Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Si dy kukullat e Sorosit në Tiranë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, kanë pushtuar ekranet e mediave

    Edi Rama dhe Erjon Veliaj ‘monopolizojnë’ mediat audiovizive kombëtare

    Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se kryeministri, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dominojnë edicionet informative në mediat kombëtare.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Edi-Rama-pas-mbledhjes-se-kryesise-1536x1031.jpg

Shikime: 395

Madhësia:  26.0 KB
    Kryeministri Edi Rama duke folur me gazetarët pas një mbledhje me kryesinë e Partisë Socialiste. Foto: LSA

    Kodi i Transmetimit të Mediave Audiovizive në Shqipëri thekson se informacioni i transmetuar nga ofruesit e shërbimeve audiovizive duhet të jetë i ‘vërtetë, i saktë, i balancuar dhe i verifikuar.’ Por, në praktikë, ky parim nuk respektohet. Të dhënat e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për një periudhë 1-vjeçare, të analizuara nga BIRN, tregojnë se hapësira mediatike në televizionet dhe radiot kombëtare dominohet nga një grup i vogël aktorësh politikë.

    Të dhënat tregojnë se sinkronet e aktorëve nga mazhoranca socialiste përbëjnë 2/3 e minutazhit total në 4 televizionet dhe 4 radiot me licencë kombëtare. Ndërkohë, sinkronet nga aktorët e dy partive të mëdha politike – Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë – zënë më shumë se 91% të kohës totale në këto media.

    Partia e Lirisë, e udhëhequr nga ish-presidenti Ilir Meta, vjen e treta me 3% të minutazhit, ndërsa të gjitha partitë e tjera së bashku përbëjnë pak më shumë se 6%. Të dhënat e AMA-s tregojnë gjithashtu se një pjesë e madhe e sinkroneve në mediat audiovizive i atribuohen kryeministrit Edi Rama, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj – dy aktorë politikë që rrallë herë i japin qasje të pavarur mediave dhe shpërndajnë në mënyrë të rregullt sinkronet e tyre të parapërgatitura.

    Vetëm kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përbëjnë 27% të kohës totale në operatorët me licencë kombëtare, qoftë radio apo televizione, duke u ofruar këtyre të fundit një epërsi në komunikimin e drejtpërdrejtë ose propagandues me publikun, pa filtra editorialë.

    Sipas raportit mbi Pronësinë e Medias në Shqipëri për vitin 2023, të hartuar nga BIRN dhe Rregjistri Global i Mediave, katër televizionet kombëtare në vend, përfshirë Klan TV, Top Channel, Vizion Plus dhe RTSH, kontrollojnë 73.6% të audiencës televizive pa pagesë. Raporti thekson se politikat editoriale të këtyre mediave ndikohen nga interesat politike dhe ekonomike të pronarëve, të cilët kanë biznese të tjera në tregje të rregulluara, si ndërtimi, telekomunikacioni, tregtia e hidrokarbureve dhe zhvillimi i pasurive të paluajtshme.

    Emri:  Screenshot 2024-10-15 at 4.25.46 PM.jpg

Shikime: 367

Madhësia:  19.3 KB

    Gjatë periudhës 1-vjeçare, midis gushtit 2023 dhe gushtit 2024, katër televizionet kombëtare i dhanë rreth 108 orë transmetimi sinkroneve të 202 aktorëve kryesorë institucionalë dhe politikë të vendit. Gjysma e kësaj kohe televizive, ose 52% e totalit, shkoi për deputetët e Kuvendit, të ndjekur nga kryeministri dhe anëtarët e kabinetit qeveritar me 24%, përfaqësuesit e pushtetit vendor me 14% dhe përfaqësuesit e partive politike me 7%.

    Megjithatë, kur të dhënat analizohen më nga afër, pjesa dërrmuese e kësaj kohe televizive i shpërndahet një numri të kufizuar aktorësh. Kryeministri Edi Rama dominon me afërsisht 17% të kohës televizive të sinkroneve, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, me 11% dhe kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, me 9%. Pas Berishës vijnë dy anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, Taulant Balla dhe Belinda Balluku.

    Në mesin e partive politike, dominon Partia Socialiste me 62% të kohës televizive, e ndjekur nga Partia Demokratike në opozitë me 30%. Ndër aktorët e pushtetit vendor, 82% e kohës televizive i shkon kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe Ilir Alihmemeti, përfaqësues i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

    Shifrat e shpërndarjes së minutazhit janë të ngjashme edhe në katër radiot kombëtare në vend, përfshirë Radio Tirana, Radio Klan, Top Albania Radio dhe Club FM. Sipas të dhënave të AMA-s, në radio 67% e sinkroneve shkuan për aktorët e mazhorancës dhe 30% për ata të opozitës. Subjekti me minutazhin më të lartë të sinkroneve në radio mbetet kryeministri Edi Rama, me 16% të minutazhit total, i ndjekur nga Taulant Balla dhe Erjon Veliaj.

    Emri:  Screenshot 2024-10-15 at 4.26.16 PM.jpg

Shikime: 364

Madhësia:  20.3 KB

    Sa i përket ndarjes mes pushteteve, deputetët e Kuvendit përbëjnë 44% të sinkroneve në radio, përfaqësuesit e qeverisë 35%, pushteti vendor 10%, ndërsa pjesa e mbetur ndahet midis Presidentit dhe institucioneve të pavarura.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Si dy kukullat e Sorosit në Tiranë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, kanë pushtuar ekranet e mediave

    ‘Megafon i qeverisë’: Si po e minon makineria e PR-it gazetarinë në Shqipëri

    Praktika e transmetimit të materialeve të parapërgatitura dhe propagandës qeveritare si kronika lajmesh fuqizon zyrat e PR-it dhe dëmton gjithnjë e më shumë gazetarinë e pavarur dhe profesionale në Shqipëri.

    Nga Anesti Barjamemaj dhe Ervin Koçi

    Emri:  Kronikat-e-parapergatitura-propaganda-dhe-roli-i-medias-si-megafon-i-qeverise.jpg

Shikime: 15

Madhësia:  47.9 KB
    Ilustrim nga Jurgena Tahiri/BIRN

    Në ekran mesditën e 10 shkurtit, kryetari i Bashkisë së Tiranës shfaqej i qetë dhe i buzëqeshur, ndërsa përuronte ndërtimin e një kopshti në lagjen Yzberisht të Tiranës. Kamera e ndiqte Erion Veliajn në çdo gjest, ndërsa inspektonte mjediset e kopshtit, bënte pyetje për përrallat që mësonin fëmijët dhe dëgjonte me vëmendje stafin e kuzhinierëve, teksa krenohej për zëvendësimin e margarinës me vajin e ullirit.

    Kjo video e kuruar në çdo detaj nga zyra e shtypit e Bashkisë, synonte të shfaqte një lider politik në krye të detyrës. Por ndërsa televizionet e transmetonin kronikën e parapërgatitur me logon ‘live’, titrat njoftuan arrestimin e Veliajt me urdhër të SPAK. Në fotot e publikuara më vonë nga momenti i shoqërimit, Veliaj shfaqet i ngrysur dhe me fytyrë të tendosur, ndërsa dy agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit e përcjellin drejt një makine të zezë me një dosje në dorë.

    Videoja e përurimit të kopshit ‘Luleborë’ në Yzberisht nuk është rasti i parë ku Erion Veliaj apo zyrtarë të tjerë të mazhorancës, shfaqen në materiale filmike propagandistike, të cilat i shiten publikut nga media si kronika lajmesh, duke sfiduar etikën dhe profesionalizimin në gazetari.

    Një monitorim i kryer nga BIRN gjatë muajve Janar- Shkurt 2025 zbuloi se dhjetra materiale të parapërgatitura nga zyrat e shtypit pranë institucioneve kryesore ne vend, u transmetuan nga mediat kryesore audiovizive pa ndërhyrje editoriale.

    Të dhënat ngrenë pikëpyetje shqetësuese, pasi kjo praktikë ngre dyshime mbi aftësinë e medias për të qenë kritike dhe shfaq një formë të re të kapjes së saj, ku në vend të censurës apo presionit të drejtpërdrejtë, qeveria mbush peizazhin mediatik me përmbajtje propagandistike, duke e shndërruar median nga një vëzhguese kritike e pushtetit në një amplifikues të tij.

    “Përpjekja për të kontrolluar informacionin, diktuar raportimin e mediave dhe manipuluar vëmendjen e opinionit publik ka bërë që aktivitetet politike të realizohen me regji, pa praninë e gazetarëve, ku politikanët përcjellin mesazhin që duan, pa u shqetësuar nga pyetje apo komente të paparashikuara që mund të vijnë nga reporterët,” tha Elvin Luku, profesor i Asociuar në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

    “Hapësirat e gazetarëve për të raportuar aktivitetet politike, ndjekjen e komisioneve apo seancave parlamentare janë kufizuar ndjeshëm,” shtoi ai.

    Qendërzimi i informacionit

    Paralelisht me shtimin e materialeve propagandistike në media, BIRN zbuloi nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi se zyrat e shtypit në shumë institucione, të qeverisë qendrore dhe ato të pushtetit vendor, janë të fryra me burime njerëzore për prodhimin e materialeve të gatshme, duke rivalizuar në numër dhe mundësi financiare e teknike, edhe redaksitë më të mëdha në vend.

    Qindra ish-punonjës të shtypit të shkruar dhe medias audiovizve – të cilat janë tkurrur gjatë dekadës në pushtet të Partisë Socialiste, tashmë janë bërë pjesë e sistemit të propagandës qeveritare.

    Ngritja e këtij mekanizmi filloi në shtator 2013, kur qeveria e sapoardhur në pushtet e Edi Ramës miratoi një dokument që do të ndryshonte mënyrën se si qeveria i qasej medias. Kodi i Komunikimit, një rregullore për anëtarët e qeverisë, nuk ishte thjesht një udhëzim mbi mënyrën e dhënies së deklaratave publike – ai vendosi një kornizë të qartë mbi temat që duhej të trajtoheshin dhe mbi zërat që do t’i transmetonin ato. Efektet e tij nuk vonuan të ndjeheshin. Shpejt, redaksitë nisën të merrnin njoftime të formuluara me një gjuhë të unifikuar.

    Tetë vjet më vonë, në shtatorin e vitit 2021, kjo qasje jotransparente ndaj komunikimit publik arriti kulmin me krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, MIA, një institucion i ri shtetëror që organizatat mediatike e përshkruan si një ‘ministri propagande’.

    Agjencia mori kontrollin e komunikimit qeveritar, duke standardizuar jo vetëm mesazhet, por edhe mënyrën se si ato shpërndaheshin në media, duke zbehur gjithnjë e më shumë kufirin mes informacionit zyrtar dhe propagandës së strukturuar partiake.

    Në organikën e saj, MIA ka 69 punonjës, nga të cilët 59 janë të dedikuar vetëm për grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit, duke filluar që nga drejtori i përgjithshëm, drejtoria e Organizimit të Evenimeveteve që merret me daljet publike të ministrave, deri te drejtoria e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe përmbajtjes.

    Megjithatë, kur BIRN iu drejtua me një kërkesë për informacion, duke kërkuar të dhëna për zyrat e tjera të komunikimit në ministritë e linjës dhe Kryeministri, agjencia bëri të paditurin, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionet që përmbush stafi i saj.

    “Në lidhje me informacionin që ju kërkoni për institucionet e tjera, ju bëjmë me dije se Agjencia për Media dhe Informim nuk është autoriteti që posedon dhe shpërndan dokumentacionet e institucioneve dhe autoriteteve të tjera publike,” tha ajo në përgjigje të një kërkesë për informacion.

    Nga të dhënat e mbledhura nga minisitritë e linjës rezuton se shumica e stafit të komunkimit – përveç Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, është qendërzuar tek MIA. Në praktikë, kjo do të thotë se një ministër ka vetëm një këshilltar për mediat që merret drejtpërdrejt me komunikimin, ndërsa pjesa tjetër e stafit që menaxhon mesazhin publik është e punësuar pranë Agjencisë për Media dhe Informim.

    Për të mbuluar një aktivitet qeveritar, gazetarët duhet të kalojnë përmes filtrit të këtij institucioni, i cili jo vetëm kontrollon aksesin, por shpesh parapërgatit informacionin për publikun, duke e shpërndarë përmes kanaleve të veta në rrjete sociale, si Facebook dhe Instagram.

    Në vend të një ndërveprimi të drejtpërdrejtë mes gazetarëve, institucioneve dhe zyrtarëve publik, Agjencia funksionon si një ndërmjetës, duke standardizuar narrativën dhe kufizuar hapësirat për pyetje dhe llogaridhënie.

    “Ka një tendencë sipas së cilës redaksitë e mediave tradicionale vizive apo web kanë ardhur duke u rrudhur, ndërsa aparatet e zyrave të shtypit apo drejtoritë e PR-it në institucionet kryesore sa vijnë e zgjerohen,” tha Elvin Luku.

    “Kjo ndodh sepse prodhuesit realë të një tipologjie lajmesh politike rezultojnë të jenë këto zyra PR-i,” shtoi ai.

    Në nivelin lokal, tabloja nuk ndryshon shumë. Zyrat e shtypit në bashkitë kryesore shpesh funksionojnë si aparate propagandistike të mirëorganizuara. Bashkia e Tiranës, e cila po përballet me probleme ligjore, ka një ekip prej 21 vetash të dedikuar për komunikimin, kryesisht të angazhuar në shpërndarjen e postimeve të kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.

    Edhe pse në shkallë më të vogël, të njëjtin model ndjekin dhe bashkitë e tjera kryesore. Durrësi ka katër punonjës të dedikuar për komunikimin, Shkodra shtatë, ndërsa Elbasani ka një numër të ngjashëm me Shkodrën. Vlora, nga ana tjetër, ka një staf edhe më të madh.

    Pavarësisht këtij investimi të konsiderueshëm në zyrat e shtypit, transparenca institucionale mbetet e ulët. Kërkesat për informacion shpesh injorohen, duke e detyruar publikun dhe gazetarët të ndjekin rrugën e ankimit administrativ për të marrë qoftë edhe përgjigjet më bazike.

    Materialet e parapërgatitura

    Sipas Kodit të Transmetimit të Autoritetit të Mediave Audivizive, informacioni i transmetuar nga televizionet dhe radiot duhet të jetë i vërtetë, i saktë, i balancuar dhe i verifikuar.

    Edhe Kodi i Etikës së Gazetarit, i cili përdoret nga mediat, pjesë e Aleancës për Media Etike, thekson se përmbajtja editoriale duhet të dallohet qartë nga marketingu, reklama, materialet e përgatitura nga parti apo institucione/organizata të tjera, apo nga përmbajtja e sponsorizuar.

    Edhe pse mekanizmat rregullatore dhe vetërregulluese e ndalojnë publikimin e materialeve të parapërgatitura, të dhënat e mbledhura nga BIRN, tregojnë se mediat e kanë përqafuar publikimin e tyre, duke i kamufluar si lajme, edhe pse në shumicën e rasteve ato prodhohen pa ndërhyrje editoriale.

    Në hulumtimin e bërë për aktivitet publike në periudhën 6 janar 2025 – 6 shkurt 2025, rezulton se nga qeveria nuk u zhvillua asnjë aktivitet i hapur plotësisht për mediat, por ndërkohë pati sëpaku një aktivitet në ditë të kryeministrit, ku media mund ta aksesonte atë vetëm nëpërmjet kanalit të tij në Facebook.

    Gjatë monitorimit të mediave audiovizive dhe faqeve të tyre të internetit, BIRN zbuloi transmetimin e 52 materialeve të parapërgatitura në një periudhë 1-mujore, të publikuara 278 herë nga mediat kryesore në vend.

    Rreth 44% e materialeve të parapërgatitura lidheshin me aktivitetin e Kryeministrit, 27% me Bashkinë e Tiranës, 15% me Kuvendin e Shqipërisë dhe 13% me Ministrinë e Shëndetësisë. Pjesa më e madhe e këtyre materialeve janë shpërndarë për mediat nëpërmjet platformave ‘Whatapp’ dhe ‘Westransfer’.

    Ndërsa volumi i materialeve propagandistike rritet, gazetarët po përballen me një sistem gjithnjë e më të bunkerizuar të informacionit publik, një realitet që i ka bërë përpjekjet e tyre për transparencë dhe raportim të paanshëm gjithnjë e më të vështira.

    Pengesat nuk vijnë vetëm nga institucionet shtetërore që filtrojnë informacionin përmes ekipeve të tyre të komunikimit, por edhe nga një klimë mediatike në të cilën redaksitë po tkurren, ndërsa financat e tyre mbeten të varura nga marrëdhëniet ekonomike të pronarëve me qeverinë.

    Në terren, gazetarët hasin sfida të përditshme për të siguruar qasje në informacion. Në shumë institucione, ata nuk lejohen të kalojnë pragun, duke mbetur për orë të tëra “jashtë gardhit” në pritje të ndonjë përgjigjeje zyrtare.

    “Hapësirat për të ndjekur aktivitetet publike janë ngushtuar ndjeshëm, dhe kjo është veçanërisht e dukshme gjatë fushatave zgjedhore,” thotë Olta Blaceri, gazetare me dy dekada përvojë në raportimin politik.

    Disa institucione, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kuvendi, ende ofrojnë hapësira për gazetarët dhe operatorët televizivë, por edhe këto janë kufizuar.

    “Në shumë raste, sinjali i transmetimit u ofrohet mediave nga vetë institucionet – Kryeministria, Bashkia e Tiranës apo ministritë, të cilat dërgojnë materiale të gatshme në redaksi,” shpjegon Blaceri. Sipas saj, konferencat për shtyp janë bërë gjithnjë e më të rralla, duke kufizuar më tej mundësinë për pyetje kritike.

    Kjo tendencë nuk është e re, por është bërë më e dukshme gjatë dekadës së fundit.

    “Ka një centralizim të skajshëm të informacionit, dhe gazetarët janë gjithnjë e më të shkëputur nga burimi i lajmit,” thotë Ergys Gjençaj, një gazetar me mbi 25 vite përvojë në raportimin politik. “Shumë institucione, në vend që të ofrojnë qasje, e kanë kthyer komunikimin në një rrjedhë të kontrolluar nga PR-i i tyre, shpesh duke njoftuar se aktivitetet do të transmetohen ‘live në Facebook’.”

    Kjo qasje ka ndikuar edhe në rolin e zyrave të shtypit, të cilat, sipas Gjençajt, “nuk funksionojnë më si kanale për informim publik, por si mekanizma të kontrollit të krizave.” Në këtë klimë, hapësira për raportim të pavarur vazhdon të ngushtohet, ndërsa fuqia e institucioneve për të kontrolluar narrativën publike rritet.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Një fotografi sa 1000 fjalë! Edi Rama i pret kokën Erion Veliaj...
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-05-2024, 13:50
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-02-2023, 14:52
  3. Courrier des Balkans: Rama dhe Veliaj censorët e mediave
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 24-01-2017, 08:02
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-11-2015, 15:36
  5. Çfarë kanë të përbashkët Erion Veliaj me Bleona Qeretin?
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 21-10-2015, 12:12

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •