë për të penguar hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.

    Në një mbledhje rutinë të komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula i tha Bushkës se nuk mund të drejtonte këtë komision, pasi nuk kishte ‘as moral’ dhe “as legjitimitet’.

    “Nga deklarata e SPAK, del që ju kryetare e Komisionit të Ligjeve keni tentuar për të penguar zbulimin e së vërtetës, ju kërkoj t’i thërrisni ndërgjegjes dhe mos e drejtoni më komisionin, të paktën sot,” iu drejtua ai Bushkës.

    Por, deputetja socialiste u përgjigj se pozicionin e saj në lidhje me akuzën e SPAK do ta sqaronte ‘atje ku sqarohen”, ndërsa shtoi se kishte qenë dhe ishte “e dinjitetshme”.

    Veliaj u arrestua të hënën, pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.

    Në njoftimin për arrestimin e tij, SPAK deklaroi gjithashtu se po kryente hetime ndaj deputetes Klotilda Bushka të cilën e akuzon për kryerjen e veprimeve aktive “që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në rastin e dosjes së Veliajt.

    “Deri në këtë fazë kontatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim, K.B ka kryer veprime aktive të kundraligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues…,” tha SPAK në njoftim.

    BIRN

  7. #57
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Telefonata që nuk ndodhi, si e injoroi Rama-Veliajn në çastet e fundit në zyrë

    Kryetari i bashkisë në panik, disa thirrje dhe SMS drejt kryeministrit

    Emri:  Screenshot-2025-02-13-222520-750x375.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  30.4 KB

    Elegjia e Edi Ramës për Erion Veliajn po bëhet gjithnjë e më qesharake ditë pas dite teksa dalin në dritë fakte të reja. Një burim i mirëinformuar nga brenda Bashkisë Tiranë e që ishte pranë Veliajt mesditën e së hënës, tregon për Lapsi.al një episod të paraportuar deri më tani.

    Episod që tregon shumë për prapaskenat e vendimit që çoi në arrestimin e kryebashkiakut. Njerëzit e SPAK që ia behën zyrës së Veliajt, pas prezantimit e komunikimit të arsyes përse ishin aty, i kërkuan atij që të shkonte pas tyre. Por Veliaj bëri rezistencë fillimisht duke shprehur jo pak habi për atë që po i shihnin sytë dhe në një përpjekje për të fituar disi kohë thirri menjëherë aty në zyrën e tij sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi, i cili disa javë më parë mbante postin e drejtorit Juridik të bashkisë.

    Siç thotë burimi për Lapsi,al, Veliaj i kërkoi atij të lexonte vendimin që kishin sjell oficerët e SPAK. E teksa Dokushi po lexonte këtë vendim, Veliaj mori celularin e tij dhe nisi të telefononte të vetmin që atë çast kur po i “shembej bota” mendonte se mund ta shpëtonte, pikërisht kryeministrin Edi Rama. Thirrjet drejt numrit të Ramës vijuan disa herë, por më kot. Nga ana tjetër e celularit nuk përgjigjej askush.

    Dukshëm i tensionuar që telefonata nuk po realizohej, Erion Veliaj nisi të dërgonte mesazhe të shkruar, përmbajtjen e të cilit e di vetëm ai dhe Edi Rama. Leximi i vendimit u krye ndërkohë nga drejtori i Veliajt dhe nuk kishte më çfarë ndodhte e të pritej brenda zyrës së tij. Oficerët i kërkuan kryetarit të bashkisë të shkonte pas tyre në mënyrë që të mos përdornin forcën.

    Me sugjerim të tyre, tregoi burimi për Lapsi.al, i thanë Veliajt që të mbante në dorë edhe një dosje bosh sa për të mos ngjallur asnjë dyshim tek njerëzit apo mediat jashtë bashkisë. Dhe kështu ndodhi. Veliaj më pas u fut në makinën e njerëzve të SPAK për t’u izoluar në paraburgim te “Mine Peza” dhe pamjet ishin ato që i pamë të gjithë.

    Por le të rikthehemi pak te telefonata që nuk ndodhi brenda zyrës së tij dhe të ngremë disa pyetje. Pse ishte Edi Rama njeriu që telefonoi Erion Veliaj? Pse kryeministri nuk iu përgjigj telefonatës së tij? A ishte në dijeni më parë kreu i Rilindjes për atë që pritej të ndodhte mesditën e së hënës? Pse Rama kishte zgjedhur të ikte larg Tiranës atë ditë dhe pas arrestimit të shpërndahej me shpejtësi në media lajmi se ai ndërpreu papritur axhendën e takimeve në Shkodër?

    Mund të ketë këtu shumë rastësi dhe përkime të çuditshme, por nëse nisemi nga premisa që kemi thënë vazhdimisht, se SPAK është një vegël në shërbim të Edi Ramës për të goditur kundërshtarët e tij politikë, dalim në përfundimin se kryeministri ishte në dijeni të asaj që pritej t’i ndodhte Erion Veliajt dhe zgjodhi enkas të mos i përgjigjej në telefon. Ndoshta sepse edhe vetë Edi Rama nuk kishte më asnjë fuqi ta ndalonte arrestimin e tij ose siç thonë zëra të tjerë, thjesht as nuk donte ta shpëtonte.

    Dikush me të drejtë mund të thotë se mbase atë moment Edi Rama ishte i zënë me takime të tjera e nuk kishte kohë për Veliajn. Por e vërteta është se kryeministri nuk ishte në takim kokë më kokë me Donald Trump, thjesht me Benetin e Shkodrës. Erion Veliaj nuk ishte një kontakt i zakonshëm në librin e telefonit të Edi Ramës.

    Në çdo rast ai kishte prioritet kur bënte thirrje drejt kryeministrit apo dërgonte mesazhe. Dhe jo një thirrje, por disa thirrje të njëpasnjëshme tregoi burimi për Lapsi.al. Rama nuk iu gjend Veliajt në çastet e tij të fundit të lirisë përpara se të merrte rrugën drejt qelisë. Një rastësi fatkeqe ose një episod që tregon shumë për të vërtetën e trekëndëshit Rama-SPAK-Veliaj.

    ©LAPSI.al

  8. #58
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Dalin faturat nga kompjuteri i Ajola Xoxës/ Çfarë bleu me 860 mijë euro

    Fustane te Victoria Beckham, këpucë te Christian Louboutin, aksesorë te Viviene Westwood, veshje te Prada, Michale Kors, Karl Lagerfeld, Dolce Gabbana

    Emri:  faturat-e-ajola-xoxa-1140x570.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  41.4 KB

    Kur shpërndanë informacionin se Ajola Xoxa ka shpenzuar mbi 860 mijë euro për veshje dhe aksesorë të shtrenjtë, dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani hodhën një bombë shkatërruese për imazhin e Erjon Veliajt dhe bashkëshortes së tij.

    Shifra e çmendur e blerjeve online është dëshmi e fortë e luksit të pamohueshëm, ku notonin njerëzit që supozohet se i administrojnë me skrupolozitet taksat e qytetarëve Tiranës. Megjithatë dyshimet mbeten se “bomba” e 860 mijë euro blerje online është pjesë e strategjisë së prokurorëve për ta nisur në avantazh betejën në sallën e gjyqit.

    “Ajola Xoxa vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, ose rreth 880 mijë euro, shkruhej në njoftimin e SPAK.

    Ashtu siç pritej, ky moment i njoftimit për media kapi menjëherë titujt kryesorë.

    Prandaj dhe Erjon Veliaj e denoncoi menjëherë, si të pavërtetë shifrën 860 mijë euro blerje të Ajola Xoxës.

    Jo duke e mohuar si shumë të shpenzuar në total, por duke e konsideruar atë një shpenzim në funksion të eventeve kulturore që menaxhonte e shoqja dhe jo për qejfet e saj personale.

    “Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal” u shpreh Veliaj që solli si argument faktin se Olsi Dado nuk ka gjetur asnjë nga veshjet në shtëpinë e tij.

    Edhe Edi Rama e mbështeti alibinë e Erjon Veliajt, pavarësisht se e shoqëroi me një arsyetim qesharak, që më vonë e justifikoi duke thënë se nuk e ka lexuar dosjen.

    “Të thuash 800 mijë euro blerje online për bizhu dhe fustan ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan e nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi” u shpreh Rama.

    Por si qëndron e vërteta? Çfarë ka blerë Ajola Xoxa për të arritur shumën marramendëse prej 860 mijë eurosh shpenzime online? A janë porositë në internet, materiale për evente kulturore apo kapriçiot e gruas së një politikani, që e ka humbur sensin me realitetin?

    Lapsi.al ka siguruar disa nga faturat doganore të porosive që ka bërë Ajola Xoxa të vitit 2014, 2015 dhe blerjet nga muaji janar deri në qershor vitit 2016.

    Siç e ka sqaruar SPAK, blerjet herë i gjen në emrin Ajola Xoxa, herë në emrin e nënës së saj, Valbona Xoxa. Porositë e saj, herë kanë si destinacion zyrat e kompanive tek Sky Tower, herë shtëpinë tek Kodra e Diellit. Herë blerjet bëhen në paund, herë tjetër në euro apo dollarë.

    Të paktën në ato fatura që ka siguruar Lapsi.al, blerjet janë kryer në intervale të shkurtra nga njëra tjetra, brenda periudhave, një herë në javë apo një herë në dy javë.

    Porositë janë në marka të njohura, ku bien në sy Michale Kors, Victoria Beckham, Prada, Karl Lagerfeld, Dolce Gabbana, Viviene Westwood etj. Dëshirat kryesore fokusohen kryesisht në fustane, vathë, çanta, veshje intime, këpucë etj.

    Çmimet variojnë herë disa dhjetëra paund për një artikull, (blerjet porositen kryesisht në Britaninë e Madhe në kompaninë online Net-a-Porter), herë në disa qindra paund, herë në disa mijëra paund për artikuj të veçantë.

    Vetëm në vitin 2014 janë 39 fatura blerjesh, secila me disa artikuj të ndryshëm.

    Në vitin 2015 janë 30 fatura të ndryshme, secila me disa artikuj.

    Ndërsa nga janari deri në muajin qershor të vitit 2016 janë 11 fatura të ndryshme.

    Konkretisht, fatura e parë për vitin 2014, e marrë si provë nga prokuroria është si më poshtë.

    Emri:  Fatura-e-pare-qe-regjistrohet-eshte-ne-daten-9-janar-2014-2048x1350.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  34.9 KB

    Artikulli i parë është një fund me vlerë 218 paund nga Mother of Pearl Bella.

    Artikulli i dytë është një fustan me çmim 104 paund nga Temperley.

    Artikulli i tretë është një fund nga Roland Mouret, që kushton 126 paund.

    Artikulli i katërt është veshja e sipërme e fundit, edhe ajo një Roland Mouret, që kushton 210 paund.

    Shuma totale e faturës është 679 paund.

    Fatura të tilla përsëriten njëra pas tjetrës, gati çdo javë ose një herë në çdo dy javë.

    Për shembull, fatura më poshtë, tregon një porosi të bërë më 24 shkurt të vitit 2014 dhe të porositur nën emrin Valbona Xoxa, që është nëna e Ajola Xoxës.

    Emri:  breke-340-paund-2048x1249.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  33.2 KB

    Porosia e parë është një bikini gome nga firma Mikoh Byron Bay me vlerë 229 paund.

    Porosia e dytë është një veshje intime, korse nga kompania Agent Provocateur me vlerë 341 paund, siç mund t’i shihni më poshtë të ekspozuara nga kompanitë në fjalë nëpërmjet modeleve të tyre:

    Emri:  Bikini-gome-te-ekspozuara-nga-firma-Micoh-Bay.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  25.9 KB

    Emri:  Agent-Provocateur-Demelza-lace-appliqued-tulle-corset.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  28.3 KB

    Ilustrimet e mësipërme janë marrë nga faqe të internetit, që punojnë me shitjet online dhe që reklamojnë produktet që janë në fatura, shoqëruar me përshkrimin përkatës.

    Më poshtë është një nga faturat e vitit 2015, më saktë është porosia e parë që Ajola Xoxa ka bërë për vitin 2015 dhe mban datën 7 Janar.

    Emri:  Fatura-e-porosise-se-pare-per-vitin-2015-nga-Ajola-Xoxa-2048x1397.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  42.6 KB

    Siç shihet, në dokumentin më lart, veshjet variojnë nga fustane tek Viktoria Beckham që kushton 763 paund, e deri tek aksesorë nga linja e Viviene Westwood, funde të tjera më të lira, disa dhjetëra paund etj.

    Emri:  Nje-nga-modelet-e-linjes-Victoria-Beckham-i-ekspozuar-nga-modelet-e-kompanise.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  16.1 KB

    Nga një kërkim i shpejtë në internet, rezulton se fustani i blerë nga Ajola Xoxa për 763 paund është i modelit që duket në foton më lart i markës Victoria Beckham.

    Emri:  Sonia-Rykel-2048x1307.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  39.0 KB

    Në faksimilen më lart është një nga faturat e administruara në dosje, ku duket se janë blerë tre fustane, njëri 525 dollarë, një tjetër për 1850 dollarë dhe tjetri 1030 dollarë.

    Shuma e plotë për të tre fustanet është 3460 dollarë pa vlerën që duhet paguar në dogana.

    Në foton më poshtë janë një palë këpucë të markës Christian Louboutin, të paguara për 398 paund pa llogaritur vlerën e doganës.

    Emri:  christian-louboutin-mrs-early-100-printed-faille-leather-and-mesh-pumps-2048x1081.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  25.3 KB

    Ky model këpucës nga kompania Christian Louboutin është vetëm një nga artikujt e porosisë së datës 15 shkurt 2016, që rezulton në emër të Valbona Xoxës, por që në fakt është porositur nga e bija, Ajola Xoxa.

    Vlera e plotë e porosisë është më shumë se 1500 paund.

    Në foton më poshtë janë një palë këpucë me lëkurë gjarpri, sërish nga Christian Louboutin. Sipas faturës së datës 15 shkurt, Ajola Xoxa ka paguar për 619 paund, për një model të ngjashëm si më poshtë.

    Emri:  Christian-Louboutin-100-snake-print-2048x1175.jpg

Shikime: 17

Madhësia:  30.0 KB

    Më poshtë është një çantë e markës Givenchy, modeli Pandora Box. Çantë e zezë e vogël, që Ajola Xoxa e ka blerë për 837 paund pa llogaritur vlerën e doganës.

    Emri:  pandora-box.jpg

Shikime: 19

Madhësia:  20.5 KB

    Një nga porositë, siç duket në faturën më poshtë është vetëm për veshje intime, që lë të kuptohet se është një blerje krejtësisht personale e bërë në datën 22 janar të vitit 2015.

    Kompania që bie në sy nëpër fatura për sa i përket veshjeve intime është e njëjta, Agent Provocateur.

    Shikoni faksimilen më poshtë:

    Emri:  agent-provocateur.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  53.0 KB

    Lapsi.la ka përzgjedhur të publikojë vetëm disa prej artikujve të blerë nga Ajola Xoxa, pasi faturat e blerjeve janë pak a shumë të së njëjtës natyrë.

    Dokumentat janë dëshmi e qindra mijëra eurove të shpenzuara për dhjetëra fustane, çanta, këpucë, aksesorë të ndryshëm nga bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj, i cili mbrohet se këto veshje i nevojiteshin të shoqes për organizimin e eventeve kulturore.

    Por alibia me të cilën mbrohet Veliaj fut ujë. Veshjet personale dhe aksesorët e porositur nga kompanitë më të famshme në botë, nuk kanë asgjë të përbashkët me projektet kulturore, qofshin këto ekspozita, koncerte apo shfaqje artistike.

    E vetmja pikë takimi mes tyre, është burimi nga vijnë paratë; taksat që ne paguanim për kryeqytetin.

    Lapsi.al

  9. #59
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    O Albo, po nuk kane asnje fakt per akuzen mo, gjithcka eshte nje roman i verdhe
    shkruaj sa te duash, pune eshte argumenti, denimi do fakte
    Duaje te afermin tend si veten

  10. #60
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,588
    Postimet në Bllog
    1

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Nuk jane fustanet e saja , jane te fondacionit per evente kulturore
    gjithcka eshte skifo
    Duaje te afermin tend si veten

Faqja 6 prej 13 FillimFillim ... 45678 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 27-02-2025, 12:50
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-09-2024, 23:18
  3. Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 02-05-2024, 13:53
  4. SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 01-05-2024, 10:51
  5. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 05-04-2024, 12:37

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •