I akuzuari për skemë piramidale, pastrim parash në Tiranë dhe Dubai

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 500 mijë euro në pronësi të një shtetaseje polake, që dyshohet se janë produkt i pastrimit të parave të përfituara prej bashkëshortit të saj nga një skemë piramidale ndërkombëtare e shtrirë në disa vende.

Nga Edmond Hoxha

Emri:  Prokuroria-e-Rrethit-Tirane-.jpg

Shikime: 18

Madhësia:  49.8 KB
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të martën më 30 prill sekuestrimin e pasurive të një shetaseje polake, që akuzohet se është përfshirë në pastrim parash, të përfituara nëpërmjet një skeme piramidale të shtrirë në disa vende të botës. Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se të dyshuarit kanë zgjedhur t'i pastrojnë paratë në Dubai dhe në Shqipëri.

Hetimi për pastrim parash nga shtetasja polake A.M., është filluar në janar të këtij viti, pas informacioneve të marra se ajo rezulton se është bashkëshortja e shtetasit gjerman Stephan Morgenstern, i kërkuar për mashtrim financiar dhe i arrestuar në aeroportin e Rinasit në gusht të vitit 2023, kur po priste bashkëshorten që të mbërrinte nga Dubai. Morgenstern akuzohet se ka krijuar një skemë piramidale në nivel ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës së bashku me individë të tjerë kanë përfituar rreth 28 milionë euro.

Prokuroria sqaron se prokurorë nga pesë vende të ndryshme kanë kanë punuar për kapjen dhe bllokimin e aseteve të shtetasit gjerman në Dubai.

“Nga hetimi i mbështetur edhe në praktikat e ekstradimit të mbajtura për shtetasin S. M., ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka kryer vepra penale nëpërmjet mashtrimit dhe pastrimit të produketeve të veprës penale në disa shtete që kërkojnë edhe ekstradimin e tij, si Korea e Jugut dhe Polonia. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet skemave të mashtrimit”, thuhet në njoftim.

Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme Morgenstern dhe bashkëshortja e tij, dyshohet se i kanë investuar në blerjen e pronave, në vende të ndryshme nga ku dyshohet se është konsumuar vepra penale e mashtrimit.

“Investimet nga ana e të dy bashkëshortëve, nuk janë bërë vetëm në Dubai, por ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur edhe në provat e administruara gjatë hetimit, se të gjithë pasuritë që shtetasja A.M. ka blerë në Shqipëri, janë blerë me paratë e bashkëshortit të saj, të fituara si pasojë e mashtrimit, në disa vende të botës,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Si pjesë e këtij hetimi u sekuestrua një apartament me vlerë fillestare 483 mijë euro dhe dy garazhe me vlerë totale prej 27 mijë eurosh.

BIRN