KREU I DYTË
SHKARKIMI I KOTOKOS
Fitorja e komunistëve në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe sigurimi i përkrahjes së Jugosllavisë së Titos, i dhanë dorë diktatorit Enver Hoxha të instalonte në Shqipëri një nga regjimet më gjakatare, që ka njohur historia e njerëzimit. Vendi u zhyt në vorbullën e një lufte vëllavrasëse, në altarin e së cilës u flijuan njerëz, bindje, tradita dhe institucione. Në emër të dogmës së edukimit të njeriut të ri shqiptarët u detyruan ti nënshtrohen një procesit të indoktrinimit ideologjik ateist, që konsistonte në çrrënjosjen e bindjeve fetare(81).
Më 31 mars 1945, Kryeepiskopi Kristofor Kisi(82) u ka dërguar një letër anëtarëve të Sinodit të Shenjtë me Nr. Prot. 176, me anën e së cilës u kërkonte të shfaqnin mendimin e tyre në lidhje me aktivitetin antishqiptar të episkopit të Gjirokastrës, Pandelejmon Kotoko(83). Ndër të tjera në letër kryetari i Sinodit të Shenjtë, Kisi shkruan se peshkopi dioqezës së Gjirokastrës, Pandelejmon Kotoko de facto është shkarkuar nga detyra dhe është zëvendësuar, por vendim pushimi nuk është marë dhe shkarkimi i tij nuk është dekretuar për shkak të pengesave, që paraqet statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili të drejtën e pushimit të kryetarit dhe të anëtarëve të Sinodit ia ka rezervuar vetëm kryetarit të shtetit. (Fig.1) Për t’i dhënë fund kësaj çështjeje kryetari i Sinodit të Shenjtë, Kisi u drejtohet anëtarëve të sinodit që me anën e shkresave përkatëse të shfaqnin mendimin e tyre(84).
Sipas Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Imzot Pandelejmon Kotoko kishte bërë shkelje statutore dhe kanonike sepse kishte braktisur dioqezën e Gjirokastrës. Në letrën e tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Myzeqesë Imzot Visarion Xhuvani (Fig.2) i sugjeron Sinodit të ndjekë procedurat, që përcakton Statuti në lidhje me Gjykatën Shpirtërore, e cila ishte organi kompetent për të gjykuar çështjen e braktisjes së detyrës kishtare. Pasi të ndiqeshin të gjitha procedurat përkatëse, atëhere Gjykata Shpirtërore do të vendoste pushimin nga detyra të titullarit të Mitropolisë së Gjirokastrës. Për këtë vendim të Gjykatës Shpirtërore Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë lipsej të njoftonte qeverinë shqiptare sepse ajo e kishte të drejtën e miratimit të shkarkimit nga detyra peshkopale të peshkopëve(85).
Më 16 maj 1945 u mblodh Sinodi i Shenjtë i KOASh-it, nën kryesinë e Kryeepiskopit Kristofor, Mitropolitit të Korçës dhe zëvendës i përgjithshëm i Dioqezës së Gjirokastrës, Imzot Agathangjelit, mitropolitit të Beratit dhe Vlorës, Imzot Visarionit dhe Ikonomit të Madh Stavrofor Vasil Marku. Sinodi i Shenjtë në mbledhjen e tij të jashtëzakonshme shqyrtoi dhe më pas dekretoi pushimin e Imzot Kotokos. Ndër çështjet që u diskutuan qenë se në vitin 1940 peshkopi Pantelejmon Kotoko, në atë kohë titullar i Dioqezës së Gjirokastrës është larguar nga Shqipëria pa lejen e Kryetarit të Kishës, duke shkelur kështu artikullin 26 të Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas këtij akti Sinodi i Shenjtë e ka konsideruar të dorëhequr dhe Kryeepiskopi ka emëruar si Zëvendës të Përgjithshëm të Dioqezës së Gjirokastrës peshkopin e Korçës Imzot Agathangjelin(86). (Fig.3) Gjithashtu ka urdhëruar që të mos përmendet gjatë meshës emri i peshkopit të dorëhequr në kishat e peshkopatës së Gjirokastrës. Përpos faktit se është larguar nga Shqipëria pa lejen e Kryetarit të Kishës, peshkopi Pandelejmon Kotoko duke shtuar fajet e tij kanonike ka pranuar dhe kryesinë e një komisioni, që punon kundra integritetit të vendit(87). Më 13 qershor 1945 Kryeepiskop Kristofor Kisi i ka dërguar një shkresë me numër protokolli 238 Ministrisë së Drejtësisë, me anën e së cilës i parashtronte për dekretim vendimin e Sinodit të Shenjtë të KOASh-it. Gjithashtu Ministria e Drejtësisë me anën e shkresës që mban numrin e protokollit 794, datë 19 qershor 1945 i përgjigjet se vendimi i Sinodit të Shenjtë është me vend, sepse i përgjigjet misionit të lartë fetar dhe patriotik të institucioneve tona fetare. Kisha Ortodokse me të drejtë nuk mund të toleronte një peshkop, që ka zhvilluar dhe zhvillon veprimtari antikombëtare të vazhdonte të mbante titullin e një dioqeze shqiptare(88).
Pas shkarkimit të episkopit të Gjirokastrës, Pandelejmon Kotoko, Sinodi i Shenjtë i KOASh-it kishte këtë përbërje: Kristofor Kisi në cilësinë e Kryeepiskopit, Mitropoliti i Korçës dhe Zëvendës i Përgjithshëm i Dioqezës së Gjirokastrës, Imzot Agathangjeli, Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Myzeqesë, Imzot Visarioni dhe Ikonomi i Madh Stavrofor Vasil Marku(89).
Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të datës 4 korrik 1945 u diskutua çështja e episkopit të Strugës Irine Banushi(90). (Fig.4) Kryetari i Sinodit të Shenjtë Kristofor Kisi deklaroi se Imzot Irineu është emëruar me vendim sinodi episkop i Strugës, por dekreti qeveritar nuk ka dalë ende, prandaj Sinodi i Shenjtë vendosi që Imzot Irineu të jetë anëtar i sinodit me cilësinë e episkopit të Strugës(91). (Fig.5)
81) - Pirro Kondili, Orthodhoksia: burim qëndrese dhe shprehje lirie në Shqipërinë komuniste, Kërkim, nr.16, Tiranë, 2019, faqe 52-72.
82) - Kristofor Kisi (1890-1958) ka lindur në lagjen Kala të Beratit në vitin 1890. Studimet e larta i ndoqi në Shkollën Patriarkale të Halkit ku u diplomua në vitin 1906. Tema që mbrojti diplomën ishte “Mbi prejardhjen e jetës monakale”. Me përfundimin e studimeve teologjike më 1908 u kthye në atdhe dhe filloi punë në gjimnazin e Jovan Bangës në Korçë. Në vitin 1916 u dorëzua në gradën priftërore në Kostandinopojë dhe u caktua kryefamullitar në Makrohor. Më vonë u hirotonis episkop i Sinadës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923. Duke parë përpjekjet e otodoksëve shqiptarë për autoqefali, Imzot Kristofori u kthye vullnetarisht në Shqipëri, ku mori në drejtim Mitropolinë e Beratit. Më 21 nëntor 1923 Imzot Kristofori së bashku me Imzot Jerotheun dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Ndërsa në vitin 1929 u tërhoq në manastir duke mos marrë pjesë në veprimet antikanonike që po kryheshin në Kishën Ortodokse Shqiptare. Më 1934 Imzot Kristofori zuri vendin e Mitropolitit të Korçës dhe në vitin 1937 u zgjodh Kryetar i Sinodit të Shenjtë dhe Kryeepiskop i gjithë Shqipërisë. Për shumë vjet qëndroi në krye të Kishës Ortodokse në Shqipëri. Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1992, faqe 43-44; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 58; Dhimitër Beduli, Teologë me origjinë shqiptare që janë diplomuar në Institutin Teologjik të Halkit, Ngjallja, tetor 1996, faqe 10; Kristofor Beduli, At Marko Papajani dhe shënimet e tij, Tiranë 2004, faqe 37-38; Personalitet madhor i Kishës sonë Orthodhokse, Ngjallja, korrik 1996, faqe 9; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 178-180; Andrea Llukani, Krishtërimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, faqe 110-111; Tomor Aliko, Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist, Maluka, Tiranë 2007, faqe 261; Tomor Aliko, Genocide in the intellectual elite od the Albanian nation under the communist terror, Maluka, Tirana 2007, page 261.
83) - Pandelejmon Kotoko ka lindur në Korçë në vitin 1890. Studimet e larta i kreu në Institutin Teologjik të Halkit në Stamboll, ku u diplomua në vitin 1912. Tema me të cilën mbrojti diplomën ishte: "Mësimi i Joan Gojartit për misionin pimantik". Në vitin 1936 mbrojti Doktoraturën në Drejtësi, ndërsa më 11 prill 1937 u dorëzua Mitropolit i Gjirokastrës në kishën e "Trinisë së Shenjtë" të Halkit. Pandelejmon Kotoko e mbajti postin e Mitropolitit të Gjirokastrës nga viti 1937 deri në vitin 1941. Pas ripushtimit të Gjirokastrës prej italianëve Kotoko u largua nga Shqipëria me ushtrinë greke. Pasi u vendos në Athinë themeloi Komitetin Qendror për Epirin e Veriut. Kotoko ka vdekur në Athinë më 24 maj 1969. Dhimitër Beduli, Teologë me origjinë shqiptare që janë diplomuar në Institutin Teologjik të Halkit, Ngjallja, tetor 1996, faqe 10; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 221; Andrea Llukani, Krishtërimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, faqe 108; Foti Cici, Midis shqiptarësisë dhe grekësisë, Globus R, Tiranë 2006, faqe 204-206.
84-Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Fondi 536, Dosja Nr. 1, viti 1945, fl. 1.
85) - Pavli Haxhillazi, Një letër e panjohur e Visarion Xhuvanit, Shqiptarja.com, 14 tetor 2012, faqe 20; Pavli Haxhillazi, Një letër e panjohur e Visarion Xhuvanit, Le Radici, Anno 10, Nr. 5, Ottobre 2012, pagina 18; Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Fondi 536, Dosja Nr. 1, viti 1945, fl. 3-4.
86) -Agathangjel Çamçe (1877-1946) ka lindur në qytetin e Korçës më 1877. Në vitin 1913 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u shqua si aktivist i lëvizjes kombëtare. Në vitin 1919 u dorëzua në gradën priftërore në Nju Jork, ku shërbeu dy vjet duke celebruar shërbesa fetare në gjuhën shqipe. Në vitin 1921 Atë Agathangjel Çamçe erdhi në Shqipëri dhe një vit më vonë më 1922 mori ofiqin e Arkimandritit. Në muajin shkurt të vitit 1929 u dorëzua Episkop i Beratit, Vlorës dhe Kaninës në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit prej Imzot Visarionit dhe Imzot Viktorit. Në vitin 1941 Imzot Agathangjeli u dorëzua Mitropolit i Korçës. Imzot Agathangjel Çamçe ka vdekur në vitin 1946. Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 1992, faqe 44; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 58-59; Andrea Llukani, Krishtërimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, faqe 108- 109; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 6.
87) - Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Fondi 536, Dosja Nr. 1, viti 1945, fl. 5-6.
88) - Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Fondi 536, Dosja Nr. 1, viti 1945, fl. 7-8.
89) - Vasil Marku (1888-1949) është nga Borova e Kolonjës. Që në moshë të re emigroi në Amerikë, ku u dorëzua prift në Sant Louis. Në vitin 1919 së bashku me Agathangjel Çamçen erdhën në Shqipëri dhe morrën pjesë aktive në përpjekjet për autoqefalinë e kishës. Në vitin 1922 Kongresi historik i Beratit e zgjodhi Kryetar të Këshillit të Lartë. Më 1923 Atë Vasil Marku ka kryesuar përfaqësinë e kishës shqiptare, e cila shkoi në Kostandinopojë për çështjen e autoqefalisë. Më 24 shkurt 1929 Atë Vasil Marku mori ofiqin e Ikonomit të Madh Mitrofor dhe u caktua anëtar i Sinodit të Shenjtë, në cilësinë e titullarit të dioqezës së Korçës. Ceremonia u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1992, faqe 45-46; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 59; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 90; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 290.
90) - Irine Banushi (1906-1976) ka lindur në Shkodër në vitin 1906. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe më pas vajti në Seminarin "Bogosllava" të Cetinjës në Malin e Zi. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Beograd dhe i përfundoi në vitin 1938. Menjëherë u kthye në atdhe ku filloi punë në Seminarin “Apostull Pavli” dhe në gjimnazin e Tiranës duke dhënë lëndën e latinishtes. Në prillin e vitit 1939 Ilia Banushi u bashkua me qëndresën antifashiste. Më pas e internuan në provincën e Kolfioritos në Itali nga ku u kthye në vitin 1940. Në atë kohë Kryehirësia e Tij Kristofor Kisi, i cili drejtonte Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shmangur një përpjekje të italianëve për të emëruar një episkop unit, i propozoi Ilia Banushit, i cili shquhej për përgatitje të lartë teologjike dhe përkushtim ndaj atdheut. Kështu në shkurt të vitit 1942 Ilia u dorëzua në gradën episkopale në Manastirin e Shën Naumit që në atë kohë ishte në administrimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas dorëzimit ai mori emrin Irine. Me vendim të sinodit u dorëzua episkop i Strugës, Prespës dhe Caredvorit. Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1992, faqe 45; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 59; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 141; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 127-128; Irine Banushi-martir i Kishës sonë Orthodhokse, Ngjallja, nëntor 2018, faqe 9.
91) - Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Fondi 536, Dosja Nr. 1, viti 1945, fl. 18.
Krijoni Kontakt