Close
Faqja 3 prej 10 FillimFillim 12345 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 99
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    VOSKOPOJA

    Voskopoja shtrihet në një trevë malore midis Gorës dhe Oparit, rreth 1200 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga tri anë me male, kodra dhe brigje. Hani i cili ka vizituar disa krahina të Shqipërisë në vitin 1843, duke u mbështetur në një kodik të vjetër që kishte Voskopoja, të vitit 1765, shkruan se Voskopoja është ndërtuar në vitin 1383 prej një prijësi nga dera e Muzakajve. Hani lë të kuptohet se Voskopoja është ndërtuar pas rënies së Kostandinopojës më 1453, pasi shumë refugjatë u larguan dhe u vendosën në jug të Shqipërisë. Emërtimi i saj në shkrime të ndryshme ka dhe trajta të ndryshme, si Vokopolis, Moskopolis, Moskopole, Voskopojë dhe Vockopojë. Ka të ngjarë që prapashtesa polis (qytet) të ketë çuar në emrin e sotëm.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.02.17 PM.jpg

Shikime: 601

Madhësia:  79.9 KB

    Banorët e parë mendohen të jenë banorët e shpërngulur fillimisht nga qyteti Voskop i vendosur në rrëzën e poshtme të fushës së Korçës, i rrënuar nga dyndjet osmane të shekullit XIV. Të shpërngulurit prenë shkurret e para dhe ndërtuan kishën e Shën e Premtes. Shtimi më pas i kësaj popullsie u bë me njerëz të tjerë që donin t‘i shpëtonin islamizimit. Të ardhurit ishin nga Korça, Myzeqeja, Berati etj. Por ka edhe grupe etnike që endeshin në malet e Gramozit dhe të Pindit, si dhe në viset e tjera të Ballkanit me tufat e tyre të bagëtive, të cilët sollën edhe zanatet e leshpunuesve, të endjes së qilimave etj.(35) Në shekullin e XVIII Voskopoja pati lulëzimin e saj më të madh me rreth 60.000 banorë. Në një dokument tjetër të shkruar në Budapest në vitin 1905 përmendet se qyteti ka pasur 12.000 shtëpi. Numri i madh i bazilikave, të cilat mund të merrnin deri në 1000 veta brenda, dëshmon për një bashkësi të madhe të krishterësh. Kisha e manastirit të Shën Prodhromit është ndërtuar në vitin 1632 dhe është pikturuar më 1659. Kisha është ë tipit në formë kryqi me kupolë dhe me apsida anësore. Kisha e fjetjes së Shën Marisë ka qenë katedralja e qytetit dhe është pikturuar në vitin 712. Kisha e Shën Kollit ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1722 dhe është pikturuar nga David Selenicasi më 1726.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.03.08 PM.jpg

Shikime: 605

Madhësia:  70.2 KB

    Kisha e Taksiarkëve është ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1722, ndërsa kisha e Shën Thanasit u ndërtua në vitin 1724 dhe u pikturua më 1745 nga vëllëzërit Athanas dhe Kostandin Zografi. Kisha e profetit Ilia është ndërtuar në vitin 1751 dhe është bazilikë trenefëshe e mbuluar me tavan të rrafshët. Voskopoja ndahej sipas lagjeve: lagjja e Shën Marisë, e Shën Kollit, e Shën Thanasit, e Shën Mëhillit etj. Ndërmjet lagjes së Shën Kollit dhe asaj të Shën Marisë gjendej pazari, ndërsa ndërtesat e shkollës, shtypshkronjës, spitalit dhe jetinores gjendeshin në lagjen e Shën Kollit. Rrugët që lidhnin lagjet e Voskopojës qenë të shtruara me kalldrëm.(36)

    Në shekullin XVIII filloi artizanati i tekstileve të leshta. Një zhvillim të madh mori zejtaria dhe esnafët. Me pasurimin e mëtejshëm zejtarët filluan të merren me argjendari dhe me qëndisje. Zhvillim të rëndësishëm mori thurja e fijeve të arit mbi stofrat që vinin nga Venediku apo Kostandinopoja. Një veçanti e këtyre zejtarëve ishte krijimi i esnafeve dhe i rufeteve. Kodiku i Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit bën fjalë për rolin që kanë luajtur këto organizata në jetën ekonomiko-shoqërore. Nga të dhënat e kodikut të manastirit të Shën Prodhomit del se rufetet e bakërxhinjve, të këpucarëve dhe të rrobaqepësve kontribuan në ndërtimin e objekteve të kultit ortodoks. Fëmijët e vllehve voskopojarë filluan të studionin në qytete të Evropës, si Vjenë, Venedik, Budapest e gjetkë dhe ky arsimim dha rezultatet e pritura me ngritjen e Akademisë. Ndërtesa e Akademisë së Re të Voskopojës u ngrit kryesisht me ndihmën financiare të rufeteve të mëdha, por edhe të vogla. Sipas kodikut të kishës së Shën Marisë këto organizata morën përsipër nga një djalë për të studiuar jashtë shtetit. Nga të ardhurat e rufeteve janë paguar mësuesit e shkollave, janë dhënë bursa për nxënësit dhe për akademitë e tjera në Evropë, si për shembull në Vjenë, Lajpsig, Venedik, Budapest, vende me të cilat kishin më shumë lidhje tregtare.(37) Një nga këta ka qenë edhe Teodhor Kavalioti, i cili duke qenë i shkëlqyer me mësime u dërgua në shkollën e Janinës me shpenzimet e esnafëve të bakërxhinjve. Tregtarët voskopojarë duke udhëtuar shpesh jashtë vendit, veç të mirave materiale sillnin edhe kulturën nga ato vende ku zhvillonin tregtinë. Këtë zhvillim e vërteton pajisja e qytetit me një shtypshkronjë në vitin 1720.




    35) - Dhori Falo, Tragjedia e një qyteti, Kotti, Korçë 1998.
    36) - Pirro Thomo, Voskopoja dhe lidhjet e saj me botën e jashtme, Kërkim, Nr.4, Tiranë 2010, faqe 51-55
    37) - Valentin Mustaka, Voskopoja, qyteti i modernizuar nga arkondët vllehë, Sot, 23 janar 2004, faqe 12-13.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    SHTYPSHKRONJA, BIBLIOTEKA DHE AKADEMIA E RE

    Shtypshkronja u soll nga Venediku dhe u vendos në një ndërtesë të nëndheshme, e cila bashkohej me kishën e Shën Joan Teologut, në vendin që sot quhet “Luadhi i Skolive”. Veprimtaria e shtypshkrimeve ka filluar rreth vitit 1720. Në këtë shtypshkronjë mjeshtrat shqiptarë mësuan tipografinë. Tipografi i parë i shtypshkrimeve kanë qenë Grigor Voskopojari. Gjithashtu ai ishte botuesi dhe korrektori i shtypshkrimeve. Profesorët e “Akademisë së Re” qenë bashkëpunëtorët kryesorë të shtypshkronjës, sepse pjesa më e madhe e shtypshkrimeve qenë tekstet e tyre. Në shtypshkronjën e Voskopojës janë shtypur rreth 21 tekste mësimore në 38 vjet punë dhe të gjitha janë në gjuhën greke. Librat qenë me karakter teologjik dhe apologjetik. Shtypshkronja e Voskopojës ka shtypur 14 akoluthi, të cilat janë përdorur për nevoja liturgjike, ndërkohë bashkë me shërbesat fetare botohej edhe jeta e shenjtorëve, e cila fshihej në brendësi të tekstit prej syrit të pushtuesit osman.(38)

    Jetëgjatësia e Shtypshkronjës së Voskopojës ka qenë deri në vitin 1769, kur u shkatërrua tërësisht. Në shtypshkronjën e Voskopojës u botuan kryesisht libra me karakter fetar si akoluthi, oktohikos etj, ndërkohë janë botuar edhe libra apologjetikë për të mbrojtur grigjën ortodokse nga ndikimet e kishës romano- katolike. Gjithashtu janë botuar libra me porositës me pagesë, sepse ishte e vetmja shtypshkronjë në ato treva.(39) Biblioteka e Voskopojës u themelua në vitin 1710 me donacionet e voskopojarëve, ndër të cilët mund të veçojmë Kryeepiskopin Joasaf. Biblioteka ka pasur mjaft dorëshkrime të çmuara të teksteve kishtare, por edhe një sasi të konsiderueshme të librave që qarkullonin në atë kohë në Evropë. Dhuruesi kryesor i librave ka qenë baroni Gjergji Sina, i cili ka jetuar në Vjenë. Me vdekjen e tij, i gjithë fondi prej dy mijë tituj librash i kaloi Bibliotekës së Voskopojës.(40)

    Akademia e Re e Voskopojës ka funksiuniar që në vitin 1750. Për ndërtimin e Akademisë së Re esnafët voskopojarë dhanë 312 mijë aspra, paria e qytetit dhuroi 250 mijë, Mitropolia e Kosturit 60 mijë dhe manastiri i Shën Naumit ofroi 12 mijë aspra. Akademia pati emër të madh si brenda dhe jashtë vendit. Nismëtarë për ngritjen e saj njihen patriku i Ohrit Joasaf dhe Teodor Kavalioti. Guri i themelit u vu më 1741 dhe se ajo përfundoi së ndërtuari më 1750. Përurimin e saj e bëri Mitropoliti i Korçës Niqifori. Drejtori i parë ka qenë Sevet Leontiadhi nga Kosturi, i laureuar në filozofi e në filologji në universitetin e Xhenovës në Itali. Më parë Leontiadhi kishte drejtuar shkolat e larta të Janinës dhe të Kosturit. Që prej vitit 1744 në drejtimin e Akademisë ka qenë dijetari i shquar Teodor Anastas Kavalioti, i cili quhej botërisht “fot i dituri”, “kryeprift” etj. Në këtë Akademi mësuan shumë nxënës edhe nga vise të tjera të Shqipërisë si Korça, Elbasani, Përmeti, Gjirokastra, por edhe nga Greqia dhe Maqedonia. Gjuha që është përdorur ka qenë greqishtja si një gjuhë ndërballkanike për gjithë ortodoksinë. Programi mësimor i Akademisë ndahej në dy cilke: i ulti dhe i larti. Në ciklin e ulët jepeshin lëndët: gjuhë greke, edukatë fetare, kaligrafi, matematikë etj, ndërsa në ciklin e lartë jepeshin këto lëndë: gramatika, letërsia, portika, retorika, logjika, filozofia, teologjia, fizika, metafizika, etika, muzika, matematika etj. Didaktika që ndiqej në këtë shkollë luhatej ndërmjet shkencës dhe fesë, arsyes dhe besimit. Në rrethin e nxënësve dhe të pedagogëve të kësaj Akademie u bënë përpjekje që popullit feja t`i predikohej shqip dhe për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse. Kjo gjë vërtetohet me përkthimet e Dhiatës së Re nga Grigor Voskopojari dhe Teodor Kavalioti.(41)





    38) - Gentian Stratobërdha, Shtypshkronja e Voskopojës dhe veprimtyaria e saj botuese, në nivelet e shtypshkronjave të tjera në Evropën e asaj kohe, Kërkim, Nr. 1, Tiranë 2009, faqe 137-141.
    39) - Max Demeter Peyfuss, Shtypshkronja e Voskopojës, Vienë 1996, faqe 92-93.
    40) - Dr. Dion Tushi, Biblioteka e Voskopojës, Tempulli, Nr. 16, Korcë 2011, faqe 41-47.
    41) - Alfred Uci, Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit, Voskopoja, Akademia e Re, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2004, faqe 66-72.

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    KREU I KATËRT

    BASHKIMI ME KOSTANDINOPOJËN

    (1767 deri në 1937)


    Gjatë kësaj kohe u riorganizuan mitropolitë dhe episkopatat, u ndërtuan kisha të reja dhe u bënë përpjekje për zgjimin shpirtëror të ortodoksëve. Figura më e madhe në ato vite ka qenë Kozmai i Etolisë (1714-1779).(1) Qëllimi i aktivitetit misionar të murgut Kozma ishte të forconte ortodoksinë dhe të pengonte islamizimin e popullsisë. Ai u përpoq për hapjen e shkollave greke dhe porosiste banorët që të mos grindeshin me njeri-tjetrin. Kudo ku shkonte ngrinte një kryq prej druri. Mbështeste fronin që ia kishte ndërtuar Kurt pashai dhe fillonte të predikonte. Pasi përfundonte mësimdhënien, fronin e merrte, ndërsa kryqin e linte aty, që njerëzve tu kujtoheshin fjalët e tij. Në vjeshtën e vitit 1775 pasi mori një rekomandim nga patriku Sofron II, Shën Kozmai u takua me episkopin e Delvinës Ioaniqin. Pasi hartuan planin e punës dolën në terren. Në çdo fshat që shkonin predikonin duke këshilluar popullsinë të mos kalonte në myslimanizëm. Mjaft të dhëna rreth udhëtimit misionar të Shën Kozmait në Delvinë gjejmë në Kodikun e Mitropolisë së Delvinës. Në Himarë u predikoi himariotëve të hiqnin dorë nga gjakmarrja dhe i këshilloi të hapnin një shkollë. Kozmai vazhdoi predikimin në Gjirokastër, ndonëse mitropoliti i Gjirokastrës Dhositheu dhe paria e qytetit nuk e pritën mirë. Në Tepelenë e dëgjuan të krishterët dhe myslimanët. Në vijim predikoi në Dhjovjan para kishës së Shën Thanasit ku hapi shkollën. Mësues caktoi papa Zisin. Zbriti në Dhivër, ku hapi shkollën e parë hieratike, me qëllim përgatitjen e priftërinjve, të cilët do të vazhdonin misionin e tij. Kaloi në Vishan dhe më pas në Muzinë. Në manastirin e Theologos hapi një seminar për priftërinj, ndërsa në Derviçan predikoi në sheshin para kishës së Shën e Premtes. Predikoi kudo, në Senicë, në Konispol, në Kurjan, në Plisivicë dhe në Libohovë. Në pranverën e vitit 1776 Shën Kozmai predikoi para kishës së Shën Sofisë në Dermish. Në Mesopotam predikoi me pathos para popullit. Në korrik të vitit 1777 Shën Kozmai kaloi nga Nivica, Shën Vasili dhe Piqerasi. Predikoi në Palermo, në Qeparo dhe më pas u vendos në Himarë. Shën Kozmai vuri re se kishat në Himarë nuk frekuentoheshin nga besimtarët.(2)

    “Kozmai bëri një akt që i habiti të gjithë. Pasi predikoi edhe një herë, i porositi banorët që të prishnin kishat, në të cilat nuk meshohej dhe qëndronin të mbyllura nga mungesa e priftërinjve dhe e besimtarëve duke mbajtur vetëm një, atë të “Gjithë Shenjtorëve” dhe pronat e pasuritë e tyre t’i përdornin për mbajtjen e shkollës. Me zërin e tij kumbonjës e të frymëzuar ai i ftoi, duke përfunduar fjalën e tij, që të fillonin menjëherë nga shembja e kishës. Asnjë nuk lëvizi nga vendi, asnjë nuk guxoi të vinte dorë mbi kishën. Atëherë Kozmai, pasi e mbaroi fjalimin, mori sopatën dhe u ngjit në çatinë e një kishe. Himariotët të habitur i vajtën pas dhe të tmerruar e panë atë duke rrëzuar çatinë dhe muret e kishës. U foli përsëri që andej sipër, duke u këshilluar edhe njëherë ngritjen e shkollës me të ardhurat e kishës. Ngritja e shkollës ishte një vepër më e pëlqyer nga Zoti sesa ekzistenca e një kishe të shkretuar dhe që nuk meshohej në të. Himariotët më të fund u bindën që ta ndihmonin. Kështu u ngrit në Himarë shkolla e parë, e cila është edhe sot”. Në vijim predikoi në Vuno, në Dhërmi, në Palasë dhe në Dukat. Shën Kozmai vajti në rrethin e Vlorës, ku predikoi në Nartë. Më pas u nis për në Berat dhe mbërriti atje më 22 gusht 1777. Shën Kozmai pasi predikoi, rekomandoi për hapjen e një shkolle në kala, gjithashtu kritikoi hebrenjtë dhe porositi të krishterët të mos bëjnë tregëti me ta dhe ditën e pazarit të mos e bënin të dielën, por të shtunën. Në shtator 1777 Kozmai predikoi në Durrës dhe në fshatrat e Kavajës, madje vajti deri në Krujë. Në predikimet e tij i porosiste të krishterët, të kreshmonin, të rrëfeheshin etj. Shën Kozmanë e shoqëronin rreth dyzetë priftërinj. Ata ecnin më këmbë, dimër e behar, në shi e në furtunë, nëpër monopate dhe në xhade. Shenjti kudo ku shkonte për të predikuar ungjillin merrte leje nga kryeprifti dhe paria e vendit. Kur vajti në Kolkondas, mori pëlqimin e kryepriftit dhe donte të merrte leje edhe nga Kurt pashai. Rrugës shenjtin e kapën dhe e varën në një pemë. Më pas kofomën e tij e hodhën në lumin Seman duke i varur një gur në qafë. Shën Kozmai u martirizua më 24 gusht të vitit 1779 në Kolkondas të Myzeqesë.(3)






    1) - Kozmai ka lindur më 1714 në Mega Dhendro të Etolisë. Në moshën 20- vjeçare filloi të marrë mësimet e para nga jerodhiakoni Anania. Më vonë shkoi për studime në shkollën e Vatopedhit në Malin e Shenjtë, ku pati mësues Panajot Pallamanë. Deri në këtë kohë ai ishte laik me emrin Kosta. Pasi përfundoi studimet vajti në manastirin e Filotheut, ku u dorëzua hieromonak. Vite më vonë shkoi në Kostandinopojë për t‘u takuar me dhaskalin Krisanth, prej të cilit mësoi artin e gojtarisë. Pasi mori leje me shkrim nga patriku Serafim filloi aktivitetin misionar. Ai predikonte mësimet e Ungjillit të Shenjtë në kishat e Kostandinopojës, më pas shkoi në Vrahori, në Mesolongji dhe në zona të tjera. U kthye përsëri në Kostandinopojë, ku u takua me patrikun Sofron duke i marrë bekimin për të predikuar në ishujt e Egjeut. Në vitin 1775 u kthye në Malin e Shenjtë ku filloi të lexojë librat e etërve të kishës, por zelli i aktivitetit misionar nuk e linte të qetë. Kozmai u largua nga Mali Athos për të vazhduar veprën e tij misionare. Në vijim shkoi në Selanik, Beria, në fshatrat e Himarës, Akarnanisë duke arritur deri në Artë dhe në Prevezë.
    2) - Kristo Frashëri, Ardhja e Shën Kozmait në Himarë, Korrieri, 8 dhjetor 2004, faqe 17.
    3) - Fani Mihallopullu, Kozmai nga Etolia, (Përkthim nga Dhimitër Beduli), Tiranë 1999, faqe 31-32.

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    PARARENDËSIT E PËRDORIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË SHËRBESAT FETARE

    Një perikope nga Ungjilli i Pashkëve është dokumenti më i vjetër që kemi për përdorimin e gjuhës shqipe nëpër shërbesat fetare. Dokumenti gjendet brenda një dorëshkrimi greqisht në Bibliotekën Abroziana të Milanos dhe i përket shekullit XV. Ai përbëhet nga tri pjesë të ndryshme: 1-Nga një pjesë e Ungjillit të Matheut 27, 62-66 (është pjesë nga Ungjilli i mëngjesit që këndohet të Premten e Madhe gjatë shërbesës së Epitafit), 2-Urimi “Për shumë vjet o Kryezot” 3-Himni i Pashkëve “Krishti u Ngjall”.4 Në shkrim përdoret alfabeti grek, ndonëse nuk i është përshtatur mirë tingujve të shqipes. Dokumenti është një fletë me format 15x13.5cm, brenda kodikut me format dhe u zbulua më 1906 nga Spiridon Lambros, i cili e botoi në revistën Neos Elinomnimon të Athinës.(5)

    Më vonë u transkriptua nga episkopi i Korçës Evllogjio Kurilla, i cili pretendon se është i Grigor Gjirokastritit. Studiuesit mendojnë se autori ka qenë një prift shqiptar i ritit lindor. Në të vërtetë teksti është një përkthim nga greqishtja në shqip. Perikopeja nga Ungjilli i Pashkëve është dokumenti i parë i shkruajtur në toskërishte.(6)

    Anonimi i Elbasanit është një dëshmi tjetër, e cila mendohet të jetë e shekullit XVII dhe u gjend në vitin 1949 në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. Ajo përbëhet nga pjesë të të katër ungjijve, shkruar me një alfabet të veçantë dhe është përdorur për nevoja liturgjike. Teksti nuk e përmend emrin e autorit dhe vitin e shkrimit, prandaj u emërtua si anonim. Përkthimi është i lirë, në të folmen e Elbasanit dhe ka pak fjalë të të huaja. Gjuha është më arkaike se ajo e Dhaskal Todrit. Dokumenti i përket gjysmës së dytë të shekullit XVIII dhe në të ndihen ndikimet e toskërishtes. Alfabeti i përdorur është i panjohur më parë, me 40 shkronja me bazë glagolitike dhe është alfabeti orgjinal më i vjetër që njihet në shkrimin e shqipes. Alfabeti i përdorur ka më tepër bazë sllave sesa greke. Në tekst gjendet i shkruar emri i një kleriku, Papa Totasi, i cili ishte prifti i Shpatit dhe ka jetuar në shekullin XVIII.(7)

    Prof. M. Domi mendon se autori është Grigori i Durrësit, vdekur më 1772, i cili është marrë me përkthimin e ungjijve dhe ka përdorur një alfabet origjinal. Nga gjuha e dorëshkrimit kuptohet që ka qenë njeri i ditur. Kjo vepër prej gjashtëdhjetë faqesh u shpëtua nga studiuesi elbasanas Lef Nosi, atëherë kur manastiri i Shën Gjon Vladimirit u dogj më 14 mars 1944.

    Mitropoliti i Durrësit Grigori
    mendohet se ka lindur në vitin 1701 në Voskopojë. Më 1740 Grigori u qeth murg në Venedik, ku mësoi edhe mjeshtërinë e shtypshkruesit prej Nikolas Glykys. Emri i tij përmendet në të gjitha botimet me epitetin “më i dituri dhe më i mençuri nga murgjit hierodhaskenj të Voskopojës”. Nga kjo kuptojmë se Grigori ishte murg dhe njëkohësisht jepte mësim. Ai ka qenë ndihmës i parë i drejtorit të Akademisë, Sevast Leontiadhit. Grigori ka qenë edhe autor, ai ka shkruar parathënien dhe megalinaret e shërbesave të Nikodhimit dhe të Shtatë Shenjtorëve. Gjithashtu ai ka shkruar një shtojcë në traktatin e përllogaritjes së kohës, shkruar prej Sevast Lenotiadhit. Vite më vonë më 1768, Grigori u fronëzua Mitropolit i Durrësit. Grigori ka përkthyer në shqip Dhiatën e Vjetër dhe të Re, duke përdorur një alfabet të shpikur nga ai vetë para vitit 1772. Përkthimet e tij fatkeqësisht kanë humbur. Pas suprimimit të Patriarkanës së Ohrit më 1768, ai u caktua nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës si Mitropolit i Durrësit.(8)

    Nektar Tërpo Voskopojari ka nënshkruar në një gravurë të gjetur në Manastirin e Ardenicës. Në të është shkruar një lutje e shkurtër drejtuar Hyjlindëses në katër gjuhë, greqisht, latinisht, arumanisht dhe shqip. Gravura ka këtë tekst në shqip të shkruar me alfabetin grek: “Virgjin Mamë eperëndis uro prë nee fajtorëte”. Në gravurë paraqitet Shën Mëria me Krishtin e vogël ndër duar. Ajo daton në vitin 1731 dhe poshtë saj është nënshkrimi i hieromonak Nektarit. Në atë kohë Nektar Tërpo Voskopojari ishte igumeni i Manastirit të Ardenicës. Nektar Tërpo ka lindur aty nga fundi i shekullit XVII në Voskopojë. Pas studimeve vajti në Malin Athos duke përqafuar jetën monakale. Vite më vonë e gjejmë në Manastirin e Shën Naumit dhe më pas në Manastirin e Ardenicës. Vitet e findit të jetës së tij i kaloi në Venedik, ku edhe ndërroi jetë.

    Nektar Tërpo Voskopojari ka botuar dy vepra. E para titullohet “Besa”, i cili është botuar në Venedik në vitin 1750 për të ndaluar islamizimin e popullsisë ortodokse. Libri “Besa” në fletën e jashtme ka një shënim: “Libër i domosdoshëm për çdo njeri të thjeshtë, që mbështetet në Profetër, Ungjij, Apostuj dhe në mësues të tjerë të ditur. Ka edhe fjalime të tjera në dobi të atyre që do të lexojnë, të kthyera në gjuhë të thjeshtë. Kjo shihet në pasqyrën e lëndës. I punuar me dashuri nga hieromonaku Nektar Tërpo nga vendi i perëndiruajtur, Voskopojë, Venedik 1750”. Vepra e dytë e hieromonakut Nektar Tërpo Voskopojari titullohet “Probleme teologjike” me pyetje e përgjigje nga veprat e etërve të kishës dhe sidomos nga Athanasi i Madh. Ky ngjan me një libër katekizmi dhe është botuar më 1779, në Venedik.(9)

    Theodhor Haxhifilipi (1730-1805) i njohur me emrin Dhaskal Todri, ka lindur në Elbasan. Ai ka studiuar në Akademinë e Voskopojës. Më vonë e gjejmë në Elbasan si mësues dhe predikues. Ka bërë përkthime të shumta fetare duke përkthyer shqip Dhjatën e Vjetër dhe të Re dhe Liturgjinë e Shën Joan Gojartit. Gjatë përkthimit të Liturgjisë ka ndjekur fjalë për fjalë tekstin greqisht duke mos e përshtatur si duhet në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e shkrimeve të Dhaskal Todrit u dogj pas epidemisë së kolerës të vitit 1827. Prej tyre shpëtoi Liturgjia e Joan Gojartit, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në një kopje të mëvonshme të kopjuar nga igumeni i Manastirit të Shën Gjon Vladimirit, Haxhi Josifi. Liturgjia e Joan Gojartit u botua në revistën “Kopshti Letrar” në Elbasan. Alfabeti i përdorur nga Dhaskal Todri pati jehonë të madhe kudo dhe menjëherë filloi të përdorej jo vetëm nëpër shërbesat fetare dhe shkolla por edhe në jetën e përditshme të tregtarëve elbasanas. Alfabeti i Theodhor Haxhifilipit luajti rol të rëndësishëm për përhapjen e gjuhës shqipe nga fundi i shekullit XVIII e deri në fillimet e shekullit XIX dhe për zëvendësimin e greqishtes me gjuhën shqipe. Konsulli austriak në Janinë, albanologu Johan Georg fon Hahn (1811-1869), u entuziazmua shumë kur me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit u zbulua alfabeti i Dhaskal Todrit. Gjithashtu Dhaskal Todri ka përkthyer edhe Librin e Orëve.(10)

    Ikonom Konstandin Beratit (rreth 1745-rreth 1825) i përket një dorëshkrim që gjendet në Bibliotekën Kombëtare. Ai përbëhet nga 152 faqe, ku në 46 faqet e para janë të përkthyera shqip me alfabetin grek lutje të ndryshme fetare dhe pjesë ungjillore që përdoren në shërbesat liturgjike, ndërsa në faqen 106 ndodhet një alfabet origjinal me bazë glagolitike prej 37 shkronjash. Gjithashtu në të gjendet edhe një vjershë me dyzetekatër vargje e titulluar “Zonja Shën Mëri Përpara Kryqësë”, dy glosarë greqisht-shqip me rreth 1710 fjalë si dhe shënime të ndryshme me karakter fetar, ngjarje të ndodhura midis viteve 1764-1789. Përkthimet e tij nuk patën përhapje të madhe sepse nuk mundën të botoheshin. Studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi është marrë me transkriptimin e dokumentit dhe e pagëzoi me emrin “Kodiku i Kostandin Beratit” që i përket vitit 1764. Ky dorëshkrim pasqyron përpjekjet për përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në shërbesat fetare.

    Vangjel Meksi (1770-1823). Përkthyesi dhe mjeku Vangjel Meksi ka lindur në vitin 1770 në Labovë të Gjirokastrës. Ai u diplomua për mjekësi në Napoli të Italisë. Pasi kreu studimet, Vangjel Meksi ka shërbyer si mjek në oborrin e Ali pashë Tepelenës deri në vitin 1810. Për pasojë të intrigave të vëllezërve Vaja, Vangjel Meksit i rrezikohej jeta në oborrin e Ali pashë Tepelenës, prandaj ai u largua fshehurazi dhe gjeti strehë në Korfuz. Luka Vaja ishte gjithashtu mjek në oborrin e Ali pashë Tepelenës dhe shpifi për të nga rivaliteti që kishte për arsye të profesionit.(11)

    Meksi kishte kulturë të gjerë në fushën e letrave, madje kishte hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe, në të cilën kishte përcaktuar një alfabet të shqipes dhe drejtshkrimin. Meksi e firmosi kontratën me Shoqërinë Biblike më 19 tetor të vitit 1819 në prani të përfaqësuesit të saj R. Pinkertoni, i cili deklaronte: - Kam gjetur njeriun i cili, shpresoj, është përcaktuar t’u dhurojë bekimin e madh vëllezërve të vet, duke u dhënë Dhiatën e Re në gjuhën e tyre....Atë e njeh mirë patriku grek i Stambollit, i cili gjithashtu e ka miratuar shumë këtë sipërmarrje. Pinkertoni ia paraqiti kontratën patrikut Grigori V, i cili garantoi mbështetjen e plotë të tij. Përkthimi u bë nga teksti origjinal në greqishten e vjetër.12 Në vitin 1821, Vangjel Meksi e përfundoi përkthimin e Dhiatës së Re duke përdorur alfabetin grek. Ky përkthim u bë me nxitjen e komunitetit shqiptar të Vjenës. Përkthimi përfundoi pas 16 muajsh dhe ishte nën mbikqyrjen e episkopit Grigor Gjirokastriti, i cili e redaktoi tekstin e Dhiatës së Re dhe mbikqyri botimin e saj. Përkthimi i Meksit u bë në Stamboll, por ai udhëtoi një herë drejt Selanikut. Kjo ishte arritje e madhe për përdorimin e gjuhës shqipe në tekstet liturgjike. Në vitin 1823 Vangjel Meksi vdiq dhe punën e tij e vazhdoi një klerik shqiptar, i cili arriti ta botonte përkthimin e tij.(13)

    Grigor Gjirokastriti ka lindur në Gjirokastër. Gjatë viteve (1799-1827) ka qenë episkop i Paramithisë. Grigori ka marrë pjesë aktive në kryengritjen e vitit 1821, duke qenë komandant i kryengritjes për pjesën jugore të Evjas. Pjesëmarrja në kryengritje e detyroi atë që më korrik të vitit 1823 të shpërngulet drejt Korfuzit. Atje gjendej Shoqëria Biblike e Joniane, e cila kishte si qëllim të përkthente Shkrimin e Shenjtë dhe ta përhapte atë në popull. Anëtar i Këshillit Drejues të saj ishte atë Andrea Idromeno, një shqiptar nga Parga. Ky i fundit bindi patrikun ekumenik Grigorin V për të dhënë lejen e botimit të Dhiatës së Re në shqip. Atë Andrea Idromeno ka qenë i caktuar nga Patriakana Ekumenike si redaktor i librave kishtarë. Më 16 shtator të vitit 1827 Grigor Gjirokastriti u fronëzua mitropilit i Athinës. Ai qëndroi në këtë fron deri në fundin e jetës së tij, më 4 prill 1828.(14)

    Grigor Gjirokastriti pas vdekjes së Vangjel Meksit arriti të botojë Ungjillin sipas Matheut në Korfuz, në vitin 1824. Gjithashtu në vitin 1827 botoi Dhiatën e Re në Korfuz, e cila pati jehonë të madhe saqë në vitin 1858 u ribotua në Athinë. Botimi titullohej: “Dhiata e Re e Zotit sonë Jisu Kristoit mbë di gjuhë do me thënë gërqishte dhe shqiptarçe”. Në botimin e Korfuzit shkruhet në greqishte: “Me kujdes të Grigorit, Epishkopit t’Eubesë”. Gjithashtu Grigor Gjirokastriti ka përkthyer edhe disa broshura fetare nga të cilat mund të përmendim: “Kryqi i Krishtit”, “Jeta e Shën Joan Pagëzorit”, “Ligji i artë” etj.(15)

    Kostandin Kristoforidhi lindi në Elbasan në vitin 1827. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Gjatë viteve 1847-1850 Kristoforidhi i mësoi gjuhën shqipe albanologut Hahn, i cili ishte konsull i Austrisë në Janinë. Vite më vonë Hahni me ndihmën e Kristoforidhit zbuloi shkrimet e Dhaskal Todrit. Në bashkëpunim me Hahnin, ai botoi më 1854 në Vjenë veprën “Studime shqiptare” (Albanische Studien). Më pas Kostandini studioi në kolegjin protestant të Maltës. Në vitin 1869 përktheu, me porosi të Shoqatës Biblike Britanike, Dhiatën e Re në dialektin gegë dhe më 1897 e botoi atë në Stamboll sipas dialektit toskë. Kristoforidhi përktheu edhe disa nga librat e Dhiatës së Vjetër. Në vitin 1872 botoi Psalltirin dhe në vitet 1880- 1884 botoi “Të bërët”, “Të dalët”, “Nomi i dytë”, “Fjalë të Urta të Sollomonit” dhe “Isaia” në toskërisht. Përkthimet e Kristoforidhit dallohen nga pastërtia dhe saktësia e përdorimit të gjuhës shqipe. Teksti i Dhiatës së Re, i botuar për herë të parë në vitin 1879 në dialektin toskë, dhe i ribotuar në vitet 1911 dhe 1930, përdoret ende edhe sot në Kishën Ortodokse. Për të nderuar veprën e madhe të këtij dijetari, Kisha Ortodokse në vitin 1934 i ngriti një bust, i cili është sot në Kishën e Shën Marisë në Elbasan. Nga familja e Kristoforidhit në Elbasan nuk ka trashëgimtarë.(16)





    4) - Dhimitër Beduli, Gjuha shqipe në kishë, Tiranë 1999, faqe 8-9.
    5) - Dhimitër Shuteriqi, Shkrimet shqipe, Tiranë 1976, faqe 39.
    6) - Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër 1999, faqe 19-20.
    7) - Dhimitër Shuteriqi, Shkrimet shqipe, Tiranë 1976, faqe 92.
    8) - Max Demeter Peyfuss, Shtypshkronja e Voskopojës, Vienë 1996, faqe 83-90.
    9) - Kostandin Skënderi, Historia e Voskopojës së Vjetër dhe të Re, përktheu Dhimitër Beduli,Tempulli, Nr. 8, Korçë 3002, faqe 83.
    10) - Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Liturgjia shqipe, nga Pal Engjëlli te Dhaskal Todri, Tema, 30 shtator 2005, faqe 14-15.
    11) - Aida Tuçi, Mjeku i arratisur i Ali pashë Tepelenës, që u bë përkthyes, Mapo 24 gusht 2013, faqe 22.
    12) - Aleksandër Meksi, Botimi i Dhiatës së Re përkthyer nga Vangjel Meksi, në monografinë e Profesor Xhevat Lloshit, Kërkim Nr. 10, Tiranë 2013, faqe 54-59.
    13) - Mitropoliti i Korçës Joani, Një vështim i shkurtër mbi përkthimet fetare në Kishën Orthodhokse në Shqipëri, Tempulli Nr. 2, Korçë 2000, faqe 13-14.
    14) - Dr. Dion Tushi, Grigor Gjirokastriti dhe gramatologjia shqiptare, Kërkim Nr. 10, tiranë 2013, faqe 41-52.
    15) - Namik Resuli, Shkrimtarët Shqiptarë, (Nga Buzuku tek arbëreshët e Greqisë), Pakti, 2007, faqe 88-90.
    16) - Ledia Lleshi, Udhëtimi në Elbasan dhe premtimet e tij para bustit të Kostandin Kristoforidhit, Metropol, 9 maj 2007, faqe 19.

  5. #25
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    ATA QË U MARTIRIZUAN PËR GJUHËN SHQIPE

    Papa Kristo Negovani (1875-1906) ishte prift atdhetar i Kishës Ortodokse. Ai ka lindur në Negovan të Follorinës në vitin 1875. Pasi u hirotonis prift filloi të përkthente tekstet liturgjike në gjuhën shqipe duke i praktikuar nëpër shërbesat fetare. E burgosën në Manastir, por ai vazhdoi punën e tij. Papa Kristo Negovani mundi me shumë përpjekje të botojë 9 vepra shkollore dhe kishtare në gjuhën shqipe. Më 10 shkurt, ditën e Shën Harallambit, në prani të dhespotit të Kosturit Karavangjeli, papa Kristoja e mbajti meshën në gjuhën shqipe. Karavangjeli e mallkoi, por papa Kristo vazhdoi shërbesat në gjuhën shqipe. Më në fund e masakruan me sëpatë në pyllin e fshatit Negovan më 12 shkurt 1906. Ai u bë martiri i parë në përpjekjet për të futur gjuhën shqipe në shërbesat e Kishës Ortodokse.(17)

    Petro Nini Luarasi (1865-1911) ka lindur më 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Pasi kreu shkollën pedagogjike në Qesarat të Lunxhërisë filloi punë si mësues. Në vitin 1883 u mësoi nxënësve gjuhën amtare dhe e futi gjuhën shqipe në predikimet kishtare. Petro u mësoi bashkëfshatarëve Apostullin, Ungjillin, Simbolin e Besimit dhe Uratën Zotërore ti thonin në gjuhën shqipe. Më 20 shtator 1892 mitropoliti Fillaret i Kosturit e shkishëroi dhe e mallkoi. “I mallkuari dhe i shkishëruari Petro Luarasi, në bashkëpunim me propagandën protestante e masone, ka shkuar në fshatra të ndryshme të rrethit të Kolonjës, duke u premtuar emërimin e mësuesve shqiptarë për mësimin e shqipes, një gjuhë e cila nuk ekziston...Shpallim se kushdo që ndikohet nga i mallkuari Petro Luarasi dhe shokët e tij, ose pranon mësues shqiptarë, do të shkishërohet nga i madhi Zot, do të marrë mallkimin e etërve të kishës, do ta zërë lebra e Gehazit dhe trupi i tij do të mbetet i patretur dhe do të përdhoset pas vdekjes..” Për këtë veprim antishqiptar të mitropolitit Fillaret, Petro Nini Luarasi ka shkruar pamfletin “Mallkimi i shkronjave shqip dhe çpërfolja e shqiptarit” dhe poemën “Kundër mallkimit të gjuhës shqipe”, me të cilat zbuloi hipokrizinë e klerikëve të huaj. Për t’i shpëtuar ndëshkimit dhe për të vijuar veprimtarinë atdhetare Petro Luarasi shkoi në Amerikë, ku mori pjesë në lëvizjen patriotike. Pas shpalljes së hyrietit më 1908 u kthye në atdhe. Më 20 mars 1910 u çel Kongresi i Dytë i Manastirit, në të cilin Petro ishte përfaqësues i shoqërisë “Lidhja Orthodhokse”. Megjithatë ai nuk i shpëtoi dënimit të përcaktuar nga ata që nuk e donin. Më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi vdiq i helmuar.(18)

    Atë Stath Melani (1858-1917) ka lindur në fshatin Melan. Babai i tij emigroi në Stamboll dhe në vitin 1877 mori edhe të birin. Në vitin 1888 Stathi u martua me Kostandinën. Nga kjo martesë u lindën nëntë fëmijë, pesë djem dhe katër vajza. Në vitin 1899 emigroi në Amerikë ku u dorëzua prift në Kishën e Shën Marisë në Vocerterit. Pasi shërbeu me devocion, më 1908 mori ofiqin e Ikonomit. Sapo u kthye në atdhe u përfshi në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe filloi të predikonte shqip në kishën e Përmetit. Kur dhespoti grek e qortoi përse kishte meshuar në gjuhën shqipe, atë Stathi iu përgjigj: “Hirësi, shqiptarët merren vesh me Perëndinë më mirë dhe më shpejt me shqipen se sa me greqishten”. Atë Stath Melanin e vranë më 24 dhjetor të vitit 1917 njerëzit e bandës së Josif Suropullit. Këtij të fundit i kishin premtuar një shumë të madhe parash nëse do tu shpinte kokën e atë Stath Melanit. Pasi e qëlluan me armë tek Balta e Kuqe e Lipivanit, kriminelët i prenë kokën me thikë dhe e futën në një torbë për tua treguar padronëve të tyre. Trupin pa kokë të atë Stath Melanit e varrosën në kishën e Shën Kollit në Përmet.(19)




    17) - Alqi Jani, Mitropolia greke e Gjirokastrës mallkon banorët e Nivanit të Zagories, Zagoria, korrik 2003, faqe 2.
    18) - Gilmana Bushati, Petro Nini Luarasi, martiri i gjuhës shqipe, Gazeta Shqiptare, 14 janar 2011, faqe 22-23.
    19) - Apostol Kotani,Kepedan At Stath Melani me shokë,Tiranë 1997,fq 90-92.

  6. #26
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    PËRPJEKJET PËR SHQIPTARIZIMIN E KISHËS

    Në Sh.B.A. Theofan Noli u dorëzua në gradën priftërore në moshën 26 vjeçare në këto rrethana historike. Kisha nuk kishte varrosur një shqiptar me emrin Kristo Dishnica në varrezat e Kishës së Shën Gjergjit në Boston. Ky incident ka ndodhur vërtet dhe daton në vitin 1907, por në atë kohë prift në atë kishë nuk ishte një grek, por një sirian. Ky i fundit duke parë çertifikatën e lindjes së Kristo Dishnicës, e cila thoshte “lindur në Turqi, fshati Korçë”, nuk kishte pranuar që ta varroste, sepse sipas tij ai ishte mysliman. Në atë kohë të gjitha dokumentet e shqiptarëve mbanin vulën e Perandorisë Osmane.20 Kristo Thimo Dishnica u varros pa asnjë ceremoni kishtare. Kjo ngjarje shkaktoi zemërimin e shqiptarëve të Masaçusetsit, të cilët vendosën të kishin një prift shqiptar.

    Emri:  Screenshot 2024-03-02 at 12.22.55 AM.jpg

Shikime: 622

Madhësia:  39.6 KB

    Në këto rrethana Nolit i lindi dëshira për t’u bërë misionar i krishterimit dhe në vitin 1908 u dorëzua prift nga mitropoliti rus i Nju Jorkut, Platoni në katedralen e Shën Nikollës, sipas rekomandimit të atë Aleksandër Hotovickit dhe atë Jakob Grigorievit. Më datën 22 mars 1908 u celebrua liturgjia e parë në gjuhën shqipe prej atë Theofanit në sallën e “Kalorësve të Nderit” në Boston. Liturgjia Hyjnore e përkthyer nga atë Theofani tingëllonte shumë bukur në gjuhën shqipe dhe kuptohej nga besimtarët e pranishëm. Po atë ditë shqiptarët u mblodhën në sallën “Feniks” dhe themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Më 17 nëntor të vitit 1918 atë Theofani mori ofiqin e arkimandritit prej episkopit rus Aleksandër në Katedralen e Shën Nikollës, ndërsa më 25 shkurt të vitit 1919 në mbledhjen e përgjithshme kleriko-laike të kolonive shqiptare të SHBA-së, arkimandrit Theofani u propozua si kandidat për episkop. Me inisiativën e tij, më 20 korrik 1919 Kisha Ortodokse e diasporës shqiptare të Amerikës u shpall e pavarur.

    Emri:  Screenshot 2024-03-02 at 12.23.49 AM.jpg

Shikime: 615

Madhësia:  32.3 KB Emri:  Screenshot 2024-03-02 at 12.23.55 AM.jpg

Shikime: 623

Madhësia:  34.5 KB

    Në Rumani. Me themelimin e kishës shqiptare në Boston në vitin 1908, një vit më vonë edhe shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço mundën të ngrinin një kishë për shqiptarët. Në atë kohë Nikolla Naço ishte zgjedhur kryetar i Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Prej vitesh kishte punuar për themelimin e shkollave shqipe dhe për përkthimin e librave në gjuhën shqipe. Që në vitin 1893 në Bukuresht funksiononte shkolla normale shqipe nën drejtimin e Nikolla Naços, e cila financohej nga familja rumune Butulesku. Për ngritjen e shkollës Naço u përgëzua nga Mihal Grameno. Vite më vonë Shoqëria “Drita” ngriti shkollën shqipe në qytetin e Konstancës. Por ngjarja më e rëndësishme ishte themelimi i kishës shqiptare në vitin 1909 në qytetin e Bukureshtit. Pikërisht në këtë kishë në vitin 1911 atë Theofan Noli celebroi një meshë për shqiptarët e Rumanisë. Noli e quajti Naçon “ushtarin e vjetër dhe më energjik të çështjes shqiptare” se në shkollën e tij mësuan bij të shqiptarëve ortodoksë, katolikë e myslimanë. Ndikimi i Shoqërisë “Drita” u përhap në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët.(21)

    Lidhja Orthodhokse. Sekretar i shoqërisë “Drita” ka qenë Mihal Grameno,22 i cili pasi u kthye në atdhe më 1 shkurt të vitit 1909 themeloi në Korçë shoqërinë “Lidhja Orthodhokse”. Mbledhja u zhvillua në shtëpinë e Tasi Ilos. Lidhja Orthodhokse zgjodhi pleqësinë: Kryetar, Mina Frashëri, nënkryetar, Mihal Grameno, arkëtar Thoma Adam dhe sekretar, Pandeli Cale. Gjithashtu anëtarë të pleqësisë qenë: Thoma Eqimi, Ilo Furçi, Llambi Ramiz dhe Llambi Bilbili. Në vijim u miratua kanonizma e Lidhjes Orthodhokse. Menjëherë një përfaqësi e Lidhjes Orthodhokse shkoi në Mitripoli dhe i Kërkoi Mitropolitit të Korçës që priftërinjtë Ungjillin, Apostullin dhe Paqësoret ti lëçisin në gjuhën shqipe. Përgjigjja e Mitropolitit të Korçës ishte se nuk mund ta lejonte këtë gjë nëse nuk kishte miratimin e Patriarkanës Ekumenike. Kjo shoqëri patriotike botoi gazetën e përdyjavshme fetare dhe letrare, nëpërmjet së cilës zhvilloi propagandën e saj. Qëllimi kryesor i kësaj shoqërie atdhetare ishte përdorimi i gjuhës shqipe nëpër shërbesat fetare. Shumë shpejt kjo shoqëri krijoi degët e saj në Elbasan, Durrës, Berat e gjetkë.(23)

    Në Bullgari me pjesëmarrësit e kolonisë së Sofjes u formua shoqëria “Dëshira”. Veprimtaria e shoqërisë “Dëshira” është e lidhur ngushtë me shoqërinë “Drita” të Bukureshtit. Shoqëria “Dëshira” hapi tipografinë “Mbrothësia”, të cilën e drejtonte Kristo Luarasi. Më 22 nëntor të vitit 1902 u çel shkolla shqipe e natës, të cilën e drejtonte Kosta Jani Trebicka, i cili në atë kohë ishte zgjedhur kryetar i shoqërisë “Dëshira”. Kjo shoqëri patriotike zhvilloi një veprimtari të gjerë përsa i përket botimit të librave në gjuhen shqipe sipas alfabetit që kishte caktuar Shoqëria e Stambollit. Bashkëpunëtorët e shoqërisë “Dëshira” qenë: Asdreni, Jani Vruho, Mihal Xoxe, Petro Nini Luarasi, Mihal Grameno, Hil Mosi, Loni Logori, Kristo Luarasi, Josif Bageri, Spiro Dine, Dhimitër Mole, Kosta Jani Trebicka etj. Shoqëria “Dëshira” botoi gazetën “Kalendari Kombiar”, e cila ndikoi në përhapjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës kombëtare në tërësi.




    20) - Sokol Balla, Noli ky prift i çuditshëm, Klan, 31 janar 1999, faqe 32.
    21) - Koli Xoxi, Nikolla Jorga dijetari pa njollë pa frikë, Tiranë 2001, faqe 170- 176.
    22) - Atdhetari Mihal Grameno ka qenë luftëtar i çetës së vëllezërve Çerçiz dhe Bajo Topulli. Ai ka qenë publicist dhe themelues i gazetave “Lidhja Orthodhokse” dhe “Koha”. Gjithashtu ka botuar librat “Oxhaku”, “E puthura”, “Varri i pagëzimit” etj.
    23) - Vepror Hasani, Rrofshin priftërinjtë e Elbasanit, të parët që iu lutën Zotit shqip, Standard, 19 tetor 2013, faqe 18-19.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 02-03-2024 më 01:24

  7. #27
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

    Për të ngritur flamurin kombëtar patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin “Continental” të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë Asdreni, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati etj. Ata vendosën që të mbahej një Kuvend Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte ai flamur që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë. Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin udhëtuan nga Bukureshti për në Vienë, ku takuan Bertholdin, ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë dhe u takuan me Ismail Qemalin në Trieste të Italisë. Më 19 nëntor 1912 u nisën për në Durrës me anijen që u siguroi Bertholdi. Udhën nga Durrësi për në Vlorë e bënë me karroca me kuaj. Kur mbërritën në Vlorë, Spiridon Ilo vajti për të bujtur tek vajza e tezes, Marigo Pozio.24 Kjo e fundit së bashku me dy vajzat e saj me qëlim që flamuri të dukej më i paraqitshëm, qëndisi thekët. Logjika e thjeshtë na shpie të mendojmë se grupi i patriotëve shqiptarë që u nis nga Rumania kishte marrë me vete edhe flamurin që do të ngrinte në shpalljen e Pavarësisë?

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.41.35 PM.jpg

Shikime: 592

Madhësia:  45.9 KB

    Këtë flamur e ka mbajtur në gji patrioti Spiridon Ilo, i cili në kujtimet e tij shkruan: “Flamurin që përgatitëm në Bukuresht unë e kam mbajtur në gji, që nga Bukureshti deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak”.25 Është folur që flamurin kombëtar e qëndisi Marigoja me dy vajzat e saj, por e vërteta është se flamuri u përgatit në Bukuresht dhe gjatë udhës për në Vlorë e ka mbajtur Spiridon Ilo. Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912 doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.43.11 PM.jpg

Shikime: 602

Madhësia:  36.6 KB

    Kuvendi i Vlorës shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe qeverinë e përkohshme, e cila përbëhej nga 10 antarë:

    1-Ismail Qemali, Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
    2-Dom Nikoll Kaçorri, Zv. Kryeministër.
    3-Myfit Libohova, ministër i Brendshëm.
    4-Dr. Petro Poga, ministër i Drejtësisë.
    5-Pandeli Cane, ministër i Bujqësisë.
    6-Abdi Toptani, ministër i Financave.
    7-Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit.
    8-Mehmet Dërralla, ministër i Luftës.
    9-Mit’hat Frashëri, ministër i Punëve Botnore.
    10-Lef Nosi, ministër i Postë-Telegrafës.

    Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali, ngarkoi ministrin e Postë-Telegrafës Lef Nosin, që të njoftonte fuqitë e mëdha, Anglinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe vendet ballkanike Rumaninë, Serbinë, Bulgarinë, Greqinë dhe Turqinë, me qëllim që ata të njihnin aktin e shpalljes së Pavarësisë. Ky akt përbëhet prej një faqe e gjysëm, në të cilin ndër të tjera thuhet: “Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme. Shqiptarët po gëzohen që mundën të hyjnë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër, veçse të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjitha shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe europiane”. Kuvendi duke pasur parasysh ekuilibrin e raporteve fetare, vendosi që qeveria të përbëhej prej 5 të krishterëve dhe 5 myslimanëve. Kjo qeveri funksionoi prej datës 4 dhjetor 1912 deri më 22 janar 1914. Në gusht të vitit 1913 qeveria e Vlorës botoi gazetën “Përlindja e Shqipënis”, me kryeredaktor Dhimitër Beratin. Në këtë gazetë ka shkruar publicisti Mihal Grameno dhe shumë patriotë të tjerë.(26)



    24) - Marigo Pozio ka lindur në Hoçisht të Korçës, më 1878. Në vitin 1904 u vendos familjarisht në Vlorë. Më 1921, Marigoja ka botuar gazetën “Shpresa Kombëtare”. Ajo ka vdekur në Tiranë më 1932 dhe u varros në manastirin e Zvërnecit, sipas amanetit që kishte lënë.
    25) - Armand Jonuzi, E vërteta e ditës së ngritjes së Flamurit në Vlorë, Tirana Observer, 5 tetor 2006, faqe 12.
    26) -Gëzim Llojdia, Vlora, me muze të pavarësisë, Koha Jonë, 24 nëntor 2006, faqe 14.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 18:09

  8. #28
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    SIMBOLIKA E FLAMURIT

    Duke folur për flamurin Faik Konica thotë: “Flamuri përmbledh kujtimet e shkruara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja”. Sipas Faik Konicës elementi që bie më tepër në sy në flamurin tonë kombëtar është shqiponja dykrenore, e cila në kohën bizantine simbolizonte dy kontinentet. Nga ky fakt mund të themi që ky element është trashëguar nga Bizanti. Madje shqiponja dykrenore e Kastriotëve ka pasur ngjyrë të argjendtë siç ka qenë në flamurin bizantin. Pas rënies së Kostandinopojës më 1453, Gjergj Kastrioti urdhëroi që shqiponja dykrenore të bëhej e zezë në shenjë zie. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit xhoka e burrave shqiptarë u lye në ngjyrë të zezë, ndërsa gratë ngjyen thekët e shamive në shenjë zie kombëtare.(27)

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.48.01 PM.jpg

Shikime: 601

Madhësia:  30.2 KB

    Më 1947 Fan Noli ka shtuar në kanonin liturgjik shërbesën, të cilën e titulloi “Dhoksollogjia e flamurit”. Me anën e një terminologjie liturgjike kishtare Noli paraqet atmosferën panagjirike që krijohet gjatë këndimit të Dhoksologjisë së Flamurit. “O Zot, që bekon dhe shejtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rezik dhe shtrëngicë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nënë hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirplot dhe njeridashës, dhe ty të dërgojmë lavdi, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve.(28)




    27) - Vasil Tushi, Flamuri dhe origjina e shqiponjës dykrenare në të, Ngjallja, tetor 1998, faqe 4.
    28) - Imzot Fan. S. Noli, Kremtore, Boston, Mass. 1947, faqe 770.

    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 18:07

  9. #29
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    FIRMËTARËT ORTODOKSË TË AKTIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË

    1-Lef Nosi (1873-1946) ka lindur në Elbasan, më 9 prill të vitit 1873. Ai ka qenë botues i revistës “Tomorri”. Lef Nosi ka qenë patriot, arkivist, folklorist, etnograf, deputet, ministër etj. Gjithashtu njihet si babai i filatesisë shqiptare. Lef Nosi ka studiuar për farmaci në Athinë. Ai ka firmosur Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “Lef Nosi”. Më 28 nëntor 1937 publikoi në Tiranë Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Lef Nosi u arrestua më 1946 dhe u dënua me vdekje.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.52.22 PM.png

Shikime: 609

Madhësia:  606.3 KBEmri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.52.16 PM.png

Shikime: 600

Madhësia:  606.0 KB

    2-Spiridon Ilo (1876-1850) ka lindur në Korçë, më 1876. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku mori pjesë në lëvizjen patriotike. Ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen e 5 nëntorit që u zhvillua në Bukuresht dhe në vijim në ditën e shpalljes së Pavarësisë kombëtare më 28 nëntor 1912. Ai ka firmosur Aktin e Pavarësisë, me siglën “Spiro T. Ilo”. Më 1916 Spiridoni emigroi në Amerikë. Në vitin 1923, themeloi në Nju Jork shoqërinë e parë diskografike “Albanian Phonograph Records”, e cila kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar. Himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh Giusepe Mauro. Spiridon Ilo ka vdekur në Korçë, më 1950.

    3-Jorgji Karbunara (1842-1917) ka lindur në Berat më 1842. Ai njihej si Babë Dudë Karbunara dhe ishte veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare. Jorgji Karbunara iu përkushtua hapjes së shkollave shqipe në Berat. Ai ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Gjithashtu u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

    4-Jani Minga (1872-1947) ka lindur në fshatin Shën Pjetër të Fierit. Në vitin 1889 ka qenë nismëtari i krijimit të klubit atdhetar “Labëria” dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909. Ai u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Minga”.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.53.21 PM.png

Shikime: 609

Madhësia:  563.1 KBEmri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.53.27 PM.png

Shikime: 605

Madhësia:  607.4 KB

    5-Dhimitër Tutulani (1875-1937) ka lindur në Berat. Pasi përfundoi gjimnazin “Zosimea” në Janinë vazhdoi studimet juridike në Athinë. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Berat dhe filloi punë si avokat. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e pavarësisë, me siglën “Dh. Tout”.

    6-Dhimitër Berati (1888-1970) ka lindur më 15 tetor të vitit 1888 në Korçë. Studioi për drejtësi dhe shkencat politike në Rumani. Në viti 1905 u kthye në Korçë ku filloi punë si mësues në shkollën shqipe. Ka qenë pjesëmarrrës në mbledhjen e 5 nëntorit që u zhvillua në hotel “Continental” të Bukureshtit. Dhimitër Berati u zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit dhe ka firmosur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “D. Berati”.

    7-Dhimitër Mbroja (1884-1945) ka qenë anëtar i shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908. Ka qenë pjesëmarrrës në mbledhjen e 5 nëntorit që u zhvillua në Bukuresht, ndërsa më 28 nëntor 1912 ka firmosur Aktin e Pavarësisë, me siglën “Dh. Emanuel”. Më shkurt të vitit 1915 u zgjodh këshilltar pranë shoqërisë së Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.54.16 PM.png

Shikime: 598

Madhësia:  643.2 KBEmri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.54.21 PM.png

Shikime: 600

Madhësia:  650.1 KB

    8-Dhimitër Zografi (1878-1945) ka lindur në Korçë më 1878. Në vitin 1906 mori pjesë në themelimin e shoqërisë të shqiptarëve të Bukureshtin “Urinea”. Ai u zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit dhe ka firmosur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “Dimitri Zografi”. Gjithashtu u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

    9-Pandeli Cale (1879-1923) ka lindur në Korçë më 1879. Studimet i kreu në Liceun Klasik Francez të Aleksandrisë në Egjipt. Më 1908 u kthye në atdhe ku u zgjodh kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë”, ndërsa në shkurt 1909 ka qenë sekretar i shoqërisë “Lidhja Orthodhokse”. Ka qenë pjesëmarrrës në mbledhjen e 5 nëntorit që u zhvillua në Bukuresht, dhe në vijim ka shoqëruar Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912 ka firmosur Aktin e Pavarësisë, me siglën “Pandeli Cale”.

    10-Thanas Floqi (1884-1945) ka lindur në Korçë më 14 janar 1884. Ka përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Athinës. Më pas emigroi në Amerikë ku u shqua si veprimtar i shoqërive patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Vatra”. Më 1908 u kthye në Vlorë ku punoi si jurist në administratën shterërore. Ai kontribuoi në mbrojtjen e gjuhës shqipe. Gjithashtu u muar me veprimtari krijuese artistike. Thanas Floqi ka firmosur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “Thanas V. Floqi”.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.55.05 PM.png

Shikime: 601

Madhësia:  451.9 KBEmri:  Screenshot 2024-03-01 at 4.55.10 PM.png

Shikime: 604

Madhësia:  427.1 KB

    11-Aristidh Ruci (1875-1950) ka lindur në Sheper të Zagorisë. Mësimet i mori në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në vitin 1908 e gjejmë në Vlorë ku u angazhua në themelimin e klubit patriotik “Labëria”. Ai ka luftuar në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911 si dhe në Luftën e Vlorës më 1920. Aristidh Ruci ka qenë delegat i Vlorës dhe më 28 nëntor 1912 ka firmosur Aktin e Pavarësisë, me siglën “A, Ruci”.

    12-Petro Poga ka lindur në Erind të Gjirokastrës. Studimet e larta për drejtësi i kreu në Universitetin e Stambollit. Në vitin 1884 botoi gazetën “Drita” të Stambollit. Në vitin 1908 gjendet në Gjirokastër dhe ndihmoi në hapjen e shkollës shqipe. Gjithashtu themeloi klubin patriotik “Drita e Gjirokastrës”. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë. Petro Poga ka qenë Ministër i Drejtësisë 1912- 1920. Gjithashtu gjatë viteve 1913-1915 ka qenë Kryetar i Gjykatës së Lartë.

    13-Kristo Meksi (1849-1931) ka qenë një ndër themeluesit të shoqërisë shqiptare të Bukureshtit. Më 28 nëntor 1906 në shtëpinë e tij zhvilloi punimet mbledhja për bashkimin e shoqërive patriotike “Dituria”, “Dibra” dhe “Shpresa”. Më 7 maj 1907 nënshkroi deklaratën e themelimit të komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë”. Kristo Meksi ka qenë një ndër organizatorët e mbledhjes së Bukureshtit. Së bashku me delegatët e Bukureshtit udhëtoi për në Vlorë për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë.(29)

    Me krijimin e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912, Kishës Ortodokse të Shqipërisë i lindi e drejta për të kërkuar autoqefalinë. Tashmë Shqipëria ishte e pavarur nga Turqia, kështu që kërkesa për autoqefali ishte e natyrshme. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me vendet e tjera të Ballkanit, të cilat sapo u shkëputën nga Turqia formuan shtetet e tyre dhe rrjedhimisht edhe kishat e tyre u shkëputën nga Patriarkana Ekumenike. Kështu pati ndodhur me Kishën Ortodokse të Rusisë, e cila e fitoi autoqefalinë në vitin 1771, me Kishën Ortodokse të Greqisë në vitin 1883, me atë të Serbisë më 1880, të Rumanisë më 1856 etj.

    Duke u nisur nga parimi: “Kishë e pavarur në shtet të pavarur” edhe në Shqipëri nisën përpjekjet për krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare Ato filluan në vitin 1914 duke pasur si qendër qytetin e Korçës. Pas dëbimit të mitropolitit Jakov në gusht të vitit 1917 dhe moslejimin më 1920 e mitropolitit Joakim(30) në Kishën Ortodokse Shqiptare filloi një lëvizje e re për përdorimin e gjuhës shqipe nëpër shërbesat fetare. Kjo lëvizje u finalizua më 28 prill të vitit 1921 atëhere kur arkimandrit Agathangjel Çamçe dhe atë Vasil Marku celebruan liturgjinë e parë në gjuhën shqipe në Kishën e Shën Gjergjit, në qytetin e Korçës. Shembullin e tyre e ndoqën klerikët e Pogradecit, Vlorës etj.



    29) - Firmëtarët orthodhoksë të Pavarësisë, Ngjallja, Nëntor 2012, faqe 3-4
    30) - Joakim Martiniani ka lindur në Voskopojë, më 1875. Studimet e larta i ndoqi në shkollën teologjike të Halkit. Në vitin 1903 u dorëzua dhjak në kishën patriarkale të Shën Gjergjit, nga Patriku Ekumenik Joakimi III. Më 4 korrik të vitit 1911 Joakim Martiniani u zgjodh mitropolit i Beratit, ndërsa ceremonia e fronëzimit u celebrua më 10 korrik 1911. Sapo mbërriti në Berat, mitropoliti Joakim ngriti një shkollë hierartike në manastirin e Ardenicës. Në Vlorë ngriti shtypshkronjën, ku botonte një gazetë të përjavshme. Mitropoliti Joakim iventarizoi pasuritë e paluajtshme të manastireve. Me interesimin e tij u restaurua manastiri i Zvërnecit. Gjithashtu ndërtoi një bibliotekë të pasur në mitropolinë e Beratit, e cila u dogj më 14 shtator të vitit 1913. Në vitin 1920 vajti në Korfuz dhe nuk e jeluan të kthehej në mitropolinë e tij.-Dr. Dion Tushi, Joakim Martiniani, Kërkim, Nr. 6, Tiranë 2010, faqe 59-62.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 18:07

  10. #30
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    KONGRESI I BERATIT

    Nismëtari për mbledhjen e Kongresit ishte Kryetari i Bashkisë së Durrësit Kostë Paftali. Ky i fundit duke u nisur nga qëllimi i mirë për eleminimin e përçarjes midis ortodoksëve shqiptarë mori nismën që të organizonte Kongresin. Për këtë qëllim u dërgoi telegrame qarqeve ortodokse të prefekturave dhe nënprefekturave të Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës. Në telegram shkruhej: “I nënshkruemi tue marrë parasysh përçamjen dhe mosmarrëveshjet që po vazhdojnë ndërmjet vëllezënve shqiptarë ortodoksë mbi çashtje që i përkasin kishës ortodokse, me që kjo gjendje po damton jo vetëm çashtjen fetare ortodokse por damton rreptësisht edhe shtetin tonë shqiptar si dhe kombin, po marr leje me i propozue vëllezënve shqiptarë që të formohet sa ma parë nji kongres për me shërue këtë plagë të hapun dhe në mbrojtje të dinjitetit si komb e si fe”. Çdo rreth zgjodhi dy delegatë dhe u tregua kujdes i veçantë që ata t’i përfaqësonin denjësisht. Më 10 shtator të vitit 1922, në sallën e shkollës qendrore të qytetit të Beratit, u mblodhën delegatët e kongresit kishtar, që ishin dërguar nga ortodoksët e prefekturave dhe të nënprefekturave për të paraqitur letër kredencialet. Për verifikimin e tyre u zgjodh një komision i posaçëm me kryetar Perikli Konën, sekretar Vasil Llapushin dhe anëtarë atë Vangjel Çamçen, Stathi Kondin dhe Taq Budën.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 5.12.19 PM.jpg

Shikime: 615

Madhësia:  47.1 KB

    Mbas verifikimit dolën këta delegatë:

    Korça - Ikonom Papa Josifin dhe Dhori Havjarin.
    Pogradeci - Atë Vasil Marko dhe Thanas P. Kërxhallin.
    Bilishti - Atë Josifin dhe Anastas Çekrezin.
    Kolonja – Oshënar Sofronin dhe Dhimitër P. Ninin.
    Leskoviku – Atë Vangjel Çamçen dhe Thanas Priftin.
    Berati – Perikli Konën dhe Dhimitër Tutulanin.
    Fieri – Loni Xhoxhën dhe Dhimitër Qilicën.
    Durrësi – Arkimandrit Visarion Xhuvanin dhe Gjergji Manushin.
    Përmeti – Dr. Kondin dhe Vasil Kotën.
    Vlora – Tol Arapin dhe Jani Seranin.
    Lushnja – Tun Gjergjin dhe Llazar Bozon.
    Kavaja – Pal Xhumarin dhe Andrea Ikonomin.
    Tirana – Papa Simonin dhe Mark Hobdarin.
    Elbasani – Vasil Llapushin dhe Simon Shuteriqin.
    Shpati – Taq Budën dhe Dhimitër Papariston.
    Dibra – Leonidha Nishkun dhe Kostë Paftalin.
    Libohova – Spiro Katin.

    Mbas një pune serioze dhe cilësore përgatitore, Kongresi u mblodh në sallën e shkollës së Mangalemit ditën e hënë më 11 shtator 1922. Punimet e Kongresit u kryesuan nga ikonomi Josif Qirici nga Korça në shenjë respekti për atë qytet që ishte pararendësi i përpjekjeve për autoqefalinë e kishës shqiptare. Në ditën e parë të kongresit folën: Kryetari i Bashkisë së Beratit si vendi organizator i kongresit, i cili u uroi të pranishmëve mirëseardhjen. Mbas fjalës përshëndetëse të iniciatorit Kostë Paftali e mori fjalën përfaqësuesi i qeverisë Zenel Prodani, mbas tij arkimandrit Visarion Xhuvani, i cili pati shkelur gjithë Shqipërinë për organizimin e kongresit dhe ishte deputet e përfaqësues i Këshillit Kombëtar dhe mbas tij delegati i Pogradecit, atë Vasil Marku.(31)

    Kryetari i Kongresit ikonom Josif Qirici shpalli pavarësinë administrative të Kishës Ortodokse të Shqipërisë sipas vendimit: “Delegatët e Kongresit Kleriko-Laik, në emër të gjithë klerit dhe popullit ortodoks shqiptar, duke u bazuar edhe në faktin se Shqipëria u njoh prej gjithë shteteve të botës si një shtet i pavarur dhe sovran dhe mbi këtë bazë sipas kanoneve të Kishës Ortodokse në shtet të pavarur - kishë e pavarur, duke pasur për shembull edhe kishat autoqefale të Rusisë, Greqisë, Rumanisë etj, deklarojmë në emrin e Trinisë së Shenjtë të njëqenishme dhe të pandarë Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, “de fakto” sepse “de jure” ka qenë që prej ditës së shpalljes së indipendencës politike të shtetit shqiptar”. Kisha Ortodokse e Shqipërisë do të mbante lidhje shpirtërore, dogmatike e apostolike me Patriarkanën Ekumenike dhe me kishat e tjera ortodokse të botës. Kongresi i Beratit kërkoi edhe ndihmën e qeverisë që t’i bëhej kërkesë Patriarkanës Ekumenike për njohjen e pavarësisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë, si dhe për emërimin e dy mitropolitëve me origjinë shqiptare të propozuar nga këshilli. Në ditën e tretë të punimeve Kongresi votoi edhe statutin e parë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili përbëhej nga 14 artikuj.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 5.17.54 PM.jpg

Shikime: 609

Madhësia:  82.3 KB

    31) - Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Si nisi lëvizja për shqiptarizimin e Kishës ortodokse Autoqefale, Tema, 10 prill 2005, faqe 9.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 18:20

Faqja 3 prej 10 FillimFillim 12345 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Gazeta "Krishterimi", shtypet ne Greqi shperndahet ne Shqiperi
    Nga dodoni në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 68
    Postimi i Fundit: 25-04-2011, 17:13
  2. Krishterimi - Sa besimtar praktikant jane ne shqiperi
    Nga IllyrianPatriot në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 28-10-2010, 14:12
  3. Krishtërimi në Shqipëri
    Nga Tentim në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-09-2009, 15:47
  4. Krishterimi ne Shqiperi - shek. VI-XVI
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 18:16
  5. Krishtërimi në Shqipëri, shek. VI - XVI
    Nga Seminarist në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 22-09-2005, 08:04

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •