Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 14
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    PS voton me urgjencë projektin e qeverisë për ndërtime në zonat e mbrojtura

    Shumica socialiste në Kuvend kaloi të hënën në komisionet parlamentare nismën e qeverisë për Zonat e Mbrojtura duke i hapur rrugë ndërtimit pa kriter brenda tyre, pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit Europian dhe organizatave mjedisore.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Laguna-e-Karavastase-1536x1025.jpg

Shikime: 43

Madhësia:  37.4 KB
    Laguna e Karavastasë | Fot nga Nensi Bogdani? BIRN

    Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese e Mjedisin miratoi vetëm me votat e shumicës në një mbledhje online variantin final të projektligjit që u prezantua fillimisht si nismë nga disa deputetë socialistë, sipas draftit të qeverisë, të cilat i hapin rrugën zhvillimit turistik dhe ekonomik të Zonave të Mbrojtura.

    Shumica miratoi me urgjencë propozimin në disa komisione parlamentare të hënën duke e kaluar për votim në seancë plenare të enjten pa marrë parasysh kundërshtimet e organizatave mjedisore dhe Bashkimit Europian.

    Komisioni përgjegjës refuzoi kërkesën e ambasadorit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato për të rihapur konsultimet me shoqërinë civile dhe palët e interesuara për këtë nismë mbi propozimet e ardhura nga qeveria

    Gjatë votimit nen për nen, ky komision përfshiu në projektligjin fillestar të deputetëve pothuajse të gjitha propozimet e ardhura nga qeveria duke i dhënë Këshillit Kombëtar të Territorit autoritetin vendimtar për veprimtaritë që do të zhvillohen brenda këtyre zonave dhe lejimin zhvillimit turistik dhe infrastrukturor në to.

    Komisioni miratoi pa ndryshim nenin 33 të propozuar nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sipas të cilit lejohen; “veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur”.

    Në propozimet e qeverisë ishte dhe një variant tjetër i këtij neni që vinte si propozim i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për lejimin e investimeve strategjike dhe çdo projekti strategjik që vendoste qeveria.

    Me ndryshimet e reja do të ngrihet një strukturë paralele me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për administrimin Parqeve Kombëtare.

    Para se të miratohej në komisionin e Mjedisit, projektligji u miratua me rezerva në komisionin e Ligjeve dhe atë të Integrimit.

    Deputeti Pandeli Majko kundërshtoi për procedurë nismën e deputetëve duke e quajtur këtë një çështje politikash që i takonte qeverisë. Madje, ai aludoi se deputetët kishin marrë përsipër të bënin “detyrën” e strukturave ekzekutive.

    “Të jemi shumë të kujdesshëm, pasi ndërhyrjet që janë bërë në këtë ligj, të jem i sinqertë duket sikur jemi në rolin e Ponc Pilatit, po bëjmë punën e dikujt që nuk donte të dilte të thoshte ky është propozimi”- tha ai gjatë diskutimit.

    Ndërkohë në komisionin për Çështjet Evropiane u shqyrtua shkelja që ky projektligj i bën direktivave të BE-së për përafrimin e legjislacionit, marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe deklaratës së të drejtave të njeriut të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm.

    Drejtuesja e mbledhjes, nënkryetarja Etilda Gjoncaj, tha se sugjerimet e ardhura nga zyra e Kuvendit për përafrimin e legjislacionit për nene të veçanta të projekligjit do t'i paraqiten komisionit përgjegjës.

    “Të mbahen në konsideratë për përputhje me nenin 108 MSA, pikën 37 të kartës së të drejtave të njeriut dhe direktivën për mbrojtjen e habitatit dhe të natyrës”- tha ajo duke kërkuar të riformuloheshin nenet në përshtatje me detyrimet e mësipërme.

    Ndërsa kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në një konferencë për mediat akuzoi mazhorancën se po bën një krim ekologjik duke i hapur rrugë betonizimit të këtyre zonave.

    “Një lëvizje e tillë jo vetëm kundërshton angazhimin tonë ndërkombëtar dhe thyen direktivat e Bashkimit Europian, konventat e nënshkruara nga qeveritë shqiptare ndër vite, por i hap rrugën dhe një zhvillimi që është më shumë i dëmshëm se sa i dobishëm në ato zona”- tha ajo.

    Arben Pëllumbi, kryetar i komisionit për Mjedisin, i tha BIRN-it pas mbledhjes, se ishin marrë parasysh këto sugjerime. “Ligji nuk synon asnjë përafrim dhe nuk shkel asnjë direktivë”- tha ai, ndërsa shtoi se gjithashtu ishin marrë parasysh dhe kërkesat e shoqërisë civile.

    Ndërkohë komisioni i Ligjeve dhe ai për Integrimin refuzuan kërkesat për dëgjesa nga shoqëria civile duke e konsideruar këtë si çështje të komisionit të Mjedisit.

    Propozimet fillestare për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura u bënë nga një grup deputetësh socialistë me argumentin se po i përgjigjeshin një shqetësimi të kryetarëve të bashkive që kërkonin më shumë kompetenca mbi territoret e ZM-ve.

    Por drafti i tyre u hodh poshtë nga vetë nismëtarët në shumicën e propozimeve, pasi Këshilli i Ministrave i dërgoi Kuvendit një propozim të ri me emërtimin “dhënie mendimi” duke përdorur një truk procedurial për të shmangur konsultimin publik.

    Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kërkuan të premten parlamentit dhe qeverisë që të tërhiqen nga propozimet e paraqitura dhe të hapin procesin për këshillim mjedisor me organizatat, institucionet shkencore dhe partnerët ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së natyrës.

    Ata këmbëngulën se të gjithë ndryshimet e propozuara janë të rrezikshme për të ardhmen e ZM-ve, shkojnë në kundërshtim me frymën e ligjit aktual, me normat dhe praktikat evropiane dhe me çdo detyrim ligjor të këshillimit publik.

    Ndryshimet, sipas organizatave, vulosin fundin e sistemit të mbrojtjes për këto zona dhe biodiversitetit në Shqipëri.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    BE letër Kuvendit: Të shqetësuar për draftin e qeverisë mbi Zonat e Mbrojtura

    Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i kërkon Kuvendit që të rihapë konsultimin publik dhe të bëjë transparencë për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, pas draftit të ri të dorëzuar nga qeveria që lejon investimet strategjike brenda tyre.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Silvio-Gozato-dhe-Arben-Pellumbi-gjate-ne-takimi-1536x1025.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  46.4 KB
    Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato dhe Arben Pellumbi gjatë në takimi ku është diskutuar projektligji për zonat e mbrojtura | Foto: Delegacioni i BE

    Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka shprehur shqetësimin për propozimet e qeverisë për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura me qëllim lejimin e investimeve strategjike brenda tyre, përmes një letre të derguar në adresë të kreut të komisionit parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, një kopje e së cilës është parë nga BIRN.

    Sipas letrës së firmosur nga Gonzato, Bashkimi Europian pret nga Shqipëria – një vend në proces negocimi për anëtarësimin – që t'i përshtasë politikat e veta mbi mjedisin me orientimet dhe direktivat e legjislacionit europian.

    Duke iu referuar propozimeve të qeverisë për lejimin e investimeve strategjike dhe aktiviteteve të tjera brenda Zonave të Mbrojtura, ambasadori i BE-së rikujton qëndrimin e progres-raportit të vitit 2023 për ligjin kontravers për investimet strategjike.

    “Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura,” citohet raporti në letër, duke shtuar se “për më shumë qeveria propozon të lejojë ndërtimin e një numri veprash infrastrukturore mbi vaditjen (kullimin) dhe mbrojtjen nga përmbytja në zonat e mbrojtura”.

    Në këtë kontekst, ambasadori i BE-së në Tiranë kërkon që komisioni të bëjë një ekzaminim të kujdesshëm të këtyre propozimeve dhe të rihapë procesin e konsultimit me aktorët e interesuar dhe organizatat mjedisore në vend.

    “…Duke pasur parasysh implikimet e rëndësishme të mundshme të propozimeve të bëra nga qeveria, unë besoj se një ekzaminim i kujdesshëm duhet garantuar përpara se komisioni të vazhdojë më tej, duke përfshirë kriteret për autorizimin e ndërtimeve dhe aktiviteteve në zonat e mbrojtura, si dhe masat mbrojtëse, p.sh. vlerësimet e ndikimit në mjedis,” sugjeron ambasadori Gonzato.

    Po ashtu, ai i rekomandon Pëllumbit që komisioni parlamentar të rihapë procesin e konsultimeve “në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse” për propozimet e reja të ardhura nga qeveria.

    Përpjekjet e qeverisë dhe të deputetëve socialistë për të modifikuar ligjin e Zonave të Mbrojtura kanë shqetësuar jo vetëm Bashkimin Europian, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare, pjesë e projektit EU4Nature, të tilla si Agjencia Suedeze për Zhvillim, UNDP apo Bashkëpunimi Italian-AICS. Këto shqetësime i janë bërë të njohura edhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në një takim të mbajtur në fillim të shkurtit.

    Propozimet fillestare për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura u bënë nga një grup deputetësh socialistë, por drafti i tyre u anashkalua pasi Këshilli i Ministrave i dërgoi Kuvendit një propozim të ri me emërtimin “dhënie mendimi”.

    Organizatat e shoqërisë civile e kundërshtuan fort projektligjin e deputetëve gjatë seancave dëgjimore, por ato kërkuan që të ketë seanca të tjera dëgjimore për draftin e dorëzuar nga qeveria, duke i parë propozimet e reja si më të rrezikshme për shkatërrimin e Zonave të Mbrojtura.

    I pyetur nga BIRN nëse do të pranonin kërkesën e BE-së për hapjen e konsultimeve publike mbi draftin e qeverisë, kreu i komisionit, Arben Pëllumbi* u përgjigj: “Komisioni jonë i ka kryer të gjitha dëgjesat e kërkuara dhe ka adresuar shumicën e shqetësimeve të shoqërisë civile”.

    Projektligji u votua me urgjencë të hënën në komisionet e përhershme parlamentare dhe shkon të enjten në seancë plenare.

    *Shkrimi u përditësua për të reflektuar përgjigjen e kreut të komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit, Arben Pëllumbi.


    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Tedi Blushi: Zonat e mbrojtura do të kthehen në sheshe ndërtimi për resorte e pallate

    Emri:  auto_Tedii1708521119.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  17.6 KB

    Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë , Tedi Blushi në një deklaratë për mediat foli në lidhje me ligjin për zonat e mbrojtura i cili u votua ditën e sotme në parlament.

    Blushi tha se Kuvendi është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm të qeverisë, ndërsa theksoi se me këtë ligj zonat e mbrojtura do të masakrohen.

    Kuvendi i Shqipërisë është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm të Qeverisë.

    Edhe seanca e shëmtuar plenare që pamë sot rikonfirmoi qartë se Kuvendi është zhytyr në kaos dhe paligjshmëri totale dhe është shndërruar në një “rrobaqepsi” që qep ligje me porosi dhe për llogari të oligarkëve, në dëm të interesit publik dhe kombëtar.

    I tillë ishte edhe miratimi pa debat dhe transparencë i ligjit të shumëkontestuar për masakrimin e zonave të mbrojtura, që nga sot do të kthehen në sheshe ndërtimi për resorte, komplekse pallatesh apo biznese që të ushqejnë xhepat e oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës, me pasurisë tonë kombëtare dhe të mirat publike.

    Partia e Lirisë i bëri thirrje “Rilindjes” të tërhiqej nga kjo nismë antikushtetuese dhe e qepur vetëm për llogari të hajdutëve të pronës dhe pasurisë kombëtare, por për fat të keq kjo nuk ndodhi.

    As protestat, shqetësimet dhe indinjata e drejtë e shoqërisë civile, ekspertëve dhe mbrojtësve të mjedisit, si dhe të Delegacionit të Bashkimit Europian nuk u morrën parasysh.

    Me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti dhe pasojat shumë të rënda do të jenë të pakthyeshme dhe me kosto të parikuperueshme edhe për vetë turizmin.

    Tërheqja nga rendi i ditës i projektligjit për Amnistinë Penale ishte gjithashtu një tjetër dëshmi tronditëse se si institucioni i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është marrë peng nga Edi Rama dhe është shndërruar në një gazermë pazaresh mes hajdutësh, ku interesat mafioze të “Rilindjes” prevalojnë mbi interesin publik, ndaj dhe ligjet hiqen dhe futen në rendin e ditës, sipas vlerave të rryshfetit dhe pazareve politike.

    Ka kohë për fat të keq që Kuvendi i marrë peng nga “Rilindja” nuk miraton më ligje në dobi të qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, siç janë edhe minatorët e nderuar në pension që protestojnë prej kohësh për të drejtat e tyre legjitime.

    Partia e Lirisë mbështet plotësisht kërkesat e drejta dhe plotësisht të realizueshme të minatorëve, që edhe sot u tubuan para dyerve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por që askush nuk denjoi as t’i takonte.

    “Rilindja” e ka mendjen vetëm të vjedhë me PPP, koncencione, rrugë të florinjta dhe me inceneratorët që nuk ekzistojnë, jo te minatorët që as ilaçe për të shëruar mushkëritë dhe kuruar pasojat e rënda të një jete nën tokë nuk blejnë dot.

    Partia e Lirisë përkrah protestën e minatorëve të moshuar të mashtruar nga “Rilindja” që sot nuk kanë status minatori dhe asnjë lloj përfitimi për punën e vështirë, që kanë kryer.

    Ne i mbështesim të gjitha propozimet e minatorëve të mashtruar nga “Rilindja”, veçanërisht për miratimin e statusit të minatorit, të përfitimit të 135% të pagës minimale, si dhe të garantimit të plotë të shërbimeve shëndetësore falas, përfshi ilaçet për kurimin e sëmundjeve kronike që u janë shkaktuar nga nëntoka.

    Partia e Lirisë ka nisur një betejë pa kthim politike, parlamentare, ligjore dhe institucionale për të mbrojtur dhe rivendosur të gjitha të drejtat e pensionistëve duke garantuar jo vetëm mirëqënien e tyre, por edhe dinjitetin që ata meritojnë në të ardhmen.

    Pensionistët dhe grupet në nevojë janë varfëruar më shumë si për shkak të mos rritjes të duhur të pensioneve dhe përfitimeve sociale, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor.

    “Rilindja” që vitin 2013 premtoi pensione të larta, por në 11 vite ka bërë të kundërtën.

    Në total indeksimi dhe rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5% në fund të vitit 2023, krahasuar me fundvitin 2013.

    Kjo do të thotë që pensioni i pleqërisë në fund të vitit 2023:

    Në zonat urbane pensioni mesatar i pleqërisë do të duhej të ishte sot në nivelin 26,332 lekë në muaj kur ndërkohë është 18,842 lekë.

    Ndërsa në zonat rurale sot pensioni i pleqërisë do të duhej të ishte në nivelin 14,477 lekë në muaj kur ndërkohë është 11,239 lekë në muaj.

    Sot Qeveria e Edi Ramës i ka borxh secilit pensionist në qytet 7,489 lekë çdo muaj dhe secilit pensionist në fshat 3,238 lekë çdo muaj për shkak të mosindeksimit mbi bazën e rritjes së çmimeve.

    Ndaj dhe Partia e Lirisë do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë.

    Partia e Lirisë do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës.

    Gjithashtu Partia e Lirisë dhe grupi i saj i ekspertëve shëndetësorë kanë propozuar:

    Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.

    Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore.

    Nga këto propozime dhe nisma të tjera të prezantuara nga Partia e Lirisë do të përfitojnë edhe ish-minatorët e mashtruar dhe të tallur nga “Rilindja”, që sot protestojnë për bukën e gojës para dyerve të ministrive.

    Opozita e vërtetë dhe e bashkuar, së bashku me qytetarët e lirë, plot dinjitet, guxim, kurajë dhe trimëri ka nisur më 20 shkurt betejën pa kthim për çlirimin e Shqipërisë nga e keqja e personifikuar nga tradhëtari Edi Rama dhe Qeveria e tij.

    Populli është shumicë në këtë vend dhe ora e llogaridhënies për një grusht hajdutësh, oligarkësh dhe kriminelësh, që ka marrë peng vendin, po afron.

    Syri

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Miratohet ligji që shkatërron zonat e mbrojtura/ Zhupa: BE është kundër

    Video

    Në seancën plenare ditën e sotme është miratuar me 74 vota pro edhe projektligji për zonat e mbrojtura. Jashtë Kuvendit është mbajtur një protestë nga aktivistë të cilët kanë qenë kundër miratimit të këtij ligji.

    Edhe deputetja e opozitës, Ina Zhupa reagoi për mediat pas miratimit të ligjit që lejon ndërtimin në zonat e mbrojtura. Zhupa është shprehur se ky ligj lejon shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe po bëhet në interes të oligarkëve që janë të lidhur me qeverinë.

    "Siç e ndoqët, kjo seancë sot ka filluar me një protestë të shoqërisë civile, sepse sot në seancën plenare kaloi një ligj, i cili është përfundimisht shkatërrmi i zonave të mbrojtura në vendin tonë. Ky ligj është në shërbim të oligarkëve që janë pranë Ramës dhe në vetvete është një masakër ndaj mjedisit.

    Ky ligj nuk bën asgjë tjetër përveçse heq mbrojtjen e zonave të mbrojtur dhe i kthen këta zona në sheshe ndërtimi, të cilat firmosen “fap e fap e fap” nga Rama. Ne do të bëjmë gjithçka për ta ndaluar këtë në Gjykatë Kushtetuese.

    Për këtë ligj ka reaguar BE, sepse shkel shumë konventa si ajo e Bernës, ku Shqipëria aderon dhe lidhen me mbrojtjen dhe konservimin e natyrës dhe është një ligj me porosi pasi projekti në Divjakë-Karavasta është bërë gati për të ndërtuar. Dikush ka pasur sigurinë nga Rama se do të mund të ndërtojë, pasi nuk do të hidhte para në projekte.

    Sot nëse ti pret një pemë në pyll, ti dënohesh, nëse vret një kafshë të egër, ti dënohesh, por nëse ti sot shkatërron dhe ndërton në mes të zonave të mbrojtur ku vret dhe dëmton pa fund, ti quhesh investitor strategjik. Ky është standardi, ne kemi në ligj për moratorium dhe ndalimin e prerjeve të pyjeve dhe kemi një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura dhe se si qëndrojnë dy ligje në kundërshtim me njëri-tjetrin, e di vetëm Mirela Kumbaro që është ministrja me e dështuar e kulturës dhe e mjedisit sot dhe Rama, i cili po e trajton Shqipërinë një plaçkë.

    Ligjet që prekin përtej një mandati të qeverisë do të duhet të shprehet populli me referendum."


    Syri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Braçe sulmon aktivistët mjedisorë pas protestës kundër ligjit të Zonave të Mbrojtura

    Pasi u përball me protestues që e cilësuan të turpshme votën e tij për ligjin që i hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i sulmoi aktivistët duke i akuzuar si ‘hajdutë mjedisorë”.

    Nga Vladimir Karaj

    Pasi socialistët votuan në unison ligjin që u hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u përball me aktivistë që protestonin jashtë dyerve të parlamentit dhe që e cilësuan të turpshëm votimin prej tij.

    Braçe u kundërpërgjigj me një sulm ndaj aktivistëve mjedisorë përmes një postimi të gjatë në Facebook, duke i cilësuar ata si “hajdutë mjedisorë”.

    “Nuk ka shans asnjë nga ju hajdutët mjedisorë, të vendosë emrin tim në krah të një akti ligjor apo antiligjor, grabitës, vjedhës, shpërdorues, dëmtues, përvetësues -mbi të gjitha, në Divjakë apo në çdo cep të vendit”, shkroi Braçe, pak pasi ai dhe kolegët e tij votuan ligjin e kundërshtuar nga organizatat e mbrojtjes së mjedisit dhe Bashkimi Europian.

    Pa ofruar asnjë fakt, Braçe i akuzoi ata se kishin përfituar padrejtësisht fonde dhe se nuk kishin bërë asgjë për të mbrojtur parkun “Divjakë-Karavasta”.

    “Thënë këtë, tani është koha e nis transparenca – do e bëj unë, për çdo qindarkë kombëtare e ndërkombëtare, deri tek e fundit e marrë në emër të Divjakës,” shkroi Braçe.

    Ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura u miratuan të enjten me 74 vota nga deputetët socialistë përmes një procedure të diskutueshme në shmangie të konsultimit publik. Drafti u paraqit fillimisht si një nismë e 12 deputetëve, por u ndryshua thuajse tërësisht në Kuvend pasi qeveria dërgoi variantin e vet që e quajti “dhënie mendimi”.

    Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato paralajmëroi përmes një letre para votimit mazhorancën se drafti përfundimtar binte ndesh me konventat dhe legjislacionin e BE-së për biodiversitetin dhe kërkoi konsultime publike gjithëpërfshirëse me organizatat mjedisore.

    Shumica socialiste bëri një vesh shurdh ndaj këtyre kërkesave dhe kaloi ligjin në kuvend me urgjencë. Ky votim u shoqërua me protestë të aktivistëve të mjedisit. I pyetur nga BIRN se mbi ç'prova i bazonte akuzat ndaj aktivistëve mjedisorë, Braçe nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

    BIRN

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Emër për emër/ Deputetët anonimë që propozuan shkatërrimin e zonave të mbrojtura

    Emri:  12-deputetet-zonat-e-mbrojtura.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  44.2 KB

    Të enjten kuvendi i Shqipërisë miratoi në një seancë 4 minutshe, me 74 vota të PS-së ndryshimet ligjin për zonat e mbrojtura, që i hap përfundimisht rugën ndërtimeve dhe betonit, në parqet natyrore që janë një pasuri e çmushme e të gjithë shqipëtarëve. Opozita e cila e kundërshtoi këtë plan të ri plaçkitjeje denoncoi emër për emër deputetët rilindas, që u bënë “nismëtarë” për ndryshimin e ligjit të vitit 2017, që u kundërshtua nga ambientalistët vendas dhe nga Bashkimi Evropian.

    Ata janë (nga e majta në të djathtë rreshti sipër) Fadi Nasufi (qarku i Beratit), Florenc Spaho (Elbasan), Arkend Balla (Durrës), Edona Bilali (Shkodër), Bujar Çela (Lushnje), Anduel Tahiraj (Vlorë).

    (Reshti poshtë nga e majta në të djathtë): Shpresa Marnoj (Lezhë), Mirela Pitushi (Fier), Denis Deliu (Durrës), Klodiana Spahiu (Durrës), Enslemvera Zake (Korçë), Eduart Ndreca (Lezhë).

    Emri:  zonat-e-mrojtura.png

Shikime: 31

Madhësia:  100.7 KB

    Lapsi.al bëri një kërkim të shpejtë në rrjet. Pëpos Fadil Nasufit që është një socialist i vjetër dhe ka qenë edhe kryetar bashike i Beratit dhe Edona Bilalit të cilën nga askushi Rama vendosi ta bëjë për disa kohë ministre, pjesa tjetër janë krejtësisht anonimë. Pothuajse nuk flasin kurrë në kuvend. Nuk mbahen mend për asnjë qëndrim, ide apo tezë politike disa prej të cilëve është e vështirë ti gjesh edhe duke lundruar në google.

    Por edhe atyre që u gjendet emri shfaqen aty ose se kanë një një kushëri të burgosur, ose se kanë zëvendësuar një koleg të dënuar me mandat të hequr, ose se parkojnë makinën si të fortë në trotuar, ose si nëna me shumë fëmijë, ose si barby që shkojnë me minifund në sallën e parlamnetit. Pra kjo bandë anonimësh ka marrë përsipër betonizmimin e zonave të mbrojtura. Natyrisht, gjithkush e di se ta nismëtarë të ndryshimit të ligjit kanë qenë vetëm formalisht, madje as mund të kenë marrë mundimin ta kenë lexuar relacionin shoqërues. Por pikërisht këtë, këta deputetë simbol të ‘banalitetit të së keqes” janë treguesi më i mirë se deri në ç’pikë ka degraduar partia që drejton sot vendin dhe parlamenti i kontrolluar prej saj.

    Ndryshimet e “propozuara” nga 12 deputetët dhe të miratuara me 74 vota rrezikojnë sipas aktivistëve mjedisorë dëmtimin pa kthim të natyrës së mbrojtur, duke lejuar ndërtime të rënda brenda tyre për arsye ekonomike dhe turistike. Në seancë u votua një projekt draft i shpënë në parlament në momentin e fundit pa konsultim publik, dhe pse zyra e BE i kërkoi Kuvendit ta tërhiqte, pasi dispozitat binin ndesh me legjislacionit europian për mjedisin.

    Ndryshimet ligjore të qeverisë lejojnë brenda Zonave të Mbrojtura “struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur”. Këtej e tutje do ti takojë K.K. të Territorit që pa konsultimin publik të vendosë rregullat dhe kriteret për zhvillimin e këtyre zonave.

    ©Lapsi.al

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Zonat e mbrojtura ‘hidhen në erë’, si do të gllabërohet Divjaka nga resorti gjigant i biznesmenit me origjinë turke

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-02-18-at-22.57.40-768x432-1.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  28.8 KB

    Nga Artan Rama

    Një projekt zhvillimi ka mbërritur në territorin e mbrojtur të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Materiali mban titullin Kingcoast Divjaka dhe sipas autorëve, ai “synon të shndërrojë këtë thesar të fshehur të Evropës, në një destinacion magjepsës pushimesh, të pakrahasueshëm në rajon”. Fjala është, jo vetëm për një pjesë të parkut, por për të gjithë territorin e tij, që prej Emisarit të Myseqezë poshtë në jug, e deri pranë Grykëderdhjes së Shkumbinit, lart në veri.

    Projekti reklamon zonën qendrore e cila ndodhet nën mbrojtje strikte dhe parashikon ndërhyrje të zgjeruara, të cilat, në rrethanat kur mbrojtja ndaj parqeve kombëtare dobësohet për shkak të ndryshimeve të fundit ligjore të propozuara, e bëjnë më të lehtë zbatimin e tij.

    Fotografitë e siguruara, të një materiali me rreth 200 faqe, tregojnë se pishat do t’u hapin vend ndërtimeve, rrugëve me asfalt dhe vegjetacionit artificial. Peizazhi i kurorave të gjelbra të pishave mesdhetare do të alternohet me platforma të sheshta, mbi të cilat do të “mbillet” bar prej farave të kultivuara nëpër laboratorë. Për aq sa mund të shohim prej materialit të siguruar, ndërhyrja do të jetë totale, jo vetëm në volum por edhe në karakter.

    Bëhet fjalë, jo thjesht për një resort turistik, që do të kufizohet vetëm në një pjesë të parkut, por për diçka akoma më komplekse, akoma më të madhe, e cila mund të përfshijë edhe qendrën urbane të qytetit të Divjakës.

    Pak njerëz mund t’i kenë kushtuar vëmendje një vizite të Ramës në bashkinë e Divjakës, muajin e shkuar. Ndoshta ngaqë ishte jo në stilin shpërthyes të takimeve të tij, me të cilat publiku bombardohet prej vitesh. Kryeministri tregoi interes për zhvillimin e turizmit dhe kërkoi një plan më të integruar zhvillimi për Divjakën, ku mund të përfshihej edhe qeveria edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh), biznesi, apo donatorë të tjerë; një ndërmarrje të cilën ai e quajti: një model të integruar që do të na shërbejë edhe për bashkitë e tjera.

    Kjo etje për ndërhyrje, si dhe propozimi i projektit në fjalë po ndodh në kohën kur një dyzinë deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë kanë propozuar ndryshimin e ligjit “ Për zonat e mbrojtura”. Ndryshimet parashikojnë rënien e zonimeve, çka sjell rënien e mbrojtjes, duke e bërë realizimin e projektit, lehtësisht të mundshëm.

    Nga ana e tij edhe ministria e Turizmit dhe Mjedisit, po tregon të njëjtin oreks për ndërhyrje brenda zonave të mbrojtura, ndonëse detyra e saj është që të balancojë nevojën për turizëm me ruajtjen e integritetit ekologjik të territoreve. Kumbaro po nxit publikisht ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, ndërkohë që Konventa e Bernës kërkon pezullimin e punimeve. Kumbaro përsëriti të njëjtën gjë, me kokëfortësi, vetëm dy ditë, pasi ky pezullim iu kërkua zyrtarisht qeverisë shqiptare, përmes përfaqësuesit të saj në Këshillin e Evropës.

    Gjatë fushatës propagandistike për shpalljen e Lumit Vjosa park kombëtar, Edi Rama është përpjekur që t’i intimidojë përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, duke i quajtur si të bezdisshëm në përpjekjet e tyre për mbrojtjen e natyrës. Ai u përpoq të bënte të njëjtën gjë edhe me zyrtarët ndërkombëtarë, kur në një prej takimeve publike, me një stil mafioz, u tha: na respektoni, nëse doni që t’ju respektojmë!

    “Ky nuk është një projekt. Ky është një destinacion”, – shprehet Cevdet Caner, në materialin prej 200 faqesh, duke prezantuar vizionin mbi projektin “Kingcoast Divjaka”. Ende nuk dihet përmasa e përfshirjes së Cevdet Caner në këtë projekt, një manjat, jo pak i ekspozuar në tregun e pasurive të paluajtshme, i cili operon brenda një tabloje surreale, prapa së cilës fshihen njolla të mëdha. Ai është një investitor austriak, pinjoll i një familje emigrantësh turq, një emër i rëndësishëm i bankave të pasura dhe klient i shumë avokatëve. Mediat europiane e përshkruajnë si biznesmen me shkathtësi të pazakontë në tregun e shitjeve të aksioneve të pasurive të paluajtshme; një konsulent kyç për disa qindra kompani aksionere në të gjithë botën. Ai është drejtori dhe aksioneri kryesor i “Aggregate Holdings”, pesha strategjike e projekteve të së cilës arrin në rreth 10 miliardë € në tregun e shitjeve (2022). Pak kohë më parë, “Viceroy Research”, një kompani hulumtimi financiar publikoi dokumente dhe e cilësoi Cevdet Caner si bosin e fshehtë të një klani kleptokratik me ndikim në tregun e pasurive të paluajtshme në Gjermani. Ai vizitoi Shqipërinë verën e shkuar, përafërsisht në të njëjtën kohë kur në zyrat e administratës filloi të ngjizej idea e ndryshimit të ligjit për zonat e mbrojtura. Përgatitja e “Kingcoast Divjaka” përfundoi pas disa muajsh dhe u përcoll e gatshme në tetor: nuk dihet ende se cilët janë porositësit këtu.

    Ndërkohë, projekti është përgatitur nga “NIU Invest” një kompani gjermano-britanike, e themeluar rishtas. Nuk ka të dhëna se në ç’rrethana “NIU Invest” u përfshi në këtë ndërmarrje. Poshtë në bazë, nuk konfirmohet fakti që përfaqësues të kompanisë të kenë vizituar territorin e parkut.

    Referuar të dhënave të pakta në dispozicion, renderat grafikë arrijnë të përcjellin impaktin e mundshëm, pas zbatimit të projektit në terren. Ndërtimet do t’i afrohen bregut, fare pranë rërës. Peizazhi do të transformohet përgjithmonë, drejt një strukture të rëndë urbane. Interieret duken luksoze dhe të shtrenjta, çka na bën të mendojmë se do të shiten me çmime të larta. Natyrisht që e gjelbra shet.

    Punët pritet që të vështirësohen. Qeveria ka përvojën e “Divjaka Resort Tourist Development”, një projekt i ngjashëm, i propozuar nga “MABETEX Group” pak vite më parë, që u anulua ende pa filluar mirë, falë kundërshtimit prej një grupi, relativisht të madh, aktivistësh mjedisorë. Por këtë herë, qeveria do të dijë si ta mbrojë ndërhyrjen brenda parkut, madje ka filluar qysh tani: pa njoftuar asnjë lajm për të. Nga bashkia e Divjakës, nën shoqërinë e Erjon Braçes, deputeti i cili është në favor të çdo projekti që parashikohet brenda parkut kombëtar, kryeministri kërkoi që Divjaka të shërbejë si model për bashkitë e tjera. Në këtë kontekst, projekti nuk ofrohet si një propozim i veçuar, lehtësisht i kritikueshëm, për interesa të një grupi aksionerësh vendas apo të huaj, siç ka ndodhur më parë. Në të kundërt, ai reklamohet si shpëtim për të ardhmen dhe propagandohet si mekanizëm zhvillimi i jashtëzakonshëm që synon të rikthejë, jo vetëm shpresat, por edhe shqiptarët e larguar. “Rikthimi i shqiptarëve” është motivi kryesor që është marrë nga Kuvendi i Shqipërisë për të justifikuar ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.

    Në të vërtetë, dallimi se kush është pro natyrës dhe kush është kundër saj, po bëhet i vështirë. Fjalët dhe retorika e gjelbër ka pushtuar komunikimi publik të qeverisë Rama. Aktualiteti është gjelbëruar edhe më shumë nga një tjetër fushatë propagandistike: 2024: Viti i Pyjeve. Të ashtuquajturat forca vullnetare, prapa të cilave grumbullohen militantë të urdhëruar, e kanë shndërruar kalendarin vjetor mjedisor global pjesë të trushplarjes së gjelbër që orkestrohet nga strukturat e partisë socialiste.

    Arben Pëllumbi, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, në Kuvendin e Shqipërisë, po përmbyll diskutimin nen për nen të ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura, vetëm disa orë përpara se të kalojnë për votim në seancë plenare. Në kushtet kur opozita mungon në Kuvend, ndryshimet pritet që të miratohen me shumicën e votave të një partie.

    Të nesërmen, projekte të tilla si “Kingcoast Divjaka” do të jenë të shumta në Shqipëri. Por shpresat për rikthimin e njerëzve do të mbeten të pakta. Duhet kuptuar se projektet që synojnë transformime të mëdha, veçanërisht, brenda parqeve kombëtare, sjellin pashmangshmërisht dy pasoja: shkatërrimin e parqeve dhe begatimin e fare pak individëve, pasuritë dhe jeta e të cilëve konsumohet mijëra kilometra larg katastrofës që këto transformime shkaktuan.

    Emri:  Photo-2.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  44.2 KB

    Emri:  Photo-1-768x597-1.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  57.9 KB

    Emri:  Photo-3-696x511-1.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  25.6 KB

    Emri:  Fq-9.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  28.4 KB

    Emri:  Photo-4.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  44.6 KB

    Emri:  Photo-6.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  46.9 KB

    Emri:  Photo-6.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  46.9 KB

    Citizens-channel

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    ‘Investimet strategjike’: Qeveria pro zgjatjes së afatit, por kundër forcimit të kritereve

    Pas nismës së deputetit Eduard Shalsi për zgjatjen e afatit dhe forcimin e kritereve të ligjit kontrovers “Për investimet strategjike”, Këshilli i Ministrave rrëzoi prothuajse të gjitha propozimet e tjera përveç shtrirjes së efekteve deri në vitin 2027.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Rama-Kumbaro-1536x1101.jpg

Shikime: 21

Madhësia:  33.0 KB
    Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Foto: LSA.

    Më 20 shkurt 2024, Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë nisi shqyrtimin e një projektligji të dorëzuar nga deputeti socialist, Eduard Shalsi, që synon zgjatjen e afatit për investimet strategjike deri më 31 dhjetor 2027.

    Ndryshimet ligjore të propozuara nga Shalsi parashikojnë gjithashtu të rrisin vlerën e investimeve deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t'i japin më shumë rol në vendimmarje ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat.

    Por në një dokument të emërtuar “dhënie mendimi” që Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend, të cilin BIRN e disponon, rrëzohen pothuajse të gjitha propozimet e Shalsit për forcimin e kritereve dhe jepet dakordësi vetëm për shtyrjen e afatit.

    Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bie dakord me zgjatjen e afatit, duke vlerësuar se do të ndikojë “në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, nëpërmjet thithjes së investimeve elitare në këtë fushë”.

    Por, ministria e drejtuar nga Kumbaro refuzon të marrë përsipër detyrimet e propozuara nga Shalsi për këtë ministri dhe për rritjen e vlerës së investimit.

    “Bazuar në ndryshimet e propozuara, rritja e vlerës së investimit nga 5 milionë në 50 milionë dhe nga 50 milionë në 100 milionë do të frenojë projektet investuese në fushën e turizmit për strukturat akomoduese që nuk ndodhen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit apo që janë në vlerë më të madhe se kriteri i investimit për përfitimin e statusit 4 dhe 5 yje, status special, dhe, për rrjedhojë, subjektet investuese nuk do të kenë interes për të investuar në këtë fushë,” thuhet në dokument.

    Kjo ministri sugjeron që sektori i turizmit të përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm i vlerës së investimit, si dhe të rishikohen vlerat e propozuara të investimit, duke u dhënë mundësinë subjekteve që kërkojnë të investojnë në këtë sektor, të përfitojnë statusin e investitorit strategjik si për investime jashtë zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, ashtu edhe për vlera më të ulëta se 50 milionë.

    Po ashtu, ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se nuk ka kapacitete njerëzore për të bërë vlerësimin e plotë të projekteve të investimit dhe të hartojnë raportin përfundimtar dhe kontratën për investimet e propozuara. Sipas kësaj ministrie, kjo do të krijonte dhe mbivendosje me detyrat funksionale të AIDA-s.

    Ligji për “Investimet Strategjike” u miratua në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm dhe pasi afati u zgjat disa herë, i mbaroi efektet e tij në dhjetor 2023. Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve, që sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

    Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

    Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e vetmja gjë që i intereson qeverisë është zgjatja e afatit të ligjit për të vijuar me të njëjtën mënyrë jotransparente të dhënies së statusit për investitorët.

    “Mendimi i qeverisë nuk lidhet me faktin se si ta përmirësojmë procesin, po janë fokusuar vetëm tek zgjatja e afatit dhe janë rrëzuar poshtë elementët për vlerën e investimit apo për procesin,” tha Tabaku duke komentuar ndryshimet mes draftit të Shalsit dhe atij të Këshillit të Ministrave.

    “Me pak fjalë, qeveria po thotë se; ‘ne nuk jemi të interesuar fare se si jepen këto investime , po jemi të interesuar për të vazhduar me të njëjtën proces, në mungesë transparence dhe në kritere të paqarta të dhënies së investimeve,” shtoi Tabaku.

    Tabaku e lidh shtyrjen e afatit të zbatimit të këtij ligji me ndryshimet e miratuara në ligjin e Zonave të Mbrojtura, ku u lejuan projektet e turistike dhe infrastrukturore brenda territorit të këtyre zonave, me një procedurë të ngjashme parlamentare që po ndiqet në këtë rast.

    Një nismë e deputetëve për ligjine “Zonave të Mbrojtura” u rrëzua në momentin e fundit nga një draft i qeverisë, duke shmangur konsultimin publik mbi variantin final të ligjit.

    BIRN

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Tabaku: Si funksionon ligjvënia me porosi?!

    Emri:  auto_jorida_tabaku1710607884.jpg

Shikime: 15

Madhësia:  39.4 KB

    Nga Jorida Tabaku

    Në tetor të vitit të shkuar organizatat e shoqërisë civile më njoftuan që po ndryshohet Ligji i Zonave të Mbrojtura.

    Me ndryshimet në ligj eliminohej tërësisht zonimi, jepet mundësi për ndërtime dhe struktura akomodimi deri tek 20 përqindëshi i zonës së mbrotjur dhe kompetencat e Ministrisë së Mjedisit në përcaktimin e zonave të mbrojtura i kalonin KKTRSH.

    Qe kjo pikënisja e fushatës së dëgjesave dhe diskutimit me shoqërinë civile dhe më gjerë. Ku përfshiheshin dhe disa shkresa e komunikime edhe me Parlamentin Europian e Komisionin Europian mbi shqetësimet që vetë ata kanë ngritur në progresraport mbi këtë temë.

    Ndërsa e gjithë kjo histori zhvillohej, qeveria përdori një VKM të sajën duke ofruar një mendim të saj që zeroi ndryshimet e deputetëve socialistë dhe miratoi në të vërtetë “mendimin” e qeverisë në ligj.

    Më pas vetëm me votat e shumicës së socialistëve u miratua një Ligj i ri i Zonave të Mbrojtura, që fatkeqësisht ishte variant më i keq i mundshëm. Në të u miratua që edhe projektet e Investimeve Strategjike të jepeshin në këto zona të mbrojtura, që “de facto” nuk ekzistojnë më.

    Ndërkohë qeveria operonte me ritme të shpejta, pasi një tjetër deputet socialist kërkoi shtyrjen për herë të 5 të Ligjit të Investimeve Strategjike. Teorikisht ky ishte një ligj i përkohshëm miratuar në 2015 për dy vite, mirëpo leje mbas leje, investim mbas investimi ligji u kthye në thuajse permanent pasi u shty plot 5 herë pa pasur asnjëherë asnjë rezultat konkret në punësim, nxitje investimesh serioze në fusha të ekonomisë apo zhvillimit teknologjik. Mbi 75% e këtyre investimeve strategjike ishin leje për betonimin strategjik të bregdetit.

    Dhe nëse dikush mendon se torta ka mbaruar, do duhet të shijojë qershinë mbi tortën në fjalë. Pak ditë më parë në faqen e KM është paraqitur dhe ndryshimi i ligjit për KKTRSH, i cili merr përveç funksioneve të tij njëkohësisht edhe funksione të cilat lidhen me Hapësirët Detare. Në projektligj, shihet se KKTRSH merr përgjegjësi për planet e hapësirave detare duke u shndërruar kështu në një mbi-këshill.

    Tani që e gjithë panorama është e qartë, ku KKTRSH shndërrohet në përcaktuesen e Zonave të Mbrojtura, Investitorit Strategjik dhe së fundmi edhe përcaktuese e hapësirave detare. Në mediat ndërkombëtare lexojmë se qeveria shqiptare paska disa qëllime strategjike që të japë për investime në resorte ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin.

    Shumë koincidenca në të njëjtën kohë. Çfarë bëjmë kur kemi frikë nga ligji? Ndryshojmë ligjin! Çfarë bëjmë për t’i ikur vendimmarrjes individuale? E bëjmë kolektive dhe ja kalojmë parlamentit! Dhe krijojmë Bashkësinë e vendimmarrësve ku askush s’ka përgjegjësi, por të gjithë mund të jenë përfitues!

    Ligjvënia me porosi është forma më e sofistikuar e korrupsionit. Që sado ta përmirësosh sistemin; sado të flasësh gjithë ditën për luftën ndaj korrupsionit, sado të prezantosh letra e plane kërkon vetëm diçka: vullnetin politik! Sinqeritetin dhe vendosmërinë për ta luftuar!

    Qartësisht nuk ekziston; po të ekzistonte nuk ka pse shpikim rrotën!


    Syri

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Zonat e mbrojtura, Rithemelimi tryezë diskutimi në Shkodër, Zhupa: Ligjin do ta çojmë në Kushtetuese!

    Emri:  ina-zhupa-3.jpg

Shikime: 16

Madhësia:  24.5 KB

    Rithemelimi e ka ndalur sot turin e takimeve për të kundërshtuar ligjin për zonat e mbrojtura në Shkodër. Në tryezën e diskutimit, “Jo Betonizimit ne Zonat e Mbrojtura”, foli edhe ish-kryebashkiaku Bardh Spahia.
    Spahia tha se zonat e mbrojtura janë të rrezikuara nga ligji i ri.

    “Parashikohet të ndodhë katastrofe për shkak të ligjit të ri”, tha ai. Ndërkohë, deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha se duhet të sensibilizohet publiku për demet që sjell ligji i ri. Ajo tha se ligjin për zonat e mbrojtura do ta çojnë në gjykatën Kushtetuese.

    Video

    “Siç Ju e dini, unë kam nisur një tur në gjithë Shqipërinë në bashkëpunim me ekspert, me shoqërinë civile për të ndërgjegjësuar dhe sensibilizuar opinionin publik mbi dëmet dhe pasojat që sjell ligji i ri «Për Zonat e Mbrojtura». Po dhe për të qenë si një forum qytetar ku ngrihen gjitha problematikat ligjore dhe përtej ligjore, si mjedisore, shëndetësore dhe kulturore që sjell ky ligj. Në mënyrë të tillë që ne të jemi të përgatitur edhe për betejën tonë të radhës, në rast se Presidenti i Republikës e kalon ligjin dhe ligji hyn në fuqi, për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese ku do të jemi krah për krah me shoqërinë civile, me ekspertët. Me një padi e cila do të mundohet që të ndaloj atë gjë që kanë vendosur një qeveri e disa deputet të cilët nuk e kanë as të drejtën morale dhe as të drejtën ligjore që me vendimmarrjet e tyre të cenojnë atë që i ndodh Shqipërisë për breza e ardhshëm për vite të tëra përtej qeverisjes së tyre. Asnjë qeveri në fakt nuk e ka këtë mandat që të marri vendimmarrje që shkojnë përtej rikuperimit që mund t`i bëhet përtej mandatit të saj.

    Sepse politikat ekonomike, politikat financiare, politikat sociale, sjellin vërtet dëme të mëdha kur bëhen të këqija. Por ama në mandat të një qeverie tjetër me politika të ndryshme, me ideologji tjera mund të rikuperohen. Kurse kur ndërhyn në trashëgiminë kulturore dhe në trashëgiminë natyrore të një vendi, edhe po të ndryshosh qeverisjen nesër, nuk e kthen dot një monument të shkatërruar ashtu siç ka qenë. Nuk e kthen dot një zonë të mbrojtur që është shkatërruar, ashtu siç ka qenë. Ndaj sensibiliteti duhet të jetë shumë i lartë dhe ndërgjegjja qytetare për këtë çështje. Unë e mirëkuptoj fare mirë që përditshmëria e jetës së vështirë ekonomike bënë ndonjëherë që të mos merren me një gjë që e shikojnë larg vetes.

    Por pikërisht për këtë arsye kemi nisur dhe këto tryeza edhe me vendimmarrës të pushtetit lokal, gëzohem edhe që janë anëtar të këshillit bashkiak, më shoqërinë civile, me ekspert, me profesorë për të rritur komunikimin publik mbi këto çështje, ndërgjegjësimin e diskutimin përtej partiak por thjeshtë dhe vetëm civil, social, politik. Sigurisht çdo gjë është vendimmarrje politike dhe ne jemi qenie politike por jo si një kauzë partiake por si një kauzë qytetare e cila ju vlen të gjithëve pa asnjë dallim sepse njësoj ndikohemi si demokrat, si socialistët nëqoftëse po ju shkatërrohet mjedisi dhe ajo që është Shqipëria dhe atë do ti lëmë trashëgim fëmijëve tanë nesër. Bashkia Shkodër ka rreth 20 mijë hektar Zonë të Mbrojtur ku Velipoja ka 640 hektar Zonë të Mbrojtur.Në parashikimet që ka ky ligj, për ta kthyer shikimin tek Shkodra edhe për të kuptuar dhe ligjin, është që cilido oligark dhe e nënvizoj oligark dhe jo qytetar dhe jo 1 individ i thjeshtë i cili mund të gëzoj edhe një titull pronësie atje apo një individi i cili në komunitetin e vet lokal do të ngrejë një biznes sado të vogël apo modest, me struktura druri, brenda zonave të mbrojtura, nuk bëhet fjalë për këta.

    Bëhet fjalë për oligark të cilët do të ndërtojnë siç thotë ligji, resorte gjigante me 5 yje. Bëhet fjalë për ndërhyrje në infrastrukturën e këtyre zonave për t`i shërbyer medemek interesit publik, që nga gazi, që nga aeroport në Zonën e Nartës që Ju i keni ndjekur. Pra bëhet fjalë për ndërtime masive, betoni masiv, përçudnimi i këtyre zonave të mbrojtura me qëllim që të përfitoj një klient i pushtetit, një oligark i cili atje të pastroj edhe paratë e paligjshme në fakt sepse nuk kemi këto lloj biznesmenësh në Shqipëri po mos të jenë të lidhur me pushtetin që ti dhurojmë tokën brenda zonave të mbrojtura. Interesi publik shumëzohet me zero, dhe si mund të justifikohet që t’i një pronë publike, një pronë që e gëzojnë të gjithë qytetarët, një pronë e cila ka brenda biodiversitetin dhe larminë e jashtëzakonshme të florës dha faunës, të vlerave që ka edhe për shëndetin edhe për natyrën e vendit t`i kthesh nga sot nesër në një pronë private për pasurimin dhe për xhepin personal të X klienti të pushtetit.”, tha ajo.

    (BalkanWeb)

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    Ligji për zonat e mbrojtura, Begaj 'çertifikon' vjedhjen me ligjin e Ramës

    Emri:  auto_begajrama1705653437.jpg

Shikime: 12

Madhësia:  34.4 KB

    Presidenti Bajram Begaj ka certifikuar shkeljet ligjore të Edi Ramës lidhur me ligjin që miratoi me forcë kartonash në Kuvend për zonat e mbrojtura.

    Begaj ka dekretuar ligjin, që po kontestohet jo vetëm nga opozita, por edhe organizatat e shoqërisë civile, madje edhe nga UNESCO.

    Presidenti nuk ka marrë parasysh asnjë nga kritikat apo shqetësimet, madje as alarmin se ligji në fjalë legjitimon grabitjen e hapësirave që deri më tani konsideroheshin të mbrojtura.

    Megjithëse në konsultimet e zhvilluara, Begaj pranon se nga organizatat i janë shprehur shqetësime, Presidenti ka dalë në konkluzionin se nuk ka arsye pse të mos e dekretojë ligjin.

    Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se “për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues”.

    Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik, si vijon:

    “Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së (International Union for Conservation of Nature).

    IUCN-ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit. Standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së nuk kanë fuqinë juridike të traktateve apo marrëveshjeve ndërkombëtare dhe, si të tilla, nuk mund të përdoren për shqyrtimin e përputhshmërisë kushtetuese të ligjit nr. 21/2024.

    Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij.

    Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë.

    Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore.

    Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi.

    Organizatat e shoqërisë civile shohin te procedura e shqyrtimit parlamentar të projektligjit cenimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit për përfshirjen e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e nismave ligjore parlamentare dhe për konsultimin publik.

    Kritikat lidhur me mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit apo me mënyrën e organizimit të konsultimit publik janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij në ushtrimin sovran të kompetencave të veta. Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës.

    Organizatat e shoqërisë civile kanë pretenduar përplasje, pa referenca konkrete, me dy direktiva të BE-së (direktiva e Këshillit 92/43/EEC dhe direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit 2009/147/EEC)”.

    Syri

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    DW: Të gjitha zonat e mbrojtura në Shqipëri janë në rrezik

    Emri:  IMG_6336.jpg

Shikime: 12

Madhësia:  27.4 KB

    Kur korrikun e vitit të kaluar motrat Ivanka dhe Tiffany Trump vizituan Shqipërinë me bashkëshortët e tyre, në dy vizita të ndara nga njëra-tjetra por brenda pak ditësh, lajmi u përhap me shpejtësi dhe ngjalli interesin e të gjithëve. U mendua se dyndja e turistëve që zgjodhën si destinacion kryesisht jugun e vendit, tërhoqi dhe vëmendjen e motrave Trump, vajzave të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Por ajo që u pa me më shumë kërshëri ishte pushimi në bregdetin e Jonit të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, themelues dhe drejtues i kompanisë amerikane “Affinity Partners”, firmë amerikane investimesh. Çifti e kishte vizitën e dytë në Shqipëri, pas të parës në vitin 2021, gjatë së cilës vizituan sërish jugun, vit që përkon me themelin e kompanisë.

    Pak ditë më parë Kushner njoftoi në rrjetet e tij sociale se ishte entuziast që po ndante me ndjekësit disa imazhe paraprake të projekteve që ai ka në plan të zbatojë në bregdetin shqiptar. Zonat e përzgjedhura prej “Affinity Partners” janë ishulli i Sazanit dhe Zvërneci, vende që gjenden brenda zonave të mbrojtura në Shqipëri.

    Sazani dhe Zvërneci – ‘shenjestra’ e parë

    Lajmi ishte surprizë, por pasoi rrëmujën e ndryshimit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që u paralajmërua si rrezik nga ekspertët mjedisorë vendas dhe të huaj. “Ligji 21/2024 lejon ndërtimin e mega-resorteve me 5 yje në Zonat e Mbrojtura. Përveç kësaj me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, lejohet ndërtimi i pothuajse çdo investimi tjetër dhe nuk ka më vija të kuqe, sikundër u tha nga Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit. Tashmë vendimet nuk merren në bazë të planeve të menaxhimit që hartohen nga ekspertët, por nga KKT, i cili është organ politik.

    Është hequr nënzonimi në Zonat e Mbrojtura të kategorisë V – “Peizazh i Mbrojtur”. Pra, me ligjin e ri, tanimë mund të ndërtohet në ish-nënzonat qëndrore të këtyre zonave të mbrojtura, që me ligjin 81/2017 ishte e ndaluar. Ligji i ri nuk e mbron më natyrën dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri, por është ligji më shkatërrimtar kundrejt ruajtjes së natyrës që është miratuar ndonjëherë nga parlamenti pluralist i Shqipërisë” – analizon për Deutsche Welle Mirjan Topi, inxhinier mjedisi.

    Ligji më shkatërrimtar ndaj natyrës

    Gabriel Schwaderer, drejtues i shoqatës mjedisore ndërkombëtare ‘EuroNatur’, e cila lobon prej vitesh për mbrojtjen e zonave me biodiversitet të pasur në Shqipëri, thotë se është i shokuar nga ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura. “Laguna e Nartës, së bashku me deltën e lumit Vjosa, është një ndër ligatinat me të rëndësishme të migrimit botëror të shpendëve në Mesdhe. Nëse projekti i prezantuar dhe shkatërrimtar do të zbatohej, kjo do të zhbënte në mënyrë të plotë vlerat e zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe do të jetë një tradhti ndaj natyrës. Kjo zonë e mbrojtur pret 5 specie zogjsh që përbëjnë të paktën 1% të totalit të tyre biogjeografik.

    Sipas Konventës së Ramsarit, zona të tilla kërkojnë mbrojtje. Duke qenë se Shqipëria e ka firmosur këtë Konventë, atëherë kjo kërkesë është ende në fuqi. Për më tepër, autoritetet shqiptare e kanë përcaktuar ekosistemin e Vjosë-Nartës si zonë ‘Emerald’ nën Konventën e Bernës. Si rrjedhojë, edhe nëse Shqipëria e ndryshon ligjin, kjo zonë mbetet ende nën mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar” – thotë për DW kreu i ‘EuroNatur’.

    A duhet ta vazhdojë BE-ja agjendën e anëtarësimit me Shqipërinë?

    Një tjetër pikëpyetje që ‘EuroNatur’ ngre lidhet me rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

    “Pyetja jonë për politikëbërësit e BE-së është: a duhet të vijojë BE agjendën e saj të anëtarësimit, nëse një vend kandidat dukshëm nuk përafrohet me ligjet e BE-së por përkundrazi ndryshon ligjet e vendit, duke i përkeqësuar ato? Nga këndvështrimi ynë, kjo është një situatë tepër serioze dhe kërkon një mesazh shumë të qartë nga institucionet e BE-së për autoritetet shqiptare” – thekson Schwaderer.

    Deutsche Welle kontaktoi edhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, për një koment në lidhje me situatën. ‘Komisioni Evropian ka rekomanduar në raportin e tij të vitit 2023 për Shqipërinë se vendi duhet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik në projekte, si dhe të zbatojë dhe monitorojë rekomandimet që rrjedhin nga këto vlerësime. Për më tepër, në të njëjtin raport, Komisioni Evropian theksoi se legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura’ – thuhet në përgjigjen e BE-së në Tiranë.

    Në reagim, BE nënvizon se ‘Siç u kemi përcjellë autoriteteve shqiptare, Bashkimi Evropian u kushton vëmendje të madhe çështjeve mjedisore në kuadër të negociatave të anëtarësimit dhe do të vazhdojë të diskutojë me autoritetet shqiptare mbi përafrimin e duhur të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së, si dhe të monitorojë zbatimin e tij’.

    Të tjera zona të mbrojtura në rrezik?

    Sipas inxhinierit mjedisor Mirjan Topi, ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura është ndryshuar në funksion të këtyre investimeve. “Tashmë duket qartë që ligji ka qenë i porositur, sepse nuk ka se si shpjegohet ndryshe nxitimi i mazhorancës për ta miratuar dhe akoma pa u dekretuar ligji nga Presidenti, dolën projektet konkrete.”

    Por në ndryshim nga alarmi dhe analizat e ekspertëve mjedisorë, kryeministri Rama dy ditë më parë nga Asambleja e Partisë Socialiste, përmendi dhe gjeopolitikën, përveç turizmit, dhe theksoi se kompania që planifikon të ndërtojë në Sazan dhe Zvërnec, ka ndërtuar dhe në zona të tjera të mbrojtura nga UNESCO.

    “Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik.”

    Pyetjes nëse ky ligj do të ‘hapë lojën’ për zona të tjera të mbrojtura, Topi thekson se “tani janë të rrezikuara të gjitha, kryesisht Peizazhet e Mbrojtura.

    Ndërsa Schwaderer nga ‘EuroNatur” i druhet projektit të dikurshëm në Parkun Kombëtar të Karavastasë, që u anulua vite më parë, pas kundërshtimit të organizatave mjedisore.

    “Dihet tashmë që projekti ‘Kingcoast Divjaka’ i cili planifikon të ndërtojë që resort gjigant turistik brenda Parkut Kombëtar të Karavastasë është sërish në agjendë. Ai u promovua 7 vite më parë dhe më pas u zhduk, por tashmë rikthehet sërish në skenë me potencialin për të shkatërruar një nga zonat më të rëndësishme të vendpushimit të shpendëve migratorë përgjatë gjithë bregut lindor të Adriatikut. Me ligjin e ri, nuk do të ketë më zona të mbrojtura në Shqipëri, përfshirë të gjithë parqet kombëtare që nuk do t’i shpëtojnë shkatërrimit dhe shitjes”.

    DW

  13. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!


  14. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,462
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Babëzia e Edi Ramës nuk njeh kufi: U erdhi rradha zonave të mbrojtura që të "rilindin"!

    “Rrisim ofertën turistike”, Kumbaro mbron ndërtimet me 5 yje në Zonat e Mbrojtura

    Ndryshimet ligjore për “Zonat e Mbrojtura”, që i hapin rrugë popullimit të tyre me struktura të mëdha hotelerie, u cilësuan si “zhvillim i qëndrueshëm për turizmin” nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Mazhoranca dhe qeveria anashkaluan kundërshtimin e organizatave mjedisore për shkatërrimin pa kthim të ekosistemit natyror të këtyre zonave.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Mirela-Kumbaro.jpg

Shikime: 1

Madhësia:  29.8 KB
    Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro pas një mbledhje të qeverisë. Foto: LSA.

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mbrojti të enjten në Kuvend ndryshimet ligjore për Zonat e Mbrojtura, si një hapje rruge e zhvillimit të turizmit brenda këtyre zonave, pavarësisht shqetësimeve të organizatave mjedisore se në fakt po i hapet rrugë betonizimit të tyre.

    E thirrur në interpelancë nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ministrja argumentoi se ligji në fuqi kishte qenë i ngurtë dhe strikt në mbrojtje të natyrës duke mos lejuar zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

    “Andi nga Gjinari ka një objekt, shtëpinë e tij njëkatëshe, të cilën donte ta rikonstruktonte për ta kthyer në bujtinë, brenda pronës së tij, por për shkak të përcaktimeve ligjore të ligjit ekzistues të zonave të mbrojtura, projekti i tij, mjaft i këndshëm por edhe i dobishëm për fshatin, mori përgjigje negative nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura”- e nisi fjalën Kumbaro duke mbrojtur ndryshimet ligjore që liberalizojnë ndërtimet në këto zona.

    “Sepse ligji ekzistues kishte vetëm 1 fjali; nuk lejohen ndërtime që ndryshojnë gjendjen natyrore të ekosistemit”- shtoi ajo duke shtuar se tashmë ndërtimet do të bëhen duke ruajtur ekuilibrin me natyrën.

    Megjithatë, kundërshtimi i këtij ligji nga organizatat mjedisore dhe opozita nuk lidhej me ndërtime si shembulli që solli Kumbaro, por me lejimin e strukturave të mëdha turistike dhe infrastrukturore brenda këtyre zonave duke rrezikuar shkatërrimin pa kthim të tyre dhe ekosistemit natyror.

    Por Kumbaro i mbrojti këto ndërtime si “modele zhvillimi të qëndrueshëm” që do t'i shërbenin ofertës turistike të vendit.

    “Ajo që ka ndodhur në këto vite është se realiteti ka ecur më shpejt dhe mendjehapja e shqiptarëve më shpejt se sa ligjet apo burokracia shtetërore, dhe na rezulton se realiteti në terren nuk na përputhet me ato që kemi në rregullore…”- argumentoi ajo nevojën për ndryshimet ligjore.

    Ministrja pretendoi se ligji i ri ofronte “garanci” që projektet e turizmit elitar do të jenë miqësore me mjedisin.

    Ndërkohë deputetja Zhupa e akuzoi mazhorancën se me ndryshimet ligjore po i hapte rrugë shkatërrimit të këtyre zonave në shërbim të oligarkëve të afërt me qeverinë. “Ligji u bë me porosi që Butrintin, Velipojën, Divjakën ta jepnin për ndërtim”- tha ajo.

    “Ligjin e ke bërë për oligarkët, siç keni bërë në Gjirin e Manastirit”- iu drejtua ajo Kumbaros duke shtuar se me këtë ligj po lejohet betonizimi dhe tjetërsimi i ZM-ve.

    Ndryshimet në ligjin për ZM-të u propozuan fillimisht nga një grup deputetësh dhe mbi draftin e tyre u bënë dëgjesat publike me aktorë të shoqërisë civile, por në momentet e fundit një variant i ardhur nga qeveria u miratua pa konsultim publik duke anashkaluar dhe një thirrje të BE-së për tërheqjen e tij.

    Sipas versionit qeveritar që u miratua nga mazhoranca brenda ZM lejohet ndërtimi i strukturave të mëdha turistike dhe çdo veprimtari apo infrastrukturë tjetër mbështetëse në funksion të tyre.

    Po ashtu, vendimmarrja për këto zona kalon në varësi të Këshillit Kombëtar të Territorit, një organ shtetëror që nuk e ka detyrim ligjor konsultimin publik.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 19-09-2016, 16:44
  2. Italianet: "Rradha jone te emigrojme ne Shqiperi!"
    Nga Wordless në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-11-2013, 13:56
  3. Me Erdhi Ne mu Rradha ;P
    Nga Erindi në forumin Prezantoni veten në forum
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 13-12-2005, 05:06
  4. Me erdhi rradha me duket...
    Nga bicjani në forumin Prezantoni veten në forum
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 25-03-2004, 10:39
  5. Me erdhi rradha te prezantohem edhe une.
    Nga Brighton_boy_19 në forumin Prezantoni veten në forum
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 15-04-2003, 11:56

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •