Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 23 prej 23
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,174
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Bashkia e Elbasanit i jep leje për treg të ri ushqimor babait të Suel Çelës

    Socialistët në Këshillin Bashkiak të Elbasanit miratuan në janar zgjerimin e territorit të tregut Agro-Ushqimor në pronësinë e babait të Suel Çelës – pavarësisht se ai është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK me akuzat e krijimit të një organizate kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të kokainës.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Bashkia-Elbasan-i-jep-leje-per-treg-te-ri-ushqimor-babait-te-Suel-Celes.jpg

Shikime: 43

Madhësia:  51.1 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Përpara portës së rëndë metalike të tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, rreth 3 kilometra larg qendrës së qytetit, vendin e tregtarëve e kanë zënë një grup djemsh vigjilentë rreth të 30-ave.

    Ky reporter nuk kishte zbritur ende nga taksia, kur njëri prej tyre bëri shenjë për t’u afruar me një të lëvizur të dorës dhe kërkoi llogari pse gjendesha aty.

    “Ik, nuk ke me kë flet,” tha ai kur mësoi se kishte të bënte me një gazetar. “Tregu është i mbyllur”.

    E rrethuar me mure betoni dhe kangjella të larta, godina i ngjan një fortese të sigurisë së lartë më shumë sesa një tregu fruta-perimesh. Përtej portës së hekurit dallohen njerëz që hyjnë dhe dalin nga magazinat.

    Dikush fishkëllen nga brenda dhe burri ndryshon qëndrim. Nga porta dalin dy djem të tjerë me xhupa të zinj dhe pasi prezantohen si roje, ripërsërin marrjen në pyetje. “Fol me pronarin”, thonë ata pasi humbin interesin dhe largohen.

    Tregu Agro-Ushqimor është i vetmi i këtij lloji në Elbasan dhe zotërohet nga kompania “Çela P” me pronar Petrit Çelën – babai i Suel Çelës – i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një organizate kriminale që akuzohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, atentate, pastrim parash dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.

    Përveç funksionit të tij zyrtar, tregu shërbeu sipas SPAK edhe si bazë e organizatës së dyshuar kriminale mes viteve 2020-2022; një vend i paprekshëm nga policia, ku bëheshin takime të fshehta dhe jepeshin urdhra okultë.

    Megjithatë, reputacioni famëkeq dhe një hetim i hapur nga SPAK nuk e pengoi Bashkinë e Elbasanit që të miratojë më 24 janar zgjerimin e territorit përmes një lejeje të dytë për treg agro-ushqimor në favor të kompanisë së babait të Çelës.

    Vendimi i Këshillit Bashkiak e përligj lejen me zhvillimin e sektorit bujqësor dhe stimulimin e “inovacionit dhe bashkëpunimit mes fermerëve”. I pyetur nga BIRN, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja e quajti miratimin e lejes “një procedurë standarde” dhe këmbënguli se nuk kishte kërkesa në ligj që e pengonin kompaninë e lidhur me një organizatë të dyshuar kriminale që të përfitonte lejen.

    “Është bërë kërkesë nga një subjekt privat, për në pronë private për ndërtimin e një tregu publik dhe është miratuar nga Këshilli Bashkiak, meqë kërkon një leje nga Këshilli,” tha Llatja.

    Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha se nuk komentonte veprimet e institucioneve të tjera si dhe çështjet nën hetim.

    Ndërkohë, Petrit Çela i tha BIRN se pasuritë e tij ishin të ligjshme dhe nuk kishin asnjë lidhje me të birin, për të cilin tha se kishte “pesëmbëdhjetë vjet i ndarë dhe tre vite pa e parë”. Çela pretendoi gjithashtu se kompania e tij gjeneronte miliona lekë si produkt i punës së tij si tregtar që në fillimet e viteve ’90, ndërsa mohoi akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur kundër djalit të tij.

    “Nuk ka as shpi as katandi,” pretendoi ai.

    Akuzat ndaj Suel Çelës

    Emri:  20210730_195001_300721_5_01-1_R7eE0wy.jpg

Shikime: 40

Madhësia:  36.9 KB
    Godina e SPAK-ut, Tiranë. Foto: LSA

    Elbasani në Shqipërinë e Mesme është bashkia e katërt më e madhe e vendit, por gjatë dekadës së fundit ka fituar reputacionin e një qyteti të kontrolluar nga krimi. Në tetor 2020, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi nga Elbasani se ishte e papranueshme që qyteti po kthehej në “një skenë lufte mes bandave të krimit të organizuar”.

    Një pjesë e kësaj lufte i atribuohet organizatës së dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela, një 37-vjeçar i shpallur dy herë në kërkim gjatë dy viteve të fundit nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të krimit të organizuar.

    Drejtues të opozitës e kanë akuzuar Suel Çelën se është përfshirë më herët në fushata elektorale dhe ka ndihmuar socialistët në sigurimin e votave në zgjedhje. Pas operacionit të SPAK në nëntor 2024, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se kishte emëruar motrën e dy anëtarëve të grupit të tij në një post të lartë publik.

    Aktiviteti kriminal i Çelës e ka zanafillën gati dy dekada më parë në Itali. Ai u dënua për herë të parë në moshën 17 vjeçare nga Gjykata e Torinos në vitin 2005, pasi u kap me 510 gram kokainë. Çela u shpall sërish në kërkim në vitin 2007 nga Gjykata e Livornos për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike dhe u dënua në vitin 2013 me 4 vjet e 7 muaj burg si dhe 26 mijë euro gjobë.

    Në Shqipëri, Suel Çela është skeduar nga policia që prej vitit 2013, por nuk është dënuar nga drejtësia.

    Aktualisht ndaj Çelës ka të paktën dy urdhër arreste; i pari i lëshuar në maj 2022 pas hetimeve dhe dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe i dyti në nëntor 2024, i bazuar në komunikimet në SKY ECC mes tij dhe 20 anëtarëve të tjerë të dyshuar të organizatës, gjithashtu nën akuzë.

    Sipas SPAK, Çela u fut në luftë me organizatën rivale të drejtuar nga i dënuari me burgim të përjetshëm Ardian Çapja, ndaj të cilit akuzohet se organizoi disa atentate, me qëllim që merrte kontrollin mbi qytetin e Elbasanit.

    SPAK pretendon gjithashtu se i gjithë aktiviteti i Suel Çelës u financua nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt shteteve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. Organizata e tij akuzohet gjithashtu për korruptimin e dyshuar të zyrtarëve në Polici, në sistemin gjyqësor si dhe në media.

    Dokumentet hetimore tregojnë gjithashtu se ndërsa e kishte zgjeruar aktivitetin e tij në Europë dhe në Amerikën Latine, Suel Çela e kishte pikën e tij të fortë në shtëpi. Tregu i fortifikuar Agro-Ushqimor përshkruhet si një bazë e rëndësishme dhe e sigurt e organizatës së tij, anëtarët e së cilës i referoheshin shpesh si “puna”.

    Në një lokal brenda tregut Agro-Ushqimor në fillim të shkurtit, babai i Suel Çelës i mohon akuzat e ngritura ndaj të birit. Ai pretendon se i penduari Nuredin Dumani ka mashtruar, ndërsa e akuzon SPAK-un si përndjekës.

    Ai e përshkruan të birin si një djalë të rritur larg familjes, nën kujdesin e dajës së tij në Itali, “që nuk është dënuar asnjëherë dhe nuk zotëron asnjë pasuri”.

    “Çuni im nuk ka as makinë,” tha Çela, ndërsa zhvlerësoi akuzat e ngritura ndaj tij.

    Vizita e Ramës

    Emri:  Rama-ne-Elbasan.jpg

Shikime: 39

Madhësia:  44.9 KB
    Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Elbasan më 14 mars 2023. Foto: Facebook.

    Kompania “Çela P” e Petrit Çelës u themelua në vitin 1996 me aktivitet tregtinë me pakicë dhe shumicë të mallrave ushqimorë, industrialë dhe bujqësorë. Ai e zgjeroi aktivitetin në vitet 2012-2013 me ndërtimin e tregut të vetëm Agro-Ushqimor të zonës, leja e së cilës u votua sipas Çelës me 99.99% të votave të Këshillit Bashkiak të kohës.

    Por leja për të operuar tregun në kushtet e një monopoli nuk është benefiti i vetëm publik.

    Kompania “Çela P” përfitoi gjithashtu nga fondet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, në vitin 2014, ndërsa në vitin 2024 mori të drejtën e shfrytëzimit të 7 hektarëve tokë pyjore mes Elbasanit dhe Peqinit për instalimin e paneleve diellore dhe paneleve eolike për prodhimin e energjisë.

    Çela i tha BIRN se fondet e AZHBR-së për subvencionimin e interesave të kredisë iu premtuan direkt nga kryeministri Edi Rama.

    Rama e vizitoi tregun Agro-Ushqimor të Çelës në korrik të vitit 2014, i shoqëruar nga ministri i kohës i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe drejtoresha e AZHBR, Suela Popa dhe e vlerësoi atë si një shembull që duhet shpërndarë “nga veriu në jug”.

    “Më tha po këtë të fundit (kredinë) sa e ke? I thashë kam nja 236 milionë të vjetra,”kujton Çela. “Mirë”- tha, 70% të interesave do i paguajë shteti,”, citoi ai kryeministrin. Por Çela pretendoi gjithashtu se AZHBR nuk e mbajti fjalën.

    Sipas transaksioneve të thesarit në faqen e Ministrisë së Financave, kompania “Çela P” përfitoi 1 milionë lekë si mbështetje nga AZHBR, me përshkrimin “Subvencion normë interesi” gjatë viteve 2014-2015. E pyetur nga BIRN lidhur me pretendimet e ndërhyrjes së kryeministrit dhe procedurat e ndjekura në dhënien e subvencionit, Kryeministria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Edhe pse kompania “Çela P” kontrollon të vetmin treg agro-ushqimor në bashkinë e Elbasanit, Çela thotë se prej një viti ka parë nevojën që të zgjerojë aktivitetin dhe ka marrë me qira toka shtesë në afërsi të tregut aktual, i cili sipas tij nuk ka më kapacitete për hapësira tregtimi.

    Për të siguruar lejen për këtë treg të ri, Çela paraqiti një kërkesë në Bashkinë e Elbasanit në 16 janar 2025 dhe leja u miratua brenda një kohe rekord më 29 janar nga Këshilli Bashkiak. BIRN mësoi se anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike në opozitë nuk e votuan lejen, por disa prej këshilltarëve iu shmangën pyetjeve në lidhje me këtë rast dhe refuzuan të komentonin.

    Bashkia e Elbasanit e mbrojti lejen në një përgjigje me shkrim, ndërsa tha se e kishte miratuar atë pasi kishte kryer verifikime burokratike në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe pagesat e detyrimeve fiskale.

    “Për argumentat e tjera të prashtruara nga ana juaj dalin jashtë funksioneve të bashkisë”, tha Bashkia duke iu referuar lidhjeve të kompanisë me organizatën e dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela.

    Hetime të mbyllura

    Suel Çela dhe rrethi i tij familjar i janë nënshtruar dy hetimeve pasurore në të shkuarën, por në të dyja rastet, çështjet u pushuan nga gjykatat.

    Procedimi i parë penal është regjistruar në vitin 2018 nga Prokuroria e Elbasanit, pas një referimi të nisur nga Drejtoria Vendore e Policisë për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ndërsa procedimi i dytë u regjistrua mbi bazën e aktit normativ të qeverisë, i cili i parapriu Operacionit Forca e Ligjit në vitin 2020.

    Në procedimin e vitit 2018, Drejtoria e Policisë së Elbasanit ngrinte dyshime mbi mënyrën e përfitimit të truallit në tregun agro-ushqimor dhe investimet e kryera për ndërtimin e tij, që kapnin një kosto mesatare të përllogaritur në 162 milionë lekë.

    Por Prokuroria e Elbasanit arriti në përfundimin se fakti nuk ekziston dhe procedimi u pushua në shkurt të vitit 2022 përmes një vendimi të gjyqtares Pajtime Fetahu. Vendimi u bazua kryesisht tek analiza e një eksperti për të ardhurat dhe shpenzimet nga kompania “Çela P”, të cilat u vlerësuan si të ligjshme.

    Gjyqtarja Fetahu u arrestua nga SPAK në nëntor të vitit 2024 gjatë operacionit kundër organizatës së Çelës, e akuzuar se u korruptua prej saj. Vendimi i gjykatës për masë sigurie tregon se ish-gjyqtarja kishte një marrëdhënie të gjatë dhe mjaft miqësore me Suel Çelën me të cilin shkëmbente herë pas here mesazhe përmes aplikacionit Sky ECC dhe se kishte ndihmuar atë kundrejt parave, për të lehtësuar bashkëpunëtorët e tij të arrestuar dhe ndëshkuar armiqtë në përpjekjen për kontrollin e qytetit të Elbasanit.

    Hetimi i dytë pasuror nisi në mars 2020, pasi Policia sekuestroi gjatë operacionit Forca e Ligjit dy automjete Land Rover në pronësinë e babait dhe vëllait të Suel Çelës. Të dyja automjetet iu rikthyen pronarëve në mars të vitit 2021, pasi prokurori i SPAK, Ened Nakuçi dhe gjyqtarja Irena Gjoka vlerësuan se ato ishin blerë me burime të ligjshme.

    Petrit Çela nga ana e tij këmbëngul se e ka të dokumentuar pasurinë dhe se ka ruajtur të gjitha faturat dhe ka letra për çdo marrëdhënie financiare, përfshi shuma të konsiderueshme të marra kredi.

    “Hetimet e herëpashershme mbi pasurinë time kanë provuar se ajo është e ligjshme dhe e krijuar nga puna në tregti,” pretendoi Çela.


    BIRN

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,174
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Truri financiar i grupit të Suel Çelës, zbulohet fotoja e Bujar Shegës. Sot u ekstradua nga Italia

    Emri:  bujar-shega.jpg

Shikime: 7

Madhësia:  40.5 KB

    Bujar Shega, allias Marsel Shega pritet të ekstradohet nga Italia ku u arrestua nëntorin e 2024, ndërsa policia njofton se kanë përfunduar procedurat për sjelljen e tij drejt Shqipërisë.

    Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb foton e 52-vjeçarit.

    Emri:  Bujar-Shega.gif

Shikime: 8

Madhësia:  148.4 KB

    Shega akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke u konsideruar pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të drejtuar nga Suel Çela.

    Procedura e ekstradimit u finalizua pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Bujar Shega, i lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në Itali.

    Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ky rast thekson angazhimin e autoriteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

    (BalkanWeb)

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,174
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    PËRGJIMET/ Suel Çela emëronte drejtorë në institucione publike, Luan Tabaku e shpërblente me tendera

    Emri:  auto_2r1wfqesvd1745961278.jpg

Shikime: 4

Madhësia:  38.7 KB

    Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen e SPAK për Suel Çelën, i cili ndikonte për emërimin e drejtuesve të institucioneve. Nga hetimet e SPAK del se Suel Çela përdorte emra të tjerë për të fshehur pasurinë e tij.

    Një qytet, që shpesh është tronditur nga atentate mafioze me viktima të shumtë, midis tyre edhe të pafajshëm.

    Një qytet plumbash dhe gëzhojash, që kanë lënë shenjën e tyre traumatike te banorët e tij, që të vetmin kujdes kanë sigurimin e përditshmërisë së tyre.

    Ky është Elbasani, qyteti në kërthi të Shqipërisë, një koridor që ka ndërthurur gjithmonë interesa të rëndësishme të grupeve të krimit të organizuar.

    Ku ndër vite një nga bandat që jo vetëm sundoi qytetin por edhe organizoi jetën e tij politike ishte edhe ajo e Suel Çelës.

    Që krahas përplasjeve të forta që pati me armiqtë e tij, një ndër ta edhe Ardian Çapja, shtriu duart edhe në emërimet në krye të aparatit shtetëror në Elbasan.

    Duke vendosur për qëllime të veta se kush do të jetë në krye të institucioneve, kjo më qëllim për të siguruar jo vetëm pushtet politik por edhe ekonomik.

    Suel Çela një figurë dominante e krimit të organizuar në qytet që kishte vendosur jo vetëm të sfidonte hapur rivalët e tij, por po kështu të ishte vetë shteti në Elbasan.

    Ashtu siç në fakt ka bërë në disa emërime të njerëzve të tij të besuar në pozicione kyçe në administratë.

    Një prej tyre edhe Luan Tabaku i cili del se është emëruar në vitin 2022 në detyrën e Administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, falë ndikimit të drejtëpërdrejtë nga banda e Suel Çelës.

    Të dhëna të cilat grupi hetues i përftoi jo vetëm pas zbërthimit të bisedave në Sky Ecc midis anëtarëve të organizatës kriminale.

    Por edhe midis vetë kreut të kësaj bande Suel Çela dhe ushtarëve të tij. Të cilët në vitin 2020, filluan nga puna për të lëvizur Luan Tabakun, në këtë kohë zv.drejtor në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan, në pozicionin e Administratorit të UKT Elbasan.

    Gjë të cilën ia dalin ta bëjnë vetëm pas disa kohësh, duke siguruar edhe mbështetjen e tij në disa tendera të rëndësishëm, që u përfituan nga organizata në vazhdim.

    Ka të dhëna se emërimi i shtetasit Luan Tabaku në detyrën e Zv-drejtorit në ASHK Elbasan, është kryer në ndikimin e drejtëpërdrejtë dhe influencës së shtetasit Suel Çela (Marjus Lulaj). Por si arriti grupi hetues në këtë përfundim dhe përse ata ngritën dyshimin e arsyeshëm se Luan Tabaku është një nomenklaturë e grupit kriminal të Suel Çelës.

    Çfarë zbuluan bisedat në Sky Ecc midis pjesëtarëve të grupit, që bindën prokurorët që të urdhëronin kontroll jo vetëm në banesën e Luan Tabakut, por edhe të disa biznesmenëve të tjerë në qytet, të dyshuar si lidhje të Suel Çelës. Si e takuan ata privatisht Luan Tabakun, duke i kërkuar apo urdhëruar që ta pranonte detyrën e titullarit në postin që ata i kishin caktuar?

    Gjë që del edhe në një nga bisedat me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal.

    Bisedë e zhvilluar në vitin 2020, ku edhe pse në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën kishte pllakosur pandemia, Suel Çela e urdhëron atë që të takojë Luan Tabakun, dhe ky i fundit të pranojë atë punën e nëndrejtorit. Duke iu referuar kështu pozicionit të zëvendësit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan. I gjithë qëllimi i organizatës është që jo vetëm Luan Tabaku të jetë njeriu i tyre në poste kyçe, por siç ata shprehen në komunikimet në Sky Ecc, edhe të thajnë ndonjë fond.

    Synim personal që e kanë edhe anëtarët e bandës që shikojnë në perspektivë te figura e Luanin si drejtor, mundësinë e pasurimit nëpërmjet ndonjë tenderi.

    Por grupi kriminal i Suel Çelës, kishin mendime të qarta në lidhje me Luan Tabakun dhe të ardhmen e tij.

    Gjë që e shpreh edhe vetë Suel Çela, që po punonte ndërkohë që Tabaku të ngrihej fillimisht në detyrën e nëndrejtorit të ASHK-së në Elbasan.

    Gjë për të cilën ai urdhëron anëtarin e bandës së tij që të takojë Luanin dhe ta pranojë detyrën e lartë shtetërore që banda i ngarkonte ta përmbushte me dinjitet dhe profesionalizëm. Suel Çela gjatë një bisede me Bruno Hazizollin i kërkon këtij të fundit që të takojë pak Luan Tabakun dhe ta pranojë atë punën e nëndrejtorit.

    Ajo që vihet re gjatë bisedës është se Suel Çela kur jep urdhëra i drejtohet vetvetes në vetën e tretë, si Ai.

    Gjë që e bën edhe në rastin kur i komunikon Bruno Hazizollit porosinë që ky i fundit duhet t’i japë Luan Tabakut.

    Vetëm një muaj pasi ka dhënë këtë porosi, duket se puna e Luan Tabakut është e bitisur. Dhe banda është e sigurtë se Luani tashmë do bëhet nëndrejtor, edhe pse ata vetë i atribuohen si drejtor. Gjë që e konfirmon në një bisedë me Klaus Matishin, ushtarin e tij, edhe vetë Suel Çela.

    Që kujdeset posaçërisht për çdo punë në organizatë. Suel Çela që i tregon Matishit se ‘Luanin do e bëjmë drejtor’. Vendim që ka sjellë gëzim edhe te pjesa tjetër e bandës. Që në Sky Ecc flasin lirshëm mbi këtë emërim, që për ta është i sigurtë që do jetë shumë i suksesshëm. Suel Çela në korrik të 2020 informon mikun e tij Klaus Matishin duke i thënë: ‘Do e bëjmë drejtor Luanin’.

    Pasi e kanë vendosur në vendin e duhur, çunat siç duket edhe në bisedat e mëposhtme ruajnë një vlerësim të veçantë për Luan Tabakun. Ata madje e cilësojnë atë edhe si përfaqësuesin e tyre me kollare dhe shprehen tepër të kënaqur nga performanca e tij në punë.

    Bisedë ku ata rrëfejnë edhe si Lani, siç ata e quajnë në mënyrë të përzemërt Luan Tabakun, po u bën më shumë punë se edhe ca të tjerë që ata njohin.

    Si dhe po i ndihmon me drejtorin e AKU-së

    Bisedat në Sky Ecc

    Xhino Roka teksa bisedon me Klaus Matishin i thotë ndër të tjera se po fliste me Lanin (Luanin).

    Gjatë bisedës Xhino ruan një konsideratë të thellë për Luanin, për seriozitetin që ai paraqet në punë.

    ‘Zjarr është. Është për mashallah, u rri punëve te koka. Shyqyr që e kemi zemra, duhet te ai vendi ai. Përfaqësues me kollare…. Ne e sistemuam në punë dhe ai po na ndihmon tani.

    Në një tjetër bisedë që i përket muajit gusht të vitit 2020, Suel Çela del vetë në komunikimet e Sky Ecc teksa flet me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal, i identifikuar si Klaus Matishi.

    Të cilit i tregon jo vetëm që është takuar me Luanin, por edhe se si e mban të fshehur pas në makinë që të mos e shikojnë të tjerët. Ajo që vihet re në këtë bisedë është se Suel Çela, e trajton pa ndonjë shenjë respekti të veçantë përfaqësuesin e tij me kollare në krye të institucionit ku e ka vendosur.

    Të cilin diku në bisedë e cilëson edhe si bythëgrisur që hapet bythësh dhe që duhet mbajtur në kontroll.

    Biseda gjatë të cilave, Suel Çela tregon ndër të tjera edhe se si po e përdor Luan Tabakun për gjëra madhore.

    Në një nga bisedat që Suel Çela bën me Klaus Matishin, ai i tregon këtij se ishte në kafe me Luanin, të cilit i kishte bërë llafe se përse nuk e kishte pyetur për lokalin. ‘Luanin e kam futur dhe po merret me gjëra të mëdha, duhet ta ruajmë shumë tani. Po mundohem ta mbaj në shina, po vjen dy herë në javë këtu me makina të ndryshme, ulet mbrapa që të mos e shohin. Mundohu të flasësh në telefon me të sa më pak’.

    Ai iu thotë anëtarëve të grupit të tij që duhet ta ruajnë Luanin dhe të mos e djegin për gjëra të vogla.

    ‘E kam futur, po takohet me njerëz të rëndësishëm. I thashë ti pse nuk më pyet mua’.

    Mesa duket Luan Tabaku është i pranishëm me ndihmën e tij të vyer në shërbim të grupit kriminal të Suel Çelës, përgjatë gjithë vitit 2020.

    Që nga koha kur organizata u investua që ai të merrte postin e nëndrejtorit të ASHK-së në Elbasan. Ku duket se ndër më aktivët në komunikimin me të janë Xhino Roka dhe Klaus Matishi. Ata vazhdojnë të mbajnë lidhjen midis Suel Çelës dhe Luan Tabakut, Sikurse është edhe kjo bisedë që mban datën 9 Dhjetor 2020, ku Xhino Roka gjatë një bisede me Klaus Matishin, i thotë këtij të fundit se pasi Lani është treguar i zellshëm të vihet në shërbimet e tyre për gjithçka që atyre u nevojitet, ata do ta ngrejnë Luanin në një detyrë ku ti dojë atij ajo… ‘Luanin do e bëjmë ku ti dojë qejfi…sepse mikun e mirë e kemi prej Luanit. Ja thashë edhe Ss, Luanit i kemi borxh shumë gjëra, na ka ndihmuar se s’ka…

    Do të ishin këto biseda të zhvilluara në Sky Ecc, përgjatë vitit 2020, që çuan grupin hetues edhe në një investigim më të hollësishëm se si Luan Tabaku ishte emëruar në krye të Autoritetit të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan gjatë vitit 2022.

    Dhe nëse këto biseda përkonin me kryqëzimin e fakteve në terren.

    Nga ku doli se në periudhën kur zhvillohen bisedat midis grupit kriminal të Suel Çelës dhe Luan Tabakut, ky i fundit ka qenë i punësuar pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Elbasan. Detyrë të cilën e ka mbuluar nga muaji Korrik i vitit 2020 deri në muajin Nëntor të vitit 2021. Ndërsa më tej Tabaku del se ka qenë i punësuar pranë Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime Elbasan, në cilësinë e administratorit të kësaj shoqërie.

    Por ajo që do të përforconte edhe më shumë njohjen e ngushtë apo lidhjen me grupin e Suel Çelës dhe Luan Tabakut, në krahun tjetër, do të ishin vetë lidhja e tyre miqësore.

    E cila në fakt del se ishte shumë më e hershme, se koha kur organizata kriminale dhe kreu i saj interesohen që Tabaku të emërohet në krye të punëve të ASHK-së, apo më vonë të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan.

    Konkretisht rezulton se në periudhën korrik të vitit 2020 deri në nëntor të vitit 2021 Luan Tabaku ka qenë i punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan. Referuar dokumentave rezulton se prej shtatorit 2022 dhe në vijim ai është punësuar si Administrator pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan sh.a.

    Por ajo që duket se e komplikoi edhe më shumë situatën e Luan Tabakut përballë drejtësisë, ishte fakti që në 10 vitet e fundit ka pasur jo vetëm kontakte të vazhdueshme me eksponentë të familjes Çela, por edhe ka udhëtuar me automjetet e tyre jashtë Shqipërisë.

    Çka në thelb tregonin për afërsinë e ngushtë që ai kishte me këtë familje dhe kreun e kësaj organizate, Suel Çela. Hetuesit kanë zbuluar nga verifikimet në sistemin TIMS se Luan Tabaku ka udhëtuar përgjatë viteve 2010-2025 me disa mjete.

    Një prej këtyre makinave është në pronësi të subjektit tregtar ‘Çela’ Shpk, në pronësi të Petrit Çelës, babai shtetasit Suel Çela. Hetuesit kanë zbuluar se me të njëjtin automjet ka udhëtuar gjatë vitit 2024 edhe bashkëshortja e Luan Tabakut.

    Sipas të dhënave të analizuara nga sistemi TIMS rezulton se Luan Tabaku gjatë vitit 2021, ka udhëtuar me një automjet me të cilin kanë udhëtuar edhe shtetasit Sergej Hasanpapaj dhe Endri Çopja, të të dyshuar si anëtar të organizatës kriminale të drejtuar nga shtetasi Suel Çela. Të dy rezultojnë me precedent të theksuar kriminalë.

    Por pikërisht ajo që duket se ka fundosur apo ka nxjerrë zbuluar lidhjen e ngushtë midis Luan Tabakut dhe organizatës kriminale të Suel Çelës, është korespondimi i bisedave në Sky Ecc, midis tij dhe bandës, dhe emërimit si titullar fillimisht në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe më pas si Administrator i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan.

    Aty ku del se Luan Tabaku ka shpërblyer organizatën e Suel Çelës me disa tendera të rëndësishëm. Arsyeja madhore siç ata thonë në bisedat midis tyre për të cilën ata vendosën njeriun e tyre të besuar në krye të këtyre dy institucioneve. Tendera që mesa duket kishin lidhje me sigurinë fizike të objekteve në administrim nga shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, që drejtohej nga Luan Tabaku. Por që pas emrit të subjektit fshihej organizata e Suel Çelës.

    Luan Tabaku, u emërua administrator i Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan falë ndikimeve kriminale

    Emri:  auto_Suel-Cela11-1-768x436-1-640x3631745960364.jpg

Shikime: 3

Madhësia:  25.4 KB

    Gjatë vitit 2020, Luan Tabaku ka mbajtur detyrën e zv/drejtorit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe në vijim atë të Administratorit te SH.A. Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan.

    Nga ku rezulton që në cilësinë e Administratorit, të ketë dhënë disa procedura publike prokurimi, kryesisht ato që kanë të bëjnë me shërbimin e ruajtjes me roje fizike të objekteve të SH.A Ujësjellës Kanalizime Elbasan, subjektit tregtar UEVI 2015.

    Nga ku rezulton se administratore e kësaj shoqërie është Fatbardha Roka, e ëma e vëllezërve Xhino dhe Marsel Roka, të arrestuar si pjesë e organizatës së Suel Çelës. Po kështu grupi hetues ka dyshime të forta se organizata kriminale e Suel Çelës ka shtrirë duart edhe në futbollin vendas, konkretisht në ekipin Akademia Futbollit ‘Elbasani’.

    Ekip që sot garon në Ligën kryesore të Futbollit në Shqipëri, pas vitesh të gjata lëngimi në kategoritë inferiore të futbollit në vend. Nga ku edhe këtu del se Luan Tabaku jo vetëm ka lidhje të ngushta me Mariglen Çokun, administratorin i AF Elbasani, por edhe ky i fundit është vetë lidhje e Suel Çelës.

    Ashtu sikurse del të jetë në fakt edhe Luan Tabaku.

    Hetimet kanë zbuluar se lidhje e ngushtë e Suel Çelës është edhe Mariglen Çoku, administrator i ‘AF Elbasani’. I cili gjatë një kontrolli të ushtruar më datë 25 Nëntor 2024 në ambientet e brendshme të Tregut AgroUshqimor në Elbasan, në pronësi të familjes Çela, u gjet aty i vetëm.

    Hetimet kanë zbuluar se Marenglen Çoku shoqërohet dhe mban komunikime me Suel Çelën. Luan Tabaku nga ana tjetër rezulton se është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të AF Elbasani.

    Veç emërimeve të të besuarve të tij në pozicione kyçe me qëllim përfitimin e tenderave apo punëve publike, Suel Çela dyshohet se ka përdorur emra të personave të tretë për të fshehur pasuritë e tij.

    Dyshohet se Suel Çela pasuritë që rrjedhin nga aktivitetit kriminal i tij, i ka fshehur në shoqërinë e futbollit AF ‘Elbasani’, por edhe nëpërmjet shoqërive apo personave të tjerë që janë aktualisht në hetim. Siç është edhe subjekti tregtar ‘Bajrami-N’, në pronësi të Nazif Bajramit.

    Nga zbërthimi i komunikimeve ai rezulton se një prej anëtarëve të grupit të tij kriminal e informon se makinën do e vendosë në emër të Zifit, që sipas hetuesve nënkupton Nazif Bajramin.

    Nga hetimet rezultoi se makina në emër të Nazif Bajramit, u gjet në banesën e Mario Çelës, vëllai i Suel Çelës gjatë kontrolleve të kryera në 2024.

    Edhe ky sot në hetim si pjesë e organizatës kriminale dhe që ndodhet i arrestuar në Belgjikë, në kuadër të hetimit të hapur kundrejt kësaj strukture të krimit të organizuar me bazë në Elbasan dhe në disa vende të Evropës. Nisur nga të dhënat e siguruara, SPAK urdhëroi kontroll në zyrën dhe banesën e Tabakut, të biznesmenit Nazif Bajrami si dhe Mariglen Çoku, administrator i ‘AF Elbasani’.

    Syri

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-07-2024, 12:14
  2. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 08-04-2024, 12:23
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 10:40
  4. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 27-10-2023, 11:03
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 05-02-2021, 08:32

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •