Arrestimi politik i Sali Berishës
Dosja e Klubit Partizani një piramidë mashtrimi
Përmbledhje Ekzekutive
Heqja e imunitetit të kryetarit të PD Sali Berisha, vendosja e tij në arrest shtëpie, ndalimi i çdo komunikimi me persona të tjerë, përveç atyre të familjes së ngushtë, si dhe arrestimi i dhëndrit të tij, Prof. Jamarbër Malltezit, ndërkohë që janë veç persona nën hetim, është vendim hakmarrës, terësisht politik, i Edi Ramës. Ky vendim është marrë në dhunim të hapur të kushtetutës së vendit dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, nga prokurorë, gjykatës dhe parlamenti, të kontrolluar totalisht nga Edi Rama.
Dosja e Klubit Partizani është tërësisht një piramidë mashtrimi politik, e cila, siç provohet nga dokumente zyrtare të renditura në këtë raport, bazohet në kallzimin e rremë të lidershipit socialist, si dhe në shpifjen e fshehjen e qindra dokumentave, dhe manipulime nga prokurorë politike.
Pas tre vitesh hetimesh shterruese, ata nuk kanë gjetur asnjë provë, fakt, dokument, apo ndonjë dëshmi të vetme, që të fajsojnë Sali Berishën dhe Malltezin.
Nga dhjetra zyrtarë të qeverive të djathta dhe të majta që kanë firmosur dokumentat e njohjes, kthimit të pronës dhe parablerjes së objekteve të klubit, të ndërtuara mbi këtë pronë, asnjë nuk është në ndjekje penale, sepse ata kanë zbatuar strikt ligjin. Firma e Berishes nuk ekziston në asnjë vendim, apo dokument të këtyre proceseve dhe gjer sot, ai dhe Malltezi nuk janë pyetur asnjëherë të vetme, sepse kjo do rrëzonte piramidën e mashtrimit të prokurorisë politike të Ramës.
Ndryshimi i destinacionit, nga terren sportiv në zonë urbane, është bërë nga Edi Rama, veçmas nga privatizimi dhe pa kërkesën e pronarëve. Ndërsa privatizimi i ndërtesave të rrënuara të klubit është filluar nga qeveria Nano dhe ka përfunduar nga qeveria Berisha. Ne këtë proces disa qindra pronarë, njëri prej të cilëve edhe Malltezi, morën pronën e tyre të konfiskuar nga komunistët 60 vite me parë. Edi Rama i zhytur në skandale të mëdha, si ai i McGonigal dhe afera korruptive shumëmiliardëshe, për të shpëtuar veten me një mandat të ri, vendosi në arrest shtëpie kundërshtarin e tij politik, kryetarin e PD, Sali Berisha.
Dosja Partizani piramidë mashtrimi politik
1. Heqja e imunitetit dhe vënia në arrest shtëpie e Kryetarit të PD Sali Berisha dhe Prof. Jamarber Malltezit, si persona nën hetim, me urdhër të Edi Ramës është një piramidë mashtrimesh politike e bazuar në kallzim të rremë, në shpifje, dhe fshehje të qindra dokumentave zyrtare.
1.1. Me datë 20 tetor GJKKO njoftoi se, me kerkesë të SPAK, kishte vendosur, pa miratimin e parlamentit, ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, si dhe detyrim paraqitjeje në polici, të kryetarit të PD Sali Berisha dhe burgosjen e dhëndrit të tij Prof. Jamarbër Malltezi.
1.2. Këto masa u vendosën pa asnjë bazë ligjore, pa ngritur padi penale, pa dhënë asnjë provë, fakt, apo dokument, por sepse Berisha është nën hetim për korrupsion pasiv, ndërsa Malltezi nën hetim për korrupsion pasiv dhe larje të produkteve të veprës penale, pa treguar si janë kryer këto vepra.
1.3. Berisha i refuzoi këto masa që vinin në kundërshtim të hapur me nenin 73§2 të Kushtetutës sipas së cilës ‘Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit’
1.4. Gjatë 32 viteve pluralizëm këto masa nuk janë vendosur kurrë pa miratimin e parlamentit. Në vitin 2012 Berisha kërkoj abrogimin e nenit 73§2 të kushtetutës, por Edi Rama e refuzoi këtë në mënyre të prerë dhe u arrit vetëm heqja e autorizimit për hetim.
1.5. Me datë 12.12.2023 prokurorët iu drejtuan parlamentit për zëvendësimin e masës së kundraligjshme të dates 20 tetor me masat heqje imuniteti, arrest në burg ose shtëpi, meqense Berisha nuk kish zbatuar urdhërin antikushtetues të gjykatës.
1.6. Ndryshe nga çdo precedent tjetër, kërkesa e paraqitur në parlament nuk u shoqërua me asnjë dosje me prova e fakte, por thjesht vetëm me vendimin antikushtetues së gjykatave të faktit e apelit.
1.7. Miratimi i këtij vendimi politik u njoftua mediatikisht me datën 14.12.2023, përpara çdo diskutimi në komisionin përkatës apo seancë plenare, nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledar Çuçi, i cili deklaroi se grupi i PS do të miratonte masat kundër Berishës.
1.8. Parlamenti, në kundërshtim me kushtetutën, votoi më 21.12.2023 për heqjen e imunitetit të Berishës dhe arrestin e tij në burg ose në shtepi, pa paraqitur asnjë raport dhe pa i dhënë fjalën Berishës, i cili kërkoi të merrte fjalën pasi të largoheshin nga salla mbi 50 gardistë.
1.9. Me datë 30.12.2023, në kundërshtim të hapur me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën, GJKKO vendosi arrest shtëpie për Berishën dhe ndërpreje të çdo komunikimi të tij si person i zgjedhur me votë me persona të tjerë, përveçse me familjarët e tij të ngushtë.
1.10. Masat e sigurisë janë vendosur nga prokurori Altin Dumani i denoncuar nga Berisha si ekstremist i majtë dhe person politikisht i korruptuar nga Rama dhe nga Arben Kraja ish oficer i policisë sekrete hoxhiste, i larguar nga detyra në 1996 me ligjin e lustracionit dhe Enkeleida Millonai, e denoncuar nga Berisha për lidhje me krimin dhe abuzime me të drejtat e njeriut.
1.11. Masat u miratuan në konflikt të plotë interesi nga kryetarja e GJKKO Irena Gjoka, e shkarkuar nga detyra me 8 shkurt të vitit 1996 për paaftësi, nga ish-presidenti Sali Berisha, asokohe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
2. Pas tre vjet hetimesh shteruese të kësaj çështjeje, rregjistruar pa emër të përveçëm, nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore, fakt, provë, dokument, apo dëshmi e vetme nga dhjetra dëshmitarë të pyetur, që të fajsojnë Sali Berishën apo Jamarbër Malltezin.
3. Pa mundur të ngrenë akuzë ndaj tyre, me urdhër të Edi Ramës, prokurorët politikë, me datën 2 tetor 2023 nisën të njëjtin hetim ndaj Sali Berishës dhe Malltezit, dhe në një rast të paprecedentë i vunë ata nën masë sigurie që në fazë hetimi, pa i pyetur asnjeherë gjer sot.
4. Dosja e Klubit Sportiv Partizani është hapur pas një kallzimi të rremë të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i rregjistruar si kallzim penal me datë 1.12.2020 dhe po atë ditë, është regjistruar procedimi penal nga prokurorja Millonai.
5. Akuza kryesore e Taulant Ballës bazohej në trillimin se toka nuk ju takonte pronarëve pasi sipas tij ajo ishte shpronësuar në vitet 1940 nga autoritetet italiane.
6. Por, dokumentet e rregjistrave hipotekorë të viteve 1935, 1943, 1945 dëshmojnë se toka ka qenë pronë e familjeve pronare, ndër të cilat edhe familja Begeja e Jamarbër Malltezit.
7. Fletoret Zyrtare të viteve ’40, të fshehura nga prokurorët, provojnë se toka e Klubit Partizani nuk ka qene kurrë e shpronësuar, por vetëm e rekuizuar (masë bllokimi e përkohshme), me dekret mbretëror të prillit 1942 dhe se, në qershor 1943 ky rekuizim u shty edhe 6 muaj të tjerë. Italia kapitulloi në Shtator 1943.
8. Prokurorët gënjejnë duke thënë se procesi i njohjes, kthimit të pronës dhe privatizimit të objekteve të ndërtuara mbi të ka filluar pas vitit 2005. Dokumentet provojnë se procesi ka filluar që në vitet 1995-1996.
9. Sipas dokumentave zyrtare të firmosura nga Presidenti i Republikës, që në vitin 2004, Klubi i Futbollit Partizani NUK ka qenë në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura. Ndonëse kjo del qartë në dosje, prokurorët u përpoqën në dhjetëra faqe të krijojnë konfuzion.
10. Prokurorët pretenduan se toka e familjeve pronare nuk përfshinte gjithë sipërfaqen e ish Klubit. POR hartat zyrtare provojnë se tokat e 5 familjeve pronare shtrihen në atë zonë, në vazhdim të njëra tjetrës, pa hapësira në mes, në sipërfaqe mbi 21 mijë m2 më shumë se sipërfaqja e ish klubit, dhe përfshin edhe 1500 m2 që grabiti Edi Rama me mikun e tij Carlo Bolino.
11. Ndryshe nga sa pretenduan prokurorët duke fshehur dokumenta, procesin e privatizimit të Klubit Partizani nuk e ka filluar qeveria Berisha.
11.1. Shkresat e firmosura nga ministrat socialistë Angjeli dhe Klosi deshmojnë fillimin e procedurave të privatizimit të klubit në vitin 2005, për llogari të një subjekti tjetër që nuk kishte lidhje me pronën.
11.2. Sipas dëshmisë së tij, ai u tërhoq nga procesi, pasi ligji nr. 9235 i datës 19.7.2004 i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ne nenin 7§2 përcaktonte se pronat e paluajtshme që propozoheshin për tjetërsim ju kalonin të shpronsuarve; pra, ligji ia kthente pronën pronarit.
vijon...
Krijoni Kontakt