Shtëpitë e Kulturës së Kosovës, relikte të venitura të së kaluarës jugosllave

Në epokën socialiste jugosllave, Shtëpitë e Kulturës ofronin filma, shfaqje dhe ngjarje artistike për njerëzit në qytete e fshatra, anembanë Kosovës. Por shumë prej tyre tani janë braktisur dhe shkatërruar, ashtu si historia e përbashkët kulturore e shoqërisë së paraluftës.

Nga Serbeze Haxhia

Emri:  Beqir-Beqaj-at-cultural-house-in-Bellobrad-320x320-1.jpg

Shikime: 79

Madhësia:  17.2 KB
Beqir Beqaj në ish-Shtëpinë e Kulturës në Bellobrad. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Në pranverën e vitit 1969, kur Beqir Beqaj ishte ende fëmijë në fshatin Bellobrad në komunën e Dragashit, ai pa disa mjeshtër që vinin erdhën për punë ndërtimi në një plevicë të braktisur drithërash, të njohur si “Plemja e Hazër Mustafës”.

Beqaj fillimisht nuk e dinte se çfarë po ndërtohej atje. “Të moshuarit na thanë se plemja do të shndërrohej në Shtëpi Kulture, gjë që ishte drithëruese për ne”, kujton ai.

I ulur jo shumë larg ndërtesës që dikur i sillte kënaqësi, argëtim dhe ide të reja, Beqaj thotë se kishte pasur mundësinë të shihte atje filma aksion perëndimor, si dhe filma të realizuar nga regjisorë shqiptarë dhe regjisorë të tjerë të asaj periudhe jugosllave.

“Zakonisht njoftimet bëheshin një javë më herët dhe mezi prisnim të mblidheshim këtu dhe të shihnim filmat. Këtu mblidheshin qindra njerëz nga fshati dhe fshatrat përreth”, thotë ai.

Në atë godinë zhvilloheshin edhe aktivitete të tjera kulturore, koncerte dhe festivale folklorike rajonale.

Gjatë udhëheqjes së Josip Broz Titos, shtëpitë e kulturës u ndërtuan në qytete e fshatra, në gjithë ish-Jugosllavinë. Nën sistemin socialist jugosllav, ato sollën art, kulturë dhe argëtim për njerëzit në komunitetet e tyre lokale.

Në disa vende të ish-Jugosllavisë, disa prej tyre funksionojnë ende. Por në Kosovë që nga viti 1990 e tutje, pasi heqjes së autonomia e Kosovës nga Serbia dhe forcimit të liderit nacionalist autoritar serb, Sllobodan Millosheviç, “situata ndryshoi, dhe në shumicën e vendeve përfshi edhe këtë fshat malor në jug të Kosovës kishte gjithnjë e më pak aktivitete kulturore.

Pas viteve 1990, shumë prej ndërtesave nuk përdoreshin më , duke u lënë pas dore dhe tani janë të rrënuara e të braktisura. Në Bellobrad, Shtëpia e Kulturës është rinovuar pjesërisht, por shërben vetëm për të mbajtur ndonjë aktivitet të organizuara nga partitë politike në fshat. Ngjarjet kulturore që Beqajt i pëlqenin dikur “nuk u kthyen më kurrë”, thotë ai.

“Çdo fundjavë kishte një ngjarje kulturore”

Emri:  Projector-in-cultural-house-in-Gorazhdec-Gorazdevac-1536x1024-1-1140x760.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  25.8 KB
Një projektor i vjetër filmi në ish-Shtëpinë e Kulturës në Gorazhdec. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Në një hapësirë të vogël pas një dere prej druri në ish-Shtëpinë e Kulturës në Gorazhdec të Pejës, është ende një projektor i vjetër filmi. Por kanë kaluar gati tri dekada që kur vendasit në këtë fshat me shumicë serbe kanë parë ndonjë film të shfaqur në qendrën e tyre kulturore, që nuk funksionon më.

“Projektori i vjetër dëshmon për kohën kur këtu shfaqeshin filma”, thotë për BIRN, Darko Dimitrijeviç, drejtor i radios lokale, Radio Gorazhdeci.

Dimitrijeviç, kujton qendrën kulturore që nga fëmijëria e tij dhe ngjarjet kulturore të mbajtura aty – “një herë e një kohë”, siç thotë ai.

“Të moshuarit tregojnë sesi Gorazhdeci se që nga vitet 1970-ta këtu kishte programe të pasura kulturore dhe artistike dhe nuk mundën të ringjalleshin më kurrë”, tha Dimitrijeviçi. “Të moshuarit thonë se çdo fundjavë në fshat kishte një ngjarje kulturore”, shton ai.

Përveç kinemasë, ekzistonte një ansambël folklorik i përbërë nga të rinj që performonin në të gjithë Jugosllavinë. “Në Shtëpinë e Kulturës kishte edhe një bibliotekë që u dogj nga një zjarr në vitet 1980”, tregon Dimitrijeviç.

Zyrat e Radio Gorazhdecit janë ngjitur me ish-Shtëpisë së Kulturës. Ndërtesat e tjera publike në fshat janë restauruar, por jo edhe qendra kulturore.

Tani, aktivitetet e vetme kulturore janë kur një grup aktorësh nga qyteti i Graçanicës shkojnë për të vënë në skenë ndonjë shfaqje. “Por kjo nuk ndodh shpesh, ndoshta dy herë në vit”, thotë Dimitrijeviçi.

“Një histori e përbashkët kulturore”

Emri:  Cultural-house-in-Lipjan-1536x1024-1-1140x760.jpg

Shikime: 36

Madhësia:  55.4 KB
Shtëpia e braktisur e Kulturës në Lipjan. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Në gjithë Kosovën, në vitet 1970 dhe 1980 kishte disa qindra qendra të tilla kulturore. “Ishte një jetë më e mirë kulturore”, thotë për BIRN Gani Mehmetaj, ish-drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, shkrimtar dhe studiues.

Kudo që kishte qendra kulturore, sallat e tyre përdoreshin si kinema. Punonjësit e kinemasë shkonin nëpër qytete e fshatra dhe organizonin shfaqje për banorët lokalë. “Pajisjet i transportonin me furgon dhe vendosnin një çarçaf duke e përshtatur vendin si skenë”, kujton Mehmetaj.

Ai shpjegoi se punonjësit e kinemasë nga qytetet ishin të detyruar të shfaqnin filma nëpër fshatra të paktën dy deri në tre herë në javë, duke përhapur kulturë në gjithë vendin.

“Repertori përzgjidhej nga qendrat kinematografike në të gjithë ish-Jugosllavinë, përmes një programi shfaqjesh të filmave të prodhuar në vend dhe duke blerë gjithashtu edhe filma të huaj”, thotë ai.

Në fshatin e Mehmetajt, Dubovë të Pejës, Shtëpia e Kulturës u dogj dhe në të renë, të ndërtuar pas luftës, nuk është shfaqur kurrë asnjë film.

“Kur shoh se shumë gjëra nuk janë më si dikur mallëngjehem, kujtimi i së kaluarës kthehet, pavarësisht nëse vendos të ndalem apo jo në të”, thotë ai.

Bajram Shala, që për 24 vjet ka punuar si kinematograf në Beograd, kryesisht në qendrën “Sava”, salla më e madhe e koncerteve në Serbi, i përshkruan qendrat e kulturës, si një shprehje të “betejës për multikulturalizëm” të Jugosllavisë.

Ai është gjithashtu nostalgjik për kohën kur ndihmonte në shpërndarjen e projektorëve dhe bobinave të filmit për shfaqje edhe në fshatrat më të largëta të vendit.

Në Kosovë, disa nga shtëpitë e kulturës të mbështetura nga shteti u restauruan ose u rindërtuan pas viteve 1998-1999. Por derisa ato nëpër qytete ende shërbejnë për disa aktivitete kulturore, në fshatra ato mbeten të mbyllura, relikte të braktisura të së shkuarës. “Ato hapësira kulturore të një federate të zhdukur (jugosllave) vdiqën bashkë me të”, thotë Mehmetaj.

Drejtoritë komunale të kulturës janë kryesisht përgjegjëse për shtëpitë e kulturës, por nuk ka një plan mbarëkombëtar për restaurimin, modernizimin dhe rivënien në funksion të tyre, që do të thotë se banorët lokalë janë të privuar nga ngjarjet kulturore.

Producenti i filmit, Mërgim Aruqi, ka kohë që punon për të vazhduar aktivitetet në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Lipjanit. “E kam pastruar edhe vetë. Por epoka digjitale i ka zhdukur njerëzit në qendrat kulturore apo kinematë”, ankohet ai.

Ideja e Shtëpive të Kulturës i referohet një “historie të përbashkët kulturore” mes popujve të Jugosllavisë që nuk ekziston më, vë në dukje ai.

Mehmetaj beson se projektorët e mbetur të filmit dhe pajisjet e tjera të vjetra që kanë mbetur ende nëpër disa vedne duhet të mblidhen në një muze që përkujton Shtëpitë e Kulturës – një produkt i një shteti socialist federal që u zhduk në luftërat e viteve 1990.

“Unë mendoj se ato duhet të shërbejnë si kujtim i lulëzimit të një epoke dhe vdekjes së saj”, thotë ai.


BIRN