Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 29
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiranës!

    Fjala e Kryeministrit Edi Rama nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, sesioni i 79-të, ku po merr pjesë në emër të Shqipërisë në “Samiti për të Ardhmen”:

    Emri:  Fdby90dXkAAZwMD.jpg

Shikime: 1434

Madhësia:  42.2 KB

    Sot, sytë e botës duhet të jenë të kthyera në këtë mbledhje, pra mund të themi sinqerisht se popujt e botës vazhdojnë të besojnë në premtimin e një të ardhmeje më të mirë, ndërsa na shohin të mbledhur këtu.

    Dyshoj seriozisht për këtë e kjo është diçka me të cilën të gjithë duhet të përballemi nën këtë çati, çatinë e Kombeve të Bashkuara.

    Na duhet të kemi kurajën të pranojmë se së fundi, veprimet tona shumë shpesh kanë qenë larg përmbushjes së pritshmërive të popujve që deklarojmë se u shërbejmë.

    Herë pas here OKB nuk ka mundur të përmbushë shpresat e ne, popujve, e frika për të ardhmen vazhdon të rritet kudo, në Lindje, në Perëndim, në Veri e në Jug, ndërsa krizë pas krize bie mbi ne.

    Këto kriza kanë shkatërruar terrenin e përbashkët, na kanë përçarë më tej e megjithatë edhe midis kësaj trazire, në mënyrë konstante kemi çuar dëm mundësitë që secila krizë na ka paraqitur për një ndryshim kuptimplotë.

    Pra si t’ia nisim të rindërtojmë atë besim që është gërryer?

    Si të vërtetojmë që veprimi shumëpalësh nuk është thjesht një fjalë boshe, por fuqia që mund të zgjidhë vërtetë sfidat që po shfaqen e ato të ngutshme të kësaj kohe. Si të dëshmojmë që fuqia jonë kolektive nuk është thjesht më e madhe se sa përpjekjet e fragmentarizuara, të shkëputura e ndonjëherë veprimet destruktive të kombeve individuale, por e vetmja rrugëzgjidhje që kemi për të shpëtuar që njerëzimi të mos bjerë në kolaps përpara syve tanë.

    Si të frymëzojmë, në vend se t’i demoralizojmë njerëzit e zakonshëm? Jetët e të cilëve shkatërrohen ditë për ditë nga veprimet e papërgjegjshme të fuqive të vogla e të mëdha të globit, përfshi në Europë, ku një luftë e re ka vënë në pikëpyetje jo vetëm gjithçka që dikur mendonim të padiskutueshme, por edhe ekzistencën e njerëzimit të përballur me kërcënimet e marra, të hapura për përdorimin e armëve bërthamore.

    Sinqerisht, nuk i kam të gjitha përgjigjet, në mos asnjë, por një gjë është e qartë, që bota ka ndryshuar dramatikisht qysh prej se Kombet e Bashkuara janë themeluar tetë dekada më parë. E duket sikur kemi humbur atë që është arsyeja e pastër që ky institucion mbetet i pazëvendësueshëm. Këtu duhet t’ia nisim! Duhet të përpiqemi me përpjekje të mëdha që të rimarrim ndjesinë e përbashkësisë që ka humbur. Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm e askush nuk është i sigurt, pavarësisht pozitës gjeografike, madhësisë, pasurisë, fuqisë, pavarësisht sistemeve politike e shoqërore.

    Sfidat tona janë të ndërlidhura thellësisht, e nëse nuk përballemi me to, me një rend të rienergjizuar shumëpalësh do të dështojmë të gjithë së bashku. Veprimi shumëpalësh nuk është një zgjedhje, është nevojë urgjente. Problemet me të cilat përballemi sot, qofshin si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve tona, kërkojnë përgjigje kolektive. Ato janë shumë të skajshme e shumë globale për tu përballur përmes përpjekjeve të izoluara apo përmes veprimeve konfrontuese.

    Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjithë angazhimet e saj, por më lini të theksoj, angazhimet të vetme nuk janë të mjaftueshme aspak. Ato duhet të përmbushen, të zbatohen. Fjalët qëllimmira duhet të transformohen në vepra dhe veprime të përbashkëta e nuk mund të them që kjo duhet të jetë.

    Ndërkohë që Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë, që është çuar për të mbrojtur humanizmin tonë të përbashkët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në të vetmin vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë holokaustit falë familjeve muslilmane e të krishtere, që i mbrojtën nga nazistët. Më së fundi, pas shkatërrimit e rënies së Kabulit në duart e talibanëve 3 vjet më parë, ne strehuam disa mijëra afganë që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e nëntë të Ferrit!

    Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!

    Faleminderit të gjithëve!

    Kryeministria

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    Ideja e Ramës për një “shtet bektashi” kritikohet si ‘narciziste dhe e rrezikshme’

    Propozimi i kryeministrit Edi Rama për krijimin brenda Shqipërisë të një shteti sovran të “Urdhrit Bektashi” kritikohet si një ide e çuditshme, e rrezikshme dhe e shtyrë nga nevoja për të tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare nga analistë dhe studiues.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Selia-e-Bektashinjve--1536x1024.jpg

Shikime: 1425

Madhësia:  66.2 KB
    Kryegjyshata Botërore e Bektashijve gjatë festimeve për Sulltan Novruzin. Foto: LSA.

    Në fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të dielën, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ishte e gatshme që të transformonte Urdhrin Botëror Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, të ngjashëm me Vatikanin.

    Kjo ide e padëgjuar më parë u paralajmërua më herët nga Rama në një intervistë për New York Times, sipas së cilit qëllimi i këtij mikroshteti ishte promovimi i një Islami tolerat.

    Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj e duartrokiti idenë e Ramës dhe tha përmes një deklarate se ‘shteti i ri” nuk kishte të bënte me politikën, por me udhëheqjen shpirtërore.

    “Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative,” thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.

    Ideja e Ramës për një “shtet sovran bektashi” u prit megjithatë me rrudhje vetullash dhe vlerësohet nga analistë të politikës si e çuditshme dhe absurde.

    “Këtë ide të çuditshme për një vend të tillë që ka të bëjë me tërësinë territoriale të vendit, që kërkon ndryshime të Kushtetutës, ky njeri nuk e konsulton me asnjë shqiptar, por e deklaron nëpër botë, duke shpërfillur jo vetëm ne që na konsideron armiq, por edhe ata shqiptarë që e mbështesin apo janë pjesë e qeverisë së tij,” i tha BIRN publicisti Fatos Lubonja.

    “Kjo tregon nivelin e rritjes së autoritarizmit, domethënë të rënies së demokracisë në Shqipëri,” shtoi ai.

    Urdhri Botëror Bektashi është një tarikat i Islamit, që e vendosi qendrën e vet në Shqipëri në vitet mes dy Luftërave Botërore. Mes shqiptarëve ata kanë pasur gjithmonë një prezencë të rëndësishme, duke u konsideruar feja e katërt për nga madhësia dhe pjesë e rëndësishme e shtetformimit dhe Rilindjes Kombëtare. Sipas censusit të fundit, në Shqipëri vetëdeklarohen si bektashi rreth 115 mijë persona ose 4.8 për qind e popullsisë.

    Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike e konsideron gjithashtu deklaratën për një shtet sovran të Bektashijve si “një ide të rrezikshme”.

    “Rast tipik për të treguar se si Shqipëria vazhdon të drejtohet si një shtet personal dhe se vendimmarrja politike është terësisht jo institucionale,” tha Krasniqi.

    Përtej deklaratave nga Nju Jorku, projekti është i mbuluar nga paqartësi ligjore dhe kushtetuese, ndërsa qeveria shqiptare nuk ka bërë publike asnjë të dhënë shtesë.

    Propozimi për momentin është detajuar vetëm në pak rreshta nga Kryegjyshata Bektashiane në një deklaratë për mediat. Ata sqarojnë se do të jenë një “ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”.

    Por studiuesi Enis Sulstarova thotë se plani nuk mund të trajtohet kaq thjeshtë dhe se ideja është në vetvete antikombëtare.

    “Është diçka shumë e çuditshme, shumë absurde dhe thellësisht antikombëtare,” thotë Sulstarova, ndërsa sqaron se mikroshtetet janë në fakt mbetje të feudalizmit në Europë dhe nuk mund të jenë krijime të shteteve moderne.

    “Shteti modern ka sovranitet popullor, teorikisht buron nga një popull i caktuar prandaj mikroshteti (pa territor e pa popull) bie ndesh me të,” shtoi ai.

    Sulstarova shpjegon gjithashtu se tezat për një organizim politik në linja fetare janë rrëzuar gjithmonë në Shqipëri dhe kjo ide është një precedent i rrezikshëm “sepse bie ndesh me linjën kombëtare shqiptare që nga Rilindja e deri në kohën tonë”.

    Ndryshe nga pretendimi i Ramës, Sulstarova thotë se kjo ide shkon përkundër asaj që promovohet si harmoni fetare në vend, pasi krijon një precedent përçarës.

    Idetë provokative që tërheqin vëmendje janë një tipar i qeverisjes 11-vjeçare të Ramës dhe kjo e shtetit sovran të Bektashinjve nuk bën përjashtim. Sipas analistëve, deklarata e Ramës rrjedh më shumë nga nevoja e tij për vëmendje sesa nga një projekt i studiuar apo i menduar.

    “Kemi të bëjmë me një përpjekje të kryeministrit për të tërhequr vëmendjen nga zhvillimet e brendshme dhe për t’u bërë atraktiv në median ndërkombëtare,” tha Krasniqi, i cili shtoi se kjo e fundit i duket si një shpifje e momentit.

    Të njëjtin mendim ndan edhe Fatos Lubonja, i cili vlerëson se ky mund të jetë një operacion mediatik për të hequr vëmendjen nga një sërë artikujsh në median ndërkombëtare, që e shohin Shqipërinë e qeverisur nga Rama si një “narkoshtet”.

    “Tymnajë narciziste për të qëndruar në qendër të vëmendjes apo për të tërhequr vëmendjen nga akuzat në mediat botërore për ndërtimin e një narkoshteti,” tha ai.

    Studiuesi Sulstarova komentoi gjithashtu se kryeministri Rama e sheh Shqipërinë si një vend ekzotik apo turistik, ku të vijnë të huajt dhe të vizitojnë një mikroshtet të bektashijve.

    “Ne duam nga politikanët që të krijojnë një shtet normal, jo një shtet çudirash,” tha Sulstarova, i shqetësuar se politika po e korrupton fenë duke e shmangur atë nga qëllimi kryesor.

    BIRN
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 23-09-2024 më 23:40

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    NJOFTIM! INICIATIVA PËR SOVRANITETIN E URDHRIT BEKTASHI: NJË MOMENT HISTORIK PËR TOLERANCËN DHE PAQEN FETARE GLOBALE

    Nga Selia e Shenjtë

    22 Shtator, 2024

    Emri:  odeoni-foto-ballore.jpg

Shikime: 1321

Madhësia:  40.2 KB

    Tiranë, Shqipëri — 22 shtator 2024 — Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore.

    Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave.

    Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Ai gjithashtu do të krijojë një platformë që Urdhri të përhapë mesazhin e tij të paqes dhe tolerancës në mënyrë më efektive, duke shërbyer si një zë global për Islamin e moderuar. Sovraniteti i Urdhrit Bektashi është një hap i rëndësishëm në forcimin e vlerave të përfshirjes, harmonisë fetare dhe dialogut në një botë gjithnjë e më të ndarë.

    “Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, theksoi Kryegjyshi.

    Si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative.

    Ndryshe nga sa është aluduar në media, shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër veç udhëheqjes shpirtërore.

    Të gjitha pyetjet dhe kërkesat mund të drejtohen në: media@bektashistate.org.

    Kryegjyshata

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    ‘Paulini’ vijon të zbulojë veten si ‘baba’

    Emri:  auto_New_Project_31727109056.jpg

Shikime: 1377

Madhësia:  34.5 KB

    Edi Rama, i cili nuk njihet si besimtar, ose më saktë njihet si besimtar shëtitës, siç ka deklaruar edhe vetë, nga ortodoks është pagëzuar në katolik me emrin Paulin, e nga katolik në lexues e citues i Kuranit në fjalimet e tij, së fundi ka zbuluar vehten si ‘baba bektashi’.

    Pas intervistës në The New York Times dhe fjalës në OKB-për themelimin e një shteti bektashi brenda Tiranës, Rama duket se ka filluar të lexojë, me vonesë, literaturë në lidhje me historinë e bektashizmit në Shqipëri.

    Edhe pse e quan organizatën e tij mafioze Rilindje, Rama nuk e di se bektashinjtë e njohur të Rilindjes kombëtare punuan dhe luftuan për një Shqipëri unitare dhe laike.

    Në rolin e një babai autokrat, pa u konsultuar me askënd e pa pyetur qoftë edhe vetë bektashinjtë, Edi Rama i ky hyrë një aventure e cila mund të minojë harmoninë e dialogun fetar, një trashëgimi e vyer e Shqipërisë.

    Shumë aktorë fetarë dhe politikë e kanë cilësuar iniciativën vetjake të Ramës si një shashkë për të larguar vëmendjen nga korrupsioni galopant ku është zhytyr vetë ai dhe qeveria e tij, nga mungesa e lirisë së medias dhe ngecjes në vend të Shqipërisë në proceset integruese në Europë.

    Kështu në prag të zgjedhjeve, në mungesë të llogaridhënies para shqiptarëve për hajdutërinë e tij dhe sektit që drejton, Rama ka vendosur të merret debate shterpe, pse jo edhe të rrezikshme.

    Postimi i Ramës në X:

    Një libër i mrekullueshëm për këdo që është i interesuar të mësojë më shumë për historinë dhe kulturën unike të Urdhrit Bektashi, një thesar që Shqipëria duhet të ofrojë në shërbim të paqes, tolerancës dhe humanizmit si një ent sovran shpirtëror me qendër në Tiranë, ku bektashinjtë Selia botërore është krijuar prej kohësh dhe më pas është ringjallur nga hiri i diktaturës ateiste komuniste.

    Emri:  auto_Screenshot_31727109303.jpg

Shikime: 1328

Madhësia:  52.9 KB

    Syri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    'Sovranitetit të Urdhërit Bektashi'/ KMSH: Ideja e Ramës është kundër fesë dhe kushtetutës

    Emri:  auto_afasfsa1727111907.jpg

Shikime: 1371

Madhësia:  38.0 KB

    Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dalë në një deklaratë zyrtare pas diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë.

    Në këtë deklaratë Komunitetiti Mysliman i Shqipërisë, deklaron se është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri, teksa sqaron edhe 3 komponentët themelore të tij.

    Deklaratë zyrtare:

    Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave, dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:

    Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

    Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilë ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilat janë:

    1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,

    2-Tradita Profetike,

    3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

    Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.

    Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

    Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jetë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.

    Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve mylimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.

    Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

    Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.

    Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

    Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë Rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vjetësh.

    Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

    Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilit do tarikat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.

    Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çëshjte dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.

    Syri

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    Hije dyshimi në mediat turke: A është 'Shteti Bektashi' projekt izraelit?! Kush është Baba Mondi, dhe lidhjet e tij me Izraelin e Sorosin

    Emri:  auto_Capture-78-631x3751727120406.jpg

Shikime: 1341

Madhësia:  33.4 KB

    Ideja e njoftuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryegjyshi botëror bektashian, Edmond Brahimaj në mediat amerikane, për krijimin e “Shtetit Bektashi” brenda Tiranës, ka bërë që mediat në Turqi të shpërthejnë në teori konspirative dhe të hedhin hije të forta dyshimi.

    Për shembull, “Takvim” shkruan se shteti që pritet të krijohet do të ketë administratën dhe pasaportën e tij, ashtu si Vatikani.

    “Një ekip ekspertësh ligjorë, duke përfshirë avokatë ndërkombëtarë, po përgatit një projektligj që përcakton statusin sovran të shtetit të ri. Projektligji duhet të miratohet nga Parlamenti, i cili kontrollohet nga Partia Socialiste në pushtet e Ramës. Ndërsa është ende e paqartë se cilat vende do ta njohin sovranitetin e shtetit bektashi nëse ai zbatohet, Rama shprehet se nuk i intereson reagimi që mund të vijë nga Irani”, shkruhet në artikull.

    Mediat turke aludojnë më tej, duke shkruar për lidhje të Baba Mondit me Izraelin dhe Sorosin. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për një shtet të modelit të Vatikanit, por një organizim si FETO në Turqi.

    “Bien në sy lidhjet e dervishit bektashi Edmond Brahimaj, i njohur si “Baba Mondi”, i cili do të bëhet kreu i shtetit, me Izraelin dhe Sorosin. Kjo situatë forcon pretendimet se shteti do të krijohet me një strukturë të stilit FETO, jo me stilin e Vatikanit”, vijon artikulli.

    Gazetari i medias tjetër turke “Sabah”, Melih Altınok, ka shkruar për këtë çështje në rubrikën e tij dhe parashtron më qartë idenë se “Shteti Bektashi” që pritet të marrë jetë në Tiranë është një projekt i lidhur midis Izraelit dhe George Soros. Altınok tha se “djali i George Soros ka aktivitete intensive në Shqipëri nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur. Vizita e fundit e Presidentit izraelit në Shqipëri nuk duhet anashkaluar.”

    Sipas kësaj gazete, gjatë vizitës së tij të parë dhe historike në Tiranë, pak ditë më parë, presidenti izraelit Isaac Herzog është takuar veçanërisht dhe me Baba Mondin.

    “Sabah” publikon dhe një foto të Baba Mondit me rabinin shqiptar Yoel Kaplan dhe një person tjetër që mendohet të jetë ushtarak izraelit, dhe thotë se kreu i bektashinjve ka lidhje të ngushta me Kaplan. Rabini shqiptar, është një oficer izraelit që u kthye në vendin e tij pas nisjes së luftës me Gazën.

    Newsbomb.al

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    ‘Shteti Bektashi’/ Berisha-besimtarëve: Miqtë e mi bektashinj kudo që jeni, nuk e ka për ju! E ka për veten e tij, prandaj kujdes

    VIDEO

    Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha mbrëmjen e sotme gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’ iu është drejtuar besimtarëve bektashinj dhe qytetarëve shqiptarë. Në përshëndetjen e tij, Berisha shpreh mirënjohjen për ata qëndrestarë që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve dhe për oratorët e lirë që denoncojnë regjimin.

    Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke e akuzuar se po përdor fenë bektashiane si një “maskë” për të fshehur lidhjet me krimin dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha që Shqipëria përballet. Lideri demokrat, Sali Berisha ka paralajmëruar besimtarët që të jenë të kujdesshëm, duke theksuar se veprimet e Ramës nuk janë për ta, por për interesat e tij personale.

    Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua kryeministrit Rama për fjalimin e tij në OKB, duke theksuar se ai nuk përmendi asgjë për “Putinin e madh dhe të vogël” dhe duke e krahasuar atë me liderë autokratë si ata të Taxhikistanit dhe Venezuelës.

    Berisha gjatë fjalimit në protestën maratonë tha se, Rama po vepron vetëm për të ruajtur pushtetin e tij dhe interesat mafioze, duke e quajtur Shqipërinë një “narkoshtet”. Berisha theksoi se në Shqipëri, shteti ligjor dhe ndarja e pushteteve janë shkatërruar, duke i përqendruar të gjitha pushtetet në duart e Ramës.

    Sipas Berishës, shpresa e fundit për ndryshim janë opozitarët e vërtetë, dhe ai bën thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër Ramës, të cilin e cilëson si armikun e vërtetë të kombit shqiptar.

    Kryetari i PD, Sali Berisha ka folur me tonetë ashpra për qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar për dështime të mëdha në vend. Ai e ka cilësuar këtë të fundit si njeriun që ka kryer “gjenocid” ndaj shqiptarëve duke nxitur largimin e rreth 40% të popullsisë në 11 vite, dhe për keqësimin e standardit të jetesës përmes vjedhjeve dhe korrupsionit.

    Kryedemokrati Sali Berisha tha se, Rama ka zhytur shqiptarët në varfëri, i ka bërë qytetarët me pagat më të ulëta në rajon, ka dëmtuar arsimin dhe ka larguar të rinjtë. Berisha ka kritikuar gjithashtu Ramën për përfshirje në komplote kundër Kosovës, në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiç.

    Lideri opozitar, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim kundër qeverisë, duke kërkuar një betejë të pandalshme për krijimin e një qeverie teknike që të sigurojë zgjedhje të lira.

    FJALA E PLOTË

    Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

    Mirënjohjen më të thellë, për ju qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionare dhe misionarë të kauzës së dejtë të shqiptarëve.

    Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, të cilët përcjellin çdo natë të vërtetat tek shqiptarët, denoncojnë dhe demaskojnë regjimin e narkoshtetit që sillet me Shqipërinë e shqiptarët si një pushtues i egër, si një armik i egër i vlerave themelore të një shoqërie të lirë, votës së lirë, shtetit ligjor.

    Të dashur miq!

    Edi Rama këto kohë për të mundur të maskojë lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, për të maskuar vjedhjet e mëdha të shqiptarëve, për të maskuar zbrazjen e Shqipërisë, vendosi si maskë kaukën e shenjtë të Bektashiut, në të cilën fle shpirti i Baba Aliut.

    Me këtë rast garantoj miqtë e mi bektashinj kudo që janë, se nuk e ka për ata, por e ka për veten e tij, prandaj kujdes.

    E ka për sulltanatin e Surrelit.

    E ka të largojë mendjen e qytetarëve nga të zezat që shpërthejnë çdo ditë në këtë vend, nga mashtrimet, nga qëndrimet anti shqiptare.

    Të dashur miq!
    Nuk tha një fjalë në OKB as për Putinin e madh as për Putinin e vogël.
    Nuk shqipëroi një fjalë, por foli aty njëlloj si diktatori i Taxhikistanit, si diktatori i Venezuelës.
    Foli pra, si soji i autokratëve, i aftë të thotë çdo gjë dhe të bëjë gjithçka, vetëm për të ruajtur, pushtetin dhe interesat e tij mafioze.

    Të dashur miq!
    Asnjë vend në botë nuk mund të pranojë një narkoshtet dhe kryetarin e tij Edi Rama.
    Në Europë, Shqipëria është i vetmi narkoshtet.
    Në Shqipëri, shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafias.
    Në Shqipëri, ndarja e pushteteve është zëvendësuar në përqendrimin e të gjitha pushteteve në një dorë.
    Në Shqipëri, institucionet janë kukulla të Edi Ramës. Ndaj dhe shpresa e vërtetë, shpresa e fundit janë demokratet dhe demokratët, janë opozitaret dhe opozitarët.
    Janë opozitarët e vërtetë dhe jo opozitarët e opozitës, të cilët sillen rreth godinës së kryeministrisë me shpresë se Rama do të ju hedhë ndonjë kockë dhe gjithë ditën, natën, kalojnë nga studio në studio, duke sulmuar si shpifarak opozitën.
    Sot është koha për mbarë shqiptarët të bashkohen, të bashkohen të gjithë ata të cilët konsiderojnë Edi Ramën armik të vërtetë të qenies shqiptare.

    Njeriu që kreu gjenocid dhe largoi rreth 40% të shqiptarëve në 11 vite.
    Njeriu që me vjedhjet e tij, i zhyti shqiptarët çdo vit e më thellë në varfëri.
    Njeriu që me vjedhjet e tij, i bëri shqiptarët nga qytetarët më të mirë paguar në rajon, në qytetarët me rrogat më të ulëta në rajon.
    Njeriu që dënoi qindra e mijëra të rinj të zonave rurale me mesatare, vetëm e vetëm të largohen jashtë shtetit.
    Njeriu që rrënoi arsimin me shpejtësi të rrufeshme, duke siguruar rënien më të madhe në botë me 68 pikë, sa asnjë vend tjetër i planetit në 8 vite, të nxënësve tanë në matematikë.
    Rekordet e këqija, rekordet e zeza janë ato me të cilat garon e paraqitet sot Shqipëria, kurse derdimeni, balozi i krimit, kreu i meduzës, thur komplote të tjera në OKB kundër Kosovës me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç.
    Ndaj dhe ftoj qytetarët të ngrihemi në betejë të pandalshme, betejë pakthim gjer në krijimin e qeverisë teknike, për zgjedhje të lira.
    Është radha jonë, është fitorja jonë.
    Të gjithë së bashku drejt fitores.
    Është radha jonë.
    Ndryshim, ndryshim dhe vetëm ndryshim.
    O sot, o kurrë.
    Fitore, fitore, fitore!

    Syri

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    Shteti Bektashi/ Meta kundër Ramës: Shashkë politike, mund të kthehet në precedent

    VIDEO

    Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë këtë të hënë në një deklaratë për mediat, ku ka folur për idenë e krijimit të “Vatikanit” në Tiranë.

    Ai tha se kjo ide është e mirëpritur, por sulmoi kryeministrin Edi Rama duke thënë se e përdor këtë nismë për qëllime politike. Sipas tij kjo ide mund të kthehet në precedent për rajonin tonë.

    “Shashkë politike ku Rama është përfshirë vetë, çdo përpjekje politike dhe diplomatike për të promovuar jo vetëm një nga vlerat tona kombëtare, por dhe për ta identifikuar Shqipërinë si qendër bektashiane është e mirëpritur, por nuk mund të keqpërdoret si agjendë politike, aq më tepër kur nuk janë të konsultuara dhe që rrezikojnë të kthehen në precedent për rajonin tonë”, tha Meta.

    Syri

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    Artan Hoxha: Nuk po krijohet shtet i Baba Mondit, por i Baba Edit! Dikush tjetër qëndron pas Ramës!

    Emri:  auto_88888888881727122105.jpg

Shikime: 1352

Madhësia:  30.4 KB

    Gazetari Artan Hoxha ka folur për shtetin e ri bektashi që ka propozuar Edi Rama. Hoxha i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” tha se kjo nismë nuk ka lidhje me bektashinjtë dhe se është ide e Edi Ramës. Madje ai shtoi se është ide e një personi që qëndron mbi Edi Ramën.

    “Kjo nuk është një nismë e bektashinjve. Bektashinjtë kanë ndihmuar për formimin e shtetit shqiptar dhe janë në shtetin e tyre. Këtë gjënë tjetër, e ka kërkuar Rama dhe dikush tjetër pas Ramës. Ky nuk është shteti i baba Mondit, por shteti i Baba Edit!

    Të presim të vijë kryeministri këtu dhe do ta marrim vesh hap pas hapi. Nuk duhen stigmatizuar bektashinjtë me këtë histori, kjo është histori e Baba Edit. Unë i përkas atij besimi. Në Greqi teqeja ka 3 mijë hektarë dhe shteti grek nuk e njeh atë pronë”, tha Hoxha.

    Syri

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shejtani Rama nxit sherrin mes myslimanëve: Bektashinjtë të kenë shtetin e tyre në mes të Tiran

    Historianët njëzëri kundër shtetit të Ramës në mes të Tiranës: Ide anti kushtetuese, shkel…

    Emri:  auto_IMG_03161727129181.jpg

Shikime: 1367

Madhësia:  38.8 KB

    Historiani Pëllumb Xhufi e konsideron të papranueshme idenë e hedhur nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një shteti bektashi në Tiranë. Ai njihet si mbështetës i kryeministrit Rama, por i ftuar në emisionin “Open” në News 24, Xhufi tha se është një ide anti-kushtetuese.

    “Krijimi i një shteti brenda shtetit është anti-kushtetues. Krijon probleme me vendet që na rrethojnë, sikundër krijon probleme mes vetë komuniteteve. Unë jam vetë bektashi, dhe pyes çfarë është ky shteti i ri”, – tha Xhufi që shtoi se me këtë ide, qeveria ka hyrë me të dyja këmbët, si sparkatë në një çështje që nuk i takon.

    Ndërsa historiani Neritan Ceka tha se fillimisht e kishte marrë si një shaka, por duket se kryeministri Rama po e trajton si një ide që ka marrë fund.

    “Nga sa po thuhet duket se janë marrë vendime për një shtet real, por kush u pyet për këtë “shtet bektashian”? Unë jam bektashian, por nuk jam pyetur. Si bektashi kemi qenë tradicionalisht për një shtet, dhe ky ka qenë shteti shqiptar”, – tha Ceka që shtoi se për “shtetin e bektashinjve” duhet të vendosin besimtarët bektashinj dhe jo OKB.

    “Është ide e papranueshme, një sfidë ndaj Kushtetutës, po shpallet një shtet që ëshë anti-kushtetues. Është një shtet që krijohet nga një shtet tjetër, nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një kukull në duart e shtetit që e krijon. Dhe Kryegjyshata nga një institucion me vlera do të kthehet në një kukull”, – tha Ceka.

    Edhe historiani Ferit Duka e konsideroi të beftë idenë e hedhur mbi atë që quhet si “shteti i Bektashinjve”. Duka tha se përderisa po jepen disa detaje, kjo tregon se kemi të bëjmë me një projekt. Duka tha se Kryegjyshata duhet ndihmuar me të gjitha instrumentet që ka në dorë për ta bërë atë një institucion të denjë për bektashinjtë e Botës.

    “Ajo që propozohet për krijimin e një shteti sovran, brenda trupit të vogël siç është Shqipëria, një shtet që ka vuajtur nga kirurgji të pamëshirshme, mendoj se kjo ide është një kirurgji që nuk duhet ti bëhet shtetit tonë”, – tha Duka. Ai tha se ky instrument nuk e bën Kryegjyshatën botërore një institucion që të rrezatojë paqen.

    Syri

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Berisha ambasadorit britanik: Rama po shkatërron shtetin ligjor
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 15-01-2014, 20:37
  2. Agresiviteti i myslimanëve kur zihet në gojë profeti i tyre
    Nga krishterprizren në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 135
    Postimi i Fundit: 05-06-2008, 15:21
  3. Rama: Ne duhet të reformojmë të gjithë shtetin shqiptar
    Nga tonny2 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 01-02-2008, 09:07
  4. Sali Berisha: Shqiptarët e Kosovës duhet ta kenë shtetin e tyre
    Nga Davius në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 20-07-2005, 09:23

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •