Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Mazhoranca miraton me debate marrëveshjen për Portin e Durrësit, pronarët mbahen sekret

    Deputetët socialistë votuan projektin kontravers të qeverisë për ndërtimin e një “Dubai” në Portin e Durrësit, ndërkohë që pronarët përfitues të njërës prej kompanive u mbajtën të fshehtë nga qeveria.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Edi-Rama-Kuvend-.jpg

Shikime: 230

Madhësia:  27.4 KB

    Kuvendi miratoi vetëm me votat e shumicës në orët e para të mëngjesit të së premtes marrëveshjen për Portin e Durrësit, edhe pas kundërshtimeve të opozitës që e konsideron projektin si jotransparent dhe në dëm të interesit publik.

    Edhe pas debatit parlamentar, qeveria mbajti sekret një pjesë të marrëveshjes që lidhet me të dhënat e pronarëve përfitues të njërës prej kompanive të projektit.

    Kryeministri Edi Rama e mbrojti marrëveshjen në një fjalim të gjatë me nota teatrale, ku recitoi Nolin e Konicën dhe e krahasoi veten me Ismail Qemalin.

    Rama mori meritat e negocimit të kontratës me investitorin arab, Muhamed Alabbar, por nuk dha shpjegime për pikpyetjet që qëndrojnë mbi këtë marrëveshje dhe çdo të ndodhë me portin e vjetër të mallrave.

    Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë se po kalonte një nga investimet më të mëdha në vend pa asnjë garë, dhe në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian.

    Marrëveshja lidhet mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” për një investim 2.1 miliardë euro që synon të kthejë portin e vjetër në një atraksion turistik me hotele dhe rrokaqej dhe një port jahtesh.

    Agron Shehaj nga Partia Demokratike ngriti pyetje për pronarët fundorë përfitues të kompanive investuese dhe garantuese të projektit.

    “Kush jane pronarët e kompanisë NSHMI Development L.L.C?”- pyeti ai ministren e Financave Delina Ibrahimaj, duke shtuar se qeveria nuk kishte bërë të ditur pronarët dhe as kapacitetin financiar të saj në kontratë.

    Ibrahimaj deklaroi në seancë se të dhënat ishin mbajtur konfidenciale “për t’i rritur sigurinë projektit”.

    “Përsa i përket kompanisë NSHMI në fakt është një seksion konfidencial i kontratës, i cili është kërkuar nga ne për të shtuar sigurinë në këtë projekt,” u përgjigj ajo.

    Ndërsa Rama u mjaftua duke përmendur adresën e regjistrimit të këtyre kompanive në Abu Dhabi dhe pranoi se garantët ishin konfidencialë.

    Deputetja Jorida Tabaku e krahasoi marrëveshjen me projektet e inceneratorëve dhe problematike për procesin e integrimit.

    “Si ka mundësi që qeveria shqiptare zgjodhi një procedurë pa garë në kundërshtim me MSA-në?”- tha ajo, duke shtuar se ky investim do t’i shërbejë qeverisë për projektin e “pasaportave të arta”.

    Ajo iu referua kotratës, ku parashikohet ofrimi i pasaportës shqiptare apo rezidencë për të huajt që pranojnë të blejnë një apartament në pallatet që do të ndërtohen në Portin e Durrësit, një skemë e kritikuar nga BE si e rrezikshme.

    Projekti për Portin e Durrësit u miratua si investim strategjik në dhjetor 2021 me subjekt aplikues “Symphony Real Estate Development sh.p.k”, por në tetor të këtij viti Komiteti i Investimeve Strategjike vendosë të transferojë statusin “investitor strategjik” tek shoqëria e posaçme që do të krijohet me përbërjen e shoqërive “Albanian Seaports Development Company (ASDC)” sha, dhe “Eagle Hills Real Estate Development”.

    Kompania investuese do të përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social.

    Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit në dy faza.

    Financimi i investitorit strategjik do të sigurohet, sipas kontratës, përmes kombinimit të: financimit të kapitalit nga Eagle Hills-i; financimit të borxhit të kontribuuar nga, ose në emër të, Eagle Hills-it; të ardhurave e shitjeve të grumbulluara prej klientëve nga investitori strategjik; huamarrjes nga institucionet financiare, dhe investimeve nga investitorë palë e tretë, të organizuara nga Eagle Hills-i.

    Për garancitë e investimit, marrëveshja parashikon që Eagle Hills t’i dorëzojë qeverisë shqiptare pasqyrën e vërtetuar të llogarisë së bankës, ku evidentohet se aksionarët ose ortakët direkt ose indirekt mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e projektit.

    Në relacion parashikohet që marrëveshja për “Marinën Durrës” detyron investitorin strategjik që t’i paguajë shtetit një tarifë vjetore të barabartë me 2 për qind të xhiros vjetore që do të grumbullojë nga Marina, bazuar në pasqyrat financiare për çdo vit financiar.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Mazhoranca miraton me debate marrëveshjen për Portin e Durrësit, pronarët mbahen sekret

    Bashkimi Europian vendos në lupë marrëveshjen për portin e Durrësit

    Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se po monitoron marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Emiratet e Bashkuara Arabe për pajtueshmëri me MSA-në dhe se është në pritje të sqarimeve nga qeveria, por kjo e fundit pretendon se projekti nuk e rrezikon integrimin.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  270924534_284604297040911_5633252930345263026_n.jpg

Shikime: 154

Madhësia:  43.4 KB
    Kryeministri Edi Rama, Mohamed Alabbar, Belinda Balluku dhe Arben Ahmetaj duke parë një maket të portit turistik të Durrësit | Foto: Facebook/Edi Rama

    Në orët e para të 25 nëntorit, deputetët e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë ngritën kartonat jeshilë dhe miratuan një ligj të posaçëm për portin e Durrësit – një projekt që synon të kthejë portin historik të vendit në një atraksion turistik me ndërtesa shumëkatëshe dhe një port jahtesh.

    Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development L.L.C, Albanian Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C u mbrojt në Kuvend nga kryeministri Edi Rama, i cili mori meritat e negocimit me investitorin arab, Muhamed Alabbar.

    Projekti u kundërshtua nga opozita për mungesën e garës, të transparencës si dhe për shkelje të mundshme të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, MSA, me Bashkimin Europian.

    Shqetësime të ngjashme duket se ndan edhe Bashkimi Europian, i cili i tha BIRN përmes delegacionit të vet në Tiranë se po e monitoron këtë marrëveshje dhe se është ‘në pritje të sqarimeve nga qeveria’ shqiptare.

    “Sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare,” tha zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

    Delegacioni konfirmoi gjithashtu se BE kishte anuluar grantin e mbetur për investime në projektin e mëparshëm të portit, si rezultat i “modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual”.

    Granti i dhënë përmes fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor, ËBIF, ishte rreth 27 milionë euro.

    “Ne jemi duke u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisë edhe për prioritetet e investimeve në këtë drejtim,” shtoi zyra e BE-së në Tiranë.

    Ligji për zhvillimin e portit të Durrësit parashikon kalimin falas të një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në favor të investitorëve. Marrëveshja u miratua me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, ndërsa qeveria mbajti sekret një pjesë të marrëveshjes, që lidhet me të dhënat e pronarëve përfitues të njërës prej kompanive që qëndron pas investimit.

    Qeveria i zhvlerëson kritikat dhe këmbëngul se ky projekt i shërben zhvillimit ekonomik të qytetit bregdetar dhe të gjithë vendit.

    I pyetur nga BIRN për shkeljen e mundshme të MSA-së, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga i tha BIRN se “marrëveshja për portin e Durrësit nuk rrezikon asnjë proces integrimi”.

    “Natyrisht, tërheqja nga ky zhvillim nuk ka se si të jetë opsion, aq më tepër që askush nuk ka për ta kërkuar një absurditet të tillë,” tha Fuga.

    Ndryshe nga qeveria, ekspertë të integrimit theksojnë se vendi rrezikon penalitete nëse faktohet shkelja e MSA-së, çka mund të sillnin një stopim ose ngadalësim të procesit të integrimit.

    “Nëse Shqipëria shkon në drejtim të kundërt me legjislacionin europian, ka penalitete, ka vonesa të procesit apo ngecje në çështje specifike derisa të korrigjojë masat e ndërmarra,” tha Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i “European Movement Albania”.

    Duke komentuar ligjin për Portin e Durrësit, Gjipali theksoi gjithashtu se ekzistojnë masa që mund të sjellin një rikthim të vendimarrjes, pasi të jenë konsumuar negociatat dhe alternativat për korrigjim.

    “Mësimi për ne është që për çdo vendim të rëndësishëm do të duhet të marrim opionionin e BE-së,” shtoi ai.

    Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Integrimit, i tha BIRN se marrëveshja cënon disa nene të MSA-së dhe se përfaqësues të Komisionit Europian shprehën shqetësimin e tyre në Mbledhjen e 15 të Komisionit të Stabilizim Asociimit.

    “Nenet 71 dhe 74 te MSA specifikisht shprehen për konkurrencën dhe garën e hapur, për mosdiskriminim të kompanive dhe bizneseve europiane. Në çdo rast, kontratat e dhëna pa garë, marrëveshjet direkte pa garë, ofertat e pakërkuara dhe çdo forme tjetër “e sajuar” dhe që cenon tregun e lirë konsiderohet shkelje e MSA,” tha Tabaku.

    “Në këtë fazë të negociatave, çdo diskutim për shkeljen e MSA-së si marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, heq fokusin dhe dëmton procesin e bisedimeve,” përfundoi Tabaku.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Mazhoranca miraton me debate marrëveshjen për Portin e Durrësit, pronarët mbahen sekret

    Kompania gjermane çon në Arbitrazh marrëveshjen për Portin e Durrësit

    Emri:  porti-1.jpg

Shikime: 152

Madhësia:  35.9 KB

    Kompania gjermane, EMS Shipping & Trading ka depozituar në Gjykatën e Arbitrazhit e ICSID në Uashington një padi ndaj shtetit shqiptar.

    Akuza është regjistruar në datën 7 prill dhe objekt i padisë janë për mosmarrëveshjen sa i takon koncesionit për Portin e Durrësit.

    Që nga viti 2013, kjo kompani zotëron të drejtën e kontratës koncesionare për të operuar Terminalin Lindor në Portin e Durrësit, për ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve. Në padinë ndaj shtetit shqiptar, kompania gjermane kundërshton projektin e ri të transformimit të portit, që do të bënte që kjo kompani të zhvendoste operimin e saj në portin e ri në Porto Romano. Por, sipas gjermanëve në mungesë të portit të ri, vazhdimi i aktivitetit koncesionar nuk është i sigurt.

    Kompania ka edhe rreth 25 vite të mbetura në kontratën 35-vjeçare, ndërsa fitimet e saj në vitin 2021 llogariten në rreth 1,3 milionë euro. Duke u bazuar te ky fitim, edhe kërkesa për dëmshpërblim nga ky gjyq i ri në arbitrazh mund të shkojë deri në nga disa dhjetëra milionë euro.

    Sakaq, mësohetr se përpara se t’i drejtohej Arbitrazhit, EMS i kishte dërguar një letër përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, Kuvendit dhe përfaqësive diplomatike të Gjermanisë dhe BE-së në Shqipëri, ku shprehte shqetësimet e saj për transforimimin e portit të Durrësit.

    Euronews

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Mazhoranca miraton me debate marrëveshjen për Portin e Durrësit, pronarët mbahen sekret

    Porti i ri tregtar në Durrës ende pa projekt teknik; NATO kundër masterplanit: Nuk i përmbahet kapaciteteve për ankorimin e anijeve

    Emri:  porti-tregtar-durres-1536x816.jpg

Shikime: 139

Madhësia:  48.7 KB

    Porti i ri tregtar, një vepër me rëndësi strategjike që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano ende nuk ka një projekt të detajuar teknik.

    Pavarësisht se afatet për përfundimin e hartimit të projektit të fizibilitetit nga 8 muaj u shtynë në 15 muaj, ende ai nuk është dorëzuar.

    Shkak për shtyrjen e afateve të përfundimit të studimit të fizibilitetit sipas njoftimit në Autoritetin e Prokurimeve Publike (APP) nga Autoritetit Portual Durrës (APD) në shtator 2022 mësohet të ketë qenë kundërshtimi i masterplanit të portit të ri tregtar në Porto Romano nga NATO, pasi ky projekt nuk i përmbahej kapaciteteve të NATO-s për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura.

    Masterplani për projektin e ri tregtar është hartuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning” dhe u prezantua për publikun në dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet shqiptare. Do të jetë sërish kompania holandeze që do të hartojë studimin e fizibilitetit të portit të ri. Por burime nga tregu i industrisë detare pohuan për “Monitor” se pritet që sërish të këtë shtyrje të realizimit të projektit ë cila pritet të kërkojë sërish fonde shtesë.

    Për shtyrjen e afatit të përfundimit të hartimit të projektit teknik të portit në tender u shtua fondi me vlerë 223,2 mln lekë.

    Fillimisht afati për përfundimin e projektit të detajuar teknik të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano referuar shpalljes së njoftimit të tenderit nga APD në APP në janar të 2022-s ishte 8 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Kontrata është nënshkruar më 21 dhjetor 2021 dhe studimi i fizibilitetit duhej të dorëzohej në gusht të vitit 2022. Ndërsa fondi i prokurimit ishte me 1,145,354,372 lekë.

    Por Autoriteti Portual Durrës në shtator të 2022-it ka qenë i detyruar të ndryshojë afatet e përfundimit të projektit teknik nga 8 muaj në 15 muaj (me afatet e reja projekti teknik duhet të dorëzohej i plotë në mars të 2023-it) si dhe të shtojë 19,5% fondin për realizimin e shërbimit. Fondi i ri i prokurimit ishte në vlerën e 1,365,777,813 lekëve. Shkak i shtyrjes së afatit ishte ndryshimi i masterplanit për projektimin e bazës detare, që binte në kundërshtim me standardet e NATO-s , pasi nuk i përmbahej kapaciteteve të tyre.

    “Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndërtimi i një baze autonome detare për Forcën Detare të R.SH., të ndërlidhur me rrjetin rrugor dhe hekurudhor. Komanda e Forcës Detare, duke u koordinuar me përfaqësuesit Amerikanë, të cilët nëpërmjet Shtabit të Përgjithshëm kanë dërguar kërkesat specifike, i ka përcjellë Autoritetit Portual Durrës kapacitetet që nevojiten, duke u bazuar në: inventarin aktual të anijeve të Forcës Detare, anijet që kanë vizituar vendin tonë në kuadër të stërvitjeve të vendeve aleate si “defender Europe 21” dhe mundësinë për akomodimin e të gjitha anijeve të tipit “destroyer”.

    Kjo ide, e artikuluar në nivel koordinimi politik, gjatë Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, në datat 15-16 qershor, ka gjetur parimisht dhe mbështetjen e SACEUR, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të detajojë edhe më tej projektin e tyre, duke bërë zëvendësimin e zërit projektimit për bazën autonome detare për forcën detare te R.Sh , në zonë për përdorimin e forcave te NATO-s.

    Projekti i infrastrukturës i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura sipas MASTERPLANIT nuk i përmbahet kapaciteteve të kërkuara nga NATO.

    Për sa më lart argumentuar, paraqitet nevoja për amendimin e kontratës fillestare, duke u ndryshuar afati i zbatimit dhe vlera totale e kontratës së prokurimit në fjalë. Vlera e amendimit nuk tejkalon masën prej 20% të vlerës së kontratës fillestare”, citohet në dokumentet e prokurimit të tenderit.

    Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romane për ti hapur rrugë zhvillimit të projektit që e shndërron atë në port turistik, një nismë që ka hasur debate për faktin e formulës së financimit dhe sipërfaqes së lartë që do të jepet për ndërtime real estate.

    Monitor

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Mazhoranca miraton me debate marrëveshjen për Portin e Durrësit, pronarët mbahen sekret

    Vendimi/ “Kushtetuesja” rrëzon ankimimin e PD-së për portin turistik të Durrësit

    Emri:  porti.jpg

Shikime: 69

Madhësia:  42.3 KB

    Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë padinë e deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me projektin e portit turistik të Durrësit, duke argumentuar se nuk janë paraqitur arsye të mjaftueshme kushtetuese për shfuqizimin e ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave (VKM).

    Në padinë e depozituar, deputetët e opozitës pretendonin se zhvilluesi i projektit ishte përzgjedhur pa garë, duke dëmtuar konkurrencën.

    Megjithatë, Gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim, duke argumentuar se zgjedhja e investitorit ishte pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Emiratet e Bashkuara Arabe, e miratuar me ligj.

    Gjykata konstatoi gjithashtu se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor. Sa i përket lehtësive fiskale të dhëna për projektin, vendimi thekson se ato nuk i japin investitorit një avantazh të padrejtë konkurrues, pasi shteti zotëron 33% të aksioneve dhe përfiton proporcionalisht nga dividentët.

    Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kishte juridiksion për shqyrtimin e ligjit, por jo për VKM-të e miratuara në kuadër të projektit, duke i konsideruar ato si akte individuale.

    Pas analizës së pretendimeve të paraqitura nga opozita, shumica e tyre u rrëzuan, pasi u konsiderua se nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore ose nuk hynin në juridiksionin kushtetues.

    Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën, duke i hapur rrugë vijimit të projektit.

    Vendimi i arsyetuar pritet të publikohet brenda afateve ligjore.

    Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese rrëzon një padi të deputetëve të opozitës për këtë çështje.

    Më parë, më 16 qershor 2023, ajo kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme të paraqitur nga 37 deputetë të opozitës, të cilët kundërshtonin marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e marinës turistike.

    Njoftimi i plotë

    Në datën 21 shkurt 2025 Gjykata Kushtetuese përfundoi shqyrtimin e çështjes me kërkues jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të Kuvendit me objekt:

    1.Shfuqizimi i ligjit nr. 79/2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

    2.Shfuqizimi i VKM-së nr. 861, datë 29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, të ndryshuar me tre VKM të tjera ”.

    Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.

    Për sa u takon pretendimeve të kërkuesve për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve, përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se ato (VKM-të) janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.

    Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.

    Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:

    identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit;

    nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);

    së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor;

    nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;

    Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BE-së, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports;

    parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale,

    nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.

    Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.

    Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e:

    1.parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, për shkak të parashikimit të nenit 10.6 të Marrëveshjes Kuadër të miratuar me ligjin nr. 79/2022 (objekt kërkese), i cili parashikon se menaxhimi i hapësirave publike të krijuara nga zbatimi i projektit strategjik do të bëhet nga investitori strategjik;

    2.lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).

    Në lidhje me pretendimin e parë, në një interpretim pajtues midis dispozitave të kontestuara dhe nenit 13 dhe 113 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.

    Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.

    Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577/2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

    Euronews

Tema të Ngjashme

  1. Sekuestrohen 600 kg kanabis në një kamion në Portin e Durrësit
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 09-04-2014, 16:03
  2. Përurohet terminali i ri në Portin e Durrësit
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 18-07-2012, 17:06
  3. Tmerr ne portin e Durresit
    Nga Mr Zeid në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 84
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 09:42
  4. Terminal i ri pasagjeresh ne portin e Durresit.
    Nga DYDRINAS në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 10-05-2008, 09:05
  5. Vidhet anija ukrainase në portin e Durrësit
    Nga ALBA në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-07-2003, 00:45

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •