Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Albanistan: Tymi toksik i plehrave mbulon Vlorën në mes të sezonit turistik

    Tymi i plehrave mbulon Vlorën në mes të sezonit turistik

    Fusha e mbetjeve në Vlorë po digjet për të katërtin vit radhazi, ndërsa autoritetet nuk kanë ende një zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve dhe po i lënë banorët dhe turistët në mëshirë të tymit helmues.

    Nga Jerola Ziaj

    Emri:  Landfilli-vlore-zjarr.00_30_41_21.Still001-1536x864.jpg

Shikime: 1060

Madhësia:  26.4 KB
    Një grua duke u kthyer në shtëpinë e saj në Vlorë e mbuluar nga shtëllungat e tymit. Foto: Jerola Ziaj.


    Të enjten e 25 korrikut, flakët e zjarrit përfshinë fushën e mbetjeve në Vlorë dhe shpërndanë shtëllunga të mëdha tymi mbi të gjithë qytetin në kulmin e sezonit turistik, duke alarmuar banorët dhe turistët.

    Ky është i katërti vit radhazi që zjarri shpërthen në përmasa të tilla duke nxjerrë zbuluar paaftësinë e autoriteteve lokale dhe qendrorë për t'i dhënë zgjidhje problemit.

    E ndërsa tymi ka mbuluar rrugët, banorët e zonës afër venddepozitimit ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe për një situatë të pashpresë.

    “Mezi mbushemi me frymë. Si ne, si pleqtë edhe fëmijët, se unë kam një djalë të vogël, u helmuam”, thotë një i ri që jeton 50 metra nga venddepozitimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës. Ai thotë se për ata që jetojnë në afërsi të zonës, situata është e përsëritur, pasi zjarre më të vogla janë të pranishme thuajse gjithë vitin.

    Venddepozitimi i mbetjeve në Vlorë, i cilësuar i rrezikshëm nga autoritetet lokale prej vitesh, do duhej të ishte mbyllur dhe Bashkia e Vlorës do duhej të depozitonte mbetjen në landfillin e ri të Sherishtës që në qershor 2021. Por afati i hapjes së këtij të fundit është shtyrë vit pas viti dhe punimet aty janë bllokuar.

    Landfilli i Sherishtës është vetëm një nga aktet e sagës së aferës së inceneratorëve në Shqipëri. Ndërtimi i tij është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro të financuar nga KfË, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi dhe pjesa tjetër grante.

    Në qershor 2020, Integrated Technology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane Bulfaro Spa, u shpallën fituese të një tenderi prej 9.8 milionë eurosh për ndërtimin e landfillit me një kapacitet prej 350 mijë ton mbetje. Por prej 14 dhjetorit 2021, kompania Integrated Technology Services është nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    Aksioneri i saj i vetëm, Klodian Zoto është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit dhe është dënuar dy herë nga gjykata për akuzuat për pastrim parash dhe korrupsion në aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, ndërsa pret t'i nënshtrohet gjykimit edhe për aferën e kryeqytetit. Ky fakt ka paralizuar punën edhe në Sherishtë, duke e lënë Vlorën prej vitesh në mëshirë të gazrave helmues që dalin prej djegies së fushës së mbetjeve.

    “Jemi para një fakti të një krimi mjedisor, për faktin se gjithë qytetarët vlonjat përfshi edhe turistët i kanë më shumë se 24 orë që ndodhen të ekspozuar ndaj këtij ndotësi të fuqishëm negativ për shëndetin e njerëzve,” thotë Niko Dumani, një aktivist i mjedisit.

    Dumani thotë se zjarri në landfill është i pranishëm për një kohë të gjatë, por ai shpërtheu në flakë e tym që mbuluan qytetin, për shkak të erës së fortë në dy ditët e fundit. Eksperi i mjedisit thotë se autoritetet prej vitesh e neglizhojnë situatën, duke mos i dhënë zgjidhje.

    Për të gjendja është alarmante. “Përmbajnë shumë gaze të dëmshme për shëndetin e njeriut, biles djegia e plastikës shoqërohet edhe me gaze kancerogjenë, por ajo që është kryesorja është se dendësia e tymit ishte aq e madhe sa mbuloi gjithë qytetin e Vlorës,” shtoi ai.

    Banorë të zonës në afërsi të venddepozitimit të mbetjeve e kanë humbur shpresën se situata do të zgjidhet, ndërsa vijojnë të përditshmen e tyre mes tymit mbytës ata fajësojnë qeverinë për gjendjen.

    “Kujt t'i bëj thirrje, kur vete fjala në vesh të shurdhër. Ata e bëjnë vetë. Vetë shteti i bën këto. Vit për vit këtë muhabet kemi ne këtu”, thotë një 50-vjeçar.

    Ndërkohë zjarri vijoi edhe të premten. Rastet të ngjashme kanë treguar se zjarrfikësit e kanë të pamundur të shuajnë plotësisht flakët në landfille për shkak të djegies në thellësi dhe gazrave që lëshohen nga mbetjet.

    Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi menaxhimin e situatës deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Emri:  Mbetje-2.jpg

Shikime: 1076

Madhësia:  10.8 KB
    Një zjarr i madh u krijua nga djegia e mbetjeve në venddepozitimin e Vlorës. Foto: Jerola Ziaj.

    Emri:  Mbetje-1.jpg

Shikime: 1036

Madhësia:  37.4 KB
    Gjatë djegies së mbetjeve në venddepozitimin e Vlorës. Foto: Jerola Ziaj.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Tymi toksik i plehrave mbulon Vlorën në mes të sezonit turistik

    Korrupsioni me kontratat e mbetjeve po saboton turizmin në Vlorë

    Tre vjet pas sekuestrimit të kompanisë së Zotos, punimet në landfillin e Sherishtës mbetën në vendnumëro, duke e lënë qytetin e Vlorës në mëshirë të tymit të plehrave me pasoja të rënda në zhvillimin e turizmit dhe shëndetin e banorëve.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Landfilli-2-vlore-.jpg

Shikime: 767

Madhësia:  40.8 KB
    Landfilli në Sherishtë të Vlorës, i financuar nga banka gjermane KfW mbetet ende i papërfunduar. Foto: Jerola Ziaj.

    Për vite me radhë gjatë sezonit turistik, Vlora gdhihet e mbuluar nga tymi i plehrave që digjen në fushën e grumbullimit në periferi të qytetit. Skenat apokaliptike të tymit që mbulojnë Vlorën, si ajo e 25 korrikut, i lënë gojëhapur turistët që vizitojnë qytetin dhe rrethinat e tij për të shijuar detin dhe i ka vënë në vështirësi operatorët turistikë. Banorët e qytetit ndërkohë vuajnë prej vitesh erën e rëndë që vjen nga fusha e mbetjeve dhe problemet shëndetësore që sjellin ato.

    “Unë jam shumë larg, 1.5-2 kilometra në vijë ajrore, por natë për natë ne ndjejmë aromën e mbetjeve që digjen në fushën e mbetjeve në Vlorë,” thotë Niko Dumani, një aktivist lokal i mjedisit.

    Dumani dyshon se djegia e përvitshme e mbetjeve në fushë të hapur është e qëllimshme dhe synon të eleminojë malin me mbetje, për shkak se planet për vënien në punë të landfillit të ri në Sherishtë dështojnë vit pas viti.

    “Kjo po cënon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Vlorës dhe atyre që vizitojnë qytetin, pasi mbetjet që digjen, kryesisht plastika, emeton dioksina dhe gazra të tjerë helmues,” shtoi ai.

    Landfilli i Sherishtës është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro i financuar nga KfW, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi që paguhen nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër grante.

    Projekti iu besua kompanisë “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos dhe ka ngecur në vendnumëro që prej sekuestrimit të kompanisë me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe arratisjes nga drejtësia të pronarit të saj, i dënuar dy herë nga gjykata për korrupsion dhe pastrim parash me koncesionet e incineratorëve në Elbasan dhe Fier.

    Punimet në landfillin e Sherishtës duhej të kishin përfunduar në vitin 2021 dhe zyrtarisht, përfaqësues të Bashkisë së Vlorës kanë deklaruar disa herë se landfilli do të vihet në punë.

    Megjithatë, Bashkia e Vlorës i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se nuk ka ende një projekt për mbylljen e punimeve që mbetën rrugës dhe as një afat për vënien në punë të landfillit.

    “Përfundimi i punimeve të parealizuara do të mundësojë vënien në funksionim të Landfillit të Sherishtës, por nuk mund të parashikojmë në këtë moment një afat të saktë për përfundimin e punimeve dhe marrjen në dorëzim të impiantit nga ana e Bashkisë Vlorë,” thuhet në përgjigjen zyrtare.

    Kriza mjedisore

    Qyteti i Vlorës nuk është i vetmi në një situatë të emergjencës mjedisore, edhe pasi qeveria shqiptare shpenzoi miliona euro për koncesionet e ndërtimit të incineratorëve apo landfilleve si ai i Sherishtës, të cilët mbetën gjithashtu të papërfunduar.

    Këto projekte ranë në duart e Klodian Zotos dhe partnerit të tij në biznes, Mirel Mërtiri dhe rrethit të tyre të ngushtë, tashmë të dënuar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

    Si rrjedhojë, inceneratori i Elbasanit punon vetëm pjesërisht duke sjellë një mal mbetjesh buzë lumit Shkumbin. Inceneratori dhe landfilli në Fier janë të papërfunduar dhe depozitimi i mbetjeve aty pa një impiant trajtimi të ujërave të ndotura e ka kthyer atë në një bombë ekologjike për zonën. Situata është e ngjashme edhe në Tiranë, ku incineratori nuk u ndërtua asnjëherë.

    Punimet në landfillin e Sherishtës u bllokuan pas sekuestrimit të kompanisë “Integrated Technology Services” dhe është e paqartë se sa punë duhet për t’i përfunduar ato.

    Aktivisti i mjedisit, Niko Dumani thotë se në takimet e bëra autoritetet pretendojnë se vetëm 7 për qind e projektit ka mbetur pa përfunduar. “Por se çfarë është ky 7% nuk e thotë njeri”, tha Dumani, ndërsa vuri në dyshim pretendimet e ngritura.

    Bashkia e Vlorës po ashtu nuk është në gjendje të thotë se çfarë ka mbetur pa përfunduar nga projekti dhe sa do kushtojnë këto punime shtesë. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia i tha BIRN se po bashkëpunon me një konsulent teknik për të mundësuar rifillimin e punimve të ngecura që prej vitit 2021, duke lënë të kuptohet se edhe për ta është e paqartë se çfarë punimesh duheshin kryer.

    “Konsulenti Teknik është duke punuar për përgatitjen e projekteve të punimeve të parealizuara ende të Komponentit ” Ndërtimi i Landfillit të Sherishtës ” dhe si dhe të Komponentit “Mbyllja e vend depozitimeve ekzistuese”. Në përfundim të këtyre projekteve, do të kemi një parashikim të plotë dhe të saktë të punimeve që janë për t’u kryer dhe kostot përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve,” tha Bashkia e Vlorës.

    Për sa kohë zgjidhja mungon, pavarësisht se janë shpenzuar miliona euro, Vlora mbetet në mëshirë të tymit që del prej mbetjeve që digjen vazhdimisht.

    “Gjendja është tej mase kritike. Banorët e Vlorës janë të gjithë të ekspozuar vazhdimisht ndaj një tymi kancerogjen, pa pikë dyshimi,” thotë Ermal Çukani nga lëvizja Community Hub Vlorë.

    Sabotimi i turizimit

    Biznese dhe aktorë të shoqërisë civile në Vlorë kanë pak besim se situata do të zgjidhet. Mikel Zinxhiria, një prej operatorëve turistikë në qytet, thotë se keqmenaxhimi i mbetjeve dhe djegia e tyre e vazhdueshme i ka dëmtuar dhe shpesh i ka vënë në pozitë të vështirë para turistëve.

    “Nuk dinim si t’ua shpjegonim çfarë po ndodhte, pasi situata vazhdoi në më shumë se një javë në gusht dhe smogu dhe tymi mbytën qytetin deri ne Karaburun e Sazan,” thotë ai.

    “Ka pas ndikim të lartë në imazhin dhe punën tonë. Pasi këtë vit ishin 2 herë nga më shumë se 1 javë ku qyteti ishte i mbytur në tym dhe erë të keqe,” shtoi ai.

    Zinxhira thotë se është pesimist që situata do të rregullohet sa kohë autoritetet lokale nuk kanë ende një plan. Ai vë gjithashtu në dukje se ata si grup interesi nuk dëgjohen dhe takimet bëhen sa për sy e faqe.

    “Fakti që s’ka asnjë afat tregon që të paktën dhe vitin tjetër do kemi të njëjtin fat si ky vit. Mbetjet hiqen me metoda primitve, pavarësisht buxhetit të disbursuar për këtë punë,”, thotë Zinxhira.
    Edhe Ermal Çukani nuk ka shpresa se kriza do të zgjidhet shpejt, ndërsa thekson se ankesat dhe peticionet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

    “Situata është tragjike dhe banorët e zonës janë të ekspozuar thuajse çdo ditë ndaj erës dhe tymit. Kemi organizuar një seri peticionesh para një viti që nuk janë dëgjuar. Kemi bërë takime me kryetarin e bashkisë, prefektin, dhe deputetët, por fjala nuk na është dëgjuar. Bashkia e Vlorës, sot që flasim, nuk ka asnjë plan si kjo situatë te ndryshojë,” përfundoi ai.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-04-2024, 11:21
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 01-03-2024, 13:33
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-10-2023, 11:54
  4. Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 01-05-2010, 12:43

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •