Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindim"

    Mbyllet për 4 vjet Muzeu Historik Kombëtar

    Emri:  auto_-640-0-screenshot-1-17097221391709722954.jpg

Shikime: 346

Madhësia:  38.0 KB

    Muzeu Historik Kombëtar përmes një njoftimi në rrjete sociale drejtuar agjencive turistike, drejtuesve të tureve kulturore dhe palëve të tjera të interesuara, bën me dije se do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 mars 2024 deri më datë 15 mars 2028.

    “Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028.

    Ju falenderojmë për mirëkuptimin tuaj!””, thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar.

    Emri:  auto_429574644_10232530888077331_4807627265929998826_n1709730002.jpg

Shikime: 339

Madhësia:  43.3 KB

    Syri

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Dryni mbi Muzeun Kombëtar një atraksion i ri turistik

    Emri:  auto_Lutfi-Dervishi1708776261.jpg

Shikime: 202

Madhësia:  13.5 KB

    Nga Lutfi Dervishi

    Në një zhvillim që tronditi në themel botën e turizmit dhe atë kulturore, Muzeu Historik Kombëtar njoftoi se do të jetë mbyllur nga 15 Marsi 2024 deri më 15 Marsin 2028, ose e thënë në mënyrë të përmbledhur vetëm 1 mandat.

    Arsyeja?

    Restaurimi!

    Pra, Muzut Kombëtar do t’i duhet po aq kohë për t’u restauruar saç ju deshën Katedrales së Parisit “Notre Dame”.
    Por ndoshta këtu diçka më e madhe fshihet.
    Në kohën që vendi ka ndalur frymën dhe numëron milionat e turistëve, lajmi për mbylljen e muzeut ra si raketë, njëlloj si ato të dronëve ku të vijnë nga si pret.
    Specialistët e rregullt të TikTok kanë nisur të pyesin nëse ky është një truk i ri për të shmangur turistët e padëshiruar dhe për rrjedhojë për të lehtësuar trafikun në kryeqytet.
    Në fakt, nuk është çudi që ky projekt i madh i restaurimit të ketë një agjendë të fshehtë.
    Flitet se muzeu pas restaurimit do të jetë pionier në teknologjinë e përparuar, ku vizitorët mund të kalojnë orë të tëra pa mësuar asgjë nga historia.

    "Pse të shqetësohemi me fakte dhe ngjarje kur është provuar shkencërisht se harresa është ilaçi më i mirë për kujtesën”, shpjegoi specialist i restaurimit z.Çekan Dalta.

    Disa pavione mund dhe duhen lënë bosh pasi kjo ul dukshëm edhe kostot.
    Njoftimi për mbylljen e muzeut gjithashtu ka nxitur një valë të re të entuziazmit midis agjencive turistike dhe drejtuesve të tureve, të cilët tani janë vënë në garë për të krijuar ture të "Muzeut të Mbyllur."

    Këto ture ekskluzive (me çmim më të lartë) do të përfshijnë qëndrim të gjatë përpara dyerve të mbyllura të muzeut. Aty mund të zhvillohet gjë a gjëza: E gjeni dot se çfarë ka brenda?

    Dryni i varur mbi portë mund të konsiderohet një vepër arti njëlloj si ajo bananja e ngjitur pas një muri që u shit për 120 mijë dollarë në panairin artistik në “Art Basel”, në Miami.
    Por pse katër vjet mbyllur?
    Për ata që janë familjar me projektet e infrastrukturës në Shqipëri, Muzeu Historik Kombëtar premton të bëjë mrekullinë.
    Nga përvoja me insfrastrukturën, projektet madhore duhet të paktën 10 vjet që t’i afrohen përfundimit.
    Ndoshta ndarja në pese lote do të përshpejtojë punën, por, një zëdhënës anonim sqaroi se kjo ndarje nuk bëhet për të kënaqur kompanitë, por për t’i dhënë çdo epoke rëndësinë që meriton.

    Loti Mesjetës

    Do të shtohen holograme të betejave dhe bisedave të princave shqiptarë me ndërmjetësinë e ambasadorit të Venedikut, për të luftuar ndaj Perandorisë Osmane.

    Loti i Pavarësisë

    Shpresohet shumë se do të gjendet deklarata origjinale e shpalljes së Pavarësisë, ose në mungesë të saj, një kopje pa firma do të firmoset nga turistët e parë që do të jenë të parët që do të vizitojnë pavionin.

    Loti i Luftës së Dytë Botërore

    Këtu do të gjenden dëshmi të anglo-amerikanëve, se si shqiptarët harxhuan më shumë fishekë ndaj njëri-tjetrit, se sa ndaj gjermanëve. Po kështu në këtë pavion do të shpjegohet edhe misteri se si është e mundur që 80 vjet pas Luftës së II Botërore, numri i veteranëve të luftës ka ardhur duke u shtuar. Për të provuar këtë, në stenda do të jenë edhe abonetë falas të urbanëve që bashkia akordon për “veteranët” e luftës.

    Loti i Socializmit

    Ky lot është konceptuar në formë radhash, ku turistët do të qëndrojnë në radhë dy orë dhe kur të arrijnë në krye do të kenë mundësi të blejnë një sanduiç me presh.

    Loti hapsionor

    Kjo dritare do t’i dedikohet investimeve kozmike të qeverisë Shqiptare “Albania 1, Albania 2, 3, 4, 5” ku turistët do kenë mundësi të shijojnë deklaratat ndër vite.
    Sa i përket pyetjes a do mundet që Muzeu vërtet të hapet pas katër vitesh, një zyrtar sqaroi se koha nuk është lineare ku ndërtimet mbarojnë në afat.

    Por nën shembullin e punimeve në infrastrukturë, muzeu fillimisht mund të inagurohet, me pas të hapet apo të bëhet i kalueshëm për vizitoret, dhe paralelisht të vijojë puna pa pushim në të kater lotet deri në përfundim.

    Zyrtari sqaroi se numri 4 mund të jetë me të vjetra, por ka shumë gjasë të jetë me të reja, pra 40 vjet, dhe kjo me qëllimin e mirë që të kemi artefakte edhe për periudhën e demokracisë. Duhet vetëm durim. DURIM.
    Hapi më i rëndësishëm është bërë: Muzeu po kalon në muze ku do të riemërtohet si Muzeu i Pritjes së Madhe!


    Syri

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Kiko shpall Tiranën, kryeqyteti i 1001 muzeve

    Nga Lutfi Dervishi

    “Eureka-Eureka-Eureka!”

    Kjo ishte britma e parë e majmunit Kiko teksa ndiqte nga televizori i një bari sarandjot se Muzeu Historik Kombëtar do vendosë drynin për të paktën 4 vite.

    Në trurin e tij shkrepi një ide, njëjtë si idetë që i shkrepen gjenive, mbase si ajo që ju shkrep Galileo Galileit për të lënë universitetin e Pizës dhe për të gjetur qiellin, apo si Kristofor Kolombit të cilit ju shkrep të lerë Europën për të zbuluar Amerikën.

    Edhe misionari ynë, vendosi të lëre portin e Sarandës dhe të nisë punë si guidë në kryeqytetin që siç thotë një këngë hit e viteve ‘2000, “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiron!”

    Një grup i përzierë të huajsh që u gjendën Tiranë për një samit paqeje për luftën në Lindjen e Mesme ishin “klientët” e parë të Kikos.

    Vendtakimi i parë me njëri-tjetrin ishte sheshi Skënderbej ku ballë tij bën hije Muzeu Historik Kombëtar.

    Ja këtu, - vijoi Kiko, - përmblidhet historia 100 vjeçare e Tiranës. Në anën time të djathtë ju shihni ndikimin rus, pallatin e Kulturës, përballë meje shihni ndikimin kinez (hotel 15 katshi), dhe pas në të majtë timen është ndikimi italian (godinat qeveritare dhe banka Kombëtare).

    Por gjurmët me të pashlyera në sheshin “Skënderbej”, - tha Kiko, - i ka ndikimi i oligarkëve.

    -I shihni kullat rreth e rrotull?! Nuk keni parë asgjë akoma!…

    Tek silleshin rreth e rrotull Muzeut Historik Kombëtar si dervishët në valle, Kiko tha se do të kryhej një meditim për të kuptuar historinë e asaj godine.

    -Kam një lajm të mirë dhe një të keq! I keqi është se muzeu do të jetë i mbyllur për 1460 ditë, por i miri është se ai do të hapet sërish me 28 mars, 2028, ora 18:15. Ka një debat sepse qeveria ka kërkuar të hapet shumë më herët në orën 17:30, por kompania fituese e tenderit thotë se ka llogari të sakta dhe nuk lëviz dot nga afati.

    Këtu ju jeni të lirë të përsiateni për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi që ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë.

    Teksa lëmshi i trafikut dhe boritë po prishnin atmosferën medituese, Kiko e shpjegoi situatën duke thënë se përballë cirkut të Tiranës mund të ndodhë gjithçka.

    -Ku se nuk po e shohim? - pyeti një turist samitist aziatik.

    -Dikur ka qenë godina, por jehona i ka mbetur! - tha Kiko duke e shpjeguar mbylljen e cirkut me faktin se konkurrenca u rrit aq shumë vitet e fundit sa i gjithë aktiviteti i akrobacisë u monopolizua në parlament.

    -Gjithsesi aty do të bëhet një kullë e bukur dhe për nder të cirkut të vjetër do të ketë një lokal që do të quhet “Bar Restorant Akrobacia”.

    Stacioni i dytë i ndalesës tonë do të jetë Teatri Kombëtar.

    Tek ecnin më tutje, turistët ndaluan para një kantieri tjetër të mbyllur.

    I bëri çudi sesi mes godinave të një stili italian, hapej një gropë.

    Në fillim menduan se ishte duke u ngritur ndonjë instilacion për të treguar sesi varrosen regjimet diktatoriale, por Kiko i shpjegoi se ishte gropa ku thuhet se do bëhet një teatër.

    -Po të ishit me fat dhe të vinit 4 vite përpara, do të shihnit godinën e Teatrit pasi atëherë i vunë rruspat. Sipas opozitës, pasi të vijnë në pushtet ai do të ringrihet: “aty ku ishte dhe ashtu si ishte”, ndërsa sipas qeverisë Teatri do të jetë një gjë e pa parë.

    Megjithatë këtij kryeqyteti vërtet i mungon teatri, por jo estrada pasi çdo të enjte e ka zgjidhur vetë politika këtë çështje.

    Shpjegimet e Kikos ishin me fjalë të thjeshta, të shpejta dhe të qarta.

    Teksa i printe grupit samitist tek Biblioteka Kombëtare i bëri thirrje mos afroheshin për të hyrë.

    Këtu nuk lejohet hyrja e majmunëve pasi ka dekada që nuk ka vend për lexuesit. Vendin e tyre e kanë zënë libra të shumtë historikë për lashtësinë e shqipes, libra për heronjtë e panumërt të këtij vendi. Një vend të posaçëm zënë volumet për historinë e krahinave, fshatrave, fiseve dhe familjeve.

    Ecejaket nëpër Tiranë vijonin.

    Stacioni i tretë i qëndrimit ishte Galeria e Arteve.

    -Flakni përtacinë dhe ndizni imagjinatën se çfarë ka aty brenda pasi galeria është mbyllur para 3 vjetësh për ristrukturim, por do të hapet mandatin e 4-t të qeverisë, -tha Kiko duke i ftuar të kacavirren nëpër hekurishtet e instilacionit “Reja”.

    Një turist samitist italian refuzoi ta dëgjojë më majmunin tonë dhe në mënyrë krejt të papritur thërriti:

    -Muzeu mbyllur, Biblioteka mbyllur, cirku mbyllur, galeria mbyllur, teatri mbyllur, kinemaja mbyllur, çfarë dreqin do të shohim ne këtu?

    -Hmm, ju italianëve ju zgjat durimi pak ndaj keni shpikur makaronat që përgatiten shpejt! Mos u mërzitni, nesër do t’iu tregoj pse nuk ka nevojë ky vend për muze, -tha Kiko.

    Në fund të ditës, ndërsa dielli lëshoi rrezet e fundit mbi sheshin “Skënderbej” dhe turistët përgatisin postimet e tyre në Instagram të mbushura me thënie të mençura dhe selfie me të, Kiko mori frymë dhe u mbush me të gjithë ajrin e freskët të marsit.

    “Kanë mesuar më shumë se ç’mund të kishin imagjinuar, por nesër është meseleja. Nesër…”

    ***

    Samitistët fjetën shpejt, pasi ecejaket nëpër Tiranë i kishin lodhur tepërmi. Në ditën e dytë të turit, majmuni Kiko i priste tek “Bar Çakalli” krah operas ku në duar mbante një dosje.

    -Sot nga ky vend ju do të mësoni se pse nuk duhen muzetë në Shqipëri. Pa vështroni bri jush Skënderbeun, heroin kombëtar me kalë dhe me shpatë! Po aty, para tij ka qenë “Baba Stalini” me kapotë e mustaqe. Bulevardi që keni përpara në drejtim të veriut, sot quhet “Zogu i I”, dje quhej “Bulevardi Stalin” dhe pardje “Bulevardi Musolini”. Me baba Stalinin na lidh edhe një zonë në Tiranë, ajo e 21 dhjetorit, dita e datëlindjes së tij.

    Samitistët qëndronin të ngrirë përballë rrëfimeve të Kikos s’i të ishin statuja mbi sheshin “Skënderbej”.

    -Pallatin e Kulturës që shihni në të majtën time, vetëm katin e parë bënë sovjetikët, katin e dytë e ndërtuan kinezët, ndërsa katin e tretë e mbaruam me forcat tona. Ndërkohë, aty ku shihni Muzeun ka qenë godina e Bashkisë së Tiranës.

    Përgjatë Bulevardit në krahun e majtë ju shihni ministrinë e Drejtësisë, por ajo ka qenë Hotel Arbëria. Pak më poshtë është stacioni i trenit, pa stacion, pa tren, pa hekur e pa udhë pasi edhe për të jemi në pritje.

    Ambasada e Vatikanit ka qenë ambasada e Kubës, ndërsa rezidenca e ambasadorit italian ka qenë muzeu “Lenin-Stalin”. Ministria e Arsimit ka qenë ambasadë sovjetike. Ndërsa Ministria e Kulturës ka qenë Kinostudio.

    Sot do të shohim edhe një muze tjetër, “Shtëpinë e gjetheve”, që ka qenë seli përgjimesh e Sigurimit të Shtetit, por në kohën e Mbretërisë dhe Luftës së Dytë Botërore ka qenë klinikë private gjinekologjike. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka qenë Martenitet. Spitali ushtarak ka qenë stallë e kuajve të ushtrisë italiane. Po kështu edhe Akademia e Policisë.

    “Këtu çdo godinë rënkon nga pesha e historisë” -tha Kiko ndërkohë që nisi shpjegimin nga ana jugore e Bulevardit të madh.

    -Kjo që shihni është Presidenca, por dikur ka shërbyer si ambasada ruse, vepër që nuk arritën ta mbaronin dot pasi u prishën marrëdhëniet vëllazërore.

    -Ndërsa kjo bina e madhe që duket se është universitet ka qenë lugotenenca fashiste dhe më pas ish komandatura gjermane.

    Kjo ndërtesa e bukur që sot nuk kuptohet se çfarë është dikur ka qenë hotel Dajti, ndësa përballë është Taivani. Shqipëria nuk e njeh Taivanin, por ka një lokal/zonë me këtë emër.

    Po të hapni google map tani, do të kujtoni se jeni te godina e Ministrisë së Jashtme, por kjo këtu ka qenë dikur hotel për punonjësit kinezë. Sa mbaruan së ndërtuari hotelin u prishën marrëdhëniet me Kinën.

    Përballë MPJ, ju shikoni Drejtorinë e Policisë së Shtetit, por këtu ka qenë hotel Arbana, ndërsa Gjykata e Apelit ka qenë dikur komisariati nr.1 i policisë dhe më parë zjarrfikëset e Tiranës.

    Parlamenti ka qenë ish-pallati mbretëror, ndërsa pallati i princit ka qenë për një kohë pallati i pionierëve.

    Kiko vijoi me shpjegimin e historisë së godinave, rrugëve dhe rrugicave të Tiranës dhe vendosi të mbyllë ditën duke u shpjeguar turistëve domethënien e “Zogut të Zi”.

    Pasi shpjegoi me detaje domethënien, shtriqi putrat dhe pyeti:

    -E kuptoni tani pse këtu nuk duhen muzetë? Në këtë vend nuk ka nevojë për muze të mbyllur, ne jemi muze në qiell të hapur.

    Syri

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Mbyllja misterioze e Muzeut Kombëtar, Tepelena: Skenar i hershëm i qeverisë, do i kyçin institucionet e kulturës

    Menaxheri i artit Andi Tepelena ka deklaruar se mbyllja e Muzeut Kombëtar ka qënë një skenar i shkruar prej kohësh.

    Në një lidhje me Skype për edicionin e pasdites në Syri Tv me Edvin Parrucën, Tepelena u shpreh se qeveria ka mbyllur të gjitha institucionet kulturore dhe nuk kanë dhënë asnjë informacion paraprak se çfarë do ndodh me to.

    “Ishte radha e Muzeut Kombëtar që mesa duket qarkullon prej kohësh një ide për mbylljen e Muzeut Kombëtar por vendimi për ta mbyllur për 4 vite është një marrëzi. Një muze kombëtar, që është muzeu i vetëm i Shqipërisë të mbyllet për një periudhë 4 vjeçare, është jo vetëm një dëm për kulturën por edhe për turizmin. Pas muzeut të Krujës është i dyti që numëron numrin më të lartë të vizitorëve. Më thoni ju, ku mund të shkojnë turistët e verës për të parë diçka?

    Nuk kanë një informacion të saktë se çfarë duan të bëjnë me Muzeun Kombëtar dhe ky është shqetësimi i shumë qytetarëve.

    Kështu ndodhi me Teatrin e Operas dhe Baletit. U mbyll për një kohë të pajustifikueshme dhe më pas ndërhyrja ishte skandaloze.

    Galeria e arteve të njëjtën fat po pëson. Këtu ka një skenar ogurzi për ti vënë kyçin të gjitha institucioneve të kulturës dhe njerëzit të drejtohen drejt bareve, drejt kafeve dhe aty ta gjejnë mundësinë për tu kulturuar.“

    Syri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Muzeu Kombëtar mbyllet për 4 vite, Artan Hoxha: Ç’patët o derman, pse nuk hiqni edhe Skëndërbeun bashkë me kalë?

    Emri:  Artan-Hoxha-e1658506163341.jpg

Shikime: 204

Madhësia:  33.3 KB

    Muzeu Kombëtar do të jetë i mbyllur për 4 vitet e ardhshme. Kjo që nga 15 marsi 2024 deri në 15 mars 2028. Gazetari i kronikës, Artan Hoxha i cili del kundër, ironizon me një postim qeverinë Rama për këtë vendim, ku thotë pse nuk hidhet edhe monumenti i Skëndërbeut bashkë me kalë. ”Edhe sikur Muzeu Historik të ndërtohej nga e para, që nga themelet megjithë 3 kate parking nëntokësor për kusarët e bashkisë, sërish nuk do të kishte nevojë për kaq shumë vite mbyllje”,-shkruan Hoxha.

    Postimi i plotë

    Mbani frymen njerëz. Lajmi i fundit, po i fundit fare. O milet, mbyllet për 4 vite Muzeu Historik Kombëtar? Jo ore! Po pse nuk hiqni për 10 vite edhe monumentin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti SKENDERBEU me gjithë kalë? Po me Muzeun ç’patët o derman? Ç’punë u prishte ai?

    Apo pas shembjes së Teatrit Kombetar, mbulimit me kullë të Sahatit të Tiranës, tani i erdhi radha një objekti tjetër historik dhe simbolik të qendrës së kryeqytetit. Edhe sikur Muzeu Historik të ndërtohej nga e para, që nga themelet megjithë 3 kate parking nëntokësor për kusarët e bashkisë, sërish nuk do të kishte nevojë për kaq shumë vite mbyllje.

    Karshi Muzeut, biznesmeni Rame Geci ndërtoi nje hotel te ri 34 katësh vetëm brenda dy vitesh. Fundja mirë e ke o komandant, ç’na duhet ne historia dhe Muzeu bashkë me të. Pak përralla me histori na tregon ti çdo ditë nga ekrani.

    Nga sot e tutje, historinë duhet ta mësojmë të tunelet e vendstrehimit, që na i shisni për bunkere antibërthamore, ku ekspozohen vetëm breneveke ushtarësh dhe galloshe kapterash. Në këtë moment më vjen ndërmend vetëm ajo batuta e të madhit Albert Verria te filmi “Kapedani”:Tani bëjini shurrën bahçes.

    Koha Jone

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Enton Abilekaj: Pse po e mbyllin për katër vjet Muzeun Kombëtar?!

    Emri:  muzeu-1.jpg

Shikime: 200

Madhësia:  33.4 KB

    Nga Enton Abilekaj

    Në çdo vend, sado anormal, mbyllja e Muzeut Kombëtar, rikonstruksioni aq më tepër, njoftohen muaj më parë. Projekti bëhet publik dhe hidhet në diskutim mes ekspertëve, pastaj bëhet tenderi i hapur ndërkombetar dhe pastaj fillojnë punimet. Kur mbyllja është 4 vjet, tejkalon edhe mandatin e një qeverie, dhe vendimi nuk mund të jetë, as i drejtorit, as i bashkisë dhe as i qeverisë.

    Sot askush nuk e di kush e ka marrë vendimin, çfarë projekti ka që Muzeu të mos jetë më aq bazik, pse do zgjasë 4 vjet? Ku do strehohen artefaktet gjatë kësaj kohe.

    Vetë mbyllja, por dhe heshtja nga shoqëria tregon që vendi po tretet në të gjitha aspektet.

    Koha Jone

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,780

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Mire bejne qe e mbyllin Muzeun Kombetar, nuk ka se per çfare duhet ne Tirane. Tirana eshte nje kryeqytet i rekordeve. Nuk ka stacion treni,nuk ka teater Kombetar,nuk ka piste atletike o stadium per gara atletike,nuk ka nje ambient kulture (Pallati i kultures eshte i mbyllur) shume e shume gjera te tjera si muzeu i natyres qe u prish per pallate,per te mos thene per kinemate,lulishtet,kopshet zoologjik e kopshi botanik qe jane kthyer ne baçe zologjike e baçe botanike...

    Edhe ju shqetesoheni se do mbyllin Muzeun Kombetar ! Aty edhe po ti ven dinamitin nuk ka asnje minimum problemi. Ne "intelektualet" qe dalin ne Tv edhe qe thone se ne jemi populli me i zgjuar,me i bukur edhe natyrisht me i vjetri ne Univers i kemi,politikanet e mire dhe te zgjuar i kemi ! Per çfare na duhen gjerat e tjera ?!

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Mbyllja e Muzeut Historik Kombëtar: rikthim apo rifillim?

    Muzeu Historik Kombëtar është shembulli ideal që ilustron se si nuk duhet të ndërtohet një muze. Nëse do të ekzistonte mundësia, duhej të ruhej e të konservohej në gjendjen aktuale, në mënyrë që jo vetëm turistët, por vendësit në radhë të parë, të shohin e të mësojnë se si instrumentalizohet arkeologjia, historia, historia e artit, fotografia, artefaktet e gjithçka tjetër...

    Nga Sokol Çunga

    Emri:  Bashkimi-i-principatave-Fatmir-Haxhiu.jpg

Shikime: 188

Madhësia:  46.9 KB
    “Bashkimi i principatave shqiptare”, pikturë murale nga Fatmir Haxhiu dhe busti i Papa Klementit XI (Albanit). Muzeu Historik Kombëtar. (Foto: S. Ç.)


    Këto dy javët e fundit, pas njoftimit thuajse zyrtar se Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për t’u restauruar, ekranet e TV-ve, të kompjuterëve dhe të telefonave të zgjuar u mbushën me reagime të panumërta lidhur me këtë lajm. Agjencitë turistike u ankuan për rezervimet e bëra që më parë dhe se nuk kanë ku t’i çojnë turistët. Cinikët dhe gjithëditunarët e rrjeteve sociale parashtruan propozimet e tyre “të studiuara” dhe torën gjithë teoritë e mundshme për të mirë e për të keqe të historisë sonë kombëtare, kurse në bisedat e studiove televizive u shqyrtua realiteti nëpër të cilin po kalon kultura, varfëria e skajshme kulturore përballëvënë me shifrat disamilionëshe të turistëve, si dhe transparenca e munguar e institucioneve shtetërore.

    Teksa m’u duk shumë e largët data e rihapjesë së MHK-së pas 4 vitesh, shkova të vizitoja për herë të fundit muzeun dhe për të parë edhe një herë disa objekte simpatike, të cilat nuk dihet se kur do t’i shoh sërish e në çfarë rikontekstualizimi. Në radhën e biletarisë më kapi veshi, të paktën tri herë, frazën: “Erdhëm t’ju shohim, se ku i dihet”. Përpara meje ishin 2 familje prej 5 anëtarësh secila, e pas meje një tjetër familje. Më pëlqeu ky sensibilizim. Mirëpo, pse tani, pse kaq vonë, pse në çastin e “ku i dihet”? Për t’u vlerësuar sensibilizimi i publikut, por edhe skepticizmi i tyre karshi institucionit (zyrtarisht) më të rëndësishëm që përfaqëson narrativën historike-kombëtare në Shqipëri. (Gjynah që 1 prillin e vitit 2023 nuk u dha një lajm i mbylljes së MHK-së, do të kishte qenë promocion i goditur.)

    Kujtimi i parë që ruaj nga ky muze, të cilin duhet ta kem vizituar aty nga mesi i viteve ’80, është maketi i kalasë së Beratit që ndodhet në fillim të sektorit të Mesjetës në katin +1 të MHK-së. Kujtoj (ose më duket sikur kujtoj) se kam qëndruar gjatë para mureve të bardhë të Qytetit të Bardhë, derisa dikush më prishi magjepsjen e më tërhoqi prej krahu. Kur kam vizituar muzeun sërish në moshë të rritur, jam habitur nga kjo zgjedhje e fëmijërisë: pse atë maket, e pse jo ndonjë objekt origjinal, mes morisë së tyre? Ende nuk ia kam gjetur përgjigjen. Ndoshta një mall i pandërgjegjshëm për lojërat me kubat Lego, të papërfytyrueshme për fëmijët e Shqipërisë socialiste. Ndërkaq, tek ai maket jo i rremë, por as objekt origjinal, fillon dhe përvoja ime personale me MHK-në: rrejshmëria e tij.

    Gjatë këtyre 15-20 viteve të fundit më ka mjaftuar çfarëdo preteksti për të vizituar gjithë katet e muzeut, veç arsyeve profesionale: miq që kërkojnë shoqëri, vizitorë të huaj, apo vizita thjesht “se më ra rruga”. Dhe ndër vite, gjatë këtyre vizitave, kam kuptuar një element të paçmuar që sot nuk po e shoh të përmendur: Muzeu Historik Kombëtar është shembulli ideal që ilustron se si nuk duhet të ndërtohet një muze. Nëse do të ekzistonte mundësia, duhej të ruhej e të konservohej në gjendjen aktuale, në mënyrë që jo vetëm turistët, por vendësit në radhë të parë, të shohin e të mësojnë se si instrumentalizohet arkeologjia, historia, historia e artit, fotografia, artefaktet e gjithçka tjetër që përdoret për të ndërtuar narrativën muzeale, si keqinformohet vizitori, si transmetohet ndër breza historiografia e angazhuar politikisht, si përdoret me arrogancë e ashtuquajtura “kauzë kombëtare” në dobi të pushtetit.

    Ndërkaq, kjo narrativë nuk del nga hiçi, por u përgjigjet mendjeve të pushtetit shtetëror, akademik dhe administrativ, qendror e lokal, për të ndërtuar përfytyrime të caktuara. Historia e këtij muzeu flet qartë për këtë. Muzeu Historik Kombëtar erdhi si rrjedhojë e nevojave kulturore, por mbi të gjitha ideologjike, të viteve ’70. Pas rinovimit dhe riorganizimit të Muzeut Arkeologjik-Etnografik më 1976 (themeluar më 7 nëntor 1948), duke u ndarë në Muze Arkeologjik Kombëtar dhe në Ekspozitë të Kulturës Popullore, ndërtimi i një muzeu kombëtar që argumentonte gjithë historinë e shqiptarëve, atë të qenë dhe të paqenë, të faktuar dhe të hamendësuar apo / dhe të rishpikur, duket se ishte zhvillim i natyrshëm i kohës. Sipas historianit të muzeve, Stilian Adhamit (Muzeologjia shqiptare, Tiranë 2001, fq. 53), MHK-ja shënjonte, ndër të tjera, dhe kulmin e arritjeve muzeologjike të kohës. Ndërkaq, ndërtimin e MHK-së duhet ta kuptojmë dhe si një nga rrjedhojat e një fushate të gjatë muzeifikimi të historisë së Shqipërisë, e cila fillon më 10 korrik 1959 me Vendimin e KQ të PPSH “Mbi traditat patriotike-revolucionare të popullit tonë dhe masat për njohjen e zhvillimin e tyre të mëtejshëm” (shih: Dokumente kryesore të PPSH – Vëllimi III (1957 – 1961), NISH. “Mihal Duri”, Stabilimenti “8 nëntori”, Tiranë, 1970), vendim i cili shërben si citim bazik në çdo botim të kohës që synonte masivizimin e informacionit historik, arkeologjik e gjuhësor.

    Pyes: a është shfuqizuar ky vendim i KQ të PPSH? Po e lë pyetjen, për të shpjeguar disa prej arsyeve që e provokojnë.

    Vëmendja e shqiptarëve u kthye seriozisht nga MHK-ja kur, me ndryshimin e sistemeve, yjet në mozaikun e fasadës qëndronin mbi Sheshin “Skënderbej”, ku, tashmë, shtatorja e diktatorit kishte lënë një piedestal bosh e ca copa bronzi. Pas vendimeve përkatëse, mozaiku u modifikua, duke hequr yllin në flamur, yllin pas vajzës me xhubletë dhe në kapelën e partizanit, dhe duke modifikuar librin me mbishkrimin “Enver Hoxha” në supin e punëtorit. Kujtesa kolektive qëlloi të mos ishte më e thellë se lustra e mozaikut, teksa para një viti, pas restaurimit të disatë rifilloi kënga “Ku ylli, pse xhaketa? / Pse pushka? Po helmeta?”

    Pak herë kam vënë re se ka pasur reagime kaq të forta për atë që është më e rëndësishmja e asaj ndërtese: ekspozitat që mban brenda. Sepse, kur më 1993 diskutohej ylli në fasadë, mbetën plot yje e kallëza të grurit socialist nëpër frizet që qarkojnë muzeun, por edhe plot yje e citate të diktatorit në brendi të tij. Që më 1991 ishte mbyllur Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, plot me yje dhe diktatorë edhe ai, por larg syve të publikut (për t’u rihapur “i rishikuar” më 2004). Teksa ky pavijon qëndronte mbyllur, poshtë tij u çel Pavijoni i Terrorit Komunist, i cili argumenton përmes dokumenteve, fotografive, filmimeve, objekteve terrorin komunist në Shqipëri, ekzekutuar përmes përndjekjes, internimeve, burgimeve dhe vrasjeve me dhe pa gjyq, dhe këtë e bën me një stil dizajni butaforik.

    Në katin +2 u vendos Pavijoni i Ikonave, tematikë e munguar e këtij muzeu, ku ekspozohet një pjesë e trashëgimisë pas-bizantine që ruhet në fondet e MHK-së. Aty pranë u rikonceptua pavijoni i periudhës 1912-1939, u shtua një ekspozitë e përhershme kushtuar familjes mbretërore dhe, kundruall fotografive buzëqeshur të mbretit Zog I qëndron imzot Fan S. Noli, që me dorën në qëndrim bekimi sapo ka shkëputur sytë nga publiku, si për të hetuar a e ka më oboen e tij famëmadhe. Mes Nolit dhe Mbretit qëndron, si figurë paqtuese, Tefta Koçoja, me bardhësinë e mermertë dhe elegancën e jelekut që e shoqëronte në skenë.

    Këndi i Nënë Terezës, përpara se kjo të shpallej shenjtore, ndodhet një kat më poshtë. Piktogramet e shpellës së Lepenicës, të riprodhuara në një imitim pllake guri, janë shtuar pranë palafiteve të Maliqit (kurse shpella origjinale është hedhur në erë, mirëpo për shkatërrimin nuk ka vend në narrativën etnocentrike). Etj., etj….

    Kushdo që ka lexuar pakëz histori dhe arkeologji me kureshtjen e lexuesit të përkorë apo prej detyrave profesionale, ka parë dhe nuk mund të mohojë ato që janë minimalisht gabime të argumentimit muzeal, e maksimalisht falsitete dhe / apo gënjeshtra ideologjike dhe doktrinare: shpella e Trenit, ndërtuar si maket, flet më shumë për legjendën kombëtariste të shqiptarit që banon maleve dhe i reziston pushtuesit, si dhe për luftën guerile të partizanëve, ose qëndron si dekor pa ndonjë funksion argumentues; diku mes periudhës së eneolitit dhe bakrit qëndron një tabelëzë që rreket të argumentojë ekzistencën fantastike të pellazgëve të përmendur prej Homerit dhe autorëve klasikë grekë, duke folklorizuar karakterin arkeologjik që ka ai sektor i MHK-së; dorës që ka vendosur tabelën “pellazge” nuk i kanë bërë përshtypje, ndërkaq, qeramika e stoli të vendosura në periudha të gabuara (për të plotësuar vendet bosh?); skulptura e qeramika të emërtuara “prodhim vendas”, teksa Korinthi përmendet vetëm në rastet e kapiteleve të stilit korinthik, të cilat s’i shmangim dot; më tej Dionisi paraqitet i pagëzuar “Hyji ilir i pjellorisë”, kurse hyjnia e lumit Nil është pagëzuar “Personifikim i lumit Vjosa”. Fakti që imazhi i paraqitur është një burrë me mjekër deri në brez nuk ka shqetësuar kënd për të kundruar Vjosën nëpër krelat e mjekrës. Më tutje kemi një Bato kryengritës me shtat prej atleti (vepër monumentale bashkëkohore), por me mburojë maqedonase dhe shpatë romake (ka shpëtuar pa ndonjë plis kombëtar apo ndonjë “chapeau albanais”). Fibulat mesjetare i hasim dy herë, një herë në epokën e hekurit, dhe një herë në mesjetë mes objekteve të gjetura në Koman, kurse fragmentet e mermerta të tempujve të krishtera (panele ikonostasi prej guri, kolona, arkitrarë apo fragmente pagëzimoresh) i kemi të etiketuara si “arkitekturë iliro-arbërore”.

    Periudha e Mesjetës paraqitet më e varfra dhe më e keqargumentuara se të gjitha: ato pak objekte origjinale interpretohen jashtë kontekstit, kurse narrativa është mbushur me riprodhime të mrekullueshme për vitin 1981, por krejt të shëmtuara dhe dezinformuese sot. Imazhi i parabolës së punëtorëve të vreshtit (Ungjilli sipas Mateut, 20:1-16) marrë nga një kodik bizantin i ilustruar, që daton në shek. XI dhe ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës (BnF, cod. Gr. 74), paraqitet si argument i punëve bujqësore të fshatarëve arbër në mesjetë. Miniatura e mrekullueshme vjen si një imitim i vobektë bardhezi, dhe atypari, po me të njëjtën cilësi, shohim lista të pafundme artikujsh të blerë a shitur në tregjet venedikase, argumentuar si “marrëdhëniet e arbërve me Venedikun”. Gjurmë referencash nuk ka kund.

    Teksa më tutje i afrohemi epokës së Skënderbeut, bashkë me Tanush Topinë dhe Moisi Golemin, nxjerrë nga gravura të botimeve evropiane, kemi dhe një Vrana Konti të marrë nga skenat e filmit të mirënjohur “Skënderbeu”. Kurse përpara murales masive me titull “Bashkimi i principatave shqiptare” (1981) nga Fatmir Haxhiu qëndron busti i Papa Klementit XI (Albanit), vendosur më 2023 si dhuratë e shoqatës që mban emrin e papës.

    Një kat më sipër shtrihet fabula e rënduar nacionaliste, tjerrë në kufijtë e fantastikes dhe e përkthyer keq anglisht në legjendat ngjitur në muret e Pavijonit të Lidhjes së Prizrenit, i cili përfundon me fotografitë e 28 nëntorit 1913 që ende datohen rrejshëm si të 1912-ës.

    Matanë këtyre problemeve metodologjike, mbetet një pyetje praktike: a do të ruhen gjithë këto “lajthitje ideologjike” të shtresëzuara në kohë? Ekspozitat dhe botimet e viteve të fundit rreth përndjekjes dhe luftës së klasave pas LIIB, mes tyre intelektualë dhe shkencëtarë, kanë sjellë burime që duhen artikuluar dhe interpretuar. Do të ketë muzeu i restauruar një hapësirë për të treguar trysninë e ideologjisë së PPSh mbi shkencëtarët, intelektualët, arkitektët dhe artistët që punuan për MHK-në, apo pasojat e ideologjisë të “njeriut të ri” mbi shqiptarin e pas viteve nëntëdhjetë? Nëse Muzeu i Përgjimeve (Shtëpia e Gjetheve) trajton aparatin e Sigurimit të Shtetit dhe funksionimin e tij, MHK-ja na dëften pasojat e gjithë aparatit shtypës të Shqipërisë Socialiste dhe suksesin për të krijuar “njeriun e ri socialist”.

    Për të gjitha këto arsye, përfshirë mungesën e transparencës institucionale për rinovimin e muzeut, pyesim: Çfarë planifikohet të ndodhë dhe kush do t’i bëjë ndryshimet? Teksa muzeu mbyllet, çfarë tjetër mbyllet me këtë muze, dhe si do të ruhet shtresëzimi i sotshëm i ideologjive mes vitit 1981 dhe 2024? Cila narrativë do të përçohet mes disiplinave të historisë, arkeologjisë, etnografisë, folklorit dhe antropologjisë do të merret në konsideratë? Pavarësisht përmasës ideologjike që kanë pikturat masive murale të MHK-së, ato janë vepra origjinale me titull dhe autor. Çfarë do të ndodhë me to dhe me skulpturën monumentale të Batos, që përmenda më sipër? Në Pavijonin e Luftës paraqitet fragmenti i lagjes ku ka qenë ndodhur Shtëpia e Partisë, e cila sot nuk ekziston, mirëpo soditësit të sotshëm ai maket i dëften humbjen e një Tirane karakteristike të shek. XX, teksa prapa dritareve të atij pavijoni lartohet një Tiranë amorfe dhe çnjerëzore. Çfarë do të ndodhë me të, apo dhe me maketin e kalasë së Beratit?

    Duke marrë shkas nga valët pseudo-patriotike të viteve të fundit, sipas të cilave gjithçka brenda 28.000 km2 të Republikës së Shqipërisë është shqiptaro-arbërore-iliro-pellazge, cilët profesionistë do të rikonceptojnë narrativën e muzeut? Do të bazohen mbi tekstin doktrinar të Historisë së Shqipërisë, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, apo do të kemi një qëndrim kritik të historisë, përmes mjeteve muzeologjike? Çfarë vendi do të ketë Kosova dhe shqiptarët e trojeve jashtë RSH-së dhe, më tej, diaspora? A jemi gati për të ndërtuar një muze të ri, të çliruar nga hijet ideologjike të së shkuarës që vijojnë të kenë pushtet në të tashmen?

    Besoj çdo individ i arsyeshëm është dakord se muzeun duhet ta ndryshojmë, mirëpo, a jemi gati të ndryshojmë mendje?

    Emri:  Popullsi-pellazge.jpg

Shikime: 189

Madhësia:  28.9 KB
    Tabelë kushtuar popullsisë pellazge. Muzeu Historik Kombëtar. (Foto: S. Ç.)

    Emri:  Dionisi.jpg

Shikime: 190

Madhësia:  48.9 KB
    Dionisi, emërtuar “Hyji ilir i pjellorisë”. Muzeu Historik Kombëtar. (Foto: S. Ç.)

    Emri:  Hyjnia-e-lumit-Nil.jpg

Shikime: 181

Madhësia:  46.6 KB
    Hyjnia e lumit Nil, paraqitur si personifikimi i lumit Vjosa. Muzeu Historik Kombëtar. (Foto: S. Ç.)

    Emri:  Bato-nga-Kristaq-Rama-750x999.jpg

Shikime: 188

Madhësia:  41.5 KB
    Kryengritësi Bato, vepër monumentale nga Kristaq Rama. Muzeu Historik Kombëtar. (Foto: S. Ç.)


    BIRN

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Do ta mbyllim Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për 4 vjet që ta "rilindi

    Duke marrë shkas nga valët pseudo-patriotike të viteve të fundit, sipas të cilave gjithçka brenda 28.000 km2 të Republikës së Shqipërisë është shqiptaro-arbërore-iliro-pellazge, cilët profesionistë do të rikonceptojnë narrativën e muzeut? Do të bazohen mbi tekstin doktrinar të Historisë së Shqipërisë, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, apo do të kemi një qëndrim kritik të historisë, përmes mjeteve muzeologjike? Çfarë vendi do të ketë Kosova dhe shqiptarët e trojeve jashtë RSH-së dhe, më tej, diaspora? A jemi gati për të ndërtuar një muze të ri, të çliruar nga hijet ideologjike të së shkuarës që vijojnë të kenë pushtet në të tashmen?

    Besoj çdo individ i arsyeshëm është dakord se muzeun duhet ta ndryshojmë, mirëpo, a jemi gati të ndryshojmë mendje?
    Nga kush pret që të bëjë transformime të tilla? Nga një kryeministër që në profesion është piktor dhe muzeun e parë që hapi në Tiranë ishte muzeumi i Sigurimit të Shtetit? Apo nga një kryeministër që do të mbahet mend në histori këtu e 1000 vjet si sot që brenda pak muajsh i fali Shëngjinin italianëve, Sazanin dhëndrit të Donald Trump dhe portin e Durrësit arabëve! Kryeministri që me një të rënë të lapsit mbylli e shkriu institutin e vetëm të studimit të gjuhës shqipe në atë vend, institutin e albanologjisë. Piktorët dinë të zhgaravisin bukur e të përdorin ngjyra, por nuk mbahen për burra me mend. Në rastin tonë, kemi një piktor që nga asistenca sociale në Paris, jeton sot si Pasha me profesion "politikan"! Ti them këto që të kuptosh se ke të bësh me një njeri që as nuk di e as nuk do të mësojë, por që nuk ia kalon njeri për babëzinë e tij. Kur isha unë i vogël na thoshin atë fjalën: "Kur ra evgjiti në kos, leu edhe by.then!" Por ne duhet ta ndryshojmë këtë fjalë sot në "Kur u bë çobani i madhi i vendit, e zbrazi e shiti gjithë Shqipërinë!"

    Ke plotësisht të drejtë në atë që shpreh se muzeu kombëtar duhet të çlirohet nga vargonjtë e hekurt ideologjikë të kohës së komunizmit. Unë do të shkoja një hap më larg se kaq. Unë do të thosha që nëse do të shohësh rilindje të vërtetë të kulturës shqiptare, këto muzeume duhet të çlirohen nga diktati i shtetit shqiptar. Përse duhet të jenë këto prona e monumente shtetërore? Për aq kohë sa do të jenë të varura nga shteti, pushtetarët do të ushtrojnë një ndikim politik dhe ideologjik, siç u vjen atyre për mbarë. Por nëse fitojnë pavarësinë nga shteti, këto institucione do të lulëzojnë e përparojnë në një kohë shumë të shkurtër. Nëse unë do të isha kryeministër i Shqipërisë, vendimi që do të merrja ishte krijimi i një fondacioni jo-fitimprurës me një bord drejtues 7-9 veta nga ekspertët më të mirë të vendit. Me vendim qeverie i kalon fondacionit një fond X milionë euro për restaurimin e Muzeut dhe për ngritjen e një stafi pune për muzeun. Ky fond jepet vetëm një herë dhe shteti shqiptar ia kalon vendimmarrjen bordit drejtues per restaurimet dhe organizimin e punes. Vendimi i dytë që do të merrja ishte që të gjitha të ardhurat e siguruara nga biletat e vizitoreve ti kalojne fondacionit te muzeut e jo arkes se shtetit. Vendimi i trete qe do te merrja ishte nenshkrimi i nje kontrate mes fondacionit dhe shtetit shqiptar, ne te cilen shteti shqiptar vlereson vleren e truallit dhe godines se muzeut, le të themi është sot $30 milion. Çdo vit pas restaurimit, fondacioni do ti paguaje shtetit shqiptar kamatën e këstit të kredisë $30 milion derisa pagesa të jetë kryer e plot në një afat kohor le te themi 30 vjeçar.

    Bordi drejtues punëson një drejtues dhe ai drejtues punëson një staf që merret me muzeun, si çdo OJQ apo biznes privat i vendit. Me turistet e shumte qe ka Shqiperia, Muzeu Kombetar nuk ka nevoje per ndihmen e shtetit dhe mund t'ia shlyeje detyrimet shtetit ne nje kohe rekord. Plus, shteti shqiptar nuk humb me leke nga buxheti i tij nga korrupsioni cdo vit. Kjo i jep edhe nje liri fondacionit te Muzeut qe te beje nje pune sa me te mire per pasurimin e mirembajtjen e Muzeut, pasi sa me shume artifakte ka ne muze, aq me i madh interesi i vizitoreve dhe aq me shume te ardhura siguron muzeu. Duke qene nje fondacion jo-fitimprures, te ardhurat e Muzeut nuk taksohen nga shteti, dhe shkojne per te blere artifakte e pasuruar muzeun, apo per ta zgjeruar ate me pavione te reja, apo per te sponsorizuar punen e studiuesve te shumte te vendit e te huaj per kulturen shqiptare.

    Vetëm duke u cliruar nga ndikimi ideologjik dhe diktati i pushtetit, kultura shqiptare do të mundë të marrë frymë lirshëm e të lulëzojë!

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 02-04-2024 më 23:39

Tema të Ngjashme

  1. Qeveria e "Rilindjes" bllokon punimet e Bulevardit të Ri ne Tiranë
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 04-08-2015, 15:47
  2. Qeveria e Rilindjes: "Burgjet në Tiranë janë mbushur plot"
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 20-07-2015, 12:21
  3. Qeveria e Rilindjes: "5 vjet burg kush ndërton pa leje!"
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 20-01-2015, 14:20
  4. Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 30-10-2014, 03:17
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-07-2014, 01:39

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •