PËRPJEKJET PËR BASHKIMIN E KISHAVE
Në vitin 1950 komuniteti shqiptaro-amerikan përjetoi përsëri një krizë përçarjeje. Ky konflikt kishtar mori përmasa politike dhe u përqendrua në zëvendësimin e Fan Nolit me një episkop tjetër. Gjithashtu edhe dy episkopët e larguar nga Shqipëria Pandeileimon Kotoko dhe Evlogjio Kurilla intensifikuan sulmet kundër Nolit, i cili mbante lidhje me sinodin antikanonik të Paisi Vodicës. I gjendur përpara një presioni të tillë, Noli kërkoi ndihmën e K.O.A.Sh-it, nëpërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë në Sh.B.A: “Tani që jo vetëm po plakem shumë, por ka filluar një luftë e vërtetë nga Patriarkana e Stambollit kundër meje dhe kundër kishës këtu. Kësaj të keqeje duhet t’i dalim përpara. Prandaj dua që Sinodi i Shenjtë i K.O.A.Sh-it të pranojë dhe të njohë kishën e këtushme si degë të saj për të gjitha efektet”.
Në Kongresin e tretë të K.O.A.Sh-it u vendos bashkimi me Kishën Ortodokse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që udhëhiqej nga Imzot Theofani. Më 10 shkurt 1950 Kongresi III i K.O.A.Sh-it i dërgonte një telegram Fan Nolit në Boston në të cilin thuhej: “Të gjithë delegatët e Kongresit të tretë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të mbledhur në Tiranë në një atmosferë lirije të plotë dhe bashkimi mendimesh dhe zemrash për të rahur problemet e saj aktuale dhe për t‘i dhënë kësaj një statut me parime të përshtatshme për një kishë ortodokse të vërtetë dhe një udhëheqje të denjë për të praktikuar këto parime të përshtatshme për një kishë ortodokse të vërtetë, përshëndesim në personin tuan inisjatorin dhe thelluesin e kishës së parë kombëtare. Duke ju lutur që këto përshëndetje t‘ua transmetoni gjithë komuniteteve të shqiptarëve ortodoksë vëllezër që bëjnë pjesë në juridiksionin tuaj episkopal, ju bëjmë njëkohësisht të ditur se ky kongres shprehu unanimisht dëshirën e tij të zjarrtë që komunitetet në fjalë të bashkuar nën uudhëheqjen tuaj peshkopale të inkuadrohen dhe të bëjnë pjesë në gjirin e kishës mëmë të Shqipërisë, ashtu siç kanë shfaqur vullnetin shumë prej tyre, por që udhëheqja e deridjeshme e kishës sonë, armike e bashkimit tonë kishtar dhe kombëtar, ka mbajtur një qëndrim negativ në këtë drejtim. Në komformitet me sa më sipër, Kongresi ngarkon unanimisht Kryesinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për veprime të mëtejshme në këtë drejtim, së cilës kini mirësinë ti njoftoni pikëpamjen tuaj”. Vendimet e Kongresit u përshëndetën nga Imzot Theofani, i cili në atë kohë ishte Mitropolit i Dioqezës Shqiptare të Amerikës. Në telegramin që i dërgonte Kishës Ortodokse të Shqipërisë me këtë rast ai është shprehur: “Jemi shumë të kënaqur nga vendimi i favorshëm që mori Kongresi III Ortodoks i Shqipërisë në lidhje me kërkesën e dioqezës sonë për t’u vënë nën juridiksionin e Kishës Mëmë. Presim me lutje ratifikimin e Sinodit të Shenjtë”.(46)
Në nenin IX të statutit të K.O.A.Sh-it sanksionohet organizimi i diasporës në episkopata në varësinë e Tiranës. “Me vendim të Këshillit Mikst mund të krijohen episkopata për shqiptarët ortodoksë jashtë shtetit, të varura nga Kisha Shqiptare mëmë”. Por për fat të keq autoritetet komuniste nuk e lejuan këtë bashkim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me atë të diasporës shqiptare të Amerikës. Për këtë qëndrim negativ ndikuan disa faktorë: 1-acarimi i marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me atë të SHBA, 2-presioni i lëvizjes antikomuniste në SHBA, 3- reagimi i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Në atë kohë Patrik Ekumenik ishte Atenagora, i cili qe me origjinë shqiptare. Ky i fundit në dhjetor 1950 dërgoi në Boston, Marko Lipen si ndihmëspeshkop i kryepeshkopit grek dhe peshkop për kishat shqiptare të Amerikës.47 Peshkopi i Leflës, Marko Lipe fillimisht gjeti strehë në kishën e Shën Joanit dhe më vonë mori edhe kishën e Trinisë së Shenjtë. Pasi zotëroi dy kisha shqiptare të SHBA, më 31 dhjetor 1950 Marko Lipe u zyrtarizua si peshkop i peshkopatës së re. Këto kisha u shkëputën nga juridiksioni i Nolit dhe kërkuan të kishin varësi nga kisha greke. Në atë kohë u krijua Sinodi i Episkopëve Kanonikë Ortodoksë të Amerikës (SCOBA). Ky sinod njohu Marko Lipen si episkop kanonik duke mos e përfshirë Nolin. Kjo ishte brenga më e madhe e Nolit. Por çudia më e madhe për Nolin ishte që në krye të SCOBA-s u zgjodh greku Jakovos Kukuzis, të cilin Noli e konsideronte si armikun kryesor. Noli njoftoi menjëherë Kryeepiskop Paisi Vodicën dhe priste mbështetje nga kisha mëmë, e cila nuk vonoi.
Kryeepiskop Paisi Vodica i dërgoi një letër patrikut Atenagora, me anën e së cilës i parashtronte situatën: “Nga lajme të botuara në shtyp dhe nga informata relative që i kanë ardhur Kryesisë së Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, prej Hirësisë së Tij, Episkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fan S. Noli, me hidhërim të madh u njoftuam rreth tentativave dhe përçapjeve të asaj Patriarkane të Shenjtë Ekumenike, për të instaluar me inisiativën e saj dhe jashtë çdo rregulli të drejte kanonike dhe tradite kishtare ortodokse një tradhëtar dhe renegat të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, të quajtur Marko Lipe, si episkop për Kishën Ortodokse Shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllime të paracaktuara që synojnë në mënyrë të hapët direkte dhe të ndërgjegjshme të godasin unitetin kishtar, kombëtar dhe patriotik të shqiptarëve ortodoksë me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në interes, në shërbim, dhe për dobi të rivendikimeve të marëzishme dhe lakmive grabitqare të shovinizmit grek, kundër të drejtave dhe interesave kishtare dhe kombëtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.”.(48)
46) - Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Dosja Nr. 295, Viti 1950.
47) -Marko Lipe ka lindur më 1920 në krahinën e Oparit. Studimet teologjike i kreu në Kelkis të Stambollit. Marko Lipe brenda gjashtë muajve u bë dhjak, prift dhe më gusht 1950 u dorëzua Episkop i Lefkës, në moshën 30-vjeçare. Marko Lipe vdiq në mars 1982.
48) - Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Dosja Nr. 356, viti 1950.
Krijoni Kontakt