Close
Faqja 0 prej 10 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 99
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 2.24.15 PM.jpg

Shikime: 698

Madhësia:  35.8 KB


    ANDREA LLUKANI



    KRISHTËRIMI NË SHQIPËRI

    (Sipas burimeve arkivore)




    Botimet “Trifon Xhagjika”Tiranë, 2014

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    Këtë libër ia kushtoj Astit, birit tim të parëlindur.



    Redaktor: prof. em. dr. Pavli Haxhillazi

    Recensues: dr. Moikom Zeqo

    Në ballinë: Mozaiku i Shën Astit, punuar nga mjeshtri Eduart Sinaj.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    PARATHËNIE

    Libri “Krishtërimi në Shqipëri” përmban historikun e Kishës Ortodokse nga vitet apostolike dhe deri në ditët tona në këndvështrimin e një teologu shqiptar. I pari që ka shkruar për Historinë Kishtare të Shqipërisë ka qenë Imzot Theofan Noli, i cili botoi veprën “Historia e Krishterimit në Shqipëri”. Vite më vonë teologu Dhimitër Beduli përgatiti studimin “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944”, e cila e pa dritën e botimit vetëm në vitin 1992 dhe është botim zyrtar i K.O.A.Sh-it, ndërsa libri “Krishtërimi në Shqipëri” (sipas burimeve arkivore) është fryt i përpjekjeve vetjake të autorit, i cili e paraqet si ribotim të plotësuar e të përmirësuar të librit “Historia e Krishterimit në Shqipëri”, botuar në vitin 2002. Ky libër ka qenë tekst mësimor në Akademinë Teologjike dhe u është shpërndarë studentëve në formë dispense të fotokopjuar. Botimi i ri është më i plotë dhe më i pasur me ngjarje, të cilat autori ilibrit i ka përjetuar gjatë kohës që punonte si pedagog i “Historisësë Krishterimit” në Akademinë Teologjike të Shën Vlashit në Durrës. Ndonëse për të realizuar botimin e parë shpenzova shumë kohë, para, mund dhe djersë ai u përfol nga njerëz mediokër (të cilët u larguan me turp nga kisha) dhe më kushtoi heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit. Megjithatë të krishterët në fund duken, prandaj nuk u tërhoqa, por guxoj përsëri me anën e këtij botimi modest të paraqes vlerat e vërteta të ortodoksisë shqiptar edhe përpjekjet e saj për autoqefali.

    Historia paraqet tërësinë e ngjarjeve të jetës së njerëzimit, por ajo mund të ketë edhe vetëm një subjekt të caktuar, siç është “Krishtërimi në Shqipëri” në rastin tonë, duke na treguar për jetën, veprimtarinë si dhe përplasjet e ballafaqimet e krishterimit gjatë shekujve. Hisoria e “Krishtërimit në Shqipëri” ndahet:
    Kreu i parë, fillon nga vitet apostolike deri në vitin 731kur Kisha e Ilirisë Lindore ishte në varësi të Vikariatit Romak të Selanikut.
    Kreu i dytë, nga vitet 731 deri në fillimet e shekullit XI,kur Kisha e Ilirisë Lindore ishte në juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës.
    Kreu i tretë, nga shekulli XI deri në vitin 1767 kur episkopatat më së shumti vareshin nga Kryeepiskopata e Ohrit.
    Kreu i katërt, vitet 1767 deri në vitin 1937 kur u shpall autoqefalia dhe varësia nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës.
    Kreu i pestë, nga viti 1937 deri në vitin 1967.
    Kreu i gjashtë, viti 1967 deri në vitin 1990.
    Kreu i shtatë, viti 1990 deri në ditët tona.

    Ky libër modest u shërben besimtarëve ortodoksë për të njohur historinë e kishës së tyre. Libri “Krishtërimi në Shqipëri” nuk është botim zyrtar i K.O.A.Sh-it, por vetëm një përpjekje vetjake e autorit, për të dhënë vlerat historike të ortodoksisë shqiptare. Kur nisa të shkruaj këtë libër, një ndjenjë krenarie më pushtonte dhe më inkurajonte për të vazhduar më tej. Ndonëse shpesh herë i mallëngjyer për ata që kanë dorëzuar shpirtin tek Perëndia, kujtimet shtoheshin dhe mbushën faqet e këtij libri modest. Jam munduar të jem realist dhe gjithpërfshirës, por nuk mund të them se kam shkruar gjithshka. Qenë ditë të vështira dhe për shkak të rrethanave të ndryshme nuk kam mbajtur shënime sistematike, gjithsesi mendoj se kam arritur diçka. Libri është përzgjedhur me kujdes që të dhënat të jenë të sakta dhe historia të dalë me vërtetësi dhe paanshmëri.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-03-2024 më 15:01

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    KREU I PARË

    KISHA E ILIRISË LINDORE NË VARËSINË E VIKARIATIT ROMAK TË SELANIKUT

    (vitet apostolike deri në vitin 731)


    Nga vitet apostolike deri në vitin 731 Kisha e Ilirisë Lindore ishte në varësinë e Vikariatit Romak të Selanikut. Mitropoliti i Selanikut kishte titullin kryeepiskop dhe varej nga Kisha e Romës. Në vitin 412 papa Inocenti i ka dërguar një letër Kryeepiskopit të Selanikut Rufos, me anën e së cilës i caktonte provincat që qenë në juridiksionin e tij. Nga ky fakt kuptojmë se themeluesi i Vikariatit Romak të Selanikut është papa Inocenti. Në vitin 421 perandori Teodos me anën e një dekreti urdhëroi që Kisha e Ilirisë Lindore të vihej në varësi të Kostandinopojës, por me ndërhyrjen e perandorit të perëndimit, Honorit provincat e Ilirisë Lindore iu rikthyen Vikariatit Romak të Selanikut.(1)

    Qendra të mëdha si Durrësi, Apolonia, Aulona dhe Nikopoja tërhiqnin vëmendjen e misionarëve të krishterimit. Epiri i Ri shtrihej nga Drini deri në Vlorë, duke përfshirë edhe Elbasanin e Beratin që në atë kohë quhej Pulqeriopolis dhe ishte ndërtuar nga perandori Theodhos për nder të motrës së tij Pulqeria. Kryeqendra e Epirit të Ri ishte Durrësi, prej nga fillonte Udha Egnatia. Qytete të tjera të kësaj province qenë Apolonia (Pojan), Amantia (Plloçë), Bylis (Gradishtë) dhe Aulona (Vlora). Epiri i Vjetër shtrihej nga Vjosa deri në Prevezë me kryeqendër në Nikopolis, që është ndërtuar nga perandori August. Qytete të tjera qenë Anchesmus (Saranda), Finiqi dhe Butrinti. Në provincën e Prevalitanës bënte pjesë Shkodra, Dioklea dhe Lissus (Lezha). Provinca e Dardanisë përfshinte tokat e Kosovës së sotme dhe e kishte kryeqendrën në Naissus (Nishi i sotëm). Në mbretërinë e Justinianit kryeqendra e Ilirikumit u bë Shkupi, të cilën e quajti “Justiniana Prima”. Qytet tjetër i rëndësishëm ishte Ulpiana pranë Prishtinës së sotme, e cila u quajt “Justiniana Sekonda”, sepse Justiniani e rindërtoi atë. Në vitin 535 në Dardani u ndërtua qyteti Justinopolis, për nder të dajës së Justinianit. Maqedonia Perëndimore kishte si kryeqendër Heraklen (Manastiri). Qytet tjetër me rëndësi ishte Lichnidus (Ohri).(2)

    Përhapja e shpejtë e krishterimit në atë kohë favorizohej nga prania e të njejtave rregullave ligjore që ekzistonin në gjithë perandorinë romake si dhe nga ekzistenca e rrugëve, të cilat lidhnin Romën me provincat më të largëta. Gjithashtu edhe Udha Egnatia, e cila fillonte nga Durrësi dhe nëpërmjet Selanikut të shpinte në Kostandinopojë, luajti rol vendimtar për përhapjen e shpejtë të krishterimit në trevat e Ilirisë. Udha Egnatia ka qenë nëntë metra e gjerë dhe me një gjatësi rreth 861 km. Kjo udhë e ka marrë emrin nga ndërtuesi i saj, i cili quhej Gaius Egnatium.(3)

    Udha Egnatia fillonte nga Durrësi e Apolonia, më paskëto dy degë janë bashkuar diku afër Elbasanit për të vazhduar nëpërmjet Ohrit e Manastirit dhe përfundon në Selanik. Në shekullin IV pas Krishtit, Udha Egnatia u zgjat deri në Kostandinopojë dhe ishte vazhdimi i rrugës së vjetër romake Via Apia.(4) Për nga rëndësia strategjike Udha Egnatia bashkonte Perëndimin me Lindjen. Një udhëtim nga Roma për në Bizant zgjaste rreth 24 ditë. Durrësi ishte porta nistore e Udhës Egnatia.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 2.38.57 PM.jpg

Shikime: 660

Madhësia:  45.6 KB

    Gërmimet arkeologjike në Durrës kanë zbuluar një hark të madh qendror dhe dy harqe të tjerë simetrikë anash tij. Kjo është gjurma e “Portës së Artë” të Udhës Egnatia. Harku i madh shërbente për kalimin e qerreve, ndërsa dy harqet anash tij shërbenin për kalimin e këmbësorëve. “Porta e Artë” e Durrësit pasohet nga “Porta e Artë” e Skampës në Elbasan, të cilës i kanë mbetur vetëm gjurmët e themeleve, ndërsa në Selanik “Porta e Artë” është ruajtur në gjendje të mirë. Një tjetër “Portë e Artë” gjendet në Kostandinopojë. Si konkluzion përfundimtar mund të themi se Udha Egnatia përshkohej nga katër “Porta të Arta”, dy prej të cilave gjenden në Shqipëri. Ky fakt vërteton se Shqipëria ka qenë mitra ndërtimore e Udhës Egnatia.(5)


    1) - Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, faqe 17.
    2) - Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Tiranë 1998, faqe 59.
    3) - Sipas kumtimit gojor të gjuhëtarit Pavli Haxhillazi, Sami Frashëri emërtimin Udha Egnatia e ka lidhur me përcaktimin e bërë prej vetë shqiptarëve. Kjo udhë përshkon nga perëndimi në lindje trojet shqiptare dhe fjala “Egnatia” është mbiemri i shqipes (e gjatë), që latinët e shndërruan në trajtën Via Egnatia. Në gjuhët latine dhe greke pjesa e emërtimit Egnatia nuk është e motivueshme kuptimisht dhe kjo vjen se ata këtë emërtim e kanë huazuar prej shqipes “udha e gjatë” duke e dhënë në gjuhën e tyre “Udha (Via) Egnatia”.
    4) - Via Apia u ndërtua në vitin 312 para Krishtit nga Apud Klaudi. Ajo fillinte nga Roma dhe zbriste poshtë drejt Brindisit për tu hedhur matanë Adriatikut në Durrës, nga ku fillonte Via Egnatia.
    5) - Moikom Zeqo, Hulumtime Arkeologjike, Albanopol, Tiranë 2009, faqe 166.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 15:50

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    KRISHTERIMI NË ILIRI

    Krishterimi në Iliri i ka fillimet nga vitet apostolike, d.m.th që në shekullin e parë pas Krishtit. Apostull Pavli gjatë udhëtimeve të tij misionare ka predikuar krishterimin në Iliri. Gjatë udhëtimit të tretë misionar, që e filloi në pranverën e vitit 53 dhe e përfundoi në verën e vitit 56, apostull Pavli qëndroi dy vjet e gjysmë në Efes, prej ku u detyrua të largohej pas një kryengritjeje të paganëve të udhëhequr nga argjendari Dhimitër kundër tij. Rrëmuja e krijuar në Efes e detyroi apostull Pavlin të shkonte në Maqedoni dhe prej andej në Iliri. Kjo dëshmi përmendet te letra drejtuar Romanëve (15;19): “Nga Jerusalemi deri në Iliri kam kryer shërbimin e Krishtit”.(6)

    Koha e gjatë e qëndrimit në Maqedoni na shtyn të mendojmë se Pavli ka predikuar krishterimin në brendësi të Ilirisë. Në Bibël thuhet: “Dhe si i përshkoi ato krahina dhe u dha shumë këshilla” (Veprat e Apostujve 20, 2). Maqedonia në atë kohë ishte një provincë romake në juglindje të Ilirisë, prandaj mund të hamendësojmë se duke ndjekur Udhën Egnatia apostulli i kombeve ka shkuar deri në Durrës.

    Tek Ungjilli sipas Llukës (10, 1) tregohet se Krishti kishte 70 dishepuj: “Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij në çdo qytet dhe vend ku Ai do të shkonte”. Një prej 70 dishepujve të Krishtit ishte edhe Qesari, të cilin apostull Pavli e vendosi si episkop të parë të Durrësit. Qesari ishte hebre me origjinë nga Aleksandria, pra nga hebrenjtë e diasporës. Ai më parë quhej Apolon dhe pas pagëzimit mori emrin Qesar. Në fillim e gjejmë duke predikuar krishterimin në Efes (Veprat e Apostujve 18, 24) dhe më pas në Korinth (Veprat e Apostujve 19, 1). Fama e tij ishte shumë e madhe saqë konkuronte edhe vetë Pavlin (I Korintasve 1,12). Në Kodikun 423 që gjendet në biblotekën e Jeruzalemit Qesari përmendet si episkop i parë i bashkësisë së krishterë të Durrësit.(7) Po në këtë kodik pas Qesarit në numrin rendor 56 hasim emrin e Marinit, episkopit të Apolonisë. Ky fakt na shtyn të hamendësojmë, se pas predikimit në Durrës dhe dorëzimit të Qesarit, apostull Pavli të ketë shkuar në Apoloni ku dorëzoi në gradën episkopale Marinin. Kjo mendohet se ka ngjarë rreth vitit 58 pas Krishtit. Apolonia në atë kohë ishte qytet i rëndësishëm dhe fare pranë Durrësit.8 Apostull Pavli ka kaluar një dimër në Nikopojë. Kjo jepet te letra dërguar Titit (3;12): “Kur të dërgoj Artemin ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopojë, sepse vendosa të dimëroj aty”. Me anën e kësaj fraze kuptojmë se sapo Artemi dhe Tikiku të mbërrinin në Kretë, Titi do të nisej të takonte Pavlin në Nikopojë. Titi nuk ishte episkop i përhershëm në Kretë, por i dërguari i Pavlit. Sipas (II Timotheut 4, 12) Pavli e dërgoi Tikikun në Efes, kështu që Artemi vajti në Kretë dhe Titi do të nisej menjëherë për në Nikopojë të takonte Pavlin. Nikopoja ishte vend i njohur klimaterik në Gjirin e Ambrakisë, me vendndodhje aty ku është Preveza e sotme. Ishte një nga qytetet kryesore të Epirit dhe lidhej me Udhën Egnatia nëpërmjet një degëzimi që kalonte nëpër Butrint. Me siguri që Pavli ka pasur miq të krishterë në Nikopojë, të cilët e kanë strehuar për të dimëruar aty.(9) Ndonëse tek Veprat e Apostujve nuk përmendet nëse Pavli dimëroi apo nuk dimëroi në Nikopojë mund të hamendësojmë se qëndrimi i tij në atë qytet ka ndodhur gjatë një udhëtimi të katërt apostolik, të cilin e ka ndërmarrë pasi ka shkruar Veprat e Apostujve.(10)

    Gjithashtu tek (II Timotheut 4, 21) Pavli shkruan “Përpiqu të vish përpara dimrit”. Titi u thirr prej Pavlit në Nikopojë, më pas e gjejmë duke vepruar në Dalmaci, me qëllim që të vizitonte bashkësitë e krishtera të krijuara prej tij. Titi ka qenë bashkëpunëtor i Pavlit, ndonëse Lluka nuk e përmend tek Veprat e Apostujve. Titi u bë i njohur vetëm me anën e letrave të Pavlit. Përsa i përket origjinës, Titi ishte grek i parrethprerë (Galatasve 2, 1-5), megjithatë Pavli nuk e detyroi atë të rrethpritej. Titi ka shoqëruar Pavlin dhe Barnabën në udhëtimin e dytë misionar nga Antiokia drejt Jeruzalemit për të marrë pjesë në sinodin apostolik. Titi ishte personalitet i fuqishëm, prandaj Pavli i besoi detyra të rëndësishme. Të dhëna të tjera rreth Titit kemi tek (II Timotheut 4, 10) ku Pavli e dërgoi në Dalmaci (Kroacia e sotme) e cila bënte pjesë në provincën e Ilirisë. Pavli i shkruan Timotheut në letrën e dytë (4, 9-11): “Përpiqu të vish shpejt tek unë, sepse Dhima më la pasi deshi këtë botë dhe iku në Selanik, Kreshenci në Gallati, Titi në Dalmaci. Me mua është vetëm Llukai, merre Markun edhe sille me vete, sepse e kam shumë të domosdoshëm për shërbesë”.

    Si konkluzion përfundimtar mund të themi se apostull Pavli në dy raste ka qenë fare pranë Ilirisë. Ai ka qëndruar rreth tre muaj në Maqedoni dhe ka dimëruar në Nikopojë. Prej këtyre qyteteve mund të ketë dërguar misionarë për përhapjen e krishterimit në Iliri, por duke parë me kujdes intenerarin e udhëtimeve të Pavlit mund të themi me bindje se ai asnjëherë nuk i ka nisur dishepujt atje ku nuk ka qenë vetë më parë. Letra drejtuar Romakëve është shkruar gjatë qëndrimit të Pavlit në Korinth, pra pasi kishte udhëtuar nëpër Maqedoni dhe në zonat përreth saj. Në këtë rast përmendja e Ilirisë nuk është e rastit, sepse ai sapo ishte kthyer nga udhëtimet misionare nga ato vise. “Nga Jerusalemi deri në Iliri kam kryer shërbimin e Krishtit” (Romakëve 15, 19). Pavli kishte dëshirë të shkonte në Romë “Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën” (Veprat e Apostujve 19, 21) dhe jo vetëm ta shihte, por apostulli i kombeve dëshironte shumë të predikonte ungjillin në Romë (Romakëve 1, 15). Përmendja e Ilirisë tek letra drejtuar Romakëve nuk është e rastit, pasi Pavli gjatë predikimit të ungjillit nëpër Iliri kishte qenë pranë Italisë më afër se sa ndonjëherë më përpara.(11)

    Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që apostull Pavli të ketë dërguar misionarë në Iliri prej Korinthit. Në letrën drejtuar korintasve shkruan: “Pavli, i thirrur apostull i Jisu Krishtit, me anë të vullnetit të Perëndisë dhe vëllai Sosten” (I Korintasve 1, 1). Sipas sinaksarëve të ndryshëm Sosteni ishte me origjinë nga Dyrrahu i Ilirisë dhe bënte pjesë në rrethin e 70 dishepujve të Krishtit. Në traditën ortodokse kujtimin e Sostenit e kremtojmë në të njejtën ditë me Qesarin, pra më 8 dhjetor. Pavli e thirri Qesarin nga Korinthi të vinte në Nikopojë, për ta vendosur më pas në Durrës. Fakti që nëpër kalendarët ortodoksë Sosteni kremtohet bashkë me Qesarin na shtyn të mendojmë se ka qenë një nga të dërguarit e Pavlit në Durrës. Emrin e Qesarit e hasim edhe diku tjetër tek letra drejtuar Filipianëve (4, 22): “Gjithë shenjtët, por sidomos ata të shtëpisë së Qesarit”. Me shprehjen ata të shtëpisë së Qesarit nënkuptojmë bashkësinë e krishterë të Durrësit, e cila në vitet 58 pas Krishtit ka pasur rreth 70 familje të krishtera. Këtë fakt na e jep Farlati tek Illyrikum Sacrum.(12)

    Qesari më vonë u fronëzua episkop i Koronës në Peloponez, pasi dorëzoi në Durrës pasardhësin e tij Shën Astin, i cili e drejtoi Kishën e Durrësit në kohën e perandorit Trajan (98- 117). Gjatë përndjekjes së shpallur kundër të krishterëve nga Trajani, Shën Asti u martirizua prej qeveritarit të atëhershëm të Durrësit Agrikola. Një ditë të nxehtë korriku Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dorëzoi shpirtin tek Perëndia i pickuar nga bletët edhe grerat.(13) Nuk dihet me saktësi se ku është bërë martirizimi, i cili padyshim ka qenë publik.(14) Lipsanin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e tij u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Asti u shpall Shenjti mbrojtës i qytetit të Durrësit. Kisha Ortodokse Shqiptare e përkujton dhe e nderon këtë martir më 6 korrik. Himnografi Josif dhe më vonë ish mitropoliti i Durrësit Jakov, hartuan një shërbesë kishtare për shenjtin hierodëshmor.(15)

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 2.52.52 PM.png

Shikime: 668

Madhësia:  562.5 KB Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 2.52.58 PM.png

Shikime: 679

Madhësia:  522.8 KB

    Në ditën e martirizimit të Shën Astit, kishin ardhur nga Italia me një anije edhe shtatë të krishterë. Ata qenë larguar nga vendi i tyre për t’i shpëtuar përndjekjes ndaj të krishterëve që kishte filluar perandori Trajan. Kur panë qëndrimin burrëror të Astit, deklaruan haptazi që ishin të krishterë. Atëherë Agrikola urdhëroi që të mbyteshin në det. Emrat e tyre qenë Peregrini, Lukjani, Pompeu, Heziku, Papia, Staurnini dhe Germani. Të shtatë i mbytën në detin Adriatik duke marrë kurorën e lavdishme të martirit.(16)



    6) - Sherif Delvina në artikullin “Si u përhap krishterimi në Iliri” të botuar në gazetën Tema më 11 shtator 2004, faqe 9 shkruan: se teksti në gjuhën greke ka fjalën “ìÝ÷ñé”, që do të thotë deri në Ilirikum. Nga kjo nuk del qartë nëse Apostull Pavli ka depërtuar në brendësi të Ilirikumit apo ka shkuar vetëm deri në kufi? Gjithashtu edhe Faik Konica në artikullin “Krishtërimi dhe myslimanizmi i Shqipërisë” të botuar tek Tirana Observer më 6 maj 2008, faqe 9, ndonëse e pranon faktin që krishterimi në Shqipëri është predikuar në shekullin e parë pas Krishtit, megjithatë është i mendimit se nëse apostull Pavli ka depërtuar në brendësi të Ilirikumit apo ka shkuar vetëm deri në kufi është një çështje që mbetet për ta diskutuar.
    7) - Anthim Aleksudhi, Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Korfuz 1868, faqe 146.
    8) - Tek Veprat e Apostujve (17, 1) thuhet: “Dhe pasi kishin kaluar nëpër Anfipoli dhe nëpër Apoloni arritën në Selanik, ku ishte sinagogjia e judejve”Lind pyetja:-A e ka vizituar apostull Pavli Apoloninë? Teologu Dhimitër Beduli pohon se apostull Pavli ka kaluar nga Apolonia. I të njejtit mendim është edhe studiuesi Shaban Sinani tek Beratinius, Tiranë 2004, faqe 9, por historiani Ilirjan Gjika mendon se Apolonia që ka vizituar apostull Pavli nuk është Apolonia e Ilirisë, por ajo e Maqedonisë. Arkeologu Neritan në librin Apolonia e Ilirisë, Tiranë 1982, faqe 17 thekson se grekët themeluan 30 qytete me emrin e Apolonit, një prej të cilëve është Apolonia e Ilirisë. Ilirjan Gjika është i mendimit që Apolonia ku ka kaluar apostull Pavli ndodhej midis qyteteve Amfipol (sot Neohori) dhe Neapolis (sot Kavalla). Gjithashtu edhe studiuesi Luan Rama mendon se apostull Pavli nuk ka kaluar nga Apolonia e Ilirisë, por zbarkoi në portin e Neapolis dhe më pas u nis drejt Filipes. Ndërsa teologu Pirro Kondili vërteton se Apostull Pavli ka kaluar vërtet nëpër Apoloni. Kristianizimi i Apolonisë mendohet të jetë bërë në shekullin e parë pas Krishtit prej apostull Pavlit. Nëpër Apoloni kalonte dega jugore e Udhës Egnatia në stacionin që romakët e quanin Clodiana.-Pirro Kondili, Apostull Pavli në viset e Shqipërisë së sotme, Ngjallja, korrik 2008, faqe 5.
    9) - David Jung, The Gospel in Albania, England 1991, page 3.
    10) - Studiuesi Thanas Gjika është i mendimit që apostull Pavlit i kanë humbur shumë letra. Pra ekziston mundësia që ai të ketë shkruar një letër për bashkësinë e krishterë të Durrësit gjatë qëndrimit të tij në Nikopojë, sepse përpara se të shkonte diku Pavli dërgonte një letër me anën e së cilës këshillonte të krishterët.-Alma Mile, Shën Pali në Iliri? Ja si e dëshmon Bibla, Le Radici, anno 5, n. 6, Dicembre 2007, pagina 8.
    11) - David Hellsten, Historia e Krishtërimit në Shqipëri, Vernon Publishing, Tiranë 2008, faqe 13.
    12) - Sipas Nolit, Farlati ishte dijetari i famshëm jezuit, i cili ka shkruar historinë kishtare të Ilirisë në shtatë vëllime. Ndërsa Zef Mirdita thotë se Daliele Farlati grumbulloi të gjitha letrat dhe qarkoret ipeshkvnore duke i përmbledhur në veprën “Illyrikum Sacrum”. Në kryeveprën “Illyrikum Sacrum” kanë punuar tre klerikë të kishës: Atë Daniele Farlati, Atë Filip Riçeputi dhe Atë Jakob Koleti. Ata grumbulluan shumë dorëshkrime, të cilat i grumbulluan në tetë vëllime. Puna e tyre është kolosale, prej 124 vjetësh, pra qenë tre breza studiuesish në shtrirjen kohore midis viteve 1695-1819. Në vëllimin e shtatë trajtohet historia kishtare e Ilirisë dhe e Epirit. -Daniele Farlati, Illyrikum Sacrum, Volumi II, faqe 374.
    13) - Shën Asti i Durrësit, Ngjallja, maj 1993, faqe 6.
    14) - Moikom Zeqo,Kulti i Shën Astit, Gazeta Shqiptare, 26 prill 2001, faqe 12.
    15) - Jakov Moskonisiou, Shërbesë e kënduar e shenjtit hieromartir të lavdëruar Astit, Episkopit të Durrësit, Kostandinopojë 1918.
    16) - Mitropoliti i Korçës Joani, Shenjtorët iliro-shqiptarë, (Dispensë), Tiranë 1996, faqe 74.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 15:54

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    SHENJTORËT ILIRO-SHQIPTARË

    Martirët janë dëshmia më e vyer e elementit të krishterë në trevat shqiptare sepse gjatë përndjekjeve të përgjakshme të shekujve të parë të krishterimit, kisha e krishterë nuk u zhduk, por përkundrazi u forcua më tepër dhe kjo i detikohet qëndresës dhe besimit të krishterëve. Në tokën e Ilirisë predikuan Ungjillin këta shenjtorë, disa prej të cilëve u martirizuan në trojet tona:

    1-Sosteni nga Dyrrahu (Durrësi) i Ilirisë bënte pjesë në rrethin e 70 dishepujve të Krishtit.

    2-Shën Korneli (+33) ishte bashkëkohës i Krishtit dhe i Apostujve. Ai jetonte në Qesari dhe ishte kryeqindësh. Një traditë e lashtë e Panonisë, e mbështetur edhe nga shumë autorë të lashtë, thotë se ishte nga një fis Ilir, nga qyteti Sishia i Panonisë. Shën Korneli ishte pagani i parë i pagëzuar. Ne jemi krenarë që një nga stërgjyshërit tanë, Shën Korneli, ishte bir i Ilirisë dhe i takoi të ishte i parathirruri nga kombet.

    3-Shën Asti (+98) ka qenë episkop i bashkësisë së krishterë të Durrësit dhe u martirizua në kohën e përndjekjes së tretë nga perandori Trajan (98-117). Kremtohet më 6 korrik.

    4-Shën Fileti (+117) ishte nga Dalmacia dhe ushtronte profesionin e senatorit. Ai u martirizua në kohën e përndjekjeve të perandorit romak Adrianit (117-138). Kisha Ortodokse e ka radhitur midis shenjtorëve dhe e kujton më 27 mars.

    5-Shën Elefteri (+120) ishte episkop i bashkësisë së krishterë të Vlorës dhe i të gjithë Ilirisë. U dorëzua prift në moshën 20-vjeçare prej episkopit të Romës, i cili e dërgoi në Vlorë për të predikuar Ungjillin. Ai nuk pranoi të braktisë krishterimin dhe iu nënshtrua torturave deri sa më në fund i prenë kryet me shpatë në stadiumin e Romës në vitin 120 pas Krishtit. Kisha ortodokse kujtimin e Elefterit e nderon më 15 dhjetor.

    6-Shën Therini (+250) është martirizuar në Butrint gjatë përndjekjes së shtatë ndaj të krishterëve nga perandori romak Decius (249-251). Kisha jonë e përkujton më 23 prill.

    7-Tre Dëshmorët e Apolonisë Feliksi, Hermesi dhe Peregrini (+300) jetuan në kohën e perandorit Numerian, i cili pasi i torturoi urdhëroi që t’u priteshin kokat. Kisha jonë i kujton martirët e Apolonisë më 17 qershor.

    8-Dëshmori Danaks (+300) ka qenë anagnost i kishës së Vlorës dhe Ilirisë. Sipas Sinaksarit të Nikodhim Agjioritit, Danaksi ishte ngarkuar me ruajtjen e objekteve të shenjta të kishës së Vlorës. Pasi nuk pranoi që t’u bënte fli idhujve, i prenë kokën me shpatë e kështu mori nga Perëndia aureolën e martirit. Kisha jonë e përkujton më 6 maj.

    9-Shën Donati (+304) lindi në kufinjtë e Panonisë me Dalmacinë. Gjatë kohës së perandorit Licin Donatin së bashku me shokët e tij i kapën dhe i torturuan. Më pas ua prenë trupat copa-copa dhe i hodhën në det. Kisha ortodokse kujtimin e Shën Donatit dhe të Shën Makarios e të Shën Theodorit i kujton më 22 maj.

    10-Shën Polioni (+304) ishte këndonjësi i parë i kishës së Sibalës në Panoninë Lindore. Ai jetoi në kohën kur perandor ishte Diokleciani. Në martirologun e Shën Jeronimit thuhet se martirizimi i tij ndodhi më 28 prill të vitit 304.

    11-Shën Ireneu (+304) ishte peshkopi i Sirmit, që ishte kryeqendra e Panonisë. Në kohën e përndjekjeve të perandorit Dioklician, peshkopin Irene e kapin dhe xhelatët i prenë kokën dhe e flakën në lumë. Kjo ndodhi më 26 mars të vitit 304.

    13-Shën Sereni (+307) banonte në Sirm të Panonisë. Në kohën e përndjekjeve ndaj të krishterëve, atë e kapën dhe e ekzekutuan duke i prerë kokën, vetëm sepse deklaroi hapur se ishte i krishterë. Martirologu i Shën Jeronimit thotë se Shën Sereni u martirizua më 23 shkurt 307 në Sirm, që ishte qendra e Panonisë.

    14-Dëshmori Trifon i Sheqishtës (+313) përmendet nëpër sinaksarët e kishës se është kapur dhe varur mbi një shelg në vitin 313 pas Krishtit. Shën Trifoni është nderuar në Sheqishtë gjithmonë më 19 dhjetor.

    15-Donati i Evrias (+ 388) ishte peshkop i qytetit të Evrias. Ai ka shërbyer në kohën e Theodhosit të Madh (379-395). Kishte lindur në Evria, afër Paramithisë së Epirit, pranohet se ka marrë pjesë në Sinodin e Dytë Ekumenik në Kostandinopojë (381). Donati fjeti në një moshë shumë të madhe ndoshta deri më 388. Kremtohet më 6 maj.

    Këta ishin disa nga martirët që dhanë jetën gjatë përndjekjeve të të krishterëve në Iliri. Martirët kanë qenë të shumtë, por për shkak të zhdukjes së dokumenteve nga sulmet e ndryshme barbare emrat e tyre nuk njihen.(17)


    17) - Andrea Llukani, Shenjtorët & Perandorët iliro-shqiptarë, Tiranë 2005.

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    EPISKOPATAT DHE PJESËMARRJA E EPISKOPËVE NËPËR SINODE

    Bashkësitë e krishtera të themeluara nga apostull Pavli dhe pasuesit e tij e shtuan numrin e besimtarëve dhe formuan episkopatat. Sipas sistemit administrativ episkopatat e një krahine, vareshin nga episkopi i qendrës, i cili mbante titullin mitropolit. Në shekujt I-IV kemi këto episkopata:

    1-Episkopata e Dioklesë, e Lissusit, e Dekaterës dhe e Drivastit në Mitropolinë e Shkodrës.
    2-Episkopatat e Skambës, e Bulidës, e Avlonës, e Amantias, e Lihnidhojt dhe e Listrës në Mitropolinë e Durrësit.
    3-Episkopata e Ulpianëve në Mitropolinë e Shkupit.

    Këto mitropoli vareshin nga kryeqendra e Ilirikumit që ishte Sirmiumi, i ndërtuar mbi lumin Savë. Më vonë, në vitin 441 pas shkatërrimit të saj nga hunët, kryeqendra e Ilirikumit u zhvendos në Selanik. Mitropoliti i Selanikut mbante titullin kryeepiskop dhe varej nga Kisha e Romës. Në shekujt V-VII u krijuan disa episkopata të reja, episkopët e të cilave janë shënuar si pjesëmarrës nëpër Sinodet Ekumenike:

    1-Episkopata e Anchiasmos, me vendodhje aty ku është Saranda e sotme. Në Sinodin e Kalqedonisë të vitit 451 ka marrë pjesë peshkopi Klaudi i Anchiasmosit. Gjithashtu Klaudi në vitin 457 ka qenë pjesëmarrës edhe në Sinodin e Efesit. Më 516 episkop Kristofori i Anchiasmosit ka firmosur një letër drejtuar papës Hormisda. Anchiasmoi nuk ishte vetën qendër episkopale, por edhe një qendër qytetare. Porti e lidhte atë me vendet e tjera. Në gjysmën e dytë të shekullit IV qyteti u rrethua me mure të latë, me një gjatësi rreth 800 metra. Brenda mureve rrethuese gjendet një kishë e tipit bazilikal, dyshemeja e së cilës është e shtruar me mozaikë. Disa nga figurat më të dallueshme janë: qengji, demi, luani, kaprolli, delfini dhe disa shpendë. Kjo episkopatë u shkatërrua në vitin 551 nga sulmet barbare të ostrogotëve, të cilët zbarkuan me treqind anije. Që nga kjo kohë Anchiasmosi nuk figuron më si qendër episkopale.(19)

    2-Episkopata e Finiqit, e cila nuk pati jetëgjatësi. Në Sinodin IV Ekumenik të Kalqedonisë të vitit 451, u përfaqësua prej Episkop Peregrinit. Kjo episkopatë e ka pasur qendrën në Finiq të Vurgut të Delvinës. Kisha katedrale i ishte kushtuar Burimit Jetëdhënës. Në vitin 516 episkop i Finiqit ka qenë Filipi, i cili ka firmosur një letër drejtuar papës Hormisda. Vite më vonë, më 668 qendra episkopale u vendos në manastirin e Mesopotamit. Episkopi i parë ka qenë Efstathi, i cili mbante titullin Episkop i Mesopotamit dhe i Finiqit.

    3-Episkopata e Adrianopojës, e cila vite më vonë u zëvendësua me atë të Drinopojës. Episkopata e Drinopojës e ka pasur rezidencën në qytetin e vjetër të Drinopojës, i cili gjendej ndërmjet fshatrave Goricë dhe Terihat të Dropullit të sotëm. Kisha katedrale e kësaj episkopate i ishte kushtuar Metamorfozës së Shpëtimtarit. Episkopi i Drinopojës, Ipati në vitin 516, ka marrë pjesë aktive në Sinodin lokal të Epirit. Rreth vitit 516 qyteti i madh i Drinopojës u shkatërrua prej sulmeve të gotëve dhe qendra episkopale kaloi në Kladianë dhe më vonë në Kardhiq. Kisha katedrale ishte ajo e Shën Kollit, në manastirin e Cepos.(20)

    4-Episkopata e Butrintit u themelua në vitin 451. Ndër episkopët përmendet Stefani, emri i të cilit gjendet në letrën që episkopët e Epirit i kanë drejtuar perandorit Anastas. Gjithashtu në një letër tjetër të vitit 516 drejtuar papës Hormisda, gjendet edhe firma e episkopit të Butrintit, Matheut.

    5-Episkopata e Durrësit, e cila në Sinodin III Ekumenik të Efesit të vitit 351 u përfaqësua me Episkop Efharin, ndërsa në Sinodin IV Ekumenik të vitit 451 përfaqësohej nga Episkopi Lluka. Në Sinodin quinisextae, që u zhvillua në Kostandinopojë në vitet 691-692, ka marrë pjesë edhe episkopi i Durrësit Sesini. Në kohët e hershme Mitropolia e Durrësit zinte vendin e pestë ndërmjet nëntë mitropolive. Para saj kanë qenë qendrat mitropolitane të Selanikut, Korinthit, Nikopojës dhe Kretës, të gjitha këto me origjinë apostolike. Varësia kishtare e Mitropolisë së Durrësit ishte nga Vikariati Romak i Selanikut. Mitropoliti i Selanikut mbante titullin Kryeepiskop dhe varej nga Kisha e Romës. Qendra episkopale e Durrësit ka qenë Kisha e “Shën Anargjendëve”, e cila është ndërtuar gjatë viteve të mbretërimit të perandorit Anastas.

    6-Episkopata e Apolonisë. Nga praktikat e sinodeve ekumenike vërtetojmë se në Sinodin e Efesit të vitit 431, Mitropoliti i Durrësit Efkarios shoqërohej nga ndihmësi i tij episkopi i Apolonisë Feliksi. Gjithashtu episkopi i Apolonisë Eusebi ka nënshkruar aktet e Sinodit IV Ekumenik të Kalqedonisë, i cili u mbajt në vitin 451. Rreth shekullit V Apolonia filloi të braktisej. Popullata u shpërngul drejt qendrave të tjera urbane, kështu rezidenca episkopale u zhvendos në qytetin e Bylisit. Rreth vitit 458 episkopi Euseb mori titullin Episkop i Apoloniadës dhe i Bylisit. Pas vitit 458 u fronëzua episkopi Filohar, i cili mori titullin Episkop i Bylisit.(21)

    7-Episkopata e Bylisit, e cila njihej me emrin Validi dhe kishte për Episkop Filoharin (458). Në shekullin VI Bylisi radhitet ndër tetë qytetet më të rëndësishme të Epirit të Ri dhe ka qenë qendër episkopale. Kjo është vërtetuar nga zbulimet arkeologjike të një kishe të tipit bazilikal trenefëshe me apsidë gjysmëkëndore. Në brendësi të apsidës gjendet një podium në formë unaze me tri shkallë, i cili vërteton se ka qenë kishë katedrale e episkopatës së Bylisit. Në mozaikun e një kishe tjetër që gjendet në Bylis është emri “Paktianos”. Ky emër është zbuluar edhe në një mbishkrim tjetër në rrënojat e kishës së Ballshit. Teksti i mbishkrimit bën fjalë për ndërtimin e kishës. Paktianoi duke iu lutur Zotit, së bashku me gruan e tij Agllaian dhe të bijën Pakta, ia kanë kushtuar kishën Shën Andreas. Fakti që emri i Paktianoit është zbuluar në mozaikun e dyshemesë së kishës së Bylisit, gjithashtu po i njëjti emër është gdhendur në kolonën e kishës së Ballshit, tregon se kjo e fundit është marrë nga rrënojat e kishës së Bylisit. Kisha e Shën Andreas është e tipit bazilikal dhe ruhet në gjendje të mirë. Ajo është kishë madhështore si nga përmasat ashtu edhe nga numri i ambjenteve, gjë që tregon për zhvillimin e krishterimit në episkopatën e Bylisit.(22)

    8-Episkopata e Ulpianës, e cila në Sinodin e Sardikës të vitit 342 u përfaqësua nga Episkop Maqedoni i Darsanisë.

    9-Episkopata e Shkodrës, e cila në Sinodin e Kostandinopojës të vitit 381 u përfaqësua nga episkopi i saj Senecio. Gjithashtu episkopi i saj Andrea ka firmosur letën drejtuar papës Hormisda. Më 602 episkopi Kostandin ka firmosur letrën drejtuar Gregorit I.

    10-Episkopata Lissos (Lezhës). Peshkopi i Lissos, Johannem me anën e një letre i drejtohej papës Gregori I.(23)




    18) - Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, Tiranë 1992, faqe 7.
    19) - Kosta Lako, Qyteti dhe peshkopata e Anchiasmosit (Sarandë) në krishtërimin e hershëm, botuar në 2000 vjet art dhe kulturë kishatre në Shqipëri, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2003, faqe 41-47.
    20) - Dhimitër Beduli, Dioqeza e Gjirokastrës, Ngjallja, dhjetor 2006, faqe 9.
    21) - Ilirjan Gjika, A e ka vizituar Shën Pali Apoloninë, Fjala, 22-29 maj 2005, faqe 4.
    22) - Koço Zheku, Krishterimi në Shqipëri gjatë shekujve V-VI, Ngjallja, mars 1994, faqe 9.
    23) - Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, faqe 17-18.

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    KREU I DYTË

    KISHA E ILIRISË LINDORE BASHKOHET ME KOSTANDINOPOJËN

    (731 deri në fillimet e shekullit XI)


    Nga viti 731 e deri në fillimet e shekullit XI Kisha e Ilirisë Lindore ishte në juridiksionin e Kostandinopojës. Në vitin 732 Perandori Leoni III Izauri (717-741) me anën e një dekreti e shkëputi Kishën e Ilirikumit nga juridiksioni i Episkopit të Romës duke e bashkuar me Patriarkanën e Kostandinopojës. Vikariati Romak i Selanikut u shpërbë dhe të gjitha mitropolitë u lidhën me Kostandinopojën. Kjo kohë përfundon me varësinë e shumë episkopatave të Ilirikumit nga Kryepeshkopata e Ohrit. Në kohën kur Papa Grigori III thirri sinodin kundër ikonoklastëve dhe si kundërpërgjigje perandori ikonoklast Leoni III i aneksoi provincat e Ilirisë Lindore, madje edhe Sicilinë e Kalabrinë duke i kaluar në juridiksionin e Kostandinopojës.

    Papa Adriani (772-795) në Sinodin VII Ekumenik të vitit 787 kërkoi që t’i kishte përsëri në administrim dioqezat e Ilirisë Lindore, por kërkesa e tij nuk u muar parasysh. Vite më vonë Patriku i Kostandinopojës Foti (857-867, 877-886) duke iu përgjigjur Papës së Romës Nikolla I (858-867) theksoi: meqenëse krahinat i Ilirisë ishin bashkuar politikisht me Kostandinopojën, nevojitej që edhe nga ana kishtare të vareshin prej saj. Sinodi i Madh, që u mblodh në kohën e Fotit në vitin 879, njohu njëherë e përgjithmonë të drejtën e Kishës së Kostandinopojës mbi kishat e Ilirisë.(1)



    1) - Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, Tiranë 1992, faqe 9.

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    PUSHTIMI NGA BULLGARËT

    Në vitin 896 Durrësi u pushtua nga bullgarët. Invazionet sllave e barbare sollën shumë dëme. Në fillim bullgarët pushtuan Ohrin dhe Devollin e më pas tokat e luginës së Vjosës, duke mbërritur deri në detin Adriatik. Vite më vonë, gjatë sundimit të Simeonit (893-972), ata pushtuan Himarën, në vitin 904 Vlorën dhe më pas Butrintin dhe Nikopojën.

    Megjithë pushtimin prej barbarëve, popullsia vazhdoi ta ruante besimin e krishterë. Madhështia e krishterimit në trevat e Ilirisë bëri që edhe pushtuesit bullgarë të përqafonin fenë kristiane. Kristianizmi i bullgarëve u bë në këto rrethana: Një motër e mbretit bullgar Boris, u zu robinë nga bizantinët në luftë dhe u çua në Kostandinopojë, ku u trajtua me shumë dashamirësi nga perandoresha Theodhora. Ajo pranoi të kalonte në fenë e krishterë duke u pagëzuar me emrin Maria. Kur u kthye në Bullgari ajo u përpoq të bindte të vëllanë, mbretin Boris, për t’u pagëzuar. Pagëzimi i tij u bë në një ceremoni madhështore në kishën e Ballshit dhe nuni i tij u bë perandori bizantin Mihali III (842- 867) me anën e një përfaqësuesi të tij. Borisi (852-889) mori emrin e nunit të tij, Mihal. Gjatë luftës së parë botërore një oficer austriak i quajtur Kamila Prashniker zbuloi në Ballsh të Mallakastrës një pllakë guri me një mbishkrim në greqishten bizantine: “U pagëzua sundimtari i Bullgarisë Borisi Car, i quajtur Mihal së bashku me popullin e tij, të dhënë prej Perëndisë në vitin 6374.” Kjo datë është dhënë sipas kalendarit bizantin ku sipas kalendarit të ri Grigorian i korrespondon vitit 866 pas Krishtit.(2)

    Shembullin e Borisit e ndoqi i gjithë populli. Në Sinodin e vitit 970 u vendos që Kisha Bullgare të varej nga Kostandinopoja. Pas përpjekjeve të shumta Vasili II Bullgaroktoni (1014-1018) mundi të vendosë sundimin bizantin në këtë trevë. Edhe pas pushtimit u ruajtën episkopatat e ngritura më parë. Pasi u bënë të krishterë, bullgarët dërguan dy klerikë, Klementin dhe më vonë Naumin, të cilët ushtruan aktivitetin misionar në krahina të ndryshme. Misioni i tyre u shoqërua me ndërtimin e kishave dhe të manastireve, nga të cilat mund të veçojmë Manastirin e Shën Naumit në Liqenin e Prespës. Vite më vonë u përhap kulti i “Shtatë Shenjtorëve”, në të cilin bëjnë pjesë shenjtorët Kiril dhe Metod dhe nxënësit e tyre Gorazhdi, Klimi, Naumi, Angjellari dhe Sava. Nuk kemi saktësi në përcaktimin se si u krijua tradita e kultit të shtatë shenjtorëve, por ata i përmend vetëm Theofilakti në jetëshkrimin e shenjtorit Klement të Ohrit.

    Emri:  Screenshot 2024-03-01 at 3.08.33 PM.jpg

Shikime: 654

Madhësia:  46.4 KB

    Vite më vonë Gorazhdi e vazhdoi veprimtarinë e tij në Berat ku edhe u martirizua. Në katedralen e Shën Marisë në Berat ndodhen ende lipsanët e tij dhe të Angjellarit.(3) Gjithashtu një ikonë e kësaj kishe paraqet fjetjen e shenjtorëve. Ekziston edhe një shërbesë e shkruar greqisht për nder të shtatë shenjtorëve. Nga kjo akoluthi ruhet vetëm një kopje, e cila është shtypur në Venedik me shpenzimet e zotërinjve Andrea Papa, Joan Papa dhe të bijve të tij, Nikollës dhe Anastasit. Në shërbesë bëhet fjalë për nderimin e Angjellarit dhe të Gorazhdit në zonën e Beratit. Akoluthia shpesh përmend lipsanat e tyre të shenjta: “Grumbulli me lipsanat e Shtatë shenjtorëve, burim jetëdhënës për besimtarët..”. Masa e besimtarëve i shpalli mbrojtës të qytetit, prandaj u hartua edhe akoluthia për nder të shtatë shenjtorëve.(4)



    2) - Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, faqe 79.
    3) - Kostas Nihoritis, Tradita e kultit të shtatë shenjtorëve, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, Tiranë 2003, faqe 87-90.
    4) - Kostas Nihoritis, Tradita e kultit të shtatë shenjtorëve, Ngjallja, qershor 2002, faqe 9,10.

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,968
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Andrea Llukani: Krishtërimi në Shqipëri

    BOGOMILIZMI NË ILIRI

    Pushtuesit bullgarë veç shenjtorëve të sipërpërmendur që dërguan si misionarë, përhapën edhe bogomilizmin, i cili ishte një herezi që mbeshtetej tek manikeizmi.(5) Në Bullgari ithtarët e kësaj herezie quheshin bogomilë, në Azi njiheshin me emrin pavlicianë, në Francë albigezë dhe në Itali me emrin shqiptarë. Ndër bashkësitë fetare ishte edhe Ecclesia Albanensis, një bashkësi fetare e përqendruar rreth Milanos dhe Veronës, themeluesit e së cilës, duke gjykuar nga emri, mund të kenë ardhur nga Shqipëria. Herezia e bogomilëve fillimisht u shfaq në Bullgari në shekullin X, prej një prifti bullgar të quajtur Bogumil. Etimologjia e këtij emri në gjuhën bullgare është Bog do të thotë Zot dhe mill e ka kuptimin i dashur, pra bogomil do të thotë i dashur i Zotit. Prifti Bogumil filloi të predikonte me zell herezinë e tij në Bullgari. Në vijim ishte prezbiteri Kozma që formuloi doktrinën bogomile. Heretikët bogomilë predikonin një jetë fetare shpirtërore dhe një mënyrë jetese asketike. Herezia e bogolimizmit u përhap me shpejtësi të madhe saqë gjeje qyteza të tëra të banuara vetëm nga bogomilët. Gjatë Kryqëzatës së Parë, ndërsa marshonte drejt Selanikut në vitin 1096, ushtria e kryqëtarëve ndeshi në viset e Ohrit një qytezë të banuar krejtësisht prej bogomilëve. Ata përçmonin çdo kult të jashtëm, çdo rit dhe gjithë organizimin kishtar. Herezia e bogomilizmit u përhap edhe në Iliri. Në vitin 1097 Bohemundi shkatërroi në Pelagoni një qytezë të populluar nga bogomilët.(6)



    5) - Themeluesi i kësaj herezie ishte Manes. Ai rridhte nga një familje aristokrate persiane. Duke kaluar në krsitanizëm, madje duke u bërë edhe prift, e paraqiti veten sikur të ishte ai vetë Shpirti i Shenjtë, i premtuar nga Jisu Krishti, apostujve të tij, para se të ngitej në qiell. Manesin e ekzekutuan duke ia rrjepur lëkurën, të cilën e mbushën me kashtë dhe e varën në portën e kryeqytetit me urdhër të mbretit Bahram (276). Ithtarët e tij u shtuan shumë dhe u përhapën në tërë perandorinë romake. Manekeizmi lulëzoi deri në shekullin V, por ai u çfaq më vonë, nën maskën e herezive të tjera si ato të pavliçianëve, bogomilëve dhe albigezëve.
    6) - Zhan Klod Faverial, Bogomilizmi, herezia që shkatërroi Ilirinë, Metropol, 22 gusht 2005, faqe 18, 19.

Faqja 0 prej 10 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Gazeta "Krishterimi", shtypet ne Greqi shperndahet ne Shqiperi
    Nga dodoni në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 68
    Postimi i Fundit: 25-04-2011, 17:13
  2. Krishterimi - Sa besimtar praktikant jane ne shqiperi
    Nga IllyrianPatriot në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 28-10-2010, 14:12
  3. Krishtërimi në Shqipëri
    Nga Tentim në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-09-2009, 15:47
  4. Krishterimi ne Shqiperi - shek. VI-XVI
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 18:16
  5. Krishtërimi në Shqipëri, shek. VI - XVI
    Nga Seminarist në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 22-09-2005, 08:04

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •