Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 18
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Rama sjell Zelenskyn / Tirana në shtetrrethim në 28 dhe 29 shkurt

    Emri:  rama-zelensky-1-727x450-1.jpg

Shikime: 75

Madhësia:  28.6 KB

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë, në datat 28-29 shkurt, kur edhe do të mbahet samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

    Zelensky pritet të mbërrijë në Tiranë në mbrëmjen e 27 shkurtit, ndërsa më datë 28, të mërkurën, do të marrë pjesë në samitin ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

    Samiti do të zhvillohet nën masa të larta sigurie. Zbatimi i planit të masave për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë nga Policia e Shtetit do të nisë që më datë 27 shkurt, pasi në mbrëmjen e 27 shkurtit Zelensky mbërrin në Rinas. Në total mbi 1500 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë për samitet. 1500 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Garda, FNSH, RENEA, efektivë të krimeve dhe rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren për mbarëvajtjen e samitit. Po ashtu Garda dhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë për të vëzhguar përveç terrenit edhe rrjetet sociale, nëse do ketë thirrje për destabilitet. Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha fotot e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vendin tonë. Sa i përket sigurisë së personaliteteve që do të jenë në samit prej ditësh në vendin tonë ndodhen edhe ekspertë të huaj, të cilët kanë asistuar ndihmën e tyre në shoqërimin me eksortë të personaliteteve të huaja nga Rinasi. Sidomos një grup i posaçëm që merret me sigurinë e presidentit ukrainas Zelensky. Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.

    Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e z. Zelensky, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

    Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e rrugëkalimit të presidentit ukrainas, i cili do të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e 27 shkurtit.

    Në këtë kuadër, Policia e Shtetit do të bllokojë disa segmente rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë.

    Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit janë në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e Samiteve.

    Për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij Samiti, do të ketë bllokime dhe devijime të disa akseve interurbane dhe urbane, të kryeqytetit.

    Lapsi

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelenskyn vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Shqipëri, gati baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë

    25 shkurt 2024

    Emri:  Capture-133.jpg

Shikime: 45

Madhësia:  25.8 KB

    Nga Jetmira Delia-Kaci për Europa e Lirë

    Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha të dielën se përgatitjet janë drejt përfundimit në bazën ajrore të aleancës ushtarake të NATO-s në qytezën jugqendrore të Shqipërisë, Kuçovë, para se ajo të përurohet më 4 mars.

    Komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, tha se trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj së shpejti do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, tashmë bazë ajrore taktike e NATO-s.

    Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009.

    Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kjo bazë do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.

    “Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale”, shkruan Peleshi në Facebook.

    Baza e Kuçovës u përmend edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë më 15 shkurt.

    “Përgjatë 15 viteve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore të NATO-s në Kuçovë, tha Blinken.

    Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

    Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

    Në kohën kur nisi ndërtimi i kësaj baze, ministri Niko Peleshi pati deklaruar se ky ishte një mesazh i qartë “për aktorët e tjerë me qëllime të këqija” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeo-strategjik të vendit, si dhe të vet aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

    Në ceremoninë për përurimin e bazës ajrore do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të SHBA-së.

    Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.

    Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.

    Koha Jone

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelenskyn vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Nga pritja në Kryeministri te takimi i delegacioneve, detaje nga vizita e Zelenskyt

    Ditën e sotme presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të vijë në Tiranë.

    Sipas burimeve për Euronews Albania bëhet me dije se Zelensky do të pritet nga kryeministri Edi Rama në Kryeministri në orën 09:00 të mëngjesit të nesërm.

    Po ashtu, në orën 11:00 do të bëhet pritja e delegacioneve te Pallati i Kongreseve.

    Në orën 13:30 pritet të mbyllet gjithçka në konferencën e Zelenskyt me kryeministrin Rama.

    Axhenda do të shpërndahet mbrëmjen e sotme në orën 20:00, ndërkohë që detajet për Samitin do të bëhen të ditura nesër.

    Kujtojmë se për vizitën e Zelenskyt në Tiranë do të angazhohen mbi 1 mijë forca policie dhe do të bllokohen disa akse rrugore.

    Zelensky në Tiranë| Nga Vuçiç te Erdogan, të pranishmit dhe fokusi i diskutimeve

    Më 28 shkurt Samit për Ukrainën, më 29 në fokus Ballkani Perëndimor

    Më datë 28 shkurt për herë të parë në Shqipëri do të mbërrijë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. Ai do të marrë pjesë në samitin që do të organizohet në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore.

    Dita e parë e samitit do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit dhe do t’i dedikohet tërësisht Ukrainës dhe situatës së shkaktuar atje nga agresioni rus i nisur që më 24 shkurt 2022. Kreu i shtetit të Ukrainës pritet që të mbërrijë në vendin tonë mbrëmjen e së martës për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve të europës juglindore.

    Gjithçka pritet të zhvillohet në pallatin e kongreseve, vend ku fillimisht do të bëhet pritja e të gjithë liderëve nga kryeministri Rama dhe më pas do të jetë radha e sesioneve që do të zhvillohen të mbyllura, ku në fund të ditës pritet që të ketë një konferencë për mediat.

    Përfaqësuese e Kosovës do të jetë presidentja, Vjosa Osmani, e cila konfirmoi për euronews albania praninë e saj në Tiranë në dy ditët e samitit. Ndërkohë nga Serbia i pranishëm do të jetë presidenti Aleksandër Vuçiç. Po ashtu i pranishëm në samitit për Ukrainën do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan përmes një video-mesazhi.

    Sakaq, dita e dytë e samitit më 29 do të ketë në fokus rajonin mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës ku prezent do të jenë të 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe zyrtarët nga Brukseli. Në këtë takim do të jetë prezentë presidentja e komisionit europian, Ursula Von Der Leyen.

    Euronews

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Rama zbulon në Euronews Albania detajet e vizitës së Zelenskyt në Tiranë



    Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Euronews Albania, Alice Taylor, kryeministri Edi Rama zbuloi detajet e organizimit të Samitit të Paqes që do të sjellë për herë të parë në Shqipëri presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Rama deklaroi se ky samit ka për qëllim t’i tregojë botës se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor qëndrojnë krah Ukrainës, në këtë luftë që ka domethënie edhe për rajonin.

    “Ndihem i përulur dhe i nderuar që bisedova me presidentin Zelensky, dhe që dëgjova prej tij gjëra shumë të vlefshme për Ballkanin Perëndimor dhe rajonin tonë, përfshi disa anëtarë të NATO-s përreth Ballkanit Perëndimor. Ideja për të organizuar samitin na lindi në bashkëbisedim. Në fakt, ftesat i kemi dërguar së bashku dhe samitin po e organizojmë të dyja palët. Në këtë pjesë të botës demokratike, nuk ka probleme me mbështetjen për Ukrainën, për integritetin e territorit të saj. Gjithashtu, nuk ka probleme me të kuptuarit se Ukraina nuk po lufton vetëm betejën e saj, por ajo është domethënëse edhe përtej Ukrainës. Ne bëjmë atë që mundemi. Nuk po mblidhemi në Tiranë për të ndryshuar rrjedhën e gjërave për të gjithë komunitetin demokratik. Në anën tjetër, nuk do të nënvlerësoj kontributin dhe ndikimin, ndaj po bëjmë detyrën tonë dhe sërish mendoj se është nder i madh për Shqipërinë që mirëpret këtë samit”, deklaroi Rama.

    Intervita e plotë e kryeministrit Rama me gazetaren Alice Taylor pritet të jepet në orën 19:00 në Euronews Albania.

    Euronews

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Zelensky nga Tirana: Rusia nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë, vendet që rrezikojnë



    Në përfundim të Samitit të Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, presidenti Volodymyr Zelensky, apeloi që të vijojë ndihma e Perëndimit ndaj Ukrainës, pasi Rusia nuk do të ndalet vetëm në vendin e tij.

    Zelensky tha se Moska nuk e ka gëlltitur rezistencën e Ukrianës dhe ndaj mund të kërkojë destabilizimin e vendeve të vogla.

    Sipas presidentit të Ukrainës, vendet Baltike, Ballkani, Moldavia dhe të gjitha vendet ku Bashkimi Sovjetik ka pasur ndikim janë të rrezikuara nga Moska.

    “Rusia nuk e ka gëlltitur situatën në Ukrainë dhe nuk ia ka dalë dhe në fakt i jam shumë mirënjohës shteteve tuaja dhe të gjithë partnerëve që kanë ndihmuar Ukrianën. Sot nuk duhet të bëjëm pauza por të forcojmë Ukrainën pasi Rusia nuk do të ndalet. E diskutuam dhe me kryeministrin, Rusia del në përfundime për gabimet që ka bërë në Ukrainë dhe për rrjedhojë do të destabilizojë më tej, nëse do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe nëse do të mbijetojë në këtë aggression që ka nisur në Ukrainë, e kam fjalën për të mbijetuar politikisht. Do të pëdorë taktika të tjera në ato vende ku mund të përfitojë suskese të menjëhershme dhe që janë vende të vogla. Kësisoj besoj se vendet Baltike, Moldavia, vendet e Ballkanit, kudo që Bashkimi Sovjetik ka qenë present janë të rrezikuara”, tha Zelensky.

    Ai u shpreh gjithashtu se Ukraina dhe Evropa juglindore duhet të jenë bashkë për t’i siguruar stabilitet rajonit.

    “Ne natyrisht mbështesim dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por edhe ju duhet të na mbështesni në rrugëtimi tonë. Faleminderit për bashkëpunimin dhe vullnetin për këtë samit. Ukraina dhe Evropa juglindore duhet të bashkëpunojnë, duhet të merrni pjesë në samitin global të paqes. Luftën e filloi një person i vetëm, paqen duhet të vëmë të gjithë së bashku”, tha Zelensky.

    Euronews

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Rama në konferencë me Zelensky: Do të jemi krah Ukrainës deri sa të ndodhë paqja



    Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtuan këtë të mërkurë punimet e Samitit “Ukrainë-Europa Juglindore”.

    Rama pas përfundimit të Samitit ka dalë në konferencë me presidentin ukrainas Vku shprehu mbështetjen që iu dha Ukrainës në Samit.

    Më tej ai theksoi se përveç institucioneve shqiptare dhe i gjithë populli ynë është krah Ukrainës, krah të drejtës.

    “Faleminderit të gjithëve që kemi ardhur sot këtu në Tiranë, nga rajoni ynë. Është moment i veçantë për ne këtu në Shqipëri, se nuk jemi vetëm të privilegjuar të mirëpresim kreun e shtetit, por edhe jemi të nderuar të mikpresim një udhëheqës të rezistencës, i cili në fakt nuk ka vetëm të bëjë me qëndresën kundër një agresioni brutal, por qëndron në të njëjtën kohë për demokracinë kundër ëndrrës neoimperialiste.

    Jam i kënaqur që sot patëm mundësinë të theksojmë qëndrimin tonë jo vetëm si një vend si Shqipëria, por një bashkësi vendesh e kombesh që ndajnë një qëndrim në Europën Juglindore që qëndrojnë me Ukrainën, krah së drejtës, për integritetin e vet territorial, për demokracinë. Sa i takon shqip, e kemi bërë të qartë, jam mjaft krenar të them se nuk është vetëm qeveria, parlamenti, vetëm institucionet, por para së gjithash është i gjithë kombi, i gjithë populli i vendit tonë që qëndron krah Ukrainës dhe e mbështet në mënyrë të palëkundur. Do vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës e do ta mbështesim për aq kohë sa do jetë e nevojshme dhe për aq kohë sa të ndodhë një paqe që zgjat”, tha Rama.

    Euronews

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    “Nuk ndalet lufta duke çarmatosur viktimën”- Rama: Të ndihmojmë Ukrainën

    Emri:  wrujh.jpg

Shikime: 35

Madhësia:  15.6 KB

    Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të Samitit ka dalë në konferencë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

    Rama theksoi se Ukraina meriton të mbështetet e të ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për ti rezistuar dhe siguruar çdo paqe.

    Mes tjerash ai theksoi se luftën nuk e ndal duke çarmatosur viktimën por duke ndalur agresorin

    “Ndalja e dhënies së armëve Ukrainës do të sjellë paqen por kjo është cinike. Nuk e ndal luftën duke çarmatosur viktimën por duke ndalur agresorin. Ukraina meriton të mbështetet e të ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për ti rezistuar dhe siguruar çdo paqe që do të vijë pas kësaj lufte të jetë e drejtë dhe mbështetet në parimet e planit 10 pikësh të Zelenskyt” tha Rama.

    Euronews

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Zbardhet deklarata e përbashkët e samitit për Ukrainën: Dënojmë agresionin rus

    Emri:  erhydt.jpg

Shikime: 36

Madhësia:  35.9 KB

    Është zbardhur në faqen zyrtare të kryeministrisë së Shqipërisë deklarata e plotë e Samitit Ukraina, i cili u zhvilluar këtë të mërkurë në Tiranë në pallatin e Kongreseve.

    Në samitin e zhvilluar ditën e sotme morën pjesë Vjosa Osmani, Presidentja Maia Sandu, Presidenti Jakov Milatović, Presidenti Stevo Pendarovski, Presidenti Aleksandër Vuçiç, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, Kryeministri Nikolay Denkov, Kryeministri Andrej Plenković, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu.

    Ata kanë dalë në një deklaratë të përbashkët:

    Ne, Presidentja Vjosa Osmani, Presidentja Maia Sandu, Presidenti Jakov Milatović, Presidenti Stevo Pendarovski, Presidenti Aleksandër Vuçiç, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, Kryeministri Nikolay Denkov, Kryeministri Andrej Plenković, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu u mblodh në Tiranë më 28 shkurt 2024 dhe lëshoi ​​deklaratën e mëposhtme:

    Agresioni i paprovokuar ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Ky akt agresioni është i papranueshëm; është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, dhe një krim kundër popullit ukrainas.

    Ne përsëritëm mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mbizotëruar kundër luftës së agresionit rus për aq kohë sa duhet për të të arrihet një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së dhe në bazë të Formulës së Paqes të Ukrainës.

    Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial.

    Ne dënojmë me forcë synimet e Federatës Ruse për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës, gjë që paraqet një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Theksojmë natyrën e paligjshme të zgjedhjeve të ardhshme në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhya dhe Kherson të Ukrainës.

    Gjatë diskutimeve të sotme në Tiranë, ne rikonfirmuam solidaritetin tonë me Ukrainën dhe popullin e saj në mbrojtjen e tyre heroike të lirisë së tyre dhe vlerave tona të përbashkëta dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, e cila është në përputhje. me Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së dhe të marrë pjesë në Samitin inaugurues të Paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces.

    Ne jemi të bindur se lufta në shkallë të plotë të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka treguar nevojën kritike dhe rëndësinë thelbësore të një Evrope të bashkuar dhe të fortë, e aftë për të përballuar sfidat globale për paqen dhe prosperitetin e popujve tanë. Theksuam se na bashkojnë vlerat e përbashkëta evropiane dhe vizioni i zhvillimit të tyre të mëtejshëm brenda një Evrope të bashkuar.

    Ne riafirmuam vendosmërinë tonë për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përparim të mëtejshëm dhe mbështetje të ndërsjellë drejt anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

    Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur vetë masat e saj të sigurisë. Aleatët e NATO-s dhe vendet aspirante lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit të saj të ardhshëm në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e Aleancës sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë.

    Ne nënvizuam angazhimin tonë të vendosur për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizori sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përmes hetimeve dhe ndjekjeve të duhura, të drejta dhe të pavarura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, duke përfshirë punën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të siguruar që pretendimet për krime lufte dhe krime të tjera ndërkombëtare të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë nga mekanizma të pavarur, efektiv dhe të fuqishëm ligjor.

    Ne ramë dakord të bashkëpunojmë dhe të fokusojmë përpjekjet tona në kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar dhe zhvendosur me forcë në mënyrë të paligjshme dhe të paligjshme.

    Ne zotohemi të rrisim përpjekjet tona bashkëpunuese për të luftuar dezinformimin, duke përfshirë narrativat e rreme rreth luftës, dhe të mbetemi të përkushtuar në luftimin e luftës hibride dhe sfidave të sigurisë kibernetike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e komunitetit ndërkombëtar.

    Sot në Tiranë, ne riafirmuam solidaritetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën, shprehëm angazhimin tonë për të marrë pjesë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës, në mënyrë që t’i mundësojmë popullit ukrainas të rindërtojë vendin e tij, duke angazhuar të gjithë partnerët përkatës, duke përfshirë kompanitë private dhe ndërkombëtare. institucionet financiare, me synimin për të siguruar mbështetjen financiare, investimet dhe njohuritë e nevojshme për të siguruar një të ardhme të begatë për Ukrainën. Ne nënvizojmë rëndësinë e çminimit në kontekstin më të gjerë të rimëkëmbjes së Ukrainës, si hapi fillestar i rëndësishëm drejt kthimit të sigurt të njerëzve dhe rifillimit të aktivitetit ekonomik dhe bujqësor.

    Ne, miqtë e Ukrainës, konfirmojmë besimin tonë të fortë se vetëm duke u bashkuar do të jemi në gjendje të rivendosim paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e drejtë në kontinentin evropian.

    Euronews

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, mediat e huaja i bëjnë jehonë samitit për Ukrainën

    Emri:  IMG_4619.jpg

Shikime: 36

Madhësia:  38.0 KB

    Presidenti ukrainas, Zelensky ka vizituar për herë të parë Shqipërinë, teksa do të marrë pjesë në samitin kushtuar Ukrainës, që do të mbahet në Tiranë. Padyshim që kjo vizitë nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes së mediave të huaja, të cilat kanë pasqyruar lajmin. “Zelenskiy i Ukrainës mbërrin në Shqipëri për samitin e Europës Juglindore”. Ky është titulli që ka vendosur Reuters për vizitën e Zelenskyt në Tiranë.

    Në artikull theksohet mbështetja që i ka dhënë Shqipëria Kievit si një vend i NATO-s duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe kanë dërguar municione në Ukrainë. Po ashtu vizitës i ka kushtuar rëndësi dhe “Associated Press”, ku shkruhet se Zelensky mbërriti në Shqipëri për të siguruar më shumë mbështetje për të mposhtur armikun.

    “Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet e fundit, Shqipëria iu bashkua SHBA-së në inicimin e rezolutave kundër pushtimit rus,” -thuhet në artikullin e AP. Po ashtu vëmendje kësaj vizite dhe samitit i ka kushtuar dhe Daily Mail. “Kjo është hera e parë që Zelensky bën një vizitë në kombin ballkanik që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë.”, -thuhet në artikull. Padyshim që vëmendje të veçantë i ka kushtuar vizitës së Zelenskyt në Shqipëri dhe The Guardian.

    “Volodymyr Zelenskiy ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ku do të marrë pjesë në një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e tyre. Kievi po kërkon mbështetje ndërkombëtare për një plan paqeje të Zelenskiy, ndërsa pushtimi i Rusisë po shkon në vitin e tretë dhe trupat ukrainase përpiqen të ruajnë territoret kundër sulmeve ruse””, thuhet në shkrim. Kujtojmë se Zelensky mbërriti në Aeroportin e Rinasit në orën 23:00, ashtu siç ishte parashikuar. Ai u prit nga ministri jashtëm Igli Hasani, Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali si edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë.

    Lapsi

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Presidenti Zelensky i jep Edi Ramës dekoratën e lartë “Urdhri “Princi Jaroslav i Urti”

    Emri:  ram-zel.jpg

Shikime: 37

Madhësia:  29.9 KB

    Kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënshkruan në ambientet e Kryeministrisë një marrëveshje bashkëpunimi, që sipas tyre, përforcon dhe promovon miqësinë mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

    Para nënshkrimit të marrëveshjes, Volodymyr Zelensky i akordoi Edi Ramës urdhrin “Princi Jaroslav i Urti”.

    “Në vendimin e presidentit të Ukrainës për kontribut të jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetje i dorëzohet “Princi Jaroslav i Urti”, kryeministrit Edi Rama nga presidenti Zelensky”, u tha gjatë ceremonisë sè vlerësimit.

    Video

    Koha Jone

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Rama i bën nderin Vuçiçit, nuk fut në deklaratën e Samitit sanksionet kundër Rusisë

    Emri:  auto_rama1709131769.jpg

Shikime: 38

Madhësia:  39.6 KB

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se deklarata e rënë dakord në Samitin për Ukrainën që u mbajt në Tiranë, nuk i përmend sanksionet kundër Rusisë e as ndikimin keqdashës rus.

    Kjo, sipas tij, u bë e mundur me kërkesë të Serbisë.

    ‘Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë… Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione dhe nuk përmendet ndikimi keqdashës rus’, tha Vuçiç.

    Duke folur për gazetarët pas samitit, ai tha se nuk ishte e drejtë kërkesa e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të mos hiqen këto pika.

    ‘… sepse u thashë, nëse këtë e përjeton kështu një numër i madh prej jush, atëherë le t’i përfshijmë edhe disa që ne konsiderojmë se kanë ndikim keqdashës… dhe pastaj i kanë hequr’, tha Vuçiç.

    ‘U thashë se, pavarësisht dëshirës për të ruajtur ligjin ndërkombëtar dhe miqtë ukrainas, ne nuk mund ta pranojmë këtë’, shtoi presidenti serb.

    Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës që ka nisur në shkurt të vitit 2022.

    Beogradi zyrtar ka mbështetur vetëm disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara, që kanë kundërshtuar pushtimin rus.

    REL

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Ironia e gazetarit/ Edi Rama, menaxheri i krizave të shekullit XXI

    Emri:  auto_1wefsvd1709129423.jpg

Shikime: 37

Madhësia:  29.2 KB

    Nga Lutfi Dervishi

    Në një botë në prag të kaosit, dhe Luftës se Madhe ku liderët botërorë e kanë humbur si Xhaferri simiten, i vetmi udhëheqës që po i jep zgjidhje çdo krizë globale mbetet Kryeministri i Shqipërisë.

    Harroni OKB-në, NATO-n, BE-në apo apo edhe vetë masonët!

    Ku bëhet fjalë për luftë, konflikt, krizë apo mosmarrëveshje, njeriu që jep zgjidhje është vetëm një: Edi Rama.

    Çfarë të përbashkët ka lufta në Ukrainë?

    Lufta në Gaza? Kriza emigranteve në Itali e BE, kriza mes Serbisë dhe Kosovës?

    Emëruesi i përbashkët është angazhimi i përditshëm i Edi Rames që më të drejtë analistet e çështjeve ndërkombëtare e cilësojnë si menaxheri më i suksesshëm i krizave të shekullit 21.

    Ndërsa kryeministri shqiptar vazhdon misionin e tij si paqeruajtës global, intelektualët me të shquar të kohës sonë i bëjnë thirrje Komitetit për çmimin Nobel të mos humbasin shansin historik që humben në vitin 1990, dhënie e çmimit Nobel Ismail Kadaresë. Është koha që çmimin Nobel per Paqen ta marrë Kryeministri i Shqipërisë. Kush me shumë se ai është investuar për Paqen në botë me angazhim të rregullt në median ndërkombëtare, me fjalime në institucione ndërkombëtare si OSBE, Këshilli I Sigurimit të OKB-se, NATO-s dhe BE-së, me pjesëmarrjen në çdo forum e seminar ane e kënd globit?

    A ka qenë më në vëmendje Oslo apo Tirana këto kohë?

    Angazhimi i pa lodhur i kryeministrit të Shqipërisë të kujton një burrë shtetas të madh turk- Ataturkun. Motoja e Ataturkut ishte: paqe në shtëpi, paqe në Botë, Edi Rama ka si qasje diametralisht të kundërt: paqe në botë (në fillim) pastaj paqe në shtëpi (Shqipëri)

    Kjo është dhe arsye që politikisht në Shqipëri nuk ka paqe.

    Opozita ka mbetur në rrugë duke protestuar, kantieret e hapura gjatë këtyre 10 viteve kanë mbetur rrugëve sepse thjesht dhe shqip kryeministri i Shqipërisë nuk ka kohë për të menduar e jo me të zgjidhe probleme të rëndomta si infrastruktura, funksionimi normal i Parlamentit, apo reforma zgjedhore?

    Po të merrej Edi Rama me këto probleme banale me të drejtë gjithkujt do t’i kujtohej proverbi: fshati digjet...

    Ndaj nëse shqiptarët duan të dalin të protestojnë le të protestojnë ndaj Melonit, Makronit, Sholcit, Shunakut dhe Bajdenit që e kanë lënë vetëm Edi Ramen për të përballuar i vetëm luftërat dhe konfliktet globale.

    Të paktën këto liderët e tjerë të merreshin me problemet tona…

    Syri

  13. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Çfarë fiton Shqipëria duke ndihmuar Kievin? Rama i prerë: Po e bëjmë për veten! Ndihemi të kërcënuar për të ardhmen

    Emri:  rama-ne-tirane-ee.jpg

Shikime: 36

Madhësia:  22.7 KB

    Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë konferencës së përbashkët për media me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky se Shqipëria ka dhënë mbështetje për Ukrainën pasi ndihet e kërcënuar për të ardhmen e vetë.

    Sipas Ramës agresioni rus është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, por për gjithçka që Shqipëria mendon se është e ardhmja e saj, pra Bashkimi Evropian.

    Video

    “Ne e kemi mbështetur Ukrainën edhe me paketa mbështetjeje të cilat nuk janë hua. Nuk janë as pjesë e ndonjë biznesi, nuk u kemi kërkuar të paguajnë mbrapsht nga mundësitë tona modeste. Jemi të vetëdijshëm që kjo është diçka shumë e vogël, sepse po e bëjmë për veten tonë. Drejtpërdrejtë. Ky nuk është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, por për gjithçka që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja jonë. Nëse duam një të ardhme në BE, duam BE-në, nuk duam ta shohim të shpërbërë pasi të hyjë në një luftë të brendshme për vlerat apo veprimet e justifikuara apo jo.

    Ka pasur shumë sanksione ndaj Rusisë. Problemi është se nëse i merr një të varfri diçka nuk është se kjo do e bëjë të ndryshojë mendjen, por nëse ia merr të pasurit ai do të humbasë mendjen. Për ne ky është çelësi, ne kërkojmë të bashkohemi me BE, por në të njëjtën kohë kërkojmë bashkëpunim të plotë me rajonin. Ne jemi brenda BE fizikisht, por jashtë politikisht, ndaj duam të integrohemi plotësisht dhe nuk duam që ky organizëm të shpërthejë ose nuk do të kemi një të ardhme. BE nuk është parajsë, por nuk ka dyshim që është një ferr i gëzueshëm, jo një ferr i përgjakshëm”, u shpreh ai.

    Balkanweb

  14. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Pikëpyetje mbi samitin me Zelenskin në Tiranë, cili është roli i Aleks Soros?

    Nga Genc Burimi

    Është e padiskutueshme që morali dhe interesi i çdo shteti demokratik europian e lyp të jesh sot në krah të popullit martir ukrainas. Ardhja e Zelenskit në Tiranë e radhit pa dyshim Shqipërinë në anën e duhur të historisë. Kjo nuk është meritë e veçantë e qeverisë aktuale shqiptare.

    Çdo qeveri tjetër në Tiranë do të kishte bërë të njëjtën gjë me Ukrainën sot ashtu dhe si u veprua dhe dje me mikëpritjen me ujgurët, me opozitën iraniane apo afganët. Qeveritë e Shqipërisë pro perëndimore reflektojnë në vetvete aspiratat e shqiptarëve të cilët i thonë jo Putinit dhe bashkë me të çdo lloj forme diktature dhe autoritarizmi që na kujton ish-regjimin komunist shqiptar më i egri në Europë.

    Por ardhja e Zelenskit në Tiranë përtej simbolikës së fortë të rezistencës së demokracive ndaj ‘aksit të së keqes’ përmban dhe disa pikëpyetje. Do të veçoja tre syresh :

    Pse u neglizhua Kosova?

    Ardhja e Zelenskit në Tiranë bëri një viktimë pa dashje . Kjo qe Kosova. Ajo pësoi një poshtërim të panevojshëm si pasojë e trysnisë më të madhe që patën mbi Ukraniën dhe Perëndimin interesat serbe duke lënë në hije ato të Kosovës.

    Deri tani, nuk është pushuar së kritikuari Kosova e Albin Kurtit se ajo nuk po vepron karshi Serbisë sipas rekomandimeve të Shba-ve dhe të BE-së. Aq shumë janë bërë publike këto kritika saqë jemi mësuar me to dhe është krijuar një ndjesi e rreme sikur rolet janë përmbysur, Kosova nga aleate është shndërruar në problem për Perëndimin , në të kundërt me Serbinë e cila nga problem është shndërruar në një ‘madonë’ që duhet marrë më të mirë.

    Shembulli më i spikatur qe samiti me Zelenskin ne Tirane. Pa rrëfimet e vete presidentit serbem s’do e kishim mësuar se sa poshtë ra jo vetëm perëndimi por dhe vetë presidenti ukrainas përballë një Vuçiç që ua futi këmbët në një këpucë me tekat e tija.

    Vuçiç tregoi me mburrje për mediat serbe, sesi në një mbledhje me vizio një natë para samitit me Zelenskin u imponoi perëndimorëve në prani dhe të Erdoganit dhe Micotaqit, dy gjëra themelore në lidhje me Rusinë: mos të përmendeshin në deklaratën finale të vizitës së Zelenskit në Tiranë as sanksione ndaj Rusisë dhe as roli minues i Rusisë në Ballkanin pèrëndimor. Dhe si me magji, këto dy aspekte nuk figuruan në deklaratën finale.

    Kur Kosova thjesht guxon për interesin e saj kombëtar të refuzojë një tekst marrëveshje asociacioni të komunave serbe me përmbajte sipas orekseve të Beogradit, i merret erzi botërisht. Por kur Vuçiç insiston në dëm të interesave të Ukrainës dhe të bashkësisë perëndimore, të mos i vërë sanksione agresorit rus, dhe mos ta shpalle atë si të rrezikshëm për paqen edhe në rajonin ballkanik, jo vetëm që nuk gjen një burrë shteti perëndimor t’i marre erzin publikisht Serbisë siç e bëjnë me Kosovën, por përkundrazi ia mbajnë sekret opinionit publik të palarat me Vuçiçin siç kanë qenë negociatat për deklaratën finale me Zelenskin në Tiranë.

    Një poshtërim i dytë e priste Kosovën në Tiranë. Mungesa e flamurit të Kosovës aty ku ishte i pranishëm Vuçiç ! Edhe kjo ne emër të interesave të Serbisë rë diktuara nga Vuçiç në Tiranë? Sa e largët duket ajo ditë në fillimet e qeverisjes së Edi Ramës kur ky I fundit I tha Vuçiçit në Beograd : “Kosova shtet është realitet , sa më shpejt ta njihni aq më mirë do jetë për ju !” Por ja që kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por po e kundërta po ndodh, është Serbia që po i dikton Edi Ramës mu në zemër të Tiranës mos ekzistencën e shtetit të Kosovës.

    Kështu ndodhi vjeshtën e kaluar, kur dy përfaqësues të lartë te Shtetit serb në vizitë në Tiranë për samite ndërkombëtare, për shkak të pranisë së flamurit të Kosovës refuzuan të merrnin pjesë ne fotot zyrtare. Kështu veproi në Tiranë edhe ministri i jashtëm serb Dadiç edhe kryeministrja serbe Bernabiç.

    Për të evituar një bojkot të ri, kësaj here të vetë presidentit serb në Tiranë, Vuçiç, a e pati më kollaj Rama të zhdukë fare nga imazhi flamurin e Kosovës? Nëse ka ndodhur vërtetë kështu, presidentja e Kosovës Vjollca Osmani duhet të kishte bërë dhe ajo të njëjtin gjest të bojkotonte dhe të bojkotojë çdo instancë ku nuk do të figuronte flamuri i Shtetit të Kosovës.

    Cili është ekzakt statusi i Aleks Sorros pranë autoriteteve shqiptare

    Një nga fotot zyrtare që na u servir nga samiti me Zeleneskin në Tiranë nxirrte në plan të parë , Kryeministrin Rama dhe menjëherë pas tij dy figura të njohura publike: Taulant Balla, ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe Aleks Sorros për të cilin nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga autoritetet shqiptare se çfarë statusi apo rangu gëzon ai në ekipin kryeministror.

    Nuk është fjala këtu për të bërë ‘Sorros bashing’ sepse fundi I fundit ai përfaqëson një emër të madh në botë dhe një mbështetje totale ndaj kauzës së Ukrainës. Por fakti është se nuk numërohen rastet kur Alex Sorros shfaqet krah për krah Edi Ramës në samite ku Shqipëria është pjesëmarrëse. Një pyetje e tillë nuk është ngritur asnjëherë për shembull në lidhje me Toni Bler.

    Marrëdhëniet me të Rama i ka qartësuar duke e prezantuar si këshilltar i qeverisë shqiptare. Vetë Bler e ka pranuar këtë status duke sqaruar se e ushtron falas. Por për Aleks Sorros nuk është dhënë dhe vazhdon të mos jepet as dhe më i vogli sqarim, duke i dhënë këtij të fundit një status pa status si ai i disa guruve perëndimorë pranë presidentëve të republikave bananiere në Afrikë. Statusi i vetëm zyrtar i njohur për Aleks Sorros është lidhja me fondacionin Sorros themeluar nga i ati i tij Xhorxh Sorros.

    Por si të tillë atë nuk e shohim krah apo mbrapa liderëve të vendeve të tjera ku vepron fondacioni Sorros. A mund ta sqarojë kryeministri i Shqipërisë taksapaguesin shqiptar sesi duhet kuptuar prania konstante e Aleks Sorrosit në samitet ku populli shqiptar përfaqësohet nga kryeministri?

    Çfarë përmban plani shqiptaro-ukrainas për prodhim të përbashkët municionesh në Shqipëri

    Por pika më intriguese e samitit me presidentin ukrainas në Tiranë mbetet momenti kur Zelenski kërkoi bashkëpunim për prodhim municionesh. Shumë pyetje shtrohen për të evituar pikërisht mangësitë në komunikim në rastin e planit Rama Meloni kur opinioni publik u vu para faktit të kryer të një plani të negociuar muaj më parë.

    Kur Zelenski foli për prodhim municionesh, a përfshin ai në këtë plan vende të Ballkanit Perëndimor apo vetëm Shqipërinë. Serbia ka mohuar për shembull se me Zelenskin është negociuar një gjë e tillë. Në rast se është vetëm Shqipëria, a jemi në stadin e një dëshire apo negociatat dypalëshe kanë avancuar konkretisht ? Kush do i prodhonte këto municione në Shqipëri, qeveria shqiptare, ajo ukrainase, qeveri perëndimore, me ndërmarrje publike, apo shoqëri private me tendera?

    Cili do jetë modeli ekonomik i kësaj industrie lufte, Shqipëria do i shesë Ukrainës dhe Perëndimorëve municionet e prodhuara, apo Ukraina do të kishte uzinat e saja dhe roli I Shqipërisë do të kufizohej në vënien në dispozicion të një territori për një uzinë siç po e bën Rama me Melonin për kampet e refugjatëve?

    Përgjigjet ndaj këtyre pikëpyetjeve janë jo vetëm një detyrim në shoqëritë demokratike por dhe një demonstrim vlerash përballë një Rusie agresive dhe diktatoriale që ka si udhërrëfyes sekretin dhe manipulimin e opinionit të saj publik.

    Balkanweb

  15. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Pasi e zbrazi Shqiperine nga shqiptaret ne nje kohe rekord, brenda 10 vjetesh ne pushtet, tani piktori-kryeminister, Edi Rama, ka vendosur qe ta ktheje Shqiperine ne "Ukrainen e Ballkanit", duke e vene ne shenjestren ruse. Gjithe jeta e atyre shqiptareve qe jetojne ne Shqiperi sot eshte e rrezikuar, pasi kryeministri i tyre vendosi te behet pale ne nje konflikt qe nuk ka lidhje aspak me interesat e popullit shqiptar.

    Shpjegimi i dhene nga kryeministri Rama kur e pyeten ishte se arsyeja perse ai po e implikon vendin e tij ne konflikt pasi sipas tij e ndjen rrezikun rus ne Ballkan dhe sipas tij rreshtimi me vendet e NATOs e eleminon kete rrezik duke i ofruar Shqiperise mbrojtje nga ombrella e madhe e NATOs. Se pari, rreziku rus ne Ballkan eshte i ekzagjeruar. Shqiperia eshte ne kufi mes Evropes Lindore dhe asaj Perendimore, dhe para se te ndihet Shqiperia e kercenuar nga rreziku rus, kemi te pakten 10 shtete te tjera anetare te NATO ne Evropen Lindore qe jane me afer kufirit me Ukrainen e Rusine se Ballkani e shqiptaret. Se dyti, te gjithe ata burra shtetet ne Perendim, qe llogarisin se NATO do t'iu ofroje siguri e mbrojtje ne nje konflikt te hapur NATO-Rusi, jane duke bere gabimin me te madh te mundshem. Kur kreret e shteteve ne Evropen Perendimore flasin per NATO, nuk kane parasysh gjithe vendet anetare te NATO, por kane parasysh vetem SHBA dhe ushtrine e saj. Amerikanet e kane qene garantet dhe sponsorizuesit e sigurise se kontinentit plak per 75 vjetet e fundit. Ideja se amerikanet do te dergojne ushtare e do te bejne lufte ne mbrojtje te vendeve anetare te NATOs eshte qesharake. Nuk ka vullnet politik ne SHBA per te marre pjese ne asnje konflikt ushtarak, pas fiaskove historike ne Afganistan e Irak. Dhe garancite qe diplomatet e burrat e shtetit amerikan japin per vendet anetare te NATOs jane garanci boshe, jane nje bllof. Kjo do te kuptohet vetem ate dite kur Rusia do te sulmoje nje vend anetar te NATOs dhe gjithe Evropa Perendimore do te ktheje koken nga Amerika per te pare nese do ti vijne ne ndihme apo jo. Amerika do te qendroje ne vend numero dhe do te beje vetem denoncime me fjale. Le te lutemi dhe te shpresojme se ajo dite nuk vjen kurre e konflikti nuk pershkallezohet deri ne ate pike.

    Politika e jashtme shqiptare nuk duhet te jete e prirur nga lojrat e te medhenjve, por duhet te jete e prirur nga interesat e popullit shqiptar ne Ballkan. Them popullit shqiptar e jo shtetit shqiptar, pasi kemi me shume se nje shtet ne Ballkan ku jetojne shqiptaret. Dhe duke qene edhe nje popull relativisht i vogel e i rrudhur, ne nuk e kemi lluksin e pjesmarrjes ne asnje konflikt ushtarak te te medhenjve. Ne nuk kemi djem te tepert qe t'i dergojme te vriten ne betejat e cmendura te luftes se amerikaneve apo ruseve. Cdo burre shteti shqiptar qe e ndjen barren e kesaj pergjegjesie ne kete moment historik, nuk perzihet ne konfliktin NATO-Rusi ne Ukraine. Dhe nese NATO i kerkon Shqiperise qe te dergoje trupa ne Ukraine, kjo duhet refuzuar kategorikisht, deri ne largim nga aleanca e NATOs. Shqiperia duhet te ngreje zerin brenda aleances jo per pershkallezim te luftes, por per gjetjen e nje zgjidhje diplomatike te konfliktit dhe rivendosjen e paqes ne Evrope.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-03-2024 më 03:23

  16. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Ish-shefi i Shtabit: Të shqyrtohet rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak



    Ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi, është shprehur se Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse.

    Komentet Gjunkshi i bëri në Euronews Albania, ku tha se drejtuesit ushtarakë dhe politika duhet të shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    Ai tha se shumë vende të NATO-s e aplikojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe shtoi se njerëzit duhet të trajnohen dhe edukohen në përdorimin e pajisjeve mbrojtëse.

    “Jo vetëm vende që janë në kufij me Rusinë, por edhe ne si vend sovran dhe si vend anëtar i NATO-s duhet të mendojmë për rritjen e kapaciteteve tona. Në këtë kuadër jo vetëm në fushën e investimit dhe të modernizimit me teknologji, por edhe në fushën e edukimit.

    Sepse teknologjia paraprihet me edukim. Sepse njerëzit duhet të trajnohen, të edukohen, të mësojnë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse.

    Ndoshta të kthehemi edhe te shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Sot jemi 100 % ku shërbimi nuk është i detyrueshëm, por edhe kjo çështje duhet të shikohet e të rimendohet. I takon drejtuesve ushtarakë, por kryesisht politikës që të marrin një vendim për këtë. Ka shumë vende të NATO-s që shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kanë me ligj”, tha Gjunkshi.


    Euronews

  17. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,545
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Rama ekspozon “trurin e ri teknologjik” të ushtrisë. Reagon Rusia: Do përdoret për sulme hibride ndaj nesh

    Emri:  Rama-ushtria1.jpg

Shikime: 8

Madhësia:  38.8 KB

    “Qendra e re e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes shënoi me hapjen e saj një epokë të re të zhvillimit teknologjik dhe modernizimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”.

    Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë, teksa ka marrë pjesë në inaugurimin e qendrës së re të inovacionit të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

    “Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”, u shpreh Rama.

    VIDEO

    Po këtë të mërkurë, Rusia ka reaguar me anë të zëdhënëses të Ministrisë së Jashtme të saj, Maria Zakharova, e cila ka akuzuar NATO-n dhe BE-në se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme ndaj Rusisë.

    Zakharova deklaroi se një qendër e tillë po hapet edhe në Shqipëri, duke pretenduar se misioni i qendrës do të jetë që të ndihmojë në “krijimin e një imazhi negativ për Rusinë”.

    Po ashtu, Zakharova paralajmëron se në këtë formë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibdride në Ballkan, duke shtuar se “rajoni ka tepër probleme politike”.

    Zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse pretendon se një qendër e ngjashme është krijuar në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, për të cilën, ushtarakët rusë thonë se vepron në sferat ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike, informative, mjekësore dhe të tjera për të dëmtuar imazhin pozitiv të Rusisë. Zakharova ka akuzuar NATO-n për manovra të rrezikshme lufte.

    “Aktualisht, në marrëdhëniet me Rusinë, blloku është kthyer në mendësinë e Luftës së Ftohtë. Në dokumentet e doktrinës së tij, vendi është shpallur, po e citoj ‘kërcënimi më i madh i drejtpërdrejtë’. Ka një grumbullim aktiv të ushtrisë në kahun lindor. Stërvitje ushtarake janë të një shkalle të paprecedentë. Po përgatiten për luftë kundër Rusisë dhe as që e fshehin”, deklaroi ajo.

    Zëdhënësja e Moskës gjithashtu ka thënë se NATO nuk ka vend në botën e re multipolare dhe se është “në optikën e Rusisë”.

    (Balkanweb)

  18. #18
    i/e regjistruar Maska e Jetmiraaa
    Anëtarësuar
    03-11-2023
    Vendndodhja
    Tokë
    Postime
    730

    Për: Zelensky vjen në Tiranë: A po e kthen Rama Shqipërinë në një vatër të konfliktit NATO-Rusi?

    Më vjen mirë që vëllai im edhe unë nuk u futëm tek ushtria .
    E ndjeja që po vjen një val lufte.
    Uroj që Zoti të shoh për ne,se për shtetin ne kemi vdekur me kohë.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 10-07-2023, 23:15
  2. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 22-05-2023, 21:08
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 25-08-2022, 16:37
  4. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 06-07-2022, 13:13
  5. Situata e konfliktit Rusi - Gjeorgji
    Nga RaPSouL në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 267
    Postimi i Fundit: 14-10-2008, 22:12

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •