Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 38
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndërtimi

    ‘E ka shteti’: Nga tenderat te biznesi i ndërtimit, si u pasuruan drejtorët e Bashkisë

    Vendimi i gjykatës për masat e sigurisë së drejtorëve të Bashkisë Tiranë, Redi Molla dhe Mariglen Qato zbulon mekanizmin e pasurimit të tyre përmes korrupsionit dhe manipulimit me tenderat që ushqenin kompaninë 5D Konstruksion. Pronarët fiktivë paguheshin në të zezë, ndërsa administratori mbante shënim pagesat për “Ortaku 1” dhe “Ortaku 2”.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  veliaj3.jpg

Shikime: 1275

Madhësia:  63.5 KB
    Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-kreu i UKT-së, Redi Molla gjatë një inspektimi në vitin 2017.

    Në prill 2021, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të qershorit të atij viti, shtetasja J.B., e cila mendonte se punonte në një kompani private, i komunikon një shokut të vet duke i thënë se dikush kishte marrë administratorin e kompanisë 5D Konstruksion nga Lapraka, duke i kërkuar që ajo të dalë në fushatë zgjedhore, besohet, për Partinë Socialiste.

    “Kanë marrë shefin tim nga njësia e Laprakës, duke ditur se pronari është i shtetit dhe i kanë thënë, thuaj J. të angazhohet me zgjedhjet,” citohet punonjësja në një vendim për masë sigurie të Gjykatës së Posaçme.

    Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e atij viti mes akuzave për abuzim masiv me burimet shtetërore, një sistem kontrovers të përdorimit të punonjësve të administratës për të mbledhur vota dhe një listë zgjedhësish ku çdo njëqind shtetas kishin një zyrtar partie mbikëqyrës të njohur si “patronazhist”.

    Sistemi dukshëm nuk ishte i kufizuar vetëm te punonjësit e administratës publike, por edhe te kompani, nominalisht private, të cilat, në fakt akuzohet se i përkiste dy drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato. Të dy u arrestuan me urdhër të SPAK javën e kaluar, ndërsa gjashtë zyrtarë të tjerë të bashkisë u akuzuan gjithashtu për shkelje të barazisë në tenderë dhe vepra të tjera penale.

    Dosja prej 120 faqesh e përgatitur nga Prokuroria për të argumentuar kërkesat për masa sigurie para Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, detajon se si Molla dhe Qato morën dividentë, ndërsa pronari nominal, një bukëpjekës në Tiranë, paguhej në mënyrë informale me një rrogë nga kompania që supozohej se e kishte nën pronësi.

    Prokuroria vëren gjithashtu se si, pa ndonjë përpjekje të madhe për të maskuar natyrën kriminale të transaksioneve, kompania që fitonte miliona euro tenderë dhe kishte miliona lekë fitime të pashpërndara, shitej nga një aksioner te një tjetër përkundrejt çmimit nominal të aksionit, 100 lekë gjithsej. Prokuroria pretendon gjithashtu se shkeljet e bëra nga zyrtarët e shtetit për të dhënë kontrata punimesh publike për këtë kompani ishin të shumta, për shkak se kompania ishte e re dhe nuk kishte kurrfarë aktiviteti për të justifikuar plotësimin e kritereve tenderuese, të tilla si xhiroja apo suksesi në zbatimin e projekteve të mëparshme.

    Përgjimet e komunikimeve mes punonjësve të ndryshëm të kompanisë sugjerojnë gjithashtu se pronësia e Qatos dhe Mollës mbi kompaninë ishte një sekret që e dinin të gjithë dhe as nuk kishte ndonjë përpjekje shumë të fortë për ta mbajtur të maskuar. Përgjimet paraqesin gjithashtu një mjedis pune të dominuar nga sherret dhe presioni, punonjës që marrin qetësues për të fjetur gjumë dhe një inspektim të çuditshëm nga ana e Tatimeve, në të cilën inspektorët tatimorë “kishin parë diçka që nuk duhej të shihnin”.

    Historiku i suksesit të kompanisë 5D Konstruksion buron sipas SPAK nga pozicioni publik i aksionerëve të fshehtë të saj. Kompania arrinte të fitonte tenderë të panumërt në institucionet e Bashkisë Tiranë, por nuk ishte në gjendje të fitonte tenderë në institucione të tjera publike nën varësi të zyrtarëve të tjerë socialistë.

    Hetimi zbulon gjithashtu se paratë që besohet se iu vodhën shqiptarëve me tenderë të manipuluar u investuan në ndërtim pallatesh. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pas vitit 2021, kompania nisi ndërtime në pesë objekte, kryesisht pallate banimi dhe një hotel në Durrës.

    Në fakt, në lidhje me hotelin në Durrës, kompania u pajis edhe me statusin special të dhënë nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, status që i fal kompanisë taksa dhe i ngarkon taksapaguesit me mbulimin e kostove të shërbimeve bazë si ujë, kanalizime, etj..

    Hoteli në Durrës sjell në vëmendje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, në komunimimet private të punonjëses J.B., përshkruhet si asgjë më pak se njëri prej aksionerëve pas hotelit, i cili rezulton zyrtarisht në emrin e katër personave të tjerë.

    “Këtë hotelin po e bëjmë ne,” thotë punonjësja e kompanisë. “Është aks. pronari jon… Lali eri… E kta.” [SIC]

    Pyetur nga BIRN, një zëdhënës i Bashkisë dërgoi një koment nga kryetari Veliaj në të cilin, përshkrimi konsiderohet si absurd.

    “Kjo është gjëja e tretë më absurde që kam dëgjuar për veten. Kampion mbetet ai që ka thënë se jam djali i Ahmadinexhadit, kurse në vend të dytë ai tipi poshtë dritares, që thoshte se kam bërë skemat piramidale të vitit ‘97, nga gjimnazi. Jo, nuk kam ASNJE lidhje me ndonjë hotel, as në Durrës, as në Tiranë, as në gjithë globin!”

    Molla dhe Qato u deklaruan të pafajshëm para gjykatës të shtunën, në seancën e vleftësimit të masës së sigurisë të dhënë më herët pas dyerve të mbyllura nga GJKKO.

    Elektricisti dhe bukëpjekësi

    Emri:  Crown-Plaza-Durres-scaled.jpg

Shikime: 1275

Madhësia:  44.5 KB
    Kantieri i ndërtimit të hotelit nga kompania Mediterranean Investment Group në Durrës. Foto kortezi nga: Skyscrapercity.com.

    Biseda mes punonjëses së nxehur, J.B., dhe një mikut të saj në prill 2021 gjithsesi është një nga provat për të cilat prokuroria thotë se tregojnë pronësinë e drejtpërdrejtë të Qatos dhe Mollës mbi kompaninë 5D Konstruksion.

    “Nga provat e administruara, të vlerësuar në raport me njëra-tjetrën, rezultojnë të dhëna që mbështesin faktin se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë personat që kontrollojnë dhe drejtojnë aktivitetin e shoqërisë tregtare, janë personat që marrin vetime për veprimtarinë e shoqërisë tregtare, për punësimin apo largimin e punonjësve, për pagat e punonjësve, janë persona që në disa raste kanë arkëtuar shuma monetare në shoqëri për veprimtarinë e saj të përditshme, janë persona që kanë marrë përfitime financiare nga aktiviteti tregtar i shoqërisë,” citohen prokurorët në vendimin e gjykatës.

    Megjithatë, në letra kompania u regjistrua në vitin 2016 nga një elektricist nën emrin Igor Elektrik. Kompania fitoi tenderin e parë në maj 2016, as një muaj nga data e themelimit dhe autoriteti kontraktor ishte vetë Ujësjellës Kanalizime Tiranë SHA, kompani e drejtuar në atë kohë nga Redi Molla dhe ku kryetari i komisionit të prokurimit ishte Mariglen Qato.

    Dyshes së pronarëve iu desh që të mbyllin sytë për të dhënë kontratën me vlerë 5 milionë lekë, pasi kompania e sapokrijuar nuk mundej të plotësonte kriteret më minimale të tenderimit, të tilla si pasja e mjeteve për të bërë punën apo pasja e një aktiviteti të mëparshëm. Prokuroria i ngarkoi Qatos edhe akuzën e mosdeklarimit të interesave private, pasi në formularin tip të procesit të prokurimit, deklaroi se “nuk ishte” në kushtet e konfliktit të interesit.

    Prokuroria vëren gjithsesi se pavarësisht se ishte pronar i një kompanie që shpejt fitoi tenderë dhe bëri para të madhe, elektricisti gjatë të gjithë kohës vijonte të punonte me një nipt personi fizik, përmes të cilit paguante sigurime shoqërore për veten. Por fitimet nga tenderët duket se janë mjaftueshëm të bollshëm sa kompania, brenda pesë muajsh nga themelimi, zhvendosi zyrat, nga një apartament diku në periferi në rrugën Sitki Çiço, te qendra Kondor në rrugën “Babë Rexha” në Tiranë.

    Në vitin 2016, viti i parë dhe i pjesshëm i aktivitetit, kompania realizoi të ardhura në masën 77 milionë lekë. Në vitin 2017, kompania realizoi të ardhura në masën 175 milionë lekë dhe fitime neto në masën 6.1 milionë lekë. Dhe pavarësisht se paratë ishin aty, prokurorët thonë se pronari fillestar shiti 75% të aksioneve të kompanisë përkundrejt çmimit 75 lekë (shlyer jashtë zyrës noteriale).

    Blerësi, shtetasi Muhamet Petriti, rezulton se është një bukëpjekës në Tiranë. Sipas prokurorisë, ai merr rrogë dhe paguan sigurime shoqërore te një biznes furrë buke, nën pronësinë e së shoqes. Ai nuk rezulton të ketë kontroll real mbi kompaninë që ka nën pronësi. Administratori i kompanisë, Nestor Muhametllari nuk e ka numrin e tij, ndërsa në një rast kur i duhej, ia mori shtetasit Alfred Qato, vëllai i drejtorit të arrestuar Mariglen Qato. Në këtë rast, administratori porosit Alfred Qaton që “pronari” të shkojë të bëjë tërheqje në bankë ndërsa numri i komunikimeve mes pronarit dhe administratorit është jashtëzakonisht i vogël. Përkundrazi, prokuroria vëren se administratori ka mbi 1 mijë telefonata dhe thirrje të humbura me vëllezërit Qato.

    Ortaku 1 dhe Ortaku 2

    Prokuroria siguroi ato që duket se janë prova të forta se Molla dhe Qato, dy drejtorët e arrestuar, ishin pronarë de facto të kompanisë. Në dokumentet që i janë gjetur administratorit, përfshirë blloqet e shëbimeve, të dyve u referohet si Ortaku 1 dhe Ortaku 2 me llogari të hollësishme për të treguar se sa para ka marrë njëri dhe sa tjetri nga dividentët e fitimeve të kompanisë.

    Një bllok shënimesh i sekuestruar në zyrë dhe një tjetër i sekuestruar në shtëpinë e administratorit tregojnë pronarët e vërtetë të kompanisë. Pastaj, dokumentet e sekuestruara në kompjuterin e financës së kompanisë i paraqesin drejtorët si njerëz që kanë përfitime apo pagesa të rregullta nga kompania.

    “Rezulton fakti se Ortaku 1, ose ndryshe O1, që i referohen dokumenteve të gjetura në kompjuterat e sekuestruara të kompanisë është i njëjtë me person (R) që i referohet në shënimet e tij shtetasi Nestor Muhametllari, që është shtetasi Redi Molla,” vëren prokuroria. Në dokumentet e brendshme të kompanisë, shtetasit Mariglen Qato i referohen si (M) apo Ortaku 2.

    Kompania 5D Konstruksion pati të ardhura në masën 22 milionë euro për periudhën nga themelimi deri në vitin 2022, viti i fundit për të cilin është depozituar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Drejtori i arrestuar i Bashkisë mori status special për hotel me 5 yje në Durrës

    Qeveria i dha kompanisë së lidhur me Redi Mollën statusin special si investitor në hotel me 5 yje në Durrës në vitin 2021, ndërsa ai mbante postin e administratorit të një ndërmarrje të Bashkisë së Tiranës.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Crown-Plaza-Durres-1536x864.jpg

Shikime: 1227

Madhësia:  43.6 KB
    Kantieri i ndërtimit të hotelit nga kompania Mediterranean Investment Group në Durrës. Foto kortezi nga: Skyscrapercity.com.

    Më 6 tetor 2021, ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro deklaroi mes vendimeve të tjera të qeverisë edhe dhënien e statusit special për ndërtimin e një hoteli me 5 yje në Durrës në favor të kompanisë “Mediterranean Investment Group”.

    Kumbaro e prezantoi këtë si një investim 15 milionë eurosh, që ishte sipas saj “vazhdim i strategjisë për turizmin i qeverisë shqiptare për të shtuar investitorët e fuqishëm, por edhe brandet më të fuqishme të turizmit botëror”.

    Kompania që përfitoi heqjen e taksave përmes statusit special ishte e lidhur me Redi Mollën – ish drejtori i arrestuar i Ujësjellësit të Tiranës, i cili akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë.

    “Mediterranean Investment Group” u themelua në shtator të vitit 2020 dhe njëri prej aksionerëve me 24% ishte Selim Molla, babai i ndjerë i Redi Mollës, i cili ia trashëgoi aksionet në birit në shkurt 2024.

    Në kohën kur kompania me aksioner babanë e tij mori statusin e veçantë të “Investitorit në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”, Molla ishte administrator i Tirana DC, një ndërmarrje me aksionere 100 për qind Bashkinë e Tiranës, të cilën e drejtoi deri në vitin 2023. Më herët ai ka qenë për 5 vjet drejtues i Ujësjell Kanalizime Tiranë nga viti 2016 deri në vitin 2020.

    Molla u arrestua të enjten nga SPAK me akuzën e korrupsion me tenderat e Bashkisë së Tiranës dhe ndërmarrjeve nën zotërimin e saj. SPAK e akuzon Mollën sëbashku me zyrtarë të tjerë të bashkisë se favorizuan kompaninë 5D Konstruksion në tendera punësh publike. Kompania është regjistruar në pronësinë e Nestor Muhametllarit, por prokuroria pretendon se ka de fakto zotërues Mollën dhe drejtorin tjetër të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato.

    Kompania 5D Konstruksion u themelua në vitin 2016 me emrin “Igor Elektrik” dhe e ndryshoi më pas emrin në vitin 2019 në V.A.S. Konstruksion dhe në vitin 2021 në 5D Konstruksion.

    Të dhënat e bilanceve të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se të ardhurat e saj ishin në masën 2.2 miliardë lekë [rreth 20 milionë euro] për periudhën nga viti 2016 kur u themelua deri në vitin 2022. Nga të dhënat e prokurimeve publike, kompania ka fituar 29 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 1.8 miliardë lekësh.

    Sipas SPAK hetimet për Mollën dhe personat e tjerë të akuzuar në këtë dosje kanë filluar kryesisht në prill të vitit 2023, ndërsa më pas atyre u është bashkëlidhur edhe një kallëzim penal nga kandidati i opozitës për kryetar i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, Belind Këlliçi. Sipas SPAK, Qato dhe Molla e kishin fshehur pronësinë mbi kompaninë 5D Konstruksion përmes ortakëve fiktivë në aktet e regjistrimit. Molla i ka mohuar akuzat në një qëndrim publik duke pretenduar se nuk kishte lidhje me kompaninë dhe se akuzat ishin sulm politik.

    Qeveria e kryeministrit Edi Rama është akuzuar shpeshherë se ka favorizuar njerëzit e vet dhe një grup oligarkësh në dhënien e statusit special për ndërtim hotelesh në turizëm apo statusin e investitorit strategjik.

    E pyetur nëse kishte favorizuar në dhënien e statusit special kompaninë e lidhur me Mollën, kryeministria nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa administratori i kompanisë “Mediterranean Investment Group”, Dritan Kadiu tha përmes telefonit se kompania kishte disa aksionerë, por nuk preferoi të komentonte mbi rastin e Mollës pasi “nuk ishte i qartë për rrethanat”.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Përgjimet/ A ishte Erjon Veliaj pronari i vërtetë i kompanisë “5D”?

    Emri:  Veliaj-Qato.jpg

Shikime: 1274

Madhësia:  35.3 KB

    Skema me të cilën kanë vjedhur drejtorët e bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nuk ka të krahasuar me metodat e vjetra të korrupsionit në këto 30 vitet e fundit në Shqipëri. Deri dje, kush kishte në mend të përfitonte nga tenderat, detyrohej të binte në ujdi me biznesmenët për t’i marrë ryshfetin, që flitej se shkonte tek 20%.

    Kurse drejtorët e Erjon Veliajt nuk kënaqeshin me pak. Në vend se të jepnin tenderin dhe të prisnin ryshfetin, ata i ranë shkurt, i merrnin për vete të gjitha paratë. Shmangën biznesmenët nga skema, krijuan një kompani vetë dhe tenderat i fitonin me kompanitë e veta.

    Në thelb, këtë provon edhe dosja e SPAK, që çoi në burg bashkëpuntorët më të ngushtë të Erjon Veliajt, ish drejtorin e IMT-së Mariglen Qaton, ish drejtorin e Ujësjellësit Redi Mollën dhe ish-drejtorin e planifikimit Taulant Tushe.

    Kuptohet se nga numri i madh i tenderave që i kishin marrë bashkisë, veprimtaria e kompanisë “5D Konstruktion” ishte e njohur për fuqinë që kishte brenda institucionit. Madje spekulimet, se Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe kishin edhe bekimin e kryetarit të bashkisë Erjon Veliajt përmenden edhe në bisedat e vartësve të tyre.

    SPAK ka zbardhur bisedat e Jonida Bejkos, punonjëse e kompanisë “5D Konstruktion”. Në bisedë e sipër me një të njohurin e saj i tregon atij hotelin që drejtorët e Veliajt po ndërtonin në Durrës duke shtuar se “është aks. pronari jon… Lali eri… e kta”. Më poshtë faksimile nga dosja e SPAK me përgjimet.

    Emri:  lali-eri.jpg

Shikime: 1264

Madhësia:  50.6 KB

    Bisedat e Bejkos janë zbardhur nga celulari i saj i sekuestruar gjatë bastisjes së zyrave të kompanisë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Bejko tregon se si i kishin kërkuar që të përfshihej në fushatën e Partisë Socialiste, pasi dihej se pronarët realë të kompanisë “5D Konstruksion” ishin drejtorë në bashkinë e Erjon Veliajt.

    Vetë punonjësja, pranon në bisedat me miqtë e saj se Mariglen Qato është një nga njerëzit më të rëndësishëm në bashki, praktikisht nr.2 i institucionit, pas Erjon Veliajt. Siç lexohet më poshtë:

    Emri:  idyti-pas-lalit.jpg

Shikime: 1280

Madhësia:  13.9 KB

    Nga biseda të tilla, të nxjerra nga celularët e punonjësve të kompanisë, prokurorët kanë krijuar bindjen se pronarët realë janë Mariglen Qato dhe Redi Molla. Më pas, kanë verifikuar nëse bisedat korrespondojnë me lëvizjet e parave në bankë, apo me procedurat e tenderave në bashki. Gjithçka ka rezultuar e qartë: kompania “5d Konstruksion” u krijua nga drejtorët e bashkisë për të fituar tenderat e institucionit.

    Nga viti 2016 deri në 2020 me kompaninë e tyre, drejtorët kanë bërë kërdinë. Rezulton se kanë fituar 13 tendera në bashki dhe 10 tendera tek ujësjellësi që e drejtonin vetë. Fitimet janë disa qindra miliona lekë.

    Me pak fjalë, taksat që u merren qytetarëve kalonin në buxhetin e bashkisë së Tiranës. Nga aty drejtorët i tenderonin tek kompania e tyre private dhe më pas në xhepat e tyre. Shiko dokumentin më poshtë, që sipas dosjes së SPAK tregon qindra miliona lekë të fituara përmes kësaj skeme:

    Emri:  fitimet-e-drejtoreve-te-bashkise-se-tiranes.jpg

Shikime: 1258

Madhësia:  27.7 KB

    Një e dhënë e rëndësishme për prokurorët kanë qenë disa blloqe me shënime personale të administratorit të kompanisë “5D Konstruktion” Nestor Muhametllari. Ky person rezulton të jetë edhe truri i kompanisë.

    Nestor Muhametllari merrej si për të “kopsitur” procedurat fiktive të tenderave të trukuar, ashtu edhe për ndarjen e parave mes drejtorëve të bashkisë, duke ruajtur një lloj ekuilibri në marrëdhëniet mes tyre.

    Në bllokun me shënime që iu gjet Nestor Muhametllarit, emrat e dy drejtorëve janë të shenjuar me (M) për Mariglen Qaton dhe me (R) për Redi Mollën. Kuptohet se herë njëri dhe herë tjetrin vijnë dhe marrin para nga arka e kompanisë dhe për të qenë në rregull me të dy, Nestori mbante shënimet si më poshtë:

    Emri:  Blloku-i-Nestorit-ku-shenonte-leket-qe-u-jepte-drejtoreve-te-bashkise.jpg

Shikime: 1289

Madhësia:  68.6 KB
    Pjesë nga shënimet e bllokut të Nestor Muhametllarit që mbante llogaritë e parave të drejtorëve të Bashkisë

    Nga leximi i dosjes, rezulton se Nestor Muhametllari kishte të njëjtin rol si Klodian Zoto në aferën e inceneratorëve. Pasi mbaronte punë me letrat e kompanisë private, Nestori merrej me dokumentat shtetërore, ku i duhej të përgatiste tenderat me porosi, në mënyrë që të skualifikonte kompanitë e tjera në garë dhe ta fitonte tenderin për kompaninë “5D”.

    Një ndër këta shembuj është tenderi për rikonstruksionin e palestrës së mundjes për sportklub “Tirana”, institucion në varësi të bashkisë.

    Nga mesazhet në celularët e sekuestruar del se drejtuesja e institucionit, Deborah Keçi është gjithë kohës në komunikim me Nestor Muhametllarin gjatë kohës kur përgatiteshin procedurat për tenderin.

    Ajo i ka urdhrat të qarta: paratë duhet të kalojnë tek kompania “5D” dhe për këtë duhet t’i bindet Nestor Muhametllarit.

    Deborah Keçi i jep Nestor Muhametllarit të gjithë dokumentacionin paraprak për organizimin e tenderit, madje i mundëson hyrjen në sistem në mënyrë që ai të hedhë vetë të dhënat, duke u pajisur me “user” dhe “password” të një prej antarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

    Deborah Keçi skualifikon kompanitë e tjera private që kishin marrë pjesë në “garë” dhe shpall fituese kompaninë “5D”. Në fund, bashkë me Nestor Muhametllarin i përgjigjet edhe kompanive që kanë ankimuar tenderin.

    Por gjatë kohës që komunikon me mesazhet ne whatsapp, Keçi nuk e fsheh frikën për manipulimin që po bën. Me mesazhe, lutet që dokumentat të shihen me kujdes, duke thënë: “Vetëm aman shikojini tamam se mos ham ndonjë burg”.

    Emri:  mos-hame-noi-burg.jpg

Shikime: 1267

Madhësia:  31.5 KB

    Nga një shikimi i shpejtë i dosjes së drejtorëve të arrestuar të bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe bien në sy dy detaje domethënëse për vjedhjen.

    Së pari është shtrirja në kohë e punëve që ka kryer kompania “5D”. Nga viti 2016 deri në vitin 2023 kur u denoncua nga Belind Këlliçi janë 7 vjet vjedhje e buxhetit të bashkisë së Tiranës.

    Së dyti, është fakti se drejtorë të disa dikastereve në bashkinë e Tiranës kanë pranuar të firmosin procedurat e manipuluara të tenderave edhe pse ishin në dijeni se paratë po shkonin në xhepat e kolegëve të tyre.

    Nuk është vetëm rasti i Deborah Keçit, por edhe i drejtorit të transportit Enton Punavisë apo i drejtoreshës së “Tirana Parking”, Eglantina Zëre, të cilët sot janë në ndjekje penale nga SPAK.

    Kuptohet se këta nuk kanë firmosur në kundërshtim me ligjin për t’i bërë një nder kolegëve të tyre, që sot janë në burg. Gjasat janë që ata të kenë marrë urdhër nga lart, nga i vetmi njeri që kishte fuqinë t’i bëjë bashkë në një vjedhje sistematike dhe e strukturar.

    Por SPAK këtu e ka ndalur hetimin, duke lënë në pikëpyetje, nëse Erjon Veliaj ishte pronari i vërtetë i kompanisë “5D” apo drejtorët hëngrën mollë dhe dardha pas shpinës së tij?

    Lapsi.al

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Tenderat për drejtorët/ Bashkia e Tiranës, “tokë e djegur” nga arrestimet

    Emri:  Edi-Rama-dhe-Erion-Veliaj-700x474-1-e1711652172598.jpg

Shikime: 1244

Madhësia:  26.7 KB

    Kompania “5D” me të cilën është zbatuar një skeme korrupsioni për përfitimin e tenderave të bashkisë së Tiranës, ishte pagëzuar me këtë emër sepse për përfitimet e tenderave punonin 5 drejtorë të Bashkisë së Tiranës, njerëz të emëruar në poste kyçe dhe bashkëpuntorë të ngushtë të kryetarit, Erjon Veliaj.

    Denoncimet e para u bënë nga Belind Këlliçi, kandidati i opozitës gjatë fushatës së zgjedhjeve të 14 Majit, ndërsa këtë të enjte SPAK urdhëroi arrestimin e tre drejtorëve, që konsiderohen edhe pjesë e rrethit të ngushtë të Erion Veliajt në bashki.

    Emri:  800-450-1655904952xa4aa8ead-077c-4e8b-8d6e-832e15bf2789-115.jpg

Shikime: 1238

Madhësia:  46.2 KB

    Në qendër të aferës është Maringlen Qato, ish drejtues i Ujësjellësit të Tiranës dhe ish-drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, tashmë i arrestuar pasi konsiderohet “ortak i vërtetë dhe pronar “de facto” i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k bashkë me Redi Mollën, edhe ky ish-drejtor në Ujësjellës Kanalizime të Tiranës.

    Një urdhër-arresti i dytë është firmosur për ish-drejtorin tjetër të bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha, i cili gjendet në burg prej disa muajsh për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

    Prokurorët e SPAK e kanë parë të arsyeshme që vetëm këta të tre të arrestohen, ndërsa 6 persona të tjerë, zyrtarë të bashkisë dhe një biznesmen janë lënë në detyrim paraqitje.

    Skema e fitimit të tenderave nga kompania e drejtorëve të bashkisë

    Në sqarimin që shpërndau për mediat, Prokuroria e Posaçme renditi disa raste që zbulojnë se si administrata e bashkisë punonte që një pjesë e buxhetit t’i kalonte kompanisë “5D Konstruksion” nëpërmjet manipulimit të procedurave tenderuese.

    Së pari, nga viti 2016-2020, kur Redi Molla ishte drejtor i Ujësjellësit të Tiranës “5D Konstruksion” është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi që i kishte organizuar Ujësjellësi. Sipas SPAK, në këto tendera dy drejtorët kishin trukuar tenderat në mënyrë që kompania e tyre të shpallej fituese.

    Së dyti, nga viti 2016 deri në vitin 2018, kur Maringlen Qato ishte Drejtor i Departamentit Mbështetës në Ujësjellësin e Tiranës, kompania që ai kishte në zotërim (5D) doli fituese në 4 (katër) tendera ku vetë Qato ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka marrë vendime për shpalljen e fituesit.

    Së treti, SPAK i akuzon drejtorët e bashkisë se përfituan tendera me kompaninë e tyre “5D Konstruksion” edhe me ndihmën e Taulant Tushes, kur ky ishte Drejtor i Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike. Këtu SPAK veçon edhe emrat e disa drejtorëve të tjerë të arrestuar, që më pas u lanë në detyrim paraqitje, si Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave.

    Së katërti, një tjetër ish-drejtoreshë e bashkisë së Tiranës Eglantina Zere, që drejtonte “Tirana Parking” ka bërë të njëjtën gjë, duke shpallur të njëjtën kompani fituese të tenderave të bashkisë, ndërsa mbante komunikim të drejtpërdrejtë me biznesmenin Nestor Muhametllari që ishte administrator i “5D Konstruksion”. Në këtë rast “vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sqaron SPAK.

    Së pesti, të njëjtën gjë thotë SPAK ka bërë edhe Deborah Keçi e cila rezulton të jetë titullare e Klubit Sportiv “Tirana”. Pasi ka folur direkt me administratorin e kompanisë “5D”, Nestor Muhametllari, ajo ka favorizuar kompaninë e drejtorëve të bashkisë.

    A e dinte Veliaj për goditjen e SPAK?


    Goditjen e parë nga SPAK, Erjon Veliaj e mori në dhjetor të vitit të kaluar, kur SPAK vuri në pranga bashkëpuntorin e tij të ngushtë Taulant Tushe. Duhet thënë se arrestimi i Tushes e prekte tangent punën e bashkisë së Tiranës, pasi procedurat për inceneratorin e Tiranës mbanin zyrtarisht vulën e ministrisë së atëhershme të mjedisit.

    Ndërkohë arrestimet e kësaj të enjteje mund të konsiderohen një goditje mu në zemër të Bashkisë së Tiranës, pasi të arrestuarit janë disa nga njerëzit më të afërt të Erion Veliajt.

    Kryetari i bashkisë së Tiranës bëri disa deklarata publike në mbrojtje të Taulant Tushes në dhjetor të vitit të kaluar, por gjithsesi nuk e shkeli vijën e kuqe të partisë për të mos sulmuar institucionet e drejtësisë. Por mbrëmjen e kaluar, gjatë prezantimit të librit të Alket Islamit, Erion Veliaj bëri disa deklarata të guximshme, duke lënë të kuptohet se goditjet e SPAK po i vinin nga Edi Rama.

    Veliaj bëri një krahasim mes shumë detyrave që mbante kryetari i parë i bashkisë së Tiranës, Ali Ndroqi me atë që mund të jetë sot edhe kryeministër, edhe kryetar i SPAK, edhe kryetar i Gjykatës, duke hequr nje paralele me Edi Ramën. Video më poshtë:



    Po ashtu në një tjetër paralele që hoqi mes Ali Ndroqit dhe Edi Ramës, kryebashkiaku Veliaj nuk ngurroi të parashikojë se si do të flitet pas vdekjes për kryetarët e bashkive, duke cituar ata që të ndjerin e quanin “merhumi”.



    Lapsi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 31-03-2024 më 23:33

  • #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Sekrete nga dosja e drejtorëve të arrestuar të Veliajt (faksimilet)

    Emri:  veliaj-qato-molla.png

Shikime: 1250

Madhësia:  289.0 KB

    Dosja e kompanisë që burgosi drejtorët e Bashkisë, Taulant Tusha, Marenglen Qato dhe Redi Molla është e mbushur me detaje pikante që dëshmojnë për një grabitje flagrante ditën për diell. Ajo tregon se si së paku pesë drejtues të afërt me Erion Veliajn Kishin ngritur një kompani “5D” të cilës i jepnin me garë fallco punët publike të kësaj bashkie. Dhe kjo bëhej ditën për diell, në sytë e të gjithëve, pa pikën e gajles se mos pikaseshin. Në një moment një punonjëse e Bashkisë flet me një të njohurin e saj në celular dhe i dërgon një foto duke i thënë: “Ky është hoteli i Lalit” dhe më pas i tregon atij se po i bëhej presion për tu angazhuan në fushatën elektorale në favor të PS-së.

    Emri:  5-d-lali-3.jpg

Shikime: 1220

Madhësia:  42.6 KB

    E bukura është se të gjithë punonjësit e kompanisë ku pronarë ishin drejtorët e Veliajt e dinin më së miri këtë të fshehtë publike. Në një bisedë mes tyre përgjohen dy vajza duke shkruar me njëra tjetërën se si ka mundësi që Belind Këlliçi që e zbuloi këtë skandal, i paska marrë evsh të gjitha…

    Emri:  5-d-Lali-4.jpg

Shikime: 1241

Madhësia:  29.9 KB

    Në shumë pjesë të vendimit 122 faqësh të gjykatës del qartë se bashkia e Tiranës ka qenë një makineri e stërmadhe e grabitjes së buxhetit të taksave të qytetarëve. Mes viteve 2016 2022 kompania “5D” e drejtorëve të Veliajt ka dalë fituese në pjesën më të madhe të tenderave ( së paku 13 procedura prokurimi nga Bashkia dhe 10 nga ujesjelles kanalizimi dyshohen si korruptive). Këto të dhëna janë zbuluar pas sekuestrimit të celularëve dhe blloqeve të llogarive të kompanisë “5D”. Lapsi.al do të vijojë të botojë pjesë nga kjo dosje e lemertishme.

    Lapsi

  • #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Si u kthye në super investitor drejtori i Erion Veliajt

    Emri:  auto_auto_a9c66ee3-4c26-4afb-8c1a-011ae955070717098166631711914320.jpg

Shikime: 1236

Madhësia:  26.0 KB

    Elvin Tivari, një ish-drejtor i shitjeve në Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë që dikur punonte për një pagë 700 mijë lekë të vjetra në muaj, shumë shpejt u kthye në sipërmarës i sukseshëm që menaxhon investime në miliona euro.

    Këto investime shtrihen në ndërtim, hotelëri, restorante, zyra konsulence, që në Shqipëri njihen si zyra seksere dhe zyra në fushën e shitjeve imobilare.

    I lidhur ngushtë me lobin e bashkisë së Tiranës, Elvin Tivari si të gjithë drejtorët e tjerë të kësaj bashkie, pësuan një ngritje të menjëhershme ekonomike, duke u shfaqur konkurencë serioze dhe rrezik falimenti për shumë biznesmenë veteranë që veprojnë në Shqipëri.

    Prokurori i SPAK, Klodian Braho, është duke hetuar rolin e Tivarit në raport me detyrën që ka pasur në Drejtorinë e Ujësjellësit në Tiranë dhe perandorinë e biznesit privat që ka ngritur në zonat më të lakmuara të vendit.

    Biznesi i drejtorave të bashkisë së Tiranës, përfshirë dhe Elvin Tivari, shumë shpejt pësoi jo vetëm ngritje ekonomike, por dhe një shtrirje të madhe gjeografike nga Tirana, Durrësi, Vlora e deri në Dhërmi.

    Pra në zona mjaft të lakmuara kohët e fundit, aty ku është vija bregdetare apo aty ku përqëndrohet popullsia më e madhe, siç është kryeqyteti i vendit Tirana.

    Në total në emër të Elvin Tivarit, janë rregjistruar në QKB, 8 subjekte private të cilat janë duke u verifikuar nga SPAK.

    Në 7 shkurt 2022, ish-drejtori i Veliajt, Elvin Tivari, ka themeluar kompaninë “LA Brisa”, një kompani kjo që menaxhon një prej hoteleve luksoze në bregdetin e Dhërmiut.

    Emri:  auto_-640-0-1711907797xla-brisa-1531711914278.jpg

Shikime: 1221

Madhësia:  49.8 KB

    Ky biznes është i ndarë mes dy aksionerëve, Elvin Tivari, që gëzon 40 për qind të aksioneve dhe Fatos Malaj, vëllait të kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj.

    Ndërkohë në 11 shtator 2023 Elvin Tivari, hap një tjetër biznes në Tiranë, të quajtur “I Rise Property & Investment” të cilin e zotëron 100 për qind të aksioneve.

    Biznesi ka si objekt: “...Agjensi Imobilare,dhënie këshillimi dhe konsulence në tregun e shitjes dhe blerjes së pronave për individë. Shërbime ndërmjetësimi dhe komisione në sektorin imobilar. Konsulencë për projekte në fusha të ndryshme, ndërtimi i ndërtesave rezidenciale dhe jo rezidenciale...".

    Gjithashtu emri i Elvin Tivarit, del si pronar dhe tek kompania e tregtimit të kafesë, “Gourmet&Co” në Xhafzotaj të Durrësit, i cili zotëron 33 për qind të aksioneve të këtij biznesi. Ndërsa pjesën tjetër e siguron ortaku i tij, Theofan Kazanxhiu.

    Këtë biznes, Elvin Tivari e ka blerë në vitin 2008 nga Bledar Pajana, kundrejt çmimit prej 330 mijë lekë të vjetra.

    Zgjerimi i bizneseve të ish-drejtorit të bashkisë, Tivarit, ka vijuar dhe në vitin 2023, pasi në 13 Tetor, ka themeluar “Gastro Factory”, një Bar-Restorant që ushtron çdo lloj operacioni dhe transaksioni ne lidhje me importimin, eksportimin,tregtimin,shitjen dhe shperndarjen e mallrave të nevojshme në fushën e gastronomisë.

    Në këtë biznes Tivari gëzon 34 për qind të aksioneve, ndërsa pjesën tjetër e gëzon ish-drejtori i UKT-së, Redi Molla dhe Dritan Kadiu.

    Të tre këta emra dalin dhe tek ndërtimi i superhotelit me 5 Yje në Durrës, dhe kjo përputhet plotësisht përmes kompanisë “Etitur” që Elvin Tivari e ka hapur 3 shtator 2020 dhe gëzon 100 për qind të aksioneve.

    Në vitin 2018 Elvin Tivari, hap një Bar-Restorant-Piceri “Marina Bistro”, në qytetin e Durrësit.Ky biznes aktualisht është i pezulluar.

    Ndërkohë në 19 Prill 2022, Elvin Tivari së bashku me Dritan Kadiun hapin kompaninë “Blue Construction”, duke ndarë 50 për qind të aksioneve. Kjo është një kompani që ka si aktivitet në fushën e Hoteleri-Turizmit.

    Oranews

  • #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Dosja hetimore për drejtorët e Bashkisë Tiranë, përgjimet: 'Lali Eri është aksioner te hoteli’

    Emri:  auto_-640-0-1711716905xveliaj-tushe-molla-qato-4661711886324.jpg

Shikime: 1213

Madhësia:  35.3 KB

    Në dosje hetimore të zbardhur për mediat zbulohet një mesazh mes punonjësve të 5D Konstruksion, ku theksojnë se Erion Veliaj është aksioner i një hoteli që po ndërtohet në Durrës, bashkë me Mollën dhe Qaton.

    Ndër të tjera, SPAK ka mundur të zbardh bisedat mes punonjësve, të cilët konfirmojnë se Redi Molla dhe Mariglen Qato janë personat që kontrollojnë dhe drejtojnë aktivitetin e shoqërisë tregtare, janë personat që marrin vendime për largime apo punësime të punonjësve si dhe janë persona që kanë marrë përfitime financiare nga kompania në kohën që edhe drejtonin institucione të rëndësishme në varësi të Bashkisë Tiranë.

    Hetimet e SPAK kanë mundur të lidhin fijet jo vetëm mes drejtorëve, por tentakulat e tyre shkojnë deri tek kupola e Bashkisë Tiranë, vetë kryebashkiaku Erion Veliaj.

    Një ndër to është rasti kur një nga punonjëset bisedon me një tjetër person dhe zbulon se “5D Konstruksion” po ndërton një hotel ku aksioner mes të tjerash është edhe vetë kryebashkiaku Veliaj, përveç drejtorëve.

    “Gjatë hetimeve paraprake është sekuestruar telefoni celular i shtetases Jona Bejko punonjëse në shoqërinë “5 D Konstruksion” shpk për të cilin është kryer ekspertimi teknik si dhe kqyrja dhe analizmi i të dhënave të përfituara nga akti i ekspertimit.

    Rezulton se Bejko ka pasur biseda me interes me një individ të identifikuar si Arban, me të cilin ka zhvilluar një sërë bisedash, që lidhen me punën e saj të përditshme. Në datën 06.01.2023 Jona Bejko i dërgon bashkëbiseduesit një foto ku duket një objekt dhe më pas midis tyre zhvillohet kjo bisedë:

    Jona Bejko: Këtë hotelin po e bëjmë ne. Është aksioner pronari jonë, Lali Eri e këta. Dhe unë marr vetëm 600 mijë lekë të qelbta. Plasi lufta këtej nga zyra. U zu me shefen e financës keq fare Nestori. Ajo i përplas derën në fytyrë. Ky e përzë në shtëpi. Qr mirë që s’u rrafën se ke idenë çfarë bëri këtu. Me të thënë Nestori pra hapur fare në anën e kujt je.

    Qeveria i dha kompanisë së lidhur me Redi Mollën statusin special si investitor në hotel me 5 yje në Durrës në vitin 2021, ndërsa ai mbante postin e administratorit të një ndërmarrje të Bashkisë së Tiranës. Nuk dihet nëse është pikërisht ky hotel për të cilin punonjësja Jona Bejko zbulon se është aksioner “lali Eri”, thënë ndryshe kryebashkiaku Veliaj.

    Syri

  • #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Denoncimi/ Nga Herion Rrapaj te Kacidhja e Tivari, ja 6 anëtarët e tjerë të bandës së Veliajt në Bashki

    VIDEO

    Belind Këllicci, anëtar i Kryesisë së PD-së, i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë pjesën tjetër të bandës së Bashkisë së Tiranës, përvecc drejtorëve të arrestuar deri më tani, në kuadër të hetimeve për atë që njihet si dosja ‘5D’.

    Në këtë kuadër Këllicci renditi si pjesë të bandës së Bashkisë së Veliajt:

    Herion Rrapaj (i cili me bitumin e fabrikës së Bashkisë, shtroi asfaltin elektoral ndëkohë që fiktivisht bënin proçedura tenderuese me kompani private)

    Arben Maloku (i cili ka ngritur një skemë identike si 5D dhe ka ndërtuar 3 kate pa leje në mes të Tiranës),

    Ermal Kapllanaj (i cili u vu në shërbim të Inceneratorit të Tiranës duke shantazhuar të gjithë biznesin e ndërtimit)

    Alban Dokushin (personi përgjegjës për tjetërsimin e pronave publike, por mbi të gjitha Drejtori të cilit i kishte humbur pronësia e landfillit të Sharrës)

    Elton Kacidhja (drejtori i UKT që i cili i dha tenderin e matësave të ujit Klodian Zotos)

    Elvin Tivari (për të cilin Mirela Kumbaro firmosi statusin special për ndërtimin e hotelit 15 milionë euro në Durrës).

    Referuar reagimeve të dy drejtorëve të arrestuar me urdhër të SPAK-ut, Mariglen Qato dhe Redi Molla, të cilët akuzonin Prokurorinë Speciale se kishin vepruar nën presionin politik të Këlliccit, anëtari i Kryesisë së PD-së, theksoi se “deklaratat patetike se drejtësia e re e hartuar nga vetë Erioni dhe Rilindja e Edi Ramës, na qënkërka shantazhuar nga unë, janë sa qesharake po aq dhe pa vlerë”.

    “Erion Veliaj bën mirë të heshtë dhe të presë arrestimin e plotë të shtabit elektoral të zgjedhjeve të 14 Majit, e në fund bën mirë që të presë me buzëqeshje deklaratën që vetë Edi Rama, shumë shpejtë do të shkruajë për të”, shprehet Këllicci.

    Në përfundim, Këllicci tha se vetëm një Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme, janë e vetmja zgjidhje për ta çliruar vendin nga kjo bandë e korruptuar në bashki e në çdo qelizë të qeverisë.

    Syri

  • #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    Kush është drejtoresha e bashkisë që i shpëtoi burgut

    Emri:  auto_-900-0-1711729005x638437-original-8511711990464.jpg

Shikime: 1228

Madhësia:  27.1 KB

    Mes drejtorëve të Bashkisë Tiranë që kanë marrë pjesë në tendera fiktivë nuk janë vetëm Taulant Tushe, Maringlen Qato dhe Redi Molla. Një nga personat e dosjes “5D”, e përfshirë në skemën korruptive bashkë me ish-drejtorë dhe ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë është Eglantina Zere.

    Zere, një nga të ‘përkëdhelurat’ e bashkisë së kryeqytetit më parë ka qenë në krye të Tirana Parking dhe më pas ka kaluar në drejtorinë e gjelbërimit. Sipas njoftimit fillestar të SPAK Zere akuzohej se ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

    “Janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k”, e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.

    Shtetasja Eglantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhametllari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.”, njoftoi dje SPAK për Zeren”. Lapsi.al ka arritur të sigurojë bisedat që figurojnë në dosjen e gjykatës ku ajo i drejtohet administratorit të kompanisë fituese 5D me termin “LAL” (shiko poshte në fund të shkrimit).

    Emri:  auto_egla1711990384.jpg

Shikime: 1225

Madhësia:  43.0 KB

    Sipas veprës së kryer ajo duhet të kishte pasur të njëjtin fat si homologët e saj drejtorë, por ajo nuk përfundoi në pranga si pasojë e disa kushteve lehtësuese.

    E para se ishte femër, e dyta se shuma e tenderit që ajo kishte manipuluar nuk ishte e madhe dhe së treti se ishte e martuar dhe kishte në përgjegjësi një fëmijë të vogël, vendosi gjykata. Për këto arsye vendimi për të, nga një tjetër gjyqtare femër, Rudina Palloj, ishte vetëm pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje./ Lapsi/

    Emri:  auto_egla-1_11711990461.jpg

Shikime: 1207

Madhësia:  24.7 KB

    Lapsi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-04-2024 më 17:23

  • #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 5D Konstruksion: Arrestohen dy drejtorë të Bashkisë Tiranë për vjedhje me tendera e biznes ndër

    A i kërkojmë dot përgjegjësi Veliaj për drejtorët?

    Nga Ola Xama

    Ajo që lexohet në dosjen e hetimeve të SPAK për aferën e kompanisë ‘5D Konstruksion’, nuk është as më pak e as më shumë se ato që dëgjojmë çdo ditë për mënyrën se si paracaktohen tenderat dhe se si shteti vendos kë të bëjë të pasur duke blerë pushtet.

    Duke kontrolluar në procedurat e prokurimeve që i janë dhënë kësaj firme, në total të dalin një dyzinë kompanish të cilat marrin pjesë në tendera herë bashkë dhe herë kundër njëri-tjetrit. Përfituesit numërohen me gishtat e dorës dhe ata që nuk janë rrethi i tyre skualifikohen në të gjitha fazat.

    Çudia që na krijuan hetimet e kompanisë 5D, lidhet me risinë se në dallim nga skema klasike që kemi dëgjuar, drejtorët nuk merrnin përqindje në tendera por ia çonin të gjitha paratë firmës së tyre.

    Është naive që çdokush në këtë vend të besojë se ata që sot punojnë në poste drejtuese në administratë rropaten për të mirën e popullit, dalin lypin vota ditë e natë në fushatë dhe kënaqen me një pagë që në rastin më të mirë nuk kalon 1.200 euro. Me pagat që sot ka shumica e institucioneve publike, ai që kërkon të pasurohet me dinjitet ose kalon në sektorin privat ose largohet nga ky vend.

    Naive është po ashtu të besohet se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ka ditur gjë për këtë aferë. Përgjegjësia e parë ka të bëjë me rolin e tij si titullar i Autoritetit Kontraktor në 8 procedura ku fitues ka qenë kompania ‘5D Konstruksion’. SPAK ka vërtetuar se pronarë janë drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë dhe njerzit e afërt të tij. A duhet hetuar nëse ka patur dijeni për konfliktin e interesit, njësoj siç është hetuar roli i ish-ministrit Ilir Beqaj te dosja e ‘Sterilizimit’?

    Së dyti, titullari i Autoritetit Kontraktor është personi i cili cakton njësinë e prokurimit, antarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shpall fituesin dhe lidh kontratën. Po ashtu, në 3 raste Erion Veliaj është njoftuar me shkresë nga operatorët pjesëmarrës në tender për ankesa që kanë patur për skualifikim të padrejtë.

    Natyrshëm lind pyetja: A është Erion Veliaj ai që lexon ankesën dhe cakton anëtarët e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave? Si ka vepruar ai në rastin që disa kompani e kanë njoftuar se oferta e tyre më e ulët, që mund t’i kursente para bashkisë dhe qytetarëve është skualifikuar padrejtësisht? Përse komisioni i ankesave i ngritur prej tij, nuk konstatoi shkeljet që gjeti SPAK në këto procedura?

    Përgjegjësia e tretë është morale. Përse Veliaj nxitoi të mbështesë drejtorët e tij dhe të ‘duartrokasë’ kallzimin që ata bënë për shpifje pas denoncimit të kandidatit të PD në zgjedhjet lokale? Përse nuk ngriti një audit, nuk ushtroi një kontroll, nuk premtoi hetime?

    Këtë histori sido që ta kthesh, të gjitha rrugët të çojnë te konkluzioni se ose përfitimet e paligjshme janë bërë me bekimin e tij, ose institucioni që ai drejton ka rënë në të gjitha instancat. Në rastin më të keq është bashkëpunëtor dhe në rastin më të mirë është i paaftë për të drejtuar bashkinë!

    Syri

  • Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

    Tema të Ngjashme

    1. Fier, arrestohen dy italianë për vjedhje me dhunë
      Nga Meriamun në forumin Aktualitete shoqërore
      Përgjigje: 13
      Postimi i Fundit: 08-02-2012, 18:57
    2. Master ne Inxhinieri Ndertimi ne Tirane?
      Nga PcCrack3r në forumin Mentori akademik
      Përgjigje: 7
      Postimi i Fundit: 24-08-2011, 04:57
    3. Korrupsioni, pranga 3 zyrtareve te bashkise Tirane
      Nga mesuesi_1 në forumin Tema e shtypit të ditës
      Përgjigje: 5
      Postimi i Fundit: 24-03-2011, 14:13
    4. Sa fitohet me nje biznes butiku ne Tirane
      Nga johnny2000 në forumin Ekonomi & biznes
      Përgjigje: 0
      Postimi i Fundit: 23-04-2010, 05:18
    5. Fier, arrestohen 4 persona për vjedhje nafte
      Nga AlbaneZ në forumin Tema e shtypit të ditës
      Përgjigje: 4
      Postimi i Fundit: 04-05-2007, 11:13

    Fjalët Kyçe për Temën

    Regullat e Postimit

    • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
    • Ju nuk mund të postoni në tema.
    • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
    • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
    •