Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 24 prej 24
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Bashkia e Elbasanit i jep leje për treg të ri ushqimor babait të Suel Çelës

    Socialistët në Këshillin Bashkiak të Elbasanit miratuan në janar zgjerimin e territorit të tregut Agro-Ushqimor në pronësinë e babait të Suel Çelës – pavarësisht se ai është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK me akuzat e krijimit të një organizate kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të kokainës.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Bashkia-Elbasan-i-jep-leje-per-treg-te-ri-ushqimor-babait-te-Suel-Celes.jpg

Shikime: 54

Madhësia:  51.1 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Përpara portës së rëndë metalike të tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, rreth 3 kilometra larg qendrës së qytetit, vendin e tregtarëve e kanë zënë një grup djemsh vigjilentë rreth të 30-ave.

    Ky reporter nuk kishte zbritur ende nga taksia, kur njëri prej tyre bëri shenjë për t’u afruar me një të lëvizur të dorës dhe kërkoi llogari pse gjendesha aty.

    “Ik, nuk ke me kë flet,” tha ai kur mësoi se kishte të bënte me një gazetar. “Tregu është i mbyllur”.

    E rrethuar me mure betoni dhe kangjella të larta, godina i ngjan një fortese të sigurisë së lartë më shumë sesa një tregu fruta-perimesh. Përtej portës së hekurit dallohen njerëz që hyjnë dhe dalin nga magazinat.

    Dikush fishkëllen nga brenda dhe burri ndryshon qëndrim. Nga porta dalin dy djem të tjerë me xhupa të zinj dhe pasi prezantohen si roje, ripërsërin marrjen në pyetje. “Fol me pronarin”, thonë ata pasi humbin interesin dhe largohen.

    Tregu Agro-Ushqimor është i vetmi i këtij lloji në Elbasan dhe zotërohet nga kompania “Çela P” me pronar Petrit Çelën – babai i Suel Çelës – i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një organizate kriminale që akuzohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, atentate, pastrim parash dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.

    Përveç funksionit të tij zyrtar, tregu shërbeu sipas SPAK edhe si bazë e organizatës së dyshuar kriminale mes viteve 2020-2022; një vend i paprekshëm nga policia, ku bëheshin takime të fshehta dhe jepeshin urdhra okultë.

    Megjithatë, reputacioni famëkeq dhe një hetim i hapur nga SPAK nuk e pengoi Bashkinë e Elbasanit që të miratojë më 24 janar zgjerimin e territorit përmes një lejeje të dytë për treg agro-ushqimor në favor të kompanisë së babait të Çelës.

    Vendimi i Këshillit Bashkiak e përligj lejen me zhvillimin e sektorit bujqësor dhe stimulimin e “inovacionit dhe bashkëpunimit mes fermerëve”. I pyetur nga BIRN, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja e quajti miratimin e lejes “një procedurë standarde” dhe këmbënguli se nuk kishte kërkesa në ligj që e pengonin kompaninë e lidhur me një organizatë të dyshuar kriminale që të përfitonte lejen.

    “Është bërë kërkesë nga një subjekt privat, për në pronë private për ndërtimin e një tregu publik dhe është miratuar nga Këshilli Bashkiak, meqë kërkon një leje nga Këshilli,” tha Llatja.

    Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha se nuk komentonte veprimet e institucioneve të tjera si dhe çështjet nën hetim.

    Ndërkohë, Petrit Çela i tha BIRN se pasuritë e tij ishin të ligjshme dhe nuk kishin asnjë lidhje me të birin, për të cilin tha se kishte “pesëmbëdhjetë vjet i ndarë dhe tre vite pa e parë”. Çela pretendoi gjithashtu se kompania e tij gjeneronte miliona lekë si produkt i punës së tij si tregtar që në fillimet e viteve ’90, ndërsa mohoi akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur kundër djalit të tij.

    “Nuk ka as shpi as katandi,” pretendoi ai.

    Akuzat ndaj Suel Çelës

    Emri:  20210730_195001_300721_5_01-1_R7eE0wy.jpg

Shikime: 44

Madhësia:  36.9 KB
    Godina e SPAK-ut, Tiranë. Foto: LSA

    Elbasani në Shqipërinë e Mesme është bashkia e katërt më e madhe e vendit, por gjatë dekadës së fundit ka fituar reputacionin e një qyteti të kontrolluar nga krimi. Në tetor 2020, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi nga Elbasani se ishte e papranueshme që qyteti po kthehej në “një skenë lufte mes bandave të krimit të organizuar”.

    Një pjesë e kësaj lufte i atribuohet organizatës së dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela, një 37-vjeçar i shpallur dy herë në kërkim gjatë dy viteve të fundit nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të krimit të organizuar.

    Drejtues të opozitës e kanë akuzuar Suel Çelën se është përfshirë më herët në fushata elektorale dhe ka ndihmuar socialistët në sigurimin e votave në zgjedhje. Pas operacionit të SPAK në nëntor 2024, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se kishte emëruar motrën e dy anëtarëve të grupit të tij në një post të lartë publik.

    Aktiviteti kriminal i Çelës e ka zanafillën gati dy dekada më parë në Itali. Ai u dënua për herë të parë në moshën 17 vjeçare nga Gjykata e Torinos në vitin 2005, pasi u kap me 510 gram kokainë. Çela u shpall sërish në kërkim në vitin 2007 nga Gjykata e Livornos për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike dhe u dënua në vitin 2013 me 4 vjet e 7 muaj burg si dhe 26 mijë euro gjobë.

    Në Shqipëri, Suel Çela është skeduar nga policia që prej vitit 2013, por nuk është dënuar nga drejtësia.

    Aktualisht ndaj Çelës ka të paktën dy urdhër arreste; i pari i lëshuar në maj 2022 pas hetimeve dhe dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe i dyti në nëntor 2024, i bazuar në komunikimet në SKY ECC mes tij dhe 20 anëtarëve të tjerë të dyshuar të organizatës, gjithashtu nën akuzë.

    Sipas SPAK, Çela u fut në luftë me organizatën rivale të drejtuar nga i dënuari me burgim të përjetshëm Ardian Çapja, ndaj të cilit akuzohet se organizoi disa atentate, me qëllim që merrte kontrollin mbi qytetin e Elbasanit.

    SPAK pretendon gjithashtu se i gjithë aktiviteti i Suel Çelës u financua nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt shteteve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. Organizata e tij akuzohet gjithashtu për korruptimin e dyshuar të zyrtarëve në Polici, në sistemin gjyqësor si dhe në media.

    Dokumentet hetimore tregojnë gjithashtu se ndërsa e kishte zgjeruar aktivitetin e tij në Europë dhe në Amerikën Latine, Suel Çela e kishte pikën e tij të fortë në shtëpi. Tregu i fortifikuar Agro-Ushqimor përshkruhet si një bazë e rëndësishme dhe e sigurt e organizatës së tij, anëtarët e së cilës i referoheshin shpesh si “puna”.

    Në një lokal brenda tregut Agro-Ushqimor në fillim të shkurtit, babai i Suel Çelës i mohon akuzat e ngritura ndaj të birit. Ai pretendon se i penduari Nuredin Dumani ka mashtruar, ndërsa e akuzon SPAK-un si përndjekës.

    Ai e përshkruan të birin si një djalë të rritur larg familjes, nën kujdesin e dajës së tij në Itali, “që nuk është dënuar asnjëherë dhe nuk zotëron asnjë pasuri”.

    “Çuni im nuk ka as makinë,” tha Çela, ndërsa zhvlerësoi akuzat e ngritura ndaj tij.

    Vizita e Ramës

    Emri:  Rama-ne-Elbasan.jpg

Shikime: 47

Madhësia:  44.9 KB
    Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Elbasan më 14 mars 2023. Foto: Facebook.

    Kompania “Çela P” e Petrit Çelës u themelua në vitin 1996 me aktivitet tregtinë me pakicë dhe shumicë të mallrave ushqimorë, industrialë dhe bujqësorë. Ai e zgjeroi aktivitetin në vitet 2012-2013 me ndërtimin e tregut të vetëm Agro-Ushqimor të zonës, leja e së cilës u votua sipas Çelës me 99.99% të votave të Këshillit Bashkiak të kohës.

    Por leja për të operuar tregun në kushtet e një monopoli nuk është benefiti i vetëm publik.

    Kompania “Çela P” përfitoi gjithashtu nga fondet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, në vitin 2014, ndërsa në vitin 2024 mori të drejtën e shfrytëzimit të 7 hektarëve tokë pyjore mes Elbasanit dhe Peqinit për instalimin e paneleve diellore dhe paneleve eolike për prodhimin e energjisë.

    Çela i tha BIRN se fondet e AZHBR-së për subvencionimin e interesave të kredisë iu premtuan direkt nga kryeministri Edi Rama.

    Rama e vizitoi tregun Agro-Ushqimor të Çelës në korrik të vitit 2014, i shoqëruar nga ministri i kohës i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe drejtoresha e AZHBR, Suela Popa dhe e vlerësoi atë si një shembull që duhet shpërndarë “nga veriu në jug”.

    “Më tha po këtë të fundit (kredinë) sa e ke? I thashë kam nja 236 milionë të vjetra,”kujton Çela. “Mirë”- tha, 70% të interesave do i paguajë shteti,”, citoi ai kryeministrin. Por Çela pretendoi gjithashtu se AZHBR nuk e mbajti fjalën.

    Sipas transaksioneve të thesarit në faqen e Ministrisë së Financave, kompania “Çela P” përfitoi 1 milionë lekë si mbështetje nga AZHBR, me përshkrimin “Subvencion normë interesi” gjatë viteve 2014-2015. E pyetur nga BIRN lidhur me pretendimet e ndërhyrjes së kryeministrit dhe procedurat e ndjekura në dhënien e subvencionit, Kryeministria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Edhe pse kompania “Çela P” kontrollon të vetmin treg agro-ushqimor në bashkinë e Elbasanit, Çela thotë se prej një viti ka parë nevojën që të zgjerojë aktivitetin dhe ka marrë me qira toka shtesë në afërsi të tregut aktual, i cili sipas tij nuk ka më kapacitete për hapësira tregtimi.

    Për të siguruar lejen për këtë treg të ri, Çela paraqiti një kërkesë në Bashkinë e Elbasanit në 16 janar 2025 dhe leja u miratua brenda një kohe rekord më 29 janar nga Këshilli Bashkiak. BIRN mësoi se anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike në opozitë nuk e votuan lejen, por disa prej këshilltarëve iu shmangën pyetjeve në lidhje me këtë rast dhe refuzuan të komentonin.

    Bashkia e Elbasanit e mbrojti lejen në një përgjigje me shkrim, ndërsa tha se e kishte miratuar atë pasi kishte kryer verifikime burokratike në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe pagesat e detyrimeve fiskale.

    “Për argumentat e tjera të prashtruara nga ana juaj dalin jashtë funksioneve të bashkisë”, tha Bashkia duke iu referuar lidhjeve të kompanisë me organizatën e dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela.

    Hetime të mbyllura

    Suel Çela dhe rrethi i tij familjar i janë nënshtruar dy hetimeve pasurore në të shkuarën, por në të dyja rastet, çështjet u pushuan nga gjykatat.

    Procedimi i parë penal është regjistruar në vitin 2018 nga Prokuroria e Elbasanit, pas një referimi të nisur nga Drejtoria Vendore e Policisë për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ndërsa procedimi i dytë u regjistrua mbi bazën e aktit normativ të qeverisë, i cili i parapriu Operacionit Forca e Ligjit në vitin 2020.

    Në procedimin e vitit 2018, Drejtoria e Policisë së Elbasanit ngrinte dyshime mbi mënyrën e përfitimit të truallit në tregun agro-ushqimor dhe investimet e kryera për ndërtimin e tij, që kapnin një kosto mesatare të përllogaritur në 162 milionë lekë.

    Por Prokuroria e Elbasanit arriti në përfundimin se fakti nuk ekziston dhe procedimi u pushua në shkurt të vitit 2022 përmes një vendimi të gjyqtares Pajtime Fetahu. Vendimi u bazua kryesisht tek analiza e një eksperti për të ardhurat dhe shpenzimet nga kompania “Çela P”, të cilat u vlerësuan si të ligjshme.

    Gjyqtarja Fetahu u arrestua nga SPAK në nëntor të vitit 2024 gjatë operacionit kundër organizatës së Çelës, e akuzuar se u korruptua prej saj. Vendimi i gjykatës për masë sigurie tregon se ish-gjyqtarja kishte një marrëdhënie të gjatë dhe mjaft miqësore me Suel Çelën me të cilin shkëmbente herë pas here mesazhe përmes aplikacionit Sky ECC dhe se kishte ndihmuar atë kundrejt parave, për të lehtësuar bashkëpunëtorët e tij të arrestuar dhe ndëshkuar armiqtë në përpjekjen për kontrollin e qytetit të Elbasanit.

    Hetimi i dytë pasuror nisi në mars 2020, pasi Policia sekuestroi gjatë operacionit Forca e Ligjit dy automjete Land Rover në pronësinë e babait dhe vëllait të Suel Çelës. Të dyja automjetet iu rikthyen pronarëve në mars të vitit 2021, pasi prokurori i SPAK, Ened Nakuçi dhe gjyqtarja Irena Gjoka vlerësuan se ato ishin blerë me burime të ligjshme.

    Petrit Çela nga ana e tij këmbëngul se e ka të dokumentuar pasurinë dhe se ka ruajtur të gjitha faturat dhe ka letra për çdo marrëdhënie financiare, përfshi shuma të konsiderueshme të marra kredi.

    “Hetimet e herëpashershme mbi pasurinë time kanë provuar se ajo është e ligjshme dhe e krijuar nga puna në tregti,” pretendoi Çela.


    BIRN

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Truri financiar i grupit të Suel Çelës, zbulohet fotoja e Bujar Shegës. Sot u ekstradua nga Italia

    Emri:  bujar-shega.jpg

Shikime: 10

Madhësia:  40.5 KB

    Bujar Shega, allias Marsel Shega pritet të ekstradohet nga Italia ku u arrestua nëntorin e 2024, ndërsa policia njofton se kanë përfunduar procedurat për sjelljen e tij drejt Shqipërisë.

    Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb foton e 52-vjeçarit.

    Emri:  Bujar-Shega.gif

Shikime: 14

Madhësia:  148.4 KB

    Shega akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke u konsideruar pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të drejtuar nga Suel Çela.

    Procedura e ekstradimit u finalizua pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Bujar Shega, i lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në Itali.

    Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ky rast thekson angazhimin e autoriteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

    (BalkanWeb)

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    PËRGJIMET/ Suel Çela emëronte drejtorë në institucione publike, Luan Tabaku e shpërblente me tendera

    Emri:  auto_2r1wfqesvd1745961278.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  38.7 KB

    Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen e SPAK për Suel Çelën, i cili ndikonte për emërimin e drejtuesve të institucioneve. Nga hetimet e SPAK del se Suel Çela përdorte emra të tjerë për të fshehur pasurinë e tij.

    Një qytet, që shpesh është tronditur nga atentate mafioze me viktima të shumtë, midis tyre edhe të pafajshëm.

    Një qytet plumbash dhe gëzhojash, që kanë lënë shenjën e tyre traumatike te banorët e tij, që të vetmin kujdes kanë sigurimin e përditshmërisë së tyre.

    Ky është Elbasani, qyteti në kërthi të Shqipërisë, një koridor që ka ndërthurur gjithmonë interesa të rëndësishme të grupeve të krimit të organizuar.

    Ku ndër vite një nga bandat që jo vetëm sundoi qytetin por edhe organizoi jetën e tij politike ishte edhe ajo e Suel Çelës.

    Që krahas përplasjeve të forta që pati me armiqtë e tij, një ndër ta edhe Ardian Çapja, shtriu duart edhe në emërimet në krye të aparatit shtetëror në Elbasan.

    Duke vendosur për qëllime të veta se kush do të jetë në krye të institucioneve, kjo më qëllim për të siguruar jo vetëm pushtet politik por edhe ekonomik.

    Suel Çela një figurë dominante e krimit të organizuar në qytet që kishte vendosur jo vetëm të sfidonte hapur rivalët e tij, por po kështu të ishte vetë shteti në Elbasan.

    Ashtu siç në fakt ka bërë në disa emërime të njerëzve të tij të besuar në pozicione kyçe në administratë.

    Një prej tyre edhe Luan Tabaku i cili del se është emëruar në vitin 2022 në detyrën e Administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, falë ndikimit të drejtëpërdrejtë nga banda e Suel Çelës.

    Të dhëna të cilat grupi hetues i përftoi jo vetëm pas zbërthimit të bisedave në Sky Ecc midis anëtarëve të organizatës kriminale.

    Por edhe midis vetë kreut të kësaj bande Suel Çela dhe ushtarëve të tij. Të cilët në vitin 2020, filluan nga puna për të lëvizur Luan Tabakun, në këtë kohë zv.drejtor në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan, në pozicionin e Administratorit të UKT Elbasan.

    Gjë të cilën ia dalin ta bëjnë vetëm pas disa kohësh, duke siguruar edhe mbështetjen e tij në disa tendera të rëndësishëm, që u përfituan nga organizata në vazhdim.

    Ka të dhëna se emërimi i shtetasit Luan Tabaku në detyrën e Zv-drejtorit në ASHK Elbasan, është kryer në ndikimin e drejtëpërdrejtë dhe influencës së shtetasit Suel Çela (Marjus Lulaj). Por si arriti grupi hetues në këtë përfundim dhe përse ata ngritën dyshimin e arsyeshëm se Luan Tabaku është një nomenklaturë e grupit kriminal të Suel Çelës.

    Çfarë zbuluan bisedat në Sky Ecc midis pjesëtarëve të grupit, që bindën prokurorët që të urdhëronin kontroll jo vetëm në banesën e Luan Tabakut, por edhe të disa biznesmenëve të tjerë në qytet, të dyshuar si lidhje të Suel Çelës. Si e takuan ata privatisht Luan Tabakun, duke i kërkuar apo urdhëruar që ta pranonte detyrën e titullarit në postin që ata i kishin caktuar?

    Gjë që del edhe në një nga bisedat me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal.

    Bisedë e zhvilluar në vitin 2020, ku edhe pse në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën kishte pllakosur pandemia, Suel Çela e urdhëron atë që të takojë Luan Tabakun, dhe ky i fundit të pranojë atë punën e nëndrejtorit. Duke iu referuar kështu pozicionit të zëvendësit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan. I gjithë qëllimi i organizatës është që jo vetëm Luan Tabaku të jetë njeriu i tyre në poste kyçe, por siç ata shprehen në komunikimet në Sky Ecc, edhe të thajnë ndonjë fond.

    Synim personal që e kanë edhe anëtarët e bandës që shikojnë në perspektivë te figura e Luanin si drejtor, mundësinë e pasurimit nëpërmjet ndonjë tenderi.

    Por grupi kriminal i Suel Çelës, kishin mendime të qarta në lidhje me Luan Tabakun dhe të ardhmen e tij.

    Gjë që e shpreh edhe vetë Suel Çela, që po punonte ndërkohë që Tabaku të ngrihej fillimisht në detyrën e nëndrejtorit të ASHK-së në Elbasan.

    Gjë për të cilën ai urdhëron anëtarin e bandës së tij që të takojë Luanin dhe ta pranojë detyrën e lartë shtetërore që banda i ngarkonte ta përmbushte me dinjitet dhe profesionalizëm. Suel Çela gjatë një bisede me Bruno Hazizollin i kërkon këtij të fundit që të takojë pak Luan Tabakun dhe ta pranojë atë punën e nëndrejtorit.

    Ajo që vihet re gjatë bisedës është se Suel Çela kur jep urdhëra i drejtohet vetvetes në vetën e tretë, si Ai.

    Gjë që e bën edhe në rastin kur i komunikon Bruno Hazizollit porosinë që ky i fundit duhet t’i japë Luan Tabakut.

    Vetëm një muaj pasi ka dhënë këtë porosi, duket se puna e Luan Tabakut është e bitisur. Dhe banda është e sigurtë se Luani tashmë do bëhet nëndrejtor, edhe pse ata vetë i atribuohen si drejtor. Gjë që e konfirmon në një bisedë me Klaus Matishin, ushtarin e tij, edhe vetë Suel Çela.

    Që kujdeset posaçërisht për çdo punë në organizatë. Suel Çela që i tregon Matishit se ‘Luanin do e bëjmë drejtor’. Vendim që ka sjellë gëzim edhe te pjesa tjetër e bandës. Që në Sky Ecc flasin lirshëm mbi këtë emërim, që për ta është i sigurtë që do jetë shumë i suksesshëm. Suel Çela në korrik të 2020 informon mikun e tij Klaus Matishin duke i thënë: ‘Do e bëjmë drejtor Luanin’.

    Pasi e kanë vendosur në vendin e duhur, çunat siç duket edhe në bisedat e mëposhtme ruajnë një vlerësim të veçantë për Luan Tabakun. Ata madje e cilësojnë atë edhe si përfaqësuesin e tyre me kollare dhe shprehen tepër të kënaqur nga performanca e tij në punë.

    Bisedë ku ata rrëfejnë edhe si Lani, siç ata e quajnë në mënyrë të përzemërt Luan Tabakun, po u bën më shumë punë se edhe ca të tjerë që ata njohin.

    Si dhe po i ndihmon me drejtorin e AKU-së

    Bisedat në Sky Ecc

    Xhino Roka teksa bisedon me Klaus Matishin i thotë ndër të tjera se po fliste me Lanin (Luanin).

    Gjatë bisedës Xhino ruan një konsideratë të thellë për Luanin, për seriozitetin që ai paraqet në punë.

    ‘Zjarr është. Është për mashallah, u rri punëve te koka. Shyqyr që e kemi zemra, duhet te ai vendi ai. Përfaqësues me kollare…. Ne e sistemuam në punë dhe ai po na ndihmon tani.

    Në një tjetër bisedë që i përket muajit gusht të vitit 2020, Suel Çela del vetë në komunikimet e Sky Ecc teksa flet me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal, i identifikuar si Klaus Matishi.

    Të cilit i tregon jo vetëm që është takuar me Luanin, por edhe se si e mban të fshehur pas në makinë që të mos e shikojnë të tjerët. Ajo që vihet re në këtë bisedë është se Suel Çela, e trajton pa ndonjë shenjë respekti të veçantë përfaqësuesin e tij me kollare në krye të institucionit ku e ka vendosur.

    Të cilin diku në bisedë e cilëson edhe si bythëgrisur që hapet bythësh dhe që duhet mbajtur në kontroll.

    Biseda gjatë të cilave, Suel Çela tregon ndër të tjera edhe se si po e përdor Luan Tabakun për gjëra madhore.

    Në një nga bisedat që Suel Çela bën me Klaus Matishin, ai i tregon këtij se ishte në kafe me Luanin, të cilit i kishte bërë llafe se përse nuk e kishte pyetur për lokalin. ‘Luanin e kam futur dhe po merret me gjëra të mëdha, duhet ta ruajmë shumë tani. Po mundohem ta mbaj në shina, po vjen dy herë në javë këtu me makina të ndryshme, ulet mbrapa që të mos e shohin. Mundohu të flasësh në telefon me të sa më pak’.

    Ai iu thotë anëtarëve të grupit të tij që duhet ta ruajnë Luanin dhe të mos e djegin për gjëra të vogla.

    ‘E kam futur, po takohet me njerëz të rëndësishëm. I thashë ti pse nuk më pyet mua’.

    Mesa duket Luan Tabaku është i pranishëm me ndihmën e tij të vyer në shërbim të grupit kriminal të Suel Çelës, përgjatë gjithë vitit 2020.

    Që nga koha kur organizata u investua që ai të merrte postin e nëndrejtorit të ASHK-së në Elbasan. Ku duket se ndër më aktivët në komunikimin me të janë Xhino Roka dhe Klaus Matishi. Ata vazhdojnë të mbajnë lidhjen midis Suel Çelës dhe Luan Tabakut, Sikurse është edhe kjo bisedë që mban datën 9 Dhjetor 2020, ku Xhino Roka gjatë një bisede me Klaus Matishin, i thotë këtij të fundit se pasi Lani është treguar i zellshëm të vihet në shërbimet e tyre për gjithçka që atyre u nevojitet, ata do ta ngrejnë Luanin në një detyrë ku ti dojë atij ajo… ‘Luanin do e bëjmë ku ti dojë qejfi…sepse mikun e mirë e kemi prej Luanit. Ja thashë edhe Ss, Luanit i kemi borxh shumë gjëra, na ka ndihmuar se s’ka…

    Do të ishin këto biseda të zhvilluara në Sky Ecc, përgjatë vitit 2020, që çuan grupin hetues edhe në një investigim më të hollësishëm se si Luan Tabaku ishte emëruar në krye të Autoritetit të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan gjatë vitit 2022.

    Dhe nëse këto biseda përkonin me kryqëzimin e fakteve në terren.

    Nga ku doli se në periudhën kur zhvillohen bisedat midis grupit kriminal të Suel Çelës dhe Luan Tabakut, ky i fundit ka qenë i punësuar pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Elbasan. Detyrë të cilën e ka mbuluar nga muaji Korrik i vitit 2020 deri në muajin Nëntor të vitit 2021. Ndërsa më tej Tabaku del se ka qenë i punësuar pranë Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime Elbasan, në cilësinë e administratorit të kësaj shoqërie.

    Por ajo që do të përforconte edhe më shumë njohjen e ngushtë apo lidhjen me grupin e Suel Çelës dhe Luan Tabakut, në krahun tjetër, do të ishin vetë lidhja e tyre miqësore.

    E cila në fakt del se ishte shumë më e hershme, se koha kur organizata kriminale dhe kreu i saj interesohen që Tabaku të emërohet në krye të punëve të ASHK-së, apo më vonë të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan.

    Konkretisht rezulton se në periudhën korrik të vitit 2020 deri në nëntor të vitit 2021 Luan Tabaku ka qenë i punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan. Referuar dokumentave rezulton se prej shtatorit 2022 dhe në vijim ai është punësuar si Administrator pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan sh.a.

    Por ajo që duket se e komplikoi edhe më shumë situatën e Luan Tabakut përballë drejtësisë, ishte fakti që në 10 vitet e fundit ka pasur jo vetëm kontakte të vazhdueshme me eksponentë të familjes Çela, por edhe ka udhëtuar me automjetet e tyre jashtë Shqipërisë.

    Çka në thelb tregonin për afërsinë e ngushtë që ai kishte me këtë familje dhe kreun e kësaj organizate, Suel Çela. Hetuesit kanë zbuluar nga verifikimet në sistemin TIMS se Luan Tabaku ka udhëtuar përgjatë viteve 2010-2025 me disa mjete.

    Një prej këtyre makinave është në pronësi të subjektit tregtar ‘Çela’ Shpk, në pronësi të Petrit Çelës, babai shtetasit Suel Çela. Hetuesit kanë zbuluar se me të njëjtin automjet ka udhëtuar gjatë vitit 2024 edhe bashkëshortja e Luan Tabakut.

    Sipas të dhënave të analizuara nga sistemi TIMS rezulton se Luan Tabaku gjatë vitit 2021, ka udhëtuar me një automjet me të cilin kanë udhëtuar edhe shtetasit Sergej Hasanpapaj dhe Endri Çopja, të të dyshuar si anëtar të organizatës kriminale të drejtuar nga shtetasi Suel Çela. Të dy rezultojnë me precedent të theksuar kriminalë.

    Por pikërisht ajo që duket se ka fundosur apo ka nxjerrë zbuluar lidhjen e ngushtë midis Luan Tabakut dhe organizatës kriminale të Suel Çelës, është korespondimi i bisedave në Sky Ecc, midis tij dhe bandës, dhe emërimit si titullar fillimisht në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe më pas si Administrator i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan.

    Aty ku del se Luan Tabaku ka shpërblyer organizatën e Suel Çelës me disa tendera të rëndësishëm. Arsyeja madhore siç ata thonë në bisedat midis tyre për të cilën ata vendosën njeriun e tyre të besuar në krye të këtyre dy institucioneve. Tendera që mesa duket kishin lidhje me sigurinë fizike të objekteve në administrim nga shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, që drejtohej nga Luan Tabaku. Por që pas emrit të subjektit fshihej organizata e Suel Çelës.

    Luan Tabaku, u emërua administrator i Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan falë ndikimeve kriminale

    Emri:  auto_Suel-Cela11-1-768x436-1-640x3631745960364.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  25.4 KB

    Gjatë vitit 2020, Luan Tabaku ka mbajtur detyrën e zv/drejtorit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe në vijim atë të Administratorit te SH.A. Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan.

    Nga ku rezulton që në cilësinë e Administratorit, të ketë dhënë disa procedura publike prokurimi, kryesisht ato që kanë të bëjnë me shërbimin e ruajtjes me roje fizike të objekteve të SH.A Ujësjellës Kanalizime Elbasan, subjektit tregtar UEVI 2015.

    Nga ku rezulton se administratore e kësaj shoqërie është Fatbardha Roka, e ëma e vëllezërve Xhino dhe Marsel Roka, të arrestuar si pjesë e organizatës së Suel Çelës. Po kështu grupi hetues ka dyshime të forta se organizata kriminale e Suel Çelës ka shtrirë duart edhe në futbollin vendas, konkretisht në ekipin Akademia Futbollit ‘Elbasani’.

    Ekip që sot garon në Ligën kryesore të Futbollit në Shqipëri, pas vitesh të gjata lëngimi në kategoritë inferiore të futbollit në vend. Nga ku edhe këtu del se Luan Tabaku jo vetëm ka lidhje të ngushta me Mariglen Çokun, administratorin i AF Elbasani, por edhe ky i fundit është vetë lidhje e Suel Çelës.

    Ashtu sikurse del të jetë në fakt edhe Luan Tabaku.

    Hetimet kanë zbuluar se lidhje e ngushtë e Suel Çelës është edhe Mariglen Çoku, administrator i ‘AF Elbasani’. I cili gjatë një kontrolli të ushtruar më datë 25 Nëntor 2024 në ambientet e brendshme të Tregut AgroUshqimor në Elbasan, në pronësi të familjes Çela, u gjet aty i vetëm.

    Hetimet kanë zbuluar se Marenglen Çoku shoqërohet dhe mban komunikime me Suel Çelën. Luan Tabaku nga ana tjetër rezulton se është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të AF Elbasani.

    Veç emërimeve të të besuarve të tij në pozicione kyçe me qëllim përfitimin e tenderave apo punëve publike, Suel Çela dyshohet se ka përdorur emra të personave të tretë për të fshehur pasuritë e tij.

    Dyshohet se Suel Çela pasuritë që rrjedhin nga aktivitetit kriminal i tij, i ka fshehur në shoqërinë e futbollit AF ‘Elbasani’, por edhe nëpërmjet shoqërive apo personave të tjerë që janë aktualisht në hetim. Siç është edhe subjekti tregtar ‘Bajrami-N’, në pronësi të Nazif Bajramit.

    Nga zbërthimi i komunikimeve ai rezulton se një prej anëtarëve të grupit të tij kriminal e informon se makinën do e vendosë në emër të Zifit, që sipas hetuesve nënkupton Nazif Bajramin.

    Nga hetimet rezultoi se makina në emër të Nazif Bajramit, u gjet në banesën e Mario Çelës, vëllai i Suel Çelës gjatë kontrolleve të kryera në 2024.

    Edhe ky sot në hetim si pjesë e organizatës kriminale dhe që ndodhet i arrestuar në Belgjikë, në kuadër të hetimit të hapur kundrejt kësaj strukture të krimit të organizuar me bazë në Elbasan dhe në disa vende të Evropës. Nisur nga të dhënat e siguruara, SPAK urdhëroi kontroll në zyrën dhe banesën e Tabakut, të biznesmenit Nazif Bajrami si dhe Mariglen Çoku, administrator i ‘AF Elbasani’.

    Syri

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Suel Çela, sponsori gjeneral i krimit

    Emri:  auto_auto_55g5sdg517443029411751831378.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  34.6 KB

    Një person në kërkim, që zgjedh të jetojë në arrati, ka vetëm një synim. Të triumfojë mbi drejtësinë. Do provojë me çdo kusht të tregojë që është i pafajshëm, edhe atëherë kur nuk është. Në mënyra të ligjshme apo të paligjshme, liria është synimi i tij i vetëm.

    Por arratia ka kostot e saj, qoftë edhe financiare. Për disa të tjerë, jeta në arrati vazhdon njësoj sikur të mos kenë asnjë problem me ligjin.

    Statusi i tyre shoqëror është i ndryshëm. Ndonjëri njihet si biznesmen. Dikush tjetër si “i forti” i qytetit. Emri i dikujt lakohet si person i rëndësishëm e ndonjë tjetër si mjaft i rrezikshëm. E madje ca të tjerë mitizohen.

    Por të gjithë kanë një të përbashkët. Janë persona në kërkim.

    Përveç kësaj, kanë edhe të përbashkëtën tjetër. E sfidojnë herë pas here drejtësinë. Ndonëse në arrati, disa edhe prej vitesh, lëvizin lirshëm. Kryejnë veprime ligjore. Firmosin kontrata noteriale. I drejtohen edhe Gjykatës për lehtësim të masës së sigurisë që kanë marrë në mungesë. Madje kalojnë edhe kufirin, me dokumentet identifikimi origjinale.

    Të tjerë kryejnë sërish krime. Në jo pak raste kemi dëgjuar nga Policia: Shpallet në kërkim i kërkuari…

    Suel Çela është një prej tyre. Ai është një person që është shpallur e rishpallur në kërkim herë pas here. Por nuk është ndaluar asnjëherë.

    Megjithëse duhet thënë se ka mbajtur një korrespondencë në distancë me gjykatat.

    Ndonëse prej 3 vitesh është në arrati duke iu shmangur drejtësisë, sa herë ka pasur masa të dhëna në mungesë ndaj tij, ai i ka kundërshtuar. Më 28 shkurt 2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një shkresë, përmes të cilës kërkonte t’i ndryshohej masa e sigurisë nga “arrest në burg”, në një masë më të lehtë.

    E pas kërkesës së parë, më 23 maj 2023 Suel Çela reagoi sërish. Ai i bëri rekurs dosjes së tij në Gjykatën e Lartë, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme la në fuqi për të masën e sigurisë “arrest me burg” të marrë nga Shkalla e Parë. Çela kërkonte masë më të lehtë sigurie, megjithëse ai nuk ndodhej në burg, por në arrati.

    Të njëjtin veprim, po nga arratia, e përsëriti edhe më 6 dhjetor 2024, kur Gjykata e Posaçme shqyrtoi kërkesën e tij.

    Ndonëse në kërkim, dëshmitë e të penduarve dhe platforma SKY dëshmuan se 37-vjeçari Suel Çela, apo i njohur edhe si Marjus Lulaj, vit pas viti është fuqizuar edhe më shumë. Me miliardat e fituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, financoi vrasjen e kundërshtarëve, madje në shumë raste bleu edhe drejtësinë. Bashkë më të vëllain, Mario Çelën, duket se kanë drejtuar një perandori krimi, tashmë e njohur si organizata kriminale “Çela”.

    Por ndryshe nga ai, vëllai ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ku u ndalua gjatë operacionit të nëntorit të vitit 2024, kur SPAK i dha goditjen më serioze kësaj organizate.

    Ndërsa goditja e radhës erdhi më 3 korrik 2025, kur në Itali u sekuestruan prona të vëllezërve Çela, të llogaritura në vlerën e mbi 4 milionë eurove.

    Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Veronës kryen një operacion të përbashkët kundër organizatës kriminale të vëllezërve Suel e Mario Çela, e cila vepronte në Verona të Italisë dhe ishte përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.

    Hetimet e kryera nga SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.

    Sekuestrimi u ekzekutua më 3 korrik 2025 pas vendimit të Gjykatës së Veronës, si masë preventive, në kuadër të vijueshmërisë së hetimeve.

    Pasuritë e sekuestruara janë:

    Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca, në Verona

    Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi, zyra dhe dyqane, në Verona

    Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve, rreth 400 mijë euro në vit

    Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.

    Prokuroria e Posaçme

    Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqendrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar. Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllezërve shqiptarë dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira. Njëri prej dy vëllezërve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në një burg në Belgjikë. Ky i fundit u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.

    Mario Çela tashmë është në pritje të përballjes me drejtësinë belge, por nga ana tjetër për të ka gjithashtu një vendim të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

    Falë skuadrës së përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Veronës dhe SPAK u konstatua se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.

    Në Shqipëri, janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.

    Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike. Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale.

    Prokuroria e Posaçme

    Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme. Procedimi penal ndodhet në fazën e hetimeve paraprake. Për Prokurorinë e Veronës ky është rasti i parë i një organizate kriminale shqiptare, e cila investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti të Bashkimit Europian, në këtë rast, Italisë. Operacioni i kryer konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK dhe autoriteteve italiane, në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

    SHPALLET NË KËRKIM I KËRKUARI

    Suel Çela, i cili është një nga personat më të kërkuar nga Policia, fillimisht u shpall në kërkim nga SPAK pasi akuzohej se kishte porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.

    Në këtë datë kur u plagos, Nuredin Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën. Porosinë për vrasjen e Kilës ai ka pohuar se e kishte marrë nga Suel Çela. Në dosje jepen detaje të plota mbi këtë ngjarje.

    Ka qenë dëshmitari tjetër i drejtësisë, Henrik Hoxha, që e ka rrëfyer të plotë këtë ngjarje për prokurorët e SPAK. Ai ka thënë se Nuredin Dumani ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë, për të cilën e kishte porositur më parë. Më tej Henriku ka shpjeguar se ka shkuar disa herë në Elbasan që të vriste personin, foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini. Ai i kishte premtuar se do të paguhej 70 mijë euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta realizonin bashkë.

    Por teksa janë nisur me makina të ndryshme, Henrik Hoxha tregon se në një moment ka marrë një mesazh nga Dumani që i ka thënë se e kanë plagosur. Më pas ai e ka marrë dhe e ka çuar në Fier dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

    Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë Elton Kilën. Sueli i çonte foton e Kilës në telefon.

    Por kjo nuk ishte porosia e vetme që Dumani pretendon se kishte marrë nga Suel Çela. Një tjetër krim me kërkesë tij tij, Nuredin Dumani thotë se ka qenë edhe tentativa për të vrarë administratorin e shkollës private, Lulzim Masha. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte komunikuar me Çelën dhe i kishte dhënë kontaktin e një mikut të vet që ishte i interesuar për eliminimin e Mashës.

    Pasi ka komunikuar me personin e interesuar, i ka ofruar shumën 150 mijë euro për vrasjen.

    Suel Çela, që konsiderohet si “i paprekshmi” i Elbasanit, u vu në qendër të vëmendjes në një ngjarje të vitit 2017, për sulmin ndaj policisë tek tregu agro-ushqimor i Elbasanit. Në fillim të muajit shtator 2017, drejtori i Policisë së Elbasanit miratoi një plan masash për goditjen e grupeve kriminale, personave në kërkim dhe mjeteve të blinduara. Qëllimi i këtij plani ishte mbajtja nën kontroll i anëtarëve të grupeve kriminale të evidentuara në Elbasan, me tendencë kryerjen e krimeve kundër personit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin ligjor.

    Për bashkëpunim kërkohej rivlerësim i situatës dhe marrja e masave të menjëhershme me shërbime të hapura dhe të fshehta të strukturave të Policisë në vend, duke kryer disa detyra. Konkretisht, pika e parë e këtij plani masash, shpjegonte arsyen kryesore të përplasjeve të vazhdueshme që po ndodhnin në atë kohë në Elbasan. Në bazë të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2016-2017 në qytetin e Elbasanit, në lidhje me personat me precedentë kriminal e penal të fiseve Çapja, Çela, etj, kërkohej që të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit të mbajnë nën kontroll anëtarët e këtyre fiseve, lëvizjet që ata bëjnë, mjetet me të cilat lëvizin, numrat e telefonave që ata përdorin, si dhe ambientet që frekuentonin.

    Pas këtij plani masash ndodh incidenti në tregun Agro-Ushqimor, për të cilin u akuzua dhe u shpall në kërkim Suel Çela. Por në nëntor të vitit 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm në lidhje me këtë ngjarje. Incidenti mori përmasa edhe më të rënda kur dolën pamjet e “Audi”-t të zi, të blinduar, që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.

    Në të njëjtën ditë ku në Elbasan u lirua Florenc Çapja, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, shpalli të pafajshëm edhe armikun e tij, Suel Çelën, të njohur edhe me emrin Marjus Lulaj. Sipas Policisë, Çela gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë. Policia e kishte shpallur atë në kërkim për ngjarjen e datës 10 shtator 2017, kur pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, të Elbasanit, në bashkëpunim me dy persona të tjerë kishin goditur me makinë punonjësit e Policisë. Në seancën e datës 4 nëntor 2019, nga ana e Prokurorisë janë paraqitur konkluzionet përfundimtare. Akuza ka kërkuar dënimin e tij me 7 vjet burgim, por Gjykata ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.

    Policia e Shtetit

    Ky shtetas, Suel Çela, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.

    Por kjo nuk ishte vetmja ngjarje, për të cilën ai mori pafajësi, pa kaluar asnjë ditë në qeli. Në kohën kur incidenti me Policinë vazhdonte të hetohej nga Prokuroria, një dosje e vjetër, për një ngjarje të vitit 2013 u rihap nga Policia dhe kësaj here Suel Çela akuzohej për pengmarrje. Bashkë me Endri Çopjan, ai akuzohej se më 19 prill 2013, kishin rrëmbyer e më pas plagosur shtetasin Bledar Karaj.

    Në datën 2 maj të atij viti, i dëmtuari është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin nga drejtuesi i Prokurorisë Elbasan. Në këtë deklarim ai ndër të tjera është shprehur se personi, i cili e ka qëlluar me armë është shtetasi Suel Çela. Bledari në këtë deklarim është shprehur se me shtetasin Suel Çela e ka mbyllur konfliktin pasi babai i tij është takuar me xhaxhain dhe ka kërkuar falje në lidhje me veprimet e kryera nga Sueli. Po në datën 2 maj nga ana e drejtuesit të Prokurorisë është nxjerrë urdhër ndalimi ndaj Suel Çela. Pas kërkesave të bëra nga i dëmtuari Bledar Karaj, më datë 20 nëntor 2013 ai është pyetur nga policia gjyqësore dhe në deklarimin e kësaj date ai ka mohuar deklarimin e dhënë në maj, duke pretenduar se në atë deklarim ka dhënë të dhëna të rreme përpara prokurorit dhe se nuk i njeh autorët e kësaj ngjarje. Në këto rrethana, edhe për këtë ngjarje Suel Çela doli i pafajshëm.

    Fakti që deri tani Suel Çela vijon të lëvizë lirshëm, tregon se ndalimi i tij nuk është marrë me seriozitet. Edhe atëherë kur duket se nisen grupe operacionale nga Tirana drejt Elbasanit, kthimi duarbosh komentohet si kontroll rutinë dhe jo si dështim për kapjen e tij.

    FINANCIMI I VRASJEVE DHE TRAFIKU I KOKAINËS

    Në dosjen e SPAK të nëntorit të vitit 2024, është arritur që të zbardhet edhe atentati ndaj Ardian Çapjas. Ndërsa rezulton se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Suel Çela. Ka qenë snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra i cili është urdhëruar të qëllojë mbi të. Kodra është në mesin e 21 personave ndaj të cilëve Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arrest pas megaoperacionit që u zhvillua më 24 nëntor të vitit 2024.

    Bisedat e zbardhura në platformën SKY kanë zbuluar tentativën e dështuar për të vrarë Çapjan. Nga biseda dyshohet se Suel Çela, i njohur edhe si Marjus Lulaj, ka kontraktuar me Prekë Kodrën për realizimin e vrasjes dhe se e ka provuar 5 herë, por nuk i ka ecur. Snajperisti nuk arriti ta vriste Ardian Çapjan, i cili mori një plumb dhe arriti të shpëtonte në atentatin e tretë ndaj tij.

    Personat e përfshirë në atentatin ndaj Çapjas janë Suel Çela, i cili ishte porositësi, organizatori dhe financuesi, vëllai i tij Mario Çela, i cili monitoroi situatën pas ngjarjes, Xhino Roka, i cili koordinoi veprimet në terren, Prekë Kodra personi që qëlloi me snajper, si dhe 6 persona të tjerë.

    Më 22 janar të vitit 2022 vritet në Belgjikë Bledar Muça. Miku i ngushtë i Florenc Çapjas, gjendet i pajetë në Antwerp. Ai kishte qenë i dyshuar dhe ishte shoqëruar disa herë për ngjarje kriminale në Elbasan, të kryera për llogari të familjes Çapja, por gjithmonë ishte lënë i lirë. Muça është qëlluar me armë zjarri në brendësi të automjetit të tij, sapo ka mbërritur në afërsi të pallatit ku jetonte. Dy persona që po e prisnin në rrugë, kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj 39-vjecarit dhe më pas janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

    “Pushteti” që Suel Çela kishte fituar ndër vite, del edhe gjatë rrëfimeve të një tjetër bashkëpunëtori të drejtësisë në procesin e dosjes “Plumbi i artë” që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

    Seancë pas seance, Erion Alibej ka treguar gjithçka ka bërë vetë por edhe çdo bisedë me persona të tjerë, që e orientuan drejt atyre që i vranë vëllain, Endrit Alibej në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit”. E po aq sa vrasja e vëllait, një tjetër peshë e rëndë për Erion Alibejn është përhapja me shpejtësi e një të pavërtete siç e quan ai, që është “humbja” e 50 kilogramëve kokainë në Angli. Një informacion që ai e dëgjoi nga Suel Çela, por që këmbëngul se nuk është i vërtetë.

    E megjithatë, në një kohë kur shumë mistere ende mbeten të pazbardhura në një histori intrigash të thurura nga grupet kriminale, ka dhe një të vërtetë.

    Të katër grupet e Elbasanit u goditën nga SPAK dhe Policia. Çapjat, Çopjat, Alibej dhe Çelët. Por teksa drejtuesit dhe disa prej anëtarëve të këtyre grupeve kriminale janë në burg, vetëm Suel Çela vijon të jetë i lirë, ndonëse në arrati.

    Mes dilemave të herë pas hershme se kush e organizoi vrasjen e trefishtë në Bradashesh, grupi Çopja apo Çela, Erion Alibej ka vijuar rrëfimin e tij në gjykatë, duke dhënë detaje për çdo krim që ka porositur dhe çdo njeri që ka paguar për t’u hakmarrë. Teksa dëshmon, Alibej nxjerr Suel Çelën si njeri që e ka nxitur, ndoshta jo pa qëllim, që të ndodhte ajo që ndodhi.

    Sipas tij, Suel Çela nuk ka qenë në mënyrë direkte përgjegjës për çfarë ndodhi në familjen e tij, por në mënyrë indirekte po, duke e nxitur, duke folur për 50 kg drogë që kishte humbur, të cilën Alibej e mohon.

    Mes të tjerash, Alibej përmend edhe Suel Çelën dhe konfliktin e hapur që ai kishte me Ardian e Florenc Çapjan. Por nga ana tjetër, edhe një hatërmbetje që ka pasur vetë me Suel Çelën, që pranon që e ka pasur shok fëmijërie. Marrëdhënien që ka pasur me të dhë familjen e tij dhe si e ka ndihmuar kur ai ishte arrestuar në Itali.

    ERION ALIBEJ

    Në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë një person për të plagosur dajën tim. Sueli është marrë gjithmonë me aktivitet kriminal, përveçse me drogë dhe në këtë periudhë kishin përplasje me grupin Çapja. Një konflikt i hapur i fiseve, me Ardian Çapjan, Florenc Çapjan, Bledar Muçën. Pasi erdha në Shqipëri, ishim tek lokali i dajës, kaluan me “Range Rover” Sueli, i ati i tij dhe Sokol Sanxhaktari. Sueli hapi xhamin dhe i tha Endritit: “Hajde pak tek tregu..” I thashë Suelit: “S’ke turp që drejton gishtin?” I fola rëndë. Doli Sokol Sanxhaktari dhe me tha: “O Erion ç’a po flet…” Ishte koha që ky merrte njerëz e i dhunonte te tregu. Shkuam tek shtëpia e Suelit. Ishte dhe e ëma e vet aty. Pasi u ulëm, Sueli i tha Endritit: “Na ka ndodh një problem me punën e rrugës që kishim për një ngarkesë. Na e kanë bërë ca rumunë që janë të Hajdar Çopjas, po ai e mohon dhe thotë që ka lidhje Endriti dhe për këtë dosja të të pyesja”. Endriti qeshi me ironi dhe i tha: “S’kam lidhje me këtë punë”. Ndërhyri Sokoli Sanxhaktari dhe i tha Suelit: “Hë e dak, a të thash që ata quksat…”, për Çopjat. Shkova takova të ëmën e Suelit, Hanën, u përlot e më përqafoi, se kam pasë shkuar te shtëpia kur Sueli ishte në burg në Itali.

    Gjatë rrëfimeve të Erion Alibejt, konfirmohet edhe fakti se ndonëse kërkohet nga drejtësia shqiptare, Suel Çela ka udhëtuar edhe jashtë vendit. Madje në një periudhë kohe ai ka qëndruar në Holandë.

    Për një periudhë të gjatë, Erion Alibej është interesuar nëpërmjet lidhjeve shoqërore të tij e të vëllait të vrarë, Endritit, për të gjetur informacione për personat e përfshirë në atentat. Në një periudhë ka nisur të përflitet se vrasjen e kishin bërë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Në këtë kohë, Erion Alibej deklaron se ka shkuar në Holandë për të takuar Suel Çelën. Ai ka qëndruar gjatë kësaj kohe në Roterdam, ndërsa Suel Çela ndodhej në Den Haag, në Hagë, aty ku edhe e ka takuar, në shtëpinë e tij. Alibej tregon bisedën që ka bërë me Suel Çelën. Gjatë asaj bisede ka dalë edhe emri i Talo Çelës, që sipas Erion Alibejt, nuk e kishte njohur as ai, as i vëllai, edhe pse fliste gjithë qyteti për të.

    ERION ALIBEJ

    Kam shkuar në Holandë klandestin. Në fillim kam kaluar nga rruga tokësore afër doganës së Qafë Botës, në Sarandë, sepse isha në kërkim. Më pas shkova në Greqi dhe udhëtova në Holandë me avion për të takuar Suel Çelën. Sueli në atë kohë ishte personi më shumë i përfolur si i përfshirë në vrasjen e vëllait. Flas në Enchro me Suelin dhe më sjell një person, Shkëlzen Hasanpapën, për të më marrë dhe u takuam në Hagë. Bëj bisedë të gjatë me Suelin dhe më tha që janë ata, Hajdar e Franc Çopja. Më tha: “Këta ta kanë bërë. Dhe flitet për vjedhjen e 50 kile kokainë”. I thashë Suelit që një nga gjuajtësit është ushtari jot, një shkodran që thirrej “Naqo”. Sueli i shkruajti direkt atij. Pastaj në bisedë i thash: “Po me avokat Ravikun ç’a patët?”. Me tha: “I futi hundët shumë tek ‘Maçi’”. Kam folur shumë aty me Suelin dhe më garantoi se në vrasjen e familjarëve të mi janë Çopjat.

    Suel Çela duket se kishte informacion për gjithçka ndodhte në Elbasan. Kjo jo vetëm për shkak të lidhjeve që ai kishte në Polici e në sistemin e drejtësisë, por edhe për shkak se kishte kontroll absolut mbi të gjitha kamerat që monitoronin qytetin.

    Gjatë rrëfimit të tij, Erion Alibej në një formë hedh dyshimet e tij se mund të jetë shitur edhe nga vetë autoritetet shtetërore, të cilëve tregon se herë pas here u ka dhënë informacione për vendndodhjen e Talo Çelës, që në atë kohë ishte një nga personat më të kërkuar nga Policia. E megjithatë ai thotë që jo vetëm nuk u veprua për kapjen e tij, por gjithçka po i kthehej kundër. Nisën të vriteshin njerëzit e tij, madje edhe djali i dajës, Andi Zylyfi. Kjo ishte arsyeja pse Alibej, ndonëse ishte person në kërkim, u investua të siguria e tij, i bindur tashmë që do ishte radha e tij për t’u vrarë. Shpjegon se Suel Çela kontrollonte kamerat e gjithë qytetit, ndërsa vetë ai kishte akses në disa prej tyre.

    NDIHMA NGA DREJTËSIA

    I konsideruar sot si drejtuesi i një prej organizatave kriminale në Elbasan, Suel Çelës në vitin 2020 nuk iu desh shumë që të kërkonte për hapësira në sistemin e drejtësisë që të shpëtonte pasurinë e tij.

    Platforma SKY tregoi se Eriona Daupaj, i kërkonte vetë lidhjet me të, nëpërmjet avoktit Radovan Çela.

    Sipas SPAK, nga bisedat e zhvilluara në SKY, duke i vlerësuar edhe në raport me aktet e procedimit pasuror ndaj Suel Çelës, krijohet dyshimi i arsyeshëm se Eriona Daupaj ka kërkuar përfitime të parregullta për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorit të çështjes. Nga ana tjetër, Radovan Çela ka pranuar se do të ndërmjetësojë në këtë rast në këmbim për marrjen e përfitimeve të parregullta monetare. Duke vlerësuar mënyrën e komunikimit mes tyre dhe sjelljen e tyre në raste të ngjashme, sipas SPAK flitet për 35 mijë euro, shumë kjo që është kërkuar për të ndikuar te prokurori i çështjes, për të mos vendosur masë sekuestro për pasuritë e Suel Çelës dhe familjarëve të tij. Mënyra e favorizimit do të ishte duke kthyer serish materialin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, me qëllim që kërkesa për sekuestrimin të nxirrej jashtë afatit të veprimit të aktit normativ.

    GODITJA E ORGANIZATËS “ÇELA”

    Në vitin 2024, Prokuroria e Posaçme firmosi 21 urdhër arreste për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela dhe masat u vendosën nga Gjykata e Posaçme më 22 nëntor 2024. Në krye të listës, ishte masa “arrest në burg” e dhënë në mungesë edhe për Suel Çelën, i cili akuzohet nga SPAK për:

    Tentativën e vrasjes së Ardian Çapjas, e ndodhur më 8 qershor 2020, në Elbasan; Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të vrarë Bledar Muçën dhe Elvis Koçin; Organizatë kriminale; Armëmbajtje pa leje; Trafik droge; Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë; Korrupsion aktiv në sektorin privat; Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të gjitha vepra të kryera në kuadër të organizatës kriminale ose grupit të strukturuar kriminal.

    Në dosjen e SPAK renditen të gjitha episodet kriminale që i atribuohen kësaj organizate, për të cilat janë siguruar prova edhe përmes mesazheve të shkëmbyera në SKY. Sipas të dhënave hetimore, rezulton se Suel Çela kishte paguar Prekë Kodrën për të realizuar vrasjen me Snajper të Ardian Çapjas, plan që në fakt dështoi, pasi ai mbeti i plagosur. Por ndër të tjera, mes tyre ka dhe biseda që zbulojnë lidhjet kriminale edhe përtej Elbasanit.

    Nga komunikimet e zhvilluara më 9 gusht të viti 2020, në Enchrochat dhe Sky, Prekë Kodra i tregon planin, por nuk i zbulon emrin e shënjestrës së radhës në Shkodër. Por sapo i përmend emrin e fisit nga Shkodra, Suel Çela e këshillon që të mos ketë besim tek ata.

    Suel Çela: Amanet aty mos u përzi…t’jesh i sigurt do marësh fun me ata aty… Bajrit s’jan t’mir, ti i ke provu e un i kam provu. Me ata je o nburg o nvarr. Ma nigjo fjalën. Për buk nuk ngel, s’kam vdek akoma un… Shok as mos e meno me u përzi me ta, s’je budalla… Ato dy rrug ke me ata, ma nigjo fjalën… Do merrje fun me ata ktë koh… Ti je përfol direkt kan me ardh te ty sa t’nodhi ngjarja. Bajrit flasin gjitha muhabetet nuk i … Mrapa te ty koha e ka tregu… Po i di dhe kto, i kam nigju… Shok, zhytja me ata asht çelsat në oqean. Po e lëmë të qetësohet ca ditë e po të them të vish të flasim gojarisht… .

    Më tej, më 27 gusht e fton për ta takuar, si dhe e informon se telefonat që kanë në përdorim nuk janë të sigurt, pasi ka gjasa që platforma e enkriptuar e komunikimeve Enchrochat janë hapur në Holandë dhe Angli, por ka menduar se ata që përdoren në Shqipëri janë të sigurt.

    Suel Çela: Pranaj tkam shkru… Kur tbahesh marë nfund të javës hajde, po të pres… Se as këto telefona s’jan shum të sigurt…mir mir…po po flitet se i kan hap dhe kto si enkrot…por jo ktu, Holandë, Angli… Mir ash mos me fol me detaje dhe ktu… desha me ba i pun u organizum…e anolova…s’kam pa kaq shum civila e polic ne qytet…ktu ktu…kam ba hyrje na mrapa…

    Përgjatë gjithë komunikimeve në SKY, që janë pjesë e dosjes së SPAK, Prekë Kodrës i referohen me pseudonimet “gjahtari”, “gjuetari”, dhe “mjeshtri”. Dyshohet se është pikërisht ky personi që ka qëlluar ndaj Ardjan Çapjas, të cilin e la të plagosur në oborrin e banesës së tij. Gjuajtja u bë nga kodra përballë shtëpisë dhe po në dosje, rivalët shkruanin se “xhindi”, emër me të cilin e thërrisnin Çapjan, u kishte shpëtuar për 1 milimetër, pasi aq larg e kishte pasur plumbin nga zemra.

    Pjesë e dosjes së SPAK janë edhe fotografi të bisedave që Suel Çela ka zhvilluar në SKY, po ashtu edhe të Bledar Muçës, njeriut më të afërt të armiqve të tij, familjes Çapja, të cilin e mbanin në vëzhgim për ta vrarë, derisa në fund e realizuan vrasjen e tij. Po kështu, ka edhe fotografi të armëve që Prekë Kodra i dërgonte në SKY Suel Çelës, përveç snajperit që do të përdorte për realizimin e vrasjes së Ardian Çapjas. Por edhe fotografi të Ardian Çapjas gjatë kohës që e monitoronin nga larg për ta vrarë në oborrin e shtëpisë së tij.

    Po në SKY anëtarët e organizatës dërgonin edhe foto të ngarkesave me kokainë që niseshin nga Ekuadori, por edhe të lajmeve që kishin publikuar mediat belge, pas sekuestrimit të një sasie kokaine në portin e Antwerpit.

    Në lidhje me aktivitetin e trafikimit të lëndës narkotike, në dosjen e SPAK zbardhen komunikimet mes Suel Çelës, me biznesmenin Marsel Shega, ku nga konteksi i bisedës kuptohet që grupi ka organizuar një ngarkesë me kokainë që nga Amerika e Jugut në Europë, e cila dyshohet se nuk është marrë. Suel Çela insiston se duhet të bëhen verifikime pasi ka dyshime se persona që e kishin marrë përsipër nxjerrjen e lëndës narkotike nga porti mund ta kenë vjedhur. Suel Çela i shkruan Marsel Sheges se nëse rezulton se grupi i daljes e ka vjedhur, apo i ka mashtruar atëherë ai duhet ekzekutuar, pasi dikush duhet te bëhet shembull.

    Suel Çela: Po të çoj dy stampa, çoja njerëzve tuj kë njeh, po ju doli në ndonjë vend më njofto. Na doli bosh kutia sot, s’po marrim vesh ç’a … po ndodh…

    Marsel Shega: Ja vlla sa u ndava nga takimi. Po atë uroj edhe unë. Me vjedh ky thotë me argumente, me kohë, s’ka pasë shans me e vjedh kush. Kam pyt pak si funksionon dhe gjasat janë që ka pisllëk te dalja. Ky mendon se do jetë kap, ose në ndonjë tranzit, Kartagjen apo Roterdam, apo Angli. Po të ishte kap, i venë drynin e vet ata, se bëka i tuf tranzite…

    Suel Çela: Ti shikoje me dyshim, hetoje tamam…

    Marsel Shega: Po ka raste që nuk venë gjë. Kjo ndodh kur kapet tranzit. Tashi thashë unë kush vë gisht. Kjo punë duhet zgjidh. Duhen gjet letrat nëse është kap. Dhe do më bosh kamerat e sigurisë në port. Po më tha me atë po merrem.

    Suel Çela: O ishalla s’ka hile. Hetoje me dyshim. Po pat hile do ta … hilsin para se ta fusim në dhe.

    Marsel Shega: Do ta zbardh këtë punë tha se s’bën. Jo se mendoj kur të kenë dorë këta. Po i thashë unë nuk përjashtoj asnjë dhe asgjë. Në këtë moment jemi bashkë dhe të gjejmë ku na ka çalu puna.

    Suel Çela: S’di ç’a të menoj. Ësht ky shoku që ësht marrë me detajet, ia kam çu të gjithëve kë njoh. Çoja stampat njerëzve tuj po dolën diku më njofto. Ç’a me ba, shnosh të tjerat., Ishalla s’ka hile, të paktën duhet me i … këtyre të daljes.

    Në bazë të komunikimeve, SPAK ka zbardhur edhe skemën se si Suel Çela me disa anëtare të tjerë kishin organizuar trafikimin e një sasie prej rreth 446 kg kokainë nga Ekuadori në drejtim të Holandës. Sipas komunikimeve ka rezultuar se Ergys Dashi, të cilit i referohen me pseudonimin “Pika”, i vrarë në Ekuador, ka pasur rolin e bashkëfinancuesit dhe organizatorit të transportit nga Ekuadori në drejtim të Holandës të 446 kilogramëve lënde të dyshuar kokaine. Suel Çela ka pasur rolin e bashkëfinancuesit për blerjen e rreth 100 kilogramëve lëndë narkotike e dyshuar me qëllim të trafikimit të saj nga Ekuadori ne Holandë dhe shitjen e saj në tregun europian. Në një moment, Suel Çela komunikon edhe me Ervin Matën, kushëriri i Ergys Dashit, i cili po ashtu është në kërkim nga SPAK për trafik kokaine nga Brazili.

    Ergys Dashi: Si kalove plako. Na shkoftë mbar. Mirë je, ç’a ke bo? Jam me bolin po s’ka bateri. Sot mora 235 ke ai shoku. Tani për punën e Maersk me dysheme që folëm, sa doni me investu ju dhe dalja se po fillojmë përgatitjet?

    Suel Çela: Mir shoku si kalove ti? Po më tha shoku për transfertën.

    Ergys Dashi: Po mendonim me e bo me 400.

    Suel Çela: Boli do jetë te pjesa jon, pyte?

    Ergys Dashi: Jo, do jet ke pjesa nisjes.

    Ervin Mata flet nga telefoni i Ergys Dashit: Si je vllai? Po dush ti hy ke dy pjesët un.

    Suel Çela: Mir vlla ç’a bone ti, si je?

    Ervin Mata: Po flisni vetë tani që të fillojë dhe Pika punën.

    Suel Çcela: Po flasim vetë pa merak. Shiko që mos ta bëni punën pa qef, 50 po fusim ne. Dalja mer atë përqindjen mrapa te puna e paletave i fusim dhe ata të investojnë.

    Ergys Dashi: Merr fol me ta. 100 është ok. Dhe 150 nëse don. S’ka ktu pa qef. Po e bëjm me shumë qef.

    Suel Çela: Ok vlla, në rregull 100.

    Ergys Dashi: Thjesht sa dush ti.

    Suel Çela: Jemi ok.

    Ergys Dashi: Mos e vrit mendjen fare ti për ne. Po dalja, a je i sigurt që nuk don?

    Suel Çela: Jemi ok me 100 pa merak. S’ka shum rëndësi kjo. Tani mthuj për lekët. Unë kam fol e kam nda punën me ata.

    Ergys Dashi: Ok, në rregull. Shitjen e merrni ju.

    Suel Çela: Po e marr unë shitjen të gjith. Dhe pagesat në Shqipëri shumica.

    Ergys Dashi: Kurse përqindja s’ka problem në Shqipëri i marrim. Ok në rregull. Sa ishte?

    Suel Çela: Nëse ju intereson, 20, te punët e mëdha 15 %. Për ktë rast 20 %. Për investimin total me transfert me gjitha ësht 5500 euro një.

    Ergys Dashi: Në rregull, ok.

    Suel Çela: Lekët ku dohet t’i çojm?

    Ergys Dashi: Kurse në fillim do jepet 2500.

    Suel Çela: Kuptova. Mthuj ku duhen lekët?

    Ergys Dashi: Ditën që do bëjm punën do pagujm kusurin.

    Suel Çela: Ok pra, në rregull.

    Ergys Dashi: Plako puna do bëhet me shtet.

    Suel Çela: Ma ke shpjegu atë ditë ktë, i kam të qarta.

    Ergys Dashi: Edhe kur të hyj mren puna me ardhë shteti i Kuitos. Kemi rrezik të dy palët. Kurse me policët e Guajakil s’ka rrezik. Jo të gjitha. Edhe nëse humbim do humbin 2500.

    Suel Çela: I kam të qarta të gjitha, pa merak.

    Ergys Dashi: Ngaqë jam me bolin (Ervin Matën), me tha shpjegoja edhe iher.

    Suel Çela: Jo, i kam fiksu të gjitha kur folëm ktu. Ma maj pak mir bolin mos e le pa buk…

    Ergys Dashi: Ok, po fillojm përgatitjet.

    Suel Çela: Na priftë e mbara.

    Për vite me radhë emrat e drejtuesve të katër grupeve kriminale të Elbasanit lakoheshin pambarimisht nga media, nga Policia e Prokuroria. Të njëjtët emra u përballën disa herë me drejtësinë e përfunduan duke u lënë të lirë nga Gjykatat. Disa të tjerë madje nuk u arrit të kapeshin asnjëherë.

    Por duket se fundi i tyre erdhi nga bashkëpunëtorët e drejtësisë. Fillimisht Elvis Bardhi, më tej Nuredin Dumani që kishte “firmosur” kontrata vdekjeje pothuajse për të gjithë e më tej edhe nga Erion Alibej, që ishte vetë në krye të një prej grupeve kriminale të Elbasanit. Ishin ata që zbërthyen gjithçka e që më tej u vulos nga platforma SKY, ku të gjithë, nga Franc Çopja te Suel Çela kishin folur të shpenguar për të gjitha krimet që askush nuk kishte arritur t’i dokumentonte me prova më parë. Dhjetëra persona janë arrestuar e dënuar. Të tjerë janë në gjykim. Ndërsa i vetmi që vijon të jetojë i lirë por në arrati mbetet Suel Çela.

    Gjërat Tona

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-07-2024, 12:14
  2. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 08-04-2024, 12:23
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 10:40
  4. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 27-10-2023, 11:03
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 05-02-2021, 08:32

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •