Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Beograd: Protestat masive të qytetarëve sjellin dorëheqjen e kryeministrit të vendit

    Jep dorëheqjen Kryeministri i Serbisë

    Emri:  serbi.jpg

Shikime: 505

Madhësia:  18.8 KB

    Kryeministri Serbisë, Milosh Vuçeviç, dha dorëheqje të martën mes protestave masive rreth shembjes së një çatie betoni në muajin nëntor në një stacion treni ne Novi Sad.

    “Dorëheqja ime është e pakthyeshme”, tha kryeministri Vuçeviç në një konferencë shtypi në Beograd, një ditë pasi studentët e universiteteve bllokuan një nga kryqëzimet kryesore në kryeqytetin serb.

    Përgjatë bllokadës që zgjati 24 orë, pati edhe incidente ndërmjet studentëve dhe përfaqësuesve të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në qytetin e Novi Sadit. Një studente mbeti e plagosur.

    Dorëheqje dha të martën edhe kryebashkiaku i Novi Sadit.

    Shembja e çatisë në stacionin e trenit që la pas vetes 15 të vdekur, çoi në shpërthimin pakënaqësive sundimin gjithnjë e më autokratik të presidentit populist të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike në Serbi pavarësisht se kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    Një natë më parë Presidenti Vuçiç paralajmëroi ristrukturimin e qeverisë.

    Dorëheqja e kryeministrit Vuçeviç ka të ngjarë të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dorëheqja që nënkupton rënien e gjithë kabinetit, duhet të konfirmohet nga parlamenti i Serbisë, i cili ka 30 ditë afat për të zgjedhur një qeveri të re ose për të shpallur zgjedhjet e parakohshme.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Beograd: Protestat masive të qytetarëve sjellin dorëheqjen e kryeministrit të vendit

    CNN: Lëvizja studentore që po shkund themelet e pushtetit të Vuçiçit

    Autokrati i Serbisë në siklet, deri tani ka lëshuar kryeministrin, por lëvizja studentore është forcuar

    Emri:  Screenshot 2025-02-03 at 4.55.11 PM.jpg

Shikime: 451

Madhësia:  17.2 KB

    Ditën e parë të nëntorit, Aleksandar Matkoviç ishte vonë për të kapur trenin. Udhëtimin e kishte nga Novi Sadi, në veri të Serbisë, për në kryeqytetin e saj në Beograd, ku punon si historian i politikave ekonomike. Vetëm se kur arriti në stacion, ai u bë dëshmitar i një skene tmerri që ka lënë të tronditur vendin, sot e kësaj dite.

    Pak minuta para se të mbërrinte Matkoviç, tenda e stacionit – ku rindërtimi kishte përfunduar muaj më parë – ishte shembur, duke shtypur pasagjerët që prisnin në platformë. Pesëmbëdhjetë vetë mbetën të vrarë.

    “Kam qëndruar aty për rreth dy ose tre orë. I ngulja sytë bosh në hapësirën ku kishte qenë tenda. E gjithë kjo ishte kaq joreale”, tha Matkovic për CNN.

    Emri:  Screenshot 2025-02-03 at 4.55.41 PM.jpg

Shikime: 450

Madhësia:  44.3 KB

    Gjendja e shokut u kthye shpejt në zemërim. Streha e shkatërruar ka shërbyer si një simbol i fuqishëm i asaj që shumë serbë e shohin si korrupsion në zemër të shtetit, të skalitur nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e tij gjatë 12 viteve në pushtet. Ato që filluan si nderime për të vdekurit janë shndërruar në protesta pothuajse të përditshme, duke tërhequr segmente gjithnjë e më të mëdha të shoqërisë serbe dhe duke arritur në çdo cep të kombit. “Jemi në një territor të paeksploruar më parë” tha Matkoviç.

    Demonstratat e udhëhequra nga studentët, duke kërkuar lëshimin e plotë të dokumenteve në lidhje me punimet e rindërtimit, janë bërë aq të mëdha dhe kaq të qëndrueshme sa disa kanë vënë në dyshim nëse ato mund të rrëzonin mbretërimin e Vuçiqit. “Të gjitha llojet e pyetjeve po kalojnë nëpër mendjet e njerëzve,” tha Matkoviç.

    Vuçiç ka dominuar Serbinë që kur erdhi në pushtet si kryeministër në vitin 2014, pastaj president tre vjet më vonë. Një ish-ministër i informacionit për regjimin brutal jugosllav të Slobodan Millosheviçit, demokracia serbe ka degraduar nën Partinë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiçit. Freedom House, e cila mat fuqinë e demokracive, tha se Serbia ra nga cilësimi “e lirë” në “pjesërisht e lirë” në vitin 2019, duke përmendur sulmet ndaj mediave dhe përqendrimin e pushtetit në duart e presidentit.

    Regjimi i tij është i vështirë për t’u kategorizuar, thonë analistët. Nuk është aq represiv sa në Bjellorusinë e Aleksandër Lukashenkos, por as aq tolerant sa në Hungarinë e Viktor Orbanit. Ivana Stradner, një bashkëpunëtore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, tha se Vuçiç e ka “bërë Serbinë si Rusia në fillim të viteve 1990, e prirur drejt një shteti kriminal, të korruptuar, pa sundim të ligjit”.

    Emri:  Screenshot 2025-02-03 at 4.56.28 PM.jpg

Shikime: 449

Madhësia:  32.8 KB

    Megjithatë, kritikët e lavdërojnë atë si një operator dinak. Në një botë gjithnjë e më shumë polare, vende si Serbia – një fuqi rajonale që Perëndimi është përpjekur ta ndajë nga aleati historik Rusia – gëzojnë shumë opsione. Për Moskën, Serbia shihet si barrikadë e rrëshqitjes drejt perëndimit të kombeve të tjera të Ballkanit. Për Evropën është një minierë e madhe e litiumit, që mund ta bëjë faktor të rëndësishme për tranzicionin e gjelbër. Për Kinën, Serbia ofron mundësinë për të zgjeruar ndikimin e saj përmes Iniciativës “Brez dhe Rrugë”.

    Edhe disa në Shtetet e Bashkuara kanë interesa. Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump po punon për të ndërtuar një hotel të markës Trump në Beograd, me kapital nga shtete të ndryshme të Gjirit.

    Sa i përket Serbisë, kjo qasje biznesi nuk ka nevojë të mbështetet në një ideologji – ajo i ka shitur armë Ukrainës, por refuzon të bashkohet me sanksionet kundër Rusisë – pasi ka qenë fitimprurëse. Serbia është furnizuar me gazin rus, infrastrukturën kineze, investimet evropiane, madje edhe projektet e shkëlqyera të ndërtimit amerikan.

    Pika e kthesës

    Megjithatë, kjo “paqartësi strategjike”, siç e quan Stradner, ka ardhur me koston e pakënaqësisë së brendshme.

    “Njerëzit janë të ngopur”, sipas Engjellushe Morinës, anëtare në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Studentët janë të ngopur me këtë retorikë… ku Vuçiç thotë një gjë për konsum të brendshëm dhe një gjë tjetër për konsum ndërkombëtar.”

    Zemërimi ndaj qeverisë ka zier prej vitesh. Në maj 2023, kur Serbia u trondit nga dy masakra me armë, njerëzit protestuan kundër “kulturës së dhunës”. Pati më shumë demonstrata pas zgjedhjeve të diskutueshme më vonë atë vit, me opozitën që bëri thirrje për një rivotim. Ato gjithashtu zgjatën për javë të tëra, por përfundimisht u shuan.

    Emri:  Screenshot 2025-02-03 at 4.56.59 PM.jpg

Shikime: 453

Madhësia:  64.5 KB

    Këtë herë është ndryshe, thonë protestuesit dhe analistët. Pakënaqësia e fshehtë me qeverinë gjeti shprehjen e saj në tragjedinë e stacionit të Novi Sadit. Stacioni ishte rihapur me nxitim në vitin 2022 – me Vuçiç dhe Orban të pranishëm – përpara zgjedhjeve të mbajtura atë vit, përpara se të mbyllej për më shumë punë nga një kompani kineze dhe nënkontraktorët e saj. Matkoviç tha se serbët mendonin se projekti ishte “i bërë shpejt” dhe “i nxitur nga elitat politike”. Stacioni u rihap në korrik 2024, vetëm katër muaj përpara se tenda e sapondërtuar të shembej.

    Ndërsa skandalet e mëparshme nuk kanë arritur ta prekin Vuçiçin, ky i fundit ia ka dalë. “Perceptimi i korrupsionit është “një gjë që bashkon të gjithë njerëzit”, tha Stradner.

    Prokurorët serbë deri më tani kanë paditur 13 persona për rolin e tyre në fatkeqësi, duke përfshirë ish-ministrin për ndërtim, transport dhe infrastrukturë, por protestuesit kanë kërkuar që të bëhet më shumë për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës politikisht dhe penalisht.

    “Faktori i frikës është zhdukur”
    Analistët thonë se Vuçiç është i aftë në pengimin e protestave. Ai ka bërë disa lëshime të kontrolluara, duke larguar aleatët, duke kapur opozitën në befasi ose duke e ridikulizuar lëvizjen. Ai i etiketon rregullisht protestuesit si “agjentë të huaj” që përpiqen të organizojnë një “revolucion me ngjyra”, si në shtetet e tjera ish-sovjetike.

    Por këto demonstrata paraqesin një sfidë të re. Për shkak se ato filluan si akte zie, ata ishin kryesisht pa shenja “politike” si flamujt e Bashkimit Evropian, të cilët Vuçiç i ka përdorur më parë për të diskredituar kundërshtarët.

    Protestat kanë tërhequr gjithashtu pjesë të gjera të shoqërisë serbe. Në skenat që të kujtojnë fundin e regjimit të Millosheviçit, fermerët janë bashkuar, duke ngarë traktorët e tyre drejt Beogradit.

    Madje edhe gjyqtarë kanë hipur në bord – një akt tronditës ky, duke pasur parasysh kontrollin e Vuçiçit mbi pjesën më të madhe të gjyqësorit, tha Edward P. Joseph, një pedagog në Universitetin Johns Hopkins që shërbeu për më shumë se 12 vjet në Ballkan, duke përfshirë NATO-n.

    “Zakonisht ata kurrë nuk do të guxonin të ngrinin kokën në një mënyrë kaq publike, por tani po e tregojnë veten në mbështetje të heshtur të protestave,” tha Joseph për CNN. “Faktori i frikës është zhdukur.”

    Emri:  Screenshot 2025-02-03 at 4.57.46 PM.jpg

Shikime: 452

Madhësia:  59.8 KB

    Nuk është e qartë se si Vuçiç mund ta rikthejë autoritetin, tha Joseph. Për shkak se Vuçiç duhet të “luajë këtë parodi” të përgjegjësisë, një goditje e dhunshme ndaj protestuesve do të ishte si “të shkruante epitafin e tij”.

    Por qasja e kundërt – fillimi i reformave demokratike në shkallë të gjerë – është gjithashtu sfiduese, tha Morina. Edhe pse kryeministri Milos Vuçeviç dha dorëheqjen këtë javë, duke thënë se ai e bëri këtë “për të mos rritur më tej tensionet në shoqëri”, kjo nuk ka mjaftuar për të kënaqur protestuesit.

    “Sa bindëse është që ai (Vuçiç) do të jetë në gjendje ta kthejë të gjithë këtë lëvizje që ka ndërtuar – SNS (Partia Progresive Serbe), mbështetësit e partisë, radikalët, huliganët e futbollit – si mund ta kthejë këtë në një lëvizje demokratike?” ka thënë Morina.

    Nuk është e qartë se çfarë mund ta thyejë bllokimin. Lëvizja e protestës është distancuar nga politikanët e opozitës, që do të thotë se pas saj, nuk ka asnjë alternativë politike. Por kjo mund të jetë një forcë, tha Stradner.

    “Është koha që të mos kemi një kult të personalitetit që Serbia e ka pasur për dekada. Është koha të besojmë më shumë në ligje, në gjyqësor, në kontrolle dhe ekuilibra, sesa të besojmë në një lloj personaliteti,” tha ajo.


    Burimi: CNN përshtatur nga Lapsi.al

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Beograd: Protestat masive të qytetarëve sjellin dorëheqjen e kryeministrit të vendit

    Analiza e Zërit të Amerikës: Si protestuesit në Serbi shndërruan tragjedinë në lëvizje për ndryshim

    Emri:  protesta-ne-Serbi1.jpg

Shikime: 168

Madhësia:  39.2 KB

    Studentja e biologjisë Marija Petroviç thotë se, kur ajo dhe kolegët e saj, filluan të protestojnë kundër qeverisë së Serbisë pas rrëzimit të çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad, që shkaktoi vdekjen e 15 personave në nëntor, ata nuk e kishin menduar se do të fitonin kaq shumë përkrahje nga publiku për një kauzë, e cila që atëherë ka nxitur mijëra protestues të mbushnin rregullisht rrugët e këtij vendi.

    Pas tragjedisë kishte pak shenja se protestuesit, që po fajësonin qeverinë për korrupsion dhe nepotizëm, do të siguronin përkrahje më të gjerë.

    “Nuk e menduam që do të kishim kaq shumë përkrahje, por njerëzit filluan të na bashkohen, mësuam si të organizohemi në fakultetet tona dhe në rrugë. Momentet e para ishin shumë më ndryshe nga ajo që po përjetojmë tani, ngaqë nuk besonim se kaq shumë njerëz do të na bashkoheshin. Por, tani në rrugë po shohim që ajo që po bëjmë është shumë e rëndësishme, që njerëzit po pajtohen me ne dhe mendojnë se ajo që po bëjmë është gjëja e duhur”, thotë studentja Marija Petroviç.

    Tre muaj më vonë, demonstratat janë rritur duke u shndërruar në lëvizjen më të madhe protestuese në Serbi ndër vite. Studentëve, të cilët janë shumë të organizuar, iu bashkuan dhjetëra mijëra mësimdhënës, avokatë dhe punonjës të tjerë, duke bllokuar autostrada e sheshe, shkaktuar krizë kështu një krizë politike.

    “I lamë mënjanë ideologjitë personale për shkak se kjo që po bëjmë këtu, është shumë më e rëndësishme. Po përpiqemi t’i bëjmë institucionet funksionale. Vendi po digjet aktualisht, nuk mund të mendojmë për orenditë, kur po përpiqemi të ndalim zjarrin. Nuk kemi as vullnetin e as kapacitetin të mendojmë në atë mënyrë. Kjo më ka bërë më tolerante ndaj botëkuptimeve të të tjerëve, përderisa po luftojnë për të njëjtin qëllim”, thotë zonja Petroviç.

    Qeveria e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç mohon përgjegjësinë për tragjedinë si dhe për akuzat më të gjera rreth blerjes së votuesve, kufizimit të lirisë së mediave, dhunën ndaj kundërshtarëve dhe lidhjet me krimin e organizuar.

    Por Kryeministri i Serbisë Milosh Vuçeviç dhe ministrat e ndërtimit dhe tregtisë kanë dhënë dorëheqjen. Kjo nuk i ka qetësuar protestuesit të cilët thonë se po protestojnë kundër një regjim autokratik.

    Studentët protestojnë çdo ditë, duke ngjyrosur duart me bojë të kuqe si metaforë për, siç thonë ata, duart e përgjakura të qeverisë. Studentët flenë në ndërtesat universitare dhe po ushqehen me donacione. Mësimi është ndërprerë. “Gjatë dy muajve të fundit po jetojmë së bashku në fakultetet tona, po hamë bukë bashkë, po bëjmë gjumë bashkë, po i kalojmë ditët bashkë. Përvoja ime nuk është më e veçantë apo më e rëndësishme se ajo e moshatarëve të mi. Ne vetëm jemi zëri përmes të cilit të gjithë moshatarët dhe kolegët tonë flasin. Ne veprojmë si komunitet, nuk kemi drejtues, as individë. Ne besojmë se komuniteti, pjesë e të cilit jemi, është shumë më i mençur dhe më i zgjuar se një individ i vetëm”, thotë studentja Petroviç.

    Mesazhi i protestave – që qeveria t’i kryejë detyrat e saj me ndershmëri dhe se demonstratat nuk do të ndalen, deri sa kjo kërkesë të realizohet – po kontrollohet me rreptësi. Zonja Petroviç thotë se protestuesit janë përballur me kërcënime dhe sulme fizike, por ato e kanë përforcuar më shumë vendosmërinë e tyre. Kërkesat e tyre përfshijnë publikimin e dokumenteve që lidhen me rrëzimin e çatisë së stacionit, vënien para drejtësisë së përgjegjësve, pushimin e akuzave ndaj studentëve protestues dhe një buxhet më të lartë për shkollimin e lartë. Presidenti Vuçiç thotë se ai i ka përmbushur këto kërkesa.

    Studentët nuk kanë bërë thirrje për rrëzimin e Presidentit serb Vuçiç. Por këmbëngulja e tyre, ka shkaktuar një prej kërcënimeve më të mëdha ndaj pushtetit të gjatë të presidentit, thonë analistët politikë. Protesta e radhës pritet të mbahet të shtunën në Kragujevc, një tubim që pritet të jetë më i madhi deri më tani.

    Voa

Tema të Ngjashme

  1. PD: Protesta masive qytetare për dorëheqjen e Ilir Metës
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 30-03-2015, 11:12
  2. Zbulohet projektligji, SHISH heton jashtë vendit me pëlqim të kryeministrit
    Nga King_Arthur në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 18-03-2010, 08:47
  3. LDD kërkon dorëheqjen e parevokueshme të presidentit dhe kryeministrit.
    Nga Nice_Boy në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 30-11-2008, 05:25
  4. Përgjigje: 329
    Postimi i Fundit: 09-05-2008, 18:18
  5. Trukimet që po sjellin shkatërrimin e futbollit
    Nga Moltisanti në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 01-04-2006, 13:42

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •