Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe dërgohet për verifikim pas akuzave për të shkuar kriminale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të nisë procedurën standarde të verifikimit duke i kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme mbledhjen e informacionit për kryebashkiakun Tonin Marinaj, i cili u akuzua së fundmi nga opozita se ka pasur aktivitet kriminal në të shkuarën në Itali. Marinaj i ka mohuar akuzat.

Nga Anesti Barjamemaj

Emri:  Tonin-Marinaj-Foto.jpg

Shikime: 487

Madhësia:  26.3 KB

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të enjten të kërkojë nga Prokuroria e Përgjithshme verifikimin e pretendimeve të opozitës, e cila thotë se kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një hetim të nisur nga autoritetet italiane kundër tij në vitin 2010.

Komisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se ka vendosur “kryerjen e verifikimit të thelluar për Tonin Zef Marinaj, kryetar në Bashkinë Malësi e Madhe, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm”.

Kryekomisioneri deklaroi se kjo vendimmarje vjen për shkak se dyshohet se Tonin Marinaj nuk ka deklaruar një hetim kundër tij në Itali, në formularin e vetëdeklarimit të dekriminalizimit kur ka garuar në zgjedhjet e vitit 2023.

Bëhet fjalë për “hetimin në kuadër të procedimeve penale nr. 1615/2010, nr. 14109/2010 dhe nr. 15892/2011.10 RGNR mod.21, si dhe giykimin e tij me kërkesën datë 29 mars 2016, nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Firence të Italisë, për kryerjen nga data 23.05.2010 – 23.7.2010, të trafikimit të lëndës narkotike të llojit mariuane”.

Institucionet u vunë në lëvizje nga një kërkesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që pretendon hetimet e sipërpërmendura. Grupi i PD kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme konstatimin e hetimeve dhe më pas shkarkimin e tij. Pas kësaj kërkese organi i akuzës kërkoi nga KQZ nisjen e procedurave për hetimin e thelluar. Tashmë dosja e Tonin Marinaj do të jetë në duart e hetuesve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe nëse vërtetohet se kreu i Bashkisë së Malësisë së Madhe nuk ka deklaruar problemet me ligjin rrezikon humbjen e mandatit. Vetë Marinaj, pas denoncimit të Partisë Demokratike ka mohuar çdo akuzë dhe ka deklaruar se do të vijojë punën për t’u shërbyer banorëve në Malësinë e Madhe.

Marinaj është një biznesmen në Malësinë e Madhe, i cili ka shërbyer si drejtor i burimeve njerëzore në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në një periudhë të shkurtër gjatë viteve 2007 dhe 2008, kohë kur qeveria qendrore kontrollohej nga Partia Demokratike.

Në jetëshkrimin e tij zyrtar, ai deklaron se ka qenë në Partinë Demokristiane të Shqipërisë para se të kalonte në Partinë Socialiste në vitin 2010. Ai u zgjodh kryetar bashkie për aleancën PS-LSI në vitin 2015.

BIRN