Qeveria jep tre autostrada me koncesion

Këshilli i Ministrave miratoi tre vendime për lidhjen e kontratave koncesionare që përfshijnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tre segmenteve rrugore për një periudhë 35-vjeçare.

Nga Besar Likmeta

Emri:  471947607_1030898335744833_1908338867998390959_n.jpg

Shikime: 216

Madhësia:  18.9 KB
Edi Rama dhe Belinda Balluku

Vendimi i parë lidhet me segmentin rrugor Kashar-Pezë-Lekaj, ku kontrata iu dha një grupi operatorësh, përfshirë kompaninë “Gjoka Konstruksion”, e cila më herët ka qenë përfituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës së Arbrit, një projekt i shoqëruar me kosto të rritura dhe shtyrje afatesh.

Segmenti i dytë, Lekaj-Konjat-Fier, iu dha një grupi tjetër operatorësh, përfshirë “Fusha” dhe “Albavia”, me qëllim përmirësimin e rrjetit rrugor dhe forcimin e lidhjeve infrastrukturore të jugut të vendit. Ndërsa segmenti i tretë, Milot-Thumanë, u miratua për një tjetër grup kompanish, përfshirë “Gener 2” dhe “Illyrian Consulting Engineers”. Këto projekte janë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe synojnë rritjen e standardeve rrugore dhe zhvillimin ekonomik.

Pavarësisht objektivave të deklaruara nga qeveria, këto kontrata koncesionare kanë ngritur shqetësime për transparencën dhe ndikimin në buxhetin e shtetit. Institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë kritikuar procedurat dhe kostot e larta të projekteve të ngjashme, duke vënë në pikëpyetje efikasitetin dhe përfitimet e këtyre iniciativave.

BIRN