Presidenti Begaj rikthehet mes shqiptarëve në Kalabri: Doja të mbaja premtimin
Presidenti i Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, e nisi turin e dytë të vizitave në rajonin e Kalabrisë nga Civita, (Çifti), një qytet në provincën e Kozencës, i ndërtuar nga një çift arbëreshësh më shumë se 500 vjet më parë.
Për të nderuar Kreun e Shtetit shqiptar, arbëreshët në Civita kishin organizuar një pritje zyrtare në institucionin e Këshillit Komunal, ku u shkëmbyen mendime për identitetin, kombin dhe ardhmërinë, si edhe për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kalabrisë.
Në emër të banorëve arbëreshë në Civita, Kreut të Shtetit iu urua mirëseardhja në kishën e Civita-s nga famulltari i kishës, i cili ju drejtua Presidentit në arbërisht, duke i thënë: “Kur hyn në këtë kishë, ke hyrë në zemrën e besimit të arbëreshëve”. Historia e komunitetit është gdhedur në basorelievët e kësaj kishe, e cila është ndërtuar në vitin 1510.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Civita e vlerësoi Presidentin Begaj për këtë vizitë në Kalabri,
Kreu i Shtetit iu përgjigj duke u shprehur se thjesht kishte mbajtur një premtim të dhënë: “Ne si shqiptarë kemi një proverb të vjetër, që thotë se fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur janë shumë të rëndësishme. Para disa kohësh bëra një vizitë të parë këtu në rajonin e Kalabrisë dhe të gjithë kryetarët e komunave donin që unë t’i vizitoja.
Premtova që do të kthehesha sërish, sepse në një vizitë është e pamundur t’i shohësh të gjitha komunat dhe bashkitë arbëreshe në Itali. Sot jam shumë i lumtur që realizova dëshirën e kryetarit të bashkisë dhe, natyrisht, për emocionet e përftuara nga bujaria e qytetarëve të Civita, nga mikpritja, këngët e kënduara shqip dhe veshjet e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për mua.”
Presidenti Begaj përcolli falënderim për Italinë fqinje, që sikurse hapi dyert për arbëreshët, tregoi të njëjtën qasje edhe ndaj shqiptarëve me ndihma pas vështirësive të viteve ‘90, duke pritur emigrantët e dalë nga izolimi, e më vonë duke integruar Diasporën e re të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Civita, Presidenti Begaj vizitoi dhe Muzeun Etnografik, ku përmes veshjeve, pikturave dhe dokumenteve, tregohej historiku i këtij komuniteti. Civita, me autenticitetin në arkitekturë, ka frymëzuar piktorin Ibrahim Kodra, që e ndërkombëtarizoi identitetin arbnor përmes pasqyrimit në art të shtëpive të kësaj komune.
E gjithë kjo dëshmi e gjallë historike, sipas Presidentit Begaj, duhet përcjellë edhe te brezat e rinj”.
Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që arbëreshët i kanë dhënë kombit, ndërsa premtoi se do të jetë gjithmonë krah tyre për të vijuar me hapa të tjerë konkretë që i shërbejnë ruajtjes së arbërishtes.
“Arbëreshët janë pjesë e rëndësishme e kujtesës së kombit tonë.
Ju jeni shembull i rrallë i ruajtjes së identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe ritit”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenca
Krijoni Kontakt