SHKRIMI I NYJËS SË PËRPARME
1. Emrat në rasën gjinore shkruhen me nyje të përparme (i, e, të, së ):
ndërmarrje e ndertimit, ndërrmarrjes së ndërtimit, pasuria e shtetit, pasurisë së shtetit etj.;
dyqani i luleve, dyqanit të luleve, rrethi i Tiranës, rrethit të Tiranës, shtëpive të fshatit; arave të katundit; puseve të naftës; detyrave të ditës etj.
Shënim: Të mos ngatërrohet kjo kategori me emrat që në emëroren e pashquar të njëjësit dalin më - r dhe që e formojnë shumësin me mbaresën -a ; mbiemrat që i përcaktojnë këta emra, përdoren në trajtën e gjinisë mashkullore: emra të përvecëm, hekura të ndryshkur, mbiemra të nyjshëm etj.
2. Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri mashkullor në rasën gjinore a dhanore të shquar njëjës, shkruhet me nyjën e përparme të pavarësisht nga gjinia që ka emri para tij:
diploma e një studenti të Institutit Bujqësor; diploma e një studenteje të degës elektrike etj.
3. Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri mashkullor në rasën gjinore a dhanore të shquar njëjës, shkruhet me nyjën e përparme të , dhe kur ai vjen pas një emri femëror në po këto rasa, shkruhet me nyjën e përparme së :
zyra e kryetarit të Ballit Kombëtar; i jepet fjala përfaqësuesit të Unionit Demokratik etj.;
historia e luftës së popullit shqiptar ; përvjetori i shpalljes së pavarësisë; pas korrjes së grurit; pas stinës së pranverës etj.
4. Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë mbiemra të nyjshëm (ose numërorë rreshtorë), mbiemri i dytë e të tjerët pas tij marrin nyjën të e jo së . Po kështu veprohet edhe kur mbiemri i parë është i panyjshëm ose kur emri përcaktohët njëkohësisht nga një përemër pronor dhe nga një a më shumë mbiemra të nyjshëm:
(i, e, të, së) fshatarësisë së varfër e të mesme; ( i , e , të , së ) vajzës së urtë, të zellshme dhe të shkathët; (i , e , të , së ) fushës pjellore dhe të gjerë;
(i , e , të , së ) cilësisë, së parë, të dytë e të tretë etj.;
(i, e, të, së ) vajzës së tij të dashur; ( i, e, të, së ) motrës së saj të dashur etj.
Shënim: Kur mbiemrat e nyjshëm (ose numërorët rreshtorë) ndodhen përpara emrit, përdoret nyja së e jo të : lotët e së shkretës e të së pangushëlluarës nënë etj.
5. Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga një ose disa mbiemra dhe nga një ose disa emra në gjinore, fjala përcaktuese e dytë e të tjerat pas saj marrin nyjën të e jo së :
(i, e, të, së ) fabrikës së re të tullave; ( i, e, të, së ) rrjedhjes së poshtme të Vjosës dhe të Semanit etj.
6. Kur pas një emri femëror të shquar të rasës gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës vijnë dy a më shumë emra femërorë në gjinore njëjës, nga këta të fundit i dyti e të tjerët pas tij marrin nyjën së e jo të në rastet kur këta përcaktojnë emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre; por në rastet kur këta përcaktojnë jo emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre, po atë që ndodhet para atij, shkruhen me nyjën të e jo së : punimët e tharjes së kënetës së fushës së Thumanës.
7. Kur një emër femëror në gjinore njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë emra të bashkërenditur, që janë po në rasën gjinore, emri i dytë përcaktues e të tjerët pas tij marrin nyjën të e jo së :
prodhimet e fushës së Korcës, të Myzeqesë, të Thumanës e të Zadrimës; punimet e stinës së pranverës, të verës, të vjeshtës, të dimrit; veshjet e krahinës së Mirditës dhe të Matit etj.
8. Kur dy emra në rasën gjinore ndjekin një emër në emërore njëjës, emri i dytë në gjinore, kur përcakton emrin në emërore, merr, sipas gjinisë së këtij të fundit, nyjën e përparme i për gjininë mashkullore dhe e për gjininë femërore:
libri i gjuhës i klasës së shtatë; fjala e nderit e shqiptarit; stina e verës e këtij viti etj.
Kur emri i përcaktuar është në kallëzore, atëherë emri i dytë në gjinore merr nyjën të e jo së : në rafinerinë e naftës të Cerrikut etj.
9. Përpara emrave femërorë të nyjshëm, në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja së për trajtën e shquar dhe nyja të për trajtën e pashquar:
orari i së mërkurës; tiparet e së folmes së Mirditës; parashikimi i së ardhmes; kujtimet e së shkuarës; përhapja e së resë etj.; por: ndeshjet sportive të një të diele; tiparet e një të folme etj.
Shkruhen me së në gjinore, dhanore e rrjedhore të shquar edhe emrat femërorë të farefisnisë, kur përdoren me nyje:
kujdesi i së bijës; i tha së motrës; mori letër prej së shoqës etj.
10. Kur një emër përcaktohet nga dy a më shumë emra të bashkërenditur të rasës gjinore, të gjithë këta përdorën zakonisht me nyjë të përparme:
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë; (i, e, të, së ) Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë; shkollat e Tiranës, të Durrësit e të Elbasanit etj.
Në rastet kur vijnë njëri pas tjetrit tre a më shumë emra të rasës gjinore të bashkërenditur pa lidhëza, nyja e përparme e emrit të dytë (kur nyja nuk ndryshon) ose e tretë (kur nyja ndryshon nga e në të ) dhe e emrave të tjerë pasues shkruhet ose jo, duke u mbështetur në arsye të caktuara kuptimore ose stilistike:
prodhimi i drithërave, i duhanit, i pambukut, i perimeve, i patateve, i frutave; kishte marrë hov të madh ndërtimi i shtëpive, fabrikave, shkollave, rrugëve, urave etj.
11. Kur pas një emri femëror ndeshen dy nyja të përparme të rasës gjinore të gjinisë femërore (së së ) e para nga këto shkruhet të :
hartimi i nxënëses të së pestës së tetëvjecarës; ditëlindja e vajzës të së motrës etj.
12. Midis emrave mashkullorë që lakohën si femërorët (axhë, bacë, dajë, gegë, hoxhë, lalë, toskë; Bato, Gjokë, Kolë, Pirro, Sulë etj.) dhe emrave ose mbiemrave që i përcaktojnë ata, pas rasës emërore të të përcaktuarve shkruhet nyja i , ndërsa në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja së :
axha i Agimit, (i,e ) axhës së Agimit; daja i Zanës, (i,e ) dajës së Zanës; Kola i Gjokës, (i,e ) Kolës së Gjokës etj.
13. Mbiemrat e nyjshëm të shkallës pohore, kur vijnë pas një emri femëror në rasën gjinore a dhanore të trajtës së pashquar të njëjësit, shkruhen me nyjën të , ndërsa kur vijnë pas një emri në trajtën e shquar, shkruhen me nyjën së :
oborri i një shkolle të madhe; oborri i shtëpisë së madhe etj.
14. Në shkallën krahasore dhe në sipëroren e formuar me pjesëzën më mbiemrat e nyjshëm që përcaktojnë një emër femëror, në të gjitha rasat e zhdrejta të njëjësit shkruhen me nyjën e përparme të , ndërsa, kur ndodhen para emrit, shkruhen me nyjën së :
hartimi i një rregulloreje të re e më të plotë; prodhimi i më së mirës verë të vendit etj.
15. Mbiemri i nyjshëm që ndjek një kundrinë të drejtë, të shprehur me një emër në kallëzore të shquar, merr nyjën e , kur është cilësor, dhe nyjën të , kur ka funksion kallëzuesor:
ndaji mollët e mëdha nga të voglat; i dua mollët të ëmbla etj.
16. Mbiemrat e nyjshëm që ndjekin një emër në rrjedhoren e pashquar të shumësit marrin nyjën të e jo së :
(prej) malesh të larta; (prej) lumenjsh të rrëmbyer etj.
17. Përemrat pronorë im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj qoftë kur përcaktojnë një emër, shkruhen pa nyjë të përparme:
libri im; ky libër është imi; puna ime; kjo punë është imja; djali yt;
yti ky djalë?; shtëpia jote; kjo shtëpi është jotja; vendi ynë; ky vend është yni; shkolla jonë; kjo shkollë është jona etj.
Përemrat pronorë [ e (të) mi, e (të) mia, e (të) tu, e (të) tua), i (e,të) tij, i(e,të) tyre, i (e,të) saj ] shkruhen me nyjë të përparme në të gjitha trajtat dhe përdorimet e tyre:
nxënësit e mi; fletoret e mia; djemtë e tu; duart e tua, shkolla e tij; motra e saj; fshati i tyre; nëna e tyre etj.
________________________
Nga Drejtshkrimi i gjuhës shqipe
Krijoni Kontakt