Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    SPAK arreston e fut në burg mikun më të mirë të Kryeministrit Rama, Vangjush Dakon

    Shkeljet e ligjit nga Vangjush Dako janë të dukshme nga satelitët në hapësirë

    SPAK shkruan se ka arritur të provojë dy akuza për shpërdorim të detyrës ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, njëra prej të cilave dallohej edhe nga fotografitë satelitore në aplikacionin ‘Google Earth’.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Vangjush-Dako-zgjedhjet-e-2017.jpg

Shikime: 756

Madhësia:  30.8 KB
    Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Foto: Facebook.

    Të emëruar nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako të përllogarisnin kostot për të bërë projektin e zbatimit të një shëtitoreje bregdetare nga zona e Bërrylit deri në Currila, 3 anëtarët e komisionit të vlerësimit u mblodhën me 11 shtator 2013 në qytetin bregdetar.

    Projekti i zbatimit të shëtitores, i pagëzuar për të tingëlluar me gjasë më tërheqës si “Promenada Bregdetare dhe Plazhi publik nga Bërryli deri në Currila”, do bëhej për një sipërfaqe prej 2.04 hektarë.

    Procesverbalet e mbajtura në mbledhje kanë të shënuar se komisioni mori për krahasim dy projekte të ngjashme. I pari e nxirrte vlerën e shëtitores në total 180.8 milionë lekë; ndersa i dyti, i cili i referohej punimeve të ngjashme në “Bulevardin Dyrrah”, kapte vlerën 337 milionë lekë.

    Deri në këtë pikë llogaritë kanë funksionuar. Por kur grupit i duhej të përcaktonte vlerën e “projektit të zbatimit” që i takon të ishte sa 1.2 për qind e shumës totale të punimeve, Prokuroria e Posaçme thotë në fund të shifrave gjatë llogaritjes së për qindjes u shtua një zero. Kostoja e punës u rrit 10 herë.

    “Vlera e tarifës së projektimit del 2,2 milionë lekë dhe jo 22 milionë lekë, pra është llogaritur më tepër”, shkruan SPAK në vendimin e Gjykatës së Posaçme që caktoi masën e sigurimit për ish-kryebashkiakun Dako dhe 3 anëtarët e komisionit.

    Shpërdorimi i këtyre fondeve publike solli të martën arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili prej 4 vjetësh është shpallur person i padëshirueshëm nga SHBA për “përfshirje në korrupsion madhor”.

    Bashkë me Dakon me masë sigurie në burg, për zeron e shtuar në llogaritje, janë dhe anëtarët e komisionit Adhurim Qehajaj, me detyrë ish-Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit të Bashkisë Durrës dhe të Adnand Toçila. Anëtarja tjetër e komisionit Diana Dedja u la me masë sigurimi arresti në shtëpi.

    Dako dhe Qehajaj, u ngarkuan me një akuzë të dytë për shpërdorim detyre, në një aferë që përfshin dheniën e një leje ndërtimi të parregullt, që siç shprehet gjykata në masën e sigurimit, solli për pasojë “rrezikimin e jetës së banorëve” të një pallati 11 katësh në Durrës gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019. SPAK shkruan se shkelja në këtë rast ishte e dukshme edhe nga pamjet në satelitore të aplikacionit ‘Google Earth'.

    Sipas prokurorisë pallati u pajis me një shtesë leje ndërtimi pasi punimet kishin përfunduar në mënyrë të paligjshme. Përveç Dakos dhe Qehajaj, për këtë aferë u caktua masë arresti me burg edhe ndaj ndërtuesit Fiqiri Farruku, arkitektit Ermal Lama, inxhinierit topograf Fatmir Ejupi, inxhinerit Gjeoded-Topograf Adrian Bulku. Ndërsa u caktua masë arresti shtëpiak për arkitekten Meri Selimi (Priftuli) dhe kolauduesen e pallatit Ferzilet Hajdëri.

    Edhe pse janë nisur nga kallëzime të ndryshme të dy procedimet penale u bënë bashkë pasi përfshijnë në të dy rastet ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.

    SPAK njoftoi të mërkurën se masat e sigurimit me burg ndaj Adhurim Qehajajt, Ermal Lamës dhe Fatmir Ejupit ishin ende në proces ekzekutimi. E pa ekzekutuar ishte edhe masa e arrestit shtëpiak ndaj Diana Dedjas.

    Nisur nga mosekzekutimi i të gjithë urdhër arresteve dhe fakti që planet për arrestimin e Dakos u publikuan ditë më parë në media, Prokuroria e Posaçme njoftoi se paralelisht ishte nisur një hetim të brendshëm për nxjerrje të sekretit hetimor.

    Avokati i Dakos, Petrit Ismaili e cilësoi të tepruar masën e sigurimit arrest me burg dhe kundërshtoi akuzën duke pretenduar se vendimet ishin kolegjiale.

    Shumëzimi me 10 dhe këmbëngulja në gabim

    Emri:  Qytetare-te-ulur-ne-plazh-768x512.jpg

Shikime: 672

Madhësia:  19.1 KB
    Sfinksi në Durrës është i boshatisur nga njerësit në ditët e ndalim-qarkullimit. Foto: LSA

    Hetimet e prokurorisë për tenderin për “projekt zbatimin” e promenadës nisën 7 vjet pas mbledhjes së komisionit të vlerësimit që shumëzoi me 10 kostot e punës.

    Prokuroria thotë se dyshimet për shpërdorim të parave publike në këtë tender iu bënë prezent SPAK në vitin 2020, pas kallëzimit të ish-rivalit të Dakos për postin e kryebashkiakut në garën e vitit 2011 – deputetit të Partisë Demokratike Ferdinad Xhaferraj.

    Prokuroria thotë se tenderi, që u fitua nga kompania SPHAERA me vetëm 12 mijë lekë më pak se fondi i limit i garës, ka sjellë një dëm prej 18.3 milionë lekësh në buxhetin e bashkisë dhe se Dako vetë ka qenë në dijeni të procedurës dhe gabimit.

    Gabimi u zbulua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershor 2015. Deri në këtë moment bashkia i kishte paguar kompanisë 60 për qind të shumës për të cilën ishte lidhur kontrata sipas KLSH-së ishte disa herë më shumë se vlera reale e punës që po bëhej.

    KLSH ia referoi këtë bashkisë dhe siç pretendon prokuroria, Diana Dedja, një prej anëtarëve të komisionit pretendoi se ishte bërë gabim material në llogaritje. Dedja mbajti këtë qëndrim edhe kur u pyet si person në dijeni të rrethanave nga SPAK. KLSH rekomandoi në qershor 2015, zgjidhje të situatës së paligjshmërisë dhe kthimit të shumës të paguar tepër në bashki.

    Por 7 muaj pas këtij kontrolli, me marrjen në dorëzim të projektit, Bashkia e Durrësit procedoi që t'i paguante kompanisë 8.3 milionë lekë të tjera, siç ishte parashikuar në kontratën e bërë mbi shumën e fryrë. Në vetvete kjo pagesë e dytë ishte gati 4 herë më shumë se sa kostot reale të projektit.

    SPAK shkruan se kjo pagesë e përjashton mundësinë e gabimit material nga bashka Durrës.

    “Pasi janë vënë në dijeni për shkeljet ligjore të evidentuara nga ky institucionin nëpërmjet raportit të muajit Qershor 2015, në muajin Dhjetor të vitit 2015, pra gati gjashtë muaj më pas, kanë ndihmuar me veprimet e tyre ardhjen e mëtejshme të pasojave dhe thellimin e dëmit ekonomik”, shkruhet në vendimin e masës së sigurisë.

    Prokuroria thekson se Vangjush Dako ishte në dijeni të gazbimit dhe pjesë e konsultave për caktimin e çmimit të fryrë. Kryebashkiaku ishte pjesë e korrespondecës ku u vendos që çmimi tavan për projektin të ishte 21 milionë lekë – rreth 10 herë më shumë se vlera reale.

    Për të provuar përfshirjen e Dakos, prokuroria po ashtu përmend raportin e KLSH-së dhe vërejtjet në këtë raport. Prokuroria shton se kryebashkiaku autorizoi një padi ndaj kompanisë për të marrë pas shumën prej 18.3 milion lekësh, pasi pagesat ishin kryer plotësisht. Por padia e ngritur nga avokati i bashkisë u pushua, pasi vetë paditësi nuk u paraqit në gjyq.

    Për prokurorinë kjo është provë e një pasiviteti të qëllimshëm.

    “Provohet edhe fakti i qëndrimit pasiv të tyre me dashje, se nuk kanë marrë asnjë masë ligjore për rikuperimin e dëmit, ndonëse shkeljet ligjore i janë vënë në dijeni”, shkruhet në vendimin e gjykatës.

    Shkelje që duken nga Google Earth

    Emri:  20230606_203200_ADN_0658-1_4izzFyG-1140x760.jpg

Shikime: 655

Madhësia:  44.8 KB
    Fotografi e pallatit në Durres, për të cilin akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje ish Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

    Tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019 shkaktoi 51 viktima, detyroi shpërnguljen e 17 mijë personave dhe rreth 1 miliard euro në dëme. Ai gjithashtu nxori në dritë aferën tjetër që çoi pas hekurave ish-kryebashkiakun e Durrësit.

    SPAK shprehet se hetimet për këtë rast të dytë, ku përvec Dakos akuzohen dhe 7 persona të tjerë, u nisën pas kallëzimit të banorëve të një pallati 11-katësh në rrugën Hysen Myshketa. Pallati ishte një ndër godinat që pësuan dëme strukturore të mëdha nga tërmeti dhe është sot ende i pabanueshëm.

    Hetimet e prokurorisë gjetën se puna për ndërtimin e pallatit nga ndërtuesi Fiqiri Farruku, filloi në vitin 2010. Atëherë Farruku u pajis me një leje për një godinë 7-katëshe. Meqë ndërtimi ishte vetëm në këtë lartësi, ndërtuesit nuk iu kërkua një studim sizmiologjik.

    Por pak kohë pasi kishte marrë lejen e ndërtimit, Farruku aplikoi në bashki për një kat shtesë. Prokruroia thotë se ky aplikim u bë në 20 dhjetor 2010. Farruku duket se ka ndërruar mendje dy ditë më vonë dhe i ka kërkuar bashkisë një leje të re që përfshinte tani 3 kate shtesë, plus një papafingo. Dako është njohur me kërkesat dhe ja ka kaluar zyrës së urbanistikës në bashkinë Durrës.

    Por ndërsa procedurat për leje ndërtimi nuk kishin përfunduar dhe as ishin miratuar, punimet për pallatin filluan në pranverë të vitit 2011. Në 26 shtator të atij viti u hodh edhe soleta e katit të 11 të godinës. Prokuroria thotë se fakti që godina kishte përfunduar në vitin 2011 provohet nga pamjet e marra në Google Maps dhe Google Earth dhe orto foto të zonës. Sipas Prokuorisë së Posaçme këto punime u kryen pa leje.

    Inspektorati i Ndërtimit i Bashkisë Durrës e kishte konstatuar faktin që pallati ishte ndërtuar pa leje. Në prill 2011, ai i vendoi një gjobë kompanisë së Farrukut dhe i kërkoi pezullim të punimeve, por punimet nuk ndaluan.

    Përkundrazi prokuroria thotë se dy ditë pasi është konstatuar përfundimi i skeletit të betonit të pallatit dhe ishte hedhur soleta e katit të fundit, KRrT-ja e drejtuar nga Dako i miratoi atij lejen e re. Prokuroria thekson se për këtë vendim nuk ishte marrë mendim nga këshilli teknik dhe nulk ishte kërkuar studimi sizmiologjik, që ishte i detyrueshëm për ndërtimet mbi 7 kate.

    Prokuroria thotë se ish-kryebashkiaku ishte në dijeni të problemeve. Madje edhe pse i kishte firmosur lejen shtesë, muaj më vonë ai vetë firmosi një urdhër jashtë kompetencave të tij, që autorizonte policinë bashkiake të pezullonte punimet.

    Shkeljet sipas prokurorisë nuk përfundojnë me këtë fakt. Për të zbardhur lejen dhe për të lejuar shfrytëzimin e godinës, u përpiluan një sërë aktesh të falsifikuara që nuk merrnin parasysh gjendjen reale. Prokruroria shpehet se kishte provuar që godina kishte filluar të banohej që në vitin 2012, por në fakt leja e ndërtimit për të u zbardh vetëm në vitin 2014.

    Gjithashtu, inxhinierët dhe arkitektët e përfshirë në këtë rast firmosën akte që nuk përputheshin me situatën faktike dhe që u bënë pasi pallati ishte ndërtuar edhe pse i referohen kohës kur ai ishte në ndërtim.

    Ndërsa kolaudimi i pallatit u bë edhe pse një sërë punimesh nuk përputheshin as me lejen e re. Përfshi ndryshimit të destinacionit të garazheve apo mënyrës së ndërtimit të kafazit të ashensorit. Në kërkesën për masë sigurimi prokuroria citon se Ferizlet Hajdëri, inxhinierja që ka kryer kolaudimin e godinës, ka pranuar se nuk kishte bërë “kontroll të plotë të objektit”.

    Prokuroria gjeti se dy persona që duhej të kryenin supervizimin ishin pa licensë dhe në atë kohë kishin qenë 79 dhe 80 vjeç.

    Masat dhe akuzat

    Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe ndihmësi i tij që drejtoi urbanistikën e bashkisë në këtë kohë, Adhurim Qehajaj kanë dy akuza për shpërdorim detyre. Dy anëtarët e tjerë të komisionit të vlerësimit për projektin kanë vetëm një akuzë të shpërdorimit të detyrës.

    Edhe kolauduesja Ferizlet Hajdëri, akuzohet po për shpërdorim të detyrës, sa i përket kolaudimit të pallatit.

    Ndërkohë, ndërtuesi Farruku dhe grupi i inxhinerëve e topografëve Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku dhe Meri Selimi (Priftuli), akuzohen se në bashkëpunim mundësuan legalizimin e pallatit me 4 kate pa leje. Ata janë akuzë zyrtare të “Fallsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” në bashkëpunim.

    Avokati i Dakos, Petrit Ismaili në një deklaratë për mediat pretendoi se akuzat nuk qëndronin. Ai tha se vendimet për të dy rastet kishin qenë kolegjiale dhe se masa e sigurisë me burg ishte e tepruar dhe e ndikuar nga presioni mediatik.

    “SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike, të politikës dhe të ndërkombëtarëve,” deklaroi Ismaili, ndërsa shtoti se gjykata në këtë trysni po merr masa të nxituara. “Gjykoj se nuk ka qenë e nevojshme masa e arrestit me burg”, shtoi ai.

    Gjyqtari Erjon Bani, i cili miratoi kërkesën e prokurorisë vlerëson ndryshe. Bani shkruan në arsyetimin e masës së sigurisë se “pasojat që kanë ardhur në rastin konkret, që është rrezikimi i jetës së banorëve, të cilët kanë jetuar në objektin që është legalizuar me leje ndërtimi dy vite pasi ai është ndërtuar”, ishin të tilla që e justifikonin masën e arrestit.

    Ai shprehet se “kjo shton rrezikshmërinë e faktit dhe të autorëve në rastin konkret”.

    Gjyqtari po ashtu shprehet se vepra penale është kryer në rrethana rënduese, pasi është kryer “duke shpërdoruar funksionin publik” dhe në “bashkëpunim”.

    Ai po ashtu tërheq vëmendjen se personat e arrestuar përfshi Dakon, kishin pushtet, lidhje me pushtetin dhe pasuri që u krijonte atyre mundësinë të ndërhynin te provat dhe dëshmitarët, jo vetëm gjatë hetimit por edhe në procesin e gjykimit të çështjes.

    “Ka dyshime se mund të ndikojë tek provat, duke marrë në konsideratë jo vetëm pozicionin zyrtar që ai ka patur, por dhe influencën e tij tek administrata e shkuar dhe aktuale e Bashkisë Durrës,” shkuan gjyqtari i Gjyaktës së Posaçme.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston e fut në burg mikun më të mirë të Kryeministrit Rama, Vangjush Dakon

    Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako arrestohet për shpërdorim detyre

    Nga Vladimir Karaj

    Katër vjet pasi u shpall i padëshirueshëm nga Departamenti amerikan i Shtetit, Dako u arrestua nga SPAK me dy akuza për shpërdorim detyre. Pesë zyrtarë të tjerë dhe një ndërtues përfundojnë gjithashtu në pranga, ndërsa tre në arrest shtëpie.

    Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u dorëzua në drejtorinë e Policisë së Tiranës pasditen e së martës, pasi Gjykata e Posaçme firmosi një urdhër-arrest ndaj tij të lëshuar nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

    Bashkë me Dakon u arrestuan edhe pesë zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrësit si dhe një ndërtues, ndërsa tre nëpunëse gra u lanë me masën e arrestit shtëpiak.

    Urdhër-arresti për Dakon u lëshua pas hetimeve të kryera për dy çështje të ndara; zbardhjen e lejes së ndërtimit të një pallati në Durrës thuajse dy vjet pasi ishte ndërtuar si dhe tenderin e ndërtimit të një shëtitoreje në zonën bregdetare.

    Një burim në dijeni të hetimit i tha BIRN se kallëzimi për tenderin e shëtitores ishte bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe dëmi llogaritej në 18 milionë lekë.

    Vangjush Dako është kryebashkiaku jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019.

    Vangjush Dako u zgjodh për herë të parë kryetar bashkie në Durrës në zgjedhjet e vitit 2007 me një diferencë prej rreth 350 votash. Në dy zgjedhjet pasuese Dako e zgjeroi këtë diferencë dhe në zgjedhjet e vitit 2015 siguroi 13700 vota më shumë se sa kandidatja e opozitës. Si drejtues politik i qarkut të Durrësit për socialistët, Dako qe faktor kyç edhe në fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nga mazhoranca e kryeministrit Edi Rama.

    Por këto rezultate zgjedhore të ish-kryebashkiakut të Durrësit u shoqëruan me akuza nga opozita, që akuzoi Dakon për përfshirje në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në qark. Akuzat për Dakon u bënë më konkrete, kur ai rezultoi i përgjuar në një sërë bisedash me vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli si pjesë e hetimit të njohur si “Dosja 339”, ata akuzohen dhe u gjetën fajtorë në Gjykatën e Posaçme për një sërë akuzash përfshi trafik narkotikësh.

    Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN dhe të publikuara në Janar 2019 ngritën dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të Dakos gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017. Dako i ka mohuar akuzat. Madje në një intervistë televizive në emisionin ‘Opinion” ai pretendoi se ishte i pastër. “I shikon këto duar ti, janë akullore këto”, tha Dako duke iu drejtuar një prej bashkëbiseduesve gjatë një bisede në tetor 2018.

    Prokuroria pati njoftuar hetime ndaj Dakos për tjetërsimin e votave në vitin 2017, por rezultati i hetimeve nuk u mor vesh asnjëherë. Më herët në vitin 2016 Dako u përfshi në lirimin kontravers të Lulzim Berishës, i njohur si kreu i bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim nga SPAK për disa akuza.

    Në korrik 2019 Dako u vendos në listën e personave “non-grata” nga Departamenti i Shtetit. Sipas njoftimit të shpërndarë atëherë, Sekretari i Shtetit e vendos këtë sanksion: “Kur ka informacion të besueshëm që zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose në kanë dhunuar të drejtat e njeriut”. Dako e cilësoi ndëshkimin si të papritur.

    Në dukje ai është tërhequr nga politika aktive, por opozita ka pretenduar se ai ka qenë i përfshirë dhe vijon të ishte drejtues i fshatave të socialistëve në qytetin e Durrësit përfshi edhe në atë të 14 majit. Kryeministri Edi Rama, i pyetur për qëndrimin ndaj Dakos pas shpalljes së tij “non grata”, i premtoi publikisht miqësi të përhershme. “Edhe në burg të shkojë nesër, do të jetë miku im”, tha Rama.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston e fut në burg mikun më të mirë të Kryeministrit Rama, Vangjush Dakon

    Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK nuk ndalojnë, fillojnë hetimet edhe për ata që nxorën sekretin

    Emri:  Capture-40.png

Shikime: 664

Madhësia:  247.3 KB

    SPAK-u bëri punë titanike për të kapur në rrjet një prej politikanëve më influentë në PS, Vangjush Dakon.

    Prokurorët nuk pranuan asnjë ndërhyrje politike. Por lajmi i fletëarrestit doli në mjedise mediatike dhe politike. Ndaj SPAK njofton se po heton nga ku doli lajmi që duhej të ishte sekret.

    Me sa duket Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK-ut nuk e kanë ndërmend të tërhiqen, do të firmosin arreste dhe për funksionarë shtetrorë që kanë nxjerr sekretin.

    Njoftimi i SPAK:

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet për kryerjen e veprës penale ”Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.

    Fillimi i hetimeve kryesisht për këtë vepër penale është bërë për shkak të zbulimit ndaj të tretëve të të dhënave dhe të përmbajtjes së akteve procedurale, të cilat përbëjnë ”sekret hetimor”, që lidhen me veprimet procedurale të paraqitjes dhe të shqyrtimit të kërkesës me objekt caktimin e masave të sigurimit në ngarkim të shtetasve V.D etj, të kryera në kuadër të procedimit penal nr.197 viti 2020 të Prokurorisë së Posaçme.

    Objekt i hetimeve do të jenë veprimet e të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e veprimeve procedurale për caktimin e masave të sigurimit për procedimin penal nr.197 viti 2020, duke përfshirë funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë..

    Koha Jone

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Ish-kryebashkiaku i Durrësit dhe miku i Edi Ramës, Vangjush Dako, del nga qelia e burgut

    ‘Digjen afatet’, Vangjush Dako lirohet nga qelia

    Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve. Ai do të qëndrojë nën masën e arrestit shtëpiak.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Vangjush-Dako-zgjedhjet-e-2017-1.jpg

Shikime: 470

Madhësia:  30.8 KB

    Gjykata e Posaçme pranoi të martën, më 27 shkurt, kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako për lirimin e tij nga qelia, pas arrestimit tetë muaj më parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe për shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

    Pas vendimarrjes të gjyqtares Flojera Davidhi, Gjykata e Posaçme shpërndau një njoftim për mediat në të cilin sqarohej se Dako i kërkoi gjykatës që të konstatonte mbarimin e afateve të paraburgimit si pasojë e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar më 6 qershor 2023.

    Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale dhe në një vendim njësues të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Davidhi ka vlerësuar se Dakos i kanë përfunduar afatet e paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.

    Afatet e paraburgimit u dogjën pasi Prokuroria e Posaçme, SPAK, nuk arriti të përfundojë kryerjen e një akti ekspertimi dhe veprimet hetimore të kërkuara nga gjykata gjatë seancës paraprake të mbajtur më 2 shkurt. SPAK kërkoi kalimin e çështjes ndaj Dakos dhe 10 të akuzuarve të tjerë për gjykim, por Gjykata vlerësoi se hetimet ishin të paplota.

    Kodi i Procedurës Penale përcakton në nenin 263, gërma (b) se paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar gjashtë muaj në rastet kur i pandehuri procedohet për krime që dënohen maksimumi deri në dhjetë vjet burgim. Për rrjedhojë, gjykata e ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Dakos.

    Ndërkohë, gjyqtarja Davidhi ka vlerësuar të drejtë edhe kërkesën e SPAK për caktimin e një mase tjetër sigurimi, atë të “arrestit shtëpiak” sipas përcaktimeve të nenit 267 të Kodit të Procedurës Penale.

    Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.

    Megjithatë, Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

    Vepra e dytë penale për të cilën prokuroria kërkon gjykimin e Dakos ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

    BIRN

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ish-kryebashkiaku i Durrësit dhe miku i Edi Ramës, Vangjush Dako, del nga qelia e burgut

    Kthimi në shtëpi/ Politikë apo drejtësi me burgun e Vangjush Dakos?

    Emri:  vangjush-dako-.jpg

Shikime: 499

Madhësia:  22.2 KB

    Që nga dita kur Vangjush Dako u paraqit në policinë e Tiranës, i ndërgjegjshëm se i kishte ardhur radha të provonte prangat, u ngritën pikëpyetje nëse arrestimi i tij ishte pjesë e një skenari politik të dirigjuar nga Edi Rama dhe ambasada amerikane, apo më në fund SPAK doli nga tutela e pushteteve politike që e krijuan dhe vendosi thjesht të bëjë drejtësi për ish-kryebashkiakun aq shumë të përfolur për korrupsion dhe lidhje me krimin.

    Kuptohet se dhënia e OK për prangosjen e Vangjush Dakos nuk ishte një punë e lehtë për Edi Ramën. Njësoj si në rastin e Arben Ahmetajt, edhe për Vangjush Dakon ekzistonte rreziku që ai të rebelohej dhe t’i përgjigjej Ramës me të njëjtën monedhë.

    Duhet thënë se Vangjush Dako ka qenë pjesë e tryezave të Ramës, si garant i disa fitoreve elektorale të Partisë Socialiste në Durrës nëpërmjet parave të korrupsionit dhe angazhimit të bandave të rrezikshme të qytetit.

    Siç e ka pranuar edhe vetë Rama, bashkëpunimi mes të dyve ishte shndërruar në miqësi me kalimin e kohës dhe një “thyerje” mes tij dhe Dakos do të kishte kosto në imazhin e kryeministrit, pak a shumë siç u pa në rastin Ahmetaj.

    Nuk qe rastësi, që pak orë pas futjes së Dakos në qeli, kryeministri Rama doli në transmetim live në një fjalim me socialistët dhe u shfaq si rrallëherë i hutuar në publik. Rama tha se “diçka ka ndodhur”, duke shtuar se nuk ndjehej mirë që ish-bashkëpuntorë të tij arrestoheshin. Me këto fjalë, kryeministri la të kuptohej se ai nuk kishte gisht në goditjen e Dakos, përkundrazi ishte i habitur nga kjo që kishte ndodhur. Ky reagim i Ramës përkthehej në mesazhin se goditja e Dakos ishte një punë e pastër e drejtësisë së re, të cilën ai nuk e kontrollonte.

    Emri:  Screenshot 2024-02-28 at 10.16.53 AM.jpg

Shikime: 491

Madhësia:  33.8 KB
    (Rama në Berat në takim me socialistët, pak orë pas arrestimit të Vangjush Dakos)

    Por tani që kanë kaluar 9 muaj nga arrestimi dhe Dako mbajti burgun në heshtje, Lapsi.al i është rikthyer historisë së ish-kryebashkiakut për të kuptuar më shumë nga ajo që ndodhi. A ishte burgu i Vangjush Dakos një punë e pastër e drejtësisë apo u dirigjua nga qeveria?

    Më poshtë mund të lexoni disa nga momentet që anojnë nga versioni i historisë, sipas të cilit burgu i Vangjush Dakos ishte një operacion që u krye me bekimin e politikës dhe që i shërbeu të gjitha palëve.

    Momenti i parë për t’u vënë në dukje ishin rrethanat që i paraprinë arrestimit të Vangjush Dakos, në datën 6 qershor të vitit 2023. Po të kthehemi pas në kohë, rezulton se dy ditë para, gjykata kishte nxjerrë nga burgu Saimir Tahirin, ish-ministrin e brendshëm që deri në atë kohë ishte ndër kurbanët më me vlerë të reformës në drejtësi. Pasi u lirua Tahiri, ambasadorja amerikane Juri Kim bëri një status të fortë, ku shprehej e zhgënjyer dhe paralajmëronte “pasoja”.

    “Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirant të BE” shkruaji Juri Kim.

    Menjëherë pas këtij statusi ndodhi arrestimi i Vangjush Dakos. Ky status i Juri Kim, aspak normal për një ambasadore, e zhveshi krejtësisht kryeministrin Rama nga dyshimet e Vangjush Dakos se po ia punonin në prapaskenë. Ndërhyrja brutale e Juri Kim ishte provë e justifikimit se “s’kam ç’ti bëj amerikanëve”. Por në mbrëmje u raportua për një darkë mes Edi Ramës dhe Yuri Kim në rezidencën e ambasadores në Tiranë.

    Momenti i dytë që përforcon idenë se arrestimi i Dakos ishte qëllim në vetvete, janë akuzat e dobëta dhe masa e fortë me “arrest me burg” që u mor nga SPAK. Për ta kuptuar kontrastin që ekziston në këtë rast, duhet thënë se Vangjush Dako u paraqit vetë në polici, megjithëse lajmi për firmosjen e fletë-arrestit kishte dalë në media disa ditë më parë duke i dhënë mundësinë të arratisej.

    Në anën tjetër, Dako u fut në burg për dy çështje; 1) zbardhjen e lejes së ndërtimit të një pallati në Durrës thuajse dy vjet pasi ishte ndërtuar dhe 2) tenderin e ndërtimit të një shëtitoreje në zonën bregdetare me dëm 18 milion lekë.

    Po të kemi parasysh që ai kishte kryetar bashkie që nga 2007 në një qytet në ekspansion turistik si Durrësi, ku qarkullojnë qindra miliona euro në biznesin e ndërtimit, kuptohet se 18 lekë dëme ishin qesharake në karrierën e tij si politikan dhe si biznesmen.

    Nuk duhet harruar se SPAK e kishte amnistuar një herë Vangjush Dakon për dosjen 339, ku ai angazhon bandën e Avdylajve për të mbledhur vota dhe për t’i bërë presion qytetarëve. Dhe nuk iu kthye më asnjëherë kësaj dosjeje.

    Momenti i tretë që tregon se qeveria u kujdes për gjendjen e Vangjush Dakos dhe nuk e lëshoi atë plotësisht në duart e “drejtësisë së re” ishte trajtimi preferencial që iu bën atij në burgun e Durrësit. Në dhjetor të vitit të kaluar u zbulua se Vangjush Dako bashkë me disa të burgosur të tjerë VIP përfitonin privilegje që nuk kishin ndodhur më parë në burgjet e Shqipërisë.

    Dhomat e ish-zyrtarëve të burgosur kishin pajisje elektroshtëpiake, dushe të personalizuara dhe sende të ndaluara, ndërsa në sektorin VIP kishte edhe një palestër për aktivitete sportive, një kuzhinë private dhe një mini-fushë bashkohore futbolli – donacion i Federatës Shqiptare të Futbollit

    Dhe në fund, si një nga momentet më domethënëse është deklarata e kryeministrit Edi Rama që ishte i pari që e paralajmëroi burgun për Vangjush Dakon, gjithnjë duke i vënë në dukje “miqësinë” që ai nuk duhej ta tradhëtonte për asnjë rast.

    I ftuar në emisionin “Opinion”, mbrëmjen e 13 shkurtit 2020, Rama tha se edhe pse Dako ishte futur në “listën e zezë” të Departamentit Amerikan të Shtetit ai do të mbetet miku i tij edhe sikur të shkonte në burg.

    “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk mi përcakton DASH se kam dhe kë nuk kam mik. Miqtë mi përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër Vangjush Dako është miku im, por me Dakon kurrë nuk kam bërë kurrë dhe as kemi bashkëpunuar në asnjë shkelje të ligjit të Shqipërisë” – shprehej Rama.

    Emri:  Screenshot 2024-02-28 at 10.18.39 AM.jpg

Shikime: 497

Madhësia:  22.3 KB
    (Rama në emisionin “Opinion” duke folur për Vangjush Dakon)

    Vini re se si kujdeset kryeministri të përcjellë kodet e heshtjes mes rreshtave, kur thotë se “miqësia” nuk cënohet edhe po të përfundosh në qelitë e burgut. Në fakt, kështu ndodhi.

    Vangjush Dako qëndroi 9 muaj në burg dhe heshti. Nuk dihet nëse e besoi vërtet ish-kryebashkiaku i Durrësit se goditja i erdhi thjesht dhe vetëm nga amerikanët, apo se ishte miku i tij Rama që e shiti për të qenë në rregull me ndërkombëtarët. Çfarëdo përgjigje t’i ketë dhënë Vangjush Dako kësaj dileme, duhet thënë se në fund të gjithë kanë dalë të kënaqur.

    E kënaqur iku nga Shqipëria ambasadorja amerikane Juri Kim, që mund të raportojë se drejtësia e re futi në burg një “non grata” të sanksionuar për korrupsion nga SHBA. I kënaqur duhet të jetë kryeministri Rama që mund të mburret se nuk e ndikon drejtësinë, edhe kur kjo godet miqtë e tij, por edhe kur mban në arrest, kreun e opozitës. Të kënaqur janë edhe prokurorët e SPAK që me arrestimet e tipit “Dako” thonë se po i japin fund pandëshkueshmërisë, edhe pse i pandehuri kthehet në shtëpi pas disa muajsh paraburgim.

    ©LAPSI.AL

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ish-kryebashkiaku i Durrësit dhe miku i Edi Ramës, Vangjush Dako, del nga qelia e burgut

    2 vite e 8 muaj burg për Vangjush Dakon

    Emri:  1686240595_dako-1.jpg

Shikime: 402

Madhësia:  43.3 KB

    Pas seancave të shumta, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dy raste.

    Rasti i parë ka lidhje me abuzimin e kryer me lejen për ndërtimin e një pallati në Durrës, ku janë përfshirë dokumente të falsifikuara dhe zbardhja e lejes është bërë pasi kishte përfunduar ndërtimi i godinës që ishte i ndryshëm në kate nga sa ishte planifikuar në fillim. Rasti i dytë ka të bëjë me studimin e kryer nga bashkia e Durrësit në lidhje me shëtitoren në qytetin bregdetar ku për shkak të keqllogaritjes në buxhetin e shtetit është shkaktuar një dëm prej qindra mijëra euro. Edhe pse ishte evidentuar më herët nga KLSH, Bashkia e Durrësit nuk kishte marrë masa.

    Avokatët mbrojtës të Dakos dhe 3 të pandehurve të tjerë paraqitën konkluzionet përfundimtare para gjykatës. Në seancën e kaluar SPAK lexoi fjalën e fundit për këtë çështje duke kërkuar deklarimin e fajshëm të të 4 të pandehurve mes të cilëve për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, duke kërkuar fajësimin e tij për shpërdorim detyre, kryer në 2 raste dhe dënim me 4 vite burg. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar Dako përfiton ulje të 1/3 të dënimit dhe masa e kërkuar nga SPAK është një dënim me 2 vjet e 8 muaj burg si fajtor për veprën e shpërdorimi të detyrës në dy raste.

    Koha Jone

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston e fut në burg mikun më të mirë të Kryeministrit Rama, Vangjush Dakon

    Vangjush Dako dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg për shpërdorim detyre

    Gjykata e Posaçme e gjeti fajtor ish-kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako për shpërdorim detyre në dy raste dhe e dënoi atë me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Tre të pandehurit e tjerë të akuzuar për falsifikim dokumentesh u dënuan me nga dy vjet burgim, por masat ndëshkimore u pezulluan dhe u vendosën në shërbim prove.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Vangjush-Dako-zgjedhjet-e-2017.jpg

Shikime: 424

Madhësia:  30.8 KB
    Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë një fushate zgjedhore. Foto: Facebook.

    Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli të hënën më 25 nëntor vendimin për deklarimin fajtor të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe tre të pandehurve të tjerë për paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

    Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor që u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, gjyqtarja Elsa Ulliri vendosi deklarimin fajtor të Vangjush Dakos për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim për faktin penal të ndërtimit të pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k. dhe dënimin e tij me 2 vite e 9 muaj burgim. Për të njëjtën vepër penale u dënua me 2 vjet e 4 muaj burgim për projekt zbatimin e promenadës bregdetare dhe në bashkim të dënimeve u dha masa 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u caktua dhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

    Fajtorë u deklaruan dhe tre te pandehurit Ardian Bulku, Fatmir Ejupi dhe Fiqiri Farruku të akuzuar për falsifikim, të cilët u dënuan përfundimisht me nga 2 vjet burg. Dënimet e tyre u pezulluan dhe u vendosën në shërbim prove për 4 vjet.

    Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

    Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

    Prokurori Kllapi evidentoi gjatë konkluzioneve përfundimtare se megjithëse dëmet financiare ishin konstatuar nga dy institucione dhe iu bënë me dije Bashkisë së Durrësit, pagesat vijuan.

    Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia tetë muaj më vonë pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve. Ai qëndron në masën e sigurimit personal “arrest shtëpie”.

    Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 34
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 11:03
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 11-07-2023, 15:27
  3. Rama pozon ne Durres te "Sfinksi" me Dakon, kritika për betonin.
    Nga benseven11 në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 26-06-2015, 07:44
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-05-2015, 12:07
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-10-2009, 23:12

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •