Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Ligji dhe Maliqi gënjeshtar: Rama u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

    Qeveria u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

    Pasi premtoi se do t’i ndëshkonte ndërtuesit e paligjshëm të pallateve në Tiranë, qeveria nënshkroi kontrata që i amnistonte ata edhe nga detyrimet fiskale me vlerë rreth 2 milionë euro – një praktikë që sipas ekspertëve thellon favorizimin dhe cenon barazinë përpara ligjit.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  20220625_142710_250622033-3_2iwUFtR-1536x1024.jpg

Shikime: 104

Madhësia:  54.8 KB
    Ndërtime shumë katëshe përgjatë rrugës së Durrësit në Tiranë. | Foto: LSA

    Në vjeshtën e vitit 2022, kur prezantoi vendimin e qeverisë së tij për konfiskimin e shtesave pa leje në kullat e Tiranës, kryeministri Edi Rama i paralajmëroi ndërtuesit se “do ta paguanin shtrenjtë shkeljen e ligjit”.

    Ai premtoi gjithashtu se ndërtimet e konfiskuara do të përdoreshin për qëllime sociale ose do të mbushnin arkën e shtetit pasi të shiteshin me çmimet e tregut.

    Por një vit e gjysmë më vonë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se qeveria, jo vetëm që ua ktheu godinat mbrapsht shkelësve të ligjit me çmime 10 herë më të ulëta se vlera e tregut, por u amnistoi atyre detyrime fiskale për lejet e reja të ndërtimet në një vlerë që llogaritet në gati 2 milionë euro.

    Sipas kontratave që Ministria e Financave nënshkroi me ndërtuesit në gusht të vitit të kaluar, këtyre të fundit u mundësohet që të marrin leje të reja ndërtimi për t'i shitur më pas normalisht shtesat e ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

    Por në këtë proces, ndërtuesit përjashtohen nga tarifat e aplikimit për leje zhvillimi dhe ndërtimi, certifikatën e përdorimit, policat e sigurimit, pagesat për shërbimet kadatrale si dhe pagesën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturë.

    Në shtatë pallatet e konfiskuara në Tiranë rezultoi të ishin ndërtuar pa leje 21404 metra katrorë shtesa. BIRN llogariti se sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Financave, kompanive ndërtuese u faleshin në total detyrime fiskale në një shumë që varion nga 1.8 milionë euro deri në 2.2 milion euro.

    Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike në opozitë akuzon qeverinë se skema e përdorur në këtë rast është e paramenduar, antikushtetuese dhe cenon barazinë përpara ligjit.

    “Përjashtimi i tyre nga taksat është akoma dhe më i rëndë. Kjo së pari është bërë me paramendim,” tha Tabaku për BIRN.

    Standardet e dyfishta kanë shqetësuar gjithashtu komunitetin e biznesit.

    “Për ne që jemi totalisht të rregullt, nuk është se po na shqetëson në çmime, por vetëm që kemi marrë njollë nga ata ndërtues totalisht të pandershëm,” tha Latif Miha, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

    I pyetur nga BIRN për arsyet se pse ata që kishin ndërtuar pa leje shmangeshin nga detyrimet fiskale për këto ndërtime, ministri i Financave, Ervin Mete i tha BIRN përmes një mesazhi se këto praktika kishin ndodhur “para se të vija në ministri”.

    Zyrtarisht, ministria e Financave i tha BIRN se kontrata bazohej në ligj, por nuk iu përgjigj pyetjes se pse ndërtuesit pa leje po trajtoheshin në mënyrë preferenciale.

    Favorizime për paligjshmërinë

    Qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi të konfiskojë për interes publik pallatet e ndërtuara pa leje përmes një vendimi të miratuar në shtator të vitit 2022. Me pretendimin se do t'i administronte pallatet e konfiskuara, parlamenti miratoi në verën e vitit 2023 edhe ligjin përkatës të pagëzuar me emrin e gjatë: “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

    Megjithatë, ligji që përmend strehimin social dhe interesin publik, duket se po përdoret për t'u falur ndërtuesve të paligjshëm edhe detyrimet fiskale.

    Konkretisht, kontratat mes kompanive ndërtuese të kapura në shkelje të lejeve të ndërtimit dhe ministrisë së Financave, të nënshkruara në gusht 2023, referohen në nenin 30 të tij për të siguruar që kompanitë nuk do paguanin detyrime për lejet e reja që legalizojnë shtesat pa leje.

    Neni i titulluar “Përjashtime fiskale”, nuk përmend në fakt ndërtuesit dhe as blerësit e këtyre pronave, por lejon që autoriteti publik që bën administrimit e objekteve të konfiskuar të “përjashtohet nga të gjitha tarifat” përfshi aplikimin për leje zhvillimi/ndërtimi, certifikatat e përdorimit, polica e sigurimit, pagesat për shërbimet kadastrale, si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

    Ndërkohë, përmes kontratës mes Ministrisë së Financave dhe ndërtuesve, këto të drejta u kalohen automatikisht këtyre të fundit. Në nenin 3 të kontratës, në pikën 3.4 parashikohet se “referuar dispozitave të nenit 28, 29 dhe 30 të “Ligjit me nr 66/2023”, kompanitë përjashtohen nga një listë e gjatë me detyrime.

    Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ngre dyshime se vendimi i qeverisë u miratua për të favorizuar një grup ndërtuesish me probleme.

    “Unë e shof si një copë të zezë të qepur më pe të bardhë. E shoh si një shërbim që elita qeverisëse i bën komunitetit të biznesit,” tha Preçi për BIRN.

    “Në vend që t'i ndëshkojnë shkelësit, hartohen të tilla akte që nuk i shërbejnë interesit publik për të cilin janë marrë”, shtoi ai.

    Edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve vlerësojnë se biznesmenët që shkelën ligjin u favorizuan nga shteti.

    “Tek e para, nuk është që ne ndërtuesve të tjerë na sjellin ndonjë problem, por problemi është që dëmi i shkaktohet shtetit që i favorizoi. Shkurt muhabeti i favorizoi shteti dhe më gjatë s'di të të them,” tha Miha nga shoqata e Ndërtuesve përmes një mesazhi në Ëhatsapp.

    Precedenti për të ardhmen


    Përfituesit e kësaj “amnistie” i përkasin një grupi ndëtuesish, godinat e të cilëve u konfiskuan në vjeshtën e vitit 2022 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, pasi kishin shkelur lejet e ndërtimit me disa mijëra metra katrorë.

    Që prej fillimit akti i qeverisë, një VKM dhe më pas legjislacioni që pasoi, u cilësuan nga opozita dhe ekspertë si një përpjekje për t'i amnistuar këta ndërtues, që nga ana tjetër ishin nën hetim nga prokuroria për shkeljet e ligjit. Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë për ndërtim të paligjshëm për kompanitë Salillari dhe Arb&Trans-2010 dhe drejtues të këtyre kompanive, përfshi ish-administratorin e kompanisë Salillari, Lulzim Sallillari.

    Edhe arkitektja Doriana Musai thotë se akti është i nxituar dhe i marrë vetëm për të favorizuar pak kompani. Ajo thotë se veç faljes së miliona eurove në taksa, precedenti i vendosur është i rrezikshëm.

    “Normativa e krijuar Ad Hoc për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje, përveç se ka prodhuar kushte pabarazie të qytetarëve përpara ligjit, ka sjellë rezultat nul në “ndëshkimin” e këtij modeli ilegal të ndërtimit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen,” tha Musai.

    Ajo shtoi gjithashtu se çmimi i ulët që u përdor për t'i rishitur këto godina dhe e gjithë procedura e ndjekur i ngjan një amnistie, e cila ndryshe nga sa pretendohet prej qeverisë do të sjellë shtim të ndërtimeve pa leje.

    “Me amnistinë qeveria krijoi kushte të përshtatshme për investitorët që të tejkalojnë ligjin, planin dhe rregullat dhe përsëri të dalin me fitim. Pra, kjo formulë e zbatuar nga lart-poshtë, shihet të stimulojë ilegalitetin në vend që ta ndalojë atë,” thotë Musai.

    Edhe Jorida Tabaku, deputete e opozitës në parlament, thotë se ky ligj dhe mënyra se si po zbatohet do të sjellë rritje të informalitetit. “Përveç faktit që cënojnë barazinë para ligjit, përjashtimi nga taksat në këtë rast janë shumë të dëmshme, pasi nxisin informalitetin dhe paligjshmërinë,” tha Tabaku.

    Ajo shtoi gjithashtu se kjo nxitje e paligjshmërisë ka ndodhur me një grup të seleksionuar ndërtuesish dhe nuk vlen për qytetarin e thjeshtë apo edhe ndërtuesit normalë.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ligji dhe Maliqi gënjeshtar: Rama u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

    Skandali La Brisa/ Rama ligjëroi krimin e hotelit pa leje në Dhërmi nga Tivari dhe Malaj

    Nga Klodian Tomorri

    Ditën e martë, në 1 gusht të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Territorit zhvilloi një mbledhje me axhendë të ngjeshur, në të cilën miratoi plot 57 vendime për kulla dhe hotele anembanë Shqipërisë.

    Emri:  auto_brisa-1024x7001712247492.jpg

Shikime: 100

Madhësia:  57.7 KB

    Mes tyre, me vendimin numër 43 KKT miratoi dhe lejen e ndërtimit për objektin: ‘Godinë Shërbimi Hoteleri’, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘La Brisa’ sh.p.k. (Axhenda e mbledhjes së KKT)

    Për fatin e keq të kryeministrit, i cili është dhe kryetari i KKT-së, hoteli të cilit ai po i miratonte lejen e ndërtimit kishte kohë që ishte ndërtuar. Madje ditën që kryeministri po i miratonte lejen hoteli gjendej në kulmin e sezonit dhe gëlonte nga pushuesit.

    Kjo video është marrë nga faqja zyrtare e hotelit La Brisa Hotel në kanalin youtube.

    Video është publikuar në datën 4 korrik 2023, pra plot një muaj para miratimit të lejes së ndërtimit të KKT. Në pamje duket hoteli në funksionalitet të plotë, i cili u ofron shërbime pushuesve. Me pak fjalë, leja që firmosi kryeministri në mbledhjen e datës 1 gusht të vitit të kaluar ishte ligjërimi i një ndërtimi pa leje, ose ndryshe fshehja e një krimi.

    Për të njëjtin krim, qeveria e Edi Ramës kishte burgosur duke dergjur në qelitë e vendit me qindra ndoshta dhe mijëra qytetarë, mes të cilëve edhe të moshuar për ndërtim kotecesh pulash apo gardhe në fshatrat e vendit.

    Ndërkohë që vetëm 1 vit më parë kryeministri dhe qeveria kishin bërë shown e aksionit për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje. Por tek të fortët e Partisë ligji nuk ka fuqi.

    Të fortët e Rilindjes

    La Brisa është një hotel i cili zotërohet nga dy aksionerë. I pari është Fatos Malaj, i cili zotëron 60 për qind të aksioneve, ndërsa aksioneri i dytë është Elvin Tivari me 40 për qind.

    Malaj është vëllai i kryebashkiakut socialist të Burrelit, Agron Malaj. Ky i fundit njihet ndryshe edhe si ish komandanti i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës ose grupit të zjarrit, që dyshohet se qëlloi mbi protestuesit socialistë në protestën e 21 janarit.

    Agron Malaj ishte një nga 10 gardistët e shkarkuar nga Saimir Tahiri sapo ky i fundit u emërua ministër i brendshëm. Por me largimin nga Garda, zoti Malaj nisi karrierën e suksesshme politike në Partinë Socialiste duke u shfaqur disa herë publikisht në fushata në krah të Edi Ramës, derisa u zgjodh edhe kryetar bashkie nga PS.

    Aksioneri i dytë, Elvin Tivari, është një personazh kontrovers, i cili herë shfaqet si biznesmen dhe herë si drejtor i Rilindjes. Emri i tij u bë publik për herë të parë para pak vitesh, ku nga posti i drejtorit të departamentit të shitjeve në ujësjellësin e Tiranës i shiste ujë bashkisë si Tiranës me kompaninë e tij private Gourmet.

    Emri:  auto_tivari1712247496.jpg

Shikime: 104

Madhësia:  22.7 KB

    Më vonë, zoti Tivari u shfaq si aksionerë në disa biznese, përfshirë parkimin e Aeroportit Nënë Tereza, ndërsa së fundmi në industrinë e hoteleve.

    Aktualisht zoti Tivari është aksioner në hotelin Crowne Plaza në Durrës së bashku me ish drejtorin tjetër të arrestuar të bashkisë së Tiranës, Redi Molla. Hoteli Crown Plaza ka marrë brandin Intercontinal dhe punimet për ndërtimin e tij po kryhen nga kompania e famshme 5D.

    Ndërkohë veç hotelit në Durrës, zoti Tivari është aksioner edhe në La Brisan e Dhërmiut, të cilit Këshilli Kombëtar i Territorit i dha lejen pasi ishte ndërtuar duke fshehur veprën penale.

    Syri

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 19-12-2023, 13:11
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-05-2023, 16:34
  3. Vila 1 milione euro e kryeministrit Edi Rama
    Nga Meriamun në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 03-09-2015, 02:08
  4. Afera Rama-Koço-Veliaj 3 milionë euro me reklamat propagandistike
    Nga Cerebro në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 02-08-2014, 16:22
  5. Ligji dhe maliqi i ri tek Forumi i Humorit.
    Nga Sherri në forumin Humor shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-03-2005, 14:55

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •