Kokainë në lëkurë gjedhi: SPAK godet rrjetin e trafikimit nga Amerika Latine drejt Shqipërisë
SPAK njoftoi goditjen e një rrjeti të trafikimit të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, me destinacion përfundimtar tregun evropian. Për mundësimin e përpunimit të drogës në Shqipëri, ishin angazhuar tre “ekspertë” nga Amerika Latine që mundësonin ekstraktimin e lëndës narkotike nga lëkurët e bagëtive, duke e kthyer në një produkt të gatshëm të cilësisë së lartë për tregun shqiptar dhe evropian.
Nga Edmond Hoxhaj
Aksioni i SPAK | Prinstcreen
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të shtunën më 16 nëntor bilancin e një operacioni të zhvilluar ndaj një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë, me destinacion përfundimtar tregun evropian. Shtatë shtetas shqiptarë, dy venezulianë dhe një kolumbian kanë rënë në pranga gjatë mbrëmjes së të premtes, ndërkohë që është zbuluar dhe sekuestruar një laborator i kokainës në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, që SPAK e cilëson të sofistikuar. Gjatë hetimit dhe operacionit janë identifikuar ambiente ndihmëse dhe në Tiranë dhe Durrës. Sipas prokurorisë, janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për realizimin e veprimtarisë kriminale.
SPAK bënë me dije se, nga të dhënat hetimore rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
“[…]Ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmëse për ekstraktimin e drogës nga ‘lëkurë gjedhi të kriposur’, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës. Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal”, citohet në njoftim, por nuk evidentohet se nëse financuesit gjenden mes të ndaluarve. Sipas njoftimit, katër prej shtetasve shqitarë të arrestuar janë nga Tiranë, një nga Durrësi, një nga Shkodra dhe një tjetër ng Kruja.
Sipas prokurorisë, një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Kolumbia dhe Venezuela, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës. Me aftësinë për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si lëkurët e bagëtive, duke e kthyer drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian, ata cilësohen si “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit.
“Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, vëren SPAK.
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, konsiderohet prej prokurorisë, se janë vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Të gjendura pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, ndërsa nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Prokuroria vlerëson se përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
“Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara”, thuhet në njoftimin e SPAK, ku ndër të tjera shtohet se shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal.
Gjatë operacionit kanë sekuestruar 48 tonë lëkurë gjedhi ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor të këtij viti; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36 mijë 270 euro, 357 mijë lekë dhe 57 milionë peso kolumbiane, të barazvlefshme me rreth 12 mijë e 200 euro. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llamba nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM; 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera që konsiderohen si të rëndësishme.
BIRN
Krijoni Kontakt