Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,964
    Postimet në Bllog
    22

    Ndryshon kodi zgjedhor, deputetët nuk zgjidhen nga qytetarët, emërohen nga kryetarët e partive

    Pakti për ‘listat e kryetarëve’ ngre shqetësime për zgjedhjet e vitit 2025

    Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që u jep dy kryetarëve të partive të mëdha, Rama dhe Berisha, të drejtën e emërimit të një numri të madh deputetësh në parlamentin e ardhshëm, kampet politike bëjnë llogaritë se kush del i fituar, ndërkohë që partitë e reja paralajmërojnë një betejë në Gjykatën Kushtetuese.

    Nga Anesti Barjamemaj

    Emri:  Bylykbashi-ne-Kuvend-.jpg

Shikime: 768

Madhësia:  34.2 KB
    Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi në Kuvend. Foto: LSA.

    Deputetët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike bashkuan kartonët jeshilë më 26 korrik në favor të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u lënë kryetarëve monopolin e përcaktimit të listave fituese të kandidatëve për deputetë.

    Pas një seance maratonë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan më 106 vota pro, asnjë abstenim dhe dy vota kundër.

    Me formulën e dakordësuar pak ditë më parë në grupin e dialogut mes Damian Gjiknurit të Partisë Socialiste dhe Oerd Bylykbashit të Partisë Demokratike, 1/3 e listës shumëemërore të kandidatëve do të jetë e mbyllur dhe do të caktohet nga kryetari i partive, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi për votë parapëlqyese në 2/3 e mbetur të listave për çdo parti politike.

    Sipas ndryshimeve ligjore, shumica dërrmuese e deputetëve në parlamentin e ardhshëm do të emërohen nga kryetarët e dy partive të mëdha, Edi Rama dhe Sali Berisha – një lëvizje që shënon një hap mbrapa krahasuar me zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2021.

    Megjithatë, negociatori socialist, Damian Gjiknuri këmbëngul se mes Ramës dhe Berishës nuk ka pasur asnjë pazar.

    “Për ata që thonë se është pazar “Rama-Berisha” si në 2008-ën, gaboheni shumë. U munduam dy vite për një reformë gjithëpërfshirëse,” tha Gjiknuri për BIRN.

    Gjiknuri tha gjithashtu se Partia Socialiste ishte për një formulë tjetër, por varianti final erdhi si rezultat i kundërpropozimit nga Partia Demokratike me të cilin u gjet “kompromisi kushtetues”.

    “Me këtë mënyrë janë në lojë 40 mandate. Po bëjmë një hap më shumë, duke rritur masën e ndikim në përzgjedhjen e deputetëve,” shtoi Gjiknuri.

    Në kampin demokrat, negociatori Oerd Bylykbashi akuzon mazhorancën për bllokimin e një reforme të plotë zgjedhore, ndërsa e mbron formulën mikse që sipas tij, e hap më shumë garën.

    Bylykbashi e mbështet këtë qëndrim me argumentin se për çdo listë partiake do të garojnë me njëri-tjetrin 75% e kandidatëve – edhe pse gara mes shumicës prej tyre do të përcaktojë se kush do të humbasë më shumë.

    “Me këtë sistem janë 40 veta që së paku do të zgjidhen me votën drejtpërdrejt të qytetarëve. Do të ketë garë me 140 deputetë, në garën me lista të hapura. Tani thonë që 40 është më e vogël se 6. Po çfarë matematike është kjo?” tha Bylykbashi.

    Kush fiton dhe kush humbet?

    Emri:  Gjiknuri-Kodi-Zgjedhor.jpg

Shikime: 746

Madhësia:  29.6 KB
    Negociatori socialist për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri. Foto: LSA.

    Pas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, kampet politike po bëjnë llogaritë se kush del i fituar nga marrëveshja e fundit mes PS dhe PD. Në kampin opozitar, nuk janë të paktë ata që mendojnë se marrëveshja dëmton opozitën dhe “i jep një mandat të katërt” të paprecedentë kryeministrit Edi Rama.

    Ky shqetësim ndahet nga deputetë që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, mbështetës të Lulzim Bashës si dhe nga partitë aleate që drejtohen nga Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu.

    Deputeti i opozitës, Kreshnik Çollaku është i keqardhur që Partia Demokratike nuk e çoi deri në fund betejën për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

    “Kodi Zgjedhor në formën si është dhe me këtë konfliktualitet brenda opozitës, pa koalicionet parazgjedhore rrezikon t'i japë Ramës një prim të padeklaruar, pasi për shkak të ndarjes së opozitës përfiton minimumi nga një mandat në çdo qark,” thotë ai.

    Sa i përket përfaqësuesve të ardhshëm, për Çollakun llogaritë janë të thjeshta.

    “Parlamenti do të ndahet me 100 të punësuar dhe me 40 deputetë, sepse ata që do kalojnë nga listat e sigurta do të jenë të punësuar në Kuvend,” tha ai.

    Edhe deputeti Dashnor Sula shprehu revoltën kundër mbylljes së listave. Sula i tha BIRN se lista me votë parapëlqyese “do të jetë ajo e iluzionistëve, që do të ëndërrojnë se do të fitojnë mandatet, por as do t'ia arrijnë dot”.

    “Mund të ndodhë që ata që janë jashtë listës së mbyllur të partisë mund të marrin qoftë dhe 10 mijë apo 20 mijë vota e përsëri nuk mund të bëhen deputetë,” tha ai, duke e konsideruar ndarjen e kandidatëve në dy lista të padrejtë dhe të pabarabartë.

    Deputeti demokrat shtoi gjithashtu se listat e mbyllura do të çojnë në Kuvendin e ardhshëm ‘besnikët e Partisë”.

    “[Ata]s'do kundërshtonin asnjëherë asgjë për vendimmarrjet e kryetarit, pasi i detyrohen kryetarit qenien deputet dhe që nuk votohen e vlerësohen në asnjë lloj mënyre nëse kanë apo s'kanë mbështetjen e elektoratit,” shtoi ai.

    Aleati historik i PD, Fatmir Mediu e quajti me ironi marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike “një mrekulli”.

    “Mbyllja e listave nuk është 25%, por është 80 – 90%,” tha Mediu.

    Pavarësisht kundërshtimeve të shumta në kampin opozitar, drafti i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mori vetëm dy vota kundër.

    Betejë në Kushtetuese

    Emri:  Pano-Soko-para-Parlamentit-.jpg

Shikime: 783

Madhësia:  43.2 KB
    Pano Soko nga Nisma Thurje gjatë një proteste në Parlament. Foto: LSA.

    Partitë e reja që nuk e kanë provuar ende shijen e Parlamentit i kundërshtojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe paralajmërojnë goditjen e tyre në Gjykatën Kushtetuese. Argumenti i tyre është se ndarja e kandidatëve në dy lista krijon pabarazi vote dhe nuk garanton të drejtën për t'u zgjedhur.

    Pano Soko nga Nisma Thurje i tha BIRN se pakti mes dy partive të mëdha krijon mungesë përfaqësimi në Parlament, duke e dëmtuar edhe më tej demokracinë në Shqipëri.

    “Jemi duke studiuar të gjitha ndryshimet, për të argumentuar të gjitha çështjet për t'i dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Jemi duke duke punuar, kemi disa gjetje paraprake dhe po punojmë bashkë me ekspertët për t'i analizuar të gjitha dhe do t'i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese,” tha Soko.

    “Problemi që kemi me konceptin ka të bëjë me përfaqësimin në demokraci. Shumicën e deputetëve do t'i caktojnë kryetarët e partive, konflikti jonë qëndron në themel të filozofisë të gjithë konceptit të demokracisë,” shtoi ai.

    Edhe kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj konfirmoi se do të bashkohej në këtë betejë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Kemi ngritur një grup pune dhe do ta godasim në Gjykatë Kushtetuese,” tha Lapaj përmes një deklarate publike.

    Efekti i kuotave gjinore

    Hartuesit e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke ndarë listën e deputetëve në ata që zgjidhen nga kryetarët dhe ata që zgjidhen nga qytetarët, garantuan se gara mes kandidatëve tek pjesa e hapur e listës do të ishte pa asnjë pengesë.

    “Mjafton një votë më shumë dhe bëhesh deputet”, ishte deklarata njëzëri e Gjiknurit dhe Bylykbashit.

    Megjithatë, hartuesit kishin harruar në këtë premtim kuotat gjinore, të cilat e kufizojnë edhe më tej garën në listat e hapura. Sipas amendamentit që u firmos nga 26 deputete gra dhe u mbështet nga kryetarët e grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazmend Bardhi, një në çdo tre të zgjedhur nga lista parapëlqyese duhet të jetë detyrimisht nga gjinia më pak e përfaqësuar.

    Si Gjiknuri, ashtu edhe Bylykbashi konfirmuan për BIRN se me këtë ndryshim do të ngushtohet edhe më shumë gara mes kandidatëve që garojnë jashtë listës së kryetarëve.

    Nëse gara do të ishte pa asnjë pengesë, maksimalisht në Kuvend do të zgjidheshin 40 deputetë nga votat preferenciale, ndërsa tashmë me këtë ndryshim vetëm 26 deputetë do të kenë mundësinë që të zgjidhen me votë direkte nga qytetarët.

    Votimi i amendamentit për kuotat gjinore u përshëndet nga prezenca e OSBE-së në Tiranë.

    “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike,” tha OSBE përmes një deklarate.

    BIRN
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,964
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ndryshon kodi zgjedhor, deputetët nuk zgjidhen nga qytetarët, emërohen nga kryetarët e partisë

    Berisha ndaj kritikëve për Reformën Zgjedhore: S’ka marrëveshje me PS, vetëm zbatim të vendimeve të GJK

    Emri:  IMG_9633.jpeg

Shikime: 679

Madhësia:  65.6 KB

    Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas miratimit me konsesus me mazhorancën të ndryshimeve në Reformën Zgjedhore. Përmes një deklarate, Berisha i është përgjigjur zërave kritikë që flasin për pakt me kryeministrin Edi Rama. Kreu demokrat e mohon kategorikisht një gjë të tillë. Berisha thotë se nuk ka marrëveshje të opozitës me PS-në, por vetëm zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe herësin elektoral.

    Deklarata e Berishës

    Të dashur qytetare dhe qytetarë mirëdita. Me këtë mesazh dëshiroj t’ju përshëndes dhe t’ju informojë çdo njërin prej jush sa vijon. Gjatë dy ditëve të fundit ju keni dëgjuar qindra e qindra herë të shqiptohet dhe lakohet fjala ‘Reformë Zgjedhore’ apo pakt marrëveshje Berisha-Rama etj. Lidhur me këtë zhurmnajë të madhe ju deklaroj sa vijon:

    Së pari të gjithë ata që bejnë fjalë për Reformë Zgjedhore në këtë rast mashtrojnë me qëllim apo janë vetë të mashtruar. Nuk ekziston absolutisht asnje marreveshje lidhur me reformën zgjedhore. Ndryshimet e votuara në Parlament në Kodin Zgjedhor nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me Reformën Zgjedhore të rekomanduar nga OSBE ODHIR për zgjedhje të drejta dhe të ndershme në Shqipëri. Pra nuk është trajtuar asnjë pikë e vetme e rekomandimeve të OSBE ODHIR.

    Së dyti dy problemet e trajtuara nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe të votuara mbrëmë në Parlament nuk kanë asnjë lidhje me reformën zgjedhore të rekomanduar nga OSBE ODHIR, por vetëm me zbatimin e 2 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht për:

    Votimin e shqiptarëve jashtë shteti, një e drejtë kjo themelore Kushtetuese për çdo shtetas shqiptar. Ky votim ka qenë premtim solemn publik i kahershëm para vitit 2013 dhe pas vitit 2013 i Partisë Demokratike. Ne jemi vendi i vetëm në Europë në të cilin bashkatdhetarët tanë jashtë vendit nuk votojnë dhe kjo vetëm e vetëm sepse Edi Rama e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe kategorike këtë të drejtë Kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendi. Lobimi i fuqishëm i aktivistëve të diasporës për këtë të drejtë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas padisë së tyre në favor të votimit të shqiptarëve jashtë vendit, detyroi Edi Ramën të tërhiqej nga kundërshtimi kategorik I votës së shqiptarëve jashtë vendi.
    Megjithë këtë ai ishte për një votim me përfaqesues të tyre me proporcion dhe të realizuar nëpërmjet portalit e-albania dhe Postës Shqiptare. Kurse Partia Demokratike në bashkëpunim me përfaqesuesit e diasporës për Shqipërinë e lirë ishte për votimin e shqiptarëve jashtë vendit për kandidatin që duan në zonën nga e cila ata janë larguar. Siç kërkohet edhe nga vetë ata. Në këtë proces Edi Rama kërkonte që çdo operacion të kryhej nëpërmjet portalit tashmë të shqyer dhe të manipuluar e-albania dhe Postës militante Shqiptare.

    Të gjitha këto u rrëzuan dhe u vendos që për këto qëllime të kontraktohet një postë serioze ndërkombëtare, e cila nuk do sjellë asgjë në postën shqiptare, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Mendoj se me këtë akt merr fund një dhunim masiv I të drejtës Kushtetuese të votimit të qytetarëve shqiptarë të cilët sot janë ndoshta më shumë jashtë vendi se në Shqipëri dhe që shprehte padyshim një reminishencë të qendrimit politik ndaj shqiptarve jashtë vendi të regjimit hoxhist.

    Me këtë akt PDSH si parti e lirive dhe të drejtave te shqiptarve realizoi një premtim dhe objektiv madhor të saj të shpallur publikisht me dhjetra e qindra herë. Po ju rikujtoj këtu se në mënyrën më të përsëritur kam deklaruar ne emër të Partisë Demokratike se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje pa pjesmarrjen e emigracionit dhe diasporës në procesin zgjedhor dhe kjo tashmë është e sanksionuar në Kodin Zgjedhor të vendit. Mendoj se ky është shërbimi më minimal që mund t’i bënim ne miliona shqiptarëve që u larguan nga ky vend, njohjen e të drejtave politike të mohuara në mënyrë antikushtetuese deri sot.

    Vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese kishtë të bënte me herësin. Kjo Gjynaktë ka vendosur që herësi prej 10 mijë votash që duhej thyer për të fituar një vend në Parlament jashtë listës së mbrojtur duhet të ishtë në proporcion në mënyrë që lista të ishte më e hapur. Po theksoj këtu Gjykata nuk vendosi heqjen e herësit, por të themi zvogëlimin dhe zbutjen e tij. Partia Socialiste propozoi që herësi të zbritej në 7 mijë vota kurse PD kërkoi heqjen fare të herësit, duke bërë kështu që vendet në listën e hapur të fitohen nga deputetët që kanë marrë nga qoftë edhe një votë më shumë se sa tjetri që renditet në listë para tij. Mendoj se ky akt është një hap I ri drejt hapjes. Në rast se në herësin qe ekzistonte më pare u futën gjithsej 3 veta që thyen herësin prej 10 mijë votash, me këtë sistem mundësia për tu future në parlament në këtë garë ekziston për 40 deputete.
    Nuk e mohoj ne kemi qenë për një përqindje më të vogël se 1/3 në listën e mbrojtur por natyrisht Partia Socialiste e cila pranoi heqjen e herësit nuk pranoi zvoglimin e kësaj përqindje në listën e mbrojtur. Sidoqoftë unë duhet të them dy fjalë këtu për spekullimin e tmerrshëm masiv që bëhet: deputetë të partisë-deputetë të popullit. Qesharake! Çdo deputet në listat e partisë është deputet i partisë, përndryshe ai e ka të lirë të jetë deputet i pavarur dhe ne bëm edhe për deputët e pavarur hoqëm pengesat e mëdha që ekzistonin më parë.

    Pra nuk ka deputetë te popullit dhe të partisë, e vërteta është ka deputetë të listave të partisë te vendosur në lista vetëm nga partia. Në përputhje me gjykimin e saj për pozicionin në këtë kontekst ne jemi absolutisht për një përqindje më të vogël, por theksoj se nga 43 vende në të cilat funksionojnë listat e hapura, janë vetëm 3 vende në të cilat listat janë të hapura plotësisht. Në 40 të tjera shkalla e hapjes së listave varion në përqindje të ndryshme. PD duke qendruar plotësisht për hapjen e listave nuk pranon kategorikisht të vendoset në asnjërin ekstrem të hapjes së tyre dhe këtë e konsideron qendrim publik politik të saj. Por theksoj se në qoftë se u futën 3 deputetë me herësin 10 mijë, pa herës shanset janë të futen edhe 43 deputet në Parlament nëpërmjet garës së hapur të listave të hapura.

    Së fundi të dashur qytetarë dhe qytetare, theksoj përsëri se kjo nuk është Reformë Zgjedhore dhe se nuk trajton asnjë nga problemet madhore të zgjedhjeve në Shqipëri si: blerjen e votës, makinerinë elektorale të partisë shtet dhe përdorimin e të gjithë resurseve të saj njerëzore dhe logjistike, financiare për kontrollin e vullnetit të zgjedhësve, përdorimin për këtë qëllim të ushtrisë elektorale të patronazhistëve, manipulimin masiv të listave dhe përdorimin e bandave dhe vrasësve serialë për të diktuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
    Nuk adreson as simetrinë e plotë të institucioneve të procesit electoral, as dhe amnistinë kriminale të krimit elektoral nga ‘Skapi’ I partisë. Kjo reformë zgjedhore vendimtare për rikthimin e votë së lirë kërkon sakrifica, kërkon guxim, kërkon revoltën e çdo qytetari mbasi Edi Rama nuk njeh gjuhë tjetër përveç gjuhës së forcës. Ne nuk do mashtrojmë qytetarët shqiptarë. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka rotacion me votë dhe nuk mund të ketë. Ndaj dhe të bashkojmë forcat të shkojmë drejt qeverise teknike si rruga e vetme për të bërë Reformën e vërtëtë Zgjedhore, garantuar ndryshimin e pushtetit, fitoren e opozitës. O sot, o kurrë!

    Lapsi

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 21-09-2015, 13:05
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-08-2014, 04:48
  3. Topi dekoron kryetaret e komuniteteve fetare për punën në ringjalljen shpirtërore
    Nga brooklyn2007 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 59
    Postimi i Fundit: 29-04-2010, 08:02
  4. Miratohet kodi i ri zgjedhor me 112 vota pro
    Nga ClaY_MorE në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 02-04-2009, 05:08
  5. Sistemi zgjedhor-Kodi i Ri për zgjedhjet
    Nga Shpat Berisha në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-07-2008, 07:38

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •