Qerbelaja dhe Imam Huseini në Letërsinë Persiane dhe Indo-Muslimane
Annemarie Schimmel
Akoma e kujtoj përshtypjen e thellë që më la poema e parë në persisht që kam lexuar ndonjëherë në lidhje me ngjarjet tragjike të Qerbelasë. Ishte elegjia e Kani-ut e cila fillon me fjalët:
Ç′po kullojnë? Gjak.
Kush? Sytë.
Si? Ditë e natë.
Përse? Nga hidhërimi.
Hidhërim për kë?
Hidhërim për mbretin e Qerbelasë.
Kjo poemë, në stilin e saj mahnitës të pyetjes dhe përgjigjes, përcjell shumëçka nga ngjarjet dramatike dhe ndjenjat që përjeton një musliman i përzotshëm, kur mendon për martirizimin e nipit të dashur të Profetit nga trupat umejjade.
Tema e vuajtjes dhe e martirizimit zë një rol qendror në historinë e fesë që nga kohët më të hershme. Që në mitet e lashtësisë së Lindjes së Afërt, dëgjojmë për heroin e vrarë por vdekja e të cilit ama, garanton ringjalljen e jetës: emrat e Attis-it dhe Osiris-it nga traditat babilonase e egjiptiane përkatësisht janë shembujt më të mirë për mprehtësinë e njerëzve të lashtësisë se pa vdekje nuk mund të ketë vazhdim të jetës, dhe se gjaku i derdhur për një çështje të shenjtë është më i vyer se çdogjë tjetër. Flijimet janë mjet për të arritur stade më të larta e më sublime të jetës; dhënia e një pjese të pasurisë, ose sakrifikimi i pjesëtarëve të familjes ia rrit nivelin fetar njeriut; rrëfimi biblik dhe kur′anor i Abrahamit, i cili kishte besim aq të thellë në Zotin saqë, pa e diskutuar, ishte i gatshëm të flijonte birin e tij të vetëm, tregon rëndësinë e një fliu të tillë. Ikbal-i kishte padyshim të drejtë kur kombinoi, në një poezi të mirënjohur në Bal-i Xhibril (1936), flijimin e Isma′ilit dhe martirizimin e Huseinit, çdonjëri nga të cilët përbën fillimin dhe përfundimin e historisë së Qa′bes.
Duke patur parasysh rëndësinë e flijimit dhe vuajtjes për zhvillimin e njeriut, s′është për t′u çuditur që historia islame i ka kushtuar vend qendror vdekjes në mejdan të nipit të dashur të Profetit, Huseinit, dhe e ka lidhur me këtë ngjarje mbytjen me helm të vëllait të tij të madh, Hasanit. Në letërsinë popullore i ndeshim shpesh edhe Hasanin edhe Huseinin tek paraqiten si pjesëmarrës në betejën e Qerbelasë, çka është historikisht e pasaktë, por psikologjikisht e drejtë.
Nuk është vendi këtu të diskutojmë zhvillimin e një zhanri të tërë si poezija mardhije e tazije në botën persiane dhe indo-persiane, ose në traditën popullore turke. Por është interesante t′u hidhet një vështrim disa vargjeve në traditën lindore islame që shprehin kryesisht shqetësimin e poetëve sunni me fatin e Huseinit, dhe të cilat njëkohësisht i bëjnë jehonë prirjes së sufive për ta shikuar atë si model i vuajtjes që është thelbësore për zhvillimin e shpirtit.
Emri i Huseinit shfaqet disa herë në veprën e të parit poet të madh sufi në Iran, Sana′i-ut (v. 1131). Këtu, emri i heroit të martirizuar mund të shihet shpeshherë në lidhje me trimërinë e vetëmohimin, dhe Sana′i-u e sheh atë si prototipin e shehid-it, më të lartë e më të rëndësishëm se të gjithë shehid-ët e tjerë që janë dhe që kanë qenë në botë:
Feja jote është Huseini yt, lakmia e dëshira janë derrat dhe qenët e tu
Ti e vret atë, të etur, dhe ushqen dy të tjerët. [Divan, f. 655]
Kjo do të thotë që njeriu është zhytur në një gjendje aq të ulët saqë mendon vetëm për qëllimet dhe dëshirat e tij egoiste dhe bën gjithçka për të ledhatuar aspektet materiale të jetës, ndërkohë që feja e tij, ana shpirtërore e jetës së tij, lihet pa ushqim, të fishket, tamam siç u vranë Huseini dhe dëshmorët e Qerbelasë pasi që askush s′kishte denjuar t′u jepte ujë në shkretëtirë. Kjo ide e fuqishme bën jehonë në vargje të tjera, si në Divan ashtu edhe në Hadikat ul-Hakika; por duhet treguar kujdes në lavdërimin e gjatë të Huseinit dhe përshkrimin e Qerbelasë që gjendet në Hadika, pasi mesaduket, ato mungojnë nga dorëshkrimet më të vjetra të veprës, dhe mund të jenë futur diku më vonë. Megjithatë, kjo s′ka të bëjë me diskutimin tonë. Sepse emri i heroit, Huseinit, gjendet në një prej poezive qendrore të Divanit të Sana′i-ut, në të cilën poeti përshkruan në imazhe madhështore zhvillimin e njeriut dhe periudhat e gjata të vuajtjes që kërkohen për rritjen e çdogjëje që aspiron përsosje. Pikërisht këtu ai sheh në ′udhën e fesë′ ata martirë që kishin vdekur dhe që jetojnë, ata të vrarë nga shpata si Huseini, ata të mbytur me helm si Hasani (Divani 485).
Prirja për ta parë Huseinin si modelin e martirizimit dhe të trimërisë vazhdon, sigurisht, në poezinë e shkruar pas Sana′i-ut nga mistikët persianë dhe turq, dhe interes të veçantë përbën një varg në Divan-in e ′Attar-it (nr. 376) ku ai i bën thirrje muridit të vazhdojë e të ecë drejt qëllimit, duke iu drejtuar kështu:
Bëhu ose Husein ose Mensur.
Pra, Husein ibn Mensur el-Hallaxhi, kryemartiri i Islamit mistik, i cili u ekzekutua mizorisht në Bagdad, më 922. Ashtu si i bashkëquajturi i tij, Husein ibn ′Aliu, ai bëhet model për sufiun; ai është dashuruesi vuajtës, dhe në mjaft poema sufiste emri i tij shfaqet përkrah me atë të Huseinit: që të dy ishin të dashuruar në Zotin, të dy e flijuan veten në Rrugën e dashurisë hyjnore, ndaj që të dy janë dashuruesit idealë të Zotit, të cilëve i devotshmi duhet të përpiqet t′u ngjasojë. Ghalib-i aludon me mjeshtëri për këtë kombinim në tewhid kaside-n e tij:
Zoti i ka mbajtur dashuruesit ekstatikë si Huseini dhe Mensuri në vendin e trekëmbëshit dhe litarit, dhe i ka hedhur luftëtarët për fe, si Huseini dhe ′Aliu, në vendin e shpatave dhe heshtave: në shehadet ata gjetën jetën dhe lumturinë e përhershme e u bënë dëshmues të fuqisë së mistershme të Zotit.
Kjo traditë është veçanërisht e fuqishme në botën turke, ku emrat e të dy Huseinëve shfaqen shpesh në këngë sufiste.
Tradita turke, veçanërisht në tarikatin e vonë bektashian i detyrohet thellësisht Islamit shi′i, por duket se që në disa prej këngëve më të hershme popullore sufiste në Turqi, të thurura nga Junus Emre në fund të shek. XIII ose fillim të shek. XIV, nipat e Profetit luanin rol të veçantë. Në një këngë të mrekullueshme nga Junusi, ata përshkruhen si ′burimi i shehidëve′, ′lotët e evlijave′, dhe ′qingjat e nënës Fatime′. Që të dy, si ′mbretërit e tetë xhenneteve′, shihen si ndihmësit që rrijnë në Keuther dhe u shpërndajnë ujë të eturve, një inversion i mahnitshëm i Huseinit që vuan në shkretëtirën pa ujë të Qerbelasë. (Junus Emre Divani, f. 569)
Rrëfimi i mirënjohur - sipas të cilit Profetit iu soll nga Xhibra′ili një xhelabije e kuqe dhe një e gjelbër për nipat e tij, dhe iu tha se këto xhelabije tregonin vdekjet e tyre të ardhshme, përkatësisht nga shpata dhe helmi - përmendet në këngë të hershme turke, sikurse dhe përbën një pjesë qendrore të menakibe-ve popullore sindase, që këndohen ende në Ultësirën Induse. Dhe, në të dyja traditat, janë të ngjashme tregimet se si dy fëmijët ngjiteshin në shpinën e Profetit, dhe se si ai i përkëdhelte ata. Kështu, në këngët e hershme turke, Hasani dhe Huseini shfaqen në figura të ndryshme dhe përgjithësisht të njohura, por për të theksuar rolin e tyre tepër të veçantë, Junus Emre i quan ata ′dy vathët e Arshit Hyjnor′. (Divan, f. 569)
Figuracioni bëhet edhe më i ngjyrshëm në shekujt vijues, kur karakteri shi′i i rendit bektashi u rrit dhe u pasqyrua në shprehje rituale e poetike. Husein ibn ′Aliu është ′sekreti i Zotit′, ′drita e syve të Mustafasë.′ Kështu, Seher Abdal-i (shek. XVI), dhe bashkëkohësi i tij, Hajreti-u, e quan, në një mardhije mahnitëse, ′kurbani i bajramit të xhihadit të madh′. A s′u bë qafa e tij, të cilën Profeti e kishte zakon ta puthte, vendi ku ra kama?
Banorët e qiellit dhe të tokës vërshuan sot në lotë.
Dhe janë ngatërruar si flokët e tu, ja Husein.
Agimi nxjerr gjakun e vet nga pikëllimi për Huseinin, dhe tulipanët e kuq zhyten në gjak e mbartin damkat e hidhërimit të tij në zemrat e tyre... (Ergun, Bektasi sairleri, f. 95).
Tradita turke dhe ajo e gjuhëve rajonale të nënkontinentit indian janë shumë të ngjashme. Le t′i hedhim një shikim zhvillimit të mardhije-s, jo në gjuhët madhore letrare, por përkundrazi në pjesët më të largëta të nënkontinentit, sepse zhvillimi i mardhije-s në urdisht që nga fillimi i saj nga fundi i shek. XVI gjer në kulmimin e saj në veprat e Sauda-së dhe veçanërisht Anis-it e Dabir-it është i mirënjohur. Në provincën e Sindit, që ka një përqindje të konsiderueshme banorësh shi′itë, mardhije-t persiane kompozoheshin, me sa mund të shohim, që nga 1700-a e më pas. Njëfarë ′Alame (1682-1782), dhe Muhammed Mu′in T′haro janë ndër mardhija-gus-ët e parë të përmendur nga historianët, por është veçanërisht Muhammed Muhsin-i, që jetonte në kryeqytetin e vjetër dhe të famshëm të Sindit të Poshtëm, Thatta, me emrin e të cilit lidhet mardhija persiane në Sind.
Gjatë jetës së tij të shkurtër (1709-1750), ai thuri një numër të madh tarxhi′band-esh dhe në veçanti selam-esh, në të cilët mund të shquhen figuracione të mrekullueshme e të fuqishme:
Barka e familjes së Mustafasë është mbytur në gjak;
Reja e zezë e femohimit e ka mbuluar diellin;
Qiriu i Profetit u shua nga puhia e kufasve
Por shumë më interesant se tradita persiane është zhvillimi i mardhije-s në gjuhën sindase e sirakase. Duke qenë se Christopher Shackle i ka kushtuar një artikull të gjatë dhe informues mardhije-s multanije, këtu do të flas vetëm për disa aspekte të mardhije-s në sindisht. Sikurse në shumë fusha të tjera të poezisë sindase, Shah ′Abdu′l-Latif el-Bhiti (1689-1752) është i pari që shprehu ide, të cilat u shtjelluan më vonë nga poetë të tjerë. Në veprën e tij Risalo në hinduisht, ai i kushtoi Sur Kedaro martirizimit të nipit të Profetit, dhe e pa ngjarjen e Qerbelasë të mishëruar në tërë traditën mistike të Islamit. Siç është zakoni, ai fillon në media res, duke i sjellur dëgjuesit e tij në çastin kur nga heronjtë s′erdhi asnjë lajm:
Hëna e Muharremit u pa, ankth për princat e ndje.
Ç′ka ndodhur?
Muharremi është rikthyer, por Imamët nuk kanë ardhur.
O princa të Medines, Zoti na bashkoftë.
Ai mediton për arsyen e heshtjes së tyre dhe e ndjen tragjedinë:
Mir-ët kanë dalur nga Medina, dhe nuk janë kthyer.
Mirëpo pastaj ai kupton se në të vërtetë nuk ka arsye për trishtim apo pikëllim, sepse:
Mundimi i shehadetit, pa dëgjo, është dita e gëzimit.
Jezidi s′e ka asnjë atom nga kjo dashuri.
Vdekja është shi për fëmijët e ′Aliut.
Sepse, nga poetët orientalë në përgjithësi, dhe Shah ′Abdu′l-Latifi në veçanti, shiu shihet si shenjë mëshire hyjnore, rahmeti, dhe në një vend që varet mjaft nga shiu, ky figuracion arrin kuptimin e vet të plotë.
Mundimi i shehadetit është stina e hareshme plot shi.
Jezidi s′e ka asnjë fije nga kjo dashuri.
Vendimi për t′u vrarë qe me Imamët që në përjetësi.
Kjo do të thotë se, që nga përjetësia, Hasani e Huseini kishin vendosur t′i flijonin jetët për idealet e tyre: duke iu përgjigjur thirrjes hyjnore A nuk jam unë Zoti juaj? (Kur′an, 7:171), ata u përgjigjën ′Bela′ (Po), dhe morën përsipër tërë fatkeqësinë (bela) që do të binte mbi ta. Synimi i tyre për t′u bërë model për ata që fitojnë përjetësinë duke vuajtur dhe sakrifica e tyre u bë, siç ua kujton dëgjuesve të tij Shah ′Abdu′l-Latifi, që në fillim të zotimit të qëmotshëm. Pastaj, në kreun vijues, poeti sindas futet në hollësi më konkrete.
Të Përsosurit, sejjidët zemërluanë, kanë ardhur në Qerbela′;
Të prerë me shpata egjiptiane, kanë bërë pirgje me kufoma;
Heronjtë ngatërrohen, tek shohin sulmimin e Mir Huseinit.
Por shpejt ai i kthehet kuptimit të përjetshëm të kësaj beteje dhe vazhdon në frymën e mirë sufiste:
Mundimi i shehadetit është i tëri spitullim (naz).
Të dehurit e kuptojnë sekretin e rastit të Qerbelasë.
Duke e bërë të dashurin e tij të vuajë, i Dashuri hyjnor duket sikur tregon spitullimin e vet, në përpjekje për t′ia sprovuar besimin e dashurinë, e kështu edhe shpalosjet më mizore të betejës në të cilën ′heronjtë e rinj′, siç i quan Shah Latifi, ngatërrohen, janë shenja të dashurisë hyjnore.
Toka dridhet, tundet; qiejt klithin në poterë;
Kjo s′është luftë, por manifestimi i Dashurisë.
Poeti e di se fatkeqësia është dhuratë e veçantë për evlijatë, ′Ata që goditen më shumë me fatkeqësi janë profetët, pastaj evlijatë, pastaj të tjerët ndër grada′, dhe kështu ai vazhdon:
Miku i vret të dashurit, dashnorët theren,
Për evlijatë e zgjedhur ai përgatit vështirësi.
Allahu, i Përjetshmi, i Vetëmjaftueshmi që bën çfarë dëshiron.
Shah ′Abdu′l-Latifi i kushton dy kapituj vetë betejës, dhe bashkimit të Hurrit me luftëtarët ′siç i afrohet një flutur nate qiriut′, d.m.th., i gatshëm të flijohet në luftë. Por nga fundi i poemës aspekti mistik bëhet sërish më mbizotërues; ata që ′luftojnë në rrugën e Zotit′ arrijnë Parajsën, dhe hyritë lidhin gjerdanë trëndafilash për ta, siç u ka hije nuseve të vërteta. Por edhe më tepër:
Xhenneti është vendi i tyre, ngadhënjimtarë kanë shkuar në Parajsë,
Ata janë asgjësuar në Zotin, me Atë janë bërë Ai ...
Heronjtë, që kurrë s′kanë menduar për vete, por vetëm për dashurinë e Zotit që i bën të përballojnë të gjitha vështirësitë, më në fund e kanë arritur pikësynimin: fana′ fi Allah, asgjësimin në Zot dhe qëndrimin në Atë. Shah ′Abdu′l-Latifi e ka shndërruar jetën e Imamëve, dhe veçanërisht të Imam Huseinit, në një model për të gjithë ata sufi që përpiqen, ose në xhihad-i asghar ose në xhihad-i akbar, të arrijnë në asgjësimin përfundimtar në Zot, bashkimin që sufitë e shprehin aq shpesh në figuracionin e dashurisë dhe njësimit dashuror. Dhe padyshim që nuk është e rastësishme që poeti ynë sindas ka zbatuar melodinë husejnije, e cila fillimisht ishte për vajtimet për Huseinin, në ngjarjen e heroinës së tij të preferuar, Sassui, e cila e asgjësoi veten në kërkimin e saj të pareshtur dhe trim për të dashurin, dhe më në fund u shndërrua në të.
Intepretimi i Shah ′Abdu′l-Latifit për fatin e Imam Huseinit si model i dashurisë vuajtëse, e kësisoj si model i rrugës mistike, është një pjesë thellësisht mbresëlënëse letërsie. Asaj s′ia kanë kaluar kurrë, ndonëse pas tij një sërë poetësh nga shi′itët e Sindit thurën elegji për Qerbelanë. Më i famshmi ndër ta është Thabit ′Ali Shahu (1740-1810), specialiteti i të cilit ishte zhanri i suwari-t, poemës që i drejtohet kalorësit Husein, i cili njëherë kishte kalëruar në shpinën e Profetit, e më pas po kalëronte trimërisht në mejdan. Ky zhanër, si dhe format e tij më të njohura, vazhdon në sindisht përgjatë mbarë shekujve të XVIII e XIX, madje edhe në ditët tona (Sachal Sarmast, Bedil Rohriwaro, Mir Hasan, Shah Naser, Mirza Baddhal Beg, Mirza Kalik Beg, sa për t′u përmendur, disa nga të cilët ishin sufi sunni). Tema suwari u shtjellua mrekullisht nga Sangi-u, pra princi talpur ′Abdu′l-Huseini, të cilit sindishtja i detyrohet disa këngë shumë të bukura dhe prekëse për princin e martirëve, dhe i cili thekson fuqishëm aspektet mistike të ngjarjes së Qerbelasë. Huseini këtu vendoset në lidhje me Profetin.
Princi e ka bërë mi′raxhin e tij në tokën e Qerbelasë,
Kali i Shahut ka arritur rangun e Burakut.
Vdekja e sjell Imam Huseinin, i cili po ngiste Dhu′l-Xhenetin e tij, në praninë hyjnore po aq sa ç′e solli Buraku me krahë Profetin në praninë e afërt hyjnore gjatë mi′raxhit të tij kur u ngjit në qiell.
Sangi-u e di gjithashtu, sikurse tërë ata autorë shi′i përpara tij, se të qarit për Imam Huseinin do të shpërblehet me të qeshur në botën tjetër, dhe se meditimi i vërtetë i sekretit të flijimit në dashuri mund ta shpiejë kërkuesin në praninë hyjnore, ku më në fund, siç thotë ai
Dualiteti bëhet i huaj, dhe pastaj arrihet njësimi.
Tema e Huseinit si modeli mistik për të gjithë ata që duan të ndjekin rrugën e dashurisë përvijohet gjerësisht në poezinë e Ultësirës Induse dhe në poezinë popullore të muslimanëve indianë, mendimi i të cilëve përshkohej nga mësimet e sufive, dhe për të cilët, sikurse për sufitë turq e ′Attar-in (dhe një mori të tjerësh), vuajtja e Imam Huseinit dhe ajo e Husein ibn Mensurit, përbën një paradigëm të jetës së mistikut. Por kishte edhe një mënyrë tjetër për ta kuptuar rolin e Huseinit në historinë e popujve dhe është me rëndësi që kjo mënyrë u tregua nga Muhammed Ikbal-i, i cili qe padyshim një poet dhe filosof sunni. Përmendëm në fillim se ishte pikërisht ai që e pa historinë e Qa′bes si të përkufizuar nga këto dy flijime, ajo e Isma′ilit në fillim, dhe Husein ibn ′Aliut në fund (Bal-i Xhibril, f. 92). Por gati njëzet vjet para se të shkruante ato vargje, ai i kishte kushtuar një kapitull të gjatë Huseinit në veprën e tij Rumuz-i bekhudi (ff. 126-). Këtu, Huseini lavdërohet, sërish në fjalorin mistik, si Imami i dashuruesve, djali i virgjëreshës, qiparisi i lirisë në kopshtin e Profetit. Ndërkohë që babai i tij, Hazreti ′Ali, ishte, në interpretimin mistik, b i bismilahit, i biri u identifikua me ′kurbanin e madh′, një përzierje e mrekullueshme e interpretimeve mistike dhe kur′anore. Por Ikbal-i, sikurse paraprirësit e vet, do të aludonte gjithashtu për faktin se Huseini, princi i kombit më të mirë, e përdori shpinën e profetit të fundit si deve për t′u ngarë, dhe më se i mrekullueshëm është përshkrimi nga Ikbal-i i dashurisë xheloze që u nderua përmes këtij gjaku, e cila, përmes figuracionit të saj, kthehet sërish prapa në rrëfimin e martirizimit të Husein ibn Mensur el-Hallaxhit, i cili i fërkoi cungjet e gjakosura të duarve të tij me fytyrën për të mbetur surkh ru, fytyrë-kuqur dhe i nderuar, megjithë vuajtjen e tij.
Për Ikbal-in, pozita e Huseinit në bashkësinë islame është po aq qendrore sa edhe Sureja el-Ihlas (112) e Kur′anit të Shenjtë .
Pastaj ai i kthehet temës së tij të preferuar, tensionit të pandërprerë ndërmjet forcave pozitive dhe negative, ndërmjet profetit e shenjtorit nga njëra anë dhe shtypësit e jobesimtarit nga tjetra. Huseini dhe Jezidi qëndrojnë në të njëjtën linjë si Moisiu dhe Faraoni. Ikbal-i pastaj vazhdon të tregojë se si u nda khilafe-ti nga urdhëresat kur′anore dhe u bë mbretëri e kësaj duniaje me shfaqjen e umejjadëve, dhe pikërisht këtu u shfaq Huseini si reja me shi; përsëri figura e shiut bekues që kontraston përherë në mënyrë aq mbresëlënëse me etjen dhe thatësinë e skenës së vërtetë të Qerbelasë. Ishte gjaku i Huseinit ai që ra mbi shkretëtirën e Qerbelasë dhe la tulipanët e kuq atje.
Lidhja ndërmjet tulipanëve në veshjet e tyre të kuqe dhe veshjeve të gjakosura të shehidëve ka qenë një figurë e preferuar e poezisë persiane së paku që nga shek. XV, dhe kur mendohet për vendin qendror që zë tulipani në mendimin dhe poezinë e Ikbal-it si lulja e manifestimit të zjarrit hyjnor, si simboli i Shkurres që Digjet në Malin Sinai, dhe lulja që simbolizon rritjen e pavarur të personalitetit (khudi) të njeriut nën rrethanat më të vështira. Kur merren së bashku të gjitha aspektet e tulipanit, arrihet të kuptohet përse e paraqet autori Imam Huseinin tek ′mbjell tulipanë në shkretëtirën e Qerbelasë′. Mbase ngjashmëria e tingullimit të la ilah dhe lala (tulipan), si dhe fakti që lala ka të njëjtën vlerë numerike si fjala Allah, d.m.th. 66, mund ta ketë rritur përdorimin e kësaj figure nga Ikbal-i në lidhje me Imamin Husein, gjaku i të cilit ′krijoi lëndinën′, dhe i cili ngriti ndërtesën e ′nuk ka hyjni përveç Allahut.′
Por ndërkohë që poetët e mëparshëm mistikë e theksonin Huseinin si model për mistikun i cili përmes vetëflijimit, më në fund arrin njësimin me Zotin, Ikbal-i, në mënyrë të kuptueshme, thekson një pikë tjetër: ′Ngritja e shpatës është puna e atyre që luftojnë për lavdinë e fesë, dhe për të ruajtur rendin e vendosur nga Zoti.′ ′Gjaku i Huseinit, si të thuash, shkroi komentin e këtyre fjalëve, dhe zgjoi kështu një ummet të fjetur.′
Sërish, paralelja me Husein ibn Mensurin është e dukshme (të paktën me Husein ibn Mensurin siç e interpreton atë Ikbal-i: edhe ai pohon, në Falak-i mushtari në Xhavidname, se ai kish ardhur të sillte ringjallje të vdekurve shpirtërisht, dhe kësisoj duhej të vuante). Por kur Husein ibn ′Aliu ngriti shpatën, shpatën e Allahut, ai derdhi gjakun e atyre që janë të preokupuar me dhe të interesuar në, gjëra të tjera veç Zotit; grafikisht, fjala la, fillimi i shehade-tit, i ngjan formës së një shpate (preferueshëm një shpatë dytehëshe, si Dhu′l-Fikari), dhe kjo shpatë shfaros gjithçka që është objekt adhurimi krahas Zotit. Është ′Jo′-ja profetike ndaj gjithçkaje që mund të shihet përveç Zotit. Duke përdorur shpatën e ′Jo′-së, Huseini, me martirizimin e tij, shkroi shkronjat e ′përveç Zotit′ (il-la′Llah) në shkretëtirë, dhe kështu shkroi titullin e tekstit me të cilin muslimanët gjejnë shpëtim.
Pikërisht nga Huseini, thotë Ikbal-i, i mësuam misteret e Kur′anit, dhe kur lavdia e Sirisë dhe e Bagdadit dhe mrekullitë e Granadës mund të harrohen, telat e instrumentit të muslimanëve kumbojnë prapë me melodinë e Huseinit, dhe besimi mbetet sërish falë thirrjes së tij për lutje.
Huseini kësisoj përmban të gjitha idealet që duhet të ketë një musliman i vërtetë, siç parashtron Ikbal-i në pamjen e tij: trimëri e burrëri, dhe, më shumë se gjithçka tjetër, përkushtimin për njohjen e Unitetit absolut të Zotit, jo në kuptimin e të njësuarit me Atë në fana siç pat kënduar poeti sufi, por si lajmëtari i cili me shehade-tin e tij, me martirizimin e tij, është jo vetëm shehid, martir, por në të njëjtën kohë edhe dëshmues, shehid, për unitetin e Zotit, e kësisoj modeli për të gjithë brezat e muslimanëve.
Është e vërtetë, siç pohon Ikbal-i, se telat e instrumentave të muslimanëve ende kumbojnë me emrin e tij, dhe mund ta mbyllim me vargun e fundit të kreut që i kushtohet atij në Rumuz-i bekhudi:
O zefir, O i dërguar i atyre që janë larg
Silli lotët tanë në pluhrin e tij të kulluar!
Krijoni Kontakt