Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pritet të formojë qeverinë

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi merr mandatin për formimin e qeverisë

    Emri:  640-0-screenshot-16-1706293122.jpg

Shikime: 583

Madhësia:  56.0 KB

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i dorëzoi sot mandatin Talat Xhaferit për krijimin e qeverisë teknike, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare, sipas VOX.

    Gjatë pranimit të mandatit, Xhaferi tha se Qeveria e re do të formohet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ai po ashtu theksoi se edhe në postin e kryeministrit do të vazhdojë të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe transparencë.​

    Përfaqësuesi teknik do të dorëzojë nesër në Kuvend programin dhe përbërjen e Qeverisë së re. Tashmë është bërë e ditur përbërja e Qeverisë teknike pasi partitë politike kanë shpallur propozimet për ministra dhe zëvendësministra shtesë.

    Qeveria teknike duhet të zgjidhet dhe votohet deri në mesnatën e së dielës. Ende është e pasigurt nëse OBRM-PDUKM do ta mbështesë qeverinë.


    Lapsi

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pritet të formojë qeverinë

    Kryeministër për 100 ditë!

    Emri:  Capture-149.jpg

Shikime: 141

Madhësia:  37.3 KB

    Parlamenti në Shkup miratoi qeverinë teknike, të cilën do ta drejtojë zoti Talat Xhaferi, ish-kryetar i Parlamentit. Kjo është hera e parë që një shqiptar e merr postin e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut dhe kjo ka nxitur mjaft pakënaqësi në rrethet nacionaliste në vendin e vogël ballkanik. Qeveria teknike ka si detyrë kryesore përgatitjen e zgjedhjeve që do të mbahen më 8 maj. Dy pjesëtarë të opozitës maqedonase do të jenë ministra të rinj në kabinetin e zotit Xhaferi.

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Qeverinë teknike për më pak se dy orë debat. 65 ligjvënës votuan pro, ndërsa 3 ishin kundër. Deputetët e opozitës shqiptare, që përbëjnë Lëvizjen Evropiane për Ndryshim e bojkotuan seancën, teksa VMRO-DPMNE-ja e opozitës maqedonase abstenoi gjatë votimit, ndonëse dy ministra të saj janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe tre zëvendministra do të jenë nga radhët e saj.

    Zoti Talat Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut edhe pse qeveria e tij teknike do të zgjasë vetëm 100 ditë. Partia e tij, Bashkimi Demokrartik për Integrim e ka quajtur ditën e sotme “ditë historike”.

    Zoti Xhaferi tha se do ta mbajë institucionin më të lartë ligjvënës të besueshëm për qytetarët dhe me detyrat qartësisht të përkufizuara me kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të pushtetit në vend. Ai tha se do t’i përkushtohet rrugës së integrimit evropian me synim anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.

    “Për mua nuk ka dallim nëse është fjala për 1 apo 100 ditë; për qeveri teknike apo kalimtare. Unë këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme e kuptoj dhe do t’i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe sfidë që është shfaqur para meje, në jetën profesionale dhe personale”, theksoi zoti Xhaferi.

    Ligjvënës nacionalistë maqedonas u shprehën kundër zotit Xhaferi që ta drejtojë qeverinë teknike, qoftë për shkakun se ka qenë pjestar i ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, apo pse nuk ka qenë i përshtatshëm për ta gjatë kryesimit gati katër vjeçar të parlanentit.

    “Një dezertor dha dorëheqjen, ndërsa një tjetër dezertor do të ulet në karrigen e kryeministrit. As ai që u ngrit nga kolltuku dhe as ky që po ulet në të nuk kanë ndjenja të çiltra për Maqedoninë; prandaj sikurse edhe Kovaçevski, – kryeministri më i keq deri më tani – mos prisni as nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë dhe të punojë prë një shtet përparimtar dhe të suksesshëm”, tha Antonio Milloshoski i VMRO-DPMNE-së.

    Deputeti vazhdoi duke thënë se BDI nuk ka numër deputetësh as votues që të zgjedhë kryeministrin. Me një fjalor ofendues ai e quajti LSDM-në një shërbëtore te BDI-së, ndërsa u shpreh se ajo e bëri popullin maqedonas “qiraxhi në vendin e vetë”.

    Ndaj këtyre sulmeve reagoi kryetari i BDI-së dhe ligjvënës Ali Ahmeti: “Zoti Milloshoski, kur ju keni lindur më 1976 unë kam qenë gjimnazist, por qiraxhi, i mohuar, i përqeshur, i përplasur nga ata që qeverisnin asokohe. Mua më mohohej gjuha e nënës. Kur ishte Kërçova ime dhe e juaja më e mirë, atëherë kur unë isha qiraxhi apo sot kur të dy jemi zot shtëpie? Shteti ynë, imi dhe i yti, a ishte më mirë atëherë kur më ndiqte mua bashkë me gjeneratat e mia si ‘armik’, ‘terrorist’, ‘separatist, apo sot që bashkëfunksionojmë dhe bashkëdrejtojmë shtëpinë tonë të përbashkët?”, vazhdoi zoti Ahmeti duke iu drejtuar ligjvënësit tjetër, Pavle Trajanov.

    Ndërsa opozita maqedonase sulmoi partitë më të mëdha qeveritare me akuzat për korrupsion të lartë, deputetët e shumicës parlamentare dolën në mbështetje të zotit Xhaferi duke e cilësuar si profesionist dhe parimor në angazhimet e tij gjatë këtyre viteve si drejtues i parlamentit.

    Elmi Haziri i Aleancës për Shqiptarët tha se është i palogjikshëm qëndrimi për të mos votuar një shqiptar për kryeministër nga ata të cilët pretendojnë të udhëheqin me një shtet multietnik.

    “Sado i kamlufluar dhe sado teknik që të jetë arsyetimi, mosvotimi do të jetë për arsye të përkatësisë etnike të kryeministrit. Kjo aspak nuk është shenjë e mirë”, u shpreh ligjvënësi Haziri.

    Kabineti i zotit Xhaferi do të ketë vetëm dy ministra të rinjë, që janë përfaqësues të VMRO-së dhe do të drejtojnë Punët e Brendshme, përkatësisht Ministrinë e Çështjeve Sociale si dhe tre zëvendësministra ‘plotësues’, siç njihen me kushtetutë.

    Dy ministrat nga radhët e VMRO-së refuzuan të dalin në fotografinë e përbashkët tradicionale, menjëherë pas miratimit të kabinetit, duke nxitur dilema në opinionin publik për mënyrën e funksionimit të kabinetit të ri qeveritar.

    Qeveria e përkoshme teknike do ta çojë vendin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 8 majit.


    Koha Jone

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pritet të formojë qeverinë

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi flet shqip në Kuvend: Sot bëjmë historinë

    Emri:  1706440968_talatxhaferi1.jpg

Shikime: 141

Madhësia:  30.4 KB

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë sot qeverinë teknike ku për herë të parë do të zgjidhet një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferin.

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut është mbledhur në seancë për të debatuar mbi programin dhe kabinetin e Xhaferit, ndërsa deri në mesnatë pritet që të votohet dhe miratohet qeveria teknike. Xhaferi tha se jemi dëshmitare të kësaj historike për shqiptarët.

    ”Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin e Ali Ahmetit në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të një dite historike për ne”,-shkruan Xhaferi, kryeministri që pritet të votohet në parlament.

    Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale, shkruan radio “Europa e Lirë”.

    Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.

    Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.

    Kush është Talat Xhaferi?

    Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.

    Ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

    Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

    Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

    Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

    Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.

    Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën plenare të 28 janarit e ka cilësuar si “ditë historike”.

    “Të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq dhe për maqedonasit, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkërisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit jo njëri pas tjetrit, por krahë për krahë për një Maqedoni evropiane”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një mesazh drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

    “Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetar i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u fituan nga Lidhja Social Demokrate, dhe për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

    Por, në marrëveshjen për formimin e Qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të mandatit, Qeveria teknike të drejtohej nga një kuadër i propozuar nga BDI-ja.

    Ndërkaq, VMRO-ja, edhe pse do të jetë pjesë e Qeverisë, tha se në aktin e votimit do të jetë e përmbajtur.

    Nga kjo parti maqedonase thanë se nuk mund të votojnë Talatin Xhaferin për kryeministër, “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë derisa ishte kryetar i Kuvendit”.

    “Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundërkushtetuese dhe kundërligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por, një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të ketë përgjegjësi për çdonjërin që ka shkelur ligjet”, është shprehur drejtuesi i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

    Kundër zgjedhjet së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.

    Edhe ajo akuzon Xhaferin për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit maqedonas.

    “Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mund të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare. Derisa ishte në krye të Kuvendit, [Xhaferi] ka udhëhequr vetëm politika të partisë së tij dhe jo ato që ishin në interes të qytetarëve”, tha Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

    Për Qeverinë teknike duhet të votojnë gjysma e deputetëve apo 61 nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO DPMNE-së, shumica aktuale ka numrin e nevojshëm për të miratuar Qeverinë e re.

    Votimi i Qeverisë teknike duhet të bëhet më së voni deri të dielën në mesnatë.


    Koha Jone

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pritet të formojë qeverinë

    Kryeministri shqiptar i Maqedonisë Veriut, Xhaferi: Vetëm Albin Kurti me ka uruar me facebook e jo me telefon!

    Emri:  Capture-57.jpg

Shikime: 131

Madhësia:  27.0 KB

    Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tregon për DW për turbullirat në qeveri, problemet me dokumentet e udhëtimit, kritikat se është “dezertor” dhe për pirjen e duhanit në Parlament.

    DW: Zoti Xhaferi, ende nuk jeni akomoduar në karriken e kryeministrit, e në qeveri pati tronditje, disa ministra duhet të largohen dhe të tjerë duhet të vijnë në vend të tyre pas përçarjeve në Aleancën për Shqiptarët. Çfarë do të thotë kjo për qeverinë dhe funksionimine saj?

    Xhaferi: Nuk pajtohem me konstatimin për tronditje në qeveri. Tronditje ndodhën në një nga partitë pjesmarrëse në qeveri, por ato janë çështje të subjektit që po përballet me to. Puna e qeverisë zhvillohet në kuadër të asaj që është përgjegjësi dhe detyrim i qeverisë. Qeveria funksionon në tërësi. Janë ndërrmarë aktivitetet dhe masat e duhura në lidhje me zgjidhjen e statusit të atyre anëtarëve të qeverisë, në përputhje me procedurat e përcaktuara dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet.

    DW: Megjithatë, ministrat Mexhiti dhe Aliu, ju kanë akuzuar për komplot kundër Aleancës për Shqiptarët. Kanë thënë se ju e keni lejuar Grubin të heqë nga rendi i ditës pika nga ministritë e tyre…

    Xhaferi: Marrëdhëniet ndërpersonale ndërmjet anëtarëve të qeverisë, janë marrëdhënie të tyre dhe janë përgjegjësi e tyre. Sjellja e kujtdo jashtë asaj që është përcaktuar, është përgjegjësi e imja me të cilën veproj në përputhje me rrethanat. Pra, nuk i komentoj deklaratat e anëtarëve të qeverisë që i bëjnë në emër të partive dhe si anëtarë të partive. Nëse kanë diçka me qeverinë, kjo është çështje tjetër.

    DW: Pra, i hidhni poshtë kritikat e tilla?

    Xhaferi: Nuk i komentoj, nuk merrem me ata, unë merrem me punën dhe përgjegjësitë e mia.

    DW: A i bën BDI presion Aleancës për Shqiptarët për të “bërë pazar” me kombinimet apo aleancat parazgjedhore, për shembull për listat e përbashkëta?

    Xhaferi: Nuk e di nga e keni këtë përshtypje për BDI-në dhe përse duhet unë të përgjigjem për atë se çfarë bën dhe si vepron BDI. Unë si kryetar i qeverisë, përgjigjem për qeverinë, fakti që jam anëtar i ndonjë subjekti politik, nuk do të thotë se jam përgjegjës për lidhje me veprimet apo marrëdhëniet mes partive politike. Unë mbaj llogari të drejtoj qeverinë që kanë lidhje me ligjet, rregulloret dhe procedurat e funksionimit të qeverisë.

    DW: Si ju shkon atëherë, bashkëpunimi me ministrat e VMRO-DPMNE-së? A ka tensione?

    Xhaferi: Bashkëpunimi është në nivelin e duhur, kolegjial, në kuptimin të asaj se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë anëtarëve të qeverisë dhe ata trajtohen si anëtarë të qeverisë, pavësisht se nga cili subjekt vijnë. Pra, nuk kam qasje ndryshe ndaj tyre, pavarësisht nëse janë opizitarisht të përcaktuar, pra kanë hyrë në Qeveri si pjesë e opozitës, si pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Në këtë kontekst, ata janë anëtarë të qeverisë me të njejta të drejta dhe juridiksion për të zbatuar atë që është puna e qeverisë. Pra, marrëdhënia është kolegjiale, si me të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë.

    DW: Qeveria po diskuton rreth zgjidhjeve për ndryshimin e dokumenteve personale, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës, por ministri Toshkovski ka ndërmarrë disa hapa të tjerë. A shikoni në këtë qasje moskoordimin me qeverinë apo është veprim i ndërmarrë për shkak të kuotave të partisë së tij?

    Xhaferi: Unë në lidhje me dokumentet, është përgjegjësi operative e MPB-së. Prandaj nuk mund ta shikoni si veprim të një ministri jashtë asaj që quhet përcaktim. Qeveria e ka detyrim të gjejë zgjidhje për çështje që janë në kompetencat e qeverisë, në rast se ato nuk të zbatohen nga ministria përkatëse. Pra, unë këto çështje i shikoj nga aspekti i funksionimit të sistemit. Në instancë të fundit, kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, përgjegjësi e bartësve të funksioneve në vetë këtë ministri dhe në adrministratën që në mënyrë operative zbaton detyrimet në lidhje me lëshimin dhe përgatitjen e dokumenteve dhe procesin e lëshimit të dokumenteve. Pra, nuk ka asnjë arsye për ta parë atë si një përpjekje për të fituar pikë politike.

    DW: A mund të presim në këtë rast që gjërat do të rregullohen dhe procedura do të përshpejtohet dhe që deri më 12 shkurt, nuk do kemi shumë qytetarë që do mbeten pa pasaporta?

    Xhaferi: Nuk mund të them që të gjitha gjërat do të zgjidhen deri më 12 shkurt, sepse nga analizat që kemi bërë, doli se ka mjaft neglizhencë gjatë procedurave gjatë procesit të përgatitjes dhe në realizimin e procesit të lëshimit të dokumenteve, e në këtë kontekst mendoj se ajo që është kompetencë e Qeverisë për t’u rregulluar me vendime përkatëse, do të rregullohet nga Qeveria. Por pjesën operative, duhet ta zbatojë institucioni. Prandaj kjo çështje nuk varet vetëm nga ministri, kryeministri apo Qeveria, është një konglomerat përgjegjësish nga i punësuari i fundit në Ministri, deri te i punësuari i fundit në qeveri dhe për këtë punë, duhet koordinim. pra, nuk mund t’i shikoni gjërat në mënyrë segmentare se kush çfarë duhet ët punojë. Është një sistem në të cilin ka hierarki dhe kjo hierarki duhet të funksionojë nga lart poshtë e nga poshtë deri në majë.

    DW: Nuk ka vendim të qeverisë për pasaportat?

    Si kryeministër dhe qeveri, a mund të ndërrmerni ndoshta ndonjë masë plotësuese për ta lehtësuar këtë gjendje, ndoshta me ndonjë komunikim me Greqinë? 12 shkurti është afër, e ne e dimë se sa njerëz janë ende pa dokumente udhëtimi…

    Xhaferi: Para së gjithash, ne duhet të marrim masa dhe aktivitete që janë në kompetencën dhe përgjegjësinë tonë. Nuk përjashtohen komunikimet me të gjitha palët e interesuara që mund të lehtësojnë procesin, por së pari është e rëndësishme që ne t’i përgjigjemi detyrimeve tona që këtu, për të zbatuar detyrimet tona. Fakti që nuk mund të përfundohet është objekt shqyrtimi dhe në atë mënyrë të komunikohen të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në zgjidhjen e kësaj situate dhe të përmbushen detyrimet në afat, kohë, procedurë të përshtatshme për të siguruar funksionalitetin e të gjithë nevojave të njerëzve.

    DW: A është obligim i Qeverisë që më 12 shkurt të informojë shtetet e tjera që dokumentet e deritanishme të udhëtimit nuk vlejnë më, apo nuk keni një obligim të tillë?

    Xhaferi: Këto janë norma dhe rregullore ndërkombëtare që janë nën ingerencat e Minnistrisë për Punë të Brendëshme. Do të bëjmë konsultimet e nevojshme me institucionet ndërkombëtare dhe pas përfundimit të këtyre konsultimeve do ketë edhe një vendim përfundimtar se si do t’i qasemi apo nuk do t’i qasemi kësaj procedure, do te zbatohet ose jo.

    DW: Pra, ende nuk keni sjellë një vendim të tillë?

    Xhaferi: Jo, nuk mund ta sjellim para kohe.

    DW: Cili është vlerësimi Juaj rreth përmbushjes së Marrëveshjes së Prespës, nga të dyja palët. Maqedonia e Veriut, ballafaqohet me këtë problem me pasaportat dhe letërnjoftimet, mes të tjerash edhe për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por nga pala tjetër nuk po zbatohet shumë. Për shembull, nuk ka asnjë tabelë rrugore në Greqi ku shkruan Maqedonia e Veriut, por prapë shkruan Shkup ose FYROM, etj. Sa i kënaqur jeni Ju me përmbushjen e marrëveshjes nga të dyja palët?

    Xhaferi: Unë jam në ditën e 10-të si kryeministër dhe vërtetë nuk mund t’u jap një përkufizim të qartë dhe të saktë për ndonjë vlerësim pozitiv apo negativ. Gjithesesi, në kuadër të komunikimit dhe bashkëpunimit parlamentar, mendoj se bashkëpunimi është korrekt dhe madje më se korrekt për sa i përket raportit pozitiv në komunikim dhe në perceptimin që bëhet si ndërinstitucional ashtu edhe ndërqytetar. E rëndësishme është që të ketë një perceptim pozitiv të marrëdhënieve mes qytetarëve. Isha ministër edhe në qeverine e VMRO-DPMNE-së

    DW: Zoti Xhaferi, ardhja Juaj në funksionin e kryeministrit, u përcoll me shumë kritika nga opozita. A ju shqetësojnë kritikat e tilla , se për shkak se keni qenë pjesëtar në UÇK, nuk duhet të jeni në një pozicion kaq të lartë? Madje ka kritika se nga të qenit major në ushtri, jeni bërë udhëheqës i guerilës. Si ndjeheni pas këtyre kritikave?

    Xhaferi: Ndjehem komod në detyrimin që t’i kryej obligimet dhe përgjegjësitë e mia të marra nga qytetarët përmes votimit në Kuvend. Nuk është detyra ime të merrem me vlerësime dhe deklarata politike. E kam thënë më parë dhe do ta them sërish për ju: Sa i përket VMRO-DPMNE-së, unë kam qenë ministër në një qeveri të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, pavarësisht nëse ka qenë qeveria e Nikolla Gruevskit, apo e tanishme, apo e kujt do qoftë. Pra, kam qenë edhe në qeverinë e VMRO-DPMNE-së nëse mund të them kështu, edhe pse qeveritë nuk janë të partive por të qytetarëve dhe të shtetit. Pra, institucioni nuk mund të përvetësohet, qeveria e imja, e juaja apo nuk e di se e kujt. Qeveria është e shtetit dhe pjesëmarrësit në atë qeveri janë subjekte të ndryshme sipas situatave tona aktuale për nga shumëllojshmëria e subjekteve politike që marrin pjesë në qeverisje.

    DW: A ju ka lënduar kritika e deputetit Antonio Miloshoski se “Një dezertor doli nga kryeministria dhe në vend të tij, erdhi një tjetër dezertor”?

    Xhaferi: Ju thashë që nuk shqetësohem për mendimin personal politik të askujt. Unë jam i destinuar t’i kryej detyrat, ashtu siç në fakt i kam kryer edhe në institucionet e mëparshme. A përsa i përket kritikave dhe asaj që i shqetëson disa njerëz, ato gjëra më ndjekin nga posti në post. Për mua është e rëndësishme t’i përgjigjem asaj që është përgjegjësia ime dhe përgjegjësia që kam marrë për të kryer këtë funksion dhe jam i fokusuar përpara qytetarëve që të përmbush pritshmëritë e këtij institucioni për të qenë funksional, për të marrë vendime në favor të nevojave të qytetarëve. Nuk e ngarkoj veten me perceptimet anësore, si individëve dhe personave të caktuar. Ekziston një thënie se kushdo që nis të flasë për tjetrin, bën mirë që njëherë të shikojë veten në pasqyrë.

    DW: Zoti Xhaferi, ku do të jetë udhëtimi juaj i parë kryeministror, ​​cilin koleg kryeministër do ta takoni në fillim?

    Xhaferi: Unë mendoj se Brukseli do të jetë udhëtimi i parë, sepse aty është adresa jonë kolektive si për rajonin ashtu edhe si shtete të veçanta. Synimi është që të dërgohet mesazhi se edhe kjo përbërje e qeverisë, është e orientuar drejt Brukselit dhe Europës dhe në këtë kontekst, mendoj se kjo është në agjendën tonë, duke pasur parasysh se obligimet e të gjitha qeverive të tjera në rajon synojnë në vitin e përvjetorit të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Pra, nuk është realisht koha për të menduar për takime dypalëshe në këtë periudhë, sepse të gjithë po përgatiten për atje.

    DW: Brukseli po ju kërkon të konfirmoni orientimin e kësaj përbërjeje qeveritare apo ju vetë dëshironi ta deklaroni të njejtin?

    Xhaferi: Nuk kërkojnë konfirmim. Ne e kemi deklaruar orientimin tonë edhe gjatë zgjedhjes edhe në ekspozenë e qeverisë, dhe është gjëja e duhur që ai mesazh të prezantohet fizikisht në institucionet evropiane.

    DW: A ju ka uruar kryeministri i Kosovës Kurti për postin tuaj? Sa të vërteta janë thashethemet se Kurti dhe BDI nuk e duan njëri-tjetrin?

    Xhaferi: Unë nuk i shoh gjërat kështu. Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ka zgjedhur të më përgëzojë përmes Facebook-ut, ndaj nuk ka arsye që unë t’i lidh marrëdhëniet ndërpartiake me marrëdhëniet ndër-institucionale. Janë dy gjëra të ndryshme

    DW: Nuk ju është lajmëruar personalisht në telefon që t’iu urojë?

    Xhaferi: Nuk më ka marrë në telefon, ai ka zgjedhur këtë mënyrë komunikimi.

    DW: A është e vërtetë që BDI ka frikë nga popullariteti i Kurtit, siç pretendon opozita këtu nga kampi politik shqiptar?

    Xhaferi: BDI ka një strukturë drejtuese, duhet të shkoni tek ata që t’ju thonë nëse kanë frikë apo jo.

    DW: Kam dëgjuar dekarata nga disa, mes tyre edhe nga paraardhësi juaj, që zgjedhjet e ardhëshme do jenë një luftë mes Lindjes dhe Perëndimit. A pajtoheni ju me këto vlerësime dhe ku e shikoni ndikimin e Lindjes në Maqedoni?

    Xhaferi: Që nga Pavarësia, nga përbërja e parë e Kuvendit në vitin 1993, janë miratuar dy rezoluta. Ato nxjerrin në pah objektivat strategjike të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Njëra është realizuar, por për fat të keq pas shumë kohe të humbur dhe e njëjta gjë po na ndodh tani me çështjen e dytë, sepse nuk e kemi nxjerë mësimin nga periudha e kaluar.

    DW: Në fund edhe një pyetje në dukje e parëndësishme, por që ka të bëjë me reagimet e shumta të publikut për xhirimet e bëra ku ju dukeni teksa pinit puro në Kuvend, gjë që është vërtet e pakëndshme, sepse Kuvendi ka miratuar Ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit, do të pajtoheni me konstatimin se ishte veprim i pahijshëm…

    Xhaferi: Sigurisht që edhe për këtë ka një përgjigje: Ka institucion përkatës që mund të bëjë ankesën përkatëse, unë do të mbaj përgjegjësi si të gjithë qytetarët. Ishte një gabim, por ndoshta atmosfera ishte e tillë dhe ndodhi. Pra, nuk po e mohoj që është diçka që nuk duhej të ndodhte, prandaj ka një institucion që mund të reagojë dhe unë do të përgjigjem në përputhje me reagimin e tyre.


    Koha Jone

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-04-2022, 09:30
  2. Kryeministri turk Erdogan viziton Maqedoninë.
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 01-10-2011, 14:57
  3. Arrestohet Talat Xhaferi, anëtar i kryesisë së BDI-së
    Nga RaPSouL në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 13-06-2008, 08:00
  4. Ish kryeministri Agim Çeku do të formojë parti të re
    Nga Cimo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 26-01-2008, 12:56
  5. Çekut i kërkohet të formojë qeverinë e re
    Nga Flori në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-03-2006, 20:36

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •