SHOQATAT FETARE
Shoqata Vëllezërit mbë Krishtin u krijua në qytetin e Korçës, më 1940. Qëllimi i shoqatës ishte: Plotësimi i porosive të Krishtit sipas Dhiatës së Re si dhe bamirësi të ndryshme. Në përbërje të shoqatës kishte edhe figura të njohura si Mitrofori atë Vasil Marko, dr. Leonidha Naçi, prof. Spiro Konda etj. Shoqata kishte anëtarët e korit të Shën Gjergjit, të cilët meshonin dhe njëkohësisht zhvillonin aktivitetin bamirës të kishës. Ndër anëtarët e kësaj shoqate të krishterë mund të përmendim: Sotir Tërova, Kiço Raci, Taqo Plaku, Sterjo Krushova, Maqo Guri, Taqo Stamuli, Vanthulla Sinica, Katina Tërpini, Parashqevi Cico, Persefoni Treni, Fani Poçari, Llazi Jarazi, Stavri Tira, Petraq Dimço, Josif Dhamiano, Guri Kotnani, Spiro Tërpini, Dhionis Furxhi, Kiço Panariti, Argjir Papavangjeli, Berta Naumi, Todi Dardha, Andrea Adhami, Jorgji Papailia, Minella Preveza, Atë Sotir Leka, Stavrofor Thoma Shkurti, Atë Kristo Katundi, Atë Thanas Grapshi, Atë Mihallaq Tërova, Sotir Tërpini, Kristaq Treska, Dhimitër Leka, Dhimitër Mano, Petraq Turtulli, Sotiraq Asllani, Petrqa Joga, Atë Petro Janaqi, Andrea Cico etj. Në vitin 1944 Shoqata Vëllezërit mbë Krishtin çeli shkollën e të verbërve, e cila u vendos në shtëpinë e Dhimitër Kostandinit.(10)
Lidhja e teologëve dhe e seminaristëve të K.O.A.Sh-it u themelua më një korrik të vitit 1945. Qëllimi kryesor i kësaj Lidhjeje ishte që të kontribuonte në përparimin dhe lartësimin e Kishës Ortodokse Autoqefale. Në kryesinë e lidhjes u zgjodhën: Sotir Kanxheri, Dhimitër Beduli, Ilia Stavre, Vlash Semini dhe Arkile Kondi. Kryesia zgjodhi si kryetar të lidhjes teologun Theofan Popa. Lidhja e teologëve dhe e seminaristëve të K.O.A.Sh-it hartoi statutin dhe rregulloren e saj dhe ligjëroi stemën e vulën. Qendra e lidhjes ishte në Tiranë, por u krijuan degë nëpër rrethe si në Durrës, Korçë, Shkodër etj. Me vendimin e Gjykatës së Tiranës datë 19 shtator të vitit 1945, Lidhja e teologëve dhe e seminaristëve të K.O.A.Sh-it u ligjërua zyrtarisht. Kryesia e lidhjes më 24 shtator 1945 i shkroi Sinodit të Shenjtë për synimet e saj. Lidhja e teologëve dhe e seminaristëve të K.O.A.Sh-it pikëpamjet e saj i shfaqi në broshurën me titull “Ç’është dhe çfarë kërkon Lidhja e teologëve dhe e seminaristëve ortodoksë”.(11)
Lidhja e intelektualëve ortodoksë. Kryeepiskopi Anastas që në ditët e para të misionit të tij apostolik në Shqipëri i kushtoi vëmendje të veçantë afrimit të intelektualëve pranë kishës.
Më 21 qershor 1994 në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, Kryeepiskopi Anastas zhvilloi takimin e parë me 150 intelektualë ortodoksë të qytetit, ku u foli për arritjet e kishës, duke kërkuar kontributin e tyre në forcimin dhe konsolidimin e K.O.A.Sh-it. Gjithashtu në takimin e parë u diskutua që të formohet Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë.(12)
Më 2 nëntor 1994 rreth 300 intelektualë ortodoksë u grumbulluan në Kishën e Ungjillëzimit. Kryeepiskopi Anastas u foli të pranishmëve për “Kuadrin juridiko-kanonik të Kishës sonë”. Përveç intelektualëve kryeqytetas kishin ardhur përfaqësi nga Korça, Durrësi, Berati, Shkodra etj. Në fund të takimit Kryeepiskopi theksoi se këto takime do të përsëriteshin të mërkurën e parë të çdo muaji.
Më 7 dhjetor 1994 në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, Kryeepiskopi Anastas mbajti ligjëratën: “Të drejtat e njeriut në traditën ortodokse”. Kjo ligjëratë përkonte me ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.(13)
Më 1 shkurt 1995 në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, në kuadër të takimeve me intelektualët ortodoksë, Kryeepiskopi Anastas trajtoi ligjëratën: “Dinamika e një ndryshimi të vazhdueshëm, sipas mendimit të Tre Hierarkëve”.(14)
Më 1 mars 1995 në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, Kryeepiskopi Anastas trajtoi kumtesën: “Tradita dhe vizioni i bashkëjetesës së komuniteteve fetare në Shqipëri”. Fortlumturia e Tij, i porositi intelektualët që të marrin pozita përgjegjësie dhe inisiativa, të vënë në përdorim dijet, përvojën dhe autoritetin e tyre në përpjekjen përtëritëse të kishës sonë.(15)
Më 5 prill 1995 u zhvillua takimi me intelektualët ortodoksë. Kësaj radhe Kryeepiskopi Anastas mungonte për arsye shëndetësore dhe ligjërata u mbajt prej teologut Dhimitër Beduli, i cili foli rreth temës: “Ortodoksia dhe karakteristikat e saj”. Në përfundim të takimit të pranishmit i dërguan një telegram Kryeepiskopit Anastas, me anën e së cilit i uronin shërrim të shpejtë.(16)
Më 3 maj 1995 në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, Kryeepiskopi Anastas zhvilloi takimin me intelektualët ortodoksë gjatë së cilit mbajti ligjëratën me temë: “Vizioni dhe baza e bashkëpunimit paqësor të komuniteteve fetare në Shqipëri”.(17)
Më 12 dhjetor 2002 para një auditori me intelektualë dhe të rinj ortodoksë, në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, Kryeepiskopi Anastas mbajti ligjëratën me temë: “Globalizmi dhe Ortodoksia”.(18)
Më datën 13 shkurt 2003 Kryeepiskopi Anastas në kuadër të ciklit të takimeve me intelektualët dhe të rinjtë ortodoksë mbajti kumtesën: “Të drejtat e njeriut dhe Ortodoksia”. Në përfundim të takimit Kryeepiskopi Anastas u dha të pranishmëve lajmin e gëzueshëm të aprovimit të vendimit për ndërtimin e Katedrales Ortodokse në qendër të Kryeqytetit.(19)
Më datën 4 mars 2004 Kryeepiskopi Anastas mbajti ligjëratën: “Pjesëmarrja e përhershme e besimit të krishterë në ndërtimin e Evropës”. Pjesë e takimit qenë edhe himnet e kënduara nga kori i Radios “Ngjallja”.
Më 30 qershor 2013 nën drejtimin e Kryeepiskopit Anastas u zhvillua mbledhja e parë e grupit nismëtar për themelimin e “Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë”. Mbledhja u zhvillua në sallën e shkollës “Protagonistët”. Pararendësi i themelimit të “Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë” është 83- vjeçari Niko Zherdi, i cili në bashkëpunim të ngushtë me prof. Ilia Telon, prof. Pirro Priftin, Evanthia Kotten dhe Teodor Kotten përgatitët statutin e lidhjes.
Në nenin 3 të statutit theksohet se “Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë” ka si qëllim bashkimin dhe nxitjen e ortodoksëve për pjesëmarrje aktive në jetën e kishës. “Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë” është krijuar sipas Nenit 54 të Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili thotë: “Në Kryepiskopatë dhe në Mitropolitë mund të krijohen, me iniciativën e drejtuesve lokalë dhe me miratimin e Sinodit të Shenjtë Lidhje: e Grave Orthodhokse, e Rinisë Orthodhokse, e Intelektualëve Orthodhoksë etj., në ndihmë të veprës shpirtërore, katekiste, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Lidhje, Shoqata dhe organizata të tjera të themeluara pa miratimin e Sinodit të Shenjtë nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë me aktivitetin dhe funksionimin e tyre Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as të marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj”.
Më 12 tetor 2013 nën drejtimin e Kryeepiskopit Anastas u mblodh konferenca e përgjithshme e “Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë”, në të cilën morën pjesë intelektualë të shquar nga gjithë Shqipëria. Konferenca u zhvillua në sallën e shkollës “Protagonistët”. Në fillim të konferencës drejtuesi i punimeve prof. Teodor Kotte ftoi Kryeepiskopin Anastas, i cili bëri një ekspoze të përgjithshme dhe theksoi qëllimin e “Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë”. Në vijim folën prof. Robert Andoni, Thoma Miço, Teodor Kote etj. Në fund të pranishmit plotësuan një formular me të dhënat personale dhe e nënshkruan me dëshirë për tu bërë anëtarë të “Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë”. Kryetar i komanduar “Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë” u zgjodh prof. Pirro Prifti, i cili kohët e fundit ka publikuar mjaft shkrime apologjitike në mbrojtje të interesave të komunitetit ortodoks. “Lidhja Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë” ka këto objektiva: Njohja më e thellë e besimit dhe pjesëmarrja aktive në adhurim, forcimi i miqësisë dhe solidariteti ndërmjet anëtarëve të saj, të japë dëshmi të besimit të krishterë në shoqërinë moderne si dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë.
10) - Fori Tërpini, Si e gjeta rrugën e dritës, Kotti, Korçë 2001, faqe 231.
11) - Kristofor Beduli, Shkollat teologjike-hieratike, Neraida, Tiranë 2001, faqe 46-48.
12) - Takim me intelektualë orthodhoksë, Ngjallja, korrik 1994, faqe 2.
13) - Të drejtat e njeriut në Traditën Orthodhokse, Ngjallja, dhjetor 1994, faqe 1,2.
14) - Pjesë e gjallë e Kishës, Ngjallja, shkurt 1995, faqe 1,2.
15) - Tradita dhe vizioni i bashkëjetesës së komuniteteve fetare në Shqipëri, Ngjallja, mars 1995, faqe 1.
16) - Shërim të shpejtë o Kryezot, Ngjallja, prill 1995, faqe 12.
17) - Vizioni dhe baza e bashkëpunimit paqësor të komuniteteve fetare në Shqipëri, Ngjallja, maj 1995, faqe 12.
18) - Globalizmi dhe Orthodhoksia, Ngjallja, janar 2003, faqe 5.
19) - Të drejtat e njeriut dhe Orthodhoksia, Ngjallja, mars 2003, faqe 12.
Krijoni Kontakt