Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Akuamarini
    Anëtarësuar
    19-02-2015
    Postime
    2,942

    Zbulime arkeologjike në Durrës: Gjenden objekte ne themelet e shkollës "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"



    Durrës, zbulime arkeologjike/ Gjenden objekte ne themelet e shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Akuamarini
    Anëtarësuar
    19-02-2015
    Postime
    2,942

    Për: Zbulime arkeologjike në Durrës: Gjenden objekte ne themelet e shkollës "Gjergj Kastrioti Skënde




    Arkeologu: Thesaret 2000 vjeçare që u gjetën 7 metra nën dhé të varrosura në Durrës|ABC News Albania

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,058
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zbulime arkeologjike në Durrës: Gjenden objekte ne themelet e shkollës "Gjergj Kastrioti Skënde

    Arkeologët zbulojnë një pishinë të shekullit të parë në Durrës

    Gërmimet në territorin ku ngrihej shkolla “Gjergj Kastrioti” e dëmtuar nga tërmeti, nxorën në pah një pishinë të zbukuruar me mozaikë dhe afreske, që besohet se i përket shekujve 1 e të 2 të erës sonë.

    Nga Gëzim Kabashi

    Emri:  PHOTO-2024-05-09-13-52-00.jpg

Shikime: 38

Madhësia:  67.4 KB
    Zbulrimi arkeologjik në Durrës | Foto: G. Kabashi

    Gërmimet arkeologjike në oborrin e shkollës “Gjergj Kastrioti” të Durrësit, e cila pritet t'i nënshtrohet rindërtimit të plotë, kanë nxjerrë në dritë fragmentet e një pishine me dysheme prej mozaiku, si dhe me faqe anësore të pikturuara me afreske.

    Zbulimet e vazhdueshme në këtë territor i kanë bërë arkeologët mjaft të ndjeshëm për të ardhmen e të gjithë sipërfaqes ku tashmë është zbuluar një vilë rezidenciale, e shekullit të 1-2 të erës sonë.

    “Durrësi i lashtë ka qenë një nga pikat e orientimit të Mesdheut, si për bregdetin Adriatik edhe për prapatokën ilire”, tha për BIRN prof. Luan Përzhita, i cili drejton gjatë kërkimeve aktuale një grup me rreth 20 specialistë, arkeologë, skicografë, ekspertë të mozaikëve e të tjerë.

    Profesor Përzhita tha se në fillim të mijëvjeçarit të parë Durrësi ishte një pikë kontakti për perandorinë Romake. Qyteti jo më kot kishte prerjen e monedhave të veta, apo edhe bankat e veta.

    Me zbulimet e reja specialistët arkeologë janë përqendruar në dy kuadratet e pishinës së sapo zbuluar dhe ku sipërfaqja e përgjithshme pritet të arrijë në 60 metra katrorë.

    Përzhita është entuziast dhe nënvizon se elementet e mozaikëve janë një tregues i fuqisë ekonomike të qytetit, dhe nuk është habi që këto banesa të jenë shfrytëzuar edhe gjatë vizitave nga perandorë romakë.

    Por prof. Luani është i kujdesshëm me parashikimet:

    “Jemi në hapin e parë me pishinën e zbuluar sot. Ajo i ka të gjitha parametrat e një pishine të shtruar me mozaik, që ka ngjyrë pane të alternuar me pikëzime, të cilat krijojnë disa kufizime katrorësh në ngjyrë të errët apo edhe të bardha. Ky duket të jetë edhe një kolorit për periudhën e fillim-mijëvjeçarit”, tha ai.

    Sipas arkeologëve, në faqet anësore të pishinës kemi një element të ri, si afresku, ndërsa thellësia e pishinës ende e pazbuluar plotësisht arrin në 60 cm.

    “Mendoni një pishinë me mozaik dhe me afresk, çka dëshmon për cilësinë e rezidencës, pikërisht atje ku ngrihej godina e shkollës së mesme “Gjjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha Përzhita.

    Në këtë territor para disa muajsh u zbulua edhe një banesë e shtruar me mozaik me motive floreale. Godina e zbuluar dhe pishina e fundit ndodhen vetëm disa qindra metra larg amfiteatrit, dhe duket se niveli i jetesës së Durrësit në atë kohë ishte mjaft i lartë.

    “Amfiteatri ishte një nga burimet më të rëndësishme për ekonominë e Dyrrahut antik dhe zbulimet arkeologjike pranë tij janë një dëshmi e dukshme e jetës së lulëzuar të qytetit”, tha prof. Përzhita.

    Njëlloj si pranë stadiumeve të sotme, edhe atëherë pranë amfiteatrit ngriheshin objekte me qëllim tregtimi, argëtimi apo bujtina. Nga të dhënat e deri tanishme mësohet se qyteti ka jetuar me një nivel të lartë mirëqenieje deri në shekullin e katërt.

    Mozaiku i zbuluar gjatë punimeve në vendin ku ndodhej shkolla “Gjergj Kastrioti” në Durrës dhe me thellësi prej 5-6 metra, mund të jetë më i madhi deri tani në qytetin antik dhe konservimi i tij në të ardhmen mund ti shtojë një vlerë të rëndësishme objekteve arkeologjike të deritanishme.

    Një sit i tillë mund të kthehet në një objekt të vizitueshëm arkeologjik pasi ndodhet shumë afër Muzeut Arkeologjik dhe bulevardit “Taulantia”.

    “Megjithëse kanë kaluar vetëm 10 ditë nga fillimi i punimeve po kuptojmë se kemi të bëjmë me një pasuri të jashtëzakonshme”, tha për BIRN prof. Luan Përzhita.

    Ekspedita në këtë sit do të vijojë për afro dy muaj të tjerë dhe arkeologët shpresojnë të kuptojnë prej saj se çfarë ndodh në nëntokën e sipërfaqes ku u ngrit në vitin 1968 shkolla e mesme e përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

    Godina që u dëmtuar gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019 pritet të rindërtohet, pas monitorimin arkeologjik dhe përfundimeve të paraqitura nga grupi i drejtuar nga profesor Përzhita.


    BIRN

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,058
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zbulime arkeologjike në Durrës: Gjenden objekte ne themelet e shkollës "Gjergj Kastrioti Skënde

    Ekspertët bëjnë thirrje për ruajtjen e zbulimit arkeologjik në Durrës

    Arkeologë dhe historianë shprehen se vila antike e gërmuar rishtazi në gjurmën e shkollës së mesme ‘Gjergj Kastrioti’ duhet të ruhet dhe të behët e vizitueshme në të ardhmen.

    Nga Gëzim Kabashi

    Emri:  IMG_4763-1536x1152.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  73.7 KB
    Gërmimi arkeologjik në Durrës | Foto: Gëzim Kabashi

    Ekspedita arkeologjike në territorin ku ngrihej shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës po i drejtohet përfundimit të saj, ndërsa zbulimi i strukturave të reja vijon sistematikisht.

    E ardhmja e kësaj hapësire prej rreth 1.200 metra katrore ka nisur ti shqetësojë jo vetëm arkeologët që punojnë këtu që prej një muaji, por edhe intelektualë apo qytetarë të tjerë durrsakë.

    Ata shprehen se i gjithë territori mund të kthehet në një park arkeologjik të vizitueshëm, pasi ndodhet thuajse në mes të rrugës nga amfiteatri drejt Muzeut arkeologjik të Durrësit.

    Historiani Dorian Hatibi tha për BIRN se “duhen pritur konkluzionet e arkeologëve dhe nëse strukturat e zbuluara deri tani do të përcaktojnë edhe natyrën e ndërtimit, atëherë përpjekjet për ruajtjen e monumentit duhet të shumëfishohen”.

    Në Durrës fatkeqësisht, dëmtimi i objekteve arkeologjike ka ndodhur jo pak herë, por Hatibi kujton rastin pozitiv të zbulimit të Forumit rrethor bizantin, shumë pranë godinës së Teatrit “Moisiu” dhe termave romake.

    “Ishte fundi i viteve 1980 dhe godina e shkollës së vjetër “10 korriku” u prish për ti hapur rrugë ndërtimit të banesave të reja,” shtoi Dorian Hatibi.

    Disa vite më vonë organizmat qendrore të arkeologjisë dhe bashkia e Durrësit bashkërenduan veprimet për të hapur monumentin e plotë, madje u sakrifikua edhe rruga lidhëse mes dy akseve kryesore të qytetit.

    Aktualisht, Forumi rrethor së bashku me amfiteatrin janë objektet më të vizituara në qytetin antik.

    Ndërkaq në sheshin e hapur nga misioni arkeologjik vazhdon evidentimi i strukturave të reja, të cilat po analizohen nga specialistët.

    Dy hapësira me mozaikë më shumë se 60 metra katrore secila, afresket e pishinës, termat, etj. ia lenë vendin njëra tjetrës.

    Bashkë me përfundimin fillestar se zbulimi ka evidentuar një vilë rezidenciale të shekullit të parë, ka lindur hipoteza paralele për mundësinë e përballjes me një institucion kulti të periudhës antike.

    “Nuk duam të nxitohemi, por po i shqyrtojmë me kujdes të dhënat e deritanishme,” tha për BIRN, prof Luan Përzhita, i cili drejton grupin prej 20 specialistësh dhe studentësh në ekspeditën e Durrësit.

    Ai e vlerëson pozitivisht kthimin e këtij territori në një park të vizitueshëm arkeologjik.

    “Së shpejti do të paraqesim konkluzionet e plota të misionit, çka do të lejojë edhe vendimmarrësit të vendosin për të ardhmen,” tha prof Përzhita.

    Në ballkonin e një prej apartamenteve që e sheh nga sipër punën e ekspeditës, dy bashkëshortë italianë që po e kalojnë pensionin në Durrës janë entuziastë për zbulimet.

    “Është shumë bukur ta ndjekësh nga afër punën e arkeologëve. E ndjejmë veten me fat,” thotë Vanesa. “Uroj që të hapet për publikun, sidomos për të rinjtë dhe për fëmijët”.

    Oborri i shkollës “Gjergj Kastrioti”, e cila u ngrit në vitin 1968, tashmë është nën pushtetin e arkeologëve, por në tabelën e madhe në hyrje janë shkruar të dhënat për ndërtimin e godinës së re, që do të zëvendësojë shkollën e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

    Në kuadër të programit të Bashkimit Europian EU4SCHOLS ngritja e shkollës pritet të realizohet me një financim prej 237 milion lekë.

    Specialisti Mikel Nushi i është bashkuar ekspeditës arkeologjike dhe i vlerëson rezultatet e deritanishme, tw cila sipas tij duhet të njihen nga qytetarët dhe turistët.

    “Kthimi i territorit në një park arkeologjik, do të shtonte një monument të ri e të rëndësishëm në qytetin turistik ,” tha Nushi për BIRN.

    Sipas Nushit shkolla mund të ndërtohet diku tjetër sipas projektit të përcaktuar.

    Disa vite më parë, edhe në vendin ku do të ndërtohej shkolla “Eftali Koçi” po në Durrës, u zbuluan disa objekte arkeologjike. Ato u ruajtën pjesërisht një qoshe të oborrit.

    “Por zbulimi në hapësirën e shkollës “Gjergj Kastrioti” është i një rëndësie të veçantë historike për qytetin 3.000-vjeçar,” tha historiani Dorian Hatibi, duke përfunduar: “Njëlloj si ruajtja e tij.”

    BIRN

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Akuamarini
    Anëtarësuar
    19-02-2015
    Postime
    2,942

    Për: Zbulime arkeologjike në Durrës: Gjenden objekte ne themelet e shkollës "Gjergj Kastrioti Skënde



    Ekskluzive/ Brenda Vilës Ilire, të sapozbuluar në Durrës

    Kjo është Vila Ilire e sapozbuluar në Durrës, duke sjellë një lajm të madh për arkeologjinë në Shqipëri. Vila daton në gjysmën e dytë të shekullit të l-rë, para erës sonë. Një vilë buzë detit, me mozaikë, banja termale, fontana. Në shekullin e ll-të, Vila është djegur. Gjurmët e djegies janë të dukshme pas zbulimit. Pjesë të vilës përballë detit, janë rindërtuar në shekujt lll dhe lV.
    Më pas vila shkatërrohet përfundimisht nga tërmeti i madh i Durrësit. Për një rastësi të çuditshme, ishte një tjetër termet, ai i 2019-ës që e nxori vilën në dritë. Sepse dëmtoi shkollën e ngritur mbi të. Kur nisi rindërtimi të zbulohej një maskë. Pas saj gjithçka. Stafi i DritareTv ishte në sit në një ditë pune të arkeologëve. Një ditë si një film. Kur Rudina Xhunga intervistonte drejtuesin e projektit zotin Luan Përzhita, atje u zbulua një varr i shekullit të 6-të. Ajo miniere zbulimesh për Durrësin tregon shumë për të kaluarën tonë. Kush kemi qenë ne, është poshtë tokës që shkelim. Ndaj Dritare solli këtë tregim ekskluziv, ndërsa djem dhe vajza të talentuar e pasionantë shqiptarë, punojnë nën drejtimin e arkeologut të njohur Luan Përzhitës për të nxjerrë në dritë një thesar origjine dhe krenarie.

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,058
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zbulime arkeologjike në Durrës: Gjenden objekte ne themelet e shkollës "Gjergj Kastrioti Skënde

    Këshilli i Trashëgimisë mban në dorë fatin e vilës antike të zbuluar në Durrës

    Në një intervistë për BIRN arkeologu Luan Përzhita shprehet se fati i vilës antike të zbuluar në themelet e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti’ në Durrës tashmë varet nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

    Nga Gëzim Kabashi

    Emri:  PHOTO-2024-06-21-15-13-29.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  74.6 KB
    Vila antike e zbuluar në Durrës

    E ardhmja e ndërtimit të ardhshëm të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës do të vendoset nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, KKTK, por zbulimi i deritanishëm arkeologjik do të ruhet dhe do të konservohet.

    Ekspedita dymujore ka mbërritur në ditët e fundit, dhe tashmë konturet e vilës antike, janë zbuluar në pjesën më të madhe të saj.

    Prof. Luan Përzhita në një intervistë për BIRN tha se relacioni i misionit që po mbyllet do të dorëzohet në KKTK brenda mesit të muaji korrik.

    “Disa nga anëtarët e këtij Këshilli janë arkeologë dhe mendimi i tyre mbi një ndërtim ose jo pranë zonës së gërmuar, do të ketë mjaft rëndësi”, tha prof. Përzhita, sipas të cilit pritet edhe gjykimi i kolegëve të tjerë arkeologë.

    Brenda këtyre dy muajve, në territorin prej 1200 metra katrorë ku shtrihej dikur shkolla e dëmtuar nga tërmeti shkatërrues i nëntorit 2019, u zbuluan një sërë objektesh me rëndësi, mes të cilave edhe terma, tre mozaikë në gjendje të ruajtur, një tjetër i dëmtuar, si dhe një sërë afreskesh që shërbenin si faqe anësore për një pishinë.

    Prof. Luan Përzhita sqaron për BIRN se deri tani njihet vetëm gjysma e sipërfaqes së plotë të vilës së periudhës romake, e cila mendohet se arrin në 2.500 metër katrorë.

    Duke folur për pasurinë që përfaqëson, si dhe për nivelin e lartë të ndërtimit që në shekullin e parë pas erës sonë, prof. Përzhita nënvizon se një nga dyshemetë me mozaik ka të instaluar edhe një shatërvan, çka i jep hijeshinë mjediseve të banesës.

    Ai shton se Vila ka pasur disa rindërtime, në vartësi të tërmeteve.

    Emri:  PHOTO-2024-06-21-15-13-30.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  51.8 KB
    Prof. Luan Përzhita

    Gjatë dy muajve në territorin e kërkimit kanë punuar rreth 25 arkeologë dhe konservues, disa prej të cilëve janë atashuar në Laboratorin e ekspeditës, një mjedis ku marrin jetë pjesët e objekteve të dëmtuara, që zbuloheshin në terren.

    Rreth 300 monedha të zbuluara, që i përkasin periudhave dhe prodhimeve të ndryshme, sqarojnë periudha të ndryshme të jetës së qytetit bregdetar.

    Në ballkonin e improvizuar mbi tarracën prej dheu të thelluar nga 7 metra lartësi kanë ndaluar një grup turistësh, të cilët në pamundësi për ta ndjekur nga afër ekspeditën, fotografojnë nga lart.

    “Do të donim ti mirëprisnim, por ekspedita ka rregullat e saj të lëvizjes,” shprehet profesori.

    Luan Përzhita ka marrë pjesë dhe ka drejtuar rreth 70 ekspedita brenda dhe jashtë vendit, por sipas tij Durrësi ka diçka të veçantë.

    “Ka një heshtje solemne gjatë gërmimeve në Apolloni apo Butrint, pasojë e mungesës së qendrave të banuara,” tha prof Luani, ndërsa shtoi se “Durrësi ka magjinë e qytetarëve, jetën intensive të të cilëve e ndjen nga të gjitha anët”.

    Zbulimi i këtij monumenti duket se do ta ndryshojë edhe trajtimin e të gjithë hapësirës si zonë arkeologjike B, ku mjafton një monitorim gjatë hapjes së themeleve për ndërtim.

    Territori që mund të vihet në dispozicion të ndërtimit të shkollës së re “Gjergj Kastrioti” duket mjaft i vogël në raport me projektin fillestar, për të cilin është shpallur edhe firma fituese.

    Ekspedita ka pasur edhe interesimin e bashkisë, si dhe atë të ministrisë së Ekonomisë, kulturës dhe inovacionit për ekspeditën e fundit në Durrës.

    Prof. Luan Përzhita vlerëson edhe mbështetjen e medias, të cilat kanë mbështetur edhe idenë e krijimit të një parku arkeologjik.

    Emri:  PHOTO-2024-06-21-15-13-29-1.jpg

Shikime: 5

Madhësia:  41.4 KB
    Enë të gërmuara nga vila antike në Durrës

    “Vila antike ndodhet shumë pranë Amfiteatrit antik, si dhe muzeut arkeologjik të Durrësit. Mundësia e vizitave nga disa rrugë hyrëse është e dukshme,” tha prof. Përzhita.

    Arkeologët kanë mbërritur në orët e fundit të ekspeditës dhe tashmë prof Luani ka nisur të kujdeset për dimrin e ardhshëm.

    “Për ta ruajtur, do ta mbulojmë sipërfaqen e gërmuar, njëlloj si para ekspeditës,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë që po i jepet sistemit të kanalizimit të ujerave në të gjithë territorin.

    “Unë uroj që vitet e ardhshme kjo hapësirë të vihet në dispozicion të arkeologjisë për gërmime dhe për konservim të mëtejshme,” tha prof. Përzhita, ndërsa shtoi se “po të kisha mundësi, do ta financoja vetë ekspeditën e ardhshme.”


    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Gjergj Kastrioti - SKËNDERBEU (1405-1468)
    Nga biligoa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 312
    Postimi i Fundit: 04-03-2010, 15:58
  2. Gjergj Kastrioti Skenderbeu ishte i gjate 1.98 m
    Nga YlliRiaN në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 18-12-2008, 13:37
  3. Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe Kosova
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 24-03-2006, 02:19
  4. Gjergj Kastrioti-Skenderbeu edhe ne Diber
    Nga dodoni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 04-03-2003, 17:02
  5. Gjergj Kastrioti-Skenderbeu
    Nga Kallmeti në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-08-2002, 14:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •