Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 13
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Skema e ‘mashtrimit’ me kreditë çon guvernatorin Sejko në SPAK

    Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

    Nga Ola Xama

    Emri:  gent-Sejko-1536x1220.jpg

Shikime: 562

Madhësia:  32.3 KB
    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Foto: LSA.

    Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

    Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

    Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

    Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

    Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

    Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

    Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

    Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

    Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

    “Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,” thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

    E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

    “Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

    Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

    “Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi' nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor', sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor' nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale' sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA. [Lexo përgjigjen e plotë]

    Biznesi i kredive të këqija

    Emri:  Fajde-2.jpg

Shikime: 542

Madhësia:  38.3 KB
    Një sasi parash në cash. Foto: Pixabay.

    Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

    Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

    Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

    Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

    Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

    Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

    Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

    Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

    Dyshimet për rolin e guvernatorit

    Emri:  20210730_195001_300721_5_01-1_R7eE0wy.jpg

Shikime: 533

Madhësia:  36.9 KB
    Një punonjës policie duke hapur derën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Foto: LSA

    Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania' për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

    Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

    Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

    “Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

    Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

    E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

    Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

    Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

    Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

    Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

    I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

    Rrjeti i mikrokredive

    Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

    Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

    Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

    Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

    “Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

    Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

    Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

    „..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t'i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

    Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

    “Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai.

    Miliona euro në llogaritë e Ibros

    Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.
    Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Sejko i shmanget përgjegjësisë për skemën e mashtrimit me mikrokreditë

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pretendoi të martën se kishte marrë të gjitha masat që i lejonte ligji në rastin e shoqërisë financiare MCA - të përfshirë në një skemë të dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve, ndërsa prokuroria po e heton për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  PHOTO-2024-05-21-15-03-08.jpg

Shikime: 491

Madhësia:  33.1 KB
    Guvernatori Gent Sejko në Kuvend | Foto: LSA

    Guvernatori Gent Sejko u thirr në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat me kërkesë të deputetëve të opozitës, ku mohoi përgjegjësitë e tij për skandalin e mikrokredive.

    Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore dhe se në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria ‘Micro Credit Albania' si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

    Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerësoi se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë.

    Sejko iu referua disa herë Ministrisë së Drejtësisë dhe sistemit të përmbarimit apo gjykatave, si aktorë të përfshirë në procesin e mbledhjes së detyrimeve për kreditë e këqija, madje edhe prokurorisë se nuk i kishte informacion për dyshimet për “mashtrimin financiar”.

    Guvernatori pretendoi se kishte marrë masa të njëpasnjëshme me synim mbrojtjen e konsumatorit që nga konstatimi i problematikës, por se ajo që po ndodhte me klientët ishte jashtë kompetencave të tij.

    Sipas tij, BSH kishte bërë ekspertizën dhe kishte konstatuar probleme me risk të lartë tek shoqëria Micro Credit Albania (MCA) në vitin 2020, dhe ishin marrë masa rregullatore, si detyrimi i penaliteteve të mos ishte më i madh se 30 për qind e shumës së marrë si kredi.

    Por, ai pranoi MCA nuk i kishte zbatuar masat e lëna dhe BSH dy vite më pas kishte vendosur pezullimin e liçencës.

    “Mos më kërkoni mua llogari për përmbarimin e gjyqësorin”, tha ai, duke shtuar se klientët janë cenuar nga procedurat përmbarimore.

    Sejko tha se masat e tij kishin qenë rregullatore, madje dhe ekstraligjore, siç ishte rasti i masës për kufizimin e penalitetit me 30%, për të cilën iu kërkoi deputetëve që ta sanksiononin në ligj.

    I pyetur se pse nuk kishte ndërmarrë menjëherë masën e revokimit të liçencës, ai tha se “niveli i 4 i rriskut nuk nënkupton revokim të menjëhershëm të liçencës, por plan masash” dhe se kjo gjë do të dëmtonte konsumatorin.

    “Ne vendosëm pezullim të liçencës dhe të mos blinte portofole të reja dhe vumë re që kishte devijanca”, tha Sejko, ndërsa shtoi se kjo masë u mor që të mos i linin klientët në “dorën e përmbaruesve”.

    “Problemi nuk shuhej me revokim të liçencës”, sugjeroi ai.

    Sejko pranoi se situata po ekzaminohet dhe në shoqërinë “Final”, e cila sipas tij duket se ka të njëjtën problematikë, por edhe në këtë shoqëri ashtu si në rastin e MCA klientët ishin tashmë në fazën përmbarimore.

    Ndërsa deputetët e mazhorancës bënë pyetje për të adresuar zgjidhjet ligjore ose për të kuptuar problematikën, deputetë nga opozita e vunë Sejkon përballë akuzave për moskryerjen e detyrës së tij për menaxhimin e situatës.

    Deputeti Agron Shehaj e akuzoi Sejkon se kishte lejuar MCA të vepronte në paligjshmëri duke bërë që të krijoheshin kushtet për një mashtrim financiar në nivele të larta.

    “Në të njëjtin subjekt ju keni përqendruar veprimtarinë e mikrokredisë, blerjen e kredive të këqija, dhe aty pastaj kanë futur dhe përmbaruesin dhe kjo ka krijuar kushtet që të ndodhë ky mashtrim financiar që ka kapur peng 100 mijë qytetarë shqiptarë sot”, iu drejtua ai Sejkos.

    Shehaj e pyeti guvernatorin se pse ai nuk revokoi liçencën menjëherë pasi inspektorët e tij konstatuan se MCA ishte me rrezikshmëri maksimale dhe se aty po kryhej një mashtrim financiar. “Ju e latë edhe 4 vjet që ky aktivitet kriminal të vijonte”, akuzoi ai.

    Por guvernatori i quajti opinione pyetjet e deputetit dhe tha se ai kishte zbatuar të gjitha detyrimet e tij ligjore dhe rregullative.

    “Mashtrim financiar nuk e them dot unë, e thotë prokuroria dhe unë pres të ma thotë prokuroria”, duke iu referuar një shkrese të 2022 me të cilën ai tha se ka kërkuar informacion nga organi hetimor.

    “Kam marrë përgjigje se nuk ka pasur hetim financiar, megjithatë banka ka ndërmarrë masat e saj”, tha ai.

    Në sqarimet e tij Sejko tha se MCA kishte blerë këto kredi të këqija edhe pse nuk kishte liçensë për këtë gjë që në fillim.

    Sipas tij kjo nuk ishte antiligjore.

    “Ishin në treg dhe vepronin në bazë të kodit civil,” tha ai. “Ne rregulluam tregun për ta quajtur produkt kredie që ta kishim brenda regjistrit të kredive”, shtoi Sejko.

    Guvernatori iu referua një shifre 63 mijë për klientët aktualë që janë me kredi të këqija, ndërsa në rastin e MCA ai tha se janë 16 mijë, 90 për qind e të cilëve kanë marrë një vendim gjykate ose janë në proces përmbarimor.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Sejko në Kuvend: Problemet me mbledhjen e kredive të këqija kërkojnë ndryshime ligjore

    Emri:  SEJKO.jpg

Shikime: 515

Madhësia:  39.8 KB

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme.

    Guvernatori Sejko sqaroi se, me ndryshimet rregullative të marsit 2016, blerja e kredisë u konsiderua një formë kredidhënieje. Përmes licencimit, aktiviteti i shitblerjes së kredive, i mbështetur në nenet e sipërpërmendura të Kodit Civil, rregullohet dhe kontrollohet nga Banka e Shqipërisë, duke iu nënshtruar të gjitha detyrimeve mbikëqyrëse, përfshirë: raportimin në Regjistrin e Kredive, raportimet periodike, administrimin e rrezikut nëpërmjet inspektimeve në vend, analizave nga jashtë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme.

    Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë 5 subjekte, të cilët krahas aktivitetit kredidhënës kryejnë paralelisht edhe aktivitetin e blerjes se portofoleve të kredive me probleme.

    “Marrëdhëniet e mëtejshme tregtare midis bankave dhe këtyre institucioneve, në lidhje me shitblerjen e portofolit të kredive me probleme, nuk janë kompetencë e Bankës së Shqipërisë. Ato rregullohen përmes kontratave të lidhura midis palëve nga Kodi Civil. Në vitet që vijuan, zgjerimi i këtij sektori u shoqërua edhe me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullativ. U miratuan kërkesa të reja dhe të përmirësuara për procesin e licencimit dhe provigjionimit të kredive të blera, mbrojtjen e konsumatorit dhe etikën në dhënien e administrimin e kredive në sistem,” tha Sejko.

    Konkretisht, Banka e Shqipërisë kufizoi penalitetet që i ngarkohen kredimarrësit të kredisë konsumatore në masën 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Kjo erdhi si domosdoshmëri, në kushtet kur penalitetet e akumuluara për kreditë me probleme mund të kalojnë disa herë principalin e kredisë. Gjithashtu, u kufizuan normat e interesit të kredisë konsumatore, përmes adoptimit të konceptit të “NEI-t maksimal”, si një kufi i sipërm për normat efektive të interesit. Ky ndryshim synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorit ndaj kostove të larta të kredisë, të shpërndara në interesa, komisione e tarifa.

    Po ashtu, me qëllim sigurimin e transparencës dhe mbrojtjen e klientit, janë përditësuar:

    Rregullorja nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, e cila përcakton kërkesat mbi mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët mbi produktet dhe shërbimet bankare e financiare të ofruara nga subjektet e kësaj rregullore;

    Rregullorja nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatorë dhe kredinë hipotekare”;

    Aktualisht, pas vendosjes së këtyre kufizimeve, niveli mesatar i normës efektive të interesit që aplikohet nga institucionet financiare jobanka (ku përfshihet interesi, komisionet dhe çdo lloj tarife tjetër që aplikohet për kredinë konsumatore), është zvogëluar me 3 herë, krahasimisht me periudhën përpara hyrjes në fuqi të tyre. Ndërkohë, theksojmë që sipas formulës së implementuar, tendenca do të vazhdojë të jetë gjithmonë në zbritje.

    Sipas Guvernatorit, prej momentit të licencimit, të gjitha këto subjekte u janë nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, nga jashtë dhe në vend, ekzaminimeve të plota e të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë.

    “Objekt i mbikëqyrjes është çdo aspekt i veprimtarisë së subjekteve që përfshihet brenda tagreve ligjore dhe kompetencave të Bankës së Shqipërisë, të cilat ushtrohen rregullisht kundrejt çdo subjekti financiar të mbikëqyrur prej saj, bankë dhe jobankë. Konkretisht, subjekti MCA u është nënshtruar, në mënyrë të rregullt, të gjitha inspektimeve të mësipërme nga Banka e Shqipërisë. Për adresimin e mangësive të evidentuara, subjektit iu lanë një numër rekomandimesh për ndjekje. Në vitin 2022, pas konstatimit se rekomandimet nuk ishin zbatuar dhe problematikat nuk ishin adresuar në mënyrë të mjaftueshme, Banka e Shqipërisë përshkallëzoi masat ndaj këtij subjekti duke pezulluar ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies (përfshirë edhe blerjen e kredive të reja), për të cilën ishte licencuar. Në ekzaminimin e fundit (dhjetor 2023), Banka e Shqipërisë mori një masë më të rëndë, e cila ndonëse e klasifikuar si pezullim, e vendoste MCA-në në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës. Kështu, MCA-së iu ndalua të ushtronte veprimtaritë për të cilat ishte licencuar, duke iu lejuar vetëm shitja e portofolit që administronte tek subjekte të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë, si dhe reflektimi i menjëhershëm në ulje të detyrimit, i çdo pagese të kryer nga ana e klientit,” tha ai.

    Sipas tij, pezullimi dhe revokimi i licencës janë masat administrative më të rënda që mund të marrë Banka e Shqipërisë kur konstaton shkelje gjatë ushtrimit të funksionit mbikëqyrës. Pezullimi kufizon veprimtaritë financiare që mund të kryejë subjekti i licencuar, deri në ndreqjen e shkeljeve, apo plotësimin e rekomandimeve. Ndërsa revokimi i ndalon përfundimisht subjektit kryerjen e veprimtarive për të cilat është licencuar.

    “Revokimi i licencës është masa e fundit për një subjekt, pasi kjo masë e nxjerr automatikisht subjektin jashtë juridiksionit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke e rënduar pozicionin e kredimarrësve të tij për disa arsye: Së pari, revokimi nuk i çliron kredimarrësit nga shlyerja e detyrimit të tyre; këto detyrime përbëjnë tituj ekzekutivë dhe, si të tillë, janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, edhe pasi licensa është revokuar. Së dyti, revokimi i licencës ia bën të pamundur Bankës së Shqipërisë trajtimin e ankesave të klientëve ndaj subjekteve, të cilat nuk mbikëqyren më dhe ndaj nuk kanë më detyrim për raportim. Së treti, revokimi ndërpret çdo raportim të këtyre kompanive në Regjistrin e Kredive dhe çdo komunikim të tij me Bankën e Shqipërisë. Edhe në rast të shlyerjes së plotë të detyrimit kundrejt subjektit, statusi i kredimarrësve do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke i vendosur ata padrejtesisht në një status penalizues. Së fundmi, revokimi i licencës krijon pritshmëri të gabuar te kredimarrësit se përmes pushimit të veprimtarisë kredidhënëse të subjektit, shuhet detyrimi për shlyerjen e kredisë. Kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila sjell rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, dhe rivendos në rrezik kursimet e qytetarëve, e rrjedhimisht, stabilitetin financiar të vendit,” tha Guvernatori.

    Sipas tij, për të gjitha këto arsye, pezullimi i licencës dhe përcaktimi i një afati për shitjen e portofolit tek çdo subjekt tjetër i licencuar, ka për qëllim mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat abuzive dhe problematikat e përmendura më sipër.

    Guvernatori tha se kompania MCA ka në portofolin e saj 15.942 klientë kredimarrës. Nga këta, rreth 90 % kanë marrë një vendim gjykate dhe/ose janë në proçes përmbarimor. Kjo do të thotë që për 90% të rasteve ka një vendim gjykate që përcakton vlerën e detyrimit të kredimarrësit. Në total MCA ka blerë portofole me një vlerë prej 9.6 miliardë lekë, nga të cilat është rekuperuar rreth 10% e tij.

    Që nga momenti i licencimit, deri më sot (2016-2024), në Bankën e Shqipërisë janë depozituar dhe janë trajtuar rreth 85 ankesa ndaj këtij subjekti. Këto ankesa, kanë marrë nje vëmendje maksimale nga Banka e Shqipërisë dhe janë trajtuar papërjashtimisht të gjitha, në përputhje dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator të institucionit.

    “Peshën më të madhe brenda këtyre ankimimeve e zënë ato që lidhen me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor. Ky proces përbën një shqetësim edhe për menaxhimin operacional të bankave për shkak të numrit tejet të lartë të urdhrave të sekuestrove që depozitohen çdo ditë nga shërbimi përmbarimor dhe që detyrojnë bllokimin e llogarive të debitorëve në afate të paarsyetuara.

    Mandati i Bankës së Shqipërisë është i përcaktuar qartësisht në ligjin e saj organik i cili, në objektiv të mbrojtjes së stabilitetit financiar të vendit, e sanksionon Bankën e Shqipërise të rregullojë, licencojë dhe mbikëqyrë subjektet pjesë të tregut financiar, vetëm brenda tagrave që i njeh ky ligj.

    Veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve dhe as të monitoroje barrën financiare që krijon ky shërbim mbi qytetarët. Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë.

    Në këtë pikë, theksojmë se autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo të rregullohet prej saj. Banka e Shqiperise nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që MCA ka me subjektet që kontrakton, siç është rasti i shërbimit përmbarimor gjyqësor,” theksoi Guvernatori.

    Sipas pashikimeve të Kodit Civil, të gjitha marrëdhëniet kontraktuale lidhen me vullnet të lirë midis palëve dhe për mosmarrëveshjet që mund të lindin gjatë ekzekutimit të detyrimeve kontraktore, juridiksionin për zgjidhen e tyre e kanë vetëm organet gjyqësore.

    Po ashtu, neni 36 i Kodit të Procedurës Civile, parashikon se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë në shqyrtim një mosmarrëveshje civile, e cila është duke u gjykuar nga gjykata.

    Sipas tij, Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi, ka sugjeruar aksione të bashkërenduara për një përmirësim të qenësishëm të të gjithë këtij procesi. Por, nga vetë natyra e tyre, këto aksione kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.

    “Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:

    Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;

    Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;

    Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;

    Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;

    Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit,” tha Guvernatori.

    Revista Monitor

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Zvarritje dhe zhvatje: Si u zgjerua skandali i mikrokredive pas kallëzimeve në Prokurori

    Edhe pse u kallëzua që në vitin 2020, skandali i mikrokredive u zgjerua dhe u sofistikua nën hundën e institucioneve ligjzbatuese, duke shkaktuar pasoja tejet serioze për mijëra kredimarrës dhe shtyrë drejt vetëvrasjes njërin prej tyre.

    Nga Ola Xama

    Emri:  20240508_234825_080524_4_06-1_diKtQU1-1536x1195.jpg

Shikime: 498

Madhësia:  29.6 KB
    Guvernatori i Bankës se Shqiperisë, Gent Sejko duke folur gjatë një konference për shtyp. | Foto: LSA

    Një ditë para vdekjes së tij tragjike, Pal Trashaj besonte ende te drejtësia.

    Pas denoncimeve të shpeshta publike dhe zyrtare për një skemë mashtrimi me mikrokreditë, 63- vjeçari nga Lezha kapërceu më 2 korrik portën e Prokurorisë së Posaçme në Tiranë në kërkim të një takimi me një oficer të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai kërkonte të dinte se ç'kishte ndodhur me denoncimin e tij.

    Sipas një njoftimi të SPAK, oficeri i informacionit i kërkoi Trashajt që të priste. Por Trashaj nuk u kthye më dhe pak orë më vonë piu fostoksinë në shenjë proteste në oborrin e SPAK – helm që i shkaktoi vdekjen një ditë më pas.

    Kalvari i Trashajt nisi 16 vjet më parë me marrjen e një kredie prej 550 mijë lekësh në institucionin financiar NOA për zgjerimin e sipërmarrjes së tij të vreshtarisë. Por në vitin e katërt të kredisë ai humbi punën dhe u përball me vështirësi për të paguar.

    Në një letër dërguar NOA-s në nëntor të vitit 2011 të cilën BIRN e disponon, Trashaj kërkonte dëshpërimisht shtyrjen e pagesës së këstit për shkak se ishte i papunë dhe kishte tre fëmijë në universitet.

    “Më duhet të paguaj masterin 65 mijë lekë të njërit prej fëmijëve, ndaj kërkoj shtyrjen e këstit për në datat 7-10 dhjetor,” thuhet në letër.

    Edhe pse besonte se e kishte shlyer kredinë, Trashaj rezultoi sërish debitor në vitin 2018 për një vlerë minimale prej 47 mijë lekësh bashkë me kamatë-vonesat. Në vitin 2018, kredia e tij u ble nga Micro Credit Albania dhe vlera e saj gati u dhjetëfishua në 450 mijë lekë.

    Gledis Trashaj deklaroi për mediat pas vdekjes së të atit se ata ishin përndjekur për vite me radhë, duke iu bllokuar llogaritë e pagave, shtëpia dhe makina.

    “Babai im po kërkonte drejtësi për padrejtësitë që i janë bërë, sepse e kishte paguar kredinë. Ka qenë njeri parimor dhe ka shkuar në SPAK duke patur shpresë se do të marrë drejtësi,” tha Gledis Trashaj i revoltuar.

    MCA tha në një deklaratë publike se sekuestrot mbi të ndjerin Trashaj ishin hequr në janar 2023 dhe se shoqëria “nuk ka tejkaluar në asnjë moment kompetencat e saj”.

    Megjithatë, drejtësia vonoi të vinte për Pal Trashajn dhe mijëra qytetarë të tjerë që po kalojnë të njëjtin kalvar.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një korrespondence mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Ministrave tregojnë se pavarësisht se skandali me mikrokreditë u zbulua dhe u denoncua të paktën që nga viti 2020, skema jo vetëm që nuk u bllokua, por u zgjerua dhe sofistikua, duke rënduar edhe më shumë pozitat e mijëra viktimave nga çdo cep i Shqipërisë.

    Të dhënat tregojnë gjithashtu se ndërsa një sërë institucionesh bënë një sy qorr në pritje të rezultatit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme dhe ajo e Tiranës u përfshinë një një konflikt kompetencash – çka solli zvarritje të procedimeve dhe arrestime të pjesshme të personave të përfshirë vetëm katër vite më pas.

    Në të njëjtën kohë, mijëra urdhra të reja sekuestroje u ekzekutuan nga një grup përmbaruesish privatë në dëm të qytetarëve kredimarrës.

    Më 23 maj, Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhër arreste ndaj 9 personave të përfshirë në skemën e abuzimit me mikrokreditë, në qendër të së cilave gjenden institucionet financiare Micro Credit Albania dhe Final, zyra ligjore ADCA dhe disa shërbime përmbarimore. Një hetim i dytë iu dërgua për kompetencë Prokurorisë së Posaçme për shkak se vlerësohet se përgjegjësitë shtrihen deri te guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

    Sipas vlerësimit të Ministrisë së Drejtësisë në qershor të këtij viti, “situata paraqitet tejet serioze dhe kërkon adresim të menjëhershëm në të gjitha instancat ligjzbatuese që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit”.

    E pyetur nga BIRN për vonesën e hetimeve, Prokuroria e Tiranës tha përmes një zëdhënëseje se përveç çështjes së kompetencës me SPAK, materialet ishin voluminoze dhe përfshinin një numër të stërmadh prej 17 mijë subjektesh.

    “…Për kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse është dashur një kohë e konsiderueshme për verifikimin e të gjitha fakteve,” tha Prokuroria e Tiranës.

    Ndërkohë, përgjigja e SPAK ishte më diskrete.

    “Procedimi penal për të cilin kërkoni informacion ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, për këtë arsye nuk mund të ndajmë asnjë informacion me mediat,” tha zëdhënësja e SPAK.

    Mijëra urdhra sekuestrosh

    Emri:  Ulsi-Manja-mbledhja.jpg

Shikime: 506

Madhësia:  20.8 KB
    Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën. Foto: LSA.

    Kompania Micro Credit Albania u bë simboli i një tregu spekulant të shit-blerjes së kredive të këqija përgjatë dekadës së fundit në Shqipëri, në bashkëpunim edhe me zyra ligjore apo një grup zyrash private të përmbarimit gjyqësor.

    Ajo akuzohet se përdori shtrëngimin përmes bllokimit të pronave për të detyruar debitorët e falimentuar që të merrnin kredi të reja po te e njëjta kompani për të shlyer të vjetrën, duke krijuar një zinxhir zhvatës.

    Sipas një kallëzimi të ri penal të Ministrisë së Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës që mban datën 31 maj 2024, hetimet ndaj kësaj skeme masive të abuzimit ishin të vonuara, të pamjaftueshme dhe lanë jashtë një grup përmbaruesish gjyqësorë, të cilët vazhduan praktikat e bllokimit të pasurive edhe disa vite pas nisjes së hetimeve.

    Në letrën drejtuar Prokurorisë së Tiranës, ministri Ulsi Manja kujton se edhe pse paraardhësja e saj në detyrë, Etilda Gjonaj e ka kallëzuar skemën që në vitin 2020, abuzimet jo vetëm që nuk u ndalën, por u sofistikuan edhe më tej.

    “Rezulton se tashmë, personat e kallëzuar që në vitin 2020, në vlerësimin tonë kanë vijuar dhe përsosur aktivitetin e tyre, në mënyrë edhe më të organizuar, duke përfshirë të tjerë më pas, e duke sjellë dëme në masë të gjerë për qytetarët dhe shoqërinë,” shkruhet në kallëzim.

    Ministri i Drejtësisë kërkon që prokuroria të hedhë dritë mbi aktivitetin e 14 personave të tjerë, 4 subjekteve tregtare dhe 2 kompanive në fushën e ndërtimit, të cilët dyshohet gjithashtu se janë përfshirë në skemën e abuzimit edhe pse çështja po hetohej nga Prokuroria.

    Mes provave të dorëzuara rezultojnë disa shkresa të bankës Raiffesen, e cila kishte evidentuar mijëra procedura përmbarimore të kryera brenda një periudhe të shkurtër në vitin 2023 nga disa përmbarues, që vlerësohet se ishin fizikisht të pamundura të bëheshin nga një person i vetëm.

    Sipas kallëzimit, 11.336 urdhra për vendosjen e sekuestrove përmbajnë vulën e përmbaruesit Fatos Alimadhi, ndërsa 1904 urdhra të tjerë përmbarimorë vulën e Lefter Canajt – të gjitha për llogari të MCA-së.

    Kallëzimi evidenton gjithashtu se ministri i Drejtësisë u kishte hequr licencën këtyre përmbaruesve 1 vit më parë, por asnjëri prej tyre nuk kishte bërë dorëzimin e akteve dhe vulave “duke iu shmangur në mënyrë abuzive detyrimit ligjor”.

    Sipas hetimit administrativ të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë vitit 2023 janë zhvilluar në total 1966 ankande publike për të shitur pronat e bllokuara të qytetarëve, të gjitha të kryera nga zyra e përmbarimit privat “TDR Group” përmes përmbaruesit Rigels Bejko, procedura që dyshohet të jenë bërë nga punonjësit e MCA dhe ADCA.

    “Dyshohet se pas shpalljes së ankandeve për shitjen e pasurive të paluajtshme, këto pasuri të nxjerra në ankande ku pala debitore nuk kishte dijeni për zhvillimin e tyre, me një vlerësim të dyshuar fiktiv të pronës… është propozuar më pas marrja në pronësi të kreditorit MCA ose Final kundrejt një vlere të papërfillshme monetare dhe mbi të gjitha për vlera detyrimesh të pretenduara,” thuhet në kallzim.

    Në një rast që paraqitet në listën e provave, rezulton një apartament 70 m2 në Tiranë që është vendosur nën sekuestro për një vlerë detyrimi prej 231 mijë lekësh dhe është nxjerrë në shitje për 390 mijë lekë. Pasi nuk u paraqit asnjë ofertë, apartamenti kaloi në pronësinë e MCA.

    Ministri Manja i kërkon prokurorisë hetimin e shoqërisë përmbarimore ‘TDR Group', noteres që ka bërë nënshkrimet e kontratave të kredive, vlerësuesve të pasurive të patundshme, zyrës ligjore ‘ADCA' dhe administratorit të shoqërisë ‘MCA' dhe atij të ‘TDR'. Në padi sugjerohet të shihen dhe veprimet që përmbaruesi i zyrës ‘TDR Group', Florian Shehu, ka kryer me dy kompanitë e tjera që zotëron në fushën e ndërtimit ‘ABA Enginieering' dhe ‘TREMO 2 ALB', ku ngrihen dyshime për një skemë pastrimi me paratë që përfitoheshin në mënyrë të paligjshme nga mikrokreditë.

    Të pyetur për akuzat, përmbaruesit Rigels Bejko dhe Florian Shehu mohuan çdo keqbërje në komunikime të veçanta me BIRN.

    Bejko tha se ishte hetuar nga Prokuroria e Tiranës për këto pretendime dhe çështja ishte pushuar sipas tij në prill të këtij viti. “Jam hetuar dhe nuk kam rezultuar fajtor. Po të ishin zhvilluar procedurat në shkelje, nuk do të na lejonte askush të bënim afishimin në bashki e gjykata,” tha Bekjo.

    Edhe Shehu pretendoi se aktiviteti i tij kishte qenë i ligjshëm, ndërsa shtoi se ishte larguar nga shoqëria përmbarimore TDR Group, ku kishte qenë më parë i punësuar.

    “Çdo punim civil është kryer me kontrata dhe fatura të rregullta dhe kam patur aktivitet të shkurtër. Sot që flasim, kompanitë janë të pezulluara dhe nuk kanë lidhje me përmbarimin. Çfarë pastrimi parash mund të dyshohet?” pretendoi ai.

    Ministria e Drejtësisë i tha BIRN se ndonëse kishte bërë përpjekje të vazhdueshme, “nuk është bërë ende i mundur dorëzimi i arkivës nga ish-përmbaruesit gjyqësorë, dhe për këtë arsye Zyra e Përmbarimit Shtetëror Tiranë i është drejtuar Prokurorisë Tiranë me kallëzimin për ndjekje penale në datën 5 qershor”, ndërsa për përmbaruesit që kanë ende licencë aktive, ka nisur hetimi disiplinor

    Ping-pongu i hetimeve

    Emri:  Hyrja-e-Prokurorise-se-Tiranes.-Foto_Nensi-Bogdani.jpg

Shikime: 478

Madhësia:  40.8 KB
    Hyrja e Prokurorisë se Tiranës | Foto: Nensi Bogdani/ BIRN

    Prej vitit 2020, në Prokurorinë e Tiranës janë depozituar një seri kallëzimesh penale ndaj Micro Credit Albania dhe kompanive të tjera të lidhura me të, por disa prej çështjeve nuk u filluan apo u dërguan për pushim, ndërsa të tjera u transferuan në prokuroritë e rretheve, u pezulluan ose vijojnë të jenë ende në fazën e hetimeve.

    Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se aktualisht vijon hetimet për 5 procedime penale në lidhje me mikrokreditë, ku një pjesë e tyre është bashkuar me procedime të tjera penale.

    Në serinë e kallëzimeve të depozituara, dy prej çështjeve patën më shumë jetëgjatësi se të tjerat. Njëra derivon nga kallëzimi prej 700 faqesh i Ministrisë së Drejtësisë i depozituar në vitin 2020, i regjistruar si procedimi penal me nr.2123 dhe çështja tjetër është procedimi penal me nr. 9037 e regjistruar në vitin 2022.

    Procedimi penal me nr. 2123 u hetua nga prokurorët Arben Agovi dhe Ndini Tavani, të cilën konstatuan moskompetencë në vitin 2021 dhe e përcollën dosjen për në SPAK. Por Prokuroria e Posaçme nuk ra dakord dhe e ktheu sërish dosjen mbrapsht në Prokurorinë e Tiranës.

    Prokuroria e Tiranës i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për koment se “shpallja e moskompetencës në rastin e procedimit penal nr. 2123 të vitit 2020 është bërë referuar nenit 75/a, gërma a”, i cili parashikon veprat penale që gjykohen nga SPAK, përfshirë edhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.

    Pas rikthimit të dosjes në Prokurorinë e Tiranës, hetimet vazhduan edhe për tre vjet të tjera, derisa prokurorët kërkuan në gjykatë masa arresti për pronaren e MCA, Elda Ibro, pronarin e Final, Arben Meskuti dhe shtatë personave të tjerë të implikuar.

    Edhe procedimi penal me nr.9037 përfundoi në SPAK në prill të vitit 2024, por nuk u kthye më mbrapsht.

    Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetonte përgjegjësi të mundshme të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndalur abuzimet e MCA. Sipas prokurorëve, Sejko ka ndërmarrë masa për bllokimin e pjesshëm të aktivitetit të MCA vetëm dy vjet pasi inspektorët e BSH kishin vërejtur probleme në administrimin e kompanisë.

    Sipas SPAK, referimi për Sejkon ndodhet në fazën paraprake të hetimeve.

    Zvarritja e hetimeve për mashtrimin me mikrokreditë ka vënë në lëvizje dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

    “Informacioni i bërë publik po vlerësohet e trajtohet nga ana e ILD në përputhje me pjesën 5, kreu II, të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,” tha ILD përmes zëdhënëses.

    Në “lojë” edhe bankat

    Emri:  bkt-tirana.jpg

Shikime: 495

Madhësia:  51.2 KB
    Një degë e Bankës Kombëtare Tregtare në Tiranë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

    Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se një nga format më të mëdha të presionit që ushtronin përmbaruesit dhe punonjësit e shoqërive ‘MCA' dhe ‘Final' ishte bllokimi i llogarive bankare, përfshirë atë të pagës, duke cënuar dhe minimumin jetik të kredimarrësve.

    “Qytetarët dyshohet se janë mbajtur peng dhe janë imponuar që përmes llogarive të sekuestruara bankare, sidomos llogarive të pagës, pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme, të shtrëngohen të marrin kredi të re për të ‘ristrukturuar të vjetrën',” thuhet në kallëzimin e ri të ministrit Manja.

    Në skemat e abuzimit që evidenton Ministria e Drejtësisë është bllokimi i çdo prone dhe të ardhure, në mënyrë që të pranohet detyrimi i shumëfishuar nga subjektet e mbledhjes së borxhit. Sekuestro nuk pranohej të hiqej nëse debitori nuk paguante detyrimin e fryrë ose të firmoste kontratë për të marrë kredi të re me interesa të larta.

    Ministria e Drejtësisë vlerëson gjithashtu se problemet me bllokimin jashtë çdo afati të llogarive të klientëve të MCA vijojnë “në shkelje të rëndë të çdo procedure ligjore”. Ministri Ulsi Manja sugjeron të kryhen veprime hetimore mbi dokumentacionin origjinal që gjendet në bankat e nivelit të dytë e sidomos në bankën ‘BKT', se sa llogari bankare dhe depozita janë sekuestruar dhe vazhdojnë të mbahen të tilla nga akte fiktive të përmbaruesve.

    BKT tha në një përgjigje me shkrim që se vepron në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe në përputhje me urdhrat përmbarimorë, urdhrat tatimorë, urdhrat e gjykatës ose çdo urdhër tjetër të lëshuar nga organe të cilat e kanë atë pushtet nga ligji.

    “Sipas ligjit në fuqi, bankat kanë një rol pasiv dhe nuk kanë autoritet për të interpretuar apo vlerësuar legjitimitetin e urdhrave të lëshuar nga autoriteti legjitim që lëshon këto urdhëra. Bankat vendosin sekuestro mbi llogaritë me kërkesë ligjore të përmbaruesit dhe i mban ato deri në ekzekutimin ose urdhrin e heqjes së sekuestros,” tha BKT.

    “Sa herë që ndryshon statusi ligjor i një përmbaruesi, pasardhësi duhet të caktohet nga autoritetet përkatëse,” shtoi Banka.

    Ministri i Drejtësisë kërkon hetime të thelluara për veprat penale të mashtrimit, përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore, shpërdorimit të detyrës, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

    “Shtrirja reale e pasojave që dyshohet se janë shumë të rënda në aspektin social-ekonomik për mijëra qytetarë do të duhet të verifikohet gjatë hetimit penal të kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale të kryer në bashkëpunim, për një kohë relativisht të gjatë,” thuhet në kallëzim.

    Roli i Bankës së Shqipërisë

    Dy subjektet në qendër të skandalit me mikrokreditë, ‘MCA' dhe ‘Final' blenë në total rreth 30 mijë kontrata kredish të këqija me vlera që nuk kalojnë 10% të shumës së detyrimit. Por problemet me mbifaturimet dhe abuzimet me debitorët nisën thuajse menjëherë pasi ato u licencuan nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016.

    Gjithsesi, u deshën me dhjetra ankesa dhe disa vite që Banka e Shqipërisë t'u revokonte atyre licencën. I pyetur për këtë çështje, guvernatori Gent Sejko sqaroi në një seancë dëgjimore në Kuvend se nuk kishte mundësi të vepronte, për sa kohë prokuroria nuk kishte nën akuzë asnjë nga personat e kallëzuar nga Ministria e Drejtësisë.

    “Jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht” njoftoi banka qëndrore pas revokimit të licencave për dy subjektet ‘MCA' dhe ‘Final'. Të dy subjektet kanë kundërshtuar vendimin duke kërkuar vijimin e aktivitetit.

    Prokuroria e Tiranës dyshon se dhënia e të drejtës subjekteve për të mbledhur detyrimet dhe dhënë kredi është bërë në konflikt interesi dhe se aktiviteti për shitjen e kredive nga bankat ka nisur përpara se të ndryshohej rregullorja nga ana e bankës qendrore.

    Në një përgjigje me shkrim Banka e Shqipërisë i tha BIRN se edhe pse i ka revokuar licencat e shoqërive ‘Final' dhe ‘Micro Credit Albania', qytetarët kredimarrës duhet të vazhdojnë të bëjnë pagesa ndaj këtyre kompanive në përputhje me kushtet dhe termat e kontratës përkatëse të lidhur me subjektin, pasi këto detyrime nuk do të jenë subjekt faljeje.

    Në datën 5 Qershor Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jo banka”, në të cilat ndër të tjera parashikohet roli dhe kompetencat e likuidatorit të portofolit të kredive të këtyre kompanive.

    Ne lidhje me rastin e të ndjerit Pal Trashaj, Banka e Shqipërisë shprehu keqardhje dhe shtoi se po grumbullonte informacion për të analizuar rastin.

    “Për këtë rast, tashmë sa sensitiv, por dhe aq kompleks, Banka e Shqipërisë po grumbullon dhe do të analizojë të gjithë informacionin e nevojshëm, ne mënyrë që të sigurohet një situatë sa më e plotë dhe e qartë e çdo hallke të procesit dhe gjithçka ka ndodhur brenda secilës prej tyre,” përfundoi Banka e Shqipërisë.


    BIRN

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    FMN konsideron “thelbësore” mbrojtjen e konsumatorit nga kreditorët abuzivë

    Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi në përfundim të vizitës konsultuese në Tiranë të hënën se mbrojtja e konsumatorëve nga kredidhënësit abuzivë ka rëndësi jo thjeshtë për mbrojtjen e këtyre viktimave por vlen edhe për të ruajtur besimin e publikut të gjerë te sistemi financiar.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  PHOTO-2024-05-21-15-03-08.jpg

Shikime: 521

Madhësia:  33.1 KB
    Guvernatori Gent Sejko në Kuvend | Foto: LSA

    Fondi Monetar Ndërkombëtar theksoi në deklaratën përmbyllëse të vizitës konsultuese në Tiranë të hënën rëndësinë që ka për vendin mbrojtja e konsumatorëve nga kredidhënësit abuzivë.

    “Përpjekjet që po bëhen për të forcuar rregulloren për mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë atë për institucionet financiare jobanka, janë thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar”, thuhet në njoftimin për shtyp, dukshën në referencë të skandalit të mikrokredive të zbuluar nga prokuroria së fundmi, i cili hapi për diskutim publik çështje më të rëndësishme, si, mënyra se si duhet të veprojë autoriteti shtetëror përkundrejt kredidhënësve spekulantë.

    FMN nuk hyri në detaje se si duhet të “forcohet rregullorja për mbrojtjen e konsumatorit”, por theksi që ajo i jep cënimit të besimit të publikut të gjerë nga aktiviteti i një numri kreditorësh spekulantë në ekonominë shqiptare duket se bie ndesh me politikën aktuale të Bankës së Shqipërisë dhe të qeverisë, institucione që deri më sot nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim për fenomenin dhe as nuk kanë denjuar të paralajmërojnë konsumatorët nga rreziqet që bart kreditimi spekulativ.

    Shqipëria ka pasur prej dekadash një sektor të njohur si “mikrokrediti”, në të cilin, institucione jo-banka të licencuara japin kredi në shuma të vogla me interesa të larta. Të njohura në shumë vende si institucione që “ndihmojnë” biznesin e vogël apo fermerët, të cilët, në përgjithësi, shikohen si treg jo interesant për bankat konvencionale, institucione të tilla kanë marrë drejtime të ndryshme, me raste duke u transformuar në banka konvencionale dhe me raste të tjera, duke hyrë në sektorin e kredidhënies spekulative, të njohur nëpër botë si “predatory lending” apo “next day loan”.

    Gjatë viteve të fundit, në treg janë shfaqur disa operatorë të cilët, larg nga të prezantuarit nën platformën e marketingut të mikrokreditit, kanë hyrë në treg në mënyrë agresive duke ofruar kredi pa kurrfarë kontrolli përkundrejt interesave që arrijnë deri në 100 për qind. Ky aktivitet kreditues është lidhur me një aktivitet tjetër spekulant, atë të tregtisë së borxheve të këqija dhe të përmbaruesve privatë të titujve ekzekutivë, gjë që ka krijuar incentiva për zhvillimin e një tregu ku produkti real është krijimi i një kredie të keqe dhe jo kredidhënia dhe arkëtimi i interesave.

    Në mënyrë tipike, kredidhënës të tillë gjejnë qytetarë naivë apo në çaste vështirësish për t’i ofruar kredi, pavarësisht nëse kredimarrësi ka apo jo mundësi reale që ta shlyejë kredinë. Leverdia për një aktivitet të tillë dukshëm është më e madhe nëse kredia nuk shlyhet, duke krijuar kështu një zinxhir zhvatjeje përkundrejt kredimarrësit viktimë. Edhe nëse kredimarrësi viktimë arrin të shlyejë kredinë, ai detyrohet në këto raste të shlyejë tarifa të kushtueshme të përmbarimit gjyqësor bashkë me kredinë.

    Kredidhënësit dhe ekzekutuesit e borxheve të këqija kanë ndjekur në masë praktikën e bllokimit të pronave të patundshme të kreditorëve pa marrë parasysh shumën e kredisë dhe pavarësisht faktit se prona nuk është pjesë e kontratës së kredimarrjes në këtë rast, duke mjegulluar kufirin mes kredisë me kolateral dhe kredisë pa kolateral.

    Ka apo nuk ka shteti përgjegjësi për të mbrojtur konsumatorët nga praktika të tilla është njëra anë e problemit. Pasoja që krijon mungesa e ndërhyrjes shtetërore, qoftë përmes ndalimit të këtyre praktikave, qoftë përmes detyrimit të standardeve të transparencës mbi kredidhënien apo të fushatave të ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet, përbëjnë një problem më të gjerë për atë që FMN, në deklaratën e saj lakonike thotë se është “thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar”.

    Me pak fjalë, ndërsa disa kompani ofrojnë kredi të tilla, besimi i publikut të gjerë te i gjithë sistemi bankar cenohet.

    BIRN

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Historia e Pal Trashajt, njeriut që i dha fund jetës në dyert e SPAK

    Emri:  800-0-af8d6c4722aa863328587e37c1f24afb.jpg

Shikime: 540

Madhësia:  41.0 KB

    Kur trokiti në dyert e SPAK-ut për denoncimin që kishte bërë dy vite më parë, Pal Trashaj e kishte në xhep dozën e fotoksinës. Priti disa orë në oborrin e SPAK me shpresë se nuk do ta merrte helmin, por kur e pa se e kishin përcjellë edhe këtë herë, i dha fund vuajtjeve të tij.

    Gëlltiti helmin dhe u tregoi gazetarëve aty afër se çfarë kishin bërë. Ambulanca e mori për ta çuar në spital, por siç duket ishte vonë. Helmi e kishte bërë të tijën. Nga spitali njoftuan se Pal Trashaj ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

    Historia e Pal Trashajt është ajo e një njeriu që kërkoi drejtësi dhe kur humbi shpresën se do ta gjente, i dha fund jetës. Përballë pati një mekanizëm të fuqishëm që e kishte futur në grackë, atë të mikrokredive.

    Borxhi që i mori jetën

    Kredia fillestare e Pal Trashajt nuk ishte një shumë e papërballueshme. Vlera e saj shkonte rreth 5 milion lekë të vjetra. Por është provuar tashmë se mikrokreditë janë më afër fajdexhinjve, se sa institucioneve moderne financiare. Për fajdexhinjtë, fitimi është më i madh nëse ti nuk i qëndron korrekt marrëveshjes së parë. Vonesat në pagesën e kësteve shoqërohen me kamata që rriten me shpejtësi, duke shumëfishuar interesat. Sa më e gjatë të jetë vonesa, aq më shumë fitojnë mikrokreditë.

    Kjo ndodhi edhe me Pal Trashajn. Në pamundësi për t’i paguar disa këste, kredia e tij u rikonstruktua. Borxhi u rrit me një shpejtësi që Pal Trashaj nuk e kapte dot. Nga 5 milion lekë të vjetra, shkoi në 44 milion lekë.

    Nga aty, institucioni që ia shtoi vlerën e shiti kredinë e tj tek kompania MCA e cila e shtoi akoma më shumë borxhin dhe kur Pal Trashaj nuk paguante dot më, u thirr përmbarimi që i bllokoi pasurinë; shtëpinë, tokën, makinën, pagën e tij dhe të familjarëve.

    Denoncimi në SPAK

    Pal Trashaj pretendonte se i kishte paguar detyrimet e tij. Por se borxhi ishte shtuar në mënyrë që ta vidhte akoma më shumë. Me shpresë se do të gjente zgjidhje iu drejtua prokurorisë. Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij, por u refuzua.

    Dy vite më parë, dosja e tij ishte transferuar për mungesë kompetencash.

    Në reagimin që pati për ngjarjen, SPAK tha se “pas verifikimeve ka rezultuar se (dosja e Pal Trashaj) i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022”.

    Drejtësia nuk e shpëtoi dot nga rrjeta e mikrokredive, por në vitin 2015, Trashaj ishte përpjekur ta zgjidhte vetë. Ai kishte kërcënuar drejtorin e një banke të dytë, por në këtë rast sistemi ishte vënë menjëherë në lëvizje dhe Pal Trashaj me profesion historian, ishte gjobitur nga gjykata e Tiranës.

    Arrestimet e hajdutëve të mikrokredive

    Skema e mikrokredive numëron me mijëra viktima që kanë rënë në të njëjtën grackë si Pal Trashaj, por që janë nënshtruar duke paguar interesat e fryra të mikrokredive. Në muajin maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës vendosi 9 masa sigurie, 5 “arrest në burg” dhe 4 “arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ pasi janë përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

    Prokuroria solli rastin kur Micro Credit Albania, i kishte sekuestruar një personi, 14 pasuri të paluajtshme për rreth 348 mijë lekë detyrim të prapambetur.

    Pesë shoqëritë që u mbyllën, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.3 milionë euro.

    Ata përdornin një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerjeje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

    LAPSI

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Afera e mikrokredive, vetëvritet Olsi Ibro

    Emri:  Screenshot-2024-07-20-101359.jpg

Shikime: 539

Madhësia:  17.9 KB

    Pas skandalit me mikrokreditë, raportohet se ka kryer vetëvrasje, Olsi Ibro. Ky i fundit deri para pak kohësh kontrollonte bashkë me bashkëshorten e tij, Elda Ibro, institucionin e mikrokredive, “Micro Credit Albania”. Ibro i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga pallati.

    NJOFTIMI I POLICISË:

    Tiranë/Informacion paraprak

    Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

    Afera e mikrokredive, ky është vendi ku kreu i MCA i dha fund jetës (FOTO)

    Emri:  640-0-1721466721xpallati-osli-ibro-876.jpg

Shikime: 518

Madhësia:  52.1 KB

    Janë publikuar fotot e pallatit në ndërtim e sipër në rrugën “Ramazan Shijaku”, nga ku u vetëhodh Olsi Ibro, i përfshirë në skandalin e mikrokredive. Deri para pak kohësh ai kontrollonte bashkë me bashkëshorten e tij, Elda Ibro, institucionin e mikrokredive, “Micro Credit Albania”. Ndërkohë një ditë më parë Prokuroria e Tiranës, ka vënë nën sekuestro preventive shoqërinë “Micro Credit Albania” si dhe “Final”. Të dyja këto shoqëri akuzohen për “Mashtrim me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të kryer në bashkëpunim.

    NJOFTIMI I POLICISË:

    Tiranë/Informacion paraprak

    Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

    Emri:  640-0-1721466720xpallati-osli-ibra-113.jpg

Shikime: 513

Madhësia:  44.3 KB

    LAPSI

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Skandali i micro kredive/ Një tjetër vetévrasje në skemën e MCA

    Emri:  InCollage_20240720_172157682.jpg

Shikime: 488

Madhësia:  33.6 KB

    Skandali i micro kredive ka çuar drejt vetëvrasjes një tjetër viktimë e cila këtë herë gjendet në anën tjetër të litarit, jo si kredimarrës, por si kredidhënës. Në fillim të qershorit bëri shumë bujë rasti i Pal Trashajt, i cili i dha fund jetës përpara SPAK-ut duke pirë fotoksinë, pasi një zinxhir i madh borxhesh të shtuara dhe të rënduara i ishin kthyer si lak në fyt, duke ia bërë të pamundur ekzistencën.

    Ndërsa këtë të dielë 45 vjeçari Olsi Ibro, i cili bashkë me të shoqen drejtonte kompaninë Micro Credit Albania, pasi ka pirë lëndë helmuese është hedhur nga një pallat pas stacionit të trentit. Me sa duket pronari i MCA-së nuk e ka duruar dot sekuestrimin e kompanisë për abuzime, presionin e madh publik për “rrjepjen” e padrejtë të kreditorëve të thjeshtë dhe denoncimet e shumta që ishin bërë kunrdjet mënyrës se si ai bënte biznes me kreditë e këqia.

    Dyshohet se pronari i MCA, shoqërisë që u sekuestrua nga Prokuroria e Tiranës në 19 korrik pasi ka parkuar automjetin para pallatit në ndërtim, ku dhe kreu vetëflijimin, ka pirë helmin në makinë, është ngjitur lart dhe është hedhur, duke i dhënë fund jetës.

    Kamerat e sigurisë kanë fokusuar çastet e fundit të jetës së pronarit të MCA, i cili ndërmori aktin e rëndë disa metra larg banesës së tij.

    Një ditë më parë prokuroria e sekuestroi kompaninë MCA për “Mashtrim me pasoja të rënda të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim. Sipas organeve të drejtësisë Micro Credit Albania ka bashkëpunuar dhe me shoqëri të përmbarimit, si dhe me një eksperte vlerësuese, “me qëllim që të shtrëngonin dhe detyronin debitorët, për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat. Disa dhjetra mijëra qytetarë rezultojnë të jenë prekur nga kjo skemë.

    Njëri prej tyre ishte edhe Pal Trashaj i cili në moshën 63 vjeçare i dha fund jetës përpara SPAK-ut. Ai kishte marrë në 2008-ën, një kredi në vlerën e 76 mijë lekëve, pranë një banke të nivelit të dytë. Pas një ndryshimi ligjor që u bë për të lehtësuar bankat që në mesin e viteve 2010 kishin 25% të portofolit të tyre kredi të këqia, ato kredi u lejuan të blehen nga kompani më të vogla, për të shpëtuar sistemin bankar. Kredinë e Pal Trashajt e bleu MCA, e cila me kalimin e viteve kërkonte 4.8 milionë lekë, duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën e tij.

    Prej kësaj historie plasi edhe skandali i Micro kredive, që u bë temë e emisioneve në prime time dhe pjesë e debatit parlamentar ku i kërkohej llogari herë Bankës së Shqipërisë, herë ministrisë së Drejtësisë që nuk kishte kontrolluar përmbaruesit dhe herë parlamentit që nuk kishte nxjerrë ligje për mbrojtjen e shtresave më vulnerabël. Sepse këto të fundit ishin pjesa më e dëmtuar, numri i të cilëve sipas deputetit Agron Shehaj shkon deri në 100 mijë vetë.

    Kundër këtyre kreditorëve që nuk kishin më fuqi paguese kompanitë si MCA kanë “përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj) duke mos i dhënë atyre asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme”, thuhet në noftimin e prokurorisë. Po ashtu “është përdorur presioni psikologjik dhe përndjekja e debitorëve dhe familjarëve të tyre, nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme (dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.

    Kanë qenë këto konstatime dhe trysnia e madhe publike që me sa duket kanë shpënë drejt vetëvrasjes pronarin e MCA-së Olsi Ibro, i cili bëhet viktima e dytë e skandalit të micro kredive pas Pal Trashajt duke dëshmuar se, si pamundësia për të paguar borxhet, po ashtu dhe etja e madhe për para, mund të kenë përfundime fatalisht të njëjta.

    Lapsi

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    “Ne nuk jemi magjistarë”, Sejko ‘lan duart’ me skandalin e mikrokredive

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u përball të enjten në parlament me kërkesë llogarie nga deputetë të opozitës për mungesë reagimi në kohë për të ndaluar krijimin e një skeme të dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  20240718_224419_180724_4_039-4_SBLQDdF-1536x1196.jpg

Shikime: 520

Madhësia:  30.4 KB
    Guvernatori i Bankës së Shqiperisë, Gent Sejko duke folur gjatë një seance parlamentare. | Foto: LSA

    Sejko pranoi se banka qendrore kishte reaguar pasi problemi u rëndua dhe se kjo ishte normale të ndodhte kur përballej me fenomene të reja të panjohura për të cilat institucioni ishte i papërgatitur.

    “Problemi agravohet dhe reagohet “, tha ai duke iu përgjigjur deputetëve dhe shtoi se “ne nuk jemi magjistarë që të parashikojmë se çfarë do të ndodhi…”.

    Gjithsesi, Sejko, tha se institucioni që ai drejtonte i kishte marrë masat në bazë të dispozitave ligjore dhe rregullative, duke iu referuar një raporti të gjetjeve që kjo bankë kishte bërë në dy kompanitë e mikrokredive të licencuara nga BSH për blerjen e kredive të këqija, të cilat janë vendosur në sekuestro të premten nga Prokuroria e Tiranës

    Masat, sipas Sejkos, nisnin me rekomandime për kompanitë Micro Credit Albania dhe Final, dhe më pas pezullim i licencës kur u konstatua që këto rekomandime nuk ishin zbatuar dhe në fund BSH kishte vendosur revokim të licencës kur çështja u bë publike nga hetimet e prokurorisë.

    Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, iu referua dosjes hetimore të Prokurorisë Tiranë duke i drejtuar Sejkos pyetje pse nuk i kishte marrë masat e nevojshme në kohë dhe e akuzoi atë se kishte toleruar me dashje krijimin e skemës së mashtrimit.

    Sejko i cilësoi gjetjet në dosjen e prokurorisë “të gabuara” dhe theksoi se “kishte një keqkuptim të madh për funksionin dhe rolin e BSH-së” duke pretenduar se institucioni që drejton kishte respektuar strikt ligjin dhe rregulloren.

    Ndërsa deputeti Agron Shehaj iu referua raportit të gjetjeve të hartuar nga inspektorët e BSH-së në vitin 2020, ku ka sipas tij të dhëna të mjaftueshme që Guvernatori të ndërhynte në kohë për të ndalur dëmin që iu shkaktua në vitet e ardhshme afro 100 mijë shqiptarëve.

    Duke iu referuar këtij raporti, Shehaj tha se BSH kishte zbuluar se kompanitë MCA dhe Final ngritën një sistem mashtrimi, ku më e rënda ishte ajo e detyrimit të qytetarëve që të nënshkruanin kontrata të reja kredie për të paguar borxhet e mëparshme me kërcënime se do ju merrej shtëpia e paga.

    “Ju e dinit mekanizmin dhe kjo është përgjegjësia juaj. Nuk bëtë asgjë, pritët 2024 për të revokuar licencën, ndërkohë që duhet të kishit ndërhyrë”, iu drejtua ai Sejkos duke e pyetur nëse kishte “sedër të jepte dorëheqje”.

    Në përgjigje, Sejko ripërsëriti edhe njëherë masat e marra nga banka, që sipas tij ishin të kushtëzuara nga ligji dhe rregullorja.

    Guvernatori mori shumë kohë duke shpjeguar se si ishte marrë vendimi për shitjen e kredive të këqija dhe rolin e Fondit Ndërkombëtar Monetar në këtë strategji, e po ashtu sqaroi rolin e kufizuar të BSH-së në gjithë hallkat e mëpasshme për mbledhjen e këtyre borxheve, ku fajësoi dispozitat ligjore që iu jepnin atributet përmbaruesve, etj..

    Ndërsa pyetjet e deputetëve për konflikt interesi për shkak se bashkëshortja e tij rezulton të ketë firmosur shitjen e këtyre kredive të këqija si drejtorëshe e një banke të nivelit të dytë, apo për njohjen e tij me aksionarët e kompanive mashtruese, ai i cilësoi “thashetheme portalesh”.

    “Portalet shkruajnë shumë gjëra të pavërteta për shumë njerëz, jeta është bërë shumë komplekse dhe interesante, dizinformimi është në modë ditën e sotme…” komentoi me ironi Sejko në lidhje me përfshirjen e bashkëshortes.

    Sejko u përpoq të sqaronte në detaje edhe problematikën që lidhej e kredinë 63-vjeçarit të ndjerë Pal Trashaj, i cili i dha fund jetës në dyert e SPAK ndërsa kërkonte drejtësi pas një kalvari të gjatë problemesh me pagesën e kredisë dhe me përmbaruesit për shlyerjen e saj.

    Ai tha se ishte në dijeni të historisë së tij, por se pretendimet e të ndjerit “kanë të bëjnë me vendimin e gjykatës dhe aktivitetin e përmbaruesve”.

    Sejko aludoi se vdekja e tij po përdorej politikisht.

    “Nuk i është marrë pasuria të ndjerit, ka qenë sekuestro preventive. Duhet të jemi të qartë kur shohim përgjegjësitë, më duket pa lidhje të akuzosh guvernatorin në këtë proces”, iu drejtua ai deputetëve opozitarë.

    Pyetjet drejtuar guvernatorit cekën dhe zhvlerësimin e euros dhe për pasojë forcimin e lekut, që sipas tij, ky ishte një fenomen “pozitiv në tërësi për ekonominë”.

    Prezantimi i punës së BSH-së për vitin 2023 u prezantua me nota optimiste nga Sejko, ku vlerësoi masat e marra nga institucioni që drejton për stabilitet financiar dhe ndikim në rritjen ekonomike.

    “Viti 2023 shënoi përmirësimin e pozicionit të huaj të vendit, pasi rënia e defiçitit zbriti në 0.9 % të PBB duke shënuar një minimin historik”- tha ai duke shtuar se “po ashtu borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50% të PBB, ndërsa niveli i rezervave valutore i BSH rezultoi rritje duke përmirësuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur goditjeve të brendshme dhe të huaja”.

    Ai ia adresoi këto shifra qëndrueshmërisë së sistemit privat dhe masave të marra nga banka qendrore.

    BIRN

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Sekuestrimi i 10 mln eurove, përfshirja e 45-vjeçarit që u vetëvra në skandalin e mikrokredive (Detajet)

    Emri:  olsi-ibro.jpg

Shikime: 524

Madhësia:  21.8 KB

    Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me vetëvrasjen e Olsi Ibros në Tiranë, i cili ishte i akuzuar për skandalin e mirkorkredive. 45-vjeçari, sipas gazetarit Igli Çelmetës, nuk kishte asnjë masë nga ana e gjykatës. Ibro rezulton të jetë bashkëshorti i Elda Ibros, që është dhe administratorja e një prej këtyre kompanive financiare të përfshirë në skemën e abuzimit të qytetarëve, por de facto pronari ishte 45-vjeçari.

    Gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”: Elda Ibron, Jorsida Dervishin, Alketa Tanushin e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote.

    VIDEO

    Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbarues nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit.

    Sakaq, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe dërgoi në SPAK dosjen. Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albania).

    (BalkanWeb)

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Prokuroria sekuestron kompanitë e skemës së mikrokredive dhe pronat e tyre

    Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kuotat dhe pasuritë e luajtshme të paluajtshme të shoqërive Micro Credit Albania dhe Final, që akuzohen se zhvatën përmes mashtrimit dhe shantazhit mijëra qytetarë shqiptarë.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  cekici.jpg

Shikime: 528

Madhësia:  22.1 KB
    Foto ilustrative nga gjykata | Foto nga : Flickr/Ssalonso

    Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten më 19 korrik sekuestrimin e kuotave dhe asteve të shoqërive Micro Credit Albania, MCA dhe Final, që akuzohen se zhvatën mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit të kredive të këqija përmes shtrëngimit ose shantazhit, duke u bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme.

    Në njoftim thuhet se nga hetimet ka rezultuar se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperteje vlerësuese kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve, që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

    Prokuroria i akuzon shoqëritë dhe përfaqësuesit e tyre se në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme, si dhe se kanë ushtruar presion psikologjik dhe përndjekur debitorët dhe familjarët e tyre me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.

    Po ashtu, ata akuzohen se kanë mashtruar në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore; se kanë sekuestruar llogari bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik; kanë sekuestruar pronat e paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; si dhe kanë kaluar në pronësi të tyre pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë, në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave.

    Sipas organit të akuzës, të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer se po ristrukturonin të vjetrën apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.

    Si rrjedhojë, shoqëritë MCA dhe Final akuzohen se kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në dhjetra milionë euro. Këto para dhe prona më pas i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

    Prokuroria ka vlerësuar se disponimi i këtyre pasurive nga shoqëritë e mikrokredit mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale. Për këtë arsye konsiderohen si pasuri që duhet të konfiskohen dhe për këtë arsye i janë drejtuar gjykatës për sekuestrimin e tyre, kërkesë që është pranuar me vdnimarrje, e cila dhe është ekzekutuar.

    Më 23 maj, u njoftua prej prokurorisë vendosja në në masë sigurie arrest me burg apo arrest shtëpie i nëntë personave që dyshohet se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.

    Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe ka dërguar në SPAK për hetime të mëtejshme përgjegjësinë e mundshme penale të zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, përfshirë guvernatorin Gent Sejko, i cili dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar abuzimet e MCA. Sipas prokurorëve, Sejko ka dërguar grup inspektimi te MCA në vitin 2020 ndërsa ka ndërmarrë masa për bllokimin e pjesshëm të aktivitetit të saj vetëm dy vjet pasi inspektorët e BSH kishin vërejtur probleme në administrimin e kompanisë.

    Sejko, i cili u thirr për pyetje në parlament në lidhje me këtë çështje, e konsideroi problemin si një çështje ligjore jashtë fuqisë vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë dhe sugjeroi që kuvendi të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbikëqyrur më mirë tregun e përmbaruesve gjyqësorë privat.

    BIRN

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Mikrokreditë, presidenti Begaj letër Kuvendit, drejton gishtin drejt Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë

    Emri:  bajram-begaj-2-1.jpg

Shikime: 445

Madhësia:  33.6 KB

    Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar një letër Kuvendit lidhur skandalin e mikrokrediteve, ku viktima të grabitjes janë bërë një numër i lartë individësh, të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që si rregull janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse. Begaj u komunikoi sot komisioneve parlamentare të ligjeve dhe të ekonomisë gjetjet dhe konstatimet që vijnë pas komunikimit institucional dhe informimit nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë për hapat e ndërmarra prej tyre në përballimin e situatës.

    “Sistemet mbikëqyrëse ligjore ngrihen për të mbrojtur, së pari, këto shtresa. Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë. Këto pretendime përbëjnë shqetësim të vërtetë dhe kërkojnë përgënjeshtrim bindës nga të gjitha institucionet kompetente. Unë kam ndjekur me vëmendje dhe e mbështes procedimin penal që ka nisur dhe po zbardh rolin e aktorëve të përfshirë dhe gjithë mekanizimin kriminal, por nuk mund të qëndroj pa konstatuar se përballë kemi një rast flagrant abuzimi, që ka qenë i shtrirë në një kohë relativisht të gjatë dhe, për më tepër, një vepër penale të kryer nga subjekte të cilat kanë qenë, për shkak të funksionit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore (kompanitë e mikrokreditit nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, kurse përmbaruesit privatë nën mbikëqyrjen e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë dhe të Ministrisë së Drejtësisë)”.

    Bashkë me shqetësimin për pasojat e rënda që kjo skemë abuzive ka ngarkuar në shpinën e një numri tejet të lartë qytetarësh, të cilët u përkasin shtresave vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse, Presidenti i Republikës sensibilizon për nevojën për një reagim të fortë, të bashkërenduar dhe efikas të të gjithë strukturave kompetente, për të dominuar jo vetëm këtë skemë abuzimi, por për të siguruar që të tilla ngjarje në të ardhmen të parandalohen në gjenezë.

    ”Ndjeshmëria publike ndaj abuzimit me administrimin e kredive me probleme është shumë e lartë dhe shqetësimi qytetar është legjitim. Çështja do të krijojë qetësi kur publiku të perceptojë se institucionet janë në sintoni të plotë me këtë shqetësim, kanë identifikuar dhe po punojnë për zgjidhjet e duhura. Qytetarët kanë nevojë të kuptojë se shteti dhe institucionet janë me ta dhe kundër abuzuesve. Kjo çështje nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme. Kuvendi është adresa më e saktë dhe më kompetente për t’i dhënë fenomenit zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme. Si President i Republikës, shpreh besimin se mesazhet e përfshira në këtë shkresë kanë për të marrë vëmendjen e duhur institucionale”.

    Emri:  66aa3476e5c2dKomunikimi-i-Presidentit-te-Republikes_page-0001.jpg

Shikime: 463

Madhësia:  40.0 KB

    Emri:  66aa3476e5c2dKomunikimi-i-Presidentit-te-Republikes_page-0002.jpg

Shikime: 456

Madhësia:  64.6 KB

    Emri:  66aa3476e5c2dKomunikimi-i-Presidentit-te-Republikes_page-0003.jpg

Shikime: 459

Madhësia:  72.2 KB

    Emri:  66aa3476e5c2dKomunikimi-i-Presidentit-te-Republikes_page-0004.jpg

Shikime: 461

Madhësia:  70.8 KB

    Emri:  66aa3476e5c2dKomunikimi-i-Presidentit-te-Republikes_page-0005.jpg

Shikime: 467

Madhësia:  74.7 KB

    Emri:  66aa3476e5c2dKomunikimi-i-Presidentit-te-Republikes_page-0006.jpg

Shikime: 464

Madhësia:  53.7 KB


    Koha Jone

  13. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,772
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nën hetim nga SPAK për mashtrime me kreditë

    Skandali i mikrokredive, Sejko i përgjigjet Presidentit: Kemi zbatuar detyrat

    Emri:  saeryuuuii.jpg

Shikime: 405

Madhësia:  28.7 KB

    Banka e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me letrën e Presidentit Bajram Begaj drejtuar Kuvendit, për skandalin e mikrokredive, ku thuhej se Banka e Shqipërisë nuk ka marrë masa për ta parandaluar.

    Përmes një deklaratë, Guvernatori Sejko ka shpjeguar planin për reduktimin e kredive të këqija që u miratua në vitin 2015 bashkë me qeverinë, ku detyrë e Bankës Qendrore ishte licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen e kredive me probleme.

    Ky aktivitet kryhej nga disa subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat përveç kredidhënies, mund të blinin portofole të kredive me probleme, pasi licenca që gëzonin nuk e pengonte këtë transaksion.

    Prej asaj kohe Banka ka marrë raportimet periodike, bashkë me ankesat, dhe bazuar mbi to ka marrë vendimet përkatëse.

    Deklaratë për shtyp e Bankës së Shqipërisë:

    Me vlerësimin maksimal për shqetësimin e Presidentit të Republikës dhe me përgjegjshmërinë për të informuar saktë dhe drejt publikun, Banka e Shqipërisë gjen me vend të ritheksojë se:

    Banka e Shqipërisë ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar në vend. Kjo arritje është vlerësuar sistematikisht nga autoritetet më të larta vendase, si dhe është materializuar si në Rezolutat Vjetore të Kuvendit të Shqipërisë, ashtu edhe nga qëndrimet publike të partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Komisioni Evropian etj.

    Me masat dhe veprimet tona ndër vite, ne kemi kontribuar që Shqipëria të përballojë me sukses pasojat e një sërë krizash financiare, kemi mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë, duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike, kemi përmirësuar rrënjësisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve.

    Mandati ligjor i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar të vendit. Në këtë funksion, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për të administruar rrezikun e kredive joperformuese në sistemin bankar, ka qenë dhe mbetet jetike për të ruajtur qëndrueshmërinë e sistemit dhe mbi të gjitha mbrojtjen e depozituesve nga rreziku i humbjes së shumave të depozituara në rast të tronditjes së sistemit bankar dhe financiar, nga risku i moskthimit të kredive të marra prej konsumatorëve apo shoqërive tregtare.

    Për këtë qëllim, në shtator të vitit 2015, u miratua “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”, i cili u nënshkrua nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë, ishte licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen dhe administrimin e kredive me probleme, zgjidhje kjo e cila gjente mbështetje të plotë edhe në parashikimet e Kodit Civil.

    Ky aktivitet kryhej tashmë nga disa subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat përveç kredidhënies, mund të blinin portofole të kredive me probleme, pasi licenca që gëzonin nuk e pengonte këtë transaksion. Sipas përcaktimeve rregullative, aktiviteti i kredidhënies ka përfshirë në çdo moment edhe blerjen e kredive me probleme, ndaj në çdo kohë, çdo subjekt i licencuar nga Banka e Shqipërisë për kredidhënie, mund të blinte edhe portofole të kredive me probleme nga bankat ose jobankat.

    Rregullimi i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016 nuk prekte aspektin licencues të subjekteve të pajisura tashmë me një licencë kredidhënieje, por bënte të mundur që aktiviteti i blerjeve vetëm të kredive me probleme të kornizohej brenda kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë (raportim, mbikëqyrje etj.).

    Në aspektin licencues, ky rregullim solli ndryshim vetëm për institucionet e reja që mund të futeshin në treg, portofoli i të cilave do të përbëhej 100% vetëm nga kredi me probleme.

    Këto ndryshime, krahas faktit që ishin një detyrë e lënë nga “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme” i vitit 2015, erdhi si domosdoshmëri edhe për arsye se:

    kredia është një produkt financiar dhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet detyrimisht drejt subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë;

    është e detyrueshme përmbushja e kërkesave rregullatore për raportimin e të dhënave në Regjistrin e Kredive me qëllim mospenalizimin e qytetarëve për të plotësuar nevojat e tyre për kreditim;

    administrimi i riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë, si dhe raportimet periodike pranë Bankës së Shqipërisë janë të një rëndësie të lartë;

    Banka e Shqipërisë i kushton vëmendje maksimale konsumatorit në drejtim të transparencës, mbrojtjes nga veprimtari abuzive dhe ndërmjetësimit në trajtimin e ankesave të kredimarrësve.

    Pra, Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB. Ky fakt u rikonfirmua nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, në prononcimin e tyre më të fundit zyrtar, të pyetur drejtpërdrejt për këtë çështje, citojmë: “…Është një çështje e njohur publikisht që analizat në kuadër të programit të mbështetur nga FMN në vitet 2015 dhe 2016 identifikuan nivele të larta të kredive me probleme, si një element cenueshmërie për sektorin bankar. Në këtë kontekst, FMN miratoi planin e veprimit të autoriteteve shqiptare të vitit 2015 për të reduktuar kreditë me probleme. Ky plan, mes të tjerash, i dha Bankës së Shqipërisë mandatin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të menaxhimit të kredive me probleme, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre me sistemin bankar. …”.

    Banka e Shqipërisë, në përmbushje të të gjitha kritereve rregullatore dhe respektim të plotë të kërkesave ligjore, mbështetur në analiza të thelluara të riskut, si dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë e bashkëpunimin e institucioneve në vend, licencoi në vijim subjektet të cilat i përmbushnin plotësisht kriteret rregullatore.

    Në vijim, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të veprimtarisë së këtyre shoqërive, Banka e Shqipërisë ka ushtruar me profesionalizëm të plotë funksionin e saj mbikëqyrës, në respektim të detyrimeve ligjore dhe rregullatore. Nga momenti i licencimit, të gjitha këto subjekte iu janë nënshtruar inspektimeve periodike nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht, inspektime të vazhdueshme nga jashtë, ekzaminime të plota dhe atyre të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre.

    Përgjatë gjithë këtij procesi, Banka e Shqipërisë ka marrë sa herë e nevojshme masat e duhura mbikëqyrëse, të cilat, në rastet më të fundit, janë përshkallëzuar deri në revokim të plotë të licencës së subjekteve që gjatë ushtrimit të aktivitetit kishin shkelur detyrimet rregullatore të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.

    Nga ana tjetër, të materializuara në vendimmarrje të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë ndërmarrë edhe një sërë iniciativash institucionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtje të konsumatorit, si:

    kufizimin e masës së penaliteteve të detyruar për t’u paguar nga kredimarrësit në vonesë në jo më shumë se 30% të shumës totale të detyrimit të mbetur të kredisë;

    vendosjen e një kufiri të normës maksimale të interesit;

    heqjen e pagesës së një penaliteti në rast të shlyerjes para afatit të disa prej kategorive të kredisë;

    heqjen e tarifës së marrjes së raportit të kredimarrësit nga Regjistri i Kredive që administrohet nga Banka e Shqipërisë për konsumatorët kredimarrës; etj.

    Ndërkohë, po punohet me asistencën e Bankës Botërore, mbi rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, duke pasur veçanërisht në fokus mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.

    Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka vijuar të shqyrtojë dhe asistojë me seriozitet çdo ankesë në drejtim të subjekteve të mbikëqyrura prej saj. Ajo çka ka dominuar gjatë këtij procesi, është fakti se numri më i madh i ankimimeve të mbërritura në Bankën e Shqipërisë nga klientët e këtyre shoqërive lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky fakt konfirmohet edhe sot, kur një grup pune i dedikuar brenda Bankës se Shqipërisë po trajton ankesat e kredimarrësve të institucioneve financiare, të cilave tashmë u është revokuar licenca.

    Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i është njohur vetëm gjykatës kompetente. Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Gjejmë rastin të ritheksojmë se kontratat e kredive dhe marrëdhëniet apo mosmarrëveshjet mes kreditorëve dhe klientëve janë subjekt ekskluziv i Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile që prevalojnë mbi çdo ligj apo rregullore të Bankës së Shqipërisë dhe si të tilla janë objekt ekskluziv i organeve të drejtësisë.

    Po ashtu, veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qofshin këto të organizuara si shërbim shtetëror apo privat, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë.

    Thënë sa më sipër, dëshirojmë të sigurojmë publikun dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë se Banka e Shqipërisë, në përmbushje të detyrave të saj ligjore, ka ushtruar pandërprerë, me përpikmëri, profesionalizëm, integritet dhe fokus mbrojtjen e konsumatorit, të gjitha funksionet e saj mbikëqyrëse e rregullatore, brenda të gjitha hapësirave atribuuar asaj nga ligjet në fuqi. Funksioni i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe rregullojë atë pjesë të tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke gjetur ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit.

    Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme ndaj problematikave që kanë shoqëruar edhe këtë pjesë të procesit, pavarësisht se përtej juridiksionit të saj. Në funksion të zgjidhjes së tyre, Banka e Shqipërisë vijon të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë si dhe i ka trajtuar në vazhdimësi këto çështje në të gjitha komunikimet me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.

    Konkretisht, kemi pasur komunikime shkresore dhe takime të vazhdueshme. Kemi kërkuar ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës. Kemi kërkuar shkëmbimin e informacionit sa herë prej një institucioni janë konstatuar gjetje të natyrave të ndryshme dhe që e preknin këtë proces. Për më tepër, kemi kërkuar konfirmim zyrtar në mënyrë të vazhdueshme nga organet ligjvënëse mbi hetime/procedime të mundshme të këtyre subjekteve apo aksionerëve/administratorëve të tyre.

    Krahas sa më sipër, Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi, ka sugjeruar veprime të bashkërenduara për një përmirësim të qenësishëm të të gjithë këtij procesi. Nga vetë natyra e tyre, këto veprime kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.

    Konkretisht, ne kemi gjykuar dhe gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:

    Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;

    Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;

    Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;

    Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;

    Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e interesit;

    Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hartimin e një ligji të veçantë për kamatat ligjore për kredinë konsumatore dhe hipotekare.

    Për të gjitha sa më sipër, Banka e Shqipërisë ka ushtruar detyrimin e llogaridhënies në mënyrë të vazhdueshme pranë Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet: sqarimeve të detajuara të dhëna gjatë seancave dëgjimore të thirrura posaçërisht për këtë çështje nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, raportimit periodik të aktivitetit vjetor të Bankës së Shqipërisë pranë këtij Komisioni por dhe në Seanca Plenare, publikimit të Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes, dhënies së informacionit të plotë ndaj të gjitha institucioneve, si dhe përgjigjes së interesimit të mediave kurdoherë është kërkuar dhe është gjykuar e nevojshme.

    Sot, miliona shqiptarë i kanë besuar sistemit bankar e financiar rreth 16 miliardë euro, sistem mbi të cilin Banka e Shqipërisë vigjilon pareshtur, ndaj çdo keqinformim mbi rolin dhe funksionet e Bankës së Shqipërisë rrezikon cenimin e reputacionit të këtij institucioni, i cili ka marrë kurdoherë vlerësime maksimale nga partnerët dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, duke iu referuar sërish deklaratës së fundit zyrtare nga Fondi.

    Monetar Ndërkombëtar, citojmë: “…Gjithashtu, duam të shtojmë se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar…” cenimi i reputacionit përbën një rrezik tepër serioz mbi stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë në vend!

    Në çdo rast, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar dhe do të vijojë të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha organet e drejtësisë, për të sqaruar dhe qartësuar çdo aspekt të rolit të saj. Njëkohësisht, ne mbetemi të hapur të japim të gjithë kontributin, informacionin, e sqarimet e nevojshme duke e konsideruar transparencën dhe llogaridhënien e plotë ndaj të gjitha palëve, e veçanërisht publikut, një element kyç të besueshmërisë së saj dhe tejet të rëndësishëm në përmbushjen e njërit prej mandateve të saj ligjore, atë të stabilitetit financiar të vendit.

    Euronews

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-05-2021, 13:05
  2. Guvernatori i Bankes Shqiptare duhet te sqaroje ç'u be me arin shqiptare.
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 28-05-2016, 16:32
  3. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Fullani shpallet i pafajshëm
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-01-2016, 17:38
  4. A duhet te japi doreheqjen Guvernatori i Bankes se Shqiperise?
    Nga Albo në forumin Votime dhe sondazhe
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 27-09-2014, 03:19
  5. Bedri Hamza, Guvernatori i ri i Bankës Qëndrore të Kosovës
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 14-03-2013, 13:46

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •