Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,958
    Postimet në Bllog
    18

    Drejtuesi i aeroportit: Rinasi do të arrijë 10 milionë pasagjerë në vit brenda 3 vjetësh

    Intervistë me Piervittorio Farabbi – Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës

    Emri:  Piervittorio-Farabbi-1.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  13.2 KB

    Rinasi do të arrijë 10 milionë pasagjerë brenda tre vitesh, fluturime edhe në linjat transatlantike

    Rritja e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) pritet të jetë e shpejtë edhe në vitet në vijim.

    Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, pohon se brenda tre vitesh, numri i pasagjerëve parashikohet të arrijë në 10 milionë.

    Paralelisht do të investohet për zgjerimin e kapaciteteve të TIA në shumë elemente, si shtimi i parkimeve, trefishimi i përmasave të terminalit, rinovimi i pistës dhe zgjatja e saj, gjë që do të mundësojë funksionimin e linjave transatlantike me Kanadanë dhe SHBA-në.

    Interesi për të filluar fluturimet në Rinas është i lartë nga operatorët tradicionalë dhe me kosto të ulët, jo vetëm nga Europa.

    “Ne po kërkojmë të zgjerohemi në Lindjen e Mesme (tashmë ka disa fluturime, disa prej të cilave gjatë gjithë vitit) dhe Azinë Qendrore”.

    Z. Farabbi thotë se “Kastrati Group”, si aksioneri i vetëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, deri në fund të vitit 2024 do të përfundojë projekte të rëndësishme, që kapin vlerën 60 milionë euro.

    Investimet që do të kryhen në aeroport pritet të kalojnë me 40% vlerën fillestare të investimeve prej 100 milionë eurosh, që ishte kusht i marrëveshjes koncesionare.

    Si do ta vlerësonit ecurinë e TIA-s në vitin 2023, krahasuar me pritshmëritë tuaja? Cilët janë faktorët kryesorë që ndikuan në këtë progres?

    Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pësuar një zhvillim rrënjësor gjatë viteve të fundit. Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës (TIA) u rendit ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Europë (të dhënat e ACI Europe), 40% më shumë se në vitin 2022.

    Më e rëndësishmja, TIA ka përfunduar me sukses rimëkëmbjen e trafikut ajror pas COVID-19, më shpejt se shumë aeroporte të tjera në mbarë botën, me pothuajse 120% rritje krahasuar me vitin 2019.

    Nuk mund të ishim më të lumtur se kaq, për këtë reagim mbresëlënës të tregut shqiptar të aviacionit, i cili është indikatori kryesor në performancën e jashtëzakonshme të sektorit të turizmit shqiptar, duke kapur shifrën rekord prej 10 milionë turistësh në vitin 2023.

    Një ndër faktorët kryesorë të suksesit të padiskutueshëm është zgjerimi dhe investimet kapitale për rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të aeroportit dhe për pasojë, rritja e numrit të fluturimeve direkte dhe kompanive ajrore ndërkombëtare që operojnë tashmë në Shqipëri.

    Një rol të pazëvendësueshëm në këto rezultate ka edhe promovimi i vendit në arenën ndërkombëtare nga qeveria shqiptare dhe të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, si një perlë e natyrës dhe traditës, në zemër të Europës.

    Që kur Kastrati Group mori në pronësi Aeroportin e Rinasit, sa është vlera e investimeve në këtë aeroport?

    Kastrati Group ndërmori një hap të guximshëm, duke marrë kontrollin e plotë të TIA-s, në mes të krizës më të rëndë botërore të aviacionit, në vitin 2021.

    Megjithatë, grupi zgjodhi të investojë menjëherë në nxitjen dhe mbështetjen e linjave ajrore që shprehën interes për të vendosur dhe për të rritur praninë e tyre në Shqipëri me më shumë fluturime, avionë më të mëdhenj dhe krijimin e bazave të mëdha operacionale, siç është rasti i “Wizzair”.

    Gjithashtu, për të përballuar një rritje të tillë, u planifikuan menjëherë investime për të përmirësuar përvojën e pasagjerëve në TIA.

    Për të kuptuar më qartë natyrën e këtyre investimeve, është e rëndësishme të kujtojmë se marrëveshja aktuale e koncesionit kërkon që operatori i aeroportit të investojë 100 milionë euro në infrastrukturat e reja, deri në vitin 2040.

    Ndërkohë, Kastrati Group, si aksioneri i vetëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, deri në fund të vitit 2024 do të përfundojë projekte të rëndësishme që kapin vlerën 60 milionë euro.

    Investimet që do të kryhen në aeroport pritet të kalojnë me 40% vlerën fillestare të investimeve prej 100 milionë euro.

    Si pritet rritja e numrit të pasagjerëve për vitin 2024 dhe më pas në terma afatmesëm? A mund të bëni një ndarje midis të huajve dhe vendasve? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë në këto parashikime, (skenarët pozitivë dhe negativë)?

    Parashikimi ynë i fundit për vitin 2024 ka një objektiv prej 9 milionë pasagjerësh (MPPA), pra një rritje prej 25% nga viti 2023.

    Kjo vjen edhe si rezultat i efektit të madh të rrjetit të kompanisë ajrore “Ryanair”, që në një kohë të shkurtër, mund të ndikojë ndjeshëm në arritjen e shifrave të parashikuara.

    Duke u bazuar te kërkesat e reja që kemi nga kompani të ndryshme ajrore ndërkombëtare, ne projektojmë që në tre vitet e ardhshme të arrijmë 10 milionë pasagjerë në aeroport, sepse ka tregje ku ende kemi hapësira për të ofruar shërbime.

    Gjithashtu, shohim se ka ndryshim në raportin e udhëtarëve ndërkombëtarë, duke u shtuar më shumë udhëtarët që udhëtojnë për turizëm dhe punë sesa ata që vizitojnë miq dhe familjarë.

    Emri:  TIA-Aeroporti-i-Rinasit-3-1119.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  42.4 KB

    Sa ka ndihmuar kthimi i vendit në një destinacion turistik në rritjen e aktivitetit tuaj dhe anasjelltas?

    Ka padyshim një ndërvarësi midis trafikut të regjistruar nga TIA dhe shifrave të regjistruara nga sektori i turizmit shqiptar.

    Siç u përmend më lart, rritja e TIA-s në vitin 2023 ishte pothuajse 40%, ndërsa prurjet ndërkombëtare u rritën gjithashtu nga 7.5 milionë në 2022 në më shumë se 10 milionë në 2023, pothuajse 35% rritje.

    Është e qartë se fushata e marketingut që promovon Shqipërinë në mbarë botën po funksionon në mënyrë efektive në nxitjen e interesit dhe aeroporti vepron si lehtësues kryesor, veçanërisht për tregjet jo lehtësisht të arritshme.

    Cilat janë planet për hyrjen e linjave të reja ajrore dhe shtimin e destinacioneve?

    Gjithmonë e më shumë operatorë, si ata historikë, ashtu edhe low-cost (LCC), kanë shfaqur interes për të nisur aktivitetin në Tiranë, në disa raste duke prezantuar fluturime të planifikuara në destinacione ku më parë i kryenin vetëm avionët çarter.

    Interes nuk ka vetëm nga Europa. Ne po kërkojmë të zgjerohemi në Lindjen e Mesme (tashmë ka disa fluturime, disa prej të cilave gjatë gjithë vitit) dhe Azinë Qendrore.

    Por, më e rëndësishmja, me investimet që po realizojmë, së shpejti do të fillojnë të operojnë fluturimet e sigurta edhe në linjat transatlantike për në Kanada dhe SHBA.

    Bisedimet janë duke u zhvilluar me operatorët e atyre tregjeve dhe ne shpresojmë të përfundojmë analizën e fizibilitetit sa më shpejt.

    Sa parashikohen investimet në afatin e mesëm për rritjen e kapaciteteve të aeroportit?

    Kapaciteti i aeroportit matet si emërues i përbashkët i shumë elementeve, ose nënsistemeve të ndryshme. Nuk mjafton, për shembull, zgjerimi i terminalit për të rritur kapacitetin e përgjithshëm, pasi varet edhe nga mënyra se si menaxhohet hapësira ajrore.

    Si i tillë, TIA dhe Kastrati Group kanë adresuar të gjitha nënsistemet kyçe, duke planifikuar investime në ambiente të reja parkimi makinash dhe pajisje sigurie moderne, duke trefishuar përmasat e terminalit dhe duke shtuar 50% më shumë vend-qëndrimet e flotës ajrore.

    Nga ana operacionale, rinovimi i planifikuar i të gjithë aeroportit, pistës dhe rrugëve lidhëse, do të lejojë TIA-n të rrisë efektivitetin e bashkëveprimit me AlbControl, me synimin për të zbatuar së bashku A-CDM (optimizimi i burimeve për rritjen e eficiencës së aeroportit) në Shqipëri dhe për të rritur kapacitetin e pistës me 50%, që përkthehet në rritje të trafikut ajror (Air Traffic Movement) në orë.

    Tashmë është duke u punuar për zgjatimin e pistës, në mënyrë që të lejojë që fluturimet në distanca të gjata të funksionojnë pa kufizime.

    Sa konkurrent do të jetë për ju Aeroporti i Vlorës, duke qenë se punimet kanë nisur tashmë?

    Aeroporti i Vlorës do të jetë një vlerë e shtuar për aviacionin shqiptar, që do të ndihmojë gjithashtu për rritje në planin e gjerë europian. Është konceptuar si aeroporti që i shërben Rivierës Shqiptare, duke ofruar transferta të shkurtra për grupet e përzgjedhura turistike që vizitojnë Shqipërinë.

    Ne e mirëpresim rolin e këtij aeroporti, për t’i shërbyer sa më mirë numrit gjithnjë e në rritje të pasagjerëve, veçanërisht të turistëve që vizitojnë vendin.

    REVISTA MONITOR

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,958
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Drejtuesi i aeroportit: Rinasi do të arrijë 10 milionë pasagjerë në vit brenda 3 vjetësh

    Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kap “qiellin” me turistë, 63 % me shumë se vitin e kaluar!

    Emri:  Capture-39.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  39.1 KB

    Qëkur Kastrati Group mori nën administrim aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, si dhe nga rritja e investimeve në turizëm prej qeverisë, ka një rritje të madhe të turistëve të huaj në Rinas. Tre-mujori i parë i këtij viti nis me një rritje të jashtëzakonshme në numrin e udhëtarëve për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, krahasuar me vitin e kaluar.

    Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024, TIA raporton 63.9% më shumë udhëtarë sesa e njëjta periudhë, vitin e kaluar. Plot 1,910,616 pasagjerë kanë hyrë dhe dalë nga kjo portë që tashmë është kryesore për Shqipërinë, krahasuar me 1,166,000 pasagjerë, për tre-mujorin e parë të vitit 2023.

    Vlen të theksohet që viti 2023 ishte gjithashtu një vit rekordi në shifra udhëtarësh ku deri në fund të muajit dhjetor u numëruar mbi 7.2 milion pasagjerë. Kjo ka qene shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, e cila ishte edhe pika më e madhe e fluksit të turizmit në vend ku në total, në të gjithe Shqipërinë u regjistruan 10 milion udhëtarë.

    Me marrëveshjet e reja për linjat low cost si edhe me shtimin e madh të linjave të reja me destinacione direkte, TIA vijon të ketë rritje të pakrahasueshme udhëtarësh dhe kjo është mëse e dukshme edhe nga shifrat e këtij viti. Drejtuesit e aeroportit kanë parashikuar që për vitin 2024 të mirëpresin mbi 9 milion pasagjerë, por me trendin e deritanishëm, ky target duket se do të tejkalohet. Muajt me fluksin më të madh pritet të jenë muajt maj – tetor, periudhë kur janë shtuar edhe shume destinacione direkte, sezonale, për të rritur sa më shumë mundësitë për pushimet verore. Për të përballuar këtë fluks, TIA ka zgjeruar terminalin si edhe është duke punësuar staf sezonal që t’i përgjigjet me shërbim udhëtarëve të shumtë.

    Së fundmi Iberia, ka nisur lidhjen direkte me Madridin. Që prej muajit qershor, Tirana do të lidhet direkt me Kuwait, përmes Jazeera Airways. Me Croatia Airlines, nisin fluturimet direkte drejt Zagrebit, nga 20 qershori. Air Baltic shton qytetin e Rigës si destinacion në periudhën maj – tetor. WizzAir shton Valencian dhe Leipzig në listën e destinacioneve të këtij viti. Sun Express do të ketë linjë direkte me Izmirin për sezonin qershor – tetor. LOT Polish Airline dyfishon prezencën drejt Varshavës, duke shtuar operimet edhe me aeroportin e ri të Radom, prej qershorit. Transavia ka nisur lidhjen direkte me Amsterdamin si edhe do të fillojë fluturimet drejt Lyon, prej muajit prill. RyanAir do të shtojë Marsejën, Kalabrinë, Brimingamin dhe Bristolin, nga Tirana. Aegean do të lidhë Tiranën me ishullin e Rhodos dhe Heraklion (Kretë) përgjatë muajve qershor – tetor. Norwegian çel destinacionet drejt Kopenhagen dhe Oslo, gjatë muajve maj – tetor. Antalia do të jetë e aksesueshme nga Tirana që prej qershorit, me Pegasus. Po nga muaji qershor, nisin fluturimet direkte shtetin ende të paeksploruar të Omanit, me Salam Air. Ndërsa Stutgarti lidhet me Tiranën, me Eurowings, duke nisur nga marsi e në vazhdim.

    Planet strategjike të Kastrati Albania, zotëruesi i 100% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, nuk ndalen me kaq. TIA vijon punën intensive për t’u zgjeruar edhe më tej me një terminal edhe më të madh. Ndërsa, përsa i përket planeve të linjave ajrore, synon të lidhë Tiranën drejtëpërdrejtë me kontinentin e Amerikës, brenda vitit 2025. Për realizimin e kësaj rritjeje ambicioze, puna ka nisur si për terminalin e ri ashtu edhe për shtimin dhe rinovimin e pistës, që do të presë avionët ndër-kontinentalë.

    Por gjithçka ka një emër: Kastrati Group!


    Koha Jone

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 01-05-2023, 14:56
  2. Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 02-01-2012, 02:54
  3. Berisha: Brenda 2 vjetësh Shqipëria do të eksportojë energji elektrike
    Nga irexha në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 10-02-2007, 12:51
  4. Suedia planifikon nje ekonomi te pavarur nga nafta brenda 15 vjetesh
    Nga D@mian në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-04-2006, 08:08
  5. Suedia planifikon nje ekonomi te pavarur nga nafta brenda 15 vjetesh
    Nga D@mian në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 14-02-2006, 07:22

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •