Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 14 prej 14
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Alarmi Ndërkombëtar: Porti i Durrësit, origjina e qindra tonë lëndë toksike të dëmshme për shën

    Mbetjet toksike/ “Anijet drejt Durrësit”, Singapori zbardh itinerarin: Zbarkuan në portet tona më 18 dhe 24 Gusht, por i kthyem

    Emri:  -640-0-6a6dbb77687d49bb7990bdb452667536.jpg

Shikime: 1896

Madhësia:  39.3 KB

    Dy anijet e ‘Maersk’ me mbetje toksike të prodhuara nga kompania ‘Kurum’ zbarkuan në portet e Singaporit më 18 dhe 24 Gusht, dhe tashmë kanë marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri.

    Mediat në Singapor citojnë autoritetet vendase, të cilat zbardhin itenerarin e plotë të anijeve me 102 kontejnerë dhe mbi 800 tonë mbetje toksike nga furrat e çelikut të KURUM dhe që tregtoheshin nga kompania ‘Sokolaj” drejt Tajlandës.

    Sipas mediave në Singapor, anijet Maersk “Compton” me 41 kontejnerë dhe “Condor” me 61 kontenjerë me mbetje, përdorën portin “Pasir Panjang” për tranzit dhe u ngarkuan në dy anije të tjera, me destinacion kthimin në origjinë.

    Të pyetur nga gazetarët nëse Singapori kishte kryer teste për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për mbetje toksike apo substance të tjera të dëmshme, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Autoriteti Detar i Singaporit u mjaftuan vetëm me përgjigjen:

    “Në përputhje me Konventën e Bazelit, Singapori lehtësoi kthimin e kontejnerëve në vendin e origjinës”.

    Sipas organizatës Basel Action Network, që dha alarmin për mbetjet tosike, “Shqipëria nuk u informua kurrë për eksportin nga eksportuesi, shtetet tranzit nuk u informuan dhe Tajlanda nuk mori kurrë asnjë njoftim për këto mbetje”.

    Zbulimi i 800 ton mbetje toksike, të nisura nga Durrësi drejt Tajlandës vuri nën hetim nga prokuroria kompaninë turke ‘Kurum’, si të dyshuar për prodhimin e tyre.


    ORA NEWS

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Alarmi Ndërkombëtar: Porti i Durrësit, origjina e qindra tonë lëndë toksike të dëmshme për shën

    Kontejnerët me ‘mbetje të rrezikshme’ mbërrijnë të dielën në Durrës

    Organizata mjedisore "Basel Action Network" bën thirrje për transparencë në procesin e hapjes dhe testimit të qindra tonëve mbetje që pritet të rikthehen në portin kryesor të vendit.

    Nga Nensi Bogdani

    Emri:  Anije-konteniere-te-ankoruara-ne-portin-e-Durresit.-Foto_Nensi-Bogdani-1536x1024.jpg

Shikime: 1391

Madhësia:  43.9 KB
    Anije kontejniere te ankoruara ne portin e Durresit. Foto_Nensi Bogdani

    Në një letër të dytë të hapur, drejtuar Ministres së Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro Furxhi, dhe Koordinatores për Konventën e Bazelit në Shqipëri, Elvana Ramaj, drejtuesi i organizatës mjedisore “Basel Action Network” (BAN), me qendër në SHBA, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare për transparencë në procesin e hapjes dhe testimit të kontejnerëve ne mbetje, të cilat pritet të rikthehen në portin e Durrësit përmes anijes turke “BURAK BAYRAKTAR.”

    “102 kontejnerët e dyshuar me mbetje të rrezikshme janë planifikuar për t’u rikthyer në portin e Durrësit më 27 tetor. Ritheksoj kërkesën time të mëparshme që Shqipëria të testojë në mënyrë të saktë dhe transparente kontejnerët për të përcaktuar përmbajtjen e tyre,” shkruan Puckett në letrën e tij, ku kërkon gjithashtu që organizata BAN të jetë prezente gjatë procesit të hapjes së kontejnerëve dhe të marrë mostra nga mbetjet për testime të pavarura në laboratorët e tyre.

    Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga “Basel Action Network,” një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, e cila ngriti alarmin se një anije gjigante kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë nga ajo tek autoritetet vendase.

    Një investigim i BIRN zbuloi se mbetjet e dyshuara si të rrezikshme ishin prodhuar nga gjiganti metalurgjik ‘Kurum’ dhe janë eksportuar nga kompania Sokolaj shpk në Durrës, në bashkëpunim me G.S. Minerals në Kroaci.

    Tajlanda, destinacioni i mbërritjes, refuzoi importin pas sinjalizimit për mbetjet e rrezikshme, të cilat ishin nisur nga Durrësi në fillim të korrikut në rreth 100 kontejnerë dhe që besohet se vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike.

    “I bëjmë thirrje Shqipërisë të hapë kontejnerët e rikthyer në një proces plotësisht transparent dhe të dukshëm për publikun,” shkruan më tej Puckett, duke shtuar se është tepër e rëndësishme që kjo çështje të mos kalojë pa u vënë re.

    “Ne jemi të shqetësuar lidhur me përpunimin e papërshtatshëm të këtyre mbetjeve në portin e Durrësit në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen,” vijon Puckett në letrën e tij.

    Puckett nënvizon se një proces transparent do të ishte një shembull i mirë për Shqipërinë, e cila tashmë është pjesë e Konventës së Bazelit, konventë që rregullon dërgesat ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme midis shteteve të ndryshme.

    Sipas tij, dështimi për të ndjekur një plan të mirë-zbatuar për marrjen dhe testimin e këtyre mbetjeve të dyshuara do të shkaktonte krijimin e teorive konspirative dhe mungesë transparence nga ana e autoriteteve shqiptare.

    Aktivisti mjedisor dhe drejtuesi i BAN sugjeron më tej që mostrat e marra për testim nga kontejnerët të dërgohen në tre laboratorë të ndryshëm e të pavarur – një të zgjedhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, një nga një shtet si palë e tretë, dhe një nga vetë BAN.

    “Nëse ndonjë nga këto tre mostra rezulton si mbetje e rrezikshme, atëherë këto materiale duhet të menaxhohen dhe përpunohen si të tilla. Nëse rezultojnë të sigurta, ato duhet të depozitohen në landfille të përcaktuara për mbetje të rrezikshme,” përfundoi BAN.

    BIRN

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Alarmi Ndërkombëtar: Porti i Durrësit, origjina e qindra tonë lëndë toksike të dëmshme për shën

    Shqipëria eksportoi ilegalisht mijëra ton mbetje të rrezikshme

    Të paktën 20 mijë ton mbetje të rrezikshme u eksportuan jashtë Shqipërisë që nga viti 2020 për shkak se autoritetet dështuan, sipas ekspertëve, që të kryejnë rolin e tyre monitorues.

    Nga Blerina Gjoka dhe Wongpun Amarinthewa

    Emri:  mbetjettoksike1.jpg

Shikime: 925

Madhësia:  45.1 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Në gusht 2022, Ministria e Industrisë së Tajlandës mori një kërkesë nga qeveria shqiptare për të lejuar marrjen e ngarkesave me përmbajtje hiri nga furrnaltat me hark elektrik, EAFD, një nënprodukt i industrisë së çelikut i pasur me metale të rënda dhe i klasifikuar si mbetje e rrezikshme.

    Tajlanda ishte një importues i madh i mbetjeve industriale dhe urbane nga vendet e zhvilluara, e megjithatë, këtë herë, ministria tha “Jo”.

    “EAFD kanë qenë një problem i madh për Tajlandën dhe ministria nuk donte ta përkeqësonte atë,” i tha BIRN Sirakarn Leungsakul, drejtor i Divizionit të Menaxhimit të Mbetjeve Industriale në Ministrinë e Industrisë me seli në Bangkok.

    Tregtia ndërkufitare e EAFD rregullohet nga konventa e Bazelit, një marrëveshje ndërkombëtare e cila siguron që këto mbetje trajtohen në mënyrën e duhur për të zvogëluar rrezikun ndaj njerëzve dhe mjedisit.

    Por refuzimi i Ministrisë ndaj kërkesës së Shqipërisë nuk ishte fundi i historisë.

    Pothuajse dy vjet më pas, më 5 korrik 2024, një anije e ngarkuar me 102 kontenjerë të mbushur me atë që listohet si Oksid Hekuri në dokumentet doganore, u nis nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën. Basel Action Network, një organizatë me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara që lufton kundër eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga shoqëritë e industrializuara drejt vendeve në zhvillim, deklaroi se në të vërtetë anija po transportonte EAFD.

    Anija u zhduk nga radarët ndërsa po udhëtonte në bregdetin e Afrikës së Jugut, shpesh një shenjë kjo e fikjes së transponderit të anijes. Ky ishte momenti kur Basel Action Network shpërndau alarmin. Anija u ndalua në Singapor dhe u udhërua të kthehej pas në Durrës, ku prokurorët filluan ndërkohë që të ngrinin pyetje.

    Bazuar në informacionet e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi, BIRN mundi tani të zbulojë se mes viteve 2020 dhe 2023, një sasi prej rreth 20 mijë ton mbetjesh të rrezikshme të gjeneruara nga oxhaqet e kompanisë turke “Kurum International” që operon në Elbasan ishin eksportuar jashtë Shqipërisë, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Mbetjet u eksportuan nga kompania “Sokolaj” sh.p.k në pronësinë e Gjovana Sokolajt; ndërsa ngarkesat u nisën pa autorizimet e duhura nga ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit siç kërkohen nga ligji. Të paktën dy prej ngarkesave kanë përfunduar në Tajlandë.

    Kompania “Kurum” operon furrnaltat e epokës komuniste për të prodhuar hekur për industrinë e ndërtimit dhe është një punëdhënës i madh në Elbasan.

    Megjithatë, BIRN zbuloi se një inspektim i kryer në Kurum nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për mbetjet e rrezikshme, pasi anija u ndalua në Singapor, ishte i pari i këtij lloji që prej vitit 2020, pavarësisht se Kurum është një nga gjeneruesit më të mëdhenj të mbetjeve të rrezikshme në vend.

    Ornela Çuçi, një eksperte mjedisore dhe ish-zv.ministre e Mjedisit tha se monitorimi i dobët kishte lejuar që një trafik i tillë mbetjesh të kalonte pa u vënë re.

    “Ligji i lejeve mjedisore është një nga më të mirët në Republikën e Shqipërisë sot,” i tha Çuçi BIRN. “Ajo që ka ndodhur është që kemi abuzuar me monitorimin e tij”.

    “Çdo subjekt që nxjerr mbetje jashtë vendit merr leje eksporti. Çdo sasi që del duhet raportuar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe AKM,” shtoi Çuçi. “Matematika është e thjeshtë; A përkojnë sasitë e deklaruara me sasitë e dala jashtë vendit?”.

    Kompania “Kurum International” i tha BIRN se i kishte transferuar mbetjet e rrezikshme me përmbajtje oksidi zinku te “Sokolaj” pasi ishte siguruar se eksportuesi kishte licensë për transportin e këtij produkti dhe autorizimin e eksportit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. BIRN i kërkoi “Kurum” një kopje të autorizimit, por nuk e mori asnjëherë atë.

    “E gjithë sasia është tregtuar me faturë fiskale, por nuk është shoqëruar me dokumentacionin e transferimit të mbetjeve,” tha “Kurum” përmes një zëdhënësi, duke iu referuar një dokumenti të detyrueshëm transferimi që mundëson gjurmimin e ngarkesave. Zëdhënësi tha se Kurum i kishte raportuar rregullisht këto mbetje pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

    As ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe as drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Mbikëqyrja ‘dështoi’

    Emri:  Anija-Molivia-ne-port-scaled.jpg

Shikime: 918

Madhësia:  49.8 KB
    Anija “Molivia” e ankoruar në portin e Durrësit. Foto: Eriola Azizolli.

    Prokuroria e Durrësit nuk ka thënë ende se çfarë kishte saktësisht brenda kontenjerëve të anijes që u kthye nga Singapori.

    “Kurum International” operon pjesë të ish-kombinatit Metalurgjik të ndërtuar gjatë regjimit komunist në Elbasan që prej vitit 1998. Në vitin 2010, kompania instaloi filtra për të kapur hirin e furrave me hark elektrik, EAFD, por sërish prodhon një mesatare prej 8 mijë tonësh në vit nëse punon me kapacitet të plotë.

    Pavarësisht prodhimit të mbetjeve të tilla të rrezikshme, inspektimi për zbatimin e lejes mjedisore që u krye në shtator 2024 ishte i pari që prej vitit 2020.

    “Kurum” ia transferoi mbetjet e veta kompanisë “Sokolaj” gjatë viteve 2020- 2023, ndonëse dy kompanitë nënshkruan një kontratë vetëm në gusht 2023.

    Agjencia Rajonale e Mjedisit për Beratin, Elbasanin dhe Korçën tha se Kurum dështoi të vendoste në dispozicion të Agjencisë dokumentet e transferimit të këtyre mbetjeve. Agjencia vendosi një gjobë dhe pezulloi transfertat e mbetjeve të rrezikshme.

    Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “Sokolaj” me qendër në periferi të Durrësit e përshkruan aktivitetin e vet si import dhe eksport i mbetjeve jo të rrezikshme, të tilla si zinku apo bakri.

    Agjencia Kombëtare e Mjedisit gjeti në gusht 2024 se mes dhjetorit 2020 dhe nëntorit 2023, Sokolaj kishte blerë nga Kurum 2,800 ton mbetje të oksidit të hekurit si dhe 20 mijë ton EAFD të klasifikuara si mbetje të rrezikshme me kodin 10 02 07*. E gjithë sasia ishte eksportuar ndërkohë jashtë vendit përpara inspektimit.

    Inspektorët arritën në përfundimin se këto eksporte ishin kryer në shkelje të ligjit sa kohë që Sokolaj nuk dispononte dokumente të transferimit të mbetjeve nga Kurum si dhe nuk kishte autorizim eksporti nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

    Dritan Metaj, drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit për Beratin, Elbasanin dhe Korçën i tha BIRN se ai kishte kryer monitorime sporadike në kompaninë “Kurum” kur kishte pasur “indicie dhe denocime”.

    “Nuk kam propozuar një plan monitorimi të miratuar dhe as nga AKM nuk më është autorizuar një plan pune,” tha Metaj.

    Ekspertët i thanë BIRN se sipas lejes mjedisore të tipit A, të cilën Kurum e disponon, Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të monitorojë respektimin e lejes dhe të rishikojë rregullisht të dhënat që mbajtësi i lejes dorëzon në Agjenci dhe në regjistrin kombëtar të transferimit të mbetjeve.

    “Çdo kompani që ka leje për eksport të mbetjeve të rrezikshme ka detyrimin të raportojë periodikisht”, tha Polikron Horeshka, ekspert i menaxhimit të mbetjeve. “Megjithatë, është mbikëqyrja që në këtë rast që ka dështuar”.

    Destinationi Tajlandë

    Emri:  mbetjettoksike2.jpg

Shikime: 916

Madhësia:  44.2 KB
    Ilustrim i rrugëtimit të mbetjeve drejt Tajlandës. Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Tajlanda u shfaq fillimisht si një destinacion për mbetjet plastike nga vendet e pasura si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, përpara se të hapte dyert edhe për EAFD. Në vitin 2023, megjithatë, në përgjigje të alarmit mjedisor, Tajlanda bëri thirrje për ndalimin e importit të mbetjeve të rrezikshme, përpara se të ndalonte edhe importin e mbetjeve plastike në fillim të këtij viti.

    Njësoj si Shqipëria, edhe Tajlanda ka një rekord të varfër sa i takon korrupsionit dhe mbrojtjes së mjedisit.

    Sasia prej 2,800 ton mbetjesh të etiketuara si oksid hekuri që kompania “Sokolaj” u përpoq të eksportonte në korrik të vitit të kaluar supozohej që të përfundonin në një fabrikë riciklimi të quajtur Copper Metal, e ndërtuar në një zonë të gjelbëruar të provincës Lopburi në Tajlandë. Copper Metal është e regjistruar si një riciklues i mbetjeve industriale, por jo për trajtimin e EAFD.

    Pasi ngarkesa u bllokua, Ministria e Industrisë në Tajlandë urdhëroi një inspektim në kompaninë Copper Metal, në të cilin drejtori i Divizionit të Menaxhimit të Mbetjeve Industriale, Leungsakul tha se u gjet që sistemi i ventilimit dhe makineritë e riciklimit të zinkut nuk punonin siç duhej.

    Organizata Mjedisore “Ecological Alert and Recovery – Thailand”, e njohur si EARTH, dërgoi gjithashtu përfaqësuesit e saj, të cilët morën mostra të pluhurit të shpërndarë rreth fabrikës për t’i studiuar. Mostrat janë ende duke u analizuar.

    Drejtori i EARTH, Penchom Saetang tha se korrupsioni lehtëson trafikimin e mbetjeve në Tajlandë dhe ata që përfshihen, shpëtojnë për shkak të dënimeve të lehta.

    “Shkaku kryesor i këtij problemi në Tajlandë është ‘korrupsioni’ ose ‘ryshfeti’, si nga autoritetet ashtu edhe nga sektori privat,” tha Saetang.“Edhe pse dënimi maksimal për këtë vepër është 10 vjet burgim, praktikisht shkelësit gjobiten vetëm me një shumë minimale dhe askush nuk është burgosur ende,” shtoi ai.

    Kërkesë e re për eksport mbetjesh

    “Kurum” ndërkohë kërkon ende që të eksportojë mbetje të rrezikshme.

    Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është aktualisht duke vlerësuar një kërkesë për autorizim për eksportin e 8 mijë ton mbetjeve të rrezikshme nga “Kurum” drejt Arabisë Saudite, të dorëzuar më 25 korrik 2024.

    Në kërkesë, mbetjet përshkruhet se përmbajnë “mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve që përmbajnë substanca të rrezikshme ose mbetje pluhur nga furra elektrike me hark (PFEH) me përmbajtje Oksid Zinku në Uzinën e Çelikut”. Kodi i cituar i mbetjeve është 10 02 07*.

    “Kurum” thotë se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë Global Steel Dust Gulf – dega saudite e një kompanie të themeluar në Zvicër për trajtimin e 8 mijë ton mbetjeve të rrezikshme në vit.

    Në shtator 2024, në ambientet e kompanisë “Kurum” kishte gjendje 3,724 ton mbetje të rrezikshme të paketuara në 4600 thasë bigbags, por “Kurum” tha se kërkesa për autorizimin e eksportit ishte bërë mbi premisën se mund të prodhojë 8 mijë ton në vit nëse punon me kapacitet të plotë. Operacionet e “Kurum” janë aktualisht të pezulluara për shkak të remontit.

    Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se e kishte refuzuar fillimisht kërkesën, por tani po shqyrtonte mundësinë e miratimit pasi Kurum kishte dorëzuar dokumente shtesë.

    “Pas plotësimit të dokumentacionit nga ana e subjektit, aplikimi është në proces shqyrtimi,” tha Ministria në përgjigje me email.

    Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i Basel Action Network tha se Shqipëria duhet të tregohet tepër e kujdesshme.

    “Fabrikat në Arabinë Saudite nuk i trajtojnë mbetjet sipas standardeve të kërkuara nga konventa e Baselit dhe Arabia nuk është një palë nënshkruese,” tha Puckett për BIRN.


    BIRN

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Alarmi Ndërkombëtar: Porti i Durrësit, origjina e qindra tonë lëndë toksike të dëmshme për shën

    Prokuroria fle mbi kontenierët e ‘mbetjeve të rrezikshme’ në Durrës

    Tetë muaj pas kthimit në Shqipëri të 102 kontenierëve me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, Prokuroria e Durrësit nuk ka kryer ende testimet e metaleve me justifikimin se nuk po gjen laborator –një vonesë që sipas aktivistëve të huaj dhe vendas është e qëllimshme dhe skandaloze.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Kamionet-e-tjere-.jpg

Shikime: 288

Madhësia:  46.2 KB
    Forcat e policisë shoqërojnë kontenierët me mbetjet e dyshuara drejt Porto Romanos. Foto: LSA.

    Mëngjesin e 28 tetorit 2024, anija “Molivia” me flamur turk uli spirancën në radën e jashtme të portit të Durrësit, duke i kthyer mbrapsht Shqipërisë 102 kontenierët me mbetjet e dyshuara, që më herët shkaktuan një alarm global mjedisor.

    Ngarkesa e padëshiruar kishte dalë nga i njëjti port në drejtim të Tajlandës, por mbeti për muaj me radhë në det, pasi organizata mjedisore “Basel Action Network”, BAN, ngriti shqetësimin se brenda saj mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).

    Konteinerët u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë së Durrësit dhe u depozituan në Porto Romano si pjesë e një procedimi të nisur për veprat penale “kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “transportim i mbetjeve dhe shpërdorim i detyrës”.

    Por tetë muaj më vonë, përmbajtja e mbetjeve është ende e paqartë dhe fati i hetimit është vendosur në pikëpyetje, pasi Prokuroria e Durrësit pretendon se nuk ka gjetur ende një laborator për testimin e mbetjeve, edhe pse më 5 mars deklaroi publikisht të kundërtën.

    E pyetur për këto kontradikta dhe zvarritjen e hetimit, Prokuroria e Durrësit i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se nuk kishin arritur dakordësi me laboratorin e parë dhe kishin vijuar me gjetjen e një laboratori tjetër jashtë vendit.

    “…për këtë arsye është vijuar me gjetjen e një laboratori tjetër jashtë vendit, verifikimin e plotësimit e të gjitha e protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare nga ky laborator si dhe negocimin, proces i cili po kryhet edhe me ndihmën e partnerëve të huaj,” deklaroi Prokuroria e Durrësit.

    Edhe drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli, njëherazi pjesë e grupit hetimor, i tha BIRN përmes telefonit se testimet ishin vonuar për shkak të vështirësve në gjetjen e laboratorit dhe kostove të larta.

    Por aktivistët mjedisorë të huaj edhe vendas ngrejnë dyshime për një strategji të qëllimtë për zvarritjen e hetimit dhe shmangien e personave përgjegjës nga drejtësia.

    “Vonesa është e papranueshme dhe skandaloze,” tha Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN, organizatës që e denoncoi fillimisht skandalin.

    “Ky është një turp për çdo institucion qeveritar kompetent dhe tani po shfaqet qartë si një fshehje apo strategji e qëllimshme për të vonuar rezultatet dhe rrjedhimisht gjetjet e prokurorisë,” shtoi Puckett, duke theksuar se çështja “mban erën e përzierjes politike”.

    Tonelatat e mbetjeve të dyshuara e kanë origjinën nga filtrat e oxhaqeve të kompanisë turke “Kurum International” që operon në mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ndërsa Prokuroria identifikoi kompaninë “Sokolaj” në pronësi të Gjovana Sokolajt si eksportuese të konteinerëve.

    BIRN zbuloi në një investigim të mëparshëm se sasia e bllokuar ishte vetëm një prej shumë ngarkesave të ekportuara në mënyrë të paligjshme jashtë Shqipërisë. Mes viteve 2020-2023, një sasi prej rreth 20 mijë ton mbetje të gjeneruara nga “Kurum” u eksportuan jashtë Shqipërisë nga kompania “Sokolaj”, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Laboratorët e akredituar që analizojnë metalet e rënda nuk mungojnë në Shqipëri; BIRN ishte në gjendje që të kontaktonte brenda një ore dy prej tyre si dhe të merrte një ofertë. Analiza e një mostre sipas njërit prej laboratorëve kushtonte 306 euro.

    Megjithatë, Puckett nga BAN sugjeron që për shkak të rëndësisë së çështjes, Shqipëria duhet të angazhojë një laborator në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Europian, që sipas tij kanë përvojë në kampionimin e pluhurit të furrave elektike me hard (EAFD). Ai vlerëson madje që çmimi për një kampionim gjithëpërfshirës të materialeve organike, përfshirë dioksinat dhe metalet për rreth 24 mostra do të kushtojë nga 6 mijë deri në 10 mijë euro.

    “Unë i kam dhënë më herët zyrës së Prokurorisë emrin e laboratorit. Më pas dëgjova se ata donin ta bënin këtë punë në Shqipëri. Pse? Kjo nuk bën sens,” i tha ai BIRN, duke shtuar se personalisht nuk kishte besim që ndonjë laborator në Shqipëri do të ishte i lirë nga “ndikimi politik”.

    Edhe aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni mendon se zvarritja e testimeve laboratorike nuk është një çështje kostosh, por neglizhence.

    “Mbaj mend që pas shpërthimit në Gërdec janë bërë analiza të kësaj natyre për metalet e rënda dhe nuk më kujtohet të jetë bërë çështje kostoja,” tha Feruni.

    “Është një zvarritje për ta lënë [në harresë] si çështje, për ta bërë të parëndësishme,” përfundoi ai.

    Emri:  Kontenieret-ne-Porto-Romano-.jpg

Shikime: 289

Madhësia:  54.0 KB
    Kontenierët me mbetje të dyshuara si të rrezikshme gjatë transportimit në Porto Romano. Foto: LSA.

    BIRN

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. A përmbajnë enët e gatimit helme toksike për shëndetin e njeriut?
    Nga Albo në forumin Kuzhina shqiptare dhe e huaj
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 21-12-2022, 18:13
  2. Eksportet e Kosovës, 80% të mallrave nga porti i Durrësit
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 11-07-2011, 20:08
  3. Kapet, hodhi lëndë toksike në shkollë
    Nga AlbaneZ në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-03-2008, 06:28
  4. Bakteret e dëmshme për shëndetin!
    Nga DI_ANA në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 09-02-2008, 11:37
  5. Tangat të dëmshme për shëndetin
    Nga miki_al2001 në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 01-10-2005, 14:37

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •