ca hoqi dore nga amerika, u kthye nga izraeli?
ca hoqi dore nga amerika, u kthye nga izraeli?
mos kliko xix
Pesë ditë para inaugurimit, Rama i dhuron Sazanin dhëndrit të Trump
Në prag të inaugurimit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kryeministri Edi Rama i dhuroi statusin e investitorit strategjik kompanisë së lidhur me dhëndrin e tij, Jared Kushner për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.
Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, KIS, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.
Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.
“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendimin e KIS.
Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.
Nga akti i publikuar në faqen e AIDA del se vendimmarrja ishte e pritshme në favor të kërkesës së kompanisë. Në fakt, në fillim të dhjetorit 2024, prona që ishte pjesë e planit të vendosjes së Forcave të Armatosura u hoq nga lista prej Presidentit të Republikës. Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane.
Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”. Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.
Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.
Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruaj një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.
Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tre faza.
BIRN
Kronologjia/ Ishulli i Sazanit, një investim i negociuar në errësirë
Asnjë informacion për përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga falja e ishullit
Mënyra e fshehtë me të cilën presidenti Bajram Begaj i hapi rrugë investimit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit, duke e nxjerrë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura me dy dekrete sekrete, nuk është një rast i izoluar.
Procesi i negociimit u zhvillua në errësirë nga ana e qeverisë shqiptare, që nuk ofroi asnjë transparencë për qytetarët për mënyrën se si do të zhvillohet një copëz e pasurisë së përbashkët publike.
Nëse nuk do të ishte për investigimin e New York Times në mars të vitit 2024, nuk është çudi që shqiptarët ende sot, të mos e dinin se ç’po ndodh me ishullin e Sazanit.
Supozohet se afrimi i një sipërmarrësi amerikan me idenë e një investimi 1.5 miliard dollarë, është lajm i mirë për qytetarët shqiptarë dhe qeveria duhet t’i përkushtohej totalisht. Por nga mënyra se si kryeministri Edi Rama i ka kryer negociatat përmes një komunikimi okult, aspak transparent dhe me pikëpyetje të mëdha, tregon shumë për qëllimet e tij.
Si nisën negociatat? Kush propozoi çfarë?
Jared Kushner erdhi në Shqipëri për herë të parë me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Ata shoqëroheshin nga sheiku Nasser Al-Khelaifi, atëherë president i PSG-së.
Dy vite më pas, në verën e vitit 2023, u kthyen sërish. Kësaj radhe kishin me vete edhe Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortak i Kushner në biznes.
Në mars të vitit 2024, New York Times raportoi se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri, Kushner i mori pikërisht nga Richard Grenell dhe miku i tij biznesmen, Asher Abehesera. Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos poshtë, që qëndron në krah të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Kushner, biseda e parë me Ramën ishte zhvilluar gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos. Kishin kaluar disa muaj kur ai kishte qenë në Shqipëri dhe ai bëri një propozim gjatë një kafeje të përbashkët. Kushner tha se kishte qenë “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”.
Edi Rama ka konfirmuar për Financial Times se interesi i parë për investimin në Sazan ishte fillimisht i Kushner.
“Në Shqipëri ishte Kushner dhe jo Grenell, që u afrua i pari. Në Serbi sigurisht që Grenell ishte iniciatori, por këtu jo”, i tha Rama të përditshmes me karakter financiar në 9 korrik të vitit 2024.
Por sipas një hetimi nga senati amerikan, të udhëhequr nga senatori Ron Wyden, një demokrat nga Oregoni fillimisht ishin zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare të cilët iu afruan proaktivisht kompanisë së Jared Kushner me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.
“Affinity i tregoi Komitetit se zyrtarë qeveritarë në Shqipëri dhe Serbi iu afruan firmës së tyre për të arritur marrëveshje në fushën e pasurive të paluajtshme. (Affinity nuk bëri të ditur identitetin e atyre zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.) – thuhet në hetim.
Pra sipas hetimit të senatit amerikan ishin të dërguarit e Edi Ramës ata që joshën dhëndrin e Trump me pasuritë e Sazanit dhe Zvërnecit.
Dërgimi i Kastratit në Mar-a-Lago
Në prononcimin që i dha New York Times në mars 2024, Jared Kushner konfirmoi se kontaktet mes tij dhe qeverisë shqiptare janë intensifikuar me ndërmjetësimin e biznesmenit Shefqet Kastrati dhe djalit të tij, Musa Kastrati.
“Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë në nivel lokal”, u shpreh Jared Kushner në prononcimin e tij për median amerikane.
New York Times vazhdonte po ashtu duke përmendur faktin se në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi prej 7.5 milionë dollarësh, një pronë afër vendit ku jetonin cifti Kushner-Trump. Familja Kastrati kishte blerë edhe një hotel në seksionin Brickell të Miami për 55 milionë dollarë nga familja mbretërore e Katarit.
Musa Kastrati i tha New York Times se roli që kompania e tij familjare do të luante në projektet shqiptare të zotit Kushner nuk ishte ende i qartë, por ndoshta do të përfshinte ndihmën për ndërtimin e disa prej komplekseve.
Z. Kastrati po ashtu konfirmoi se në dhjetor të vitit 2022 ka vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën e zotit Trump në Florida, me zotin Grenell dhe se gjithashtu ka takuar shkurtimisht zotin Trump kur ish-presidenti mbërriti teksa po darkonin. Kastrati tha se nuk kishte diskutuar për marrëveshjen e mundshme me zotin Trump.
Ndryshimet e ligjeve në heshtje për investimin e Kushner
Pa dhënë sqarime për motivet reale, Edi Rama ka ndryshuar disa ligje për të lehtësuar investimin në Sazan.
Por këtë e ka bërë pa negociuar me opozitën shqiptare, duke përfituar rrjedhimisht simpatinë e investitorit amerikan, ndikimi i të cilit në veshin e Donald Trump është i padiskutueshëm.
I tillë ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në shkurt të vitit të kaluar, që u miratua me votën e socialistëve në parlament. Ndryshimi i ligjit e bëri më fleksibël ndërhyrjen në zonat e mbrojtura në rast se ishte e nevojshme për një investitor strategjik.
I tillë ishte edhe zgjatja me një vit e afatit për ligjin e investimeve strategjike. Ligji u votua me shumicë votash nga Partia Socialiste dhe me kundërshtime të forta nga opozita.
Në të dyja rastet, Rama nuk dha asnjë shpjegim se ligjet po ndryshoheshin për t’i hapur rrugë investimit amerikan në ishullin e Sazanit, duke futur në kurth opozitën, që protestoi dhe votoi kundër tyre.
Akuzat për investime në këmbim të favoreve politike me Trump
Disa nga mediat më prestigjioze në botë kanë ngritur dyshime se investimi i Jared Kushner në Ballkan ka në thelb konfliktin e interesit.
Si Rama, ashtu edhe Vuçiç hamendësojnë mediat e huaja, po tentojnë ta blejnë mbështetjen e presidentit të zgjedhur të SHBA, duke i ofruar territore falas për bizneset e dhëndrit të tij. Të paktën kështu kanë aluduar shkrimet e New York Times, Newsweek dhe Frankfurter Allemagne Zeitung, të cilat e kanë përcjellë me nota dyshuese dhe kritika marrëdhënien e drejtuesve të shteteve ballkanike me investitorin amerikan.
Aty aludohet për korrupsion, konfikt interesi dhe investime që bëhen në këmbim të favoreve politike.
As Washington Post nuk mbeti pas me aludimet që investimi i Kushner në Shqipëri dhe në Serbi po bëhej për të përfituar nga presidenti i ardhshëm amerikan.
Pas raportimit në media, demokratët nuk qëndruan duarkryq.
Kongresmeni anti Trump, Jamie Raskin dhe kolegu i tij demokrat Robert Garcia, i dërguan një letër homologut të tyre të komisionit të mbikqyrjes, për ndikimin e politikanëve të huaj në vendimarrjen amerikane republikanit, James Comer ku shkruanin:
“Ne ju shkruajmë për t’ju nxitur të thërrisni një seancë dëgjimore në lidhje me përpjekjet e dukshme të ndikimit të Jared Kushner dhe marrëveshjet që përfshijnë investime në këmbim të veprimeve zyrtare dhe për të shqyrtuar kërcënimet që rezultojnë ndaj sigurisë sonë kombëtare”, theksohet në letër .
“Ky komision nuk mund të pretendojë se po heton përpjekjet e shtetasve të huaj që synojnë të ndikojnë anëtarët e familjeve të zyrtarëve të lartë amerikanë duke ofruar para ose përfitime të tjera, në këmbim të veprimeve të caktuara, duke vijuar t’i injorojë këto çështje,” shkruajnë dy ligjvënësit në tekstin ku kërkohet të pyetet Kushner për lidhjen e tij me Ramën dhe Vuçiçin.
Gjithsesi kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë pretendimet se po e jep Sazanin që të rregullojë marrëdhëniet me Trump.
“Dhëndrin e Trump unë e kam njohur rastësisht. Ai erdhi bashkë me gruan e tij për të vizituar vendin tonë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit më ftoi kur erdhën për t’u furnizuar. U takuam dhe kishte njerëz të tjerë dhe më pas jemi takuar disa herë” – deklaroi kryeministri Rama në “Opinion”.
“Investitorët nuk vijnë për interesin publik, ata vijnë për interesin e tyre. Interesin publik e mbron qeveria. Unë nuk pranoj leksione nga ata që kur e kanë pasur në dorë nuk kanë mbrojtur interesin publik. Ndryshe nga ç’ndodhte përpara kur thuhej “Shqipëria 1 euro” që është një formulë që funksionon, por me atë që u bënë ato që u bënë” – është shprehur ai.
Interesi publik në dorën e një njeriu të vetëm
Investimi 1.5 miliard dollarë në Sazan me siguri që do t’i shndërrojë djerrinat e braktisura të ishullit nga territore të shkreta që përdoren për qitje nga ushtarët e Vlorës, në një kompleks turistik elitar për më të pasurit e globit, të cilët do të shijojnë të pashqetësuar plazhet e virgjëra në një zonë ekskluzive, të paarritshme për vendasit nga ana tjetër e bregut.
Janë pikërisht çmimet, minimumi 3 mijë dollarë dhe maksimumi 49 mijë dollarë nata në rezidencat e “Aman”, garancia më e sigurtë se qytetarët shqiptarë do t’i qëndrojnë larg plazheve të Sazanit që nga momenti që projekti nis të realizohet, përveçse kur aty të ketë nevojë për krah pune në ndërtim, në pastrim, për kamarierë, shoferë apo për shërbime gjithfarë të nevojshme në hotelet dhe vilat e kompleksit.
Duhet kuptuar pra, se premtimi për ta shndërruar ishullin e Sazanit në “xhevahirin e kurorës së artë turistike të Mesdheut”, nuk bëhet për banorët e Vlorës, apo të Orikumit, por për një shtresë ekstremisht të pasur, që mund t’ia jejojë vetes luksin e zonave ekskluzive, krah sipërmarrësve të rangut Mark Zuckenberg, Bill Gates, Kardashians etj, që janë frekuentues të rregullt të linjës së hoteleve “Aman”.
Një shije të shkëputjes nga ky oaz i mrekullueshëm i të ardhmes në Sazanit, shqiptarët tashmë e kanë provuar në procesin e negociatave dhe më pas të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga Edi Rama dhe ku qytetarët shqiptarë janë të përjashtuar.
Kështu ka ndodhur me kullat në Tiranë, kur është i njëjti njeri që vendos se ku dhe çfarë do të ndërtohet; ka ndodhur me projektin e marinës në Durrës kur qindra hektarë tokë publike iu falën arabit Mohamed Alabbar, ndodhi me marrëveshjen për emigrantët me Italinë kur iu njoh ekstraterritorialiteti qeverisë Meloni në Shëngjin dhe Gjadër, njësoj ndodhi me aleancën Shqipëri-Serbi në Ballkanin e Hapur, apo së fundmi me mbylljen e rrjetit TikTok. Të gjitha këto ngjarje kanë një pikë të përbashkët, e prekin interesin publik por vendimin e merr një njeri i vetëm.
Lapsi.al
Begaj firmosi fshehtas dekretet për ishullin e Sazanit (faksimile)
Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike që i hap rrugë negociatave mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së Jared Kushner për investimin në Sazan përmenden edhe dy dekrete të presidentit Bajram Begaj, nëpërmjet të cilave ai ka vendosur për heqjen e ishullit nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes së ushtrisë.
Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes është një dokument që përmban zonat që shfrytëzojnë Forcat e Armatosura për misionin e tyre, në kohë krize, paqeje apo lufte. Ishulli i Sazanit ishte pjesë e kësaj zone dhe meqënëse ai do t’i kalojë së shpejti kompanive private për të realizuar investimin e rezortit turistik, duhej që presidenti ta nxirrte nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes së Forcave të Armatosura me një dekret.
Bajram Begaj nuk ka firmosur një, por dy dekrete të nevojshme në funksion të projektit që miratoi Komiteti i Investimeve Strategjike, pasi në dokument shkruhet se:
- Referuar dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 398, datë 02.12.2024, “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, miratuar me dekretin Nr. 8593, datë 17.06.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, rezulton që struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, del jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura sipas Aneksit 3.
Por ajo që e bën më interesant aktin e Begajt është se ai ka preferuar t’i mbajë të fshehta dy dekretet e qershorit dhe të dhjetorit që lidhen me ishullin e Sazanit. Lapsi.al vëzhgoi një për një dekretet e publikuara në faqen zyrtare të presidencës ku rezulton se asnjë nga dy dekretet e përmendur nga KIS nuk është publikuar në faqe.
Nuk dihet se përse Begaj është treguar diskret për firmat që ka nënshkruar në dokumentat zyrtare, edhe pse i gjithë procesi i negociatave nga autoritet shqiptare në lidhje me investimin në Sazan shoqërohet nga një shqetësim për të mos pasur transparencë.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump parashikon të investojë në Sazan rreth 1.5 bilion dollarë sqaron dokumenti i KIS, për të ndërtuar aty një resort elitar. Nuk dihet nëse qytetarët shqiptarë do të kenë përfitime nga ky projekt, të cilin kryeministri Rama po e mban sa më të fshehtë të jetë e mundur në mënurë që përfitimet nga allishverishi i radhës të jenë personale, jo publike.
Lapsi.al
Berisha dakort me kryeministrin Rama për ishullin e Sazanit…
Në lidhje me investimet e dhëndrit të Presidentit Amerikan Trump në ishullin e Sazanit sot lideri demokrat, Berisha ka deklaruar se është plotësisht dakort. Ndër të tjera Berisha theksoi se kjo po përdoret për influenca politike nga Edi Rama, por nuk tha se është në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën fakti që kryeministri Rama e shpalli atë investitor strategjik.
Ishulli i Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, është përdorur vetëm si bazë ushtarake. Por me një dekret të firmosur në fillim të muajit dhjetor, nga Presidenti Bajram Begaj, struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, e cila duket se përkon me zonën ku synohet të realizohet projekti, është nxjerrë jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura.
Sipas vendimit, vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliard euro. Projekti, i cili parashikon “marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre” do të shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Sipas një interviste që zoti Kushner pati dhënë në mars të vitit të kaluar për Bloomberg-un, synimi ishte ndërtimi i një eko-resorti luksoz të markës Aman. Ai deklaroi në atë kohë se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.
Kompanisë së zotit Kushner, i është statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” duke e konsideruar projektin të “një rëndësie strategjike për vendin”. Por sipas vendimit, ky status, që jepet për një periudhë 10 vjeçare është “i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme”.
Nga ana tjetër vetë kompania ka kërkuar bashkëpjesmarrjen e shtetit, e cila sipas vendimit “do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e pales shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”. Kompania ASDC, u krijua dy vjet më parë, si përfaqësuese e Shtetit shqiptar, në projektin tjetër në zonën e Durrësit, ku është parashikuar investimi nga sipërmarrësi Mohamed El Alabbar.
Statusi i investitorit strategjik parashikon një sërë masash favorizuese, që nga kryerja me prioritet e procedurave, te mbështetja që autoritetet japin në lidhje me lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme për realizimin e projektit, apo dhe vënia në dispozicion e sipërfaqes ku do të realizohet investimi dhe ndërhyrjet për ta bërë atë të përshtatshme për realizimin e ndërtimeve të parashikuara.
Nuk ka një afat se kur pritet të realizohet projekti, i parashikuar në 3 faza. Për momentin, kompania e zotit Kushner do të duhet të dorëzojë një seri dokumentash të listuara në vendim, “brenda 60 ditëve pune, nga njoftimi i këtij vendimi nga Sekretariati Teknik”.
Në mars të vitit të kaluar, kur bëri publike idenë e tij për projektin në Sazan, zoti Kushner shpjegoi se ajo kishte lindur duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, dhe si ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.
Zoti Kushner foli dhe për një projekt të dytë në Shqipëri, në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila. Por për këtë rast nuk ka të dhëna nëse ka avancuar më tej.
Autoritetet shqiptare e mirëpritën në atë kohë synimin e zotit Kushner për të investuar në Shqipëri. Kryeministri Rama në atë kohë foli për një “ofertë fantastike” e cila sipas tij do e kthente ishullin e Sazanit në “një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”.
Dhëndri i presidentit të zgjedhur Trump, synon të realizojë një projekt dhe në Beograd, për transformimin e tre blloqeve të braktisura, në zemër të kryeqytetit serb, në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-qeverisë së atëhershme.
Zoti Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Koha Jone
Deklarata e Berishen ishte fantastike,ka filluar te ket frike edhe ato qe mendon e jo me ato qe thote,kam qesh me lot kur e degjova dhe se si mundet te katandiset njeriu kur flet per te mos thene asgje !
Sa per Sazanin eshte pislliku i radhes ku do zaptojne e betonojne si çdo gje tjeter qe kan bere ne ate vend,per te zen tokat ne bregdet bejne sikur investojne me keta investitoret strategjik. Turizmi sot kerkon sa me shume natyre e origjinalitet,me resorte e ke boten te tejmbushur.
Ndryshuar për herë të fundit nga SERAFIM DILO : 17-01-2025 më 18:27
“Investitori strategjik pa plan biznesi: Çfarë fshihet pas projektit të Sazanit?”
Vendimi i kryeministrit Edi Rama për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik dhëndrit të Donald Trump në prag të inaugurimit, pa një plan të plotë biznesi dhe studim fizibiliteti, konsiderohet nga ekspertët si një lëvizje për të siguruar mbështetjen e administratës së Trump.
Nga Vladimir Kara
Porti i Sazanit i parë nga kodra më 1 gusht 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN
Kur dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner shpalli nga Shtetet e Bashkuara planin për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit marsin e kaluar, shumëkush në Shqipëri mbeti i habitur. Por jo kryeministri Edi Rama, i cili nuk e fshehu entuziazmin.
“Ne kemi nevojë për super-luksin po aq sa shkretëtira ka nevojë për ujë,” tha Rama duke iu referuar ofertës së Kushner në një intervistë për Financial Times. Rama pretendoi gjithashtu se propozimi kishte ardhur drejtpërdrejt nga Kushner.
Qeveria shqiptare i shtyu përpara planet për bashkëpunimin me Kushner dhe në fund të dhjetorit 2024, pak javë përpara inaugurimit të Trump si president, i dha kompanisë së lidhur me të, Atlantic Incubation Partners LLC, statusin e investitorit strategjik.
Ishulli i Sazanit shërbeu si bazë ushtarake detare gjatë regjimit komunist dhe administrohet ende nga Ministria e Mbrojtjes. Për t’i hapur rrugën përfitimit të statusit të investitorit strategjik, presidenti i Republikës, Bajram Begaj firmosi me urgjencë më parë një dekret për nxjerrjen e një zone të stërvitjes jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura.
Projektet e biznesit të rrethit të ngushtë familjar të Trump kanë ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara mbi një konfilkt të mundshëm interesi mes presidentit të zgjedhur dhe qeverive të huaja. Nga prespektiva e Shqipërisë, lëvizja e Ramës lexohet gjithashtu si një përpjekje për të fituar pikë pranë administratës së Trump.
Ndryshe nga Rama, kompania Affinity Partners e përfaqësuar nga Kushner i tha Komitetit të Finanancave të Senatit amerikan gjatë një hetimi të hapur se ishte qeveria shqiptare ajo që fillimisht iu ofrua individëve të lidhur me Affinity mbi projekte të mundshme në pasuritë e paluajtshme. Megjithatë, Affinity refuzoi të identifikonte se kush nga qeveria shqiptare e kishte bërë këtë.
Për publicistin Fatos Lubonja, fakti që qeveria shqiptare i ka ofruar ishullin Kushnerit nuk është një rast i rrallë.
“Rama e ka bërë edhe më herët këtë gjë. Si në këtë rast edhe në rastin e Italisë për emigrantët, edhe në rastin e emigrantëve afganë, është ofruar ky dhe nuk është se e kanë kërkuar ata,” tha Lubonja në një bisedë telefonike.
“Kjo është paradigmë e politikanëve shqiptarë, të paaftë për të ndërtuar një shtet dhe për të marrë legjitimitet nga populli, u ofrohen shteteve të mëdha për të marrë këtë legjimitet dhe të mëdhenjtë për interesat e tyre e pranojnë këtë,” shtoi Lubonja.
Zyra e shtypit e kryeministrit i konsideroi pretendimet se qeveria shqiptare i ishte vetëofruar Kushner “si thashetheme”.
“Edhe njëherë, ne nuk kemi asnjë arsye të merremi me çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri,” tha ajo duke iu referuar deklaratës së Affinity për Senatin amerikan, përmes një emaili të përcjellë nga Agjencia për Media dhe Informim.
Pa plan biznesi dhe fizibilitet
Kryeministri Edi Rama me Jared Kushner dhe Ivanka Trump gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.
Planet për ishullin e Sazanit dhe kthimin e tij në një ‘parajsë turistike’ nuk janë të reja.
Ish-baza ushtarake e braktisur është bërë shpeshherë objekt i ëndrrave multimilardëshe në Shqipëri, duke përfshirë ngritjen atje të një kazinoje apo formave të tjera të shfrytëzimit.
Përfshirja e Kushner në këto plane erdhi pas dy vizitave të tij dhe bashkëshortes Ivanka Trump në Shqipëri, përfshi një udhëtim me jaht dhe një me helikopter si dhe takimin me kryeministrin Rama.
Projekti i resortit luksoz parashikohet të ngrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në ishullin e Sazanit dhe përfshin ndërtimin e strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale dhe zonave gastronomike. Megjithatë, ky nuk duket një plan i afërt.
Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Rama, projekti “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” e përfiton statusin e investitorit strategjik për një periudhë 10-vjeçare, afat që nevojitet sipas vendimit për kryerjen e procedurave dhe plotësimin e detyrave.
Mes detyrave përmenden de-militarizimi i zonës që ka shërbyer prej vitesh si poligon i ushtrisë dhe “ka rrezik të lartë piroteknik”, inventarizimi i tuneleve nëntokësore dhe bunkerëve si dhe negociimi i kushteve të pjesmarrjes shtetërore në këtë investim strategjik.
Gjithashtu, investitorit i kërkohet që të paraqesë një seri dokumentesh kyçe për projekte të këtij lloji, mes të cilave edhe planin e plotë të biznesit ku të përcaktohen detyrimet e investitorit dhe të shtetit si dhe studimin e plotë të fizibilitetit – një dokument që provon se projekti është i përshtatshëm dhe i realizueshëm.
Miratimi i statusit të investitorit strategjik në mungesë të këtyre dokumenteve është sipas ekspertëve “një sinjal alarmi”.
“Nëse një projekt i tillë me vlerë prej 1.4 miliardë eurosh nuk ka një plan të plotë biznesi dhe studim fizibiliteti, kjo ngre shqetësime të rëndësishme në lidhje me mundësinë e realizimit të tij dhe menaxhimin e riskut, si për investitorët ashtu edhe për shtetin,” thotë Eduard Gjokutaj, themelues i organizatës së edukimit financiar, “Altax”.
“Mungesa e dokumentacionit të kërkuar dhe mosrespektimi i procedurave standarde përbën një rrezik të lartë për suksesin e projektit dhe interesat publike,” theksoi më tej Gjokutaj, duke shtuar se një praktikë e tillë “mund të perceptohet si favorizim për një investitor të caktuar, duke ngritur pyetje mbi ndikimet politike në proces”.
Qeveria nga ana e saj e konsideron një procedurë normale mungesën e një plani të plotë biznesi dhe studimi fizibiliteti për projektin në ishullin e Sazanit.
“Në vendimmarrjen të cilës ju i referoheni, nuk ka asnjë nxitim dhe fakti që një vendimmarrje shoqërohet me kërkesa të reja nuk është as ndonjë shkelje e ndonjë ligji, as ndonjë përjashtim në proceset e shumta vendimmarrëse, ku mund të gjeni plot raste të tilla,” tha Agjencia për Media dhe Informim.
Qëllime politike
Godina e Kongresit amerikan gjatë përgatitjeve për inaugurimin e presidentit Trump. Foto: LSA.
Ceremonia e inaugurimit të Donald Trump dhe ngjitja e tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar si presidenti i 47-të i Amerikës po pritet me entuziazëm nga të dyja krahët e politikës në Shqipëri, por veçanërisht nga e Partia Demokratike në opozitë.
Për shkak të sfondit politik të Kushner, kritikat e opozitës për projektin e Sazanit kanë qenë të mekëta. Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se Rama po e përdorte projektin për qëllime politike, por nuk e kundërshtoi projektin në vetvete.
“Ne nuk i kundërshtojmë projektet që respektojnë rregullat e vendit..,” tha Berisha.
Por deputetja e opozitës, Jorida Tabaku thotë se procedurat për dhënien e statusit të investitorit strategjik për ishullin e Sazanit ishin ndërmarrë në mungesë të transparencës dhe një procesi konkurrues të hapur. Ajo kritikoi gjithashtu përdorimin e pasurive publike për qëllime politike.
“Rasti i fundit me ishullin e Sazanit tregon qartë mungesën e transparencës dhe të një procesi konkurrues të hapur, si dhe rrit shqetësimet për mënyrën se si këto vendime përdoren për qëllime politike,” tha Tabaku për BIRN.
“Ishulli i Sazanit është një pasuri unike kombëtare me potencial të madh për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Çdo projekt që synon zhvillimin e tij duhet të jetë pjesë e një procesi të hapur dhe konkurrues, të mbështetur nga konsultime publike dhe transparencë të plotë”, shtoi Tabaku.
Për kritikun Fatos Lubonja, mungesa e garës dhe e transparencës tregon shumë mbi praktikën e grabitjes së pronave publike për qëllime politike.
“Shqiptarët i gënjejnë me gjoja turistë që do të vijnë, por unë nuk shikoj asnjë përfitim. Unë shoh grabitje të pronave publike,” tha Lubonja, ndërsa shtoi se pjesët më të bukura të bregdetit shqiptar po bëhen të paaksesueshme nga shqiptarët e thjeshtë.
Lubonja është gjithashtu kritik me heshtjen e opozitës mbi projektin e Kushner në Sazan.
“Opozita në këtë rast ka heshtur me shpresë se do të fitojë mbështetje nga Trump apo do heqë non gratën për Berishën. Ky është një gabim i opozitës…,” përfundoi ai.
BIRN
Artikulli i Financial Times “Loja gjeopolitike pas investimit në Sazan”
Pse ka dyshime në Washington për dollarët sauditë që u premtuan për ishullin e vetëm të Shqipërisë
“Kemi nevojë për turizmin super luks në këtë vend, njësoj siç shkretëtira ka nevojë për ujë. Ç’mund të fitohet nga 500 jahte, është e njëjtë me atë nga 4 mijë turistë me buxhet të vogël”, fjalët janë të kryeministrit Edi Rama, që citohet në një artikull të Financial Times për investimin e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner në ishullin e Sazanit.
Vetëm se në artikull, Edi Rama dhe përfitimet e Shqipërisë nga ky projekt trajtohen në mënyrë periferike.
Sepse historia e vërtetë e investimit në Sazan, sipas gazetarëve të Financial Times kombinon biznesin, gjeopolitikën dhe marrëdhëniet e ngushta mes elitave politike dhe financiare, që e vendosin Shqipërinë në qendër të një loje të ndërlikuar globale të influencës dhe investimeve strategjike.
Ish-këshilltari i lartë i Donald Trump, tashmë një investitor i fuqishëm me lidhje të gjera ndërkombëtare, Jared Kushner ka zgjeruar në mënyrë të ndjeshme portofolin e tij të biznesit. Ndërtimi i resortit luksoz në ishullin e Sazanit është një marrëveshje e cila tërheq vëmendje të madhe jo vetëm për vlerën e saj ekonomike, por edhe për ndikimet e mundshme politike dhe konfliktet e interesit që e rrethojnë.
Si mori formë projekti i Sazanit
Gjatë administratës së parë të Trump, Kushner dhe familja e tij ishin duke eksploruar bregdetin mes Italisë dhe Greqisë kur jahti i tyre u ankorua pranë brigjeve shqiptare.
I intriguar nga vendi, ai kërkoi një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili u organizua shpejt dhe ndodhi në jahtin e tij. Sipas Ramës, darka ishte e përzemërt, por nuk pati asnjë diskutim për investime në atë moment.
“Ai nuk përmendi investime, thjesht pyeste për Shqipërinë. Praktikisht, nuk dinin asgjë për historinë e vendit”, kujton Rama.
Megjithatë, interesi i Kushnerit për Shqipërinë nuk u ndal me kaq. Pak muaj më vonë, ai u takua sërish me Ramën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku miliarderi arab Mohamed Alabbar, i cili po zhvillonte një marinë luksoze në Durrës, i kishte prezantuar atij mundësitë e investimeve në Shqipëri. Kushner u shpreh entuziast për vendin dhe për mundësitë e tij ekonomike.
Në verën e vitit 2023, ai u kthye në Shqipëri me një ekip të zgjeruar, duke përfshirë Richard Grenell, një nga aleatët më të fuqishëm të Trumpit dhe ish-emisarin amerikan për Ballkanin. Këtë herë, Kushner ishte shumë më konkret dhe i drejtpërdrejtë: “Jemi të interesuar të investojmë,” i tha ai Ramës.
Më 30 dhjetor 2024, vetëm tre javë para inaugurimit të dytë të Donald Trumpit si president, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak për projektin e Kushnerit: një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Ishullin Sazan, i cili ndodhet në mes të Adriatikut dhe është ishulli i vetëm i Shqipërisë në Mesdhe.
Ky është një nga projektet më të mëdha të financuara nga firma e Kushnerit, Affinity Partners, të cilën ai e themeloi menjëherë pas largimit nga administrata Trump, duke siguruar një financim fillestar prej 2 miliardë dollarësh nga Fondi Sovran i Arabisë Saudite.
Rama e përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se investimi do të ndihmojë Shqipërinë të tërheqë turizmin e luksit dhe të mos dëmtojë mjedisin siç do të ndodhte me turizmin masiv.
Afera Biznesi apo Konflikt Interesi?
Megjithëse projekti i Sazanit është parë si një mundësi e madhe për Shqipërinë, marrëdhëniet e ngushta të Kushnerit me administratën Trump dhe burimi i financimeve të tij e kanë vendosur atë në qendër të kritikave.
Kompania e tij, Affinity Partners është financuar kryesisht nga Fondi Sovran i Arabisë Saudite, një fakt që ka ngritur dyshime se investitorët nga Gjiri Persik mund ta shohin Kushnerin si një mënyrë për të fituar akses dhe ndikim tek Donald Trump.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë investimi në Shqipëri nuk është thjesht një marrëveshje biznesi, por një lëvizje gjeopolitike që mund të ketë ndikime më të gjera.
Në një fjalim në Harvard vitin e kaluar, Kushner e përshkroi bin Salmanin si një “mik” dhe tha se me princin ai kishte zhvilluar diskutime të rregullta, pasi mori përsipër disa merita për vendosjen e Arabisë Saudite në zemër të strategjisë së administratës së parë të Trump për Lindjen e Mesme.
Kushner tha se kur Trump erdhi në detyrë, ai qe i gatshëm të tregohej “i ashpër” me Arabinë Saudite, derisa bin Salman e informoi Kushnerin për planet e tij për të modernizuar mbretërinë — nga lejimi i grave për të përdorur makinat deri te goditja e ekstremizmit.
Me pak fjalë, Arabia Saudite u zgjodh si vizita e parë e Trump jashtë shtetit.
“[Kushner] kishte një marrëdhënie të ngushtë me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe ata që janë marrë me të thonë se ai ka njohuritë e duhura kulturore për të vepruar në rajon”, citohet Helima Croft, një ish-analiste e CIA-s, e cila tani është drejtuese e Middle Hulumtimi Lindor në RBC Capital Markets. “Ai priret të dëgjojë më shumë sesa të ligjërojë, dhe shpenzon kohë me lojtarët kryesorë”.
“Nëse administrata Trump është serioze në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve [mes Arabisë Saudite dhe Izraelit] mendoj se ata duan ta kenë Jared në ekip, edhe nëse ai po qëndron më shumë në sfond kësaj here. Ai nuk po merr një punë në administratë, por ai thotë “Unë jam këtu për të ndihmuar” dhe jep këshilla sipas nevojës.
Kritikat nga Kongresi Amerikan
Fakti që projekti i Sazanit u miratua pak javë para se Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë ka shtuar spekulime mbi rolin e mundshëm të lidhjeve politike në sigurimin e kësaj marrëveshjeje. A është Shqipëria një investim i natyrshëm për Kushnerin apo një hap strategjik që lidhet me ndikimin e Trumpit?
Senatorët demokratë kanë ngritur shqetësime se kompania Afinity në pronësi të Kushnerit mund të jetë duke u përdorur si një mënyrë për të kanalizuar fonde nga qeveritë e huaja te familja Trump.
Një hetim i Senatit vitin e kaluar sugjeroi se Affinity Partners nuk ka kthyer ende fitime të konsiderueshme te investitorët e saj, duke rritur dyshimet se interesi kryesor i saj nuk është thjesht biznesi, por ndikimi politik.
Që nga krijimi, Affinity është parë në mënyrë të dyshimtë në Uashington, veçanërisht në mesin e ligjvënësve demokratë që i konsiderojnë milionat në tarifat vjetore që fitohen nga investitorët sauditë dhe me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe si para për të financuar ndikimin e huaj.
“Investitorët e Affinity mund të mos motivohen nga marrëdhënia tregtare, por më tepër mundësia për të derdhur paratë e qeverisë së huaj tek anëtarët e Familja e Presidentit Trump, përkatësisht Jared Kushner dhe Ivanka Trump”, tha Senatori Ron Wyden, pjesë e një hetimi të fondit nga komiteti financiar i Senatit.
Shqetësimi i disa ekspertëve të sigurisë kombëtare është se Kushner po përfiton nga lidhjet e krijuara gjatë kohës së tij në qeverisje dhe, duke pasur parasysh afërsinë me Trump, ai mund të përdoret për t’i shërbyer interesave të shteteve të huaja në çështjet diplomatike.
Wyden dhe Jamie Raskin, një tjetër anëtar i komitetit të Kongresit për mbikëqyrjen dhe llogaridhënien, kërkoi në tetor që Departamenti i Drejtësisë ta emërojë atë këshilltar special për të hetuar marrëdhëniet e biznesit të Kushner.
“Ndërsa në Arabinë Sauditë, ai është në listën e pagave të qeverisë, zoti Kushner po shërben njëkohësisht si një konsulent politik i ish-presidentit Trump, duke vepruar si një diplomat në hije dhe këshilltar politik i princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman dhe disa të huajve të tjerë. Pavarësisht se janë të angazhuar në aktivitete të thjeshta politike,” thanë ata në një deklaratë.
Pavarësisht kritikave, për Kushner nuk është ngritur ndonjë akuzë.
“Këta djem, shumë nga këta njerëz do të thonë se gjithçka është një konflikt. Unë nuk do t’i lë të më ndalojnë. Këta nuk duan ta pranojnë [që] unë kam një histori të pabesueshme suksesi në Lindjen e Mesme”, thotë ai për politikanët demokratë. “Unë i kam ato marrëdhënie të shkëlqyera për shkak të suksesit që kam arritur, që ishte diçka për të cilën unë u kritikova në çdo hap të rrugës dhe përpjekjeve të mia.”
Disa ekspertë të etikës në Shtetet e Bashkuara besojnë se Trump dhe anëtarët e familjes së tij ndjehen të pandëshkueshëm, duke pasur parasysh sjelljen e Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, i cili u përball me kritika për marrëdhëniet e tij të biznesit në Ukrainë.
Hunter Biden u dënua për një vepër të veçantë që nuk lidhej me kontratat e biznesit, për të cilat ai mori falje nga i ati në fund të mandatit si president.
Richard Painter, ish-shefi ekipit të juristëve të etikës në Shtëpinë e Bardhë në administratën Xhorxh.W.Bush thotë se, teorikisht, fëmijët e presidentit – dhe dhëndri i tij – do të duhej t’i qëndronin larg transaksioneve të biznesit që mund të krijonin pamjen e konflikt interesi.
Në të kaluarën “koncepti ishte se anëtarët e familjeve të presidentëve duhet të shmangin situatat që mund të japin idenë se njerëzit po bëjnë biznes me ta, për të përfituar favore nga presidenti,” thotë ai.
“Por për fat të keq, unë mendoj se si nga administrata e parë Trump ashtu edhe administrata e Bidenit me Hunter Biden. . . ne kemi shkuar disi përtej kësaj.” thotë ai për Financial Times.
Përshtati nga FT, Lapsi.al
Krijoni Kontakt