Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    VOA: Beleri zgjidhet eurodeputet i Greqisë, ndërsa pret në burg vendimin e Apelit në Shqipëri

    Emri:  Capture-64.jpg

Shikime: 974

Madhësia:  14.6 KB

    Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri është në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

    Në përfundim të votimeve të së dielës në Greqi për Parlamentin Europian, ai është renditur i katërti, mes 7 emrave që do të përfaqësojnë partinë e kryeministrit grek. Kjo është hera e dytë që zoti Beleri fiton zgjedhje, duke qenë në gjendje arresti.

    Zoti Beleri ndodhet në burg në Shqipëri, pasi u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet për blerje votash.

    Ai ishte kandidati i opozitës në Himarë, dhe doli fitues me një diferencë të ngushtë votash. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka dënuar atë me dy vjet heqje lirie.

    Zoti Beleri, i cili ka hedhur poshtë akuzat, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Procesi ndaj tij, është shtyrë dy herë për shkak të mungesës së avokatëve të tij, një lëvizje e cila duket se kërkonte të shmangte një vendim të formës së prerë, para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

    Në një reagim pas rezultatit , Fredi Beleri tha përmes një mesazhi nga burgu i Fierit se ”lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes europiane”.

    Legjislacioni shqiptar parashikon se një kryetar bashkie nuk mund të mbajë funksione të tjera dhe nëse Fredi Beleri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit ai duhet të zgjedhë mes postit të eurodeputetit apo kryetarit të Bashkisë së Himarës.

    Por nëse dhe Apeli do të konfirmojë dënimin e tij, atëherë ai praktikisht humbet mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, ku do të duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme.

    Kostituimi i zotit Beleri si eurodeputet do t’i nënshtrohet rregullave të Bashkimit Europian. Sipas rregullores së Parlamentit Europian përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit kryhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj.

    Rregullorja e Parlamentit Europian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe Presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

    Zoti Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.

    Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Europian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare.

    VOA

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    Zgjedhja e Belerit si eurodeputet i Greqisë krijon ngërç politik dhe ligjor

    Zgjedhja si eurodeputet e Fredi Belerit – i burgosur në Shqipëri për korrupsion në zgjedhje, i komplikon më tej llogaritë politike midis Tiranës dhe Athinës.

    Nga Blerina Gjoka dhe Eleni Stamatoukou

    Emri:  beleris-e1692022727313.jpg

Shikime: 950

Madhësia:  13.4 KB
    Fredi Beleri Facebook/Fredi Beleris

    Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg në Shqipëri i dënuar për korrupsion në zgjedhje, u zgjodh të dielën si eurodeputet nga listat e kandidatëve të partisë “Nea Demokracia” në Greqi.

    Partia në pushtet në Athinë fitoi 7 poste në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e mbajtura me 9 qershor. Fredi Beleri u rendit i katërti në listën e Nea Demokracia, pasi siguroi 237,925 vota.

    “Gjatë muajve të aventurës sime, u mbajta i fortë nga besimi im se drita fiton gjithmonë mbi errësirën dhe se fuqia e demokracisë mund të fshijë çdo grusht shteti, për sa kohë që ka vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Ne e bëmë këtë përballje për demokracinë, shtetin ligjor, lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve”, tha Beleri në një deklaratë nga burgu.

    “Lufta u mbajt në kushte të pafavorshme, të paimagjinueshme për një vend [Shqipëri] që dëshiron të bëhet anëtar i familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së grekëve”, shtoi ai.

    Ekspertët e procesit të integrimit evropian janë të ndarë mbi ndikimin që do të ketë zgjedhja e Belerit si eurodeputet në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ata theksojnë se rezultati i zgjedhjeve në PE mund t'i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja në bashkinë Himarë – e cila ka mbetur pa kryetar.

    Ndërkohë, vëzhguesit e marrëdhënieve dypalëshe përtej kufirit shprehen se zgjedhja e Belerit do ti komplikojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.

    “Zgjedhja e Belerit në Parlamentin Europian sigurisht që i ndërlikon gjërat dhe ajo që duket si një levë presioni mund të rezultojë kundër-produktive për politikën e jashtme greke – duke krijuar një zonë të re të nxehtë në fqinjësinë tonë, që mund të mbajë peng minoritetin grek në Shqipëri dhe të shpenzojë kapital joproporcional nga Ministria e Jashtme Greke”, tha për BIRN Konstantinos Tsitselikis, profesor në Universitetin e Maqedonisë në departamentin e Studimeve Ballkanike, Sllave dhe Orientale.

    “Një kurth i vetë-stisur dhe i panevojshëm,” shtoi ai.

    BIRN i dërgoi një kërkesë për koment Parlamentit dhe Komisionit Evropian në lidhje me zgjedhjen e Belerit, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

    Heshtje në Tiranë

    Me etni greke, Beleri kandidoji nën siglën e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 në Shqipëri, por u arrestua dy ditë para votimeve me akuzat për blerje votash dhe asnjë nga shkallët e gjyqësorit nuk e miratuan kërkesën e tij për t'u betuar si kryebashkiak.

    Beleri pretendoi se i gjithë procesi ishte frymëzuar nga Partia Socialiste në pushtet, por pas një procesi me shumë dritë-hije dhe të monitoruar nga BE, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli atë fajtor për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe e dënoi me 2 vjet burg.

    Ai pritet të lërë qelinë në shtator, në rast se gjykata e Apelit nuk e rrëzon këtë vendim.

    Beleri është dënuar më parë për vepra të urrejtjes etnike në Shqipëri në vitin 2002, ndërsa në Greqi në vitin 1995 ishte një nga shtatë personat e arrestuar në kufirin greko-shqiptar në dy automjete në të cilat u gjetën armë, plumba, thika, uniforma ushtarake dhe kapuça.

    Procesi gjyqësor ndaj tij u bë shkak për një krisje të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, pasi kjo e fundit kërcënoi se do të bllokonte bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

    Zgjedhja e tij në Parlamentin Evropian është përcjellë me heshtje në Tiranë.

    Deputetë socialistë që mbajnë detyra në struktura parlamentare për integrimin dhe politikën e jashtme nuk iu përgjigjen pyetjes së BIRN-it nëse zgjedhja e Belerit si eurodeputet do të ndikonte në rrugën e integrimit evropian.

    Ndërsa ekspertët e integrimit ndajnë qëndrime të ndryshme për rëndësinë që ky rast mund të nxisë në sjelljen e Greqisë si vend anëtar apo i PE-së si institucion.

    “Zgjedhja e Belerit ne PE, do të ndikojë në mënyrë indirekte procesin e integrimit të Shqipërisë”, i tha BIRN-it, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania”.

    Sipas tij, “fakti që arriti të marrë një numër të madh votash tregon që elektorati grek është i ndjeshëm ndaj çështjeve të minoritetit në Shqipëri, dhe marrëdhëniet Greqi – Shqipëri do vazhdojnë të jenë pjesë e debatit të brendshëm politik në Greqi”.

    Megjithatë, Gjipali shtoi se në një periudhë afatshkurtër rasti i Belerit mund të ketë dhe efekt pozitiv, në varësi dhe të vendimit të Gjykatës së Apelit, “që mund të sjellë përfundimin e çështjes dhe tejkalimin e ngërçit të vetos greke në këtë faze të procesit të nisjes së negociatave”.

    Ndërsa Gjergj Vurmo, drejtor programesh në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, (IDM) beson se zgjedhja e tij nuk do të ndikojë në procesin e integrimit.

    “Integrimi dhe Parlamenti Evropian janë shumë më të mëdha sesa një deputet”, i tha ai BIRN-it.


    Zgjedhja si eurodeputet, zgjidhje për Himarën?

    Por, përveç ndikimit në procesin e integrimit, rasti i tij krijon gjithashtu një precedent ligjor për drejtimin e Bashkisë Himarë.

    Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, tha se Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka parashikuar raste, kur një zyrtar i zgjedhur në pushtetin vendor zgjidhet po ashtu deputet i PE-së, sidomos i një vendi tjetër.

    “Zoti Beleri nuk ka bërë betimin si kryetar i bashkisë dhe në kushtet aktuale nuk ka ndonjë papajtueshmëri”, tha ai për BIRN, duke shtuar se, mbeten dy zgjidhje, që të respektohet zgjedhja e tij si eurodeputet dhe të bëhen zgjedhje të reja në Himarë, ose vetë Beleri të shfrytëzojë mekanizmat gjyqësorë në Shqipëri dhe t'i hapë rrugë njërës nga dy vendimmarrjet, të shkojë në PE ose të jetë kryetar bashkie.

    Nga ana tjetër, sipas Krasniqit, kriza që solli rasti “Beleri” nxori në pah dy problematika që lidhen me integrimin dhe përfaqësimin vendor dhe të cilat kërkojnë ndryshime të dispozitave ligjore.

    “Së pari, kostoja që e përfshiu Shqipërinë me Greqinë dhe tashmë dhe në Parlamentin Evropian është shumë më e lartë se sa skandali apo çështja për të cilin Beleri si individ akuzohet”, gjë që sipas tij, politika dhe institucionet shqiptaret duhet t'i merrnin këto kosto në konsideratë.

    Së dyti, shton Krasqni, “qytetarët kanë votuar për këtë kandidat nga një forcë e caktuar politike dhe prej një viti jemi në një paradoks të madh të demokracisë, pasi bashkia nuk qeveriset nga persona që i përkasin forcës politike që fitoi zgjedhjet, por qeveria kontrollon drejtimin e kësaj bashkie nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm”.

    Kjo, sipas tij, është një precedent që kërkon parashikime ligjore për të ardhmen.

    Aktualisht bashkia e Himarës është pa kryetar, pasi edhe kryetari që ishte në detyrë, Jorgo Goro, u arrestua për “shpërdorim detyre” disa muaj më parë.

    Ai akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të privatëve, pasuri që aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.

    Po ashtu, disa ditë më parë dha dorëheqjen nënkryetarja e bashkisë Blerina Bala, që i përket PS-së, e cila u komandua si kryetare në detyrë nga Këshilli Bashkiak pas arrestimit të Goros.

    Logjikë evropiane

    Në radiostacionin SKAI 100.3, ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, deklaroi të hënën se Beleri është në mesin e eurodeputetëve të sapo-zgjedhur të Demokracisë së Re, të cilët do të betohen nga datat 16 deri më 19 korrik në Parlamentin Evropian.

    “Mendoj se është një kërkesë absolutisht demokratike, kërkesa e shtetit të së drejtës që eurodeputetët e zgjedhur të kenë mundësinë të bëjnë betimin,” tha Gerapetritis.

    I pyetur nëse qeveria greke mund të kërkojë lirimin e Belerit, ministri nuk ishte i qartë por e inkurajoi Shqipërinë të ndjekë standardet evropiane.

    “Fakti që ai [Beleri] u ndalua përkohësisht dhe aktualisht është dënuar në Shkallë të Parë për këto krime, ngre dyshime serioze për sundimin e ligjit, janë çështje që nuk janë aspak të kënaqshme”, tha Gerapatritis, ndërsa shtoi se pret nga Tirana një vendim që i përmbahet logjikës së integrimit dhe standardeve të BE-së.

    “Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane,” tha ai dhe dheksoi se si rrjedhim ‘duhet të ndjekë edhe rregullat evropiane.”

    “Nuk është e mundur që një eurodeputeti i zgjedhur të refuzohet të marrë detyrën e tij”, përfundoi Gerapetritis.


    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    Beleri për Reuters: Lirimi im, do të ishte vendimi i drejtë

    Emri:  beleri.jpg

Shikime: 938

Madhësia:  19.6 KB

    Fredi Beleri, eurodeputeti i zgjedhur i Greqisë, ka folur për agjencinë e njohur Reuters përpara ditës së premte, kur do të mbahet seanca në apel për dënimin e tij në Shqipëri me akuzat për blerje votash.

    Beleri tha për Reuters se këto akuza janë false dhe të motivuara politikisht.

    “Vendimi i vetëm i drejtë do të ishte lirimi im,” tha Beleri për Reuters në një intervistë telefonike nga burgu.

    “Nuk ka asnjë provë kundër meje. Nuk ka mundësi që vendimi të jetë ndryshe në ndonjë shtet tjetër”.

    Sipas agjencisë Reuters, ‘rasti i Belerit ka acaruar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, fqinjëve ballkanikë, lidhjet e të cilëve shpesh janë acaruar për shkak të dallimeve kulturore dhe historike, si dhe emigrantëve të shumtë shqiptarë në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri’.

    “Shqipëria nuk mund të sillet sikur nuk është shtet evropian,” tha Beleri.

    Beleri tha se pranimi i Shqipërisë në BE ishte në interesin më të mirë të të dy vendeve.

    “As unë dhe, besoj, qeveria greke nuk kemi asnjë qëllim të dëmtojmë anëtarësimin e ndonjë vendi,” tha ai.

    “Por një Shqipëri por që nuk respekton shtetin e së drejtës dhe vullnetin e popullit nuk i përket BE-së”, shtoi ai.

    “Nuk ka njeri që do që Shqipëria të jetë një vend normal europian më shumë se unë”, u shpreh Beleri.

    “Ata që më akuzojnë për përçarje, duhet të kërkojnë përgjigjen te populli i Himares dhe populli grek”.

    Koha Jone

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    "Nuk doja të isha eurodeputet", Mitsotakis për Belerin: Më besoni, ai do jetë në Strasburg

    Emri:  Screenshot 2024-06-28 at 3.19.40 PM.jpg

Shikime: 983

Madhësia:  24.6 KB

    Për Fredi Belerin, angazhimi në politikën greke dhe zgjedhja si eurodeputet i Parlamentit Europian ishte për faktin e vetëm, atë të nxjerrjes në pah të problemeve me drejtësinë shqiptare. Kështu është shprehur Fredi Beleri në një intervistë me telefon nga burgu për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Assosiated Press.

    “Nuk kisha ndërmend të hyja në politikën greke, ishte për shkak të nevojës për të nxjerrë në pah këtë problem të madh. Kushdo që më njeh e di me siguri se do të preferoja të isha kryetar bashkie”, tha Fredi Beleri, kryebashkiak dhe eurodeputet i zgjedhur.

    Fredi Beleri mori një dënim prej dy vitesh burg nga Gjykata e Apelit të Tiranë, por për të, gjyqësori është vetëm një krahë i zgjatur i politikës.

    “E di që zgjedhja ime do të ndihmojë në vënien në qendër të vëmendjes mbi një problem madhor me të cilin përballet Shqipëria, që është shteti i së drejtës. Këtu gjyqësori është krahu i gjatë i politikës. Unë mendoj se këto probleme duhet të vihen në pah, mungesa e respektit për të drejtat e pakicës etnike greke, siç është e drejta e pronës dhe për t'u qeverisur nga njerëzit që ai zgjedh”, shtoi ai.

    Beleri, citon Assosiated Press, i mohon akuzat, duke pretenduar se Rama e kishte vënë në shënjestër për të mbajtur kontrollin e Himarës dhe se gjyqtarët injoruan provat në favor të tij. Zyrtarët shqiptarë hedhin poshtë me forcë pretendimet e tij, duke përmendur pavarësinë e gjyqësorit. Nga ana e tij, Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka vënë në dijeni Partitë Popullore Europiane për rastin Beleri, por jo Bashkimin Europian.

    “Çështjen Beleri e kemi diskutuar në takimin e Partisë Popullore Evropiane dhe e bëmë këtë sepse ishte e pranishme kryetarja e Parlamentit Evropian, znj. Metsola. Shikoni, unë marr si të mirëqenë, që Fredi Beleri do të jetë në Strasburg për të marrë zyrtarisht detyrën e tij si eurodeputet dhe padyshim do të marrë pjesë edhe në votimin jashtëzakonisht vendimtar për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian. Nuk do të them asgjë më shumë, por mendoj se është krejtësisht e arsyeshme dhe e vetëkuptueshme që kjo të ndodhë”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.

    ORA NEWS

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    Fredi Beleri kërkon leje nga Burgjet për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian

    Emri:  -640-0-beleri-1720452225.jpeg

Shikime: 939

Madhësia:  35.9 KB

    Fredi Beleri i ka bërë një kërkesë Drejtorisë së Burgjeve që të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian më datë 15 korrik.

    Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar në PE do të zhvillohet të hënën e ardhshme, ku Beleri kërkon të marrë pjesë në Strasburg si i zgjedhur i partisë Demokracia e Re në Greqi.

    Beleri u zgjodh si eurodeputet pasi ishte në listën e partisë në pushtet në Greqi, duke marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.

    Megjithatë Beleri ndodhet që prej muajit maj të 2023 pas hekurave dhe u dënua me 2 vite për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet lokale të 14 majit.

    Paçka se i fitoi zgjedhjet me disa vota më shumë se Jorgo Goro në Himarë, Beleri nuk e gëzoi mandatin dhe pak ditë më parë KQZ i hoqi mandatin, teksa presidenti Begaj shpallit zgjedhjet e reja në bashkinë jugore.

    Tashmë Beleri kërkon një tjetër të shfrytëzojë një tjetër mundësi për të dalë nga qelia, pikërisht për të qenë në Strasburg në 15 korrik në sesionin e parë të Parlamentit të ri Europian pas zgjedhjeve të qershorit.

    Pritet përgjigja e Drejtorisë së Burgjeve nëse do e lejojë Belerin të shkojë në Parlamentin Europian apo nëse atij do i refuzohet një tjetër kërkesë për të dalë nga qelia.

    ORA NEWS

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    Beleri del nga burgu dhe shkon në Athinë, takon Mitsotakis, kreu i qeverisë helene: Shqipëria t’u përmbahet angazhimeve europiane

    Emri:  beleri-3.jpg

Shikime: 910

Madhësia:  39.6 KB

    Një ditë para betimit në Strasburg si eurodeputet, Fredi Beleri i cili sot doli me leje nga burgu, u takua me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis u takua në Athinë.

    ”Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të vazhdojmë përpara, të shohim përpara’‘,-tha Mitsotakis.

    Nga ana tjetër, Mitsotakis vuri në dukje se ka çdo arsye për të kërkuar një Shqipëri që të përparojë në çështjen e pakicave, që të afrohet më shumë me Evropën, duke iu përmbajtur rreptësisht angazhimeve të saj evropiane.

    Nga ana e tij, Beleri theksoi se Shqipëria nuk respekton shtetin ligjor. Ai i kërkoi Mitsotakis të ndihmojë pakicën kombëtare greke, por ndërkohë theksoi edhe faktin që Shqipëria të afrohet dhe të bëhet anëtar i familjes europiane.



    Koha Jone

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    Drejtoria e Burgjeve miraton lejen për eurodeputetin Fredi Beleri

    Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj tha për BIRN se kërkesa e Fredi Belerit për të marrë leje nga burgu në mënyrë që të mund të betohet si deputet i Parlamentit Europian është miratuar.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  beleris-e1692022727313.jpg

Shikime: 961

Madhësia:  13.4 KB

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi të dielën se ka miratuar kërkesën e eurodeputeti grek të burgosur në Shqipëri për të udhëtuar drejt Strasburgut.

    “Po, është marrë,” tha Zv.Drejtori Sufaj në një përgjigje për BIRN në lidhjen me kërkesën për leje të Belerit.

    Beleri pritet të udhëtojë jashtë Shqipërisë në mënyrë që të betohet më 16 korrik si deputet i Parlamentit Europian, ku u zgjodh si kandidat i ‘Nea Demokratia’ – partia në pushtet në Greqi.

    Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi ndaj tij u konfirmua në Apel. Ai po vuan dënimin me 2 vjet heqje lirie.

    Edhe pse i arrestuar Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë në maj 2023 dhe qe kryetar i zgjedhur i bashkisë deri në korrik 2024, kur pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Poçme të Apelit, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.

    Për shkak të arrestimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak dhe gjykata refuzoi ta lejonte atë të merrte mandatin.

    Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Europian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri.

    Pasi u zgjodh në Parlamentin Europian si eurodeputet nga Greqia, ai u gjet fajtor për blerje votash edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

    Për të marrë mandatin e deputetit të Parlamentit Europian, Beleri duhet të paraqitet në seancën e kryerjes së betimit në 16 korrik në Strasburg dhe për këtë ka kërkuar leje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

    BIRN

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama e futi në burg, grekët e zgjedhin me vota eurodeputet Fredi Belerin

    VIDEO/ U zgjodh eurodeputet i Greqisë, Fredi Beleri: Shqipëria është shtëpia ime, dua të jetoj këtu

    Emri:  gfdsgfdsgfdg.jpg

Shikime: 947

Madhësia:  27.9 KB

    Fredi Beleri u kthye këtë të shtunë pasdite në burgun e Fierit, aty ku do të vuajë muajt e mbetur nga dënimi për korrupsion zgjedhor.

    Kthimi i tij ka ndodhur ne orën 15,30 minuta, ndërsa leja e mbetur i përfundonte në orën 16. I shoqëruar nga Petro Gjikuria, Beleri tha se nuk e përdori imunitetin si eurodeputet.

    “U ktheva se këtu në Shqipëri është shtëpia ime, këtu dua të jetoj dhe jam i bindur për drejtësinë time. Në mos në gjykatat shqiptare, në gjykatat europiane”, tha Beleri.

    Sa i përket zgjedhjeve të Himarës, Beleri u shpreh besimplotë se Gjikuria do ta fitojë garën kundër Vangjel Tavos.

    “Jam shumë i gëzuar që më shoqëroi sot në burg kandidati për bashkinë e Himarës, zoti Petro Gjikuria, një dalë i mirëfilltë nga Himara, që s’ka lidhje me mercenarët që sjell pushteti për të komanduar Himarën. Himara në duart e Petro Gjikurisë do të jetë e sigurt, Himara do të ketë vend në Bruksel, do të ketë vend në Amerikë, do të jetë pjesë e një Shqipërie europiane dhe që këtej e tutje na presin vetëm ditë të mira”, tha ai.

    Sa i përket kërkesës për lirimin me kusht të bërë nga avokatët e tij, Beleri tha se “kërkesa ime është brenda kuadrit ligjor. Drejtësia do të vendosë”.

    Në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian, Fredi Beleri fitoi mandatin e eurodeputetit ku do të përfaqësojë Greqinë në PE. Ai u betua si eurodeputet në Parlamentin Evropian pasi mori leje për 5 ditë më parë nga Drejtoria e Burgjeve, duke udhëtuar drejt Strasburgut. Ndërsa ditën e sotme është kthyer në Shqipëri për të vijuar vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit, pasi akuzohet për blerjen e votave në zonën e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit, 2023.

    Balkanweb

Tema të Ngjashme

  1. Fredi Beleri: Rama më futi në burg se duan të vjedhin tokat e himariotëve
    Nga Neteorm në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 102
    Postimi i Fundit: 23-02-2025, 21:56
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-04-2024, 10:30
  3. Përgjigje: 126
    Postimi i Fundit: 27-07-2015, 18:34
  4. E futi qeveria Rama ne burg per 35 mije leke, vetevritet qytetari
    Nga Meriamun në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 20-01-2015, 15:00
  5. Rama, Berisha e Meta zgjedhin stafet e tyre elektorale
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 29-10-2008, 07:05

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •