Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    SPAK arreston drejtorin e rrugëve Evis Berberi nën akuza korrupsioni dhe pastrim parash

    “Zëri i Amerikës” për arrestimin nga SPAK të drejtorit të përgjithshëm të rrugëve

    Emri:  Capture-81.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  21.9 KB

    Në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Evis Berberi, është arrestuar mbrëmë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai dyshohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njejtat vepra penale, nën arrest kanë përfunduar po ashtu dhe dy sipërmarrës, të lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lamaj, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre.

    Gjithshka është vërtitur rreth dy kompanive “Net Group” në zotërim të Begajt, ku zoti Berberi ka qenë i punësuar, dhe kompanisë tjetër “Daam”, të blerë më pas nga ky i fundit, prej sipërmarrësit Begaj. Kompania “Daam” u shit më vonë nga zoti Berberi në momentin e angazhimit të tij në strukturat shtetërore, pranë ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kur drejtimin e saj e mori zonja Belinda Balluku. Ai do të shfaqet si një bashkëpunëtor i ngushtë i ministres, pranë së cilës ai punoi fillimisht si këshilltar, për të marrë më pas, drejtimin, si i komanduar, të Agjencisë për Efiçencën e energjisë. Ndërsa në vitin 2021, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit rrugor, një prej strukturave më të rëndësishme, për nga projektet dhe vlera e lartë e fondeve që administron.

    Kompania “Daam” e blerë nga Berberi me një shumë simbolike, shitet prej tij, me një çmim të shumëfishuar, ndërsa ndryshon pronësi dhe administrim disa herë, mes Bulos, Begaj dhe Lamajt. Por sipas Prokurorisë së posaçme, zotëruesi indirekt i saj, ka mbetur zoti Berberi.

    Hetimet kanë zbuluar se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme. Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave. Transaksione nga “net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga zoti Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e zotit Berberi. Bëhet fjalë për prokurime publike me një vlerë totale prej mbi 2.7 milion euro me tvsh.

    Mësohet se nga kontrolli i ushtruar në banesën e zotit Berberi, janë gjetur piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve.

    Nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk ka patur ndonjë reagim mbi arrestimin e zyrtarit të lartë të saj.

    Zeri i Amerikes

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    Për: SPAK arreston drejtorin e rrugëve Evis Berberi nën akuza korrupsioni dhe pastrim parash

    SPAK: Kreu i ARRSH investoi 2.2 milionë euro nga tenderat publikë në kompaninë e kontrolluar prej tij

    Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij, pasi akuzohen se krijuan një skemë për përfitimin në mënyrë të parregullt të tenderave publikë dhe investimin e rreth 2.2 milionë eurove në pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë që ai kontrollon.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Rama-Berberi-Balluku.jpg

Shikime: 24

Madhësia:  33.5 KB
    Në foto: Ministrja e e Infrastrukturës dhe e Ekonomisë Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama dhe Drejtori i ARRSH Evis Berberi duke vizituar punimet në Tunelin e Murrizit në 26 dhjetor, 2023. Foto: Kryeministria

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 14 mars arrestimit e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqitar, ARRSH, Evis Berberi, për akuzat “Korrupsioni pasiv…” dhe “Pastrim Parash…”, të kryer në bashkëunim. Sipas SPAK, Berberi në cilësinë e kreut të dy institucioneve shtetërore, ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash nga një shoqëri e cila ka qenë fituese e tenderave. Për të mundësuar marrjen e rryshfetit ka përdorur një mënyrë të tërthortë, ku shoqëria fituese e tenderave të institucioneve që ai drejtonte, i transferonte paratë në një shoqëri tjetër të kontrolluar prej tij. Së bashku me Berberin janë vënë në pranga mbrëmjen e të mërkurës për të njëjtat vepra penale edhe Valter Begaj, pronari komanisë që përfitonte tenderat dhe njëkohësisht ortak i shoqërisë së zotëruar indirekt nga ana e Berberit, si dhe Ervis Lame, administratori i shoqërisë së Berberit dhe punonjës në shoqërinë e Begajt.

    “Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë ‘N…… Group', sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B.. Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale”, sqaron SPAK.

    Nga hetimi i filluar vitin e kaluar dyshohet se Berberi, fillimisht në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë dhe më pas si Drejtor i Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net – Group”,sh.p.k. e cila ka fituar tenderat, përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM sh.p.k.”, të kontrolluar prej tij.

    “Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “N…… Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B.. Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale”, citohet në njoftim dhe shtohet se bazuar në këto rrethana dyshohet se Berberi ka konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.

    Sipas SPAK, investimi i parave të korrupsionit për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë së kontrolluar nga Berberi janë kryer gjatë koohës që ortakë të shoqërisë “DAAM sh.p.k.” kanë qenë oratëk të shoqërisë shtetasit Valter Begaj, Ervis Lame dhe shtetësja B.B., që dyshohet se në bashkëpunim me kreun e ARRSH-së, kanë pastruar paratë.

    Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur Berberi ka qenë drejtor i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137.4 milionë lekë lekë pa TVSH, me operator fitues shoqërinë e zotëruar prej Begajt, “Net Group” sh.p.k., kurse gjatë kohës që ka drejtuar Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi të tjera në vlerën totale 101,8 milionë lekë, pa TVSH, me fitues bashkimin e operatorëve në të cilin ka qenë pjesëmarrës dhe shoqëria e Begajt. Po ashtu, ka rezultuar se shoqëria nën zotërim indirekt të Berberit ka përfituar të ardhura nga shoqëria e Begajt, në vlerën totale rreth 223.4 milionë lekë më TVSH.

    Sipas ekstraktit historik të shoqërisë “DAAM shpk” që gjendet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezutlton se është themeluar në vitin 2017 nga Valter Begaj, i cili vitin 2018 i ka shitur kuotat e shoqërisë tek Evis Berberi. Ervis Lami në vitin 2017 është caktuar si përfaqësues i posaçëm i shoqërisë, ndërkohë që në vitin 2019, Evis Berberi i ka shitur kuotat tek aksionerja aktuale e shoqërisë “DAAM shpk”, shtetases B.B.

    Arkiva e Agjencisë së Prokurimeve Publike tregon se Net Group ka fituar 298 procedura prokurimi në autoritete të ndryshme kontraktore nga viti 2017 deri në vitin 2024. Në vitin 2017, kompania fitoi 13 kontrata me vlerë të vogël për një total prej 870 mijë lekë. Por në vitet në vijim, numri i kontratavve dhe vlera e tyre u rrit në mënyrë dramatike. Në total kompania u shpall fituese për një vlerë të përgjithshme prokurimi prej 424 milionë lekësh. Kompania DAAM fitoi gjatë kësaj periudhe 25 procedura prokurimi me vlerë 25 milionë lekë.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    Për: SPAK arreston drejtorin e rrugëve Evis Berberi nën akuza korrupsioni dhe pastrim parash

    VIDEO/ Të pathënat për Evis Berberin, drejtorin e arrestuar të ARRSH-së

    Nga Julian Hoxhaj

    Më 13 mars, në media qarkulloi lajmi se kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kishte dhënë dorëheqjen. E vërteta ishte krejt ndryshe, Berberi mbrëmjen e 13 marsit, ishte arrestuar nga SPAK me disa akuza: ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera’, ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, kryer në bashkëpunim, ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’.

    Këto akuza i njoftoi zyrtarisht SPAK më 14 mars, ku ndër të tjera, deklaronte se së bashku me Evis Berberin, ishin vënë nën arrest edhe dy biznesmenët Valter Begaj dhe Evis Lami, që njihen si miq të ish-kreut të ARRSH.



    Evis Berberi, i njohur si krahu i djathtë i Ministres Belinda Balluku, sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet dy kompanive, DAAM-Shpk dhe NET-GROUP.

    Së bashku me Evis Berberin, në pranga u vunë dhe dy biznesmenë, Valter Begaj dhe Ervis Lami, ndërsa çuditërisht SPAK, ndonëse e përmend si pjesë të hetimeve dhe elementëve të veprës penale, nuk njoftoi asnjë masë sigurie për shtetasen Brunilda Buli.

    Për mungesën e akuzës për Brunilda Bulin, skemën korruptive të kompanive të Evis Berberit, Valter Begajt dhe Ervis Lamit dhe mbi të gjitha, tenderat miliona euro që këto kompani fituan nga buxheti i shtetit do të flasim në këtë emision.

    Sipas të dhënave të OPEN DATA, ‘DAAM shpk’, ka përfituar rreth 9 tendera publikë vlera e të cilëve në total shkon në rreth 300 mijë euro. Por ajo që bie në sy në këto tendera, është fakti se në disa raste, ato janë fituar së bashku me shoqërinë ‘NET-GROUP’, e cila rezulton në pronësi të Valter Begaj, ndërsa dikur kishte të punësuar si Drejtor Teknik edhe Evis Berberin.

    Shoqëria LEAD Consulting, bashkëpronare e të cilës ishte Brunilda Buli deri në vitin 2021, rezulton gjithashtu se ka përfituar dhjetëra kontrata publike, dy prej të cilave, me vlerë rreth 700 mijë euro nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë vitit 2022.

    Bëhet fjalë për tenderat me objekt: ‘Supervizion Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Juglindor’ me vlerë rreth 27495600 me TVSH

    Dhe tenderi me objekt: Loti 3: Kontrata C ‘Supervizion Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Juglindor’ me vlerë rreth 46 156 000 pa TVSH apo rreth 500 mijë euro me TVSH. Të dyja këto tendera janë firmosur nga Evis Berberi për ish-kompaninë e Brunilda Bulit, gjatë vitit 2022, dhe të dyja janë sinjalizuar me flamur të kuq për mungesë konkurrence.

    Flamujt e kuq, janë në fakt një element i zakonshëm i tenderave publikë që kanë fituar shoqërisë ‘DAAM shpk’, LEAD CONSULTING’ dhe kompania kryesore e aferës, ‘NET-GROUP shpk’.

    Shoqëria DAAM shpk e Evis Berberit, ka përfituar të paktën 9 tendera publikë që prej themelimit të saj, vlera e të cilëve shkon në rreth 400 mijë euro. Deri më sot, kjo shoqëri ka marrë pagesa direkte nga buxheti i shtetit rreth 350 mijë euro, ndërsa miliona euro të tjera të taksapaguesve shqiptarë, siç ka gjetur SPAK, në llogaritë e kësaj shoqërie kanë shkuar nëpërmjet shoqërisë NET-GROUP apo kompanive të tjera me të cilat ajo ka marrë pjesë në tenderat publikë.

    Pikërisht, NET-GROUP shpk, është kompania që ka marrë as një, as dhjetëra, por mbi 200 tendera publikë që nga themelimi i saj në vitin 2017 e deri më sot.

    Kompania NET-GROUP Shpk, u themelua nga Valter Begaj në 22 gusht 2017 apo rreth dy muja përpara se të themelonte shoqërinë DAAM shpk. Fillimisht edhe kompania NET-GROUP ka pasur emër tjetër, ‘B-VAAL ENGINEERING’, që më pas u ndryshua në NET-GROUP.

    Kjo shoqëri ka pasur si pronar të saj që prej themelimit shtetasin Valter Bega. Ky i fundit, si përmendëm më sipër është njeriu që në vitin 2017 themeloi dy kompani brenda dy muajve, shoqërinë DAAM, që ia shiti shokut të tij Evis Berberi për 100 mijë lekë, dhe tjetrën, NET-GROUP-in e mbajti vet. Ndërsa pas cirkuitit që bëri me pesë herë shitblerje dhe dhurim aksionesh, edhe shoqëria DAAM shpk, u rikthyer përsëri në pronësi të Valter Begajt. Po kush është Valter Begaj?

    Ai është në profesion inxhinier, fakt ky që dëshmohet edhe nga tre punësimi i tij në tre kompani të ndryshme njëkohësisht në vitin 2021 si inxhinier, ndërsa po ashtu, del po në të njëjtin vit edhe si pronar i katër kompanive, një prej të cilave tashmë e falimentuar.

    Falimenti i një prej katër kompanive duket i arsyeshëm, kur mendon se Z.Bega është një gjeni jo vetëm në profesionin e tij si inxhinier, por njëkohësisht edhe si sipërmarrës, ide që duket se i lindi krejt natyrshëm në verën e nxehtë të vitit 2017 dhe në pak vite, ai e pa veten milioner.

    Dhe milionat janë gjeneruar kryesisht nga një prej këtyre kompanive, NET-GROUP shpk, e cila nga viti 2018 e deri më sot, ka marrë mbi 200 tendera publikë, vlera e të cilëve shkon miliona euro.

    E mes këtyre tenderave të përfituar nga institucione të ndryshme në vend, nuk mund të mungonte as Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi. Nga ky institucion, NET-GROUP ka përfituar të paktën gjashtë tendera.

    Tenderi i parë në radhë, është ai i datës 10 nëntor 2021, me objekt: ‘Supervizion Punimesh Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7’, vlera e këtij tenderi ishte në rreth 17 627 656 lekë me TVSH apo rreth 150 mijë euro.

    Qershia mbi tortë do të vinte vetë katër ditë para vitit të ri 2021, ku Evis Berberi duket se i ka bërë një dhuratë të majme kompanisë së tij në prag të ndërrimit të viteve. Në datën 27 dhjetor 2021, ARRSH shpall fitues të tenderit me objekt: Mbikëqyrës punimesh në objektin ‘Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë’. Vlera e këtij tenderi ishte 194 700 000 lekë pa TVSH, apo rreth 2 milionë euro me TVSH.

    Në inspektimet e shpeshta të punimeve të rrugës, në këtë aks, Evis Berberi u shfaq shpesh krah Kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku, ku në një rast, ai bënte dhe rolin e shoferit të Ramës dhe Ballukut duke i shëtitur në rrugën e re të Palasës me një makinë kabriole.

    Më pas, fiton një tender me katër kontrata të ndryshme me objekt gjithashtu supervizim punimesh. Konkretisht, në datën 22 qershor 2022 shpallet fituese NET GROUP për tenderin me objekt ‘Supervizion per Mirëmbajtjen me performance të segmenteve rrugore të shtuara me VKM nr.600, date 13.10.2021.’ me vlerë 41 100 400 lekë pa TVSH.

    Në 30 qershor 2022 NET-GROUP shpallet fitues nga ARRSH për tenderin me objekt Loti 2: ‘Supervizion Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor’ me vlerë 45 388 970 lekë pa TVSH.

    në datën 12 korrik 2022 firmoset mes ARRSH dhe NET-GROUP kontrata me objekt: Minikontrata 1 Loti 2: Kontrata B ‘Supervizion Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor’ me vlerë 27 093 264 lekë.

    Në datën 21 korrik 2022 Evis Berberi firmos dhënien e tenderit: Minikontrata 1 ‘Supervizion per Mirembajtjen me performance të segmenteve rrugore të shtuara.’ vlera e të cilit ishte 34 199 880 lekë me tvsh.

    Në total, vetëm katër tenderat e qershorit dhe korrikut të vitit 2022, kapin një vlerë prej 147 782 514 lekë, apo rreth 1.4 milionë euro tendera që Evis Berberi ia dha kompanisë së shokut të vet për supervizim punimesh në rrugë.

    Prej vitit 2019 e deri më sot, buxheti i shtetit i ka paguar rreth 639,652,980 lekë apo rreth 6 milionë euro shoqërisë NET-GROUP. Këto janë vetëm pagesat direkte që kjo shoqëri ka marrë nga institucionet publike për qindra tendera supervizimi dhe mbikëqyrjesh punimesh, ku kjo shoqëri është deklaruar si kompania udhëheqëse e tenderit, ndërsa miliona euro të tjera llogaritet që të kenë shkuar në arkët e NET-GROUP nga bashkëpunimi me kompani të tjera në marrjen e tenderave publikë.

    Si shihet, vetëm nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, shoqëria ‘NET GROUP’ e Valter Begajt ka përfituar rreth 4 milionë euro tendera publikë. Një pjesë e këtyre tenderave janë identifikuar edhe nga SPAK, pavarësisht se në deklaratën shpërndarë për mediat, SPAK ka cituar vetëm 3 tendera që ARRSH i ka dhënë shoqërisë NET GROUP.

    Kurse gjatë kohës kur shtetasi E. B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit V.B., ‘NET Group’ sh.p.k.

    SPAK ka zbardhur gjithashtu, se Evis Berberi, gjatë kohës që ka qenë kreu i Agjencisë së Eficencës së Energjisë i ka dhënë rreth 1.37 milionë euro tendera kompanisë NET GROUP.

    Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit V.B., ‘NET Group’ sh.p.k. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria ‘Daam.’sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit E.B., ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit V.B. ‘NET Group’sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh.

    Nga hetimet e kryera, SPAK shprehet se kompania DAAM Shpk, vijon të kontrollohet nga Evis Berberi, pavarësisht se kjo shoqëri është aktualisht nën pronësinë e Valter Begajt me administrator ERvis Lamin, tashmë të tre të arrestuar. Pikëpyetja e madhe që ngrihet në këtë histori aferash dhe abuzimesh publike, është jo vetëm për veprimet e ngadalta të SPAK në lidhje me Evis Berberin, denoncimet ndaj të cilit kanë qenë që në vitin 2021, por edhe heshtja dhe mos reagimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, që nuk ka hetuar mbi Evis Berberin në lidhje me deklaratat e tij të pasurisë. Ky inspektorat do të duhet të ishte filtri dhe njëherazi sinjalizuesi i parë i organeve hetimore për raste të tilla, ku emërimi i të tillë zyrtarëve në institucione kye sjellë pasoja të rënda ekonomike për vendin.

    Evis Berberi, një personazh që për publikun u bë i njohur në vitin 2021, kur u emërua në krye të ARRSH, por që në radhët e socialistëve nuk ishte i panjohur.

    Në jetëshkrimin e tij publikuar në rrjetin Linkedin, Evis Berberi nga viti 2003 deri në vitin 2005, ka punuar si Menaxher Projektesh në shoqërinë Euroteorema, e cila deri në vitin 2017 ka qenë në bashkëpronësi të Ministrisë së Financave, Ndërmarrjes N.M.N Peqin dhe shtetasit Hidajet Rrakli.

    Prej vitit 2008 e deri në korrik të vitit 2011, Evis Berberi emërohet si Inxhinier Strukturash në bashkinë e Tiranës.

    Këtu duket se kanë nisur njohjet e Evis Berberit me Belinda Ballukun, e cila pas vitit 2004, ka qenë krahu i djathtë i Edi Ramës në bashkinë e Tiranës duke mbajtur funksionin e Shefes së Kabinetit.

    Në vitin 2011, kur bashkia e Tiranës ndryshoi Kryetar, Evis Berberi shkoi në bashkinë e Kavajës, e cila në atë kohë u drejtua nga kryebashkiaku socialist, Elvis Roshi, i cili më pas la mandatin për shkak të dekriminalizimit.

    Në tetor të vitin 2013, Belinda Balluku emërohet drejtoreshë e përgjtishme e Albcontrol. Në këtë moment, ajo emëron të besuarin e saj, Evis Berberi, në krye të Prokurimeve të këtij institucioni.

    Gjatë periudhës së punësimit në ALBCONTROL, Evis Berberi dhe Belinda Balluku abuzojnë me fondet publike, konstatuar kjo nga KLSH, ku ky institucion kryente tendera me vlerë miliona euro, të lakuar në publikë në jo pak raste si afera, ku përmendim tenderat për trajnime stafi.

    Nuk kanë munguar as rastet flagrante, të publikuar në media, ku shoqëria ALBCONTROL e drejtuar nga Belinda Balluku në atë kohë me drejtor Prokurimesh Evis Berberin, organizonin festa me balerina braziliane për stafin.

    Në vitin 2019, Belinda Balluku emërohet në krye të superministrisë, të të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Transportit. Sapo shkeli në këtë ministri, Balluku emëron Berberin si këshilltar personal, pa harruar të kujdesej dhe bashkëshorten e tij Adela Ruko, e cila u punësua gjithashtu në KESH. Të dhëna këto që janë pasqyruar në deklaratën e pasurisë.

    Adela Ruko, njësoj si bashkëshorti, përpara se të përfitonte qokën e Ballukut, ishte e punësuar për kompaninë Euroteorema. Madje shoqëria Euroteorema, ka fituar një tender të majm për ndërtimin e lotit të 4 të unazës së madhe të Tiranës në vitin 2022, me vlerë rreth 23 milionë euro.

    Në detyrën e Këshilltarit të Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës, Evis Berberi qëndron gjatë periudhës Shkurt deri në shtator 2019, periudhë kur u emërua në krye të Agjencisë së Eficensë së Energjisë. Në këtë instutcion, Evis Berberi qëndroi deri në shtator 2019, kur përsëri shefja e tij politike, Belinda Balluku e emëron në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar…

    Në krye të ARRSH, Evis Berberi qëndroi deri në ditën e arrestimit.

    Në deklaratën fillestare të Pasurisë, Evis Berberi deklaron një apartament banimi me sipërfaqe prej 88.40m2, dhe disa llogari e depozita bankare. Si burim të ardhurash për këto pasuri, Evis Berberi, deklaron pagën nga pozicioni i punës si drejtues teknik pranë shoqërisë ‘B-VAAL ENGINEERING’ pagën nga Pozicioni si Administrator i shoqërisë ‘DAAM shpk’.

    Evis Berberi në deklaratën e pasurisë, duket se ka harruar të deklarojë edhe një burim tjetër pasurie, shumë të rëndësishëm, atë të shitjes së aksioneve të shoqërisë ‘DAAM shpk’, te shtetasja Brunilda Buli.

    Shoqëria ‘DAAM shpk’ u themelua më 4 tetor 2017 nga Valter Begaj, me kapital fillestar 100 mijë lekë. Valter Begaj qëndron si pronar i shoqërisë deri në datën 7 shtator 2018, kur ia shet kompaninë Evis Berberit për vlerën e 100 mijë lekëve.

    Vendimi i Valter Begajt për të shitur kompaninë te Evis Berberi, erdhi në një kohë, kur shoqëria për vitin 2018 ishte duke regjistruar një bilanc pozitiv financiar me rreth 140 mijë euro fitim. Nga ana tjetër, Evis Berberi e bleu kompaninë, në një kohë që sipas deklarimeve të bëra nga vetë ai në Linkedin, ishte Drejtor i Prokurimeve në ALBCONTROL, pra mbante një detyrë shtetërore.

    Më 31 janar 2019, Evis Beberi, emërohet Këshilltar i Belinda Ballukut, Sipas ligjit për konfliktin e interesit dhe deklarimit të pasurisë, në ditën e emërimit në detyrë, Evis Berberit kishte detyrimin për të deklaruar pasurinë deri në atë datë.

    Në të njëjtën datë, pra 31 janar 2019, rezulton se Evis Berberi, ka kryer edhe shitjen e aksioneve të shoqërisë ‘DAAM shpk’ për vlerën e 500 mijë eurove, te shtetasja Brunilda Buli. Kontrata e shitjes së shoqërisë nga Evis Berberi te Brunilda Buli për vlerën e 500 mijë eurove, është dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tre javë me vonesë, në datën 18 shkurt 2019.

    Sipas kontratës së shitjes së kuotave, në nenin 2 të saj, theksohet se:

    Palët deklarojnë se kësti i parë në çmimin prej 8000 eurosh është paguar jashtë zyrës noteriale nga blerësi në favor të shitësit, të cilët nuk kanë asnjë pretendime ndaj njëri-tjetrit’

    Ndërsa në pikën 2.2 të nenit 2, shkruhet gjithashtu se:

    Ndërsa pjesa tjetër e çmimit total do paguhet në 5 këste për një periudhë kohore prej 5 vjetësh. Konkretisht, nga 100000 euro për çdo vit. Nëse pala blerëse nuk paguan vlerën totale tëçmimit të shitjes brenda 5 vjetësh, shoqëria do i kthehet palës shitëse dhe pagesat e bëra gjatë kësaj kohe nuk do i kthehen mbrapsht palës blerëse.

    Kjo pikë e kontratës mes Evis Berberit dhe Brunilda Bulit, është një marrëveshje borxhi të cilën Evis Berberi e ka fshehur në formularin e deklarimit të pasurisë, duke kryer një tjetër vepër penale, atë të fshehjes së pasurisë.

    Deri më tani mbetet enigma nëse Brunilda Buli ia shleu borxhin Evis Berberit? Por dy fakte janë të njohura, Evis Berberi nuk e ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2020, ku sipas kontratës do të duhet të merrte këstin e radhës prej 100 mijë eurosh.

    Brunilda Buli e ka rishitur kompaninë ‘DAAM shpk’ te pronari fillestar, Valter Begaj, në të njëjtën periudhë që Evis Berberi u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar në vlerën 2 milionë euro.

    Pikëpyetjet që do duhet të sqarojë SPAK-u lidhen me pagesën që Brunilda Buli mund të ketë bërë për të shlyer borxhin prej 500 mijë eurosh ndaj Evis Berberit.

    Kush është Brunilda Buli dhe pse SPAK hezoiton të arrestojë atë?

    Brunilda Buli, njëjtë si Valter Begaj dhe Ervis Lami, duket se ka pasur të njëjtin rol në aferën e Evis Berberit. Madje, nga fashikuj të zbardhur në media të dosjes hetimore, Brunilda Buli përmendet gjithashtu në zbardhjen e bisedave telefonike dhe mesazheve mes Valter Begajt dhe Ervis Lamit për dhënien e parave Evis Berberit apo pregatitjen e dosjeve për tenderat, që kompania ‘DAAM shpk’ apo ‘NET-GROUP’ merrnin nga Agjencia e Efiçensës së Energjisë apo Autoritetit Rrugor Shqiptar.

    Një burim jo zyrtar, i tha ‘Plug’, se Brunilda Buli është mikeshë e ngushtë e bashkëshortes së Evis Berberit, Adela Ruko.

    Brunilda Buli, u fut në botën e sipërmarrjes në vitin 2018, kur së bashku me dy persona të tjerë, Anisa Omari dhe Ardit Kane, në datën 15 nëntor 2018 themelojnë shoqërinë ‘LEAD CONSULTING’, edhe kjo shoqëri me veprimtari në fushën mbikëqyrjes dhe projektimit. Në këtë shoqëri, Brunilda Buli ka mbajtur 33% të aksioneve, të cilat në një akt bamirësie Ia dhuroi orakut në biznes, ARdit Kane në vitin 2021.

    Anisa Omari ishte aksionere e kësaj kompie gjatë kohës, që bashkëshorti i saj ishte zyrtar i lartë në Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

    Dhurimi i aksioneve që kishte te ‘LEAD CONSULTING’ nga Brunilda Buli te ARdit Kane, u bë pothuajse në të njëjtën periudhë, kur kjo shtetase vendosi të shesë për rreth 2 milionë euro shoqërinë ‘DAAM shpk’ te Valter Bega, ish themeluesi i kësaj kompanie. Edhe Anisa Omari, njëjtë si Brunilda Buli, ia fali aksionet e shoqërisë ‘LEAD Consulting’ shtetasit Adita Kane, i cili gjithashtu rezulton se është aksioner edhe në një tjetër kompani.

    LEAD CONSULTING, ndonëse shoqëri e re dhe kjo në treg, e themeluar vetëm në vitin 2018, ka fituar mbi 35 kontrata publike vlera e të cilave shkon në disa qindra mijëra euro, vetëm për mbikëqyrje punimesh.

    Një tjetër element që ngre dyshime mbi Brunilda Bulin, është fakti se edhe ajo, njëjtë si Valter Bega që shfaqet pronar i katër kompanive dhe njëherëzi punëtor i thjeshtë në tre kompani, në vitin 2021 edhe Znj. Buli rezulton e ishte gjithashtu ishte e punësuar si inxhiniere në një tjetër kompani si inxhiniere me një pagë mujore.

    Mbetet mister arsyet pse Brunilda Buli vendosi të tërhiqet nga fusha e biznesit nga dy kompani, që deri në atë periudhë kishin përfituar jo pak tendera publikë, përfshirë ata të firmosur nga vetë Evis Berberi si drejtues i Agjencisë së Eficencës së Energjisë.

    Të dyja kompanitë, ‘DAAM shpk’ dhe LEAD CONSULTING’, kanë përfituar dhjetëra tendera publikë.

    Tashmë i mbetet në dorë SPAK, të zgjerojë rrethin e hetimeve për të parë gjithashtu lidhjet e Evis Berberit me kompani të tjera, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë kliente të tij duke marrë tendera publikë nga institucionet që Berberi ka drejtuar nga viti 2019 e deri më sot. Ky zgjerim hetimesh, do të hidhte dritë mbi shpërdorimin e parave publike, nga persona të lidhur apo të veshur me pushtet.

    Emisioni ‘Plug’ në vijim do të qëndrojnë te denoncimi i një tjetër skandali që lidhet pikërisht me Autoritetin Rrugor Shqiptar, këtë herë me një ish-drejtues, për kontratën e rrugës Korçë-Ersekë, e cila tashmë është shembur, ndërsa veprimet të dyshimta hetimore që po kryen SPAK për këtë aferë…

    Syri

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    Për: SPAK arreston drejtorin e rrugëve Evis Berberi nën akuza korrupsioni dhe pastrim parash

    SPAK sekuestron pasuritë e dyshuara të kreut të ARRSH, Evis Berberi

    Gjykata e Posaçme vendosi “sekuestro preventive” mbi shoqërinë DAAM, rreth 34 mijë metra katrorë tokë në periferi të Tiranës si dhe 7 automjete, të cilat dyshohen si pasuri e fshehur e Berberit.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Evis-Berberi.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  32.2 KB
    Evis Berberi, kreu i arrestuar i ARRSH. Foto: LinkedIN.

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 29 mars sekuestrimin e pasurive të kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij.

    Sipas SPAK, Berberi në cilësinë e kreut të dy institucioneve shtetërore, ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash nga një shoqëri e cila ka qenë fituese e tenderave në këto ente publike. Për të mundësuar marrjen e rryshfetit ka përdorur një mënyrë të tërthortë, ku shoqëria fituese e tenderave të institucioneve që ai drejtonte, i transferonte paratë në një shoqëri tjetër të kontrolluar prej tij. Së bashku me Berberin u vendosën në pranga dy javë më parë edhe Valter Begaj, pronari komanisë që përfitonte tenderat dhe njëkohësisht ortak i shoqërisë së zotëruar indirekt nga ana e Berberit, si dhe Ervis Lame, administratori i shoqërisë së Berberit dhe punonjës në shoqërinë e Begajt.

    Sipas SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kuotat e shoqërisë “DAAM” sh.p.k., me ortak Valter Begaj dhe administrator Ervis Lamen, shoqëri e kontrolluar prej Berberit. Por ashtu, janë sekuestruar pasuritë e blera nga kjo shoqëri, pesë ngastra toke të llojit “arë” në Mangull të Tiranës me sipërfaqe totale 34 mijë e 235 m2. Në njoftim sqarohet se “sekuestro preventive” është vendosur vetëm mbi pjesët takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 7 automjete.

    BIRN

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    Për: SPAK arreston drejtorin e rrugëve Evis Berberi nën akuza korrupsioni dhe pastrim parash

    SYRI TV/ Erion Veliaj sfidon hapur SPAK, i jep 1.6 mln euro kompanisë së sekuestruar të Evis Beberit

    VIDEO

    Zbulohet tjetër skandal me tenderat që lidhin me përgjegjësi direkte kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili po sfidon hapur SPAK-un. Në ditën që Prokuroria e Posaçme vuri në sekuestro kompaninë “DAAM” shpk të ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e shpalli këtë kompani si fituese të një tenderi me vlerë rreth 1.6 milionë euro. Kompania e Evis Berberit si fituese e këtij tenderi u shpall vetëm një ditë pasi Erion Veliajt iu arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë për aferën e “5 D Konstruksion”.

    Nga SYRI TV

    Erion Veliaj i ka bërë sfidë direkte SPAK në ditën që struktura e Posaçme arrestoi dy drejtorët e rëndësishëm të tij REdi Molla dhe Mariglen Qato, ndërsa u vendosën masa sigurie edhe për disa drejtorë e zyrtarë të tjerë. Në datën 28 mars, ditë kur u arrestuan drejtorët e bashkisë për aferën “5 D Konstruksion”, bashkia e Tiranës shpalli fituesit e tenderit me objekt: “Studim Projektim në programin e Arsimit Bazë Parashkollor, Arsimit të Mesëm të Përgjithshëm”, me vlerë rreth 1.6 milionë euro pa TVSH.

    Fitues të këtij tenderi, që ka si qëllim shërbimet e konsulencës, ishin 11 grupe të ndryshme operatorësh ekonomik. Grupi i tretë i operatorëve ekonmik shpallur fitues në këtë garë është ajo e kompanisë “DAAM” shpk dhe “NET GROUP” shpk, të cilat janë pikërisht kompanitë e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

    Madje, kompania “DAAM” shpk e Evis Beberit, fitoi tenderin e majm nga Erion Veliaj, vetëm një ditë para se SPAK të vendose sekuestron preventive të kësaj shoqërie, që ishte në zotërim të ish-drejtorit të ARRSH. Ky vendim i Erion veliajt, për të shpallur si pjesë të kompanive fituese për tenderin 1.6 milionë euro edhe shoqërinë e sekuestruar të Evis Berberit, duket si sfidë e hapur ndaj SPAK që po heton ish-kreun e ARRSH dhe ish-drejtorët e bashkisë Tiranë për të njëjtat skema financiare.

    Ky tender shoqërohet nga hije të forta skandali, pasi procedura u shpall në 21 nëntor 2023 dhe fituesi do të duhet të ishte shpallur vetëm një muaj më pas. Por siç rezulton nga dokumentat, bashkia e Tiranës e ka zvarritur shpalljen e fituesit për katër muaj me rradhë, deri në ditën që SPAK arrestoi bashkëpunëtorët e ngushtë të kryebashkiakut të Tiranës.

    Një tjetër dyshim për këtë procedurë, është shkelja e barazisë në tendera. Në datën 20 nëntor 2023, Bashkia e Tiranës, u dërgon 11 grupeve të operatoëve ekonomik, tashmë të shpallur fitues, ftesë për ofertë për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit. Por në garë u futën edhe 10 bashkime të tjera operatorësh ekonomik, por asnjëri prej tyre nuk u kualifikua si fitues. Për habi, bashkia e Tiranës shpalli fitues 11 grupe operatorësh ekonomik, të cilëve u kishte dërguar ftesë direkte për pjesëmarrjen në këtë procedurë prokurimi.

    © SYRI.net

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 04-01-2024, 12:02
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-05-2021, 13:05
  3. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 03-03-2015, 12:44
  4. Banka e Vatikanit nën akuzë për pastrim parash
    Nga Explorer në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 25-09-2010, 11:45
  5. SHBA: Pastrim parash në Bankën Kombëtare Shqiptare
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 26-03-2005, 11:11

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •