Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,920
    Postimet në Bllog
    20

    Tiranë: Shteti mundohet të kontrollojë informacionin që ju lexoni e shikoni në media dhe Internet

    Komisioneri Dervishi mbi sfidën e të drejtës për informim në Shqipëri

    Emri:  Capture-35.jpg

Shikime: 179

Madhësia:  26.3 KB

    E drejta e informimit vazhdon të mbetet një problem në Shqipëri, pavarësisht se garantohet me ligj. Kuvendi miratoi në fund të vitit të kaluar disa ndryshime në legjislacion, megjithatë zbatimi vijon të mbetet një sfidë.

    Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ka raste të kufizimit të informacionit për shkak të trysnisë, mungesës së profesionalizmit nga ana e punonjësve të institucioneve, por edhe për shkaqe abuzimi.

    Megithatë, zoti Dervishi tha në mbi 70 për qind të rasteve të trajtuara nga ana e Komisionerit, institucionet kanë reaguar duke dhënë menjëherë informacionin.

    Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi, e drejta e informimit vazhdon të mbetet sfidë për vendin tuaj. Ligji u ndryshua se fundmi, megjithatë, rastet e shkeljes së të drejtës për informim po vazhdojnë. Është mungesë e vullnetit politik që autoritetet të jenë trasnparente, apo ka arsye të tjera që ndikojnë në këtë situatë?

    Besnik Dervishi: Natyrisht si për çdo fushë të veprimtarisë, si për çdo të drejtë dhe liri themelore të njeriut, edhe këtu situata është më komplekse. Në këtë situatë ndikojnë shumë faktorë, shumë veprimtari të ndryshme. Është e vërtetë që ligji për të drejtën e informimit dhe kjo besoj se pranohet nga të gjithë, është një ligj i mirë dhe është përmirësuar më shumë me ndryshimet që u bënë vitin e kaluar.

    Besoj që për këtë është bërë një proces model i konsultimit publik me të gjitha grupet e interesit, mediat investigative, shoqërinë civile për të patur një ligj sa më të mirë dhe të gjitha sugjerimet e bëra gjatë këtij procesi të konsultimit publik janë reflektuar. Edhe disa problematike për të cilat mediat apo shoqëria civile nuk ishin dakord, natyrisht që nuk u reflektuan në ndryshimet që u bënë. Megjithatë, ai mbetet një nga ligjet më të mira në botë.

    Përsa i përket problematikave të zbatimit, ligji parashikon një instrument, që është shumë i rëndësishëm. Ai është instituti i programit të transparencës, apo transparenca aktive, që është informacioni publik që vetë autoritetet publike, vetë institucionet publike duhet t’i japin dhe t’i bëjnë publike pa kërkesë të qytetarit apo të kujtdo që është i interesuar apo të medias në rastin konkret. Natyrisht, ne nuk mund të pretendojmë që mrekullira të ndodhin nga sot për nesër, sepse ajo që pyetët, pra se çfarë ndikon: a është politika, presioni politikë? Unë do të thoja jo, sepse transparenca në vetvete është një kulturë. Ne nuk e kemi traditë të trashëguar. Kjo është një kulturë e re, të cilën ne po e kultivojmë. Unë e kam përmendur edhe një herë tjetër dhe uroj që të mos jem përsëritës edhe këtu në tryezën tuaj të nderuar, që ne kemi trashëguar një kulturë, ku diçka që është zyrtare nuk është publike, kur në fakt është e kundërta. Diçka pikërisht se është zyrtare duhet të jetë publike. Dhe natyrisht kjo kërkon kohën e vetë.

    Unë besoj nuk jemi në kohë revolucionesh, po me ligjin për të drejtën e informimit ne jemi shumë afër ndryshimit revolucionar të mentalitetit të autoriteteve publike sepse nuk ka më informacion që kufizohet apriori.

    Natyrisht, ka raste të kufizimit të informacionit të padrejtë, jo vetëm për shkak të presionit por edhe mungesës së profesionalizimit. Kjo ndodh edhe për shkak të një lloj ndrojtjeje apo frike që kanë vetë punonjësit. Natyrisht që ka edhe shkaqe të abuzimit. Por, unë mund t’ju garantojë, ne e kemi bërë edhe publike raportin që ne paraqesim, tek ne vijnë një mijë ankesa. Ndërsa kërkesat, që i shkojnë autoriteteve publike, shkojnë më tepër se dhjetëfishi i kërkesave për informacion. Të paktën përsa i evidentojmë ne, sepse mund të ketë edhe kërkesa të tjera, shumë më tepër. Pra, vetëm 10 për qind të tyre. Kjo nuk do të thotë se vetëm 10 për qind e informacionit nuk është dhënë. Mund të jetë edhe më tepër. Por, në fund, 70 për qind e ankesave që vijnë tek ne, plus minus, menjëherë me ndërhyrjen e komisionerit vihen në dispozicion. A janë cilësore, a janë më pak cilësore? Natyrisht që edhe këtu ka shumë për të bërë. Por, ky është një proces, kjo është një rrugë e gjatë, që duhet bërë dhe besoj që në këtë rrugë, me shoqërinë civile, veçanërisht me median, median investigative, zyra e komisionerit tashmë prej vitesh e ka konfirmuar që është një partner, besoj edhe sipas konfirmimeve të tyre, i besuar.

    Zëri i Amerikës: Kjo, në fakt, edhe sipas raporteve që ju i keni publikuar, zoti Dervishi, kërkesat e gazetarëve, kryesisht të mediave investigative, janë ato të cilat në shumë raste refuzohen nga ana e institucioneve. Konkretisht, cilat janë institucionet më pak transparente në Shqipëri?

    Besnik Dervishi: Nuk është problemi që ka një institucion më shumë transparent ose më pak transparent. Natyrisht që ne çdo vit, tashmë është viti i tretë, publikojmë indeksin e transparencës, e cila mund të konsultohet lehtësisht në faqen e zyrës së komisionerit. Aty reflektohen institucionet, që ne i kemi ndarë sipas kategorive, institucione qendrore ose institucione të vetëqeverisjes vendore. Pra ato institucione që nëpërmjet programit të transparencës japin një informacion më të saktë dhe më të konsoliduar, për sa i përket asaj që i shërben qytetarëve apo medias.

    Unë mendoj që kjo nuk është shumë e rëndësishme, por nga ana tjetër ne kemi edhe një indeks tjetër të matjes së punës tonë, se sa ndikojmë tek pakënaqësia e institucioneve publike nga vendimet tona. Kur institucionet reagojnë nga vendimmarrja e komisionerit kjo tregon se ne e kemi bërë punën mirë dhe i kemi shërbyer të drejtës për informim.

    Zëri i Amerikës: Si i keni trajtuar rastet që kanë ardhur para institucionit tuaj?

    Besnik Dervishi: Unë përmenda se mbi 70% e ankesave dhe rasteve që vijnë tek ne, jepet informacioni i autoriteteve publike menjëherë sapo fillon procesin e hetimit administrativ zyra e komisionerit, sepse ne bëjmë një hetim administrativ. Sa dërgon shkresën komisioneri, apo sa dërgojmë emailin apo sa dërgojmë inspektorët për të inspektuar pranë një autoriteti publik, natyrisht dhe i ndihmojmë autoritetet publike sepse shpesh herë duhet vendosur edhe balanca mes të drejtës së informimit apo mbrojtjes së të dhënave personale, apo sekretit tregtar, apo kufizimeve të tjera që parashikon ligji.

    Në mbi 70% të rasteve informacioni vihet menjëherë në dispozicion. Në raste të tjera, natyrisht ka disa vlerësime dhe kërkesa që janë jashtë objektit të ligjit për të drejtën e informimit. Një pjesë tjetër ne i orientojmë qytetarët dhe për pjesën që mbetet, që nuk ka reagim nga ana e autoriteteve publike, natyrisht që zyra e komisionerit del edhe me vendime urdhërimi.

    Vitin e kaluar ka pasur një rritje, vendosje të sanksioneve edhe për shkak të rregullimeve ligjore që iu bën ligjit. Sepse ligji kishte një problem, nuk e përcaktonte përgjegjësinë direkte të nëpunësit konkret të administratës publike dhe kjo është një nga risitë kryesore të ligjit. Sot me ndryshimet që iu bënë ligjit sanksioni vihet ndaj personit që identifikohet si përgjegjës direkt për mosdhënien e informacionit.

    Zëri i Amerikës: Institucioni që ju drejtoni mbikëqyr zbatimin e ligjeve në dy fusha: Të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Gjatë 2 apo 3 viteve të fundit në Shqipëri kanë ndodhur disa raste të rrjedhjes në publik të të dhënave të qytetarëve. Çfarë masash keni marrë ju përballë këtyre ngjarjeve?

    Besnik Dervishi: Kjo është e lidhur me shumë faktorë. Një nga faktorët janë zhvillimet teknologjike. Sa më shumë zhvillime teknologjike të ketë aq më shumë rritet edhe rreziku. Ajo që është thelbësore është marrja e masave të sigurisë. Duhet të kesh një legjislacion të fortë dhe në këtë pikë ne kemi ecur mirë, duke miratuar konventën e Këshillit të Evropës.

    Jemi në proces të miratimit të rregullores së përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave të Bashkimit Evropian. Por nga ana tjetër kërkon investim me burime njerëzore, kërkon burime financiare, kërkon trajnime pafund për të marrë ato masa sigurie të fuqishme për të cilat kanë nevojë sa më shumë shërbime online, që është një e mirë për qytetarin, aq më shumë kërkohet edhe marrja e masave të sigurisë, për të mbrojtur të dhënat, për të mbrojtur identitetin e çdo qytetari.

    VOA

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,920
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Tiranë: Shteti mundohet të monipolizojë informacionin që ju lexoni e shikoni në media dhe Inter

    Përralla me dizinformim rus dhe kinez si dizinformim kundër problemit real të vendit

    Shumica socialiste po kërkon me bujë krijimin e një komisioni hetimor parlamentar duke pretenduar se disponon informacion për ndërhyrje të huaja armiqësore në mjedisin informativ shqiptar ndërsa anashkalon problemet reale të medias së vendit. Gjuha pompoze e kërkesës së socialistëve ka shumë gjasa që synon një lloj çorientimi të vëmendjes së publikut nga problemi real i vendit, korrupsioni sistemik në qeverisje.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Bledi-Cuci.jpg

Shikime: 161

Madhësia:  40.1 KB
    Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Bledi Çuçi. Foto: LSA

    Nëse lexon kërkesën e trembëdhjetë deputetëve socialistë për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, të duket sikur jeton në një vend me të vërtetë të rrezikuar nga fuqi armiqësore të huaja, konkretisht, Rusia dhe Kina. Sipas kërkesës, së zbardhur nga media, komisioni do të duhet të nxisë apo të hetojë rastet e ndërhyrjeve (të mundshme) të huaja të karakterit dizinformues, financimet (e mundshme) të huaja dhe ndikimin keqdashës ekonomik (të mundshëm) si dhe do të hartojë propozime të ndryshime ligjore për të trajtuar problemin. Gjuha e përdorur në propozim në fakt nuk e përmend fjalën “e mundshme”, ajo e bën si fakt të kryer se këto fenomene janë të pranishme në Shqipëri. Ndërsa media të ndryshme qeveritare e interpretuan këtë gjuhë që paragjykon rezultatin e hetimit parlamentar si një luftë kundër portaleve anonime, rublave ruse, etj., etj..

    Deklarata e parë e deputetit Bledi Çuçi u pasua nga një ripostim në Twitter i kryeministrit Edi Rama, i cili tha se kjo është një punë “shumë e rëndësishme” e cila duhet të bëhet “menjëherë”.

    Kur i lexon këto informacione, të duket sikur Shqipëria është qendra e botës, sikur shërbimet sekrete ruse dhe kineze na kanë halë në sy dhe po punojnë çdo ditë për të destabilizuar Shqipërinë dhe për të dëmtuar qeverinë.

    Në krye të herës mund të themi se lufta kundër dizinformimit është një punë e mirëpritur dhe e domosdoshme. Dhe jo vetëm lufta kundër disinformimit. Sepse nëse do të luftosh dizinformimin, atëherë nevojitet të luftosh për informimin. Dhe nëse do të luftosh për informimin, i cili është parakusht për të luftuar dizinformimin, nevojitet të krijosh një mjedis të shëndetshëm mediatik, të pavarur, të larmishëm, me kushte të sigurta dhe me politikanë që nuk krijojnë një mjedis armiqësor kundër gazetarëve. Dhe në lidhje me zgjedhjet, numri i detyrave që ka vendi, jo thjeshtë kundër ndërhyrjes dashakeqe të huaj, por para së gjithash, kundër ndërhyjeve dashakeqe të brendshme, të tilla si përzënia e gazetarëve nga aktivitetet politike, shpërndarja e materialeve propagandistike të parapërgatitura apo fakti që sfera mediatike kontrollohet nga një numër minimal operatorësh me pushtet disproporcional, këto janë të gjitha detyra që parlamenti i ka nga rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e kaluara, të cilat, komisioni i propozuar nuk i shpreh si shqetësime.

    Natyrisht që Shqipëria mund të bashkohet me Bashkimin Evropian në imponimin e rregullave për të ashtuquajturat Platforma Shumë të Mëdha Online dhe Motorët e Kërkimit gjë për të cilën, Komisioni Evropian publikoi një udhërrëfyes së fundmi. Udhërrëfyesi bën një dallim të qartë mes “platformave” dhe “motorëve të kërkimit” dhe medias online. Ai vë gjithashtu në dukje nevojën që këto platforma dhe motorë kërkimi të identifikojnë saktë reklamuesit, në mënyrë që të mos ketë reklama pirate në zgjedhje. Dhe mbi të gjitha, kërkon që qytetarët të jenë pronarë të të dhënave të tyre personale dhe që këto të dhëna të mos përdoren (siç bën Partia Socialiste me sistemin e patronazhistëve) për shënjestrimin e tyre individual në fushata zgjedhore.

    Pastaj na duhet të themi se, siç duken gjërat, sot për sot Shqipëria nuk ngjan se ka ndonjë problem të thekshëm për temën me të cilën socialistët po duan të krijojnë komision parlamentar. Nuk ka ndonjë gjurmë që të sugjerojë ndonjë fushatë dizinformimi ruse, kineze apo tjetër, në Shqipëri. Kjo është afër mendësh e lidhur me faktin se Shqipëria është një vend i vogël dhe i parëndësishëm në konfliktin mes botës demokratike dhe regjimeve autoritariste. Por lidhet edhe me faktin që Shqipëria ka qëlluar të jetë një vend me popullsi kryesisht homogjene, pa ndonjë ndasi të tmerrshme sociale, siç është fjala vjen, marrëdhënia racore në SHBA apo partitë e të djathtës ekstreme në shumë vende evropiane.

    Me pak fjalë, kushdo që e kupton se si funksionon disinformimi, edhe në rast se do të dëshironte të bënte një fushatë dizinformimi në Shqipëri, do ta kishte të vështirë që të gjente ndasi sociale për të galvanizuar përmes informacioneve të rreme të shpërndara nëpër internet.

    Problemi që kanë socialistët në një nismë të tillë është, gjithashtu, reputacional. Qeverisja socialiste ka ndërmarrë një pafundësi nismash negative për lirinë e shprehjes kështu që, çdo nismë e saj në këtë fushë duhet të prezumohet fajtore që në fillim dhe pastaj në fund të shikohet nëse është e pafajshme.

    Dhe pastaj është problemi tjetër që asnjë nga deputetët e listës së propozuesve, nuk ka shprehur ndonjëherë ndonjë shqetësim në lidhje me lirinë e medias. Asnjë prej tyre nuk e konsideroi shqetësim prekjen me duar të një gazetareje nga kryeministri, asnjë nuk u shqetësua kur një gazetare tjetër u etiketua si e përdalë për shkak se kishte thënë të vërtetën.

    Dhe mbi të gjitha, duke parë natyrën sistemike të korrupsionit qeveritar, (muaji mars i këtij viti ka gjasa do të shënohet në histori si pika e kthesës, me një ministër të akuzuar krahas drejtorit të rrugëve dhe tetë drejtorëve të Bashkisë Tiranë) nisma “kundër dizinformimit” ngjan asgjë më shumë se sa një tentativë dizinformuese, një përpjekje e dobët për të tërhequr vëmendjen nga korrupsioni sistemik.

    Asnjë nga deputetët firmëtarë nuk ka shprehur ndonjë habi, as nuk është tronditur dhe as nuk ka dënuar korrupsionin masiv të drejtorëve të bashkisë, plot tetë të tillë që kanë dhënë mbi 20 milionë euro tenderë për një kompani nën pronësinë e dy drejtorëve. As kryeministri, i cili gjeti kohë ta konsideronte çështjen e luftës kundër dizinformimit rus apo kinez si çështje të rëndësishme dhe urgjente, nuk ka shprehur ndonjë habi apo ndonjë çudi nga përmasat tragjike të korrupsionit të dokumentuar dhe as nuk duket të jenë befasuar nga natyra banale e këtij përvetësimi.

    Skandali i drejtorit të rrugëve dhe ai i drejtorëve të bashkisë pati forcën të trondisë opinionin publik, një opinion që është rregjur fort me skandale korruptive. E megjithatë, deputetët që kanë frikë nga sulmet ruse dhe kineze kundër demokracisë shqiptare, heshtin. Hesht edhe kryetari i bashkisë, i cili, teorikisht dhe praktikisht, duhej të ndjente ndonjë farë përgjegjësie si politikan, por edhe si qytetar, që dhjetëramiliona euro u zhdukën nën hundën e tij, ndërsa duhej të shërbenin për të furnizuar qytetarët me ujë e kanalizime.


    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,920
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Tiranë: Shteti mundohet të kontrollojë informacionin që ju lexoni e shikoni në media dhe Intern

    Komisioni i Dezinformimit, vigjilencë apo kërcënim për lirinë e medias

    Ndërsa adresimi i dezinformimit është një detyrë thelbësore, ekziston shqetësimi se komisioni i ri parlamentar i Shqipërisë mund të jetë thjesht një mjet tjetër për të heshtur zërat kritikë.

    Nga Blerjana Bino

    Emri:  Albanian-parliament-by-parliament-al-1280x720-1.jpg

Shikime: 153

Madhësia:  45.9 KB

    Më 28 mars, shtatë deputetë të Partisë Socialiste, në qeverisje në Shqipëri që nga viti 2013, propozuan krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj në demokraci.

    Komisioni synon të shqyrtojë dezinformimin e medias, financimin e huaj dhe ndikimet e dëmshme ekonomike, duke garantuar respektimin e transparencës ligjore në praktikat demokratike, në veçanti në financimin elektoral.

    Komision gjithashtu ka për detyrë të sugjerojë strategji për të rritur përgjegjësinë e platformës dhe qartësinë e përmbajtjes, si dhe të luftojë aktiviteteve të rreme online, duke mbrojtur fjalën e lirë. Kryeministri Rama e mbështeti menjëherë këtë nismë.

    Kërkesa bazohet në një Memorandum Mirëkuptimi të pazbuluar midis Shqipërisë dhe SHBA-së, Deklaratës Ukrainë-Evropë Juglindore dhe një rekomandimi të BE-së, të cilat të gjitha theksojnë nevojën për të luftuar dezinformimin dhe kërcënimet kibernetike për të kontribuar në stabilitetin global.

    Nëpërmjet një procedure të shpejtë pa konsultime, më 3 prill, Konferenca e Kryetarëve të Parlamentit miratoi krijimin e një Komisioni të Posaçëm, me vota vetëm nga deputetët socialistë, duke integruar punën e katër komisioneve të tjera: Punëve të Jashtme, Ligjeve, Sigurisë Kombëtare, Arsimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

    Deputetët e opozitës, megjithatë, ngritën shqetësime për qartësinë dhe qëllimin e komisionit dhe theksuan nevojën për transparencë dhe kërkuan konsultime të hollësishme mbi objektivat e komisionit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    Këshilli Shqiptar i Medias ka shprehur shqetësime për këtë komision, duke vënë në dukje synimet e tij të paqarta dhe rrezikun e mundshëm për lirinë e medias.

    Të tjerë e shohin atë si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështje më urgjente si korrupsioni sistemik në qeverisje dhe problemet themelore të medias.

    Formuar me nxitim pa një konsensus

    Ndërsa nismat për të adresuar dezinformimin janë të lavdërueshme, shqetësime thelbësore mbeten në lidhje me procesin, qëllimin dhe efektivitetin e komisionit të propozuar.

    Krijimi i komisionit u ngut, pa konsensus me bazë të gjerë, gjë që ngre shqetësime për qëndrueshmërinë dhe qëllimin e tij themelor.

    Qasja standarde për konsultim publik në Shqipëri, e parë shpesh si një formalitet i thjeshtë, hedh dyshime mbi aftësinë e komisionit për të miratuar ndryshime ligjore dhe administrative vërtet transparente dhe gjithëpërfshirëse.

    Ekziston një mospërfshirje e dukshme e hulumtimit të pavarur, e cila tregon se edhe pse narrativat pro-Kremlinit ekzistojnë në peizazhin mediatik shqiptar, shkalla e tyre nuk justifikon krijimin e një komisioni të posaçëm – veçanërisht kur ekzistojnë mekanizma ekzistues dhe kur një nismë e tillë potencialisht mund të rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

    Theksi mbi dezinformimin e huaj, veçanërisht nga Rusia, duket i mbivlerësuar, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e dezinformatave gjenerohet brenda vendit, kryesisht nga aktorë politikë vendas për qëllime të brendshme në një peizazh politik të polarizuar. Nëse deputetët kanë informacione të tjera për ndërhyrje të huaja në hapësirën informative të Shqipërisë, ato duhet të zbulohen, për të garantuar llogaridhënie dhe diskutim publik të informuar.

    Raportet mbi lirinë e medias kanë nxjerrë në pah shqetësime të rëndësishme për përqendrimin e informacionit publik dhe përshkallëzimin e propagandës qeveritare, të cilat, së bashku me përpjekjet e aktorëve politikë në nivel lokal dhe qendror, synojnë të lënë në hije gazetarinë autentike me përmbajtje mediatike të parafabrikuar.

    Nisur nga ky sfond, ka shqetësime legjitime në lidhje me komisionin e sapo propozuar, të iniciuar nga socialistët, në lidhje me aftësinë e tij për të mbikëqyrur dhe luftuar në mënyrë objektive propagandën, duke përfshirë çdo që mund të vijë nga vetë partia.

    Efikasiteti i këtij komisioni në ruajtjen e paanësisë dhe adresimin e vërtetë të çështjes së propagandës është nën shqyrtim, duke marrë parasysh sfidat ekzistuese në peizazhin mediatik dhe aftësitë e kufizuara mbikëqyrëse të parlamentit.

    Një mandat i gjerë rrezikon të mbivendoset me organet ekzistuese

    Emri:  AMA-2-1140x824.jpg

Shikime: 162

Madhësia:  54.6 KB
    Ndërtesa e Autoritetit të Mediave Audiovizive. Foto: Autoriteti i Mediave Audiovizive Facebook

    Për më tepër, mandati i gjerë i komisionit, që përfshin gjithçka, nga reformat ligjore deri te rregullimi i platformës dhe moderimi i përmbajtjes, duket tepër i shtrirë dhe rrezikon të mbivendoset me kornizat ekzistuese.

    Veçanërisht, rishikimet e fundit të Kodit të Transmetimeve Audiovizive nga Autoriteti i Medias Audiovizive, të cilat u zhvilluan përmes konsultimeve me shoqërinë civile dhe organizatat e medias, trajtojnë tashmë shumë nga shqetësimet që komisioni synon të trajtojë, duke përfshirë dezinformimin, gjuhën e urrejtjes dhe promovimin e barazisë gjinore në media. Mekanizmat ekzistues parlamentar, si komisioni për arsimin dhe informimin publik, mund të ofrojnë mbikëqyrjen dhe angazhimin e nevojshëm pa qenë nevoja për një komision të ri.

    Komisioni synon të rrisë llogaridhënien për platforma si Meta, megjithëse Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor i mungon ndikimi i rëndësishëm mbi këto entitete globale, për shkak të madhësisë së tyre më të vogël të tregut.

    Një strategji më efektive do të ishte përafrimi me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), i cili ofron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullimin e platformës, moderimin e përmbajtjes, reklamimin dhe transparencën algoritmike, duke garantuar që platformat, veçanërisht ato më të mëdhatë, të jenë përgjegjëse për rolin e tyre në shpërndarjen e dezinformimi dhe ndikimin në proceset zgjedhore.

    Qasja bashkërregulluese e DSA-së, e përforcuar nga Kodi i përditësuar i Praktikës mbi Dezinformimin dhe Udhëzuesi i ri i Komisionit, ofron një rrugë të qëndrueshme për Shqipërinë. Një grup pune brenda Ministrisë së Brendshme tashmë po fokusohet në përshtatjen e parimeve të DSA-së me kontekstin shqiptar. Shqipëria duhet të garantojë përafrimin me kuadrin evropian për çështje të tilla si DSA-ja dhe Akti për Lirinë e Medias, që përfshin ndër të tjera masa mbrojtëse kundër heqjes së pajustifikuar të përmbajtjes mediatike dhe mbrojtjen e pluralizmit dhe pavarësisë së medias nga presionet e pajustifikuara.

    Përzgjedhja e ekspertëve duhet të jetë transparente

    Emri:  matt-chesin-xDtiCFu_Z3s-unsplash-1280x720-1-1140x641.jpg

Shikime: 153

Madhësia:  34.2 KB
    Foto ilustruese: Unsplash/Matt Chesin

    Përpjekjet e mëparshme të qeverisë për të rregulluar median ngrenë frikën legjitime se ky komision i ri mund të jetë një mjet tjetër për të frikësuar ose heshtur zërat kritikë. Ky model sugjeron një keqpërdorim të mundshëm të kornizave rregullatore për të minuar pavarësinë e gazetarisë dhe për të kufizuar lirinë e shprehjes përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në 2025.

    Në Shqipëri, mungesa e transparencës në financimin dhe reklamimin e fushatave politike është një shqetësim edhe më i madh. Zbatimi i rekomandimeve të ODHIR-it për të rritur transparencën financiare është thelbësor, pasi praktikat e turbullta financiare mund të shërbejnë si kanale për fushatat e dezinformimit, duke ndikuar në opinionin publik dhe në rezultatet elektorale. Më tej, kushtet sfiduese të punës për gazetarët në Shqipëri kontribuojnë në autocensurën dhe dobësojnë rolin e gazetarisë në luftën kundër dezinformimit.

    Synimi i komisionit për të punuar me ekspertë është një hap pozitiv, por mungesa e qartësisë se si do të zbatohet kjo ngre pikëpyetje për thellësinë dhe efektivitetin e këtij bashkëpunimi. Që puna e komisionit të bazohet në ekspertizë dhe të informohet nga këndvështrime të ndryshme, procesi i përzgjedhjes dhe bashkëpunimit me ekspertët duhet të jetë transparent dhe i strukturuar.

    Ne kemi përshkruar disa rekomandime për procesin e komisionit të posaçëm, duke theksuar nevojën për të vlerësuar kornizat ekzistuese dhe natyrën e dezinformimit, kryesisht vendas, duke ruajtur lirinë e shprehjes.

    Është thelbësore që komisioni të funksionojë në mënyrë të paanshme, duke shmangur keqpërdorimet politike dhe duke u përafruar me shqetësimet e lirisë së medias. Përfshirja e hulumtimit të pavarur rekomandohet për të ankoruar veprimet e komisionit në një qasje të bazuar në prova. Transparenca është një aspekt tjetër kyç, me një thirrje për zbulimin publik të informacionit mbi ndërhyrjet e huaja për të vërtetuar transparencën, llogaridhënien dhe justifikimin e komisionit. Kornizat ekzistuese ligjore si Kodi i Transmetimit Audiovizual duhet të përdoren për të parandaluar tepricën.

    Një proces i vërtet konsultimi do të ishte një fillim i mirë

    Së fundi, këshillohet një proces i mirëfilltë konsultimi me një gamë të larmishme palësh të interesuara, duke përfshirë bashkëpunimin e strukturuar të ekspertëve, për të rritur vendimmarrjen, efektivitetin dhe legjitimitetin e komisionit.

    Ne sugjerojmë një qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar dezinformimin në Shqipëri, duke nxitur përafrimin me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së dhe Aktin e ardhshëm të Lirisë së Medias për të trajtuar dezinformimin në mënyrë efektive.

    Zbatimi i rekomandimeve të ODHIR-it për transparencën në financimin politik për të frenuar burimet e dezinformimit është gjithashtu i rëndësishëm. Rritja e kushteve gazetareske është thelbësore për krijimin e një mjedisi mediatik rezistent ndaj dezinformimit që promovon shprehjen e lirë, duke adresuar çështje si siguria dhe vetëcensurimi.

    Ne advokojmë për përforcimin e programeve të edukimit të medias dhe informacionit, inkurajimin e vetërregullimit të medias dhe mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve të medias dhe gazetarëve, duke përfshirë qëndrueshmërinë e sigurisë kibernetike, për të forcuar peizazhin mediatik kundër dezinformimit.

    Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë raportimin e pavarur të bazuar në fakte në Shqipëri, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të gazetarëve në verifikimin e fakteve, raportimin etik, mbështetjen e aktiviteteve të vetërregullimit dhe ofrimin e aksesit në mjete dhe burime për të adresuar dezinformimin nga subjekte vendase dhe të huaja.

    Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 06-01-2023, 22:33
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-10-2022, 17:48
  3. Hotel tëlira qe nuk jan ne Internet ne Tiranë??
    Nga Jim123 në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-04-2017, 14:52
  4. Shikoni se si media luan me emocionet e nje Muslimani!
    Nga Sayan2003 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-08-2012, 04:12
  5. Shteti i Izraelit hap ambasadë të përhershme në Tiranë
    Nga shigjeta në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 52
    Postimi i Fundit: 05-06-2012, 17:47

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •